Ekonomi

KEK-u ndez ekskavatorët në Shipitullë, Vllahiu premton se s’do të ketë shtrenjtim të rrymës

Korporata Energjetike e Kosovës i ka ndezur ekskavatorët në fshatin Shipitullë për të nxjerr thëngjillin nga nëntoka e këtij lokacioni

Gjatë një konference për media të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, pikërisht nga Shipitulla, u bë e ditur se marrëveshja me banorët e lagjes Mirena është arritur dhe se të gjitha objektet në zonë do të rrëzohen para vitit të ri.

Vllahiu bëri me dije se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës dhe as reduktime. Ai tha se procesi i zhvendosjes së banorëve ka përfunduar dhe në këtë mënyrë Qeveria Haradinaj ka përmbyllur njërën nga çështjet më të mëdha që kanë mbajtur peng energjinë.

“Të gjitha objektet në zonë do të rrënohen para vitit të ri. Do të prodhojmë vetë energji dhe nuk do të ketë import. Nuk do të ketë shtrenjtim dhe reduktime të rrymës”, tha ai.

Valdrin Lluka, ministër i MZHE-së, tha se nëse varemi nga importi nuk ka asgjë të sigurt nga rritja e energjisë elektrike.

Ai tha se nisja e punës nga ana e KEK-ut do të stabilizojë prodhimin e energjisë elektrike. Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, tha se marrëveshja me banorët e lagjes Mirena është arritur në mëngjes dhe tash ka nisur puna e ekskavatorëve të KEK-ut për mihjen e thëngjillit.

Edhe Avni Arifi, nga kabineti i Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk do të zhytet në krizë energjetike. “Ndizen ekskavatorët në Shipitullë. Jo më krizë”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *