Lajmi kryesor, Sport

Karateistët kosovarë nuk lejohen të hyjnë në Serbi

Përfaqësuesja e Kosovës në karate, e cila mëngjesin e sotëm u nis për në Novi Sad, nuk u lejua të hyjë në territorin e Serbisë

Kryetari i Federatës së Karatesë, Ismet Kraniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në pikën kufitare të Merdares, përfaqësueses së Kosovës iu tha se është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë që asaj të mos i lejohet hyrja në Serbi.

Karateistët e Kosovës u nisën për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Novi Sad. “Unë dhe sekretari i përgjithshëm jemi nisur mbrëmë rreth orës 21:00. Kemi pritur deri në orën 01:00 dhe në fund nuk jemi lejuar të hyjmë në Serbi. Përsëri jemi nisur në orën 05:00 të mëngjesit, me autobus dhe me sportistët tanë, dhe përsëri jemi kthyer, me arsyetimin se ky është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë”, tha Krasniqi, duke shtuar se në pikën kufitare ka pasur prani të madhe të policisë dhe xhandarmërisë serbe.

Krasniqi tha se ky vendim është i papranueshëm dhe se pret reagimin e Federatës Evropiane të Karatesë.
Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën ka theksuar se nga vendkalimi kufitar në Mërdare, janë kthyer në dy termine, dy grupe nga Kosova.

Aty thuhet se përkundër paralajmërimeve nga organizatori për pjesëmarrje neutrale të karateistëve nga Kosova në garë, sportistët nga Kosova kanë bartur me vete, siç thuhet “simbole të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

Ky veprim i sportistëve kosovar, sipas Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën kishte qëllim të qartë, nxitjen e provokimeve në këtë garë sportive.

Ekipi i parë i nisur nga Kosova për në Serbi është kthyer mbrëmë rreth orës 23:00, kurse ekipi i dytë është kthyer mbrapsht sot në mëngjes. Arsyeja, sipas qeverisë serbe, ishte bartja e simboleve shtetërore të Kosovës.

Paraprakisht, ekipi ka vendosur të marrë pjesë në garë vetëm me simbole shtetërore të Kosovës, ndërsa Serbia ka thënë se Kosova do të konkurrojë nën flamurin e Federatës Evropiane.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *