Lajme, Lajmi kryesor

Kancelarja Merkel e dëshmoi përkushtimin për Kosovën

Nga Ramush Tahiri

Vizita e Presidentit të Republikës së Kosovës zotëri Hashim Thaçi në Gjermani dhe pritja shtetërore që iu bë e sidomos takimi me Kancelaren AngelaMerke, e dëshmoi edhe një herë përkushtimin e këtij shteti lider të Evropës për çështjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Kancelarja gjermane Merkel edhe në konferencën e përbashkët për medie hapur e konkretisht i dha mbështetje shtetit të Kosovës, duke theksuar se në takimin e Sofjes të Bashkimit Evropian në të cilin si e barabartë është ftuar të merr pjesë edhe Kosova konkretizohen çështjet e bashkëpunimit dhe të ndihmës. Merkel theksoi angazhimin që duhet të bëjë Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kuadër të zhvillimit të proceseve demokratike, të rendit dhe të sundimit të ligjit.

Gjithashtu Kosova duhet të zvogëlojë papunësinë që është më e larta nga të gjitha shtetet e tjera, përmes një politike të drejtë zhvillimore të bazuara në resurset e brendshme dhe në ndërlidhjen me kapitalin ndërkombëtar duke tërhequr investimet dhe duke shfrytëzuar fuqinë punëtore kosovare të re e të shkolluar.

Ndërsa u vlerësuan si tejet të rëndësishme bisedimet apo thënë më mirë dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me zotimin se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përjetësohen, sepse kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë, dhe një lloj parakushti tejet i nevojshëm për secilin shtet në rrugën e tij në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pritja nga Kancelarja Merkel e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në takime veç e veç edhe simbolikisht e dëshmon angazhimin e Kancelares gjermane që shtetet e Ballkanit Perëndimor në një periudhë të afërt duhet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë nuk ndikon vetëm gjeografia dhe gjeopolitika e rajonit por vet Bashkimi Evropian në vizionin dhe të ardhmen e tij nuk duket i realizueshëm pa vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili pati një të kaluar të dhunshme dhe është një lloj arene e ndikimit të shteteve të tjera të interesuara për shtrirje të ndikimit dhe të modeleve të shoqërisë së tyre në shtetet individuale.

Bashkimi Evropian sikur po vonohet në politikat e veta të zgjerimit dhe sikur po ndihet një lodhje dhe ky vakum po bëhet përpjekje të mbushet nga ndikime që konsiderohen të huaja me vlerat evropiane, për çka Gjermania pp bëhet një forcë udhëheqëse e BE-së por edhe një shpresë dhe një ndihmë për vendet aspirante, të cilat në rrugëtimin e tyre drejt Evropës duhet ti përmbushin një varg detyrash si kritere e kushte që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe të zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore duke i zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet veti./Ky shkrim është ekskluziv për 360grade.al/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *