Opinion

Kalimthi: Oligopoli

Fjalori Politik i Oxfordit për termin ‘oligopol’ jep këtë shpjegim: Treg me pak shitës, të cilët mund të kontrollojnë çmimet dhe sasinë e mallit duke u marrë vesh shprehimisht midis tyre. Shumica e tregjeve politike, domethënë tregjet në të cilat partitë politike e shesin politikën janë oligopolitike. Pikë! Po si duket kjo në rastin tonë


Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Mozaiku politik-partiak i pas zgjedhjeve parlamentare e lokale në Maqedoni, me gjithë vrazhdësinë e vet po shpërfaq pezmin dhe oreksin për respektivisht humbjen, ruajtjen e pozicioneve një herë të fituara dhe zhvatjen sa më shumë të kulaçit që quhet pushtet.

Në emër të forcimit të pozicioneve partiake duket se po ringriten struktura grupore-klanore, krejtësisht të huaja për politikën e dinjitetshme dhe morale. Pse jo edhe të përgjegjshme! Sikur të mos ishte kështu, pas mësimeve që do duhej nxjerrë, po që nuk u nxorën nga pësimet e megaskandalit të përgjimeve, që çoi në krizën e thellë politike dyvjeçare, nuk do të kishim 27 prillin dhe gjakderdhjen në Parlament.

Po, përtej kësaj:përse gjithë këto shkarje-rrëshqitje politike të partive, pa përjashtim, që rrumbullakojnë mozaikun politik në Maqedoni?

Edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja, edhe BDI-ja, edhe Lëvizja Besa, por edhe Aleanca për Shqiptarët, duket se tregut politik të vendit po ia përforcojnë damkën e stërzgjatjes së tranzicionit.

Tek partitë e bllokut maqedonas duket se, ta zëmë, Partia e Gruevskit, nuk po merr kurajon e reflektimit karshi pozicioneve të humbura, duke provuar dita-ditës se mbetet ‘kope e çobanit’ i cili ashiqare tregoi se nuk u gjend si duhet në ‘acarin politik’ me terren goxha të rëshqitshëm!

LSDM-ja e Zaevit nga dita në po manifeston dalldisjen për sa më shumë pushtet, në të gjitha levat e tij!

Edhe në kampin shqiptar, avazi i provuar: Referuar Fjalorit të sipërpërmendur, në analogjinë e tregut, votuesit krahasohen me konsumatorët, interesat e organizuara me prodhuesit e mallrave dhe politikanët me sipërmarrësit e tregtarët!

Grupet e interesit dhe ato për presion po shpërfaqen si kërpudhat pas shiut – për të marrë sa më shumë pushtet – në levat e partisë dhe të shtetit. Pa çka se politika është megalojë që nuk përjashton meritokracinë, pastërtinë dhe përgjegjësinë!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *