Lifestyle

Ja pse në vitin 2018 do të çmendet rrjeti dhe do shkallojnë turmat

Një studim i ISG-së (Instituti i Gojëve të Liga) ka zbuluar se për fat të keq, tendenca e vënë re edhe në vitet e mëparshme dhe e përforcuar gjatë 2017-s sa i takon botës online, do të vazhdojë me ritme galopante gjatë 2018-s

Studimi vëren se dukuria e lajmeve bombë do të shtohet në gjysmën e parë të vitit. Për këtë paralajmërohen lexuesit që të bëjnë kujdes me frekuentimin e titujve eksplozivë, pasi copëza togfjalëshash dhe kundrinorësh të rrezikshëm mund të dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme egon dhe vetëvlerësimin e klikuesve të pafajshëm civilë.

Por rreziku më afatgjatë vjen nga personazhet që pritet të çmendin rrjetin. Ato zakonisht janë të gjinisë femërore dhe me moshë poshtë tre dekadave, pozojnë me veshje minimaliste dhe ekspozojnë gjymtyrë dhe pjesë të tjera trupi që çmendin këdo, që me klikimin e parë.

“Sigurisht që nuk përjashtohen edhe top-modele me moshë 40-50 vjeçare që kanë trupin e një 20 vjeçareje dhe pikërisht për këtë arsye, doza e çmendurisë që përhapin në botën virtuale është edhe më e rrezikshme, sepse virusi ka krijuar rezistencë”, pohon studimi i ISG-së. Ndërkaq nuk përjashtohen edhe fotot e meshkujve të stërvitur që shushatin femrat.

Duket se fotot që tërbojnë web-in do të rivalizohen vetëm nga videot që do bëhen virale. Këto të fundit, në mungesë të vaksinimit, kanë tendencë të lemerisin internetin dhe të shkallojnë botën virtuale.

ISG paralajmëron se simptomat e para të një të prekuri nga videot virale janë skuqja e syve, ngrirja instinktive e dorës së djathtë në formën e mbajtjes së mausit dhe lëvizja e pakontrolluar e gishtit tregues për të klikuar mbi gjithçka e mbi këdo.

Të rrezikshme gjithashtu paraqiten lajmet që do lënë me gojë hapur lexuesit në periudhën shkurt-mars, duke sjellë shtim të rasteve me viroza dhe acarim të bajameve, lajthive dhe arrave.

Ndërsa efektet e Vipave që do shastisin dynjanë me format e tyre, mund të luftohen vetëm duke kërkuar video ose tekste ku ato-ata hapin gojën dhe flasin.

“Kura më e mirë anti-shastisje është dëgjimi i Vipave kur artikulojnë tinguj që personazhet besojnë se është shqipja e folur. Pas 30 sekondash duke folur, çdo efekt që kanë prodhuar format e tyre të hatashme do anullohet,” rekomandon ISG.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë që nuk çmend rrjetin, nuk harbon dynjanë dhe as pataks miletin. Është disi satirike dhe mund të përfitohet nga të gjitha shtresat në nevojë, me rimbursim.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *