Opinion

Instrumentalizimi i çështjes së Luginës së Preshevës

Nga Islam-Lauka*

Në konferencën e sotme për shtyp dhe në shkrimin e djeshëm, “Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, Presidenti Hashim Thaçi ripërsëriti mantrën e tij rutinë, “marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit më Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Beogradi dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë”.

I vetmi “argument” që z. Thaҁi ofron në paraqitjet e tij të fundit për arritjen e kompromisit me Serbinë, nëpërmjet korrigjimit të kufirit, është ai, sipas të cilit, as ne, as aleatët tanë nuk mund ta bindin Beogradin që ta njohë Kosovën brenda kufijve ekzistues. Argumente të tjera nuk ka. Ashtu si në shkrimet dhe deklarimet e mëparshme publike të tij, as këtë radhë nuk jepet ndonjë informacion a hollësi, se si do të realizohet ideja e korrigjimit të kufijve, më konkretisht, çfarë do të korrigjohet në favor të Kosovës dhe çfarë në favor të Serbisë.

Çdokush e ka të qartë se Serbia po zhvillon dialog me Kosovën me qëllim që të fitojë diçka, jo për të humbur. Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Presidenti serb Vuçiç deklaroi se “Kosova nuk është krejt e jona, por as krejt e atyre”, në vazhdim të tezës së tij të njohur që “Kosova nuk mund të fitojë gjithçka dhe Serbia të humbasë gjithçka”. Presidenti Thaçi është i vetmi që hiqet sikur nuk e di këtë gjë dhe flet vetëm për atë që do të marrë Kosova, por kurrë për atë që do të japë ajo.

Në kontekstin e lojës së rrezikshme me kufijtë, janë të ligjshme pyetjet: Cili do të jetë fati i Mitrovicës së Veriut? Po i Ujmanit dhe pasurive të Trepçës? Po i kullës historike të Isa Boletinit, që aktualisht ndodhet në territorin e Komunës së Zveçanit? Po fati i fshatrave shqiptare të Luginës së Preshevës, përtej hekurudhës, cili do të jetë?

Në mungesë të këtij informacioni, me ose pa dashje, Thaҁi përfundon në paradoks logjik: Serbia do të na njohë, nëse Kosova pranon që asaj t’i bashkëngjiten Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Për të shmangur këtë paradoks logjik, do të duhej që Thaçi ta zbërthente idenë e tij, të bënte një skicë a një plan të zbatimit të saj për ta diskutuar me faktorët politikë, me elitat intelektuale, përfaqësuesit e shoqërisë civile etj., në nivel shtetëror dhe kombëtar, për të kuptuar më mirë ndjesitë e shqiptarëve për këtë çështje kaq të mprehtë. Nuk besoj se ka shqiptar me mend në kokë që nuk e do bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por çdo shqiptar me mend në kokë dëshiron të dijë, paraprakisht, çmimin e këtij akti, për t’u siguruar që të mos na ndodhë që, në vend se të vëmë vetullat, të nxjerrim sytë.

Paradoksi i dytë qëndron në pohimin e Thaçit se nuk do të ketë korrigjim kufiri në vija etnike, pra, bashkimi me Kosovën i Luginës së Preshevës, ku shumicë janë shqiptarët, nuk do të bëhet mbi baza etnike. Si duhet kuptuar kjo thënie kontradiktore? Apo Thaçi mendon se shumica e banorëve të kësaj treve nuk janë shqiptarë? Apo ai ka plane sekrete, shumë më të mëdha, për të marrë territoret e humbura nga shqiptarët më 1878 dhe 1912, deri në Nish, por që tani popullohen vetëm nga serbët? Po kufiri për të cilin ëndërrojnë Vuçiçi dhe Daçiçi, në veri të Ibrit, a nuk do të jenë mbi baza etnike? Apo banorët shumicë të këtyre territoreve, Presidenti Thaçi nuk i konsideron serbë etnikë?

Paradoksi i tretë logjik qëndron në urgjencën, me të cilën ngrihet çështja e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, nëpërmjet korrigjimit të kufijve. Përse pikërisht këtë vit? Çfarë ndryshimesh të papritura kanë ndodhur që të mund të diktojnë nënshkrimin, sa më shpejt, të kësaj marrëveshjeje?

E vërteta është se këtë vit, Bashkimi Europian bëri të njohur strategjinë e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, e cila parashikon që Serbia mund të anëtarësohet në këtë organizatë në vitin 2025. Kushti që i vihet Serbisë, i fiksuar edhe në progres-raportin e vitit 2018 për këtë vend, është: normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe nënshkrimi me të i një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme. Asnjëherë më parë nuk ka pasur formulim më të qartë e më të prerë për Serbinë nga ana e Brukselit, i cili shquhet jo aq shumë për qartësi sesa për ambiguitet. Në thelb, anëtarësimi i Serbisë në BE vihet në varësi të drejtpërdrejtë të nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nuk ka pasur dhe nuk ka as tani levë më të fortë për të ndikuar mbi Beogradin se sa ajo e joshjes për integrim në BE. Pavarësisht ndikimit të njohur rus në këtë vend, Serbia është përcaktuar dhe, të paktën deri tani, përgjithësisht, po i përmbahet strategjisë së integrimit europian, të cilën nuk do të mund ta realizojë, veç të tjerash pa kaluar edhe pengesën me emrin Kosovë. Ky kushtëzim i qartë i Bashkimit Europian ndaj Serbisë do të duhej ta qetësonte, jo ta alarmonte Thaçin.

Për të shmangur këtë paradoks, Presidenti Thaçi do të duhej të bënte të njohura motivet që e shtynë të ngrejë me kaq urgjencë çështjen e arritjes së marrëveshjes me Serbinë, nëpërmjet korrigjimit të kufijve.

Paradoksi i katërt qëndron në emocionalitetin, me të cilin Thaçi po e trajton këtë çështje. Ai njihet si politikan i regjur, me përvojë të pasur, në luftë dhe në paqe, me logjikë të ftohtë, i aftë të ballafaqohet me qetësi në skenë të hapur, por edhe më mirë, në prapaskenë. Akuzat ndaj kundërshtarëve të idesë lidhur me korrigjimin e kufijve për përhapje të panikut dhe urrejtjes, për propagandë kundër aleatëve tanë, aq më tepër, akuzat kundër Shqipërisë, për ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës, në një kohë që Tirana Zyrtare, me ndonjë përjashtim, si Kryeministri Rama, thjesht, po bën thirrje për unitet të klasës politike kosovare në bisedimet me Serbinë, dëshmojnë se Presidentin Thaçi e ka braktisur gjakftohtësia.

Humbja e qetësisë e çon atë në gjykime të cekëta, shpesh të gabuara, që gjejnë vend edhe në paraqitjet e tij të fundit, mbi veçanësinë e rastit të Kosovës, në krahasim me konfliktet e tjera në rajon e në botë dhe futjen në një thes të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe atyre që sot nuk janë dakord me idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Kundërshtarët e atëhershëm dihen: kryesisht Moska Beogradi dhe një numër përfaqësuesish të së majtës dhe të së djathtës ekstreme, midis tyre edhe këshilltari aktual i Presidentit amerikan për siguri kombëtare, Xhon Bolton. Ky i fundit, veç rrezikshmërisë së “precedentit Kosovë”, pati përdorur edhe argumentin e interesit kombëtar amerikan, i cili, sipas tij, nuk kishte fare lidhje me një popull të vogël dhe vend të parëndësishëm si Kosova, por me një fuqi të madhe, si Rusia, për të ardhur në përfundimin që, për hir të marrëdhënieve me Moskën, Uashingtoni nuk duhej, kurrsesi, të njihte shtetin më të ri që po lindte në Europë. Sot, kundërshtarët e dikurshëm të pavarësisë së Kosovës janë rreshtuar me idenë e Thaçit për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Mbështetësit e atëhershëm të pavarësisë së Kosovës, Anglia, Gjermania e shumë shtete të tjera, si dhe personalitete të njohura politike, shkencore e letrare si: Albert Rohan, Daniel Server, Ismail Kadare, etj., sot janë ndër kundërshtarët më të vendosur të idesë së Thaçit. A e ka pyetur vallë ndonjëherë veten Presidenti Thaçi si ndodhi që miqtë e tij të dikurshëm sot i ka kundër, ndërsa armiqtë e përbetuar të djeshëm sot po i dalin krah?

Rasti i SHBA-ve është më i ndërlikuar. Sot, shoqëria amerikane është e polarizuar në ekstrem. Ka përçarje serioze midis demokratëve dhe republikanëve, por edhe midis ekzekutivit dhe legjislativit. Edhe vetë administrata amerikane nuk i ka shpëtuar përçarjes. Në Uashington, sot nuk ka një mendim unik për çështje të politikës së jashtme, përfshirë Kosovën. Mungon qasja strategjike për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në vend të saj kemi qasjen biznesore të Trampit. Në rastin e Kosovës i shtohet edhe qëndrimi i vendosur i tij kundër çiftit Klinton, simbol i ndihmës për çlirimin e Kosovës dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran.

Nuk ka dyshim se ndaj qasjes biznesore të Trampit kanë jo pak rezerva përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të Pentagonit dhe vetë zv.presidenti Majk Pens, të cilët mendojnë në kategori gjeostrategjike. Po të mos ishte rezistenca e tyre dhe e Kongresit, Trampi do ta kishte mbyllur me kohë “ujdinë e madhe” me Rusinë, me pasoja të rënda edhe për rajonin tonë. Por, këto analiza janë të huaja për Presidentin Thaҁi dhe mbështetësit e paktë të tij.

Cili është shkaku i mungesës së analizës dhe, për pasojë, i paradokseve logjike dhe irritimit emocional që po shfaq Presidenti Thaҁi në çështjen e marrëveshjes më Serbinë?

Për shumë analistë, ideja e Thaçit për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës Kosovës, gjoja, nëpërmjet korrigjimit të kufirit me Serbinë, është thjesht një instrument për arritjen e qëllimeve të tjera të tij, që nuk kanë të bëjnë fare me shqetësimin për zgjidhjen e situatës tragjike të shqiptarëve të kësaj treve.

Midis qëllimeve të tij, përmenden edhe këto: kërkesa për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën si hap taktik për balancimin e kërkesave të Serbisë për marrjen e Veriut ose dhënien e kompetencave ekzekutive Bashkësisë së Komunave Serbe; dalja me tezën e korrigjimit të kufijve, përsëri, si zgjedhje taktike, për të matur pulsin, brenda vendit, për hapin e radhës – atë të shkëmbimit të territoreve apo ndarjen e Kosovës; përdorimi i Luginës së Preshevës si karrem për të siguruar mbështetjen e munguar politike dhe publike për veten e tij; futja në pazare territoriale me Serbinë dhe, mbi këtë bazë, arritja e marrëveshjes me të për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Me gjasë, një qëllim tjetër është ai i plotësimit të deficitit atdhetar të z. Thaҁi, të krijuar gjatë 11 vjetëve të qëndrimit në majë të pushtetit në Kosovë, sa për shkak të përdorimit të tij nga ndërkombëtarët dhe zellit të tepruar të vetë Thaçit për t’u përdorur prej tyre, në emër të luftës kundër nacionalizmit shqiptar, aq edhe të gabimeve sistematike të tij, si: nënshkrimi i marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe, ku Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti një numër shkeljesh të rënda kushtetuese; nënshkrimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, nëpërmjet së cilës, Qafa e Ҫakorrit, Belluha dhe Kulla, të njohura historikisht si territore të Kosovës, u tjetërsuan në favor të Podgoricës; mangësitë e theksuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Të gjitha këto i dobësuan dhe i venitën kredencialet atdhetare të Thaçit, të cilat ai mendon se mund t’i rikthejë nëpërmjet shfrytëzimit të kartës së Preshevës, duke manipuluar pjesën e shoqërisë shqiptare që beson te bashkimi kombëtar.

Një qëllim tjetër mund të jetë ai i bindjes së ndërkombëtarëve që në Kosovë Thaçi mbetet njeriu që bën shiun dhe diellin dhe si i tillë ai duhet mbrojtur, sepse ata nuk kanë njeri tjetër ku të mbështeten.

Nga të gjitha supozimet e mësipërme, vetëm i pari, pra, përdorimi taktik i Luginës së Preshevës si kundërpeshë ndaj pretendimeve serbe, mund të jetë i justifikueshëm. Por, edhe ky është i dyshimtë. Nëse do të ishte hap taktik, Thaçi nuk do të kishte arsye për ta mbajtur atë sekret ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt si Kadri Veseli, i cili, gjatë vizitës së tij në Tiranë, e kundërshtoi hapur idenë e korrigjimit të kufijve.

Midis shqiptarëve, Thaçi ka mbetur pothuaj pa mbështetës në kauzën e tij për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, me çdo kusht e çmim, përfshirë sakrifikimin e territoreve amtare. Edhe akademiku Rexhep Qosja, ithtar i hershëm i lëvizjes së kufijve midis Kosovës e Serbisë, i bindur se Lugina e Preshevës po instrumentalizohet nga Thaçi, këto ditë u shpreh se nuk pajtohet me sjelljet dhe qëndrimet e tij të pamenduara dhe se “varavingat politike të këtij ‘despoti’ janë bërë shumë komprometuese për mendjen politike të Kosovës”.

Megjithatë, duket se atij i ka mbetur ende edhe një mbështetës. Ky është Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili, para pak ditësh, në një intervistë në “Top Channel”, u paraqit me kostumin e atdhetarit, i shqetësuar për bashkimin kombëtar. Ai u distancua nga Kancelarja Merkel, e njohur për qëndrimin e saj të vendosur kundër ndryshimit të kufijve. Rama deklaroi se znj. Merkel ka qëndrime të qarta si Kancelare e Gjermanisë, por këtu flitet për atdheun e shqiptarëve e jo atdheun e saj.

Vështir të besohet që një OMGJ, siç është Rama, i certifikuar nga Sorosi dhe i degraduar, prej kohësh, në një komprador ordiner, të pësojë mutacion të menjëhershëm, duke u kthyer në atdhetar 24 karatësh.

Që të dy, Thaçi dhe Rama po përpiqen ta përdorin Luginën e Preshevës si kalë beteje për realizimin e axhendave të tyre personale. Nëse nuk do të ishte kështu, Edi Rama nuk do të kufizohej, gjatë gjithë këtyre viteve, me një ndihmë qesharake prej 50 mijë eurosh për Luginën e Preshevës. Nëse nuk do të ishte kështu, ai do të përpiqej që në takimet e shpeshta me mikun e tij, Sandrin (A. Vuçiç) të zgjidhte ndonjë problem të shqiptarëve të Luginës, si njohja e diplomave, ngritja e spitalit rajonal, punësimi, etj. Nëse nuk do të ishte kështu, Hashim Thaçi do të merrej, me kohë, me fatin e shqiptarëve të kësaj treve, të paktën, që në bisedimet e procesit të statusit, në vitet 2005-2007, ose në dialogun me Beogradin, në vitet 2013-2015.

Si mund të jetë i besueshëm Thaçi kur Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe e bën në favor të serbëve, në shkelje të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa për të njëjtin organizëm, pra, për Bashkësinë e Komunave Shqiptare në Luginën e Preshevës nuk thotë asnjë fjalë, duke mos kërkuar gjënë më elementare, reciprocitetin midis dy vendeve, në këtë fushë?

Para se të kërkojë bashkimin e Luginës me Kosovën, Hashim Thaçi duhet të zgjidhë çështjen e rreth 12 mijë shqiptarëve të kësaj zone, të vendosur në Kosovë, pas konfliktit të viteve 2000-2001, të cilët, për fat të keq, konsiderohen si apatridë në Serbi, por, në mungesë të lejeqëndrimit dhe dokumenteve të identifikimit, edhe në Kosovë ndihen si të tillë.

Si mund të jetë i besueshëm Presidenti Thaçi në kërkesën e tij për integrimin e mbi 80 mijë shqiptarëve në Kosovë, kur 12 mijë prej tyre, të vendosur prej vitesh këtu, i ka lënë në mëshirë të fatit?

Duhet të jetë e qartë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, në momentin aktual, nuk mund të bëhet, jo për shkak se mungon vullneti politik i shqiptarëve të kësaj treve për jetësimin e ëndrrës së tyre legjitime, as se mungon dëshira e shqiptarëve kudo që jetojnë për ta mbështetur këtë proces dhe as për shkak të frikës së hapjes së “Kutisë së Pandorës” a të “efektit domino”. Në gjykimin tim, shkaku themelor është se ne na mungojnë burimet e fuqisë së brendshme, të matshme e të pamatshme, shtetërore dhe kombëtare, për realizimin e këtij projekti të madh. Shkaku i dytë, jo më pak i rëndësishëm, është se në konjukturën e sotme ndërkombëtare, me raportin e tanishëm të forcave, ne e kemi të pamundur të sigurojmë një mbështetje të jashtme të përmasave të pranverës së vitit 1999. Në këto kushte, ekziston rreziku real që, nëse në këtë fazë ngatërrohemi me probleme territoriale me Serbinë, i fituar del Beogradi, jo ne.

Ҫelësi i Thaçit, i cili po paraqitet prej tij si i artë, i aftë për të zgjidhur të gjitha problemet e Kosovës, të shqiptarëve dhe të krejt rajonit, duket se nuk është as i artë, as i veshur me ar. Ai është një çelës i ndryshkur teneqeje, kallajisur nga mjeshtri Thaçi, për të hapur dyert e realizimit të interesave të tij meskine. Nëse e lejojmë që ta përdorë në trupin plot plagë të Luginës së Preshevës, ka rrezik ta infektojë edhe më keq, jo vetëm atë, por edhe Kosovën.

Në dokumentin e Institutit të Studimeve të Çështjeve të sigurisë së BE-së, “E ardhmja e Ballkanit, tre skenarë për vitin 2025”, botuar në gusht të këtij viti, në njërin prej skenarëve, parashikohet se si do të zhvillohet situata në Kosovë, nëse merr jetë mantra e Thaçit për korrigjimin e kufijve: “… shpërthim dhune në Mitrovicën Jugore, protesta, Kosova pa ulëse në OKB, Rusia përdor të drejtën e vetos, duke e argumentuar këtë me dhunën e përditshme në territorin e Kosovës… Serbia çimenton praninë e saj në Mitrovicën e Veriut me 2 mijë trupa dhe ndërton një mur që ndan dy pjesët e qytetit. Kosova është më larg NATO-s dhe BE-së”.

Për të shmangur këtë skenar ogurzi, sugjeroj që, gjithsesi, forcat e përgjegjshme politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, të lënë mënjanë ndasitë partiake, të mbledhin Kuvendin, të miratojnë rezolutën që do t’i pamundësonte Thaçit përfshirjen e problemeve territoriale në axhendën e bisedimeve me Serbinë. Momenti historik është i tillë që kërkon angazhim e përgjegjësi historike dhe strategjike.

Institucionet e Kosovës të përgatiten për procesin e shënjimit (demarkimit) të kufirit me Serbinë, jo në kuptimin që dëshiron t’i japë Thaçi, por të shënjimit të tij të vërtetë, në mënyrë që të mos gjendemi në të njëjtën situatë si me Malin e Zi, kur Thaҁi përfitoi dhe zbatoi teknologjinë e tij të humbjes së territorit shtetëror. Rasti i majës së Pançiqit, për të cilën foli Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, Sh. Bulliqi, duhet të jetë sirenë alarmi.

Në politikën e jashtme të orientohemi nga bashkëpunimi me fuqitë europiane, që i kërkojnë Beogradit njohjen e Kosovës në kufijtë e saj ekzistues, në radhë të parë, nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Në rastin e SHBA-ve, orientimi ynë duhet të jetë nga ato forca që nuk e konsiderojnë Rusinë si aleat të tyre. Të tilla forca ka sidomos në Kongres, por edhe në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Prishtinë

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *