Ekonomi

“Importi i qumështit nga Bosnja ndikon në zvogëlimin e prodhimit vendor”

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka mbajtur konferencë lidhur me masat mbrojtëse ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina

Sekretari gjeneral i Klubit të Prodhuesve,Vllaznim Osmani ka thënë se sektori i qumështit ka hasur shumë sfida gjatë zhvillimit të tij që nga pas lufta. Sipas tij, çështja e masave mbrojtëse dhe mos zbatimi i tyre ndaj produkteve të qumështit nga Bosnja është duke shkaktuar dëme, raporton KTV.

“Ne po flasim me një shtet si Bosnja që ende nuk na ka njohur dhe produktet e tona hasin në shume barriera atje. E njëjta ndodhë edhe në vendet tjera të rajonit ku Kosovën e shohin si vend që shesin produktet por nuk e praktikojnë tregun e lirë. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që i shkon në vi të drejt zhvillimit të sektorit të qumështit. Për momentin gjendja nuk është e mirë dhe ne jo vetëm që kemi me pas problem mi shtuar vendet e reja të punës por kemi me pas vështirë me i ruajt këto që i kemi”, ka thënë Osmani.

Besim Kuqi, kryetar i Shoqatës së Fermerëve Kosovar të Qumështit ka thënë se trajtimi i fermerëve nga shteti ka qenë nënçmues. “Ne nuk kemi produkte tjera që mund ti mbulojmë humbjet që na shkaktohen në qumësht. Mbrojta e produktit dhe fermerëve vendas nuk është zbulim i yni por qasje që aplikohet në tërë vendin. Blegtoria nuk është sektor me të cilin mund të bëhet shaka”, ka thënë Kuqi.

Përfaqësuesi i MTI-së, Alush Kryeziu ka thënë se importi i qumështit nga Bosnja ndikon në zvogëlimin e prodhimit vendor. “Pas hulumtimit kemi ardhur në përfundim importimi i qumështit nga Bosnja Hercegovina ka shënuar rritje viteve të fundit, prandaj konform kësaj kemi ardhur në përfundim që është rritje që ngulfat prodhimin vendor. Për vitin 2017 kemi vërejtur që ka ulje të prodhimit vendor”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në baza të analizave që kanë bërë kanë ardhur në përfundim se importi i qumështit nga Bosnja është shumë i ulët dhe ndikon në dëmtimin e prodhuesve vendor.

E këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna ka thënë se ka pasur një mos qartësim ligjor dhe vendimi i ministrit të tregtisë duhet të shkojë përmes qeverisë.

“Sa i përket ligjit për masat mbrojtëse për me implementuar dogana atë masë mbrojtëse duhet të shkojë në qeveri sepse përveç qeverisë nuk mund askush të marr vendime dhe të ia dërgojë doganës”, ka thënë ai.

Ndërsa ish-deputeti, Muhamet Mustafa ka thënë se sektori i qumështit është sektor strategjik në Kosovë.
“Situata nuk është përmirësuar në këtë sektor për arsye se kemi zvogëlim të numrit të lopëve qumështore dhe kemi një zvogëlim të prodhimit të qumështit vendor, kemi 81 mijë litra më pak që prodhohen qumësht. Kjo tregon se duhet ta ndërrojmë qasjen tonë”, ka pohuar ai.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *