Lajme, Lajmi kryesor

Haradinaj: LDK-ja ka qenë kundër ushtrisë, reagon Beqiri

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar përplasjet me GP të LDK-së në Kuvend. Ai akuzoi sot LDK-në se në Ambasadën amerikane kishin refuzuar t’ua japin një mandat serbëve dhe nga kjo kishin lënë Kosovën pa ushtri. Ndaj kësaj akuze të kryeministrit ka reaguar deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri

“Është LDK-ja ajo që e ka lënë Kosovën pa ushtri. Kemi qenë në Ambasadën amerikane. Na kanë ofruar të kemi ushtrinë në vitin 2014. “LDK-ja ka dashtë me e marrë 1 për qind të votave më shumë. Refuzuan t’ua japin një vend minoriteteve. Kanë shitë patriotizëm”, tha kryeministri.

“Je tu rrejt”, ka vazhduar t’i thotë kryeministri Haradinaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili nuk dihet se çka i tha kryeministrit nga vendi i tij.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka sqaruar versionin e tij për takimin në Ambasadën amerikane për të cilin kryeministri Ramush Haradinaj tha se i është ofruar krijimi i ushtrisë, por që LDK-ja kishte refuzuar. Beqiri ka mohuar se kishte një ofertë të tillë.

Beqiri thotë se në takimin e 2014-ës për të cilin foli kryeministri Haradinaj, ky i fundit nuk kishte qenë fare i pranishëm.

“Nuk qëndron ajo çka tha kryeministri. Në takimin me znj. Jacobson kanë qenë Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, Behgjet Pacolli, Jakup Krasniqi, dhe kam qenë unë si sekretar i përgjithshëm”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Haradinaj tha se Ambasada amerikane kishte kërkuar që deputetëve serbë t’u shtohen mandate në Kuvend, në mënyrë që të krijohet ushtria dhe shtoi se për këtë ekziston edhe një dokument. “Nëse ekziston ky dokument dhe ne marrim përgjegjësi. Asnjëherë nuk na është ofru një gjë e tillë”.

Mirëpo, Beqiri tregoi se amerikanët kishin kërkuar që serbëve t’u jepen më shumë vende në Kuvend, e thotë se një gjë të tillë e kishte refuzuar LDK-ja dhe Jakup Krasniqi, atëherë kryetar i Kuvendit.

“Është edhe z. Krasniqi që e ka refuzu, të tjerët kanë dashur t’i vazhdohen mandatet e rezervuara”, tha deputeti. “Nuk ka pasur ofertë asnjëherë për këmbim të vendeve të rezervuara me formimin e ushtrisë”, përfundoi sqarimin e tij Beqiri.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *