Lajme, Lajmi kryesor

Haliti: Kam marrë para, por jo tetë milionë marka

Xhavit Haliti, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka sqaruar pikat ku s’ishte marrë vesh me Ahmet Krasniqin, nga qeveria e Kosovës në ekzil. Ai ka thënë në “Rubikon” të KTV-së se Krasniqi kishte kërkuar takim dhe se kishte pasur një ofertë që qeveria është e gatshme ta ndihmojë UÇK-në me të gjithë buxhetin e vet

Edhe pse ka ngurruar të flasë duke thënë se nuk është koha që opinioni t’i dijë detajet nga takimet me Krasniqin, Haliti ka bërë të ditur se në një takim në Oslo, Krasniqi kishte pasur disa kërkesa, që s’ishin pranuar nga pala e UÇK-së.

“Me Ahmet Krasniqin kam qëndruar çdo ditë. Në Oslo ka qenë situatë më ndryshe nga ajo që interpretohet në media. Unë kam pas raporte të mira me bacën Adem Demaçi. Realisht bacën Adem e kam çuar të bisedojë me Sali Berishën, kur ai ka qenë president edhe me Bujar Bukoshin kur ishte kryeministër dhe i kishte mjetet. Në Oslo e kemi caktuar takimin për të biseduar pikërisht për ofertën e Ahmet Krasniqit. Jo për të bërë marrëveshje siç interpretohet.

Takimi është i regjistruar dhe nuk ka nevojë të shtrembëroj asgjë. Disa gjëra i ka kërkuar që unë s’jam pajtuar. Ka kërkuar që komunikatat të lëshohen në emër të qeverisë, komunikatat që lëshonte UÇK -ja, dhe ka bë ofertë për t’u bashkuar të gjithë. Ka dhënë propozimin që forcat e bashkuara të quhen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ka qenë ide e tij.

Ne nuk jemi marrë vesh as për atë çështje. Unë e kam përfaqësuar UÇK-në, ai e ka përfaqësuar atë grupin e oficerëve që ky ka qenë koordinator i tyre dhe s’ka folur në emër të Bujarit, por ka thënë që e kam ofertën me na dhënë paret. S’ka fol asnjëherë në emër të Bujarit. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës i ka ofruar të gjitha paret që ka për UÇK–në”, ka deklaruar Haliti.

Haliti ka thënë se asnjë oficer ushtarak s’ka hyrë në Kosovë si Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës (FARK). “Si FARK s’kanë hy kurrë në Kosovë. Ata mund ta kenë pasur plane tjera. Ahmeti ka kërkuar që oficerët t’i orientoj unë dhe t’i çoj në Kosovë dhe me iu dhënë brigadat t’i drejtojnë. Unë s’e kam pas atë fuqi. S’kam mundur me i thënë çoje filanin me e drejtuar një brigadë, kur ajo brigadë e ka pas komandantin e vet. Ne jemi marrë vesh edhe në Shtab të Përgjithshëm që oficerët të vijnë në Kosovë e që Shtabi i Përgjithshëm i emëron në cilën brigadë të shkojnë e në detyra të veçanta qysh ka ndodh me shumicën e atyre që kanë ardhur në Kosovë për të luftuar.

As që ia kam lyp paratë, por ai e ka bërë ofertën, pa kushte hiq. Janë të gjithë të gjallë pos Agim Mehmeti, që nuk është. Ahmetin e kanë sabotuar, e ka sabotuar qeveria e Kosovës. Bujar Bukoshi sepse Isa ka qenë ministër i Bujarit. Nuk ka mundur të vendosë për paratë. S’i ka dhënë mjetet. Ai ka dhënë mjete më shumë për çështje tjera. S’është koha për me i çelë këto karta. S’po them asnjë shumë. Thash që të gjitha janë shuma qesharake sa ka dhënë dhe për çka i ka dhënë. Kam komunikuar me Bujarin, nuk dua ta mohoj.

Gatishmëria e tij ka qenë tepër e madhe, por çka i ka ndodh nuk e di. Sidomos pas vrasjes së Ahmetit, ka qenë situatë e rëndë edhe për mua edhe për të. Akoma janë të pandriçuara. Pas vrasjes së Ahmetit, s’kam dashur të merrem me askënd. S’kam marrë pjesë në asnjë takim. Ka shkuar Kadri Veseli në takime me ta. S’dua të flas më shumë. Kam marrë para, por jo tetë milionë. Janë të shkruara sa. Le të merret dikush tjetër me to. Për mua duhet të mbeten sekret”, ka thënë Haliti. Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *