Opinion

Gracka e nënës ideale

Çapajev Gjokutaj

Në ligjërimet tona nëna është e dashur, e shtrenjtë dhe gjithnjë mundohet e sakrifikon deri në vetmohim për fëmijët dhe familjen. Jeta e përditshme dëshmon se jo të gjitha nënat janë të tilla.

S’do shumë mend ta kuptosh se, si shoqëri, kemi qenë dhe mbetemi të interesuar të krijojmë një model ideal të nënës.

Ky veprim ngjan si vlerësim, si shpërblim e respekt. Në fakt, para se të jetë i tillë, është nxitje që gruaja të sakrifikojë nga jeta profesionale e shoqërore, të vetmohohet si kolege, si aktiviste e si shoqe, për t’i shërbyer sa më mirë burrit. Po të jetë për fëmijën, duhet të kujdesen e të sakrifikojnë si nëna dhe babai.

Gjatë qindvjeçarit të fundit shoqëria shqiptare është munduar sadokudo ta çlirojë gruan duke filluar me ligjet modernizuese të monarkisë, duke vazhduar me emancipimin e periudhës totlitare e duke ardhur tek koncepti i barazisë gjinore, aq i hasur në mediat e sotme.

Përkundër këtij trendi gjithëkohor, miti i mëmësisë ideale ka mbetur i paprekur, paçka se në thelb synon robërimin e gruas.

Duket se këtu kanë ndikuar tre faktorë: tradita e theksuar patriarkale, çështja e pazgjidhur kombëtare dhe ideologjia totalitare.

Kur është fjala për gruan këta tre faktorë gjenerojnë imazhe të ndryshme, por në thelb synojnë të njëjtën gjë, tjetërsimin total të saj.

Mentaliteti patriarkal e arrin tjetërsimin nëpërmjet diskriminimit të gruas deri në dehumanizim. Gruaja shihet gati gati si kafshë ngarkese, a si ‘calik me frymë’, dmth thes që mbart fëmijën e burrit, por ndryshon nga thesi se frymon.

Nacionalizmi dhe totalitarizmi e arrijnë tjetërsimin e gruas duke sfumuar feminitetin në emër të forcës, qëndresës dhe … burrërisë.

Rolet sociale që mund të luajë një grua reduktohen tek luftëtarja, krahu i punës dhe sidomos tek nëna. Vetë mëmësia thjeshtëzohet e varfërohet, fryti i saj nuk është aq fëmija, si qenie humane a si qytetar i ardhshëm, por punëtori dhe sidomos ushtari.

Kjo logjikë bën që në panteonet nacionaliste dhe totalitare versioni më i respektuar i mëmësisë të jetë nëna e dëshmorit. Gatishmëria e nënës për t’ia falur bijtë adheut a dogmës totalitare çmohet shumë më tepër se sa mundimet fisnike për lindjen dhe rritjen e fëmijës.

Glorifikimi që përshkon këto lloj narrativash ngjan si shpërblim për nënën dhe dhimbjen e saj, por në esencë është instrument për të legjitimuar vrasjen e bijve. Jo pa ironi Simone de Beauvoir shkruan se, kur shoqëria arrin të bindë nënat që t’ia falin djemtë vdekjes, ka siguruar lejen për t’i vrarë ata.

Do të mjaftonte njëri nga tre faktorët e mësipërm që miti i mëmësisë ideale të lëshonte rrënjë e të hidhte shtat në çdo kulturë.

Për ironi të fatit historia jonë moderne shenjohet nga të tre. Ndaj ka gjeneruar një mit me doza trallisëse që edhe sot e kësaj dite ka mbetur i paprekur nga çdo lloj dekonstruktimi.

Botuar në DITA / Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *