Kulturë

Gjurmë kishash shqiptare,gati në çdo katun të Mitrovicës

Në Mitrovicë sipas gojëdhënave dhe të dhënave historike, gjurmë kishash janë gjetur në çdo fshat. Një ndër to është edhe kisha katolike Shën Pjetri, e ndodhur rreth 9 km në lindje të qytetit të Mitrovicës, në Stan-Tërg

E ndërtuar në shekullin e XIII gërmadhat e kishës paraqesin një pamje mjaft piktoreske, në një peisazh malor shumë të bukur, me gjurmë mjaft të dukshme të aktiviteteve minerale. Kisha e ndërtuar për nevojat e komunitetit katolik dhe për herë të parë përmendet më 1303, atëherë kur përmendet edhe Trepça për të parën herë.

Prezenca e komunitetit katolik vendor daton shumë më herët se në shek. XIII, kur komuniteti i minatorëve sas, si njohës të nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve, u vendosen në këtë lokalitet.

Nga të dhënat e shkruara kisha ka qenë në funksion të gjerë në shek. XVI (përkundrejt faktit që sasët që në dekadën e parë të shek. XV pushojnë së ekzistuari në Trepçë), meqë në këtë periudhë komuniteti katolik është ende i shumtë në numër. Kështu në këtë kohë në Trepçë përveç Bazelikes së Shën Pjetrit përmendet edhe Kisha Katolike e Shën Mërisë dhe në vitin 1448 përmenden katër priftrinjë katolikë. Kisha tani është pothuaj e tëra në rrënoja. Sot, ka mbetur vetëm pjesa e vjetër e mureve perimetrike (në një lartësi për rreth 0.45 cm mbi nivelin e dheut).

Muri i vetëm i cili qëndron është pjesa kryesore e murit lindor, me tri apsida. Ndërtesa është e tipit bazilikal, gjurmët e mbetjeve na bëjnë të kutojmë se muret mes tyre ishin të ndara me shtylla dhe harqe. Mbetja e mureve tregon se kisha nuk ka pasur vetëm hyrjen kryesore nga perëndimi, por po ashtu edhe dy hyrje anash, në atë veriore dhe jugore. Baza e kishës është drejtëkëdëshe (14.0 x 19.0 m) e orientuar në drejtimin perëndim-lindje dhe përfundon me pjesën e jashtme nga ana lindore.

Pjesa e jashtme është ruajtur më mirë dhe është e mbuluar me tri gjysëm-kupola. Apsida e mesit në zonën e ulët ka një hapje-dritare, ndërsa në zonën e lartë ka tri hapje. Harqet e dritareve janë të thyera, të ndikimit gotik. Në tri apsidat janë ruajtur gjurmët e afreskave në dy shtresa. Shtresa e parë daton nga shek. XIV, kurse shtresa e dytë nuk dihet se cilës kohë i takon. Ndërtimi i mureve tregon ndikimin bizantin. Struktura është ndërtuar prej murit të përzier (gurë-tulla) dhe trashësia e mureve është përafësisht 1.5 m.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *