Opinion

Gjithmonë untë e gjithmonë të trashë

Nga Kimete Berisha

Havaja: me diell
Gjendja emocionale: kogja n’sevda.
Thënia e javës: Xhelozia nuk plaket baras me njeriun, xhelozia nuk ka moshë, ajo mbetet gjithmonë e re.
Moto e ditës: ‘Meshkujt janë më të poshtër se ne’ 😂
Kënga e ditës: Sen gelmez oldun.
Zbulim: ‘Dashuria e parë harrohet’.
Parashikimi për të ardhmen: Asnjë ndjenjë.
E vetmja shpresë: Zoti.

– Gjithë ditën tuj e shty me një ve të zime, edhe badihava.

Gjithmonë të duket vetja më e trashë sesa që je.

S’ka njeri që njoh e që flet për tjetër send mbi këtë tokë, më shumë sesa për dieta.
Diku pas serialit ‘Më fal’, dhe pas do emisioneve argëtuese t’Shqipnisë, i vjen rendi të flasim për Ramusha e kësi tullusumash që na e kanë nxi jetën.

Kush është rr.s. që del e na tregon se si m’u dobësu shpejt, ama pa pasur nevojë me duru urie, ai është lideri ynë.

Po dojna m’u tranu.
N’gjys t’natës merr kry me dal me ecë, m’i shkri kaloritë. Llogariti sa kalori i ka patatja, sa i ka molla, sa kalori i ka secili ushqim.

Jo mos ti merr Zoti mend me përtyp orbita se të fryhet barku.
Me zhig t’gjkthçkafit. Gjithmonë untë e gjithmonë të trashë.

Më shumë jemi të preokupuar me vijën e trupit sesa me vijën kufitare me Malin e Zi.
U harru Çakorri, u harru veriu, krejt u harruan, edhe dashuria e parë u harru, por nuk u harru nevoja e papërshkrueshme për me kthy vijën e trupit.

Unë e urrej tulin, te vetja, se lëre më te të tjerët. Tulin nuk e toleroj. Pabesinë edhe mund ta fali, po tulin jo.

Me rëndësi m’u duk mirë, e pastaj për temat tjera, flasim.
Trash e mirë-s’ka.

Na ka kap paniku, po dojmë me kapitullu për m’u duk të hollë. I madh e i vogël, të gjitha moshat.
Edhe nëse ndodh që ekziston dikush që nuk ia ndin për mbipeshë, janë rrethi e shoqnia që ta nxijnë jetën kah t’rrotullohesh e t’bëjnë horë m’u duk keq: ‘O Zot qysh je ba, je shem’.

Edhe Elvis Naçi na ka këshillu neve femrave që me pas kujdes me mbajt veten e mu duk bukur se menjëherë na zëvendësojnë me femra që e mbajnë veten.

Pra, dashuria nuk e mund dashurinë, por ashti e mund tulin, sikur bukuria që ia merr anën shëmtisë.
E kurrë asnjë hoxhë nuk e dëgjova tuj ju ba thirrje meshkujve që mos me lu me femra, mos m’i mashtru femrat, se pa u ba 24-të sahat t’nxan taksirati. Ish kanë mirë m’i tutë, m’i kërcënu me zjem t’xhehnemit, e me kazana t’valë, që nëse i mashtrojnë femrat, ku ku për ata. Na kishin pshtu.

Nganjëherë ke nevojë me pas liri m’u duk keq, e lodhtë e e lënë pasdore. Me dal bre vëlla me flokë pa i ndreq edhe mos m’u turpërua nga beterizmi yt.

Ke nevojë more me ta pa dikush shpirtin e jo trupin, por kjo s’ndodh.
Nëse dukesh keq, veç e ban shpirtin për së randi. Do me thanë ndjehesh keq.

Xhepat plot kozmetikë, gjithë ditën tuj e përforëcu karminin, e tuj e pudros hundën me hije e me highlightera që m’u duk hunda e madhe sa më e vogël.
Hunda e madhe mos më shtin Zoti n’ngjynah njëmend është e padëshiruar, ama hunda e vogël është qesharake (karikaturë), sepse hundë të vogël nuk ka në natyrë.
Prandaj, shumë ‘yje’ tonat duken si Bylenti. Ama identike si ai. Me dallim se turku u bë grua (e turqit nuk e kanë paragjyku, po e adhurojnë).

E fytyra gjithqysh duhet me vizllu kishe m’u duk e lumtur. Se lumturinë e paramendojmë si diçka që shkëlqen, jo si diçka që e ndjejmë.

S’është me rëndësi a je a s’je. S’të pyet kush si po ndihesh (apo mos e bë Zot, a po mund bëhesh idare), por veç të këqyr në trup, nëse dukesh mirë, do me thënë ‘je mirë’. Kaq shumë i është nënshtruar shpirti-trupit.

U rrjepëm.

Ka ardh një kohë shumë e keqe. Nuk jemi të lirë të dukemi keq, e të mos mërzitemi se si dukemi…!

Është një dietë me banane e me qumusht, që të bën për kaci…masandej çaji i xhenxhefilit, ah ai çaj të shkrin…jo, jo, ngom mu, duhet me ecë është ma mirë…jo, me vrapu..Këqyr bre mos ha hiç bukë, as yndyrë, as kurgjë. Duro vëlla urie nëse don m’u duk bukur.

Dhe vdis i hollë se vetëm njerëzit e mirë peshojnë lehtë kur vdesin, demek mos m’i ba telashe gjinën m’u këput kah te çojnë për në ‘pallatin’ e fundit, tuj t’nëmë.

P.S. Trashësia të qet të vjetër, prandaj ne duam të dukemi të hollë, sepse në fakt duam të dukemi gjithmonë të rinj.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *