Lajme, Lajmi kryesor

Gjithçka gati për festën e pavarësisë

Përgatitjet për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës kanë filluar me aktivitete të ndryshme. Këshilli Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, i cili funksionon nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraparë që nga 8 deri më 17 shkurt, të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike nëpër komunat e Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën

Adil Behramaj, nga Këshilli Organizativ, ka thënë se ditë më parë, sheshet në kryeqytet janë dekoruar, ndërkaq janë duke u zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme për të shënuar jubileun e pavarësisë.

Gjatë këtyre ditëve, ka thënë ai, ka pasur edhe aktivitete simbolike për shtetet mike që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Tashmë thotë Behramaj, përmes rrjeteve sociale, përkatësisht përmes një faqeje të krijuar në Facebook, të emëruar “Kosova10”, po falënderohen të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Më 17 shkurt do të ketë shumë aktivitete dhe ndër kryesorët është parakalimi i Forcës se Sigurisë se Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Planifikojmë, nëse kushtet klimatike janë të favorshme, të bëjmë edhe një paradë ajrore më parashutistët tanë”.

“Do të jetë një koncert i fëmijëve më 105 animatorë, 105 lojëra të ndryshme dhe mbi 600 fëmijë. Ndërsa në mbrëmje mund të konfirmoj se do të këndojë Rita Ora, këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Kosova”, ka thënë Behramaj për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar se për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës dhe disa qyteteve tjera, do të performojë edhe Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-së për Evropë.

“Kemi nderin që na është dhënë e mundësia për të interpretuar në këtë ngjarje të veçantë,” tha nënkoloneli Don Schofield, komandant i Ansamblit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ansambli do të vizitojë trupat e SHBA-së dhe të koalicionit në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Policia e Kosovës, ndërkaq njofton se ka bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e sigurisë dhe qetësisë për ditën e pavarësisë.

Policia e Kosovës ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se ka një plan të veçantë operativ për ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë manifestimeve për pavarësinë e vendit.

Qëllimi i planifikimeve operative policore, është “mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit”.

“Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend. Ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga institucionet shtetërore”, thuhet në përgjigjen e zyrës se informimit të Policisë së Kosovës.

Festa për 10-vjetorin e pavarësisë do të vazhdojë edhe të dielën, më 18 shkurt, siç thotë Behramaj, më mysafirë ndërkombëtarë.

“Prej datës 16 deri më 18 shkurt, është konferenca e sigurisë së lartë. Do t’iu ofrohet mundësia miqve tanë ndërkombëtarë, që të bëhen pjesë e festës sonë. Pritjen ndërkombëtare e kemi shtyrë për 18 shkurt”, tha Behramaj.

Për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë se Kosovës, Qeveria e Kosovës, ka ndarë 600 mijë euro mjete financiare.

Sidoqoftë, pas përfundimit të kremtimit të 10-vjetorit të pavarësisë, Kosova, pritet që t’i kthehet realitetit. Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *