Opinion

Gjeopolitika imperiale – përparësi mbi referendumet

Nga Blendi Lami

Sa herë bëhet ndonjë referendum apo aneksim, kundërshtarët referojnë precedentin e Kosovës. Në fakt, ndërhyrja për Kosovën, të cilën Vaslav Havel e ka quajtur “e para luftë për vlera” ndodhi – e shpjeguar juridikisht – për shkaqe humanitare: shmangia e një gjenocidi të tmerrshëm në mes të Europës.

Por, nuk mund të anashkalojmë faktin se Perëndimi po korrigjonte gabime të së kaluarës. Për më tepër, duhet pranuar se hapësira shqiptare do të bëhej pjesë e interesave perëndimore, kryesisht amerikane.

Këtu del në pah ajo që quhet gjeopolitika imperialiste, sipas së cilës fuqitë e mëdha (perandoritë) rivizatojnë hartat, me fjalë të tjera ndryshojnë kufijtë për interesat e tyre. (Shpjeguar nga mendimtari Kjellen, gjeopolitika kuptohet si pjesë e kulturës imperiale perëndimore që merret me marrëdhënien mes tokës fizike dhe politikës). Sidoqoftë, ndërhyrja në Kosovë është legjitimuar.

Një faktor tjetër që nuk duhet anashkaluar, është ai i sigurisë europiane, teksa edhe një herë, duke shfrytëzuar një krizë, Perëndimi depërtoi në një zonë të influencuar historikisht nga Rusia, gjë që ndërlikoi edhe më tej marrëdhëniet mes dy kampeve. Nga njëra anë, për Perëndimin, “zotërimi” i Kosovës thekson zgjerimin e zonës së sigurisë, dhe, nga ana tjetër, u shfaq dobësia e radhës e deriatëhershme e Rusisë. Që atëherë, Rusia është përpjekur t’i shmangë këto dobësi.

Kohët e fundit janë zhvilluar dy referendume brenda territoreve të Irakut dhe Spanjës. Që të dyja rastet e krahinave autonome që kërkuan pavarësi paraqesin sfida për sigurinë e shteteve përkatëse. A mund të lejojë gjeopolitika imperiale pavarësinë e katalanasve dhe kurdëve-irakianë?

Katalanasit – të paktën një shtresë e klasës politike dhe 90 % e atyre që votuan – nuk u mjaftuan me autonomi dhe kërkuan pavarësi të plotë. Ndërkohë, Katalonja gëzon të drejta politike, kulturore dhe sociale, por e konsideron veten më të përparuar se pjesa tjetër e Spanjës. Por Katalonja gjendet nën dy ombrella gjeopolitike: Spanja dhe pastaj Bashkimi Europian. Kjo do të thotë se Katalonja, që të shpallet e pavarur, duhet të “depërtojë” apo sfidojë dy shtresa sigurie.

Së pari, është normale që katalanasit të gëzojnë të drejtën për vetëvendosje, e cila normalisht nuk duhet t’iu mohohet. Por, kur kjo vetëvendosje rrezikon stabilitetin dhe integritetin e gjithë vendit (Spanjës), atëherë qeveria qendrore nuk e toleron këtë zgjidhje. Së dyti, po në kuadër të gjeopolitikës imperiale, linja e politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Europian nuk mund ta pranonte një Katalonjë të pavarur. Ndaj, politika e ngushtë e Katalonjës nuk i bëri llogaritë mirë, teksa sipërmarrja e saj për pavarësi sillte “kërcënime” për stabilitetin e Spanjës, dhe për rrjedhojë, edhe krijimin e një efekti domino në Europën që synon të bashkohet dhe të shkrijë kufijtë e jo t’i kthehet sovranitetit vestfalian.

Në një fjalim të vitit 2000, Joshka Fisher, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, në referencë të një tensioni mes nacionalizmit dhe supra-nacionalitetit, jep një qasje që thekson pikërisht jo ndarje mes shtet-kombeve në Europë, por lënie pas e koncepteve të Europës përpara luftërave:

“Thelbi i konceptit të Europës pas vitit 1945 ishte dhe vazhdon të jetë ende një refuzim i parimit të sovranitetit vestfalian…, një refuzim që mori formën e lidhjes më të ngushtë të interesave jetike dhe transferimin e të drejtave sovrane të kombit drejt konceptit të institucioneve europiane supra-kombëtare”.

Fisher shprehet për kapërcim të ndarjeve kufitare europiane, një eufemizëm për perandorinë moderne të etiketuar “Bashkim Europian”.

Edhe kurdët e Irakut të Veriut, në rrethana të ndryshme me Katalonjën, morën nismën për t’u bërë të pavarur, duke menduar se kishin mbështetjen amerikane (të paktën, kështu pranohet prej tyre në deklarata zyrtare). Por, pas referendumit, kurdët, përveç territorit të pretenduar që gjithsesi nuk do ta merrnin, u shtrinë edhe në zona të tjera, gjë që shërbeu si pretekst për përfshirjen direkte të Turqisë dhe Iranit. Me “braktisjen” nga “perandoria” e madhe (SHBA), kurdëve të Irakut të Veriut iu “turrën” Turqia dhe Irani që nuk mund ta pranojnë – për arsye sigurie – një Kurdistan të pavarur. Pra, veç SHBA-së, dy mini-perandori nuk mund t’ia lejonin vetes një shkarje nga kontrolli i një territori, dhe më pas trazira të mundshme rajonale.

Siç shihet, në lojën e madhe fitojnë ato territore që i shërbejnë gjeopolitikës imperiale, dhe bie nocioni i vetëvendosjes apo parime të tjera, qofshin edhe teorikisht demokratike. Në fund, mbetet që kosovarët të kenë një shtet të pavarur, ndërsa kurdët dhe katalanasit thjesht t’i gëzohen autonomisë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *