Lajme, Lajmi kryesor

Gjenerata e humbur e Kosovës

Dhjetë vjet pas pavarësisë shumica e kosovarëve nuk janë të lirë e të pavarur nga varfëria, korrupsioni, ambienti i ndotur, izolimi, dhe arsimi e shëndetësia katastrofale – gjërat që gjithmonë e patën bërë jetën të mjerueshme në ditët para pavarësisë

Nga Mikra KRASNIQI

Në romanin «Portreti i një artisti në rini» të James Joyce, heroi i librit, Stephen Dedalus, është duke shëtitur një mbrëmje me mikun e tij të universitetit, Davin; të dy janë të zhytur në një bisedë të thellë mbi identitetin kombëtar, kulturën dhe Irlandën – për të cilën Davin ka ndjenja të forta patriotike. Stephan, në anën tjetër, tingëllon i zhgënjyer: «Ky vend është një burg që ta mban shpirtin të prangosur sapo t’i hapësh sytë në jetë», shprehet ai. «Ti m’ligjëron mua për komb, gjuhë, e fe, por unë do bëj çmos që të iki nga ky burg. A e dini», Stephen vazhdon më tutje, «se çfarë vendi është Irlanda? Irlanda është sikur ato krijesat vrasëse që i hanë të vegjlit e vet».

Nëse ka një tragjedi që i përfshin të gjitha në dekadën e parë të humbur të Kosovës, është rinia e këtij vendi.

Ky dialog i paharrueshëm që e kisha lexuar vite më parë më ra në mend kur fillova të shkruaj për dhe të reflektoj mbi dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Sado që u përpoqa të shkruaj nga një këndvështrim tjetër (duke marrë parasysh zhvillimet nga aspekti i stagnimit, progresit apo regresit), prapëseprapë dialogu i lartpërmendur nuk më shkoqitej nga mendja. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin se Irlanda e Stephen-it në atë libër tragjikisht është e disi e njëjtë me Kosovën gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit. Sepse, në fakt, është e vërtetë që ne mund të debatojmë për diskursin primitiv politik të Kosovës, apo për ajrin që vret, ekonominë e brishtë, kujdesin shëndetësor që nuk ekziston, turpin i sistemit arsimor, mund të flasim dhe numërojmë të gjitha këto plagë gjakderdhëse, por nëse ka një tragjedi që i përfshin të gjitha në dekadën e parë të humbur të Kosovës, është rinia e këtij vendi. Pasuria më e madhe e vendit (një gjë që politikanët e Kosovës nuk dështojnë asnjëherë t’ia rikujtojnë botës), gjenerata më premtuese që ky vend ka pasur ndonjëherë, është braktisur, është tradhtuar dhe gëlltitur në sllogane politike boshe, vit pas viti.

Me miliona herë politikanët e Kosovës janë krekosur se Kosova e ka popullatën më të re në kontinent, se kjo frymë rinore është ajo çka e definon vendin e ri, shpirtin e tij, energjinë e tij dhe të ardhmen e ndritshme. Gjatë gjithë këtyre viteve asnjëherë nuk i kam parë e dëgjuar këta politikanë duke u angazhuar në një bisedë më serioze, një reflektim më të thellë e një debat më të sinqertë për realitetin e hidhur të rinisë Kosovare. Kurrë nuk u shkonte ndërmend këtyre politikanëve të mendonin se përderisa ata ishin në krye të një vendi me popullatë të re, kjo popullatë ishte popullata më e paarsimuara, më a paintegruara, dhe më e izoluara në Evropë.

Për dekada të tëra hulumtimet kanë treguar se shpërthimi dhe rritja e shpejtë e rinisë, derisa e paarsimuar, dhe pa perspektive ekonomike, nuk është pasuri apo përparësi, por shkaktar i krizave shoqërore dhe politike,

Sllogani «vendi ynë mund të jetë i varfër, por e ka popullsinë më të re në Evropë», gradualisht mori përmasa mitike në identitetin e vendit të ri, një fenomen tërësisht i çoroditur që kishte rrëmbyer politikanin kosovar dhe bashkë me të dhe sensin e realitetit. Fundja, kjo krekosje me popullatën e re, me këtë sllogan bosh, gjithmonë ka reflektuar një injorancë të tmerrshme në një vend të dobët siç është Kosova. Për dekada të tëra hulumtimet kanë treguar se shpërthimi dhe rritja e shpejtë e rinisë, derisa e paarsimuar, dhe pa perspektive ekonomike, nuk është pasuri apo përparësi, por shkaktar i krizave shoqërore dhe politike, një fenomen që i shtyn të rinjtë në krim, emigracion, e terrorizëm.

Por të gjitha këto hulumtime, e gjithë kjo njohuri mbi rreziqet e popullatës së re, sikur fare nuk ekzistonte për politikanët e Kosovës.

Kjo vetëm sa e nënvizon faktin tmerrues se në klasën politike të Kosovës gjithmonë ka munguar një lloj serioziteti i thellë, një vetëdijesim politik që shtetndërtimi nuk është vetëm recitim i slloganeve, por liria përmban në vete një peshë përmbytëse, një obligim monumental historik ndaj gjeneratës së re. Sepse, po të ekzistonte ky vetëdijesim i thellë, politikanët e Kosovës do ta kuptonin se rinia e Kosovës, nuk duhej të ishte simbol i krenarisë, por një fenomen klasik për alarm dhe panik. Çdo vit më shumë se 30 mijë të rinj kosovarë, të paarsimuar, të pakualifikuar dhe të izoluar e arrijnë moshën e punës, derisa politikanët e tyre hedhen pas projekteve—qofshin ato në ndërtimin e rrugëve që nuk çojnë askund, apo në projekte të kota diplomatike nëpër vende pa asfarë relevance apo vlere strategjike për vendin e ri.

Ishte tronditëse, pra, për këta politikanë kur tragjedia e rinisë së Kosovës u konfirmua nga rezultatet e testit PISA të vitit 2015— se për turp, vendi i tyre i ri nuk kishte asgjë për të treguar, përveç një sistem arsimor të kalbur, i vërshuar me mësues të pakualifikuar dhe fëmijë analfabetë. Brezi më i ndritur dhe më premtues i vendit, këta fëmijë me të cilët politikanët e Kosovës mburreshin kudo që shkonin, lëngonin në margjinat e kontinentit, të humbur, të injoruar, të braktisur. Vendi i tyre – apo të gjithë ata demagogë mburraveca në krye të tij – kishin prangosur dhe turpëruar këta fëmijë në sytë e mbarë botës.

Padituria dhe injoranca politike, lakmia dhe abuzimi i resurseve, të gjitha këto vetëm thellojnë tragjedinë e një gjenerate të humbur të Kosovës.

Kjo, atëherë, është Kosova në krye të dekadës së parë të të ashtuquajturës pavarësi, për të cilën kosovarët kanë të drejtë të mos festojnë, sepse shumica e tyre nuk janë të pavarur dhe të lirë nga varfëria, korrupsioni, izolimi, ambienti i ndotur – gjëra që e kishte bërë jetën të mjerueshme në ditët para pavarësisë. Padituria dhe injoranca politike, lakmia dhe abuzimi i resurseve, të gjitha këto vetëm thellojnë tragjedinë e një gjenerate të humbur të Kosovës. Ata adoleshentë të dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve më parë janë shndërruar në një popullatë të indinjuar, shumë prej të cilëve shohin pak shanse për të pasur mundësinë e një jete më të mirë. Vendi i tyre i vogël në të cilin ata kishin varur shpresat e tyre gjatë viteve të tyre më formuese, i ka varrosur ëndrrat dhe ambiciet e tyre.

S’është për t’u habitur, pra, kur studimet tregojnë se mbi gjysma e popullsisë duan të largohen nga vendi – në fakt qindra e mijëra vetëm se e kanë bërë tashmë këtë. Kudo dhe kurdo, kosovarët mbledhin plaçkat dhe ikin, zhduken, zvarriten përmes kufijve të huaj, duke u përpjekur të largohen sa më larg që të jetë e mundur nga vendi i ri që ka rraskapitur energjitë dhe i ka shuar ëndrrat e tyre, derisa politikanët e Kosovës vazhdojnë të krekosen me sllogane e të heqin veten si patriotë e shtetndërtues. (kallxo.com)

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *