Lajme, Lajmi kryesor

Gafurr Elshani flet për rastin “Syri i Popullit”, zbulon detaje të pathëna deri sot!

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dje ka njoftuar opinionin publik se Muhamet Kelmendi, Albulena Haxhiu dhe Gafurr Elshani janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit lidhur me organizatën kriminale “Syri i Popullit”

Lidhur më këtë çështje portali “Gazeta Blic” ka kontaktuar të tre këta persona, për të marrë më shumë informacione rreth arsyes së ftesës në cilësinë e dëshmitarit dhe rreth asaj se çfarë kanë deklaruar në prokurori.Mirëpo, një lajm të tillë e ka demantuar profesor Muhamet Kelmendi i cili dje për portalin “Gazeta Blic” tha se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje dhe se nuk ka marrë asnjë ftesë nga prokuroria.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu nuk ka qenë e qasshme dhe nuk është deklaruar lidhur me këtë rast.Sot, “Gazeta Blic” ka intervistuar edhe dëshmitarin tjetër, avokatin Gafurr Elshanin. Elshani tha se ka marrë ftesë nga prokuroria 2 muaj më parë, ka dhënë deklaratat e tij dhe nuk ka asgjë tjetër. Ai ka folur edhe për lidhjen me gjyshin e Albulena Haxhiut dhe dëshmitarin tjetër, Muhamet Kelmendin. Gjithçka sipas tij është keqkuptuar atëherë kur kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje Sadri Ramabaja, që tash është i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në sulm terrorist dhe vrasjen e liderëve shtetërorë ka postuar në rrjetin social Facebook emrat e këtyre tre personave dhe ka ngatërruar termet i dyshuar dhe dëshmitar.

Në fund, Elshani ka thënë nuk është i vetmi që po merret në pyetje lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, sipas tij për këtë çështje po merren në pyetje edhe disa nga liderët më të mëdhenj të Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë:

Gazeta Blic: A është e vërtetë se prokuroria ju ka thirrur si dëshmitar për rastin “Syri i Popullit” së bashku me deputeten Albulena Haxhiu dhe profesorin Muhamet Kelmendi?

Gafurr Elashani: Për Muhametin nuk e di, po është e vërtetë mua para dy muajve më ka thirr Prokuroria speciale për të dhënë një deklaratë në cilësinë e dëshmitarit, pa më informu se për çfarë rasti penal bëhet fjalë. Kur kam shku atje ata më kanë informuar për rastin për të cilin më kanë thirr. Kanë qenë nja dy djem të ri të cilët kanë qenë shumë korrekt me mu. Unë i kam informu se nuk kam asgjë çka të dëshmoj lidhur me këtë rast pasi që nuk kam kurrfarë njohurie për tërë veprimtarinë e kësaj organizate “Syri i Popullit”.

Gazeta Blic: Pse mendoni se jeni thirrur si dëshmitar?Gafurr Elshani: Unë nuk mendoj që kanë pasur ndonjë arsye se pse më kanë ftuar mua. Edhe vetë hetuesit e kanë ditë që s’ka qenë kjo e bazume por një punë rutinore .Gazeta Blic: Pra, po thoni që prokuroria ju ka bërë ftesë pa asnjë bazë? Si mund të ndodh kjo dhe pse?

Gafurr Elshani: Nuk është praktikë e mirë që më kanë ftuar mua dhe as deputeten e Kosovës Albulana Haxhiu, sepse siç thashë edhe më parë kjo ka qenë një ftesë më shumë e bazuar në hamendje, me vjen keqë se është ulë niveli i punës profesionale të prokurorisë.

Gazeta Blic: Për çka ju kanë pyetur në prokurori?

Gafurr Elshani: Unë nuk jam marrë në pyetje si i dyshuar, por si dëshmitarë. Unë jam thirr për me dëshmu nëse ka diçka, a mundem diçka me dëshmu lidhur me këtë çështje, mirëpo unë nuk kam pas asgjë çka me dëshmu.Hetuesit më kanë thënë se prokurori Sylë Hoxha na ka autorizu, me ju intervistuar në cilsine e dëshmitarit. Më përgjigjet e mia unë e kam sqaru prokurorinë që nuk kam asgjë lidhur me këtë rast me dëshmue.

Gazeta Blic: A njiheni ju me dy dëshmitarët tjerë, Albulena Haxhiun dhe Muhamet Kelmendin?

Gafurr Elshani: Me Albulenën personalishtë nuk kam nohje, mirëpo gjyshi i Albulenës Ahmet Haxhiu, dhe unë kemi qenë bashkëveprimtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Po ashtu edhe me Muhamet Kelmendin kemi qenë bashkveprimtar, kami qenë dhe jemi shokë.

Gazeta Blic: A keni ndonjë informacion, pse dëshmitari tjetër Kelmendi e ka mohuar që i është bërë ftesë prokuroria?

Gafurr Elshani: Nuk kam njohuri dhe nuk mund të deklarohem lidhur me dëshminë e Muhamet Kelmendit, por unë nuk e mohoj që më kanë thirr edhe që kam qenë në prokurori, ato që i kam thënë është e procedume, sigurisht prokuroria do t’i publikojë kur ta sheh të arsyeshme por duhet të shfrytzojë rastin të sqarojë opinjonin se më herët në media ka qarkullu dizinformata se gjoja unë jam marrë në prokurori për të dhënë deklarat në cilësinë e të dyshuarit. Kjo rrjedh si pasojë e një informate që e ka dhënë në Facebookun e tij Sadri Ramabaja i cili siç duket e ka ngatërru terminologjinë juridike, duke mos e dalluar cilsinë e të pandehurit me atë të dëshmitarit, kështu që sipas informatës së tina pastaj të gjitha gazetat kanë shkru se gjëja që unë jam marrë në pyetje në prokurori në cilësinë e të dyshuarit.

Gazeta Blic: Çfarë lidhje keni ju me Sadri Ramabajën?

Gafurr Elshank: E njoh Sadri Ramabajën personalisht, kemi qenë bashkveprimtar dhe tani ende jemi shokë. Kosova është e vogël na të gjithë njihemi.

Gazeta Blic: A e dini që ai tash është i arrestuar për tentim vrasje?

Gafurr Elshani: Unë mendoj që prokuroria mund të jetë nxituar.

Gazeta Blic: A janë marrë në pyetje edhe shumë persona, a keni ndonjë informacion?

Gafurr Elshani: Në prokurori më ka thënë që na jemi të obliguar me e kry këtë formalitet pasi që prokurori i prokurorisë speciale Sylë Hoxha na ka autorizu, po unë sa e di në prokurori mu më kanë thënë se mos u bani merak se këtu nuk jeni të vetmit që jeni thirr por janë marrë edhe liderët më të mëdhenjë të Kosovës për këtë punë.

Gazeta Blic: Por në media janë përfolur vetëm emrat e tre personave?

Gafurr Elshani: Emrat tonë janë përfolur për shkak se Sadriu i ka postuar në Facebookun e tij, se i ka ditë e për tjerët nuk I ka ditë e nuk se sigurisht me i pas ditë edhe ata edhe tjertë ishin përfol.

Gazeta Blic: A mendoni që do të thirreni përsëri për këtë çështje?

Gafurr Elshani: Jo nuk mendoj që nuk do të thirrem në asnjë cilësi, prokuroria ka tjera punë, mendoj që prokurorët duhet me u angazhu me i ndriqu lëndët e jo me u marrë me hamendje me supozime të pa bazuara në në fakte.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *