Lajme, Lajmi kryesor

Frikësimi dhe injorimi si “preventivë” kundër informimit objektiv (video)

Vetëm në disa muajt e fundit kanë ndodhur së paku dhjetë raste të ofendimeve, kërcënimeve, madje edhe me vdekje apo thjesht pengime të gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme. Iniciatorët kryesorë të tentimeve të tilla kryesisht ishin zyrtarët e institucioneve kosovare, pjesëtarët e sigurimit të tyre apo të ashtuquajturit biznesmenë të fuqishëm që ose janë pjesë e politikës ose kanë lidhje të fuqishme të interesit me vetë politikanët

Para disa ditësh, gazetarët e medias online “Insajderi”, të njohur për gazetari hulumtuese, kanë marrë kërcënime me vdekje meqë kanë arritur deri te një zbulim skandaloz – se kompania “Euro Ida” nga Rahoveci, importonte mish të prishur, të skaduar edhe me shumë vjet, nga kompania belge “Vavida”. “Unë them për vete njëherë se jam budall, se me ju q…. nënën. E marr vet kallashin vi edhe duhet me ju sharritë krejt, edhe shkoj në burg. Ama njëherë dal para gazetarëve…, n’gom çka po të them,” është kërcënuar Anton Jupa, pronar i kompanisë.

Parim Olluri, drejtori i “Insajderi-t” thotë se jo vetëm se nga institucionet kompetente, përfshirë edhe doganën, nuk kanë mundur të marrin informata mbi emrat e kompanive që kanë importuar mish të prishur, por edhe pasi mësimit se pronari i asaj kompanie është në arrati, policia nuk i ka kontaktuar e as që ka ofruar së paku sigurim fizik të redaksisë.

“Jam i bindur se politikanët e shfrytëzojnë Policinë e Kosovës si kompani private për sigurim privat, për sigurinë e vet personale. Kur është fjala për gazetarët, besoj se nuk u pëlqen që ata të ndihen të sigurt. Në momentin kur gazetarët nuk ndihen të sigurt që të raportojnë, atëherë numri i informatave dhetë ndjeshme dhe hulutimeve bie dhe kjo është ajo që u përgjigjet politikanëve. Të gjejnë mënyra si t’i frikësojnë gazetarët që të mos i publikojnë hulumtimet e tyre. E një prej mënyrave është joaktiviteti i Policisë së Kosovës”, thotë Olluri.

Ai pohon se çdo biznes i fuqishëm ka lidhje të forta me zyrtarët kosovarë. Kjo shihet gjatë raportimeve mbi rastet e ndryshme, mbi skandalet e ndryshme.. I mbrojnë përmes heshtjes… “A keni ndonjë pyetje tjetër”, shpesh mund të dëgjohet edhe në konferencat për shtyp të zyrtarëve të lartë kosovarë, me çka vërtetojnë mosgatishmërinë e tyre për t’i dhënë përgjigje publikut lidhur me ndonjë çështje apo problem të ndijshëm. Në fakt, thirrjet e gazetarëve në konferencat për shtyp, më së shpeshit përfundojnë vetëm me deklaratën e ndonjë zyrtari, pa mundësi që gazetarët të shtrojnë pyetje, por me një presion indirekt mbi mediat që atë deklaratë ta publikojnë.

Petrit Çollaku, hulumtues në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, konsideron se muajve të fundit gazetarët ballafaqohen me shumë vështirësi në kryerjen e punës së tyre, por edhe me kërcënime të hapëta. “Për më keq, tash kur është ndërruar Qeveria, kemi një averzion edhe më të madh ndaj mediave, ndaj gazetarëve. Kështu e kemi rastin e deputetit Bek Berisha i cili i është kërcënuar një gazetareje, dhe i ka thënë, nëse edhe një herë shkruan do të ndodh “kështu e kështu…”, apo e kemi rastin e ish kolegut tonë, Miliam Zeka i cili e ka keqpërdorë foltoren e Kuvendit dhe i ka linçuar gazetarët për interesat e tij personale,” thotë Çollaku.

Saranda Ramaj, gazetare e së përditshmes Koha Ditore edhe vetë ka përjetuar që kryetari i parlamentit jo vetëm të mos i përgjigjej pyetjes së saj lidhur me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe t’i nënshtrohet ofendimeve të tij. “Pasoi sulimi i tij se jam gazetare e politizuar dhe pastaj vazhdoi me ofendimet e tjera se si nuk është mirë që unë po e dëmtoj sistemin, po e dëmtoj shëndetësinë. Mendoj se kjo ishte një tendencë që të më diskreditojë para kolegëve. Mirëpo, sjellja e z. Veseli, nuk më la ndonjë përshtypje, meqë jemi mësuar me të dhe me sjelljen e kolegëve të tij, sidomos nga Partia Demokratike e Kosëvës, ndaj gazetarëve të grupit Koha, ku edhe unë jam gazetare. Na kanë sulmuar ose na kanë lidhur me grupe të interesit kurdo që nuk u kanë pëlqyer pyetjet apo raportimet tona,” thotë Ramaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili edhe si deputet i opozitës, por edhe me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, ishte kundërshtar i hapur i Marrëveshjes mbi Demarkacionit e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duke konsideruar se me këtë Kosova humbet mbi tetë hektarë tokë, në mungesë të përgjigjes në rikujtimin e gazetarit se ekspertët dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nuk mendojnë ashtu, është përgjigjur: “Po shumica e juaj, a s’dini me lexu’ anglisht, a s’po dini me kuptu’ çka kanë thënë. Problemi është i juaj. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni, pa dijtë si po raportoni, besomëni. Shkoni më shumë në shkollë, këqyrni çka po po thojnë ata”, ka thënë Haradinaj.

Flutura Kusari, eksperte për të drejtat e mediave dhe lirinë e shprehjes konsideron se Qeveria e Ramush Haradinajt, është nga ato pak qeveri që në një kohë aq të shkurtër ka adresuar aq shumë akuza në llogari të gazetarëve. “(Qeveria) ka filluar t’i akuzojë gazetarët dhe është shumë pak i hapur ndaj gazetarëve, qoftë sa i përket qasjes në dokumentet publike apo në informatat e tjera. Përkundër faktit se ka emëruar disa persona kyç për komunikim me mediat lidhur me çështjet prej interesi për publikun, ata persona nuk japin kurrfarë përgjigjesh. Kjo Qeveri është larg të qenit një qeveri transparente,” thotë ajo.

Kusari poashtu thekson se sulmet e drejtpërdrejta apo të tërthorta në llogari të gazetarëve nuk janë rastësi, por përkundrazi shumë mirë të menduara me qëllim që të ulet kredibiliteti në publik i atyre gazetarëve që janë kritikë ndaj Qeverisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria Haradinaj miratoi Koncept dokumentin për Shërbimin për marrëdhëniet e Qeverisë me Publikun, të dedikuara përmirësimit të komunikimit me mediat dhe publikun, ku janë përfshirë edhe një numër propozimesh të gazetarëve. Në mesin e tyre edhe nevoja për publikimin e sa më shumë dokumenteve në ueb faqen e Qeverisë, me qëllim të shtimit të transparencës, sikur edhe që zyrtarët e institucioneve të Kosovës të mos i shfrytëzojnë rrjetet sociale si zëvendësim për konferencat për shtyp.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *