Ekonomi

FMN: Gjermania, më e kërcënuara si pasojë e politikës së re amerikane

Franca dhe Gjermania do të jenë dy prej vendeve të goditura më fort nga ngadalësimi i ekonomisë globale për shkak të proteksionizmit amerikan

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se Gjermania, motori i ekonomisë së Eurozonës, mund ta vazhdojë rritjen këtë vit në mbi 2% të GDP-së, siç kanë qenë projeksionet e deritanishme, por duke nisur nga viti 2019, e për të vazhduar me vitin pasues, kjo rritje do të bjerë në 1.9%.

Në vlerësimin e tij të fundit për ekonominë globale, FMN thekson se fenomeni shqetësues vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e tarifave tregtare të Shteteve të Bashkuara.

Franca është ekonomia tjetër madhore e Eurozonës, që parashikohet të përjetojë një rënie të rritjes ekonomike gjatë vitit që vjen.

“Përshkallëzimi i tensioneve tregtare dhe zhvendosja e mundshme nga një sistem tregtar shumëpalësh, i bazuar në rregulla, përbëjnë kërcënimet kyçe për vlerësimin e ekonomisë globale”, thuhet në dokument.

“Që nga parashikimi i prillit të vitit 2018, – vazhdon sqarimi FMN-së, – retorika proteksioniste është shndërruar gjithmonë e më shumë në veprim me SHBA-të, që kanë vendosur tarifa mbi një sërë importesh, duke përfshirë ato 200 miliardë dollarëshe nga Kina, dhe partnerët tregtarë që ndërmarrin ose premtojnë masa ndëshkuese apo masa mbrojtëse”.

Praktikisht, sipas FMN-së, tensionet mes Uashingtonit dhe partnerëve të tij tregtarë kanë nisur ta cënojnë aktivitetin ekonomik në mbarë botën. Në total, ekonomia globale pritet të rritet tani me 3.7% këtë vit dhe vitin që vjen, gjë që do të thotë 0.2% më pak nga parashikimet e mëhershme.

Top Channel

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *