Lajme

Fjala e Albin Kurtit në Skenderaj

Mirë se ju gjej këtu në Skënderaj, në Skënderajn e Ahmet Delisë e të Azem Bejtës, të Shaban Polluzhës e të Tahir Mehës, në Skënderajin e Adem e Hamzë Jasharit. Të gjithë këta dhe shumë dëshmorë, heronj e martirë të tjerë i kanë dhënë zemër e histori gjithë Kosovës e mbarë kombit shqiptar

Të nderuar të pranishëm, vëllëzër e motra,
Të dashur aktivistë e anëtarë,
I nderuari kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri,
E nderuara nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, doktoresha dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku,
I nderuari kryetar i ardhshëm i Skënderajt, Hysni Mehani,
I nderuari kryetar i ardhshëm i komunës së Drenasit, Shemsi Elezi,
Të nderuar asambleistë të ardhshëm të kuvendit komunal këtu në Skënderaj nga Lëvizja VETËVENDOSJE!,
I nderuari axha Avni, Avni Dehari, prindi i Astritit e i Arbënorit,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi,

Në Kosovën e pasluftës i kemi pasur dy lloj privatizimeve: privatizimin e fabrikave dhe të ndërmarrjeve publike. Secili më i keq se tjetri: fabrikat i kanë shndërruar në qendra tregtare a në lojëra fati, tokën bujqësore në shesh ndërtimi për pompa të benzinës a motele, komunat në vende punësimi për familjarët, ndërkaq ndërmarrjet publike në çerdhe të korrupsionit.
Me fitoren e VETËVENDOSJE!-s nesër në Skënderaj, e pasnesër në krejt Kosovën, kjo merr fund menjëherë e përgjithnjë. Institucionet publike janë për shërbime publike, Komuna është institucion publik. Nëpërmjet publikes ne realizojmë interesin e përgjithshëm, dhe, me fitoren e VETËVENDOSJE!-s këtu në komunën e Skënderajt, publikes i jepet prioritet mbi privatin.

Ambulanca e Mjekësisë Familjare në Kllodernicë është pa rrymë që nga viti 2013, ndërkaq është pa ujë që nga viti 2008. Pusi në oborr aty është i mbushur me ujëra të zeza. Mjeku viziton një herë në javë, ndërsa gjatë muajve te verës (korrik, gusht dhe shtator) s’ka pasur mjek fare. Nëpër QMF-të e Skenderajt ka mungesë të Termometrit, Glikometrit që bën matjen e sheqerit, Tensiometrit, e madje mungojnë edhe sterilizuesit. Ndryshimi në Prishtinë ka treguar që kur ke vullnet edhe kur ke plan, kur je me mendje e kur je me zemër, mund t’i realizosh ndryshimet. Sot, shumica dërrmuese e qytetarëve të sëmurë në kryeqytet nuk shkojnë në QKUK por shkojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare të komunës së Prishtinës. Punët e mira që i kemi bërë në Prishtinë, do t’i bëjmë edhe në Skënderaj pas 22 tetorit.
Komuna e Skënderajt për vitin e kaluar ka shpenzuar rreth 44 mijë euro për ushqim dhe pije, ndërsa për dreka zyrtare rreth 27 mijë euro, që në total arrin 70 mijë euro.

Komuna e Skënderajt shpenzoi për dreka e darka gati sa dyfishi i shpenzimeve për shëndetësi. Udhëheqja e këtillë nuk jep për shëndetësi sepse është vetë e sëmurë. Sëmundja e saj është grykësia. E, shërimi është VETËVENDOSJE!-a e numri 10.
46 fshatra në Skënderaj nuk janë të kyçura në ujësjellës. 49 fshatra në Skënderaj nuk janë të kyçura në kanalizim. Sistemi i kanalizimit i gjithë qytetit derdhet në lumin Klina. Në çdo kohë të reshjeve të mëdha në qytet dhe në disa fshatra ka vërshime. Ne ia vejmë digën korrupsionit, ne e pastrojmë edhe lumin Klina nga ndotja edhe komunën nga korrupsioni.
Këta asambleistë të ardhshëm e kanë dijen e mençurinë për zhvillim, guximin e patriotizmin për ballafaqim, dhe punën e ndershmërinë për drejtësi. Fitorja e tyre për të gjithë është mbarësi. Cilindo që e votoni, nuk mund të gaboni.
Në Skënderaj nuk lejohen që të operojnë kompanitë e mëdha vendore, siç janë Ipko, Kujtesa, Albi, Viva, etj. Biznesi është tërësisht i monopolizuar nga disa individë të lidhur me pushtetin. Skënderaj por edhe Drenica në përgjithësi, e ka një shansë të jashtëzakonshëm dhe unik që t’i bëjnë ndryshimet pozitive në mënyrë demokratike e paqësore. Ky shansë e ka një datë, e ka një numër. Datën e ka 22 tetor, ndërkaq numrin e ka 10!

Ka uzurpime në Shtëpinë e Kulturës. Ambientet publike janë shndërruar në ambiente private (kafene), pastaj fusha prapa Shtëpisë së Kulturës është shndërruar nga hapësirë publike në një fushë private me pagesë. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! kur të fiton në Skënderaj, kjo duhet të ndryshojë për shkak se pushteti duhet të jetë publik, në shërbim të publikut dhe kurrsesi privat në shërbim të privatit. Edhe 10 ditë na ndajnë nga fitorja e numrit 10, të dielën e 22 tetorit.
Skënderaj është ndër komunat më të varfëra e me papunësinë më të madhe në Kosovë. Numri i nxënësve që braktisin shkollimin po rritet nga viti në vit. Por, me fitoren e Lëvizjes, lëviz gjithçka. Kurrë nuk do të ketë më në Skënderaj fëmijë të uritur apo të sëmurë në bankat shkollore.

Hapësira e cila më parë ishte e destinuar për Parkun e Biznesit, e ky projekt qe ndalur për shkak që konsiderohej se është pjesë e memorialit “Adem Jashari”, tanimë është shndërruar në një deponi gjigante e mbeturinash. Ky, jo vetëm që është korrupsion, por ky është edhe turp. Turp që nuk duhet ta bëj as Skënderaj, e as Kosova.
Fabrika e Sheqerit e cila do të duhej të fillonte ndërtimin në vitin 2015, me investimin e kompanisë Britanike “DarkStar” prej 27 milionë euro nuk filloi të ndërtohej asnjëherë. Me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i hapet udha investimeve nga jashtë për prodhimin që sjell punësim.
Sot, qytetari i Skënderajt nuk ka ku të ankohet. Me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të këtyre asambleistëve tanë, punëtorë e të ndershëm, të mençur, të dijshëm e të guximshëm, me në krye Hysni Mehanin, do të mund t’i hapim arkivat e korrupsionit të viteve të shkuara në komunë, por gjithashtu edhe do ta ndalim korrupsionin e do t’ia hapim shtegun të mirës e të mbarës.

Në Skënderaj dështoi edhe ndërtimi i Parkut Teknologjik, projekt i kompanisë Sllovene “Technopolis LLC., Celje”. Ish-Fabrika e Lodrave në Skënderaj është privatizuar dhe tashmë është shndërruar në banesa private. Nuk ekziston asnjë hapësirë e vetme sportive publike: Palestra e sportit ka filluar ndërtimin në vitin 2009 por ende nuk ka përfunduar.

Në Skënderaj ekziston vetëm një çerdhe publike. Me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të gjitha këto, një nga një, një për një, ne do t’i ndryshojmë. Sepse, ne i kuptojmë politikat si shërbim kur ke edhe ideale edhe moral, ku i shërben të mirës e interesit të përgjithshëm.

Objekti i shkollës në Kastriot (Kostërrc) është ndërtuar si shkollë e re, por asnjëherë nuk ka filluar punën për shkak të mungesës së nxënësve, ndërkohë që tri shkolla tjera janë mbyllur: në Izbicë, shkolla në Radishevë dhe shkolla në Murgë. Kurse Gjimnazi “Hamëz Jashari” dhe shkolla e Qirezit ende nuk po përfundojnë dhe nuk janë të gatshme për punë. Nuk i është kushtuar mundësi arsimit sepse asnjëherë nuk kemi pasur udhëheqje që e do arsimin, kulturën, dijen. Me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kjo ndryshon, sepse VETËVENDOSJE!-a përbëhet prej njerëzve që e adhurojnë arsimin, edukimin, dijen, shkollimin.
Në fshatin Polac është bërë eksploatimi i egër i qymyrit nga kompania e Nuredin Lushtakut. Kjo është e patolerueshme, ne nuk mund të lejojmë që nga politika njerëzit të bëhen biznesmenë. Nuk jemi kundër që biznesmenët të hyjnë në politikë por le ta përdorin politikën për ta zhvilluar ekonominë e Kosovës, e jo për t’u bërë biznesmenë.

Hysni Mehani dhe këta asambleistë të ardhshëm të VETËVENDOSJE!-s, nuk janë njerëz të VETËVENDOSJE!-s në Skënderaj, por janë njerëzit e Skënderajt në VETËVENDOSJE!. Ata e duan këtë vend, ata do të jenë në çdo vend, e me 22 tetor ky vend duhet t’i duajë këta, duhet t’i duajë këta që e kanë numrin 10 dhe janë përfaqësues të vërtetë.
Ju falemnderit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *