Ekonomi

Fituesi i tenderit për projektimin e autostradës së Dukagjinit thotë se s’u favorizua nga Haradinaj

Më 29 qershor, pritet të nënshkruhet kontrata për hartimin e projektit për Autostradën më të gjatë në Kosovë, atë të Dukagjinit

Pasi, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte kthyer lëndën në rivlerësim, Ministria e Infrastrukturës sërish ka përzgjedhur operatorin e njëjtë për të hartuar projektin e autostradës që pikënisje do ta ketë Dubravën me dalje në rrugën e kombit, raporton KTV.

Por dy njoftime paraprake, të cilat bien në kundërshtim me njëra-tjetrën i ka publikuar kjo ministri më 19 qershor të këtij viti.

Në të njëjtën ditë është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës dhe ai për anulimin e dhënies së kontratës. Kohavisioni raportoi muajin e kaluar se Ministria e Infrastrukturës kishte përzgjedhur si fitues grupin e Operatorëve Ekonomik: N.N. “Infra – Plus”; N.T.SH. “Infratek” por nuk kishte arritur të finalizonte kontratën.

Kjo pasi OSHP-ja kishte vërtetuar se Autoriteti Kontraktues i saj ka shkelur procedurat e prokurimit, duke përshtatur apo duke bërë diskriminim në përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do ta hartojë atë.

Ministria e Infrastrukturës nuk i është përgjigjur interesimit të KTV-së për sqarim të këtyre dy njoftimeve dhe nëse e ka rivlerësuar procesin e tenderimit. Po ashtu KTV-ja është interesuar të dijë se cili nga njoftimet është valid, ai për anulimin e kontratës apo për dhënien e saj.

Nexhat Krasniqi, nga Zyra e Prokurimit në këtë ministri, ka sugjeruar të pyetet me email, pasi nuk përgjigjet në telefon, por nuk ka kthyer përgjigje në asnjërën mënyrë.

Pronari i kompanisë fituese, Musa Islamaj, i cili ka treguar afërsi me AAK-në, ka mohuar se kjo ka mundur t’i ndihmojë që të fitojë tenderin.

Ai ka thënë se edhe gjatë kohës së LDK-së, ai e kishte fituar tenderin për hartimin e projektit për autostradën për Gjilan.

Kompania e tij, përveç që do të bëjë vijëzimin e trasesë, do të merret edhe me të gjitha procedurat tjera që përfshijnë që nga matjet gjeodezike edhe me eksproporimin e tokave, gjë që sipas Islamajt, do të shkohet nga ajo e gjetjes së një traseje që kalon nëpër prona publike.

Po ashtu është kontaktuar edhe kompania ankuese, “Eng. Idea&Lorenco&Co”, e cila kishte pretenduar se u diskriminua në këtë proces, por zyrtarë të saj nuk kanë dashur të flasin për KTV-në, pavarësisht se më parë kishin thënë se mund të deklarojë pasi të përmbyllej procesi i rivlerësimit të kontratës.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *