Opinion

Faqja e zezë dhe faqja e bardhë e Kosovës 10 vjeçare

Nga Mimozë Lakna

10 vjetori i shtetësisë, po e gjen Kosovën të përgjysmuar sa i përket procesit të saj shtet ndërtues.
Kosova nuk e ka ende Ushtrinë dhe vazhdon të jetë vendi më i izoluar i Ballkanit, por edhe Evropës në tërësi. Këto fakte, janë të mjaftueshme, për ta parë se sa larg të qenurit si shtet i mirëfilltë qëndrojmë. E krejt këto dështime, të cilat shteti 10 vjeçar po i përjeton, zbehin shpresat e qytetarëve për ditë më të mira.

Kosova është “një përrallë e bukur me personazhe të këqija”, që janë përfaqësuesit politik të saj. Këtu, do të vlente të theksohej vargu i poetit Ali Asllani: “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve”.

Si populli ndër më optimistët që jemi, natyrisht se duhet të gjejmë “ngushëllim” diku. Tek e keqja që e ka kapluar vendin, duhet të gjejmë të mirën dhe të paktën për diçka të ndihemi krenarë. E mira në mesin tonë, janë sportistët dhe artistët, të cilët po na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë në arenën ndërkombëtare.

Se kultura dhe sporti janë ambasadorët më të mirë të një shteti, po e dëshmojnë përfaqësuesit e Kosovës nëpër ngjarje të ndryshme e gara ndërkombëtare.

Qytetarët e Kosovës, por jo edhe politikanët, mund të mburren me suksesin e madh të xhudistit Akil Gjakova, i cili fitoi medaljen e artë në Grand-Slamin e Parisit.

Nuk ka dhuratë më të mirë se sa kjo medalje e artë, për dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës.

As anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, nuk është meritë e politikanëve.

Kujtojmë, se endi ynë, po merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore, që po mbahen Pyeong Chang të Koresë Jugore, ndërsa po përfaqësohet nga skitari, Albin Tahiri. Në Lojërat Olimpike Verore tashmë ka një medalje të artë, me kampionen në xhudo, Majlinda Kelmendi.

Në këtë mënyrë, kultura dhe sporti po vazhdojnë të jenë promovuesit më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Vetëm me anë të sportit, flamuri i Kosovës është shpalosur edhe në vendet të cilat nuk na kanë njohur si shtet.

As me përfaqësimin në kulturë, vendi ynë nuk qëndron keq. Janë të shumtë artistët që po e përfaqësojnë Kosovën denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Filma të metrazhit të shkurtë e të gjatë, të shpërblyer nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, janë treguesit më të mirë për arritjet e Kosovës në këtë fushë.

Janë të shumta sukseset e artistëve dhe sportistëve shqiptarë të Kosovës, nëpër botë.

Në anën tjetër, janë të paktë politikanët, që e vendosin mirëqenien e qytetarëve para lëkurës së tyre. Këtë më së miri e treguan zhvillimet e fundit, “kryeneçësia” e drejtuesve të shtetit, e rrezikoi shtetësinë dhe gjithë atë që është ndërtuar deri më sot.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *