Kulturë

Evropianët e harruar

Autori zviceran Cyrill Stieger është interesuar në mënyrë intensive mbi pakicat e Ballkanit. Atyre ai tani u ka kushtuar një libër me njohuri të gjera

Nga Enver ROBELLI

I ndërlikuar, i larmishëm dhe i përgjakshëm – kështu është parë Ballkani nga prizmi perëndimor për një kohë të gjatë. Princi i letërsisë gjermane Johann Wolfgang von Goethe te Fausti shkruan se të dielave dhe gjatë ditëve festive s’dinte ç’të bënte tjetër përveç se të fliste për luftën dhe zhurmën e saj, kur atje matanë, në Turqi, popujt kacafyten me njëri-tjetrin. Kur Goethe e shkroi Faustin pjesa më e madhe e Ballkanit ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Atëbotë kancelari i hekurt gjerman Otto von Bismarck i quante «vjedhës të deleve» bullgarët, serbët, shqiptarët apo grekët. Për «fiset e atjeshme» nuk ia vlen të sakrifikohen eshtrat e shëndoshë të një ushtari të vetëm prusian, mendonte Bismarcku.

Një kohë të gjatë njohuritë për Ballkanin në Europën Perëndimore kanë qenë tepër të kufizuara dhe të ngarkuara me paragjykime të llojllojshme. Pak dihej për këtë hapësirë mes Vjenës dhe Stambollit, pak dihej për popujt e ndryshëm, pakicat, fetë, konfesionet dhe rendet e dervishëve. Ndërkohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Ballkani dhe Europa Perëndimore janë duke u afruar – përkundër krizave financiare, lëkundjeve politike dhe lojërave nacionaliste të pushtetmbajtësve lokalë.

Redaktori i dikurshëm i gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» dhe korrespondenti shumëvjeçar i po kësaj të përditshmeje, Cyrill Stieger, ka vizituar shpesh rajonin, sidomos gjatë luftërave të viteve ’90, të cilat çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në artikujt e tij Stieger nuk është marrë vetëm me «politikën e lartë», por edhe me fatin e grupeve të vogla etnike, të cilat kanë mbijetuar përtej çmendurisë nacionale. Këtyre europianëve të harruar Stieger tani i ka kushtuar një libër me njohuri të gjera. Bëhet fjalë për pakica që jetojnë në një botë pa ardhmëri. Popuj numerikisht të vegjël që flasin sllavisht dhe gjatë sundimit osman kanë përqafuar fenë islame. Krahas tyre janë pasardhësit e fiseve trakase dhe ilire, të cilat janë romanizuar ndërkohë.

Ballkani shpesh krahasohet me lëkurën e leopardit, sepse shumë popuj dhe pakica jetojë pranë njëri-tjetrit ose bashkë. Luftërat e fundit në Ballkan i kanë bërë shtetet më homogjene në aspektin etnik, por nuk kanë arritur ta shkatërrojnë tërësisht botën e lashtë ballkanike.

Në Labunishtë afër Liqenit të Ohrit në Maqedoni, për shembull, Stieger kërkon torbeshët. Gjuha e tyre amtare është maqedonishtja dhe ajo i lidhë torbeshët me maqedonasit kristiano-ortodoksë, ndërsa islami me shqiptarët dhe me pakicën turke. Por, si pakicë torbeshët nuk janë të pranuar në Maqedoni. «Si mund t’i përkas një kombi, i cili nuk ekziston fare?», pyet një torbesh. Të tjerët thonë se në fshat nuk ka fare torbeshë, sepse të gjithë janë shqiptarë (që gjë që s’mund të jetë e vërtetë, sepse shumica e banorëve flasin maqedonisht, jo shqip). Në një fshat tjetër torbeshësh një burrë thotë: «Të gjithë jemi turq». Nën presionin e kombit titullar apo një grupi më të madh etnik torbeshët duhet të definojnë veten në kuptimin nacional. Dhe shpesh ata përcaktohen për opsionin shqiptar apo turk. Ka nacionalistë maqedonas të cilët janë të mendimit se torbeshët kanë hequr dorë nga feja e krishterë dhe janë bërë myslimanë për një strajcë të mbushur me ushqim. Fjala torbesh, sipas tyre, rrjedh nga «torba» (strajcë). Njëkohësisht Turqia e forcuar po përpiqet t’i bind myslimanët sllavë në Maqedoni, Bullgari dhe Greqi se ata janë turq.

Cyrill Stieger lëviz nëpër zonat më të izoluara te Ballkanit me ndjesi etnologjike dhe me kureshtjen e reporterit. Kush ecën nëpër bjeshkët e Rodopeve bullgare, do t’i bien në sy fshataret me shami shumëngjyrëshe dhe dimi. Në grykat e thella të Ballkanit, të cilat Karl May nuk i ka parë kurrë, jetojnë myslimanët malorë të Bullgarisë, të quajtur pomakë. Për bullgarët me orientim nacional ata janë tradhtarë, sepse janë konvertuar në fenë islame gjatë sundimit osman. Qeveritë bullgare janë përpjekur t’ua imponojnë pomakëve një «identitet bullgar». Në fillim të viteve ’70 Sofja zhvilloi një fushatë brutale kundër emrave turko-arabë të pomakëve, të cilët flasin bullgarisht. Pas rënies së regjimit komunist pomakët fituan të drejtën të përdorin sërish emrat e tyre të vjetër. Megjithatë, rregullat e islamit nuk i marrin aq seriozisht, sidomos kur pinë raki të pjekur prej tyre.

Torbeshët, pomakët dhe myslimanë të tjerë sllavë po detyrohen të qëndrojnë në periferi të shoqërive, shkruan Stieger. Aty ku shteti i injoron pakicat, ndërhyjnë fondacionet nga Arabia Saudite dhe Turqia – me makarona, kuranë dhe mikserë betoni për ndërtimin e xhamive të reja. Dilemën e pomakëve e përshkruan kështu një burrë nga Trakia Perëndimore në verilindje të Greqisë: «Ne nuk e dimë më se çka jemi, çdokush na tregon diçka tjetër. Grekët duan të jemi grekë, turqit duan të jemi turq dhe bullgarët thonë se ne jemi bullgarë».

Në udhëtimet e tij Stieger shpesh ka qëndruar edhe në Bosnjë dhe është marrë edhe me myslimanët e Bosnjës, me boshnjakët, siç e quajnë ata veten. Procesin e vështirë të krijimit të kombit boshnjak Stieger e përshkruan me shumë njohuri, të cilat nganjëherë mund të lodhin lexuesin, nëse ai nuk është një adhurues i flaktë i historisë së Ballkanit.

E zbehtë dhe melankolike duket bota e arumunëve në Maqedoni, të cilët dikur kaluan nëpër Ballkanin jugor si barinj shtegtarë me delet dhe dhitë e tyre. Në fshatrat e tyre shtëpitë duken si skelete prej guri, aty-këtu burrat ndezin një qiri në kishë. Pas shumë viteve të kaluara si emigrantë në Australi ata janë kthyer për të kaluar muzgun e jetës në vendlindje.

I larmishëm Ballkani është edhe para portave të Zagrebit. Atje jetojnë uskokët, të cilët dikur luftonin kundër pushtuesve osmanë dhe në romanin për fëmijë «Zora e kuqe dhe banda e saj» të shkrimtarit zviceran Kurt Held janë idealizuar si kalorës, kapitenë dhe lundërtarë të Adriatikut. Afër Rijekës Stieger ka «zbuluar» edhe një pakicë: istrorumunët. Ata janë kushërinjtë e largët të arumunëve në Maqedoni, të cilët quhen edhe vlleh. Derisa shumica e arumunëve në Ballkan janë ortodoksë, istrorumunët i përkasin kishës katolike. Nivelizimi kulturor kërcënon edhe gjuhën e istrorumunëve.

Kjo është një botë e huaj dhe e largët, të cilën autori i dashuruar pas detajeve na e afron me analiza politike dhe trajtesa historike, me reportazhe dhe me shumë biseda.

(Ky recension u botua në gazetën «Tages Anzeiger»)

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *