Lajme, Lajmi kryesor

Eksperimentet me shkollën shqipe në Kosovë: Fluturojnë e bien!

“Nxënësi në qendër”, “mësimi tërëjetësor”, “ lugina e salikonit”, “shteti i dijes” dhe tani së fundi “mësimi tërëditor”, ishin këto “rrugët e mëndafshit “ që kaloi shkolla shqipe në Kosovë pas luftës dhe nëse arsimi nuk bëhet shpejt prioritet i tërë shoqërisë, atëherë këto eksperimente do të përfundojnë me hapjen e kurseve kundër analfabetizmit

Shkruan: Ymer Avdiu

Shkolla kombëtare shqipe në Kosovë nisi në verën e vitit 1941 me 300 mësuesit që i dërgoi ministri i atëhershëm i arsimit në Tiranë, Ernest Koliqi “Fara e mirë”, (sic i quajti Vecilharxhi në “Evetarin” e famshëm gati 100 vjet më herët) që mbollën mësuesit nga Shqiperia londineze në Kosovë dhanë frytet e veta dhe përkundër stuhive dhe shtrëngatave ajo nuk u shua deri në ditët tona. Pavarësisht se Jugosllavia titiste ishte njerkë për shqiptarët dhe veçmas shënjestër kishte shkollën shqipe (Dikur në odat e Gollakut pleqtë komentonin një bisedë të Titos me nobelistin Ivo Andriqin, që ky i pari ta kishte pyetur si të vepronte me shkollën shqipe pasi ato duhej të hapshin patjetër e ky i fundit t’i jetë përgjigjur “shkollë po-dije jo”), megjithatë me formimin e Universitetit të Prishtinës Kosova dhe shqiptarët në viset tjera të Jugosllavisë ia dolën ta kenë shkollën e tyre në plotëninë e saj dhe vetëm pas 10 vjetësh, më 1981 të gjitha veprimtaritë shtetërore, politike, shoqërore dhe publike në Kosovë (pos atyre ushtarake) të udhëhiqeshin nga kuadrot që kishin dalë nga shkolla shqipe dhe Universiteti i Prishtinës.

Shkolla shqipe në Kosovë edhe pas vitit 1985 dhe pas okupimit klasik nga Serbia më 1989, kur u okupuan edhe shkollat, Universiteti, institutet dhe bibliotekat, mbeti gjallë, duke u organizuar në shtëpi private dhe jo vetëm se ia doli të mbijetojë, por ia doli edhe ta ruajë cilësinë dhe frymën kombëtare, duke u bërë kështu edhe leva e parë e luftës për çlirimin e vendit. ( E theksova këtë se pas dështimit të secilës reformë shkollore pas luftës faji i vihej kësaj periudhe 10-vjecare të lavdishme të shkollës shqipe në Kosovë).

Reforma-për tu dukur modern dhe për t’u hyrë në hatër të huajve

Shteti serb në luftën e fundit dogji qindra shkolla në Kosovë, vrau nxënës, mësues, studentë, akademikë, por sistemi shkollor mbeti i paprekur. UNMIK, (dikush e pat quajtur “Unmikistan” e dikush “Unmikoviq”) , që udhëhoqi gati tre vjet edhe me arsimin na trajtuan sikur të kishim qenë fise të egra, që tani do na zbusin dhe na mësojnë si duket klasa, si duhet të ushqehemi e të vishemi dhe kjo periudhë jo veç se e degradoi sistemin shkollor, (u mbyllën të gjitha institutet shkencore përfshi atë Albanologjik dhe të Historisë), por ishte edhe fyerja e madhe që na ndodhi si komb dhe si qytetari.
Me themelimin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë gjërat patën një ndryshim të madh cilësor në krahasim me periudhën e UNMIK-ut.

U vunë bazat e një sistemi modern, apo të themi më mirë u rikthyen, u rihapën dy institute shkencore, u fillua procesi i kalimit në shkollën 9-vjecare, që pas sllovenëve ishim të parët në Evropën Juglindore, nisi hartimi i plan-programeve të reja (kurrikulave), nisi hartimi i strategjive etj. Me një fjalë nisi reforma: Universiteti sipas Kartës së Bolonjes, anipse askush nuk e dinte me tamam çka është ajo, kurse arsimi parauniversitar zgjodhi hiç më pak se modelet skandinave, kryesisht atë suedez, që nuk ishte fare i përshtatshëm për ne, ngase suedezët kanë tepër para e pak fëmijë, kurse tek ne ishte e kundërta dhe aq më keq kur në shumicën e shkollave të fshatrave akoma mësohej në shkolla najloni pasi shkollat e djegura në luftë nuk ishin rindërtuar, kurse shkollat në qytete punonin me 3 e diku edhe me 4 turne me mbi 50 nxënës në klasë.

“Nxënësi në qendër” dhe “ mësimi tërëjetësor”, ishin motot e reformës dhe nisi ai lezeti që mësuesit me përvojë të trajnoheshin nga “kuadro” të OJQ-ve, që kishin bërë ndoshta tri ditë kurse didaktike. Pedagogët u larguan nga shkollat si të padobishëm, kurse psikologë nuk kishte për ti zëvendësuar ata. Do theksuar se në këtë periudhë protestat, qoftë për paga, qoftë për gjëra të tjera ishin thuajse të vazhdueshme, jo për çështje të ngritjes së cilësisë së shkollës, po thjesht për efekte politike. Kurse, kontrata e mësuesve ishte 1-vjecare.

Një antropologe gjermane prof..dr. Zuzana Finger, në një intervistë dhënë gazetës “Rilindja” aso kohe pat deklaruar se nëse reformat shkollore dhe universitare në Kosovë do të kenë sukses, do të merren model nga vendet më të avancuara të botës, por meqë po fillojnë pa asnjë parapërgatitje dhe pa asnjë studim, rreziku është që do e dëmtojnë seriozisht shkollën në Kosovë, pat paralajmëruar ajo.
Reforma e nisur, pas virit 2005 degradoi në eksperiment të plotë, anipse u ndërtuan objekte të reja shkollore dhe u pajisën me kabinete e laboratorë të nivelit evropian dhe u bë decentralizimi i arsimit, por vetëm deri ne nivel të komunës. Në këtë kohë filloi lulëzimi i shkollave private që hapeshim më kollaj sasa një dyqan. Në vitet e mëvonshme u tha se shkolla shqipe do jetë “luginë silikoni”, e pastaj “shtet i dijes”. Po më në fund një test i “PISA”, tregoi se shkolla shqipe në Kosovë renditet, diku në fund të ranglistës së shkollave të dynjasë.

Ilaçi-mësimi tërëditor

Pasi u pa se shkolla shqipe në Kosovë është afër kolapsit dhe në vend se të bëhet një mobilizim i plotë i gjithë shoqërisë kosovare dhe të kërkohej ndihmë edhe nga të tjerët, dikujt sikur iu kujtua se krejt ky difekt qenka te orari i mësimit, prandaj, duhet bërë mësimi tërëditor si ilaç që e shpëton shkollën shqipe. Kjo “patate e valë” iu la në dorë këtij kabineti qeveritar dhe sidomos Ministrit të ri të Arsimit dhe ai pa pikë faji duhet të merret me pasojat.

Mësimi tërëditor, dihet se ka shumë të mira. Nxënësi kalon tetë orë e më shumë në shkollë. Aty ha mëngjesin, dy zamra dhe drekën. Aty bën mësimin, lojën, argëtimin , detyrat e shtëpisë, po edhe pushimin. Të njëjtat kushte kanë edhe mësuesit, të cilët kanë edhe dhoma të posaçme për pushim. Kjo u lehtëson shumë punë prindërve që janë në punë, po natyrisht që edhe e ngrit cilësinë e mësimit. Mësuesi ka asistentet e vet, shkollat kanë pedagog, psikolog, punëtore social dhe punëtorë të tjerë ndihmës profesional që punojnë me nxënës pas përfundimit të orëve bazë mësimore.

Ky tip mësimi mbahet në vendet e zhvilluara, kryesisht në ato skandinave. Një shkollë suedeze në qytetin Angelholm që mban mësim tërëditor, duket si pjesë parajse: pastërti maksimale, në secilin kënd të shkollës ka pemë, perime, çokolata, keksa, uji lëngje. Kuzhina punon. Asgjë nxënësit nuk i mungon nga ato qe i ka në shtëpi. Drejtori i shkollës tregon se buxheti i shkollës është diku 16 milion euro. Ëndërr, mbase, e bukur kjo për ne.

Nga një hulumtim sipërfaqësore shihet se në vendet e rajonit: Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi nuk ka mësim tërëditor. Në Kroaci ka ndonjë shkollë që mban mësim tërëditor, por që më shumë organizohet aty ku ka kërkesa nga nxënësit dhe nga prindërit. Në Austri nuk ka shumë shkolla që kanë mësim tërë ditën, por që në të gjitha shkollat pas mësimit nxënësit mund të rrinë në shkollë , nën përkujdesje, por që kjo paguhet nga prindërit. Ndërsa cikli i lartë ka mësim tërëditor më një pushim të gjatë në mesditë. Në Slloveni ky quhet mësim i zgjatur dhe nxënësit e ciklit të ulët mund të rrinë në shkollë deri në ora 16 dhe financohet kryesisht nga shteti e po ashtu edhe ushqimi për fëmijët organizohet në shkollë: mëngjesi kur nxënësit fillojnë nga ora 7 , pastaj zamra, dreka, zamra e dytë dhe darka për ata që rrinë deri në orët e vonë në shkollë, kryesisht për nxënës me nevoja të veçanta.

Në Kosovë ky mësim është provuar si pilot-projekt në tri shkolla të Prishtinës, hapësira e të cilave shkolla është e nivelit skandinav dhe mbi mesataren e nivelit evropian të shkollave në njërën nga ato. Mirëpo, për shkak të kushteve të tjera mësuesit dhe prindërit në biseda joformale e kanë konsiderueshëm si jo të dobishëm dhe madje që nuk ka ndonjë sukses.

Prandaj, në shkollat e Kosovës duket se ka ende shume punë para fillimit të mësimit tërëditor. Së pari duhet të krijohen kushte që në klasë të mos ketë më shumë se 25 nxënës e kjo kërkon ndërtim të shkollave të reja dhe shtimin e ndoshta mijëra mësuesve pastaj kthimin e pedagogëve në shkolla, futjen e psikologëve në shkollat tona, rishikimin e pozitës së mësuesit, por edhe kërkim të përgjegjësisë prej tij, rishikimin e pozicionit të “nxënësit në qendër”, që kurdo i teket nuk e lë mësuesin të mbajë mësim, rishikimin e programeve dhe teksteve mësimore etj.

Arsimi është veprimtari goxha konservative, rezultatet e para të së cilës reformë shihen vetëm pas një dekade, prandaj eksperimentet bartin gjithmonë rreziqe të mëdha edhe kur ka përgatitje shumë serioze. Dhe nëse vazhdohet me eksperimente si këto deri tash, shkolla shqipe në Kosovë ,mbase, do të përfundojë me kurse kundër analfabetizmit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *