Lajme, Lajmi kryesor

Edi Rama citon Rugovën: Ndarje të Kosovës jo, shkëmbim territoresh po

Kryeministri Rama ka folur në emisionin “Opinion” lidhur me marrëveshjen e shumëdiskutuar Kosovë- Serbi, lidhur me çështjen e Kosovës. Ai ka cituar një deklaratë të Ibrahim Rugovës në vitin 1992, botuar në gazetën “Zëri”, nën titullin: Ndarje të Kosovës jo, shkëmbim territoresh po

I pyetur nga gazetari Fevziu, nëse e ka lehtësuar komunikimin mes Thaçit dhe Vuçiqit, Rama u shpreh?
“Nëse ka ndodhur do jetë shumë mirë, por nuk më rezulton të ketë pasur nevojë”, tha Rama duke shtuar: “Nuk mund të bëj njeriun që rri larg. Kam bërë detyrat e mia dhe bëj përditë detyrat e mia”. Rama u tha gazetarëve në studio se ndryshe nga ju që keni harruar se çfarë ka bërë Thaçi për Kosovën, unë kam respekt për të.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje liderëve të Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, që të krijojnë një proces, duke nisur edhe nga një konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë.

“P.sh. një pyetje tjetër dhe këtë ta dëgjojë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, në vend se të bëjnë deklarata me njëri-tjetrin, jo dil në luftë, jo do bëjmë luftë, ta dëgjojnë këtë: Kur ndërmorën atë nisëm që bëri histori dhe që nuk pyetën fare as për gazetarë as për ndërkombëtarët dhe që morën edhe damkën e terroristëve edhe nga Tirana u sulmuan si të ishin terroristë, shkuan në Amerikë krijuan lidhje dhe kanë marrë mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga diaspora shqiptare e Amerikës.

Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë ne na duhet një proces”, tha kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “po jetojmë një moment historik për të cilin jemi të pavetëdijshëm. Jemi të pavetëdijshëm dhe për fat të keq, deri më tani të paktën, po sillemi me historinë si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë. Tema është shumë e rëndë.”

Blendi Fevziu: Çfarë dini ju për këtë marrëveshje?

Edi Rama: Këtu fillon problemi, sepse kemi disa javë në mos gabohem a mos më shumë, që dëgjojmë komente për diçka që askush nuk di asgjë. Secili komenton versione të një gjëje që askush nuk e di çfarë është.

Blendi Fevziu: Ju jeni Kryeministër i Shqipërisë, çfarë dini ju për këtë?

Edi Rama: Asgjë.

Blendi Fevziu: Si asgjë, e keni dëgjuar në TV vetëm?

Edi Rama: Unë kam dëgjuar vetëm komente të klubit politik dhe mediatik shqiptar që më kujton ‘klubin e Selanikut’ të Çajupit.

Blendi Fevziu: A ju ka informuar Presidenti Thaçi?

Edi Rama: Unë e përjetoj me dhimbje realitetin bashkëkohor të të jetuarit brenda këtij klubi. Jam shumë serioz, është dramatike.

Blendi Fevziu: Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje?

Edi Rama: Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.

Kryeministri Rama tha se kishte biseduar me Presidentin Thaçi, por nuk kishte asnjë dijeni për asnjë lloj detaji.

Edi Rama: Ky është një moment historik që nuk mund të këputet duke u ndarë edhe një herë dhe duke bërë politikën e qenve që lehin dhe kafshojnë njëri-tjetrin duke personalizuar historinë…Opinioni im është ky, unë nuk e kam përgjigjen që të të them që kjo është zgjidhja, por mund të them se… e para një herë, nuk është kritikë për Hashim Thaçin, unë mendoj se personalizimi i kësaj gjëje është diçka që mund të ketë një kosto shumë të madhe, është një gjë që mund të ketë një kosto shumë të madhe. E di cila mund të jetë kostoja? Do ikë ky shans dhe pas 30 vitesh do të takohemi prapë. Ju do takoheni, se unë dhëntë zoti s’do kem më nevojë të vij tek studioja e Fevziut atëherë.

Blendi Fevziu: Çfarë shansi? Sepse ju thoni se nuk dini gjë konkrete?

Edi Rama: Këtu janë disa faktorë me radhë, sot Kosova ka perspektivë të qartë apo s’ka? Ma thoni pak. Sot Kosova ka 5 shtete të BE që nuk e njohin, nuk po marr ato të tjerat. Sot Kosova e ka Serbinë të ulur Brenda, nuk bën dot asgjë pa marrë ata. Po s’u futën serbët në qeveri s’bëhet. Ky shtet sot që një pjesë nuk e njeh, një pjesë tjetër dominohet nga Serbia, me Veriun që është në një situatë ku ‘de fakto’ s’ka asgjë tjetër përveçse një dominim të pakicës serbe atje dhe me një dialog që është marrë përsipër, por nuk është implementuar asgjë. Jemi në një ngërç të madh dhe bota nuk është më jo ajo e viteve ‘90, por as ajo e para 3 viteve”. /tvklan.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *