Lajmi kryesor, Sport

Dy lokacione, një stadium – Qeveria shuan nesër dilemat

Plani i qeverisë Mustafa për ndërtimin e stadiumit kombëtar në Bërnicë nuk i pëlqeu qeverisë së re – të emëruar në shtatorin e këtij viti – edhe pse projekti i qeverisë Mustafa kishte kaluar disa procedura të rëndësishme. Vetëm një muaj më vonë, Ministri i Sportit në Qeverinë Haradinaj, Kujtim Gashi foli për zhvendosjen e stadiumit kombëtar – nga Prishtina në Drenas

Kur në marsin e vitit të kaluar Isa Mustafa doli të inspektonte tokën e ndarë nga Qeveria e Kosovës në Bernicë për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, ish-kryeministri deklaronte se “së shpejti” do nisnin punimet që do ta bënin Kosovën me një stadium modern. Mustafa thoshte se Kosova do të bëhej me një stadium kombëtar që do t’ia kishin zili edhe vendet e rajonit, e ato të Bashkimit Evropian.

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë Mustafa, Kujtim Shala, kishte deklaruar për Insajderin se Qeveria e Kosovës kishte shpronësuar tokën në fshatin Bërnicë. Madje, Shala kishte thënë se gjatë kohës sa kishte shërbyer ai si ministër, ishte hapur tender ndërkombëtar për studimin e fizibilitetit të lokacionit.

“Derisa isha ministër, qe hapur tender ndërkombëtar për studimin e fizibilitetit të lokacionit në Bërnicë të Poshtme (Prishtinë). Patën konkurruar nëntë kompani të huaja. Në këtë fazë ka qenë ky projekt në kohën kur unë e kam lënë detyrën e ministrit”, kishte thënë për Insajderin, Kujtim Shala, në një intervistë të realizuar një muaj më parë.

Por, plani i qeverisë Mustafa për ndërtimin e stadiumit kombëtar në Bërnicë nuk i pëlqeu qeverisë së re – të emëruar në shtatorin e këtij viti – edhe pse projekti i qeverisë Mustafa kishte kaluar disa procedura të rëndësishme.

Vetëm një muaj më vonë, Ministri i Sportit në Qeverinë Haradinaj, Kujtim Gashi foli për zhvendosjen e stadiumit kombëtar – nga Prishtina në Drenas. Për këtë vendim të marrë, ministri Gashi tha se ka disa arsye.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Dhe është në mes të Kosovës”, deklaronte Gashi, ideja e së cilit u mbështet publikisht edhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Nesër, Qeveria e Kosovës do të vendos rreth projektit të Stadiumit Kombëtar.

Oferta e Hungarisë për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar

Vetëm një ofertë konkrete ka marrë Qeveria e Kosovës për financimin e Stadiumit Kombëtar: Qeveria e Hungarisë i kishte prezantuar qeverisë kosovare një projekt për ndërtimin e këtij stadiumi përmes një kredie të favorshme në Bankën Shtetërore të Hungarisë.

Oferta për stadiumin dhe marrëveshja e pa arritur – rrëfimi i Ambasadorit të Hungarisë

Negociatat mes dy qeverive kishin nisur në verën e vitit 2016, për ndërtimin e stadiumit që si model do të kishte “Groupama Arena” – stadiumin kombëtar të Hungarisë që është ndërtuar para tri vitesh.

Në një intervistë dhënë Insajderit, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz kishte thënë se oferta hungareze për stadiumin qëndron ende, teksa ka rrëfyer për negociatat e zhvilluara mes dy qeverive.

“Hungaria është e gatshme të ofrojë përvojat e qeverisë në ndërtimin e stadiumit dhe firmat hungareze janë gjithashtu të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre”, kishte thënë Márkusz, teksa publikisht i kishte bërë ofertë Qeverisë së Kosovës për projektin e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar.

Megjithatë, fakti se një marrëveshje mes Hungarisë dhe Kosovës për projektin dhe financimin e tij nuk është arritur, kishte bërë që mënyra e financimit të Stadiumit Kombëtar – për të cilin u bë zhurmë e madhe rreth ndërrimit të lokacionit të tij nga Prishtina në Drenas – të mos dihet ende.

Ministria nuk u konsultua me FFK-në për zhvendosjen e lokacionit të stadiumit

Muajin e kaluar, ministri i Sportit, Kujtim Gashi njoftoi se lokacioni i Stadiumit Kombëtar do të zhvendoset nga Bërnica e Prishtinës, në Korreticë të Drenasit. Për këtë ndërrim të lokacionit, ai dha disa arsye.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Dhe është në mes të Kosovës. Do të thotë është një ide që po na pëlqen edhe neve”, ishte shprehur Gashi, në një intervistë me Gazetën Express.

Por, për një vendim të tillë kishte thënë të mos jetë njoftuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Shefi i FFK-së i kishte thënë Insajderit se Ministria e Sportit nuk është konsultuar me federatën për projektin e Stadiumit Kombëtar.

“Ne zyrtarisht nuk jemi informuar ende për këtë vendim dhe për arsyet e zhvendosjes së lokacionit. Momentalisht nuk mund të them asgjë pa i marrë zyrtarisht arsyet dhe fundi i fundit, federata nuk ka qenë e konsultime as atëherë as tash”, kishte thënë Vokkri për Insajderin.

Vokrri kishte thënë se për FFK-në është me rëndësi që të bëhet Stadiumi Kombëtar, pa dashur të jepte preferencë se ku do dëshironte të ndërtohej ky stadium.

“Ata [Qeveria e Kosovës] janë financues përmes fondeve ndërkombëtare, për ne është me rëndësi që të bëhet stadiumi. Për mua do të kishte më shumë rëndësi që të thirren ekspertët për të propozuar lokacionin”, kishte deklaruar Vokrri. /Insajderi

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *