Ekonomi, Lajmi kryesor

Dy kompani të afërta me AAK-në po furnizojnë me derivate institucionet

Me ardhjen në pushtet të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka vazhduar tradita e partive të tjera, duke i shpërblyer me tender njerëzit e afërt të partisë. Bëhet fjalë për ish-kandidatin për deputet të AAK-së, Shkelzen Jusaj me Petrol Company dhe Vesel Jusaj me Delta Group, raporton KTV.

Më 16 nëntor të vitit të kaluar, ata arritën të fitonin tender në Agjencinë Qendrore të Prokurimit për furnizim të disa institucioneve vendore me derivate. Por, tenderin e kanë fituar me një çmim prej 0.0001 cent për një litër derivat, pra më pak se 1 cent. Institucionet do t’i furnizojnë me derivate për 3 vjet me radhë.

Petrol Company parashihet t’i furnizojë institucionet me mbi 9 milionë litra derivate, për të cilat, sipas kontratës, do të fitojë vetëm 938 euro. Ndërsa, vëllai i tij do t’i furnizojë me rreth mbi 2 milionë litra, prej të cilave fiton vetëm 660 euro. Pikërisht për këtë çmim, në drejtim të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kishin arritur tri ankesa nga kompanitë tenderuese, duke e cilësuar çmimin nën vlerën e tregut.

Por, ato ishin hedhur poshtë si të pabazuara. Kohavisioni ka kërkuar përgjigje për këtë në OSHP, por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Për detaje rreth tenderit, nuk është përgjigjur as pronari i Petrol Company, Shkelzen Jusaj. “Standard Benz”, kompania e nënkontraktuar nga “Petrol Company”, përmes telefonit, fillimisht ka hedhur poshtë ekzistimin e një kontrate të tillë.

Por, më pas, drejtori i kësaj kompanie, Fahri Ratkoceri, ka pranuar se janë pjesë e kësaj kontrate, por duke mos treguar fitimin e tyre si të nënkontraktuar. Por, një kompani tjetër, që ka pasur kontrata të tilla më herët, thotë se fitimi i tyre shkon së paku 2.9 cent bashkë me TVSH-në, duke shtuar se fitimi më pak se 1 cent pamundëson edhe nxjerrjen e shpenzimeve të kompanisë.

KTV-ja ka pyetur për këtë edhe Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës, por zyrtarë të saj nuk kanë dashur të flasin. Në Agjencinë Qendrore të Prokurimit nuk kanë pranuar se ka pasur ankesa. “Për kontratat e deritashme nuk kemi asnjë ankesë nga Autoritetet Kontraktuese lidhur me dorëzimin e mallit, sasinë dhe cilësinë, pavarësisht nga çmimi i kontraktuar.

Një Operator Ekonomik që ka pasur çmim më të lirë, Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka trajtuar, duke kërkuar sqarime shtesë, e njëjta lëndë ka kaluar edhe në procesin e ankimimit në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe është vlerësuar si zgjidhje në pajtim me Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media në Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Për dhënien e tenderëve për furnizim me naftë të institucioneve, ankesa ka pasur edhe më herët.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *