Opinion

Demokracia nuk është më një fat i caktuar

Dikur mendohej se e gjithë bota po shkonte në atë drejtim. Sot është e kundërta. Nga Azia në Amerikë. Edhe në Europë…

Nga Emanuele Felice

Perandori i parë kinez u çmend. Bashkoi vendin në vitin 221 para erës sonë, në kohën kur në Mesdhe, Anibali po projektonte Luftën e dytë punike. Krijoi ushtrinë e qeramikës dhe u dha udhë punëve të murit kinez. Më pas Huangut, ky është emri i tij, i hipi në kokë se duhej të bëhej i pavdekshëm. Prandaj pinte çdo ditë merkur të tretur që, në vend ta bënte të pavdekshëm, e çoi drejt çmendisë. Vitet e fundit u karakterizuan nga terrori dhe persekutimi ndaj intelektualëve. Vdiq në moshën 50-vjeçare. Huangu është një prej personazheve të mëdhenj të historisë. Themeloi perandorinë kineze, d.m.th. ajo që do të mbetet fuqia më e madhe e botës për nja dy mijë vjet të mira: më e pasur dhe më e populluar, sesa perandoria romake dhe çdo shtet që lindi në Perëndim, deri në ngritjen e Anglisë industriale.

Por Huangu mishëron edhe figurën e tiranit të vërtetë: i çuditshëm, i paqëndrueshëm, mizor, por që nuk mund të shfronësohej; popullit nuk i mbetej veç të shpresonte te vdekja e tij. Dy mijë vjet më pas, në sytë e modernizimit europian, ajo perandori e kaltër ishte shndërruar, si antonomazi, modeli i despotizmit dhe e palëvizjes ekonomike: kështu p.sh. e shikonte Monteskie, filozofi iluminist që përpunoi për ne idenë e ndarjes së pushteteve, sot në themelet e të gjitha rendeve demokratike. Liberalizmi i Monteskiesë, Lukut, por edhe ai i iluministëve italianë, ai i shkruar në kushtetutën amerikane dhe që u afirmua në të gjithë Europën, është shumë i vetëdijshëm nga rreziqet që sjell përqendrimi i pushtetit për të tjerët, qytetarët, por edhe për ata që e ushtrojnë dominimin e vet ndaj të tjerëve.

Sepse pushteti mund ta korruptojë shpirtin edhe të atyre që kanë synime të mira, është si një krimb i mbështjellë me egoizëm dhe ambicie, një sëmundje e vërtetë sipas Monteskiesë. Megjithatë njerëzit ndryshojnë, pavarësisht se shpesh e harrojmë. Prandaj në themelet e institucioneve liberal-demokratike gjejmë balancimin e pushteteve: pushteti që e kufizon pushtetin, në një pluralizëm që shërben për ta ruajtur lirinë dhe dinjitetin e çdo njeriu. Për këtë motiv u fut kufizimi kohor për pozicionet me zgjedhje: jo më shumë se dy mandate, siç është traditë për presidentin amerikan, detyra më e rëndësishme në botë; një rregull që u bë ligj në vitin 1951, pas katër fitoreve të Rusveltit.

Qysh atëherë kufiri i dy mandateve të njëpasnjëshme u shtri në pafundësi të pozicioneve të tjera me zgjedhje, përfshi këtu edhe shembullin e kryebashkiakut në Itali. Me rënien e Bashkimit sovjetik u fut edhe në kushtetutën ruse, bile edhe vetë Putini iu nënshtrua që ta kapërcente një radhë, duke u kënaqur të bëhej kryeministër në vitet 2008-2012. Ndërsa regjimet komuniste, nga Koreja e veriut në Kubë, merrnin formën e dinastive trashëgimtare. Në vitet ’80 edhe Kina krijoi kufizimin me dy mandate të figurës së presidentit. Nën udhëheqjen e Ten Siao Pinit, njeriu që me reformat e tij i lejoi Dragoit të fillonte ringritjen më spektakolare ekonomike, që s’ishte parë ndonjëherë, lidershipi komunist kinez ishte i kujdesshëm që të ruante një balancim të pushteteve dhe një drejtim kolegjial, me synimin që të shmangnin përsëritjen e llahtareve të Maoizmit.

Kjo të linte të shpresoje shumë, për sa besonin në fatet e mrekullueshme dhe progresive. Ideja bazë ishte që rritja e të ardhurave duhej të shoqërohej me një evolucion në kuptimin demokratik të politikës dhe institucioneve: u krijua kudo një klasë e mesme, në gjendje të mirë dhe e arsimuar, që pasi të kënaqnin nevojat materiale të kërkojë të marrë pjesë aktive dhe (lirisht) në res publica, në jetën qytetare dhe kulturore të vendit të vet; sepse është pjesë thelbësore e realizimit të vetë njeriut.

Edhe Kina dukej se ishte drejtuar në këtë rrugë, siç kishin bërë edhe vende të tjera të kulturës konfuciane, si Japonia dhe Koreja e jugut, apo vetë provincat e ish-perandorisë që nuk kaluan nëpër diktaturën komuniste, Hong Kongu dhe Tajvani. Sot Kina po rikuperon centralizimin e lashtë. Është ekonomia e dytë e planetit, në qytetet e saj gumëzhin një klasë e mesme prej 300 milionë personash që për nga niveli i jetesës nuk është larg niveleve të Perëndimit. E megjithatë Kina po kthehet pas në rrugën e demokracisë. Në Asamblenë e fundit të popullit, presidenti Xinping e shfuqizoi kufizimin e dy mandateve. Tani mund të jetë president i përjetshëm, si Stalini dhe Maoja, si Frankoja, pak a shumë si të gjitha diktaturat, si një perandor.

Në planin e historisë së botës ky është deri më tash lajmi më i rëndësishëm që na solli viti 2018. Por kjo shoqërohet me një kufizim të ashpër të lirive personale në atë vend.: në janar u arrestua avokati për të drejtat e njeriut, Uenshengu, fajtor se kritikoi politikat e presidentit; dhe është vetëm më i fundit i një liste të gjatë. Në vitet e fundit besimi liberal-demokratik kishte pësuar shumë tronditje. Disa edhe të njohura: nga dështimi tragjik i pranverave arabe në regresin autoritar të Turqisë, në sukseset e Putinit. Të tjera u paraprinë: në vitin 2014 zgjedhja e kryeministrit indian Modi, që e rriti ekonominë, por e kufizoi autonominë e pushtetit gjyqësor dhe të qindra-mijërave OJQ, në vendin e dytë më të populluar të botës dhe që bashkë me Japoninë janë demokracia më e lashtë në Azi.

Në vitin 2016 asistuam në një kthesë dramatike, autoritare dhe regresive, në Brazil, fuqia e shtatë e botës. Më pas zgjedhja e presidentit Trump që nxitoi të deklaronte se shfuqizimi i dy mandateve është gjë e mirë dhe duhet future edhe në Amerikë. Mund të shpresojmë që Trumpi të jetë vetëm një parantezë në historinë amerikane: jo i fundit, sepse është i mbajtur në fre nga kushtetuta e tij, kushtetuta e lashtë e bijve të Iluminizmit. Nuk e dimë se ku po shkon Kina, sa serioze dhe kohëzgjatje do të ketë kthesa autoritare: nëse do të jetë e tillë sa ta spostojë vërtet lavjerrësin mes demokracisë dhe diktaturës në botë, duke ia shtuar peshën e rëndë të Dagoit, asaj që tash po ndodh në shumë vende në zhvillim.

Përballë këtij skenari do të ishte shumë e thjeshtë ta vinin re që jemi fatlumë që jetojmë në Europë, kontinenti ku sot demokracia është më e qëndrueshme dhe të bindeshim se

institucionet tona do ta mbajnë, siç do ndodhë ndoshta në Amerikë. Pjesërisht e vërtetë, por të mos krijojmë iluzione. Pabarazia e rritur në shumë vende të zhvilluara në vitet e fundit, po e vë në rrezik edhe tek ne qëndresën e sistemit demokratik: duke krijuar një hendek mes popullit dhe elitës që nuk shihej që nga koha e Luftës së parë (atëherë nuk ishte votimi). Janë pabarazi ekonomike, por edhe shoqërore dhe kulturore, territoriale siç ndodhi me Brexitin, apo edhe në votimet e fundit në Itali. Ajo klasë e mesme, e njëjta që në vendet në ngritje nuk është akoma mjaft e fortë (ose e bindur) që ta promovojë demokracinë, në Perëndim, u ngushtua.

Jo vetëm kaq, por u frikësua dhe u tremb nga imigrimi. Pasojat i njohim të gjithë. Në fund të fundit demokracia është e re edhe në Europë, sapo mbushi një shekull jetë. Pas rënies së murit e kishim llogaritur se do të shtrihej në pjesën tjetër të botës, ky do të ishte fundi i historisë, i paralajmëruar nga Fukujama. Por gjërat nuk po ecën kështu; do të ishte mirë që të mos e llogaritim edhe ne. Duhet ta mbajmë lart flamurin e të drejtave, edhe pse bota nuk po shkon në drejtimin e shpresuar. Edhe ta kujtojmë mirë se mënyra më e mirë për ta shpëtuar demokracinë në Perëndim është zvogëlimi i pabarazive.

L’espresso, 2018; Përgatiti për botim Arjan Th. Kallço

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *