Ekonomi

I dashur Don, po ‘Bankers Petroleum’ çfarë peshku është?

Në kulmin e një narko-skandali që ka përfshirë rangjet më të larta të policisë dhe ish-ministrin Tahiri, ambasadori Donald Lu u bë pjesë e një dekori të sforcuar në Ministrinë e Brendshme, ku u premtua një biçim bashkëpunimi i paqartë mes FBI-së dhe policisë shqiptare

Ambasadori Lu mbajti me këtë rast një fjalim të konceptuar si hartim moralizues, ku batuta e tij se deri në janar 2018 priste arrestime të ‘kokave të mëdha’ bëri jehonë në të gjitha mediat.

Por mes rreshtave të fjalimit të ambasadorit binte në sy fjalia: “Ju thoni ‘peshku i madh e ha të voglin’. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh.”

Ndonëse ambasadori amerikan foli me deklarata pompoze, të cilat ndodh që sugjestionojnë një pjesë të publikut, roli personal dhe valenca e ambasadorit Lu në raport me skandalin e narko-trafikut është tepër interesant.

Zoti Lu në dy vite kur kanabisi pushtoi vendin, nuk ka bërë asnjë deklaratë të vetme kundër fenomenit, në të kundërt ai u bë një parzmore e rëndësishme në mbrojtje të ish-ministrit Tahiri, aq sa loboi personalisht që Tahiri të takohej me ish-drejtorin e CIA-s Brennan vitin e kaluar në Tiranë, ndonëse tentativa e ambasadorit dështoi.

Vetëm pak ditë më parë, zoti Donald Lu ka vizituar ambasadën italiane në Tiranë dhe ka kërkuar informacion mbi hetimet antimafia që po zhvillohen në Katania, për të mësuar shkallën e implikimit të Saimir Tahirit dhe për të kuptuar se ‘deri ku mund ta mbronte’. Autoritetet italiane i thanë me takt zotit Lu se informacionet operative mbi punën e Antimafias në Itali nuk i siguronte dot as kryeministri italian e jo më një ambasadë. Zoti Lu doli huq me vizitën te kolegët italianë.

Por ndërsa përmend peshqit e mëdhenj, zoti Lu duket sikur ka filluar të tallet rëndshëm me shqiptarët.

Donald Lu është ambasador i kompromentuar publikisht dhe zyrtarisht në një rast shantazhi dhe ndërhyrje të paligjshme për llogari të një biznesi privat.

Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një deklarate zyrtare në muajin shkurt 2017 akuzoi drejtpërdrejtë ambasadorin amerikan se kishte ndërhyrë dhe shantazhuar prokurorinë për të ndërprerë hetimet mbi shpërthimet dhe dëmet e shkaktuara nga kompania naftënxjerrëse ‘Bankers Petroleum’ në Marinzë.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *