Kulturë, Lajmi kryesor

Dallimet e Kanunit të Labërisë nga ai i Lekë Dukagjinit

Sipas Prof. Dr. Ismet Elezit: Kanuni i Labërisë dhe Kanuni i Lekës, pavarësisht se kanë vepruar në kohë e hapësirë të ndryshme, se i pari i referohet nga gojëdhëna shek.XI, kurse të dytët shek XV, se i pari ka vepruar në Jugperëndim të Shqipërisë dhe të dytët në Malësinë e Veriut, kanë shumë norma të ngjashme e të njëllojta, kanë një nënshtrat të përbashkët, janë pjesë përbërëse të Kanunit mbarëpopullor shqiptar, i cili mbijetoi e përballoi stuhitë e pushtimeve të huaja gjatë shekujve

Këto ngjasime kanë në themel të tyre etikën, sistemin e vlerave të larta morale dhe parimet kryesore juridike të së drejtës zakonore të tij, lidhjet kulturore e shpirtërore të popullit shqiptar.

Gjithashtu ngjasime ka në organizimin e brendshëm shoqëror, parashtetëror, mbështetur në lidhjet farefisnore në vëllazëritë e mëdha e të vogla, në institucionin e pleqve e të kuvendeve të burrave, si organizma të vetëqeverisjes vendore, në rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë, të trashëgimisë, të detyrimeve, e deri te rregullat e hetimit e të gjykimit të çështjeve.

Ndër këto dallime thelbësore vërehet zhvillimi më herët i marrëdhënieve kapitaliste në prodhim në Labëri, në krahasim me zonat ku vepronte Kanuni i Lekës dhe Kanuni i Skënderbeut në Malësitë e Veriut. Nga përcaktimi në analizë të fundit i këtyre marrëdhënieve ekonomike u shfaqën edhe dallimet në strukturën klasore të shoqërisë në Labëri. Në disa fshatra sidomos në Rrëzomë u krijuan shtresa të reja të pasura-agallarët, u forcuan më tej çifligarët, u zgjeruan shtresat e mesme të pronarëve të tokës e të bagëtive, u thellua varfëria e shtresave të ulëta, që përbënin shumicën, veçanërisht në Kurvelesh. Secila prej këtyre shtresave kishte një status të veçantë në Kanun, dhe barazia shoqërore e dikurshme e bashkësisë fisnore (gjinore) gradualisht në shek XVIII-XX-të shkonte duke u kufizuar, ndërsa barazia e gjakut “gjak për gjak” u ruajt edhe në vitet pasardhëse, shkruan Konica.al

Si rrjedhojë e këtyre dallimeve ekonomiko-shoqërore, Kanuni i Labërisë rregullonte marrëdhëniet juridike ndërmjet çifligarëve e çifçinjëve, marrëdhënieve civile e kontraktore të pronarëve të tokës e bujqve, agallarëve pronarëve të kopeve të bagëtive e çobanëve që paraqesin dallime të dukshme të Kanunit të Labërisë nga Kanuni i Lekës apo Kanuni i Skënderbeut në Veri të Shqipërisë.

Dallime jo të pakta vërehen edhe në rregullimin e marrëdhënieve familjare e martesore. Fiset dhe familjet e mëdha patriakale në Labëri, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII- fillimet e shek.XIX, ishin në procesin e shpërbërjes së plotë dhe ua linin vendin vëllazërive, familjeve të mesme e të vogla, të ndara nga trungu prindëror, me ekonomi më vete, të vogël apo të mesme. Tradita gojore dëshmon se familja labe, në shumicën e madhe, përbëhej si rregull nga 10-20 veta, maksimumi deri në 30 veta, ndryshe nga ajo në Zonat e Veriut, ku vepronte Kanuni i Lekës apo Kanuni i Skënderbeut, që arrinte deri në 100 veta.

Zakonet e vjetra patriarkale ishin skllavëruese për gruan. Ato nuk i njihnin asaj të drejta në krahasim me burrin, veçse i mbronin nderin e saj.

Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, pas reformave të normave të vjetra, pozita e gruas në Labëri shkoi duke u forcuar brenda familjes, ashtu dhe në marrëdhëniet martesore që gradualisht u liberalizuan në një masë ose në tjetrën. Marrëdhëniet patriarkale-fisnore, autoriteti absolut prindëror dhe sundimi absolut i burrit ndaj gruas, pësuan zbutje, natyrisht, duke ruajtur, diku më fort e diku më pak, gjurmët e patriarkalizmit të kohës së kaluar. Gruaja fitoi disa të drejta e liri, që i mohoheshin më parë. Fëmijët madhorë mund të ndaheshin më lehtë nga trungu prindëror, etj.

Dallime e veçori në Kanunin e Labërisë nga Kanuni i Lekës, apo Kanuni i Skënderbeut ka përsa i përket organizimit të vetëqeverisjes vendore. Në këtë kanun nuk njihen pozita dhe privilegjet e Derës së Gjonmarkajve, si në Kanunin e Lekës, nuk njihet instituti i bajraktarëve, i krerëve të fiseve, por pranohet roli i Kuvendeve, i pleqve, i parisë së vendit, i kapedanëve, i vegjëlisë dhe i gjyqit të pleqve. Në këtë drejtim ka ushtruar ndikim në Kanun edhe krijimi dhe funksionimi i pashallëkut të Janinës, nën drejtimin e Ali Pashë Tepelenës.

Veç këtyre, për zëvendësimin e normave të vjetra me norma të reja të Kanunit, merita të mëdha i takojnë përhapjes së arsimit e të kulturës me çeljen e shkollave që në fillimet e shek.XIX, krijimin e klubeve patriotike kulturore në Labëri etj.

Popullsia e Labërisë, e zonave të vetëqeverisjes vendore, nuk ka qenë krejtësisht e izoluar, e shkëputur nga kryeqendrat si Gjirokastra, Delvina, Vlora dhe Janina, ku zhvillohej tregtia dhe jeta kulturore.

Kontaktet e Labërisë me shkollat dhe me jetën kulturore të qyteteve kryesore, e posaçërisht kurbeti, lidhjet tregtare me shtete të tjera si Greqia, Turqia e Italia, kanë luajtur rol të madh përparimtar në Labëri. Të gjithë këta faktorë të harrur së bashku vepruan aktivisht në ndryshimin e mentaliteteve të njerëzve, për qytetërimin e shoqërisë dhe, si rrjedhojë edhe për ndryshimet pozitive të normave të Kanunit të vjetër të Labërisë, që pasqyrohen në rregullimin e marrëdhënieve juridike.

Megjithatë, kanuneve shqiptare u përshtatet sentenca e filozofisë së vjetër greke “Jemi bashkë, pse jemi ndryshe”.

Në një masë ose tjetrën kjo sentencë ka vlera edhe për krahasimet e Kanunit të Labërisë me zakonet juridike të Greqisë së vjetër, të përshkruara me mjeshtëri nga Eskili.

Kanunet janë dhe do të mbeten si monumente historike të vlerave kulturore të popullit shqiptar, pasqyra të historisë dhe të karakterit të tij fisnik.

Mbi të gjitha, ngjashmëritë themelore dëshmojnë lashtësinë e popullit shqiptar, të kulturës së tij në përgjithësi dhe të asaj juridike në veçanti, si dhe unitetin e pandashëm të kombit tonë në trojet e tij ilire.

Kanunet shqiptare, bashkë me Statutet e qyteteve bregdetare (Durrësit, Shkodrës, Tivarit, Drishtit, Budvës) të shek.XIV mbetën pasuri kombëtare, nderim për të parët tanë, të cilët na i lanë këtë trashëgimi të pasur kulturore.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *