Ekonomi

Cilësia e qumështit të importuar përplas sërish AUV-në me qumështarët

Përveç produkteve të mishit, rreth 50 lloje të produkteve të qumështit në sasi me miliona kilogram, po paraqesin rrezikshmëri për shëndetin e konsumatorëve dhe dëmtimin e prodhuesit serioz vendor

Kështu ka deklaruar për KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Qumështoreve, Ramadan Memaj, i cili ka akuzuar drejtpërdrejt Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për heshtjen dhe mosndërhyrjen në kontrollin e këtyre produkteve, siç tha ai, kancerogjene.

Kryetari Memaj ka shprehur zhgënjimin e madh me mosveprimin e institucioneve kryesore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve si dhe të prodhimit vendor, duke thënë se në krye të përgjegjësisë qëndron Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës.

“Si pasojë e mungesës së kontrollit të mjaftueshëm në fakt kemi ardhur në pozitën kur Kosova është një lloj caku apo destinacioni të produkteve të pasigurta, të cilat janë duke ardhur kryesisht nga vendet e regjionit, mirëpo edhe një pjesë e madhe e tyre që po prodhohet në Kosovë. Ne në vazhdimësi jemi munduar të ua bëjmë me dije opinionit që në Kosovë për fat të keq, jo që nuk po zvogëlohet sasia dhe numri i produkteve të pasigurta, por përkundër shqetësimeve, diskutimeve ka rritje të importit të vajit të palmës”, ka thënë Memaj.

Ai ka shtuar se sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, në tre mujorin e parë të këtij viti janë rreth 800 mijë kilogram të importit të vajit të palmës pa llogaritur produktet e tjera të cilat kanë ardhur nga vendet e ndryshme, kryesisht regjionale të cilat kanë përmbajtje të vajit të palmës dhe të yndyrës së palmës.

Mirëpo, sipas Memaj, përveç vajit të palmës ka edhe substanca tjera, të cilat po u shtohen produkteve dhe të cilat po e vejnë në lajthitje konsumatorin e Kosovës, të cilët po mendojnë se po blejnë produkte të qumështit dhe në fakt po blejnë produkte, të cilat në rastet e caktuara nuk e kanë asnjë kilogram qumësht.

“Nuk ka institucion tjetër përgjegjës përveç Agjencinë të Ushqimit dhe Veterinës, i cili lejon produktet e falsifikuara të shiten në treg. Pra, si ka mundësi tonelata e produkteve, importe me prodhim vendor të shiten në emër të prodhimeve të qumështit? Si ka mundësi të lejohet për një dekadë? Ne kemi mbledhur mostra, kemi dërguar mostra për analiza dhe ato rezultate ua kemi prezantuar Agjencinë të Ushqimit dhe opinionit të gjerë, e kemi ftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës që të dalë dhe t’i merr mostrat e t’i analizojë dhe tek e fundit t’i bënë edhe publike”, ka thënë ai.

Memaj ndër të tjera tha se si pasojë e këtyre fakteve dhe studimeve, sot në Evropë gjithandej ka tërheqje masive dhe ndalim të shitjeve të produkteve të vajit të palmës gjë që nuk ndodh në tregun e Kosovës dhe në anën tjetër ka zvogëlim të sasisë së qumështit të papërpunuar në Kosovë.

Sipas tij, mjegullimi i këtij problemi nuk i shkon në favor as konsumatorit, as prodhuesit vendor dhe as buxhetit të shtetit.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AUV), Valdet Gjinovci duke mos marr për bazë akuzat e Shoqatës së Qumështarëve, ka thënë se AUV është autoritet, i cili nuk merret me deklaratat e individëve dhe me shoqatat që nuk janë legjitime.

Gjinovci për Kosovapress ka thënë se AUV bashkëpunon me të gjitha shoqatat të cilat janë legjitime, dhe të cilat punojnë për të mirën e fermerëve dhe, sipas tij, analizat kryhen në laboratorin e Agjencisë konkretisht për lëndën e parë të papërpunuar për fermat e Kosovës.

Ai ka shtuar se AUV merr masa çdo herë ndaj produkteve finale të cilat prodhohen dhe përpunohen nga ana e prodhuesve të Kosovës.

Gjinovci ka thënë produktet e qumështit të cilat AUV i ka testuar dhe i ka analizuar deri tani, ashtu siç janë deklaruar edhe janë konfirmuar, që sipas tij, nuk është shqetësuese.

Madje, ai ka thënë se kanë laboratorin që kryen analizat rreth prezencës së vajrave bimore në produktet e qumështit, sipas Gjinovcit, jo me teste orientuese, por me metoda konfirmuese.

“Debati i cili është ngritur dhe i cili është bërë tani e disa vite, Agjencia e Ushqimit krahas bashkëpunimit dhe projekteve të Komisionit Evropian, që diskuton, analizon, vlerëson dhe në fund orientohet mbi atë çka ne edhe punojmë, nuk është rrezik, nuk paraqesin rreziqe për përdorim. Kështu që edhe Kosova si e tillë, edhe fermerët tanë, edhe industria e qumështit në përgjithësi, është avancuar dhe mbi të të gjitha nuk duhet të krijojmë pasiguri”, ka thënë Gjinovci.

Sipas tij, tek prodhuesit e qumështit dhe tek prodhuesit e mishit, në bazë të planeve dhe kontrolleve zyrtare, monitorohen me kapacitete të cilat i ka AUV.

“Produktet ushqimore të cilat edhe importohen, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ngritur edhe masat në nivelin e kontrollit, në këtë rast gjatë importit të këtyre produkteve, por edhe analizimin e produkteve në veçanti te produktet e qumështit, kështu që vetëm në mars janë 80 mostra të cilat janë marr vetëm te produktet e qumështit, qoftë atyre nga importi dhe atyre të cilat janë prodhuar nga ana e prodhuesve vendorë… Sa i përket asgjësimeve, në tre mujorin e parë kanë qenë mbi 60 ton produkte ushqimore që janë asgjësuar”, ka thënë Gjinovci.

Kryeshefi i AUV ka mohuar se ky institucion është jo transparent, mirëpo nuk ka folur për analizat e qumështarëve të bëra në Shkup.

Mirëpo, edhe Shoqata e Fermerëve kosovarë të Qumështit ka akuzuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) se me neglizhencën e saj, po i mbyll fermat e Kosovës.

Fermerët përkrahin kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, lidhur me atë që këto shoqata e vlerësojnë si papërgjegjësi të AUV-it.

“E bëjmë me dije Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që na është bërë nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë që përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmëri shëndetësore”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit Besim Kuçi.

Sipas tij se ekzistenca e 2500 fermerëve të Kosovës është rrezikuar vazhdimisht për shkak të mungesës së vullnetit të AUV-së për t’i trajtuar shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit që sa e sa vite nga prodhues dhe importues të papërgjegjshëm.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *