Lajme, Lajmi kryesor

Çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale? Avokatët tregojnë detajet

Tashmë kanë kaluar tre vite që kur Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo gjykatë do të hetojë krimet e ndodhura në Kosovë në periudhën 1998-2000. Aktakuzat dhe arrestimet nga kjo Gjykatë tashmë ka kohë që janë paralajmëruar, por një gjë e tillë tash e tri vite ende nuk ka ndodhur

Zyra e Prokurorisë Speciale nuk ka dhënë detaje për kohën se kur mund të ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. Duke folur rreth asaj se çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale dhe se pse deri më tani nuk ka filluar ngritja e aktakuzave dhe arrestimeve, ChristopherBennett nga kjo zyrë ka thënë se zyra e Prokurorit të Specializuar vazhdon hetimet e saj aq efektshme dhe aq shpejt sa mundet, por që nuk jep asnjë informatë tjetër.

“Zyra e prokurorit special nuk jep informacion për statusin e hetimeve për arsye profesionale, etike dhe ligjore. Për këtë arsye, unë nuk mund t’ju jap ndonjë informacion mbi atë se kush, çfarë ose kur do të ngrihen akuzat”, ka thënë Bennett.

Ndërsa, nga Zyra e Dhomave te Specializuara, thonë se ngritja e aktakuzave i takon Prokurorit të Specializuar. “Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë filluar punën tashmë për njëfarë kohe dhe janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga 5 korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Duke filluar nga korriku 2017, i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të ngrejë akuza”, thuhet në përgjigjen e zyrtareve nga Zyra e Dhomave të Specializuara.

TomëGashi tregon detajet

Avokati Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë nuk mund të fillojë punën efektive të saj para se të dorëzohen aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë.
Sipas tij, zyra e prokurorit Special në Hagë ka pasur kohë për hetime të mjaftueshme përmbi 4 vite që të hetoj pretendimet nga Raporti i DickMartit, të cilat janë bërë obligative pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Evropës në vitin 2011.

“Prokuroria Speciale në Hagë vepron sikurse edhe Prokuroritë e tjera pranë Gjykatave Ndërkombëtare, siç ka qenë Zyra e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavi dhe kanë të drejtë që të paraqesin aktakuza të cilat për një periudhë kohore mund edhe të mbahen të fshehura nga publiku dhe quhen aktakuza të mbyllura për të cilat Gjykata e gjënë kohën e përshtatshme për të lëshuar urdhër arrest, apo nëse kemi të bëjmë me zyrtarë të lartë shtetëror, aktakuzat mund edhe të ju dorëzohen dhe te kërkohet nga ta që të vete dorëzohen për të mos u arrestuar ashtu siç ka ndodhur rasti me Haradinaj, me rastin e akuzimit të tij në Tribunalin e Hagës për ish Jugosllavi”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka shtuar se Gjykata Speciale është duke e humbur kredibilitetin e saj, pasi që kanë kaluar me tepër se 2 vite e gjysmë prej nxjerrjes së ligjit për Gjykatën Speciale dhe ka kaluar thuajse një vit prej se Gjykata është funksionale.

“Sigurisht që vonesat në fillimin e punës së Gjykatës Speciale e zbehin kredibilitetin e saj , por askush nuk mund ta di saktë se kur do të bëhen publike aktakuzat e para, dhe askush nuk e din përveç Zyrës së prokurorit Special se kush do të jenë të akuzuarit e parë”, ka deklaruar avokati Gashi.

Faza përfundimtare

Ndërsa avokati Adrian Gjoshi, është shprehur se licencimi i avokatëve pranë Gjykatës Speciale është fazë përfundimtare e funksionalizimit të tërësishëm të kësaj Gjykate. “Siç edhe e kam përmendur më herët proceduralisht aktakuzat mund të jenë ngritur edhe para se të licencoheshin avokatet mbrojtës. Pra, qysh tani mund të jenë deponuar aktakuza në gjykatë nga ana e prokurorëve special. Mirëpo i pandehuri dhe avokati i tij, e marrin vesh për aktakuzën vetëm pasi të bëhet thirrja për t’u paraqitur ne Gjykatë. Përfundimisht, Gjykata Speciale nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta bërë punën e saj”, deklaroi avokati Gjoshi.

Edhe avokati Florin Vërtopi, është shprehur se Gjykata Speciale do ta përfundojë misionin e saj, ani pse kjo ende nuk ka nisur. “Me sa di unë asnjë projekt nuk ju ka dështuar deri më tani, pasi Gjykata Speciale është realitet, dhe deshëm apo nuk deshëm ne kjo Gjykatë me sigurinë më të madhe do të funksionojë deri sa ta përfundojë misionin e saj”, është shprehur avokati Vërtopi.

Dështimi i misioneve ndërkombëtare

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahemti, ka thënë se në Kosovën e pasluftës është eksperimentuar jashtëzakonisht shumë, duke filluar me administrimin civili deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e më pastaj janë instaluar mekanizma ndërkombëtar për rend dhe ligj, por kanë dështuar në misionin e tyre.

Sipas tij, mbështetur në përvojat e pasluftës, çdo mekanizëm ndërkombëtar për rend dhe ligj, si brenda vendit ashtu edhe jashtë Kosovës ka dështuar në misionin e vet.

“Edhe Gjykata Speciale ka krijuar përcepcionin negativ qytetar, pasi në njërën anë do të gjykoj vetëm krimet e supozuara një etnike, nuk do të hetoj krimet ekonomike të pasluftës, por mbi të gjitha me këtë zvarritje të funksionalizimit ka dëshmuar mos seriozitetin saj brenda mandatit ligjor. Sa i përket asaj se a mund të dështoj Gjykata Speciale? Nga kjo zvarritje e funksionalizmit të kësaj gjykate nuk mund ta nxjerrim një përfundim , pasi që po në këtë mekanizëm janë investuar milionat, duke filluar na personelin profesional me gjykatës e prokuror, por edhe hetimet e ndjeshme të cilat kanë filluar disa vite më parë.”, ka përfunduar Ahmeti.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *