Lifestyle

Çerkezët: Ne ua mësuam Islamin shqiptarëve të Kosovës

Pak dihet për komunitetin çerkez të Kosovës, pjesëtarët e fundit të të cilit u shrëngulën në Rusi gjatë luftës së fundit në vitin 1999. Por kush janë çerkezët?

Çerkezët, një popull autokton nga brigjet lindore të Detit të Zi, flasin një gjuhë veriperëndimore kaukaziane, që njihet si Adyghish, shkruan Konica.al.

Ky popull luftarak pasi u zbua nga trojet e veta me 1864 si pasojë e pushtimit rus, u vendos në tokat e Perandorisë Osmane. Politika panislamiste e sulltan Abdyl Hamidit për të krijuar një gardh antiortodoks në Ballkan bëri që një numër i tyre të vendoset edhe në vilajetet shqiptare, veçmas në Kosovë.

Sipas traditës kujtesore çerkeze, rreth 2 mijë familje erdhën në Kosovë, pjesa më e numërt e të cilave u ngulitën në katunte të veçanta, sidomos në pjesët lindore të vendit.

Duke qenë se trauma e tyre në thundrën e rusëve kishte qenë e tmerrshme dhe plot vuajtje, çerkezët përdoreshin nga osmanët për t’i luftuar të krishterët në Ballkan, siç ngjau gjatë kryengritjes bullgare të vitit 1876.

Nuset çerkeze fituan nam mes shqiptarëve si tepër të hijshme, gjë që shërbeu si shkas për thurjen e dhjetëra tregimeve në folklorin popullor.

Katundi më i madh çerkez në Kosovë ishte Stanoci i Poshtëm, që ndodhet midis Prishtinës dhe Vushtrrisë.

Studiuesja Marieta Kumpilova ka intervistuar plot çerkezë nga Kosova që sot jetojnë në Republikën e Adygeas në Federatën Ruse.

Ndonëse deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë çerkezët ishin ende paganë, konvertimi i tyre në myslimanë dhe identifikimi me Islamin erdhi si pasojë e tartarëve të Krimesë dhe Perandorisë Osmane.

Kjo u lehtësua edhe nga fakti që Rusia pushtuese e qendërzonte politikën e saj rreth doktrinës ideologjike «Ortodoksi, Autokraci dhe Komb» (Pravoslavie, Samoderzhavie, Narodnost).

Kundërvënia ndaj politikës koloniale ruse bëri që të të rritej edhe më tepër islamizmi në Kaukaz, e në këtë rast edhe mes çerkezësh.

Informatorët çerkezë nga Kosova pohojnë se ata ishin myslimanë të vërtetë dhe jo shqiptarët e Kosovës.

«Kur arritëm për herë të parë në Kosovë, shqiptarët ende ‘jetonin në pyje’. Ishin çerkezët ata që ua mësuan gjërat themelore për Islamin. Sipas studiuesit Sabit Uka, familjet e para çerkeze që u vendosën në Kosovë në vitin 1864 ishin më të arsimuara se shqiptarët, serbët dhe grupet e tjera etnike. Thuajse në çdo fshat ku jetonin, çerkezët ndërtonin xhami dhe mejtepe pranë tyre», citon studiuesja një çerkez të Kosovës.

Çerkezët ende sot e kësaj dite mburren se imamët dhe hoxhallarët e parë në Kosovë ishin që të gjithë pjesëtarë të komunitetit të tyre.

Përndryshe, çerkezët e fundit u shprëngulën për në Rusi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në vitin 1998 dhe 1999, një numër familjesh çerkeze vendosën të iknin në Repubikën e Adygea, duke e marrë nënshtetësinë ruse.

©Salih Mehmeti/konica.al

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *