Lajme, Lajmi kryesor

Ceremonia: Fotot e 90-vjetorit të monarkisë dhe një shkrim më i lexuari sot në Mapo

Oborri Mbretëror kremtoi një ditë më parë 900-vjetorin e Monarkisë Shqiptare dhe 123-vjetorin e lindjes së Mbretit Zog. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

“90-vjetori i krijimit të Mbretërisë Shqiptare, një moment për të vështruar me realizëm dhe objektivitet ngjarjet që sendërtuan shtetin modern shqiptar dhe institucionet e tij, për t’u fokusuar tek vlerat dhe kontributet më pozitive të çdo periudhe të shtetit tonë të cilat, veçanërisht sot, të kthehen në modele për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë”, u shpreh kreu i shtetit, Ilir Meta.

“Me Anitën dhe miq të shumtë, ishim të nderuar të bashkohemi me Familjen Mbretërore, Princin Leka dhe Princeshën Elia, me rastin e 90-vjetorit të shpalljes së Mbretërisë Shqiptare dhe në kremtimin e ditëlindjes së Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Ahmet Zogu I. Historia dhe kultura e pasur shqiptare janë testament dhe mishërim i vlerave tona sublime perëndimore,” shkruante kreu i qeverisë kosovare në rrjetet sociale.

“Si Familje mbretërore në pushtet midis 1928-ës dhe 1939-ës, si një familje e shquar e Matit më përpara, dhe si Familje Mbretërore në mërgim deri në vitin 2002, familja jonë ka qenë përherë e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe stabilitetit të vendit, si edhe ndaj bashkimit dhe zhvillimit kombëtar. Me rikthimin tonë në atdhe, roli dhe misioni ynë në shërbim të Kombit ka marrë trajta të reja. Prandaj është drejt të ardhmes që dua të përqëndrohem. Sot, sikurse shprehej Preambuli i Kushtetutës së 1928ës, çështja themelore është si t’i sigurojmë “brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme”,” tha Princ Leka.

Ndërkohë editoriali i ditës i drejtorit të gazetës Mapo, Ervis Iljazaj trajtonte pikërisht çështjen e 90-vjetorin e monarkisë.

Shkrimi i plotë nga Ervis Iljazaj

Muaji që lamë pas, ishte muaji i 90-vjetorit të themelimit të monarkisë shqiptare. Përveç një pritjeje ceremoniale të organizuar nga familja mbretërore, askush nuk u kujtua për këtë përvjetor të rëndësishëm të historisë shqiptare.

Larg të qenit monarkik, besoj se, monarkia shqiptare ka bërë shumë për Shqipërinë në kohën kur ka qenë një regjim politik. Ndërkohë që, Shqipëria, nuk ka bërë asgjë për të.

Më së paku, me monarkinë shqiptare, fillon themelimi i shteti modern shqiptar. Vetëm për këtë arsye, ajo duhet të kishte një vend më të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare.

Jo vetëm që kjo nuk ndodh, por, sa herë që ka një debat mbi monarkinë shqiptare, ka pothuajse një revoltë qytetare. A thua se, momentet historike të rëndësishme të Shqipërisë politike janë të shumta.

Në këtë kuptim, monarkia shqiptare, nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë, nga historia, qoftë edhe si trashëgimi kulturore e rëndësishme e historisë sonë jo shumë të largët.

Dhe, për këtë, padyshim që faji është tërësisht i ideologjive politike të pakuptimta, që edhe në rastin e trashëgimisë kulturore, nuk mungojnë duke zhvilluar betejën e tyre.

Nuk ka familje tjetër mbretërore përveç asaj shqiptare, që të jetë kaq shumë jashtë vëmendjes së shoqërisë dhe të opinionit apo të shoqërohet me një indiferencë të tillë.

Edhe në këtë përvjetor të rëndësishëm të saj, mungesa e respektit dhe dinjiteti që i takon asaj në historinë shqiptare, si çdo herë mungoi. Duket sikur të flasësh për monarkinë dhe rolin e saj në formimin e shtetit shqiptar është një herezi. Kjo sjellje e shoqërisë shqiptare ndaj monarkisë, është absurde dhe e pakuptimtë, ose më saktë, është e kuptueshme për shkak të një shoqërie që është shpeshherë e doktrinuar deri në palcë, dhe, historinë e saj e lë në harresë si pasojë e bindjeve politike.

E gjitha indiferenca që mbizotëron për monarkinë shqiptare si një moment i rëndësishëm për Shqipërinë vjen si pasojë e disa keqkuptimeve të mëdha që janë krijuar rreth saj.

Në radhë të parë, janë interpretimet e ndryshme historike për monarkinë dhe atë periudhë historike, të cilat kanë deformuar plotësisht opinionin publik.

Në radhë të dytë, është padyshim periudha komuniste e gjatë, e cila baltosi mbretërinë shqiptare. Dhe mendësia komuniste, vazhdon ende të jetë e rrënjosur në shoqërinë shqiptare. Jo vetëm nga qytetarë të thjeshtë, por, edhe nga shumë intelektualë, të cilët ndahen për rolin dhe funksionin e saj. Mirëpo, historia, flet me gjuhën e fakteve dhe jo të ideologjive politike. Ideologjizimi i historisë, është një plagë e vjetër e historianëve shqiptare. Në këtë kuptim, çlirimi i saj nga doktrinat politike, është kusht për të shkruar një histori të vërtetë, duke i dhënë kujtimet që i takojnë çdo periudhe të Shqipërisë.

Në radhë të tretë, është opinioni publik, i cili mban larg vëmendjes së saj monarkinë shqiptare. A thua se, ajo është një nga periudhat më të këqija të historisë shqiptare. Ndërkohë që, e kundërta është e vërtetë. Duam apo s’duam, jemi monarkikë apo jo, periudha e monarkisë shqiptare, është padyshim një periudhë për t’u kujtuar, dhe jo për t’u harruar.

Prandaj, institucionet shtetërore, opinioni publik dhe historia, duhet t’i japë vendin që i takon monarkisë shqiptare. Një vend që, është me siguri i merituar dhe i rëndësishëm.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *