Xhaka: Moj Serbi rrjetën ta shpova, se mu m’thojnë Granit Kosova

Granit Xhaka i cili shënoi gol kundër Serbisë, ka komentuar në rrjetin social Instagram fitoren e Zvicrës

“Moj Serbi rrejtën ta shpova, se mu m’thojnë Granit Kosova”, ka shkruar Xhaka në faqen e tij zyrtare në Instagram.

Këtë mbishkrim e ka shoqëruar me fotografinë e tij ku shihet duke bërë shqiponjën.

“Po po poooo! Ne kurrë s’dorëzohemi dhe gjithmonë luftojmë. Xhakaboom u rikthye”, ka shkruar në një postim tjetër të tij në Instagram.

Gazeta më e madhe zvicerane: ‘Shqiponjat’ godasin Serbinë në zemër

Gazeta më e madhe zvicerane, Blick shfaqet shumë e emocionuar pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë. “Falë ‘shqiponjave’ do të fluturojmë lart,” shkruan gazeta

“Granit Xhaka godet ashpër Serbinë në mes të zemrës. Fillimisht me barazimin, pastaj me festimin me simbolin e urryer të shqiponjës. “Pastaj vjen Shaqiri me një festim gjysmë zhveshur,” thekson gazeta.

Tërbohen mediat serbe

Festimet me shqiponjë të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit i kanë djegur më shumë se humbja serbëve, të cilët të tërbuar kërkojnë reagim nga FIFA për të zakonshmen “provokacija”.

Menjëherë sapo Granti Xhaka gjeti rrugën e rrjetës për të barazuar shifrat, në mediat më të mëdha në vend gjesti i tij u quajt një provokim i hapur që u bënte serbëve ai dhe kërkonin që FIFA të reagonte për një veprim të tillë të mesfushorit, i cili u përsërit në fundin e ndeshjes nga Xherdan Shaqiri pas golit të fitores.

“FIFA duhet të reagojë, Xhaka provokoi serbët me simbolin shqiptar”, shkruante “Kurir”, i cili më pas i kushtonte vëmendje edhe një tjetër “provokimi”, atij të Shaqirit dhe këpucëve të tij.

“Shaqiri tregoi në këpucë flamurin e një shteti fantazmë, FIFA duhet të marrë masa”, shkruante e përditshmja serbe.

Shqiponjat mundën Serbinë

Katër shqiptarët dhe kombëtarja e Zvicrës pas një paraqitje historike kanë mposhtur Serbinë në Kaliningard me rezultat 2-1 në ndeshjen e dytë të Grupit E

Në një atmosferë impozante në Kaliningrad filloi dueli i katër shqiptarëve dhe kombëtares së Zvicrës ndaj Serbisë. Tekniku Petkovic vendosi të startonte me përbërjen e njëjtë te Zvicra, ku Behrami bëri sakrificën duke u rikthyer pas një lëndimi.

Fillimi nuk ishte i mirë për Zvicrën, ku pas një harkimi të Tadic, ishte Mitrovi ai që shënoi për 1-0 (5′). Në vazhdim Zvicra dominoi duke tentuar të krijonte, por loja e ashpër e Zvicrës pamundësoi që të ketë konkretizim.

Deri në fund të pjesës së parë u zhvillua lojë me duele të forta, e ku madje Xherdan Shaqiri pati fjalosje me Milivojevicin gjatë takimit, e në fund të pjesës së parë e cila përfundoi pa ndryshim në rezultat.

Pjesa e dytë kishte fytyrë krejt tjetër. U duk sikurse luanët u liruan nga rrethimi dhe ishin të pandalshëm në sulm. Me të filluar pjesa e dytë, Zvicra filloi të krijonte rastin me Xhakën e Shaqirin që me kombinime të bukura ç’orientuan mesfushën serbe e cila ishte e gjitha me kartonë të verdhë.

Pas një goditje të Zuber, një top i kthyer u prit në mënryë fantastike nga Granit Xhaka i cili me një bombë e fotografoi portierin serb dhe shokoi gjithë Serbinë për 1-1. Ky gol u festua në mënyrë të magjishme nga Granit Xhaka, i cili bëri shqiponjën me një grintë të hatashme prej një luani shqiptar. Aty nuk mungonin as lojtarët tjerë shqiptarë në përqafim e gëzim të këtij goli special (52′).

Serbia e shokuar nga bomba e Xhakës për pak sa nuk pranoi një tjetër supergol. Xherdan Shaqiri me një gjuajtje mjeshtërore lansoi projektilin duke dështuar për pak cakun, pasi topi qëlloi shtyllën me oprtierin i cili ishte pa gjasa. Në vazhdim kishin raste shumë të mira edhe Zuber dhe Gravranovic, të cilët nuk shfrytëzuan kombinimet e shkëlqyera të Xhakës e sidomos depërtimet e Shaqirit, i cili ishte i pandalshëm për serbët.

Pas përpjekjes së fuqishme, një pasim maestarl i Xhakës e gjeti Shaqirin i cili si një shqiponjë ishte i pandalshëm duke fluturuar drejt golit dhe duke e vulosur fitoren e madhe të Zvicrës e shqiptarëve me rezultat 2-1.

Të gjithë festuan me shqiponja, duke bërë shqiponjën lart të fluturojë në Kaliningrad. Pas kësaj ndeshje në Grupin E, Brazili ka katër pikë, Zvicra ka katër pikë dhe ndajnë vendin e parë dhe të dytë, kurse Serbia ka tri pikë. Në ndeshjen e fundit të Grupit E më 27 qershor Zvicra luan ndaj Kosta Rikës që tashmë luan pa synime, kurse Serbia dhe Brazili përballen direkt për kualifikim. Zvicra me një barazim do të siguronte kualifikimin në secilin rast.

Brazil-Kosta Rika, shënohet gol në kohën shtesë

Në “Saint Petersburg Stadium” po luhet sfida e vlefshme për Grupin E të Botërorit mes Brazilit dhe Kosta Rikës
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, teksa brazilianëve iu anulua një gol i Gabriel Jesus në minutën e 26-të për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë, në minutën e 78-të Neymar pengohet në zonë dhe fiton një 11-metërsh. Por pas konsultimit me VAR-in, anulohet penalltia.

Në minutën e 91-të, Coutinho brenda zone gjuan saktë, mposht portierin Navas dhe shpëton Brazilin, 1-0.

Ndeshja e “Kosovës” me Serbinë

Kombëtarja e Zvicrës në futboll dhe ajo e Serbisë, janë në tension para ndeshjes të së premtes në kuadër të Kampionatit Botëror, “Rusia 2018”

Tensioni është rritur sidomos për faktin se në kuadër të kombëtares së Zvicrës luajnë katër shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka nga Kosova, ndërsa Blerim Xhemajli nga Maqedonia.

Në Prishtinë dhe Beograd kanë reagime të ndryshme për këtë ndeshje. Armend Pllana nga Prishtina thotë se ndeshja është më shumë se një lojë futbolli. “Presim që shqiptarët, kosovarët që janë aty, ta tregojnë veten dhe me një fitore bindëse të na gëzojnë”, thotë Pllana.

Në Beograd nuk pajtohen me veprimet e futbollistëve shqiptarë. Ata thonë se më parë Xhaka, Behrami, Shaqiri e Xhemajli, kanë provokuar duke përdorur flamurin e Kosovës dhe duke bërë me duar shqiponjën.

“Ka pasur provokime në Instagram dhe Facebook për shkak të vendosjes së flamujve nga lojtarët zviceranë. Mendoj se lojtarët tanë janë të vetëdijshëm se nuk do të ketë provokime gjatë ndeshjes së futbollit”, thotë Ninoslav Grigorov.

Ndeshja ka kaluar dimensionin sportiv pasi ka bërë të deklarohet edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka kërkuar nga lojtarët serbë që të luftojnë në fushë.

“Është shumë e rëndësishme për ta që të luftojnë, ta lënë zemrën e tyre në fushë, të luftojnë për shtetin e tyre”, deklaruar Vuçiq.

Shqiptarët e Zvicrës i ka përkrahur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ka shkruar:“Me gjithë zemrën time po ju bëj tifo”.

Mediat ndërkombëtare i kanë dhënë shumë rëndësi prejardhjes së futbollistëve shqiptarë të kombëtares së Zvicrës.

Guardian shkruan të premten se si tre kosovarët, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami kanë prejardhje nga Kosova. Në shkrim përshkruhen atletet e Shaqirit në të cilat, në njërën këmbë ai ka flamurin e Zvicrës, ndërsa në anën tjetër flamurin e Kosovës.

Guardian vë në pah faktin se si familjet e Behramit, Xhakës dhe Shaqirit ishin larguar nga lufta në vitet ’90, kur Serbia i hoqi autonominë Kosovës.

Ndeshja e kaluar e kombëtares zvicerane me Brazilin dhe preformanca shumë e lartë e Valon Behramit i ka bërë mjaft optimiste mediet në Zvicër.

Për këtë ndeshje, në titullin kryesor të ballinës së mediumit zviceran, Blick, shkruhet, “Humbja është e ndaluar sot”.

Blick e cilëson historike këtë ndeshje dhe motivon lojtarët që të japin maksimumin për të kaluar në fazën tjetër të Kampionatit Botëror.

Ky medium, po ashtu, raporton për afërsinë e rusëve me popullin serb.

Sipas tyre, kjo ka bërë që shërbimet e sigurisë në Rusi të angazhohen maksimalisht që të mos lejohet futja në stadium e asnjë flamuri të Kosovës, mirëpo edhe të asaj që mediumi zviceran e quan, Shqipëri e Madhe.

Agjencia Reuters e nis shkrimin e saj rreth ndeshjes me deklaratën e mesfushorit serb, Nemanja Matiq, i cili ka deklaruar se “Serbia është e përgatitur për një ndeshje ferri ndaj Zvicrës”.

Ndeshja e së premtes është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, si për Serbinë ashtu edhe për Zvicrën.

Kjo për faktin se nëse Serbia e humb ndeshjen me Zvicrën, atëherë të gjitha shpresat për kualifikim do t’i ketë në ndeshjen e fundit me Brazilin.

Anglia fiton në minutat e fundit

Anglia ka fituar por ka zhgënjyer edhe njëherë tifozët e saj anekënd globit me një paraqitje që vetëm Anglia di ta bëj

Pavarësisht se kishte lojën në dorë dhe dy herë goditi shtyllën në pjesën e parë dhe dy yjet e Manchester Cityt, Sterling dhe Stones dështuan të shënojnë nga dy pozita të pastra, anglezët kanë zhgënjyer në pjesën e dytë ku mezi shënuan një gol në minutat shtesë për të fituar tri pikë kundër Tunezisë.

Për dallim nga pjesa e parë, pjesa e dytë ishte një ndeshje shumë e ftohtë dhe pa shpirt. Me Tunizinë që kërkonte të ruante rezultat dhe Anglinë që nuk dinte të gjente rrugën e golit.

Në pjesën e parë Anglia dominoi dhe me pak mundi do të kishte mundur që të shënonte tri deri në katër gola. Që në minutën e dytë, Sterling humbi një mundësi ideale për gol. Pas tij në një pozitë të mirë për të shënuar ishte Lingard, por edhe ai dështoi. Goli për anglezët erdhi në minutën e 11. E shënoi ai që di të shënoi, Harry Kane.

Por, kur pritej që Anglia ta shënonte golin e dytë, Kylie Ëalker pa pikë nevoje ndërhyri në sulmuesin tunizian duke shkaktuar penallti. Ai ishte me fat që nuk u ndëshkua me të kuq pasi që ndërhyrja ishte e qëllimshme.

Në pjesën e dytë Anglia nuk pati asnjë rast të volitshëm për gol, pavarësisht se sulmoi vazhdimisht.
Por kur mendohej që ndeshja të përfundoi më rezultat të barabartë 1-1, në skenë doli përsëri ai që di ta përfundojë punën më se miri, Harry Kane fal të cilit Anglia sonte i fitojë tri pikë.

Magjia zviceriane dhe “Valon magjupi”

1 me 1 kundër Brazilit është më shumë se fitore. Si po reagon opinioni zviceran? Dhe disa fjalë për Valon Behramin, të cilin dikur Zvicra dëshironte ta dëbonte dhe më vonë, kur u bë yll, bashkëvendësit e tij e fyenin. Sonte ai është hero për të gjithë

Nga Enver Robelli

Në Zvicër të gjithë e njohin Jörg Kachelmann. Është meteorologu më i njohur i Zvicrës, i cili me vite ka parashikuar motin në televizionin publik. Ishte aq fantastik në prezantimin e motit, saqë e pati angazhuar edhe televizioni publik gjerman. Retë si lakra – kjo ka qenë njëra ndër fjalitë e tij më kreative. Pas lojës fantastike të Zvicrës kundër Brazilit, të cilën konfederata zvicerane e fitoi me barazim (po, padyshim ka edhe fitore të tilla, sepse një kinse xhuxh futbolli si Zvicra mposhti gjigantin e futbollit), Jörg Kachelmann shkroi në Twitter: «Mirënjohës për prindërit dhe gjyshërit e shtatë lojtarëve të Zvicrës – ata erdhën në vendin e duhur, i bënë fëmijët zviceranë, përndryshe do ta kishim harruar ne Kampionatin Botëror të Futbollit».

Heroi i ndeshjes, pa dyshim, ishte Valon Behrami. Nuk duhet harruar: në vitet ’90 familjen e tij deshi ta dëbojë nga Zvicra administrata e ashpër. Ndërhyri një politikan lokal dhe familja Behrami mundi të qëndrojë në Zvicër. Por, Valon Behrami me të drejtë mbante distancë me vendin që do të duhej të ishte mikpritës. Sukseset e mëdha i arriti në Itali. Dhe gjetiu në Europë. Njëkohësisht nuk refuzoi të luajë për Zvicrën. Sonte ai ishte heroi i ndeshjes kundër Brazilit. Sonte të gjithë heshtin. Edhe racistët e Zvicrës, edhe nacionalistët primitivë shqiptarë, ata që në Luzern, në ndeshjen e Zvicrës kundër Shqipërisë para disa vitesh çirreshin: «Valon magjupi».

«Good day», ditë e mirë, ky ishte komenti i Roger Federer, tenistit legjendar zviceran. Mediat, ndërkaq, luhaten mes entuziazmit dhe titujve esëll, tipik zviceran. Për shembull «Neue Zürcher Zeitung»: «Ekipi kombëtar zviceran ia arrin një rezultat 1 me 1 në hapje të Kampionatit Botëror të Futbollit». Zero gëzim, thua se bëhet fjalë për një samit të ministrave të financave. Pak më kreative është gazeta «Tages Anzeiger»: «Fillim i fuqishëm i zviceranëve në Kampionatin Botëror të Futbolli – një me një kundër Brazilit. Gol fantastik i Zuber, betejë deri në rraskapitje, Behrami del nga loja i lënduar: si e merituan djelmoshat e Petkoviqit një pikë». Për gazetën «Blick» kjo mbrëmje ishte thjeshtë: një magji drejt një pike! Më shumë as që është pritur, dhe gëzimi është edhe më i madh, kur dihet se ka humbur «kantoni ynë i madh» – kështu e quajnë zviceranët me ironi Gjermaninë.

Çfarë do të sjellin ditët në vijim? Brazili është nën presion të madh, duhet ta mposhtë Serbinë brutalisht, përndryshe djemtë nga Amerika Latine duhet ta harrojnë Kampionatin Botëror të Futbollit. Për Zvicrën vlen kjo porosi: duhet të jetë po aq e guximshme kundër Serbisë dhe Kostarikës. Pastaj vjen një e teta e finales. Dhe këtu nuk duhet të jetë stacioni i fundit i këtij ekipi. Në një situatë të acaruar politike në Europë, ku secili idiot politik bën fushatë kundër të huajve, Zvicra, ky shtet multietnik me ekip multietnik nga viset shqiptare dhe vende të tjera, do të duhej të shkonte në finale. Do të ishte mesazh më shumë se politik.

Valon Behrami kërcënohet me vdekje

Tifozët e kombëtares braziliane nuk e kanë kapërdirë barazimin e skuadrës së tyre kundër Zvicrës ditën e djeshme. Për më tepër kanë reaguar ashpër ndaj mesfushorit me origjinë shqiptare Valon Behrami, shkruan Panorama

Sipas asaj që raporton media zvicerane Uatson.ch, profili në Instagram i Behramit është mbushur me komente nga tifozët brazilianë, disa prej të cilëve e kanë kërcënuar edhe me vdekje.

“Nëse do të vish në pushime në Brazil, do të të mbysim”, shkruante një brazilian në drejtim të Behramit.

Ndërkaq, një tjetër kërcënues shkruante: “Ti je në listën e zezë të Brazilit”.

Por, kishte edhe nga ata që i thoshin Behramit se “nëse ke pasur punë me Nejmarin, atëherë do kesh punë me tërë Brazilin”.

Zvicra e shqiptarëve i bën ballë Brazilit të madh

Një ndeshje fantastike është zhvilluar në Rostov Arena ndërmjet Brazilit dhe Zvicrës që ka përfunduar me rezultat të barabartë (1-1)

Skuadra helvetike që përfaqësohej nga katër shqiptarë, e nisi shumë më mirë ndeshjen, mirëpo me kalimin e minutave, Selecao e mori lojën nën kontroll. Rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të përmes një goditjeje të pandalshme të Philippe Coutinhos nga jashtë zonës.

Deri në fund të pjesës së parë, brazilianët luajtën më mirë, mirëpo nuk ia dolën ta thyenin sërish mbrojtjen zvicerane. Pesë minuta brenda gjysmës së dytë, rezultati u barazua. Një harkim fantastik nga Xherdan Shaqiri e priti në zonë Steven Zuber për të shënuar me kokë (50′).

Minutat në vazhdim ishin mjaft dinamike dhe ekipet zhvillonin lojë të hapur duke rrezikuar herë njëra e herë skuadra tjetër. Natyrisht se brazilianët ishin shumë më të rrezikshëm, por nuk ia dolën të shënonin.

Pas xhiros së parë, Selecao dhe Helvetikët kanë nga një pikë dhe ndodhen prapa Serbisë që e kryeson Grupin E me tri pikë, pas fitores ndaj Kosta Rikës. Ndeshja e ardhshme e Zvicrës është kundër Serbisë, ndërsa Brazili luan ndaj Kosta Rikës.

Kampioni e nis me humbje botërorin, Gjermania mposhtet nga Meksika

Kombëtarja e Gjermanisë është mposhtur nga Meksika me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e parë në Kupën e Botës “Rusia 2018”

Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë aktive nga të dyja skuadrat, por me Meksikën për një nuancë më e mirë duke krijuar më shumë raste. Përkundër rasteve të shumta të krijuara vetëm një përfundoi në gol në minutën e 35-të të ndeshjes duke befasuar Gjermaninë.

Ishte sulmuesi i talentuar, Hirving Lozano, i cili shënoi një supergol për 0-1 pasi më parë u shërbye nga Chicharito dhe me epërsi qoi ekipin e tij në pushim.

Në pjesën e dytë, Gjermani e mori lojën në dorë duke menaxhuar lojën dhe duke krijuar më shumë raste për gol. Skuadra e Joachim Low provoi me Joshua Kimmich, Thomas Muller dhe Timo Werner, por pa pasur fat të gjejnë rrugën e rrjetës.

Kështu, pas 90 minutave lojë Meksika befason Gjermaninë duke e mposhtur me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për Grupin F. Tani kë këtë grup, Meksika ka primatin me tri pikë, ndërsa nesër (e diel) zhvillohet ndeshja tjetër në mes të Suedisë dhe Koresë së Jugut.