Uruguai e shkatërron Rusinë, e fiton Grupin A

Uruguai e ka fituar Grupin A në Kupën e Botës pas fitores së thellë 3-0 ndaj rivalit direkt për vend të parë, Rusisë, të hënën. Luis Suarez me një gol të bukur nga goditja e dënimit i dha Uruguait epërsinë ndaj rusëve pas vetëm 10 minutave lojë

Uruguai u shfaq shumë dominuesve ndaj Rusisë në pjesën e parë dhe ia doli ta dyfishoi epërsinë, kur mbrojtësi rus Cheryshev dënoi në portën e vet në tentim për ta bllokuar goditjen e fuqishme të Diego Laxalt.

Dhjetë minuta para përfundimit të pjesës së parë, gjërat u vështirësuan për Rusinë, pasi Smolnikov u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

Në pjesën e dytë, Uruguai vazhdoi ta kontrollojë lojën duke e vulosur fitoren me një gol të Endison Cavanit në fund të ndeshjes.

Urugai e mbyll Grupin A si lider me 9 pikë, duke lënë prapa Rusinë me 6. Ndërkohë, dueli tjetër i këtij grupi mes Egjiptit dhe Arabisë Saudite, u mbyll me fitoren e sauditëve 2-1.

Uruguai dhe Rusia kalojnë në mesin e 16 skuadrave më të mira, ndërsa Egjipti i Mohamed Salahut dhe Arabia Saudite përshëndeten nga Botërori.

Kolumbia deklason Poloninë

​Kolumbia ka arkëtuar pikët e para në Kupën e Botës, pas triumfit 3-0 ndaj Polonisë

Kolumbia ka mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën tjetër të Kupës së Botës, pas fitores 3-0 në ndeshjen e dytë kundër Polonisë, kjo e fundit edhe zyrtarisht është jashtë Botërorit.

Yerry Mina 40’, Radamel Falcao 70’ dhe Juan Cuadrado 75’ – shënuan për fitoren e madhe të Kolumbisë që falë fitores së sotme e barazimit 2-2 mes Japonisë e Senegalit, mban gjallë shpresat për të avancuar më tej.

Kolumbia tani ka tri pikë, një më pak se Japonia e Senegali dhe pikërisht kundër kësaj të fundit me 28 qershor, do të kërkojë biletën për t’u kualifikuar në mesin e 16 më të mirave në Rusi.

​Diplomati gjerman e arsyeton në mënyrë brilante festimin e Xhakës e Shaqirit me shenjën e shqiponjës

Ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, i ka dalë në mbrojtje futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, pasi që të dy festuan duke bërë shqiponjën dykrenore me duart e tyre, pasi shënuan nga një gol ndaj Serbisë, në Kupën e Botës 2018, në Rusi

Reichel, tani ambasador gjerman në Ukrainë, i ka quajtur të pakuptimta reagimet e Serbisë ndaj veprimeve të Xhakës e Shaqirit në Kaliningrad, të premten. “Unë nuk arrij të kuptoj pse dikush ofendohet për shkak se dy lojtarë të Zvicrës e kanë bërë shqiponjën shqiptare pas golave të tyre”, është shprehur ai.

“Shqiponja dykrenore është simbol i flamurit shqiptar (dhe i disa flamujve të tjerë)”, ka kujtuar diplomati gjerman.

“Ta bësh këtë shenjë nuk është asgjë më ndryshe sesa ta shfaqësh flamurin. Dhe, flamujt shfaqen në çdo ndeshje ndërkombëtare”, ka thënë Reichel.

“S’ka asgjë të keqe në shfaqjen e krenarisë me vendin tënd ose me origjinën tënde”, ka përfunduar diplomati.

Rast i rallë në simbolikat botërore

Nga Virgjil Kule

Shenja me duar e shqipes me dy krere eshte bere monopol i suksesshem i shqiptarise. Eshte nje gjetje vizuale qe simbolizon drejtperdrejt identitetin tone nepermjet nje imazhi sygjestionues teper te spikatur. Leshon nje mesazh specifik ngjashmerie me flamurin tone qe deperton menjehere ne syte dhe mendjet e kujtdo qe e shikon.

Megjithese relativisht e re ne kontekstin e sotem historik te globit, ajo ka zene vend denjesisht ne radhen e imazheve simbolike kryesore te tij. Kujtdo qe e shikon, ajo i sjell nder mend menjehere shqiptarine. Rast i ralle i afirmimimit te identitetit kombetar nepermjet nje gjesti te vetem.

Meriten per popullarizimin dhe ngulitjen e ketij simboli ne shkalle botorore e kane kryesisht futbollistet kosovare qe e kane demonstruar ate vazhdimisht ne stadiume e ne ndeshje te cilat shikohen nga e gjithe bota, sikunder eshte edhe kampionati i tanishem boteror.

Si e përkrahu Turqia Serbinë të premten kundër Zvicrës

Ambasada e Turqisë në Beograd, zyrtarisht kishte mbështetur Serbinë kundër Zvicres në ndeshjen e së premtes në Kupën Botërore që u zhvillua në Kaliningrad të Rusisë

“I urojmë fat ekipit të Serbisë që do të luajë në ndeshjen kundër Zvicrës në Kupën e Botës”, kishte shkruar Ambasada e Turqisë në Beograd, transmeton Gazeta Express.

Ndeshja përfundoi me fitoren e Zvicrës. Njëherit golat e futbollistëve kosovarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri vulosën fitore për kombëtaren e Zvicrës, e cila e vë atë buzë kualifikimit në raundin tjetër në Kupën e Botës.

Anglia e pamëshirshme ndaj Panamasë

Harry Kane me het-trik e ka frymëzuar Anglinë drejt fitores më të lartë në Kupën e Botës në Rusi duke ia siguruar kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira pas fitores 6-1 ndaj Panamasë të dielën në Nizhny Novgorod

Anglezët nisen takimin furishëm duke hapur serinë e golave tetë minuta brenda ndeshjes, kur John Stones shënoi me kokë pas një rivënieje nga këndi. Sulmuesi Harry Kane ngriti epërsinë në 2-0 duke qenë i saktë nga penalltia në minutën e 22-të.

Dominimin e madh të Anglisë e konfirmoi me një super gol Jassie Lingard, i cili pas një aksioni të rrjedhshëm gjeti këndin e lartë të portierit kundërshtar me një goditje të bukur nga rreth 20 metra largësi.

Anglezët pastaj shënuan edhe dy herë në pesë minutat e fundit të pjesës së parë me John Stones dhe Harry Kane, i cili përsëri shënoi në anën e njëjtë të portierit nga penalltia. Sulmuesit të Tottenhamit iu deshën pak më shumë se 15 minuta brenda pjesës së dytë për ta kompletuar het-trikun. Ai shënoi pasi pasimi i Lingard u devijua nga këmba e tij dhe përfundoi brenda portës kundërshtare. Kane tani ka 5 gola, duke lënë pas Cristiano Ronaldon dhe Romelu Lukakun me nga 4.

Golin e vetëm dhe të parin deri më tani në Botëror Panamaja e shënoi rreth 10 minuta para fundit, kur Baloy realizoi nga rreth gjashtë metra largësi. Çuditërisht ky gol i ka gëzuar tej mase tifozët e Panamasë, e cila tashmë edhe zyrtarisht eliminohet nga Kupa e Botës. Ndërkohë, Anglia e siguron kualifikimin në fazën e eliminimit direkt dhe do të luftojë për vendin e parë në grup kundër Belgjikës.

Toni Kroos shpëton Gjermaninë

Toni Kroos e ka shpëtuar Gjermaninë nga eliminimi i hershëm nga Kupa e Botës duke shënuar gol në minutën e pestë shtesë për fitoren 2-1 ndaj Suedisë të shtunën

Gjermania e nisi ndeshjen furishëm siç pritej dhe e rrezikoi portën suedeze, por Julian Draxler nuk arriti të shënonte nga një afërsi prej pesë metra. Gjermania ishte shumë dominuese gjatë gjithë pjesës së parë, por pa krijuar raste të tjera në vazhdim, raporton Gazeta Express.

Rastin e parë të Suedisë e ndali Manuel Neuer, pasi e priti goditjen e Marcus Berg, i cili së pari u pengua nga Jerome Boateng, por gjyqtari kryesor i ndeshjes nuk ua vuri veshin thirrjeve të suedezëve për penallti.

Megjithatë, Suedia e tronditi Gjermaninë duke e shfrytëzuar gabimin trashanik të Toni Kroos dhe duke i shënuar gol përmes Ola Toivonen, i cili e paraboloi Neuerin, pas gjysmë ore lojë. Neuer e shpëtoi edhe një herë Gjermaninë, kur e mbrojti goditjen e Bergut.

Kampioni në fuqi u fut në pjesën e dytë shumë më furishëm dhe brenda tre minutave shënoi përmes Marcus Reus.

Gjermania vazhdoi të dominimin dhe pati dy raste të mira përmes Thomas Muller dhe Jonas Hector brenda 10 minutave.

Gjërat për Gjermaninë u vështirësuan kur Jerome Boateng e mori kartonin e dytë të verdhë pas një dhe u përjashtua nga loja ndërhyrjeje të ashpër rreth tetë minuta para fundit.

Minutat e fundit ishin të zjarrtë së pari me Andreas Granqivst që bëri një pritje madhështore për t’ia mohuar golin Gjermanisë. Në anën tjetër edhe Manuel Neuer e shpëtoi skuadrën e tij nga humbja me një pritje fantastike pesë minuta para fundit.

Julian Brant qëlloi shtyllën dy minuta para fundit me një goditje tejet të fortë dhe kur u mundua se ai ishte rasti i fundit, Toni Kroos e përmirësoi gabimin e mëhershëm dhe ai siguroi fitoren Gjermanisë në minutën e 95-të.

Tani Gjermania ka 3 pikë aq sa Suedia në Grupin F. Këtij Grupi i prin Meksika me 6 pikë dhe e fundit është Koreja Jugore me 0 pikë. Gjermania ndeshjen e radhës do ta ketë kundër Koresë Jugore, ndërsa Suedia ndeshet me Meksikën.

Belgjika kualifikohet në mesin e 16 më të mirave në Rusi

Belgjika ka regjistruar një tjetër fitore në Rusi, duke e mposhtur 5-2 Tunizinë. 8 gola në dy takime, Belgjika deri më tani duket skuadra që po bind më së shumti në Rusi. Të besuarit e Roberto Martinez tashmë janë kualifikuar në mesin e 16 skuadrave më të mira në Kupën e Botës, pas fitores 5-2 kundër Tunizisë

Eden Hazard 6’ dhe 51’, Romelu Lukaku 16’ e 45’ si dhe Michy Batshuayi 90’, shënuan për fitoren e madhe të Belgjikës, kurse goliat e nderit për Belgjikën i shënuan Dylan Bronn 18’ dhe Wahbi Khazri 93′.

Belgjika tani është e para në Grupin G me gjashtë pikë, tri më shumë se Anglia që nesër luan me Panamanë dhe në rast fitoreje, do të shkojë gjithashtu në kuotën e 6 pikëve dhe do të luftojë me të besuarit e Martinezit për pozitën e parë.

Gazetari zviceran i mahnitur nga festa në Gjilan për Zvicrën e Shaqirit

Gjithçka të përkujton sikurse në Langstrasse të Cyrihut, ku pas përfundimit të ndeshjes filloi festa, fishekzjarrët nuk kishin të ndalura

Në Kosovë, i njohur edhe si “kantoni i 27-të i Zvicrës” – tifozët shqiptarë të futbollit e kanë festuar fitoren e Kombëtares zvicerane kundër serbëve. Gazetari zviceran i “Aargauer Zeitumg” dhe bashkëkombësja jonë Melani Alilaj, kanë raportuar nga festa e qytetarëve të Gjilanit, nga vendlindja e shënuesit të golit të fitores, Xherdan Shaqiri.

Me fishkëllimën përfundimtare të referit në ndeshjen Zvicër-Serbi, tifozët jo vetëm që brohoritën në Cyrih, Bernë apo Gjenevë. Tifozët e futbollit ishin të çuditshëm edhe në Gjilanin e Kosovës. Pak para përfundimit të ndeshjes, Xherdan Shaqiri shënoi golin e fitores. Duhet ta dini se: Gjilani është vendlindja e ndërkombëtarit zviceran me prejardhje shqiptare. Në vitin 2014, qyteti e shpalli birin e tij të famshëm, qytetar nderi.

“Jemi duke festuar për zviceranët”, thotë një grua e stërlumtur në rrugët e Gjilanit. Veturat i bien borisë, njerëzit këndojnë. Qyteti i Gjilanit i ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Rruga kryesore është e bllokuar. Një tifoz mban trikonë e Shaqirit. Shaqa ishte lojtari i ndeshjes.

Gjithçka të përkujton sikurse në Langstrasse të Cyrihut, ku pas përfundimit të ndeshjes filloi festa, fishekzjarrët nuk kishin të ndalur, transmeton Albinfo.ch.

Në Gjilan, Festa Shabani i dërgoi Zvicrës një mesazh urimi në gjuhën shqipe: “Urime nga Gjilani. Ju urojmë nga Kosova. Urime për Zvicrën”.

Ironikisht, mu këta dy lojtarë të cilët vazhdimisht ishin fishkëllyer nga tifozët serbë, deficitin nga pjesa e parë e kthyen në një fitore zvicerane: Përveç Shaqirit, edhe Granit Xhaka. Ishte një ndeshje e nxehtë që pritej në Kupën e Botës në Rusi.

Ndeshjet e futbollit midis Zvicrës dhe Serbisë, që para disa vitesh janë ndezur emocionalisht. Kjo ka ndodhur për shkak të lojtarëve kombëtarë zviceranë me origjinë shqiptare të Kosovës: Xhaka, Shaqiri, apo Behrami. Arsyeja: Serbia refuzon ta njohë ish-krahinën e saj si një shtet të pavarur.

Sikurse Xhaka, po ashtu edhe Shaqiri kanë festuar me duart e tyre të kryqëzuara mbi njëra-tjetrën, duke aluduar në shqiponjën dykrenare. Është shpendi heraldik i shqiptarëve. Reagimi i Shaqirit ndaj fishkëllimave të serbëve? “Kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me futbollin,” ka thënë pas pak kohe Shaqiri para kamerave.

Bile edhe Xhaka është distancuar nga politika: “Gjesti ishte për njerëzit që gjithmonë më mbështetën, nuk u drejtua kundër kundërshtarit”.

Në rrjetet sociale, festimet e golave ​​të Xhakës dhe Shaqirit tashmë po bëjnë xhiro. Kosovarët janë krenarë për heronjtë e tyre të futbollit. Shenjën e shqiponjës do të gjeni me të madhe.

Trajneri kombëtar zviceran Vladimir Petkoviq u përpoq të mbajë distancën e tij nga debati politik. “Ne e ndajmë sportin nga politika. Unë e mbaj këtë qëndrim njësoj sikurse ekipi dhe lojtarët. Ne jemi neutral në, dhe jashtë fushës së gjelbër”. Por pastaj ai e ngriti gishtin e tij paralajmërues drejtuar mediave dhe tha me ironi: “Unë jam mirënjohës që u derdh gaz në zjarr”.

Trajneri serb Mladen Krstajiq nuk ka dashur të diskutojë rreth festës së golit të fitores të zviceranëve. “Unë nuk jam një njeri që merret me këtë. Unë jam një sportist dhe i tillë do të mbetem”. Nga ana tjetër, Shaqiri ka marrë gjithashtu një paraqitje ikonografike: atë të italianit Balotelli.

Nga BBC, te New York Times: Si e komentojnë mediat e huaja, “shqiponjën” e Xhakës dhe Shaqirit

Përveçse është folur për golin që i dha fitoren Zvicrës ndaj Serbisë, mediat ndërkombëtare kanë folur dhe për shqiponjën që Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri bënë ndaj serbëve. Çuditërisht tifozët zviceranët kërkojnë përjashtimin e Xhakës dhe Shaqirit

The Sun shkruan se ata kanë lindur në Kosovë. “Vëllai i tij Taulanti luan për Shqipërinë, dhe të dy janë shumë krenarë për trashëgiminë e tyre”, vijon shkrimi. Nuk mungojnë as shkrimet e BBC, Sport Illustrated, Goal.com, Daily Express, madje dhe New York Times, e cila thotë se Zvicra mundi Serbinë në një ndeshje sa historike dhe politike, për shkak të veprimit të dy lojtarëve.

Çuditërisht tifozët zviceranët kërkojnë përjashtimin e Xhakës dhe Shaqirit

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë marrë mbi shpatulla Zvicrën për ta udhëhequr drejt fazës tjetër në Rusi 2018, por në mënyrë të pabesueshme, vetë tifozët e tyre kërkojnë që ata të dënohen sepse festuan me “shqiponjë”.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Serbisë, në lajmin që ka bërë televizioni kombëtar zviceran “SRF” në faqen e internetit për ndeshjen, janë postuar me dhjetëra komente ku shumë tifozë zviceranë kërkojnë që Xhaka dhe Shaqiri të dënohen nga Federata Zvicerane apo edhe të përjashtohen,.

Sipas tyre, ata kanë thyer rregullat e vendosura në kombëtare e me një gjest të papërgjegjshëm, kishin provokuar lojtarët dhe tifozerinë kundërshtare.

Menjëherë ka plasur një debat i ndezur me tifozë të tjerë, të cilët e shihnin këtë si një gjest emocional që nuk mund t’u ndalej lojtarëve për sa kohë që nuk ishte ofensiv dhe për sa kohë që ata vazhdonin të impenjoheshin maksimalisht me fanellën e Zvicrës, shkruan Vip Sport.

Të dy futbollistët shqiptarë kanë zgjedhur të njëjtën mënyrë për të festuar golat e realizuar, duke bërë me duar shqiponjën.

Duhet theksuar se në nëntor të vitit 2014, vetë futbollistët shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën, kanë vendosur që të heqin shqiponjën si pjesë të festimit të tyre.

Kjo, për të vetmen arsye pasi një festë e tillë i kishte hapur shpeshherë probleme këtyre futbollistëve duke i kthyer në qendër të polemikave në Zvicër, pasi ndjenja e përkatësisë shqiptare nuk mund të pranohej lehtësisht nga tifozët zviceranë.

Por kur bëhet fjalë për një takim në Botëror kundër Serbisë, Xhaka dhe Shaqiri nuk mundën t’i përmbaheshin rregullave të vendosur nga vetë ata.