Suedia një makth, Italia komplikon kualifikimin

Me mbështetjen e 50 mijë tifozëve në shkallët e stadiumit, Suedia ia ka dalë të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në botërorin ‘Rusi 2018’. Skandinavët mposhtën 1-0 Italinë, në një takim të luftuar shumë dhe do të jenë më të qetë në ndeshjen e kthimit, pas 3 ditëve në Milano

Pjesa e parë ishte me një ritëm mjaft të lartë, ku vendasit, të nxitur edhe nga tifozëria e zjarrtë, tentuan të vënë në vështirësi italianët me anë të presingut të vazhdueshëm. Gjithsesi, skuadra e Venturës u mbrojt mirë, ndërsa kërcënoi disa herë rrezikshëm me anë të kundërsulmeve. Vlen të përmendet një karton i verdhë i Verratit, që i kushton atij mungesën në sfidën e ardhshme, në ‘San Siro’, të hënën në mbrëmje.

Në pjesën e dytë Italia shfaqet më kërkuese, por golin e gjen Suedia. Daniele De Rossi është i pafat, pasi devijon në rrjetë një goditje të Johansson, me topin që po shkonte jashtë portës dhe shtang Buffonin.

‘Të kaltrit’ reagojnë menjëherë dhe hidhen në sulm, ndërsa i shkojnë shumë pranë golit, me anë të mbrojtësit të Manchester United-it, Darmian, që gjuajti nga jashtë zone, por topi u përplas në shtyllën e portierit të Suedisë. Trajneri i Italisë, Ventura hedh në fushë sulmuesit Eder dhe Insigne, por sërish nuk arrin të gjejë golin e barazimit.

Me këtë rezultat, Italia ka komplikuar rrugën për në Rusi, pasi në ‘San Siro’ do t’i duhet një fitore me 2 gola diferencë për të siguruar kualifikimin, ose të paktën me të njëjtin rezultat, për të çuar takimin në shtesë.

61’ – Suedia kalon në avantazh. Daniele De Rossi është i pafat, pasi devijon në rrjetë një goditje të Johansson, me topin që po shkonte jashtë portës dhe shtang Buffonin.

Distria Krasniqi, kampione e Evropës

Distria Krasniqi (52 kg) bëri paraqitje shumë të mirë në finale ndaj rumunes Alexandra-Larisa Florian, duke triumfuar dhe fituar titullin e Evropës U-23. Ajo tregoi teknikë të përsosur dhe me plotë meritë e mundi rivalen

Xhudistja Distria Krasniqi kualifikohet në finalen e madhe të Kampionatit Evropian U-23, e cila do të takohet me rumunen Alexandra-Larisa Florian. Distria po kalon formë të mirë e cila deri me tani ka shkatërruar një nga një rivalet, si në rrethin e parë Betina Temelkova (Izraeli), pastaj në çerekfinale Daria Bobrikova (Rusia) dhe në gjysmëfinale Francesca Giorda (Italia).

Kampionati mbahet në kryeqytetin malazez, Podgorica. Flaka Loxha (57 kg) është eliminuar në disiplinën 57 kg, e cila shënoi një fitore e pësoi një humbje. Ajo fitoi ndaj turkes Meltem Dindar dhe humbi nga italiania Miriam Boi. Ndërkaq, Leutrime Kelmendi (57 kg) e mposhti azerbajxhanasen Ichinkhorloo Munkhtsedev dhe u mposhtë nga Tihea Topolovec (Kroacia). Kelmendi dhe Loxha me gjithë luftërat e mira nuk vazhduan me tej.

Zvicra bën hapin e madh drejt Rusisë

Zvicra ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit për Botërorin “Rusia 2018”.

Zviceranët mposhtën 0 me 1 Irlandën Veriore në takimin e parë të “Play-Offit”.

Ricardo Rodriguez realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 58-të. Ai shënoi nga penaltia.

Për Zvicrën u paraqitën edhe yjet shqiptare Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas tre ditësh në Zvicër.

Veseli: Stadiumi Olimpik do të ndërtohet në Drenas

Është përuruar faza e parë e stadiumit të qytetit të Kaçanikut që mban emrin e dëshmorit “Besnik Begunca”, e që ndërtimi i tij ka kushtuar mbi 300 mijë euro

Për të përuruar këtë stadium ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili premtoi se në katër vitet e ardhshme do të investojnë rreth 100 milionë euro në stadiume.

Po ashtu, Veseli përmendi ndërtimin e Stadiumit Olimpik të Kosovës për të cilin tha se do të ndërtohet në Drenas.

“Do të vazhdojmë investimet në sport, sporti do të jetë prioritet ynë për katër vitet e ardhshme. Do të investojmë minimalisht në këto katër vitet rreth 100 milionë euro vetëm në stadiume, të jeni të sigurt. Ky stadium nuk është përfunduar është në fazën fillestare do të ndërtohen edhe tribunat. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe stadiumin në Vushtrri, do ta ndërtojmë një stadium i cili do t’i përmbushë të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare. Jemi në fazën finale të një investimi i cili do të jetë afër Stadiumit më të madh Olimpik, e cila do të jetë edhe qendër sportive në Drenas të cilën do ta ndërtojmë një investim 50 milionë euro , në të njëjtën kohë do të vazhdojmë në komunën e Prizrenit stadiumin e dytë më të madh në Republikën e Kosovës”, tha Veseli në Kaçanik, raporton Kosovapress.

Po ashtu, ai tha se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë do të finalizohet shumë shpejt, si dhe stadiumi i Prishtinës, për të cilin tha se edhe pse i vogël është në qendër të Kosovës dhe është krenari e futbollit.

Veseli tha se do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe shumë stadiume të futbollit të vogël dhe në të njëjtën kohë në çdo shkollë do të ndërtohen terrene sportive.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se janë dakorduar që do të vazhdojnë edhe me fazën e dytë të ndërtimit të këtij stadiumi e që do të rregullojnë edhe tribunat.

Ministri Gashi tha se gjatë mandatit të tij do të bëjë përpjekje që të realizojnë nga një stadium në çdo qytet.

“Unë e kam marrë një porosi qysh në fillim të mandatit nga kryetari i Kuvendit Veseli për ta bërë çdo qytet me stadium, prandaj po mundohemi që në kuadër të objektivave të Ministrisë së Kulturës të kemi investime të stadiumeve në çdo qytet. Prandaj, edhe kërkesat e tjera edhe iniciativat tjera që do të vijnë nga kryetari i Komunës ne fuqishëm do ti mbështesim”, tha ministri.

Shembull të mirë dhe që duhet ndjekur edhe nga komunat e tjera e quajti kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. I cili tha se shpreson që nga Kaçaniku të vazhdohet edhe në qytetet e tjera ndërtimi i stadiumeve të tilla.

“Është një shembull i cili duhet të ndiqet edhe në komunat e tjera dhe unë shpresoj meqenëse mjaft çalojmë në infrastrukturën sportive anë e mbanë Kosovës dhe shpresoj që këtu nga Kaçaniku të vazhdojmë edhe në komunat e tjera”, tha Vokrri.

Ndërsa, kryetari aktual i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili më 19 nëntor do të përballet në balotazh me Basri Kodrën e Vetëvendosjes tha se ndërtimi i këtij stadiumi u bë fal ndihmës nga niveli qendror.

“Falë punës dhe përkrahjes që e kemi pasur nga niveli qendror, konkretisht nga Qeveria, respektivisht edhe nga ministri i Kulturës, ne sot kemi arritur ta përmbyllim një projekt apo fazën e parë të projektit të stadiumit që mban emrin e dëshmorit ‘Besnik Begunca’. Një stadium të cilin sot po e përurojmë koston e së cilës ka pasur diku 300 e 23 mijë euro në bashkëfinancim me komunën e Kaçanikut”, tha Ilazi.

Ndërtimi i stadiumit të qytetit të Kaçanikut “Besnik Begunca” është bërë në financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Komuna e Kaçanikut.

Anthony Joshua mbron titullin e botës

Anthony Joshua është rikonfirmuar kampion i botës në peshat e rënda në boks, duke mbrojtur titujt IBF, WBA dhe IBO

Anthony Joshua është rikonfirmuar kampion i botës në peshat e rënda në boks pasi e mposhti boksierin nga Kameruni, Carlos Takam, në një meç të zjarrtë në Cardiff.

Britaniku të shtunën mbrëma mbrojti titullin në Cardiff në “Principality Stadium”, para më shumë se 70 mijë shikuesve dhe milionave të tjerë para ekraneve, duke e mposhtur Carlos Takamin.

Joshua dominoi meçin që nga fillimi. Ai fillimisht i çau syrin e djathtë kundërshtarit e më pas gjatë raundeve edhe atë të majtë, çka shtyri gjyqtarin të ndërpresë me meçin, për t’ia mundësuar Joshuas të mbrojë titullin e botës.

Kjo ishte fitorja e 20 në 20 meçe deri më tani në karrierë për Joshuan, 19 me nokaut dhe kjo tani e ndërprerë para kohe për shkak të përgjakjes së kundërsharit.

Sigal Prishtina shënon edhe fitoren e tretë rresht në FIBA Europe Cup

Sigal Prishtina nuk po njeh kundërshtarë, vjen edhe fitorja e tretë rresht në FIBA Europe Cup. Prishtinasit kanë qenë mysafirë të skuadrës ukrainase të Khimikut, megjithëse, ndeshja u zhvillua në Pallatin Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë

Bardhekaltërit kanë triumfuar kundër skuadrës ukrainase me rezultat 78-59, ku dominuan gjatë gjithë ndeshjes së sotme. Në çerekun e parë kampionët tanë treguan se edhe në ndeshjen e dytë do të triumfojnë pasi që e përmbyllën me 12 pikë epërsi, 26:14.

Periudha e dytë ishte më e barazuar pasi që “Plisat” shënuan vetëm 15 pikë ndërsa pranuan një më shumë dhe kështu pjesa e parë përfundoi me rezultat 40:31. Edhe në njëzet minutshin e dytë prishtinasit ishin më të mirë se kundërshtarët e tyre dhe kështu triumfuan edhe në takimin e dytë ndaj bardhegjelbërve.

Periudhën e tretë, të besuarit e trajnerit Ahmet Kandemir kanë arritur epërsinë më të thellë prej 16 pikëve në saje të rezultatit 60:44. Në dhjetë minutshin e tretë si duket kundërshtarët u dorëzuan krejtësisht pasi që Sigal Prishtina triumfoi me rezultat prej 78:59. Basketbollisti më efikas te vendasit ishte Adrien Arians me 12 pikë ndërsa te mysafirët u veçua me lojë të bukur Andrew Lawrence me 15 pikë.

Kujtojmë se te dyja takimet u zhvilluan në kryeqytetin e Kosovës, pas një marrëveshje në mes të dy klubeve, meqenëse Ukraina nuk i njeh pasaportat e shtetit tonë. Në ndeshjen e radhës kundërshtar i Sigalit do të jetë skuadra turke e Demir Insaat Buyukcekmece, e cila renditet në vendin e dytë.

Pas kësaj, Prishtina ka bilanc prej tre fitoreve nga po aq ndeshje ndërsa ukrainasit kanë tre humbje dhe asnjë fitore në grupin G. /Telegrafi/

Sigal Prishtina, lider i grupit në Europe Cup

Prishtina ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të Europe Cup. Bardhekaltërit triumfuan para shikuesve të vetë në pallatin e Rinisë dhe Sporteve kundër skuadrës së Khimikit me rezultat 76-63, e cila i solli edhe lidershipin në grupin G

Pjesa e parë përfundoi në dobi të vendasve në saje të një loje mjaft të bukur të treguar në sulm dhe një mbrojtje të fortë. Prishtinasit kanë përfunduar periudhën e parë të takimit me pesë pikë epërsi, përkatësisht 22:17. Edhe në çerekun e dytë kampioni i Kosovës u tregua më e mirë se skuadra bjelloruse duke përmbyllur 20 minutshin e parë me avantazh prej nëntë pikëve, 38:29.

Theksojmë se vetëm në njëzet minutat e para shkëlqeu basketbollisti më i mirë i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, i cili ishte enigmë për mysafirët teksa realizoi 17 pikë. Në pjesën e dytë, prishtinasit vazhduan me lojë të bukur që i solli fitoren e radhës në këtë garë evropiane.

Në periudhën e tretë të takimit, bjellorusët luajtën më mirë në fazën e sulmit dhe kështu zvogëluan disavantazhin në 49:43. Por, çereku i katërt i takoi ekipit tonë në saje të kujdesit më të madh në mbrojtje dhe efikasitetit para koshit të kundërshtarit dhe në këtë formë, “Plisat” triumfuan me rezultat

Dardan Berisha ishte basketbollisti më efikas në ndeshje duke realizuar 22 pikë ndërsa te mysafirët ishte Austin Arians me 15 sosh.

Theksojmë se edhe ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet në Kosovë, pasi që shteti i Bjellorusisë nuk i njeh pasaportat e vendit tonë gjersa takimi do të luhet më 27 tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes dy skuadrave.

Pas kësaj, Prishtina ka bilanc prej dy fitoreve nga po aq ndeshje ndërsa bjellorusët kanë dy humbje dhe asnjë fitore në grupin G. /Telegrafi/

KOK-u ndan Bursa Olimpike për 19 sportistë, premtojnë medalje nga ‘Tokio 2020’

19 sportistët më të mirë që aktualisht ka Kosova, sot janë bërë me Bursa Olimpike. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në një ceremoni solemne ka nënshkruar kontrata për Bursa Olimpike “Tokio 2020” për 19 sportistët më të mirë të Kosovës

Në këtë eveniment e pranishme ishte edhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila i prinë listës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, trajnerë dhe drejtues të federatave të shumta sportive.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani tha se ka zgjedhur ditën e sotëm për këtë ceremoni sportive që përkon me trevjetorin e pranimit të përkohshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Sipas tij, pranimi i KOK-ut në KON i hap rrugën pranimit të federatave tjera sportive në federatat përkatëse në Evropiane e Botërore si dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Evropiane dhe Olimpiadën e Rios. Hasnai theksoi se medaljet e fituar në Baku dhe Rio e ngritën imazhin e Kosovës, raporton KosovaPress.

“Kemi zgjedhur ditën e sotme për këtë manifestim të rëndësishëm, sepse përputhet me trevjetorin e përhoshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtare mundësoi njohjen e të gjitha federatave të panjohura deri atëherë dhe pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike. Vendimi i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar padyshim se ishte historik jo vetëm për ne, por edhe për vet lëvizjen ndërkombëtare, por ajo që na bën krenar është Kosova mirënjohëse ua ktheu më të mirë komunitetit sportiv botëror më sjellje të mira, madje edhe në Lojërat Olimpike Evropiane, ku Nora Gjakova u stolis më medalje, ndërsa në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, Kosova u stolis me medalje të artë falë heroinës sonë Majlinda Kelmendit. Medalja e bronzte e Nora Gjakovës në Baku dhe medalja e artë e Majlinda Kelmendit në Rio, me trajnerin e tyre të përmasave botëror, Driton Kukën e ngritën imazhin e Kosovës në piedestalin më të lartë botëror. Faleminderit Driton, Majlinda, Nora, faleminderit u them edhe sportistëve të tjerë dhe trajnerëve të tyre, fitues të shumë medalje nga kampionatet botërore e evropiane dhe në garat tjera të niveleve prestigjioze”, ka thënë Hasani.

I pari i KOK-ut tha se falë kritereve të përcaktuar nga solidariteti i KON-it e bazuar nga përvojat e mira nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, Bordi i KOK-ut ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë të vendit të jenë fitues të Bursave Olimpike. Hasani thotë se KOK-u ndan rreth 300 mijë euro për Bursa Olimpike.

“Falë kritereve të përcaktuar nga solidariteti i KON-it, bazuar nga përvojat e mira nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’ dhe eksperienca të Komitetet Olimpike Kombëtare, Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik të Kosovës, më një përkushtim të skajshëm ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë që i ka Kosova për të qenë përfitues të Bursa olimpike ‘Tokio 2020’. Këta 19 sportistë u takojnë tetë sporteve olimpike individuale dhe nëntë prej tyre janë të gjinisë femërore. 7900 dollarë amerikan ndahen për çdo muaj për 36 muajt në vijim që në total kalon shumë 255 e 600 mijë dollarë amerikan. Nëse kësaj shumë i shtohen edhe bursat për Lojërat Olimpike Dimërore në Piynk Qan 2018, atëherë del se falë mjeteve nga Solidariteti Olimpik i Kon, por edh mjeteve tjera të gjeneruara nga partnerët publik e privat, KOK-u për bursa olimpik ndan rreth 300 mijë dollarë”, ka theksuar Hasani.

E Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Kujtim Gashi, tha se këto bursa do të ndikojnë jashtëzakonisht në ngritjen e performnacës së sportistëve që përfituan Bursa Olimpike. Ai u zotua se Ministria e Sportit do të jetë në mbështetje të sportistëve të cilët do të arrijnë suksese.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po organizohet ceremonia e nënshkrimit më 19 sportistë më të mirë të Kosovës të cilëve u prin Majlinda Kelmendi, fitues e medaljes olimpik nga Olimpiada e Rios. Padyshim se kjo mbështetje e drejtpërdrejt për këta sportistë do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në rritjen e performancës së tyre në drejtim të arritjes së normës olimpike që do të ju mundësonte pjesëmarrjen e sigurt në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Jam sot këtu me ju në këtë ceremoni solemne për të treguar përkushtimin tim si ministër dhe për të garantuar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit për Komuniteti Olimpik të Kosovës. Jam këtu për tu zotuar për mbështetjen e sportistëve që arrin rezultatet, por edhe për të treguar së në këtë do ta kemi prioritet të veçantë për mbështetjen e sportistëve të dalluar të cilët janë ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit të Kosovës”, theksoi Ministri Gashi.

Ndërkaq, trajneri xhudos, Driton Kuka, shprehet i bindur se sportistët që përfituan bursa do të arrijnë suksese në tapetet ndërkombëtare me theks të veçantë në Olimpiadën e ardhshme ‘Tokio 2020’.

“Ky konfiguracion i sportistëve po me jep shpresë, të them të drejtën ata bursistat e Rios mu kanë dukur më të ligsht, këta po më duken pak më serioz, dhe po besoj se do të arrijnë norma olimpike, të paktën në tri sporte që do të jenë vlerë dhe e di se katërvjeçarin e kaluar, sporti i Kosovës ka shumë medalje, shumë medalje nga kampionatet evropiane e botërore, dhe në fund u kurorëzua me medalje olimpike. Në emër të trajnerëve zotohem se do të punojmë seriozisht, që do të fitojmë olimpike dhe patjetër që nga Tokio do të kthehem me medalje olimpike”, ka pohuar Kuka.

Medalje në katërvjeçarin e ardhshëm, ka premtuar edhe karateisti i njohur i vendit tonë, Herolind Nishevci.

“Unë si çdo sportist jam i lumtur për këtë burse, është një motivim shumë i madh për ne që edhe në katër vjetarin e ardhshëm do të sjellim edhe shumë medalje. Për këtë gjë dua të falënderoi Komitetin Olimpik dhe shpresoj se do të sjellim sa më shumë medalje Kosovës”, tha Nishevci.

E krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi beson se Kosova do të ketë një ekip shumë më të fortë në ‘Tokio 2020’. Ajo është e bindur se sportistët që përfituan bursa nga KOK-u do të arrijnë normat olimpik për Olimpiadën e ardhshme.

“Unë vetëm dua të falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komitetin Olimpik ndërkombëtar, në emër të sportistëve për këtë burse, e cila sigurisht se i ndihmon mjaft sportistët që të përgatiten për Lojërat Olimpike. Unë shpresoj shumë që shumica nga ne që jemi këtu ta fitojnë normën olimpike dhe te kemi një ekip më të madh shumë më serioz sesa që kemi pasur në Rio 2016”, theksoi Kelmendi.

Xhudistja pejane beson se sportistët e Kosovës në katërvjeçarin e ardhshëm do të arrijnë suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Haradinaj: Majlinda, heroina jonë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se është takuar me xhudisten e njohur Majlinda Kelmend dhe trajnerët e xhudos Driton dhe Agron Kuka

Sipas Haradinajt, Majlinda është vajzë e artë dhe se ajo do të mbetet gjithmonë heroinë.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Është për çdo admirim puna e ekipës, Majlinda Kelmendi, Driton dhe Agron Kuka, që kaluan të gjitha sfidat për të lënë shenjë të pashlyeshme në historinë e sportit kosovar duke e nxjerrë Kosovën ashtu siç kemi dëshirë të jemi në të gjitha aspektet tjera. Puna ekipore dhe vendosmëria gjithmonë paguhen dhe të gjithë mund të mësojmë nga kjo.

Majlinda, vajza e artë, është dhe do të mbetet përgjithmonë heroina jonë dhe fitoret e saja do të vazhdojnë të frymëzojnë sportistët shqiptarë për gjenerata të tëra.

I sigurova, që Qeveria që unë drejtoj, do të angazhohet që të gjithë sportistët tanë të trajtohen me dinjitet, duke ju siguruar atyre kushtet e nevojshme që t’i sjellin fitore të reja Kosovës dhe të vazhdojnë të na bëjnë të gjithëve krenarë.

Vuçeliq: Shqiptarë, do t’ju kthejmë këtë

Kryetari i klubit të futbollit Partizan nga Beogradi është i mahnitur me mënyrën me të cilën është pritur kampioni serb në Tiranë. Në krye të delegacionit të Partizanit të Beogradit në Shqipëri gjendet kryetari i klubit Millorad Vuçeliq

Njeriu i parë i kampionit serb është i mahnitur me pritjen që iu është bërë në Tiranë, dhe për 24 orë, sa ka kaluar Partizani në kryeqytetin shqiptar, nuk kishte asnjë ankesë, përkundrazi…

“Jemi pritur me shumë dashamirësi, po ndihemi si në shtëpi. Organizimi është në nivelin më të lartë të mundur, dhe vërtet jam i befasuar për të mirë. Edhe pse të gjitha kalimet nga aeroporti e deri në hotel kanë qenë të hapur dhe kemi qenë me përcjellje, asgjë nuk dukej kërcënuese, por shumë normale”, i shpreh përshtypjet e para kryetari i Partizanit, transmeton gazetametro.net.

“Janë shumë mikpritës, të mirësjellshëm dhe ne ndihemi shumë mirë. Duhet ta lavdërojë nikoqirin nga zemra”, ka shtuar Vucelic.

Futbollistëve iu është kufizuar lëvizja, por kjo nuk është asgjë në krahasim me vizitat me mëhershme nëpër Evropë e poashtu edhe nëpër Serbi.

“Kjo është normale… Lojtarët janë të koncentruar në ndeshje dhe nuk kanë shumë kohë të shëtisin. Sugjerimi ishte nga ana jonë që ata mos ta braktisin hotelin, ndërsa ju (gazetarët) keni shëtitur krejt normalisht nëpër rrugët e qytetit dhe nuk keni përjetuar asnjë problem më të vogël.

Deri tani në Tiranë nuk kemi hasur as në ndonjë shikim të shtrembër ndaj delegacionit të Partizanit.

“Vërtetë, kështu është përshtypja ime. Jo vetëm që nuk na kanë shikuar shtrembër, por njerëzit të cilët i kemi takuar janë sjellë skajshmërisht mirë, me mikpritje shumë të madhe, dhe shihet qartazi se këtë e bëjnë nga zemra, asgjë nuk është fals”, vazhdon Vucelic me lëvdata në llogari të nikoqirit në Tiranë.

“Partizani do të bëjë gjithçka që edhe ata të ndihen në Beograd sikur ne tani ndihemi në Tiranë. Por, kjo nuk është vetëm nga klubi, por edhe nga shteti. Jam i sigurt që edhe ne do t’iu kthejmë këtë kujdes”, ka porositur njeriu i parë i kampionit serb.

“Shpresoj që edhe njerëzit tanë në Beograd do të tregohen nikoqirë të mirë dhe mikpritës. Se do t’iu revanshohemi në mënyrë të drejtë. Nëse ndodh ndryshe, do të turpërohemi!”./gazetametro.net.