Rrugët tona në udhëkryqin etnik

Nga Mr. Delvina Kërluku

Edhe njeriu me “dy ditë shkollë” e ka të qartë se njëri ndër faktorët kyç për zhvillimin e një vendi është infrastruktura rrugore, përveç asaj hekurudhore, ujore e ajrore. Prandaj, gati të gjitha qeveritë konstruktive, pjesën më të madhe të investimeve kapitale, i orientojnë tek infrastruktura. Bile, qeveri vizionare, të disa shteteve, shtrojnë linja hekurudhore nëpër territore të cilat planet urbanistike i hartojnë dhe jetësojnë shumë më vonë.

Por tek strategjia e zhvillimit infrastrukturor, ka dhe një tjetër, shumë të rëndësishme – atë të shpërndarjes harmonike në mbarë territorin e shtetit, madje me përparësi të theksuar për viset e pazhvilluara, ose më pak të zhvilluara. Këto modele të infrastrukturës hartohen dhe zbatohen me përpikëri, pasi qeveria është e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme se kjo politikë sjell zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm, por nuk shkakton as shqetësime sociale dhe etnike.

Por ç’ndodh në Rastin e Maqedonisë (po deshët edhe të ish Jugosllavisë)? Këtu, qeveritë e djeshme, edhe të sotme, komponentës së shpërndarjes harmonike të buxhetit të paraparë për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, i ikën si shejtani temjanit. Bile bëjnë njëqind e një hile, vetëm e vetëm pjesët më pak të zhvilluara të mos zhvillohet dhe sidomos ndër viset ku banojnë shqiptarët të mos shtrohet asnjë metër asfalti dhe të mos shtrihet asnjë metër hekurudhe.

Çudit fakti që me këtë politikë diskriminuese, pajtohen gjithmonë pjesëmarrësit (shpesh herë kukulla) shqiptarë. Edhe naivi më i madh këtë e sheh si dritën e diellit. Për ta pasur lexuesi pak më të qartë këtë politikë të mbrapshtë, po japim vetëm disa shembuj. Psh. Korridori dhjetë, i cili lidh Beogradin me Athinën, edhepse është mjaft i gjatë dhe i kushtueshëm, është në përfundim e sipër, kurse korridorit tetë që lidh Tiranën (Durrësin) me Shkupin, nuk i është shtuar asnjë centimetër.

Deri tani janë ndërtuar vetëm 35 km (Tetovë – Shkup). Rruga Kërçovë – Ohër (lexuesit nuk e kanë harruar reklamën false me emërtimin e parë: Kërçovë – Strugë – Qafë Thanë, sa për tu hedhur hi syve shqiptarëve të mjerë, është një tallje me qytetarët. Për tre vjet nuk është ndërtuar asnjë metër. Kudo gjatë trasesë syri të sheh vetëm grumbuj dherash. Shqiptari ka sy dhe e sheh hilenë.

Ai pyet: përse u bë kjo kontratë me kinezët e jo me të tjerët; përse me kinezët qeveria u mor vesh për rrugën Milladinovci – Shtip, e për këtë s’u marrka vesh. Pse ju dha përparësi asaj rruge (gojët e liga flasin se i duhet Zaevit për të shkuar më rehat në Strumicën e tij).

Jo vetëm kaq: përse në pjesën Lindore dhe Qendrore të Maqedonisë ndërtohen rrugë të shpejta dhe paralele, siç është rasti i rrugës Shtip – Radovish, Rankovcë – Kriva Pallankë, deri në Deve Bair, Kumanovë – Beljakovce – Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë (hekurudhë), pastaj asaj Veles – Prilep, etj, etj., kurse për rrugët Tetovë – Prizren, Dibër – Strugë, Dibër – Kërçovë, Dibër – Mavrovë – Bllatë, Shkup-Bllacë, Tetovë-Jazhincë, Likovë-Bellanoc etj., pra aty jetojnë shqiptarët, asnjë plan, asnjë fjalë, asnjë zë. Me këtë politikë diskriminuese qeveria jonë, jo vetëm që i dëmton shqiptarët, edhe duke i shfrytëzuar kontributet e tyre për t’u ndërtuar super rrugë maqedonasve, por e dëmton edhe zhvillimin ekonomik të mbarë shtetit, meqë nuk ia bën të mundshme daljen më të shpejtë, më të afërt e më të sigurt në portet detare (të Shqipërisë)!!!

Pra, në Maqedoni janë ndërtuar rrugë kudo e kahdo, vetëm rrugë që lidhin shqiptarët këtu dhe me shtetet shqiptare, nuk ndërtohen.
Për ata që s’kanë lidhje me gjeografinë dhe demografinë, deklaratat e ministrit Sugarevski, apo kryeministrit, tingëllojnë aq të bukura dhe aq bindëse, sa s’ka. Dhe të tilla janë, por për një pjesë të qytetarëve, jo për të gjithë. Në rastin konkret jo për ne shqiptarët.

Si fëmijë e dëgjoja shpesh një parullë plot pezëm të shqiptarëve. Trepça punon-Beogradi ndërton! Kam frikë se kjo parullë pak e ndryshuar të dëgjohet në gojën e shqiptarëve të Maqedonisë: Shqiptarët kontribuojnë – Maqedonasit ndërtojnë. Natyrisht jo vetëm rrugë, por edhe zona industriale, fabrika, shkolla, spitale, salla sportive, shtëpi kulture etj.

Vuçiq, ky politikan steril

Nga Spartak Ngjela

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, deklaroi dje kapitullimin e Serbisë, me pretendimin që “Kosovën e mbron Uashingtoni dhe Londra”.

Ai e pa këto ditë me ngashërim dhe tërbim që elita e forcës botërore ishte me pavarësinë e Kosovës.

Ishte i mërzitur.

Po pse, nuk e di ky nacionalist steril serb se Shqipërinë e ka gjymtuar Rusia dhe Franca dhe heshtja e Londrës?

Nuk e di ky hero milosheviçinan që shqiptarët janë masakruar nga serbët dhe osmanët bashkë, se i ka përkrahur Rusia?

Tani e kuptoi Presidenti serb se në analet e politikës anglodaksone është quajtur gabim i Londrës politike shkatërrimi i Austro-Hungarisë dhe krijimi i Jugosllavisë?

Tani e mësoi Presidenti serb se politika anglodaksone është kthyer te politika realiste dhe e thellë austro-hungareze me shqiptarët dhe për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor?

Pse, nuk e di histriografia shqiptare që emri Kòsovo është emër sllav i vendosur me dhunë nga Stambolli dhe Moska në shekullin e XIX- të, për të larguar shqiptarët dardanë me dhunë nga trojet e tyre tre mijë vjeçare?

Pse, kaq të lehtë jeni, zoti Vuçiç, ju serbët që vërtet mendoni se mund të bleni shqiptarët ashtu siç i keni blerë në këta 200 vjet?

Pse, zoti Vuçiç, vërtet mendoni se me korrupsionin aktual shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë do të vazhdoni eskalimin në pushtim të tokave shqiptate?

Pse, zoti Vuçiç, tani e kuptove që aleanca amerikano -shqiptare sapo ka nisur dhe ka në qëndër të saj unifikimin shqiptar në Ballkanin Perëndimor?

Pse, zoti Vuçiç, tani e kuptove që aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor, ka pushtetin real sot në Shqipëri dhe nuk i përfill fare ca të korruptuar kryeministrorë në Tiranë?

Pse, zoti Vuçiç, më gjithë mend shpresove që me një grusht të korruptuarish shqiptarë do të mundje ti politikën amerikanë në Ballkanin Perëndimor?

Pse, zoti Vuçiç, tani u binde që korrupsioni kryeministror shqiptar është “një njëri i vdekur tashmë” në Tiranë?

Pse, vërtet nuk e kishe kuptuar, zoti Vuçiç, që Dardania ishte guri themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë, kurse vetë Milosheviçi ishtë krijim tragjik i dëshpërimit dhe jo i shpresës?

Pse, tani, pas njëzetë vjetësh, e kuptuat ju, zoti Vuçiç, që, jo ju, por shqiptarët janë aleatë natyrorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Pse, zoti Vuçiç, vërtet menduat ju serbet se të ardhurit do t’i shuanin nga faqja e dheut arbërit autoktonë të Ballkanit?

Pse, ende nuk e dini ju, zoti Vuçiç, që ky yni quhet Gadishulli Ilirik, se Ballkan ka rreth 100 vjet që e kanë quajtur rusët dhe turqit për hatrin tuaj si pushtuesë?

Dhe më në fund, përsëri nuk jeni të humbur me gjithësej.

Dhe, gjithashtu:
Nuk ka rëndësi, se ne shqiptarët kemi një shprehje të mënçur e të bukur që e keni në favor:
Më mirë vonë se kurrë.

Klepsidra në kullën e ngujimit

Nga Bejtush Isufi

Plaga që kaherë fshihej nën kraharorin tim, si zjarri i mbuluar nga hiri, sonte shpërtheu si vullkani e qiellit pastaj fluturuan shkëndijat e tij si fishekzjarrë… e më vonë u fikën ngadalë… u tretën rrugëve të gjithësisë, sikur të mos kishin qenë kurrë…

Ky shpërthim më vrau pritjen dhe më dogji ëndrrën e thurur me aq shumë fije shprese, si qilimat e nënës të mbushur me kënde të kuqe që hyjnë në katrorët e zinjë dhe anasjelltas, duke ndërruar kënd shikimin, këto kënde e katrore radhiteshin në vargje dhe rrathë si unazat e Saturnit,… si lumenjtë që rrëmbyeshëm zbresin bjeshkës…

…Besoja se e kisha gjetur rrugën time të dritës, e tash e shoh se i paskam humbur edhe gjurmët prej nga isha nisur… !? Si mund të ik nga ky labirint i pa fund… nga kjo kullë e ngujimit?

Kisha hapur gjithë ato rrugë të hekurta që nuk më shpinin askund, një soj si gjymtyrët e mija që i mbaj vetëm sa për të bartur kujtimet nga një ditë te tjetra, duke pritur që të ndërtoj muzeun tim të kujtimeve… aty ku do të vendos eksponatet e mija në vitrina, në dollapë qelqi të kyçura në dry…

… Por kot, në muze nuk ruhen ngjyrat, ato më duhet ti mbaj në bebëzat e syve të tu.. në pedalet e lules dhe në krahët e zogjve…

… Me shkëndijat dhe dritën, ikën edhe ajri e kujtesa, prandaj kthehem ti ndez vetes qirinjtë e mbetur dhe të takoj hijen tënde…

Por pse kthehen të ikurit dhe nuk na lën të qetë? Ndoshta edhe ata i shtynë dhembja dhe vetmia, sepse njeriu nuk dëshiron të humbas asgjë, e më së paku pjesët e vetvetes!

Por as këndet e as rrugët e qilimit nuk i zgjidhën pyetjet, vetëm i shtuan labirintet dhe i shkrinë ngjyrat me fyejt e mallëngjimit të zverdhur nga mërzia…

Si ngrijnë akujt, si ndizen flakët dhe si shkrihet zëri në heshtje, e unë nuk mund të prek as thellësinë e as lartësitë… sa filloj të ngrejë një mur më shemben tre të tjerë dhe nuk mund të vë askund një kryq të vetëm në këtë tokë të pa anë, në këtë ujë të pa tokë dhe në këtë kohë të braktisur… Kanë ikur edhe fjalët dhe zëri, prandaj ata nuk do të mund të më dëgjojnë më…

… A thua e gjetën rrugën kalimtarët apo ende janë duke u endur? Thuajse nuk kemi humbur kurrë asgjë, ne humbësit e mëdhenj dhe të pa ndreqshëm? Dhe tash çfarë mund të bëjmë tjetër… pos që të lozim derisa nuk na përzënë edhe nga loja?

Njerëz të “mëdhenj”, dashuri të “vogla”

Nga Kimete Berisha

1. Një gazetar i ‘Dukagjinit’ e pyeti Kryeministrin Haradinaj se me cilën këngë do ta përshkruante dashurinë e tij.
Kryeministri e zgjodhi këngën ‘Moj dashnia jeme a je gjallë’ për ta përshkruar dashurinë e tij.

Ndërsa fjalët e këngës shprehin mallin që e ka marrë personin në fjalë për dashurinë e tij, dhe në përmallim e sipër, derisa ia shpreh mallin dashurisë së tij (për të cilën nuk e ka informatën a është gjallë a jo), po nëse është gjallë, e lut t’i përgjigjet në këto pyetje që ia këpusin shpirtin edhe katilit më të madh:

– Pse po ikë dashnija jeme,
pse po i sjellë vuajtje kësaj zemre,
s’kam lënë vend pa të kërku,
a kam fat me të taku’.

Gati si e ngjashme me ‘Sara’ të Bob Dylan, me një dallim të vogël, se ‘Sara’ të shtin me flejt, ndërsa ‘Moj dashnia jeme a je gjallë’, të shtin me kcy.

Mërzia që sjell dashuria e pafat nuk ka karakteristika etnike- kombëtare, krejt vujajnë njësoj, me një dallim artistik, që na bën neve shqiptarëve të veçantë.
Ne shqiptarët i kemi këngët e vuajtjes me të shti me vallëzu, pra derisa ti e dëgjon ‘Moj dashnija jeme a je gjallë’, të çohet trupi peshë, në të njejtën kohë i kryen dy veprime, edhe vuan, edhe vallëzon. Dhe dikur, tuj kcy, tuj kcy, hajde, hopac me lej lej le le le
lej, e sheh ti, që, hajt more, e gjej një dashni tjetër, a mu tranu a.

2. M’u tranu s’u tranu prej dashnisë askush deri më sot, e sidomos ata si ish e dashura platonike e Kryeministrit shqiptar, ‘shkrimtarja Ornela Vorpsi’, e cila pa e pyetur kush (as pa i interesuar kujt), ka treguar se si e ka dashuruar Edi Ramën në mënyrë platonike, por ai, katil qysh është, mizantrop qysh është, nuk ia ka kthyer dashurinë. Se në aspektin platonik, kushdo mund ta konsiderojë veten si dashnori yt (apo dashnorja), platonike, ti nuk mundesh me ndal, se askush nuk të merr leje me të dashuru.

E dini (sqarim për ata më të rinjtë: dashuri platonike u përdorë shumë kjo shprehje ktyneherë, i thonë asaj lidhjeje ku njerëzit duhen halikat, por qënnuk kanë raporte seksuale.

3. Njërëzit bëjnë marrëzira për njeriun që dashurojnë, dhe falin, dashuria, vetëm
dashuria e bën njeriun të mëshirshëm, dhe të mirë. Njeriu i dashuruar-falë dhe mirëkupton.

4. Por, shpirti i keq, mbetet i keq. Plaku budalla, si thini trashë, me kanun në kokë, doli në televizor, kokën mbështjell me kapuç të varrit, tha, vajza që ka shkuar para martesës me djalë, quhet ‘kurvë’.

Pa gjyq, i shpallin femrat shqiptare ‘kurva’, dhe nuk ua ndjn, s’e bëjnë hesap askë, i paragjykojnë të gjitha femrat pa përjashtim.

Mision i poshtër (ku janë e ku s’janë i gjejnë do meshkuj të këqij që u thonë femrave ‘rrospija’) që kanë për qëllim
vënien më pah të të metave shoqërore, dhe ti paraqesin ato të meta si mentalitet dhe si ligje të vendit.

Ata për vete e kanë lehtë, se e kanë Maria Magdalenën, e kanë Jezu Krishtin që nuk u tha femrave ‘kurva’.

Në emision thanë, femrat kosovare (nuk thanë ka raste, por i përgjithësuan), talhanë për të gjetur burrë, femrat kosovare kërkojnë ndihmën e kirurgëve, për t’i mashtruar burrat e tyre.

Gjynahi i Zotit, djali që i lexonte këta rreshta e mbuluan djersët, e kisha përshtypjen që pas emisionit shumë grave u ka dalë punë me burrat e ture, sepse ideja e emisionit ishte e tillë (e deformuar dhe dashakeqe) që të fuste dyshimin mes çifteve, dyshimin që është armiku më i madh i njeriut.

Për raportet intime, dhe preferencat seksuale ku atakohet femra, nuk ka nevojë të flitet, të propagandohet dhe të futen të gjitha në një thes.

5. Ju kam treguar, përveç Edi Ramës që më pëlqen ta dëgjoj kur flet, e dëgjoj edhe hoxhën Elvis Naçi. Titujt e ligjeratave të tij më joshin.
Për shembull, si ta arrijmë lumturinë!
Hoxha i ftonte shqiptarët të mos gjykojnë të tjerët për gabimet e tyre, që me fjalë të mira të mundohen t’i ftojnë njerëzit nëbrrugë të drejtë. Thoshte se ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë-askënd, sepse derisa ne e gjykojmë, ndoshta Zoti e falë.
Më pëlqeu shumë.

6. Por, pa kërcitur gotat me raki e pjatat e mbushura me mish, nuk mund t’i thuhet jetës-jetë. Kënaqësia e barkut (dhe çdo gjë që ka lidhje me bark, e me zorrë të trashë, që janë gazrat, apo ai tingulli që krijohet kur pin tambël apo kur e ke barkun e zbraztë e që ne i themi ‘kur të knojnë zorrtë’, kish qenë mirë të përmbahet pak aman njeriu nga kjo lloj kënaqësie.
Kulmi i primitivizmit ishte Xeni që u këndonte burrave të uritur në hotelin e tij të shtrenjtë.
Mastraf. Ishte fotografia më e shëmtuar.

Ne hamë dhe dashurojmë me tupana.
Muzikën serioze, atë instrumentale dhe baladat i kemi për ditë zie.

Kur Xeni e këndoi ‘Robi plaket kur do vet’, Kryeministri bërtiti ‘mish, urgjentisht dua mish, o djalë’.

7. Rahmet i pastë shpirti, Ibrahim Rugovën e pata dëgju vonë, pas luftës në një intervistë në ‘DW” më duket, e pyeti gazetarja, çfarë muzike aktuale dëgjon, ai tha ‘Çajkovskin’.
Deri vonë ka qenë ‘turp’ me qenë folklorist, por s’di çka ndodhi, gjithë kjo sharki, gjithë ky tupan, s’di çka u bë më ‘Çajkovskin’, i cili e njihte dashurinë vetëm përmes muzikës, por kur vinte puna të dashurohej përnjëmend, natën e nartesës merrte kry të vetëvritej në lumin ‘Moskva’.

8. Dashuria për popujt tjerë gjithmonë ka qenë e dhimbshme. Kurse ne kënaqemi kd dashuri, e pastsaj, me bë me na prek n’tel kënaqësisë i themi ‘kurvëri’!

9. Të pangopur me bukuri njerëzore, të pangopur me mushkëri pule e me tru lope, të pangopur me femra e me dashni.

Askujt nuk i mjafton të duket vet?m bukur, por duhet gjithqysh të duket seksi. Nëse s’dukesh seksi, je kurrkushi, nuk ekziston ????.

Duke dashur të dukemi më të bukur se vetja jonë, dukemi si të tjerët, të gjitha njësoj: një palë vetulla, një palë mollëza të faqeve, një palë buzë.

Pak kush duket sot si vetja e tij, dhe secila i përngjan tjetrës.
Sepse, kujtojmë ne se më e rëndësishme se dashuria, është bukuria.
Por, në fund, të shëmtuarit gjithmonë bëhen bashkë, e bukuria mbetet vetëm.

Pa bukuri shkon jeta, jo pa dashuri.
Shkon edhe pa dashuri, por atë jetë e durojnë vetëm disa, ata që e dinë se vjen dita kur nuk e do më as dashurinë l.

P.S. E një këngëtar shqiptar e kishin gjetur ‘shoqnia’ të vdekur, disa ditë pasi kishte mbaruar në vetmi.
Nuk e kishin shpëtuar nga fati këngët që ia kishte kënduar dashurisë.
Gjithë ajo këngë e kënduar për dashuri, e askund dashuri.

Në fund, dashuria i vret të gjithë.

Shqipëria si Rusia?

Nga Frank Shkreli

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit në Rusi, rezulton se 57% e rusëve mendojnë se ish-diktatori sovjetik, Jozef Stalini ishte një “udhëheqës i mençur”. Qendra e pavarur e sondazheve, Levada thekson se kjo përqindje në favor të Stalinit – në krahasim me të kaluarën — paraqet një mbështetje në rritje e sipër dhe në nivelin më të lartë deri tani në radhët e rusëve për ish-diktatorin sovjetik. Thuhet se vetëm në 10-vitet e fundit, mbështetja për Stalinin ka shënuar një rritje prej 10%. Njëkohësisht, sipas sondazhit të botuar me dje, pyetjes nëse ishin dakort me mendimin se Stalini ishte një “tiran brutal”, 62% thanë se po Stalini ishte i tillë, ndërkohë që 23 për qind u shprehën se nuk ishin dakort me këtë pikëpamje.

I pyetur për reagimin e tij ndaj rezultatit të këtij sondazhi dhe si mund të shpjegohet mbështetja në rritje e sipër për Stalinin në radhët e rusëve, Z. Jan Rachinsky, njëri prej themeluesve të Grupit Memoriali për të drejtat e viktimave të komunizimit — i cili gjatë viteve ka dokumentuar spastrimet dhe krimet e komunizmit në Rusi – tha se kjo në të vërtetë pasqyron kontradiktat e politikës qeveritare të Kremlinit mbi Stalinin dhe trashëgiminë e tij. Ai citohet të ketë thenë se, “Nga një anë, autoritetet qeveritare (ruse) kujtojnë viktimat e shtypjeve dhe krimet e komunizmit, por nga ana tjetër i ndërtojnë monumente Stalinit”, u shpreh ai për median.

Një tjetër aktivist dhe ish-kryetar i këtij grupi të respektuar, Arseny Roginsky, i cili ka ndërruar jetë dhjetorin që kaloi, citohet nga Evropa e Lirë, të ketë akuzuar autoritetet qeveritare ruse, se po përpiqeshin të shtynin dhe të izolonin kujtesën e krimeve të Stalinit, deri në, “periferitë më të largëta të ndërgjegjes.” Është e vërtetë se vitet e fundit – sipas historianëve dhe kritikëve të Presidentit Putin – udhëheqsi aktual i Rusisë, ka ndërmarrë një fushatë për një rishikim të rolit dhe të trashëgimisë së Stalinit, me qëllim që të minimizohet roli i tij në krimet në masë, si “gabime” që janë bërë nga një udhëheqës i madh, sipas tij.

Le t’i kethehemi gjendjes aktuale në Rusi dhe në botë. Pothuaj të gjithë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme, janë dakort se marrëdhëniet sot midis Kremlinit dhe Perëndimit, janë në nivelein më të ulët ç’prej Luftës së Ftoftë. Kjo situatë e tensionuar, sipas tyre, rezulton si rrjedhim i okupimit rus të Krimesë së Ukrainës, mbështetjes së Kremlinit për separatistët rusë në pjesën lindore të Ukrainës, rolit rus në konfliktin e Sirisë dhe helmatisjes së një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe, muajin që kaloi.

Në të vërtetë, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, aktualisht, janë aq të këqia, sa që këshilltari veteran i Presidentit Putin, Vladislav Surkov në një artikull botuar para dy tre ditësh në revistën “Global Affairs”, shprehet se Rusia ka hequr nga shpresat e saja prej shekujsh që të integrohet në Perëndim, ndërkohë që po përgatitet për një periudhë të re izolimi gjeopolitik, duke i dhënë kështu fund, “përpjekjeve të pafrutshme (prej katër shekujsh) për t’u bërë pjesë e qytetërimit perëndimor”. Ai shkruan se mosmarrveshjet e vitit 2014 në lidhje Ukrainën shënuan fillimin e një periudhe të re, në të cilën Rusia do të “përballet me një izolim gjeopolitik prej 100, 200 ose 300 vjetësh?”, është shprehur këshilltari i Kremlinit. Vladimir Putini pasi qe zgjedhur president i Rusisë për here të parë në vitin 2000 pat treguar shlnja angazhimi me Perëndimin, por shumë shpejt humbi durimin dhe filloi kritikat dhe mosmarrveshjet me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, duke i akuzuar ato si armiqësore ndaj Rusisë.

Dikush ndoshta mund të pyes, po çfarë ka të bëjë kjo me Shqipërinë. E vërtetë se Shqipëria nuk është Rusia, por shihen disa paralelizma. Edhe në Shqipëri, ashtu së në Rusi me mallin e rusëve për Stalinin, vitet e fundit është venë re një nostalgji e shprehur publikisht dhe e promovuar nga qarqe të caktuara për rolin dhe për trashëgiminë e diktatorit Enver Hoxha gjatë sundimit të regjimit të tij prej pothuaj gjysëm shekulli. Sikurë Shqipëria nuk ka halle të tjera që kërkojnë zgjighje te menjëhershme, kohët e fundit këtyre elementëve u janë hapur dyerë e dritare të televizioneve dhe gazetave shqiptare, ku këta apologjetë të regjimit enverist, madje arsyetojnë edhe ekzistencën e kampeve të përqendrimit – për gra, fëmij, pleqë e plaka — dhe për armiqtë dhe kundërshtarët e regjimit komunist, me zëdhënës si historiani Pëllumb Xhufi.

Me miq si Profesor Xhufi, të përndjekurit e regjimit komunist nuk kanë nevojë për armiqë. Një shembull tjetër i kësaj prirjeje për të paraqitur Enver Hoxhën dhe regjimin e tij në një dritë më pozitive ishte edhe intervista e fundit e Mustafa Nanos me një gazetë të Tiranës. Mos harroni tani, kemi të bëjmë me “ajkën” shqiptare, me opinion-bërsit dhe me historianët që shkruajnë dhe interpretojnë historinë kombëtare. Këta po i thonë brezit të ri të shqiptarëve, të cilët fatbardhsisht nuk e kanë përjetuar atë regjim se, “kampi i Tepelenës nuk ishte aq i keq”, e kam këtë nga CIA, pretendon historiani, sikur CIA e dinte më mirë gjëndjen atje se sa ata që vuajtjen në atë kamp. Shko, pyeti ata se sa i mirë ishte kampi i Tepelenës, Z. Xhufi.

Ndërsa Mustafa Nano, shprehet për gazetën Mapo, “për zhdukjen e pronës private, me fjalë të tjera shpronësimin, për vendosjen e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, e të gjitha këto nuk të mbajnë larg asaj që ndërtoi Enver Hoxha nën shembullin e Stalinit. Vetëm izolimi e bunkerizimi ishin shpikje të Enver Hoxhës. Të tjerat i kemi peshqesh nga Marksi e Engelsi. Literally.” Por kjo, na këshillon Z. Nano nuk e bën Enver Hoxhën anti-evropian, sepse ai “vishej allafranga”, përkundrazi shton ai, “Regjimi i Enver Hoxhës ishte europian. Ishte antikapitalist, por jo antieuropian e antiperëndimor. E gjithë struktura edukative e asaj kohe nuk prodhonte antieuropianë. Përkundrazi, në një formë a në një tjetër e inkurajonte simpatinë për Europën. Vetë krerët e regjimit visheshin alla frënga. Madje, bazuar te veshja e te paraqitja e jashtme, Enver Hoxha ishte udhëheqësi më alla frënga i gjithë Lindjes komuniste,” shprehet Mustafa Nano. Nuk di, atë qeshë, a të qajë! Për më tepër, në manifestimet zyrtare, ku kanë marrë pjesë autoritetet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shfaqen edhe fotot e diktatorit, ndërsa autoritetet zyrtare heshtin. Keni dëgjuar që ndonjë zyrtar të ketë denoncuar shfaqje të tilla? Ndoshta këta mendojnë si Mustafa Nano, që Enver Hoxha të ketë qenë pro-perëndimor!

Ok, pasi jemi tek zyrtarët, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në një intervistë të kohëve të fundit me agjencinë e lajmeve Reuters është shprehur se, “Unë mendoj se është realiste që Shqipëria, dhe vendet e tjera të rajonit të bashkohen me BE-në në 10 vitet e ardhshme,” ka thënë Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Shpresoj që deklarata e Ministrit të jashtëm të Shqipërisë të mos interpretohet si ajo më lartë e këshilltarit rus për një izolim të Rusisë prej 100, 200 ose 300 vjetësh. Por megjithkëtë, kjo deklaratë pasqyron një mungesë angazhimi serioz të Shqipërisë për antarësim në Bashkimin Evropian, që mund të çojë në një izolim gjeopolitik të saj dhe heret ose vonë, ta hedhë atë në prehër të Putinit dhe të Erdoganit.

Fatkeqësisht, përball kërcënimeve të Kryeministrit të Rama se në mungesë të përshpejtimit të proceseve të integrimit të vendit nga ana e BE-së, Shqipëria ka alternativa të tjera, përfshirë Rusinë, Turqinë, Kinën e të tjera — mundësitë, ndonëse të vonuara për një integrim të shpejt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duken gjithnjë e më të zymta.

Nuk jam i sigurt nëse shfaqjet zyrtare dhe jo-zyrtare në Shqipëri për reabilitimin e Enver Hoxhës janë politika kontradiktore të pa koordinuara, apo janë përpjekje të bashkrenduara mirë për të minimizuar krimet e regjimit enverist deri në “periferitë më të largëta të ndërgjegjes,” ashtu siç po ndodhë në Rusi me krimet e Stalinit. Koha do ta tregojë!

Përplasjet e Konicës me vëllezërit Frashëri për Greqinë e xhonturqit

Pas një zbatice të përkohshme që pësoi lëvizja kombëtare shqiptare nga shtypja me dhunë e Lidhjes së Prizrenit më 1881, ajo pati në vitet e fundit të shekullit XIX një ringritje e cila paralajmëronte fillimin e një faze të re të saj. Në të vërtetë vrulli i saj nuk ra nga goditja brutale që i dha operacioni ushtarak osman i Dervish Pashës në pranverën e vitit 1881, por nga politika që ndoqën fuqitë e mëdha për ruajtjen e statu quo-së në Evropën juglindore, në dobi të Perandorisë Osmane

Nga Kristo Frashëri

Politika e ruajtjes së statu quo-së do të thoshte për fuqitë e mëdha se ato nuk do të lejonin ndryshimin e kufijve të Perandorisë Osmane, me fjalë të tjera, as shkëputjen e provincave të saj, as lindjen e shteteve të reja në Gadishullin Ballkanik mbi territoret e saj.

Për sa kohë fuqitë e mëdha ndoqën politikën e statu quo-së në Evropën juglindore, rilindësit shqiptarë e përqendruan veprimtarinë e tyre në zhvillimin e lëvizjes kulturore, e cila nuk e prekte integritetin tokësor të Perandorisë Osmane.

Si rrjedhim, lëvizja kombëtare u përqendrua kryesisht në hapjen e shkollave në gjuhën amtare, në botimin e veprave letrare shqipe dhe në organizimin e klubeve kulturore. Meqenëse Perandoria Osmane u tregua tepër kokëfortë edhe ndaj lëvizjes kulturore brenda në Shqipëri, lëvizja kombëtare u zhvillua haptas më tepër në kolonitë shqiptare që ndodheshin jashtë perandorisë, si në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali.
Por ngjarjet që ndodhën në vitin 1896 në të ashtuquajturën “Çështje maqedone” e vunë në dyshim ruajtjen e statu quo-së. Me “çështje maqedone” u quajtën orvatjet që ndërmorën disa qarqe bullgaro-maqedone për të zbatuar reformën administrative në favor të popullsive lokale në viset e emërtuara prej tyre “Maqedoni”.

Prapa kërkesave për reforma nuk ishin vështirë të lexoheshin synimet për të krijuar një shtet autonom maqedon brenda Perandorisë Osmane. Ajo që i shqetësoi shqiptarët ishte se me emërtimin Maqedoni autorët e reformave përfshinin edhe vise të banuara nga popullsi shqiptare, të cilat cilësoheshin si popullsi sllave.

“Çështja maqedone” vuri në lëvizje edhe qarqet nacionaliste greke e serbe, të cilat pretenduan se Maqedonia ishte një provincë me karakter etnik, për të parët grek, për të dytët serb. Të tri monarkitë ballkanike përfshinë gjithashtu në projektet e tyre edhe vise të banuara nga popullsi shqiptare.

Shfaqja e lakmive nacionaliste në dëm të Shqipërisë nga tri monarkitë ballkanike i shqetësoi në kulm shqiptarët, kurse mundësia e prishjes së statu quo-së i vuri ata në lëvizje për të kërkuar të drejtat e tyre. Pikërisht ky shqetësim ndezi dhe vrullin e ri që pati lëvizja kombëtare shqiptare në vitet e fundit të shekullit XIX.

Megjithatë jo të gjitha rrethet shqiptare qenë në unison në lidhje me përmbajtjen e reformave që duheshin kërkuar, me tonin që duhej të përmbanin kërkesat, me mjetet që duheshin përdorur për realizimin e tyre dhe ajo që ka rëndësi të veçantë, me përkrahësin ndërkombëtar të çështjes kombëtare.

Në këtë valë të re të lëvizjes kombëtare u shquan për nga përmbajtja e kërkesave tri personalitete, të cilët përfaqësonin tri vatra kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare: Sami Frashëri, ambientet shqiptare të Stambollit; Faik Konica, kolonitë shqiptare të mërgimit dhe Murat Toptani, shqiptarët që banonin në atdhe.
* * *
Sami Frashëri në vitet e fundit të shekullit XIX banonte në Stamboll si funksionar i Perandorisë Osmane. Në atë kohë ai ishte një nga personalitetet shqiptarë më të shquar që banonin brenda dhe jashtë atdheut. Samiu mbante me vete eksperiencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Si publicist i spikatur ai njihte mirë zhvillimin e politikës ndërkombëtare. Në ambientet perandorake ai njihej si personalitet i kulturës turke, kurse në ambientet shqiptare brenda dhe jashtë atdheut ai shquhej si një ideolog i lëvizjes kombëtare shqiptare.

Gjatë Lidhjes së Prizrenit ai kishte qenë anëtar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i cili pati për kryetar Abdyl Frashërin. Për shkak të censurës sulltanore ai pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u detyrua të punonte për çështjen kombëtare në klandestinitet, kurse veprimtarinë e tij për hapjen e shkollave shqipe e ushtroi haptas.

Kur u shfaq “çështja maqedone” ai formoi në Stamboll në rrethana klandestiniteti një komitet me emrin e shkurtuar “Komiteti Shqiptar”.

Nga anëtarët e komitetit dimë vetëm dy emra – Riza Kryeziu dhe Molla Zeka, që të dy nga Gjakova. Synimi i komitetit ishte të rimëkëmbte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe të ndiqte shembullin e përpjekjeve të saj. Në vitin 1897 “Komiteti Shqiptar” me një manifest të titulluar “Çfarë duan shqiptarët!”, shpalosi për opinionin publik programin e vet, që tani duhej të zbatonin shqiptarët për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare. Manifesti u botua dhe në shtypin e kohës.

Në manifest thuhet se shqiptarët duan të drejtat e tyre. Thotë se ata nuk do ta lenë kurrë vendin e tyre që të shitet, se nuk kanë nevojë për kujdestar. Ata kërkojnë bashkimin e katër vilajeteve (Janina, Manastiri, Shkodra, Kosova), në një vilajet të vetëm. Shqipëria ka dhënë prova se mund të qeveriset vetë, pa kujdestarë të huaj. Është një nga manifestet më të rëndësishme që kanë dalë nga qarqet shqiptare në vitet e fundit të shekullit XIX.

Tashmë nuk ka dyshim se manifesti ka dalë nga pena e Sami Frashërit. Është një nga manifestet që la gjurmë edhe në vitet e mëvonshme. Pikat që përmban manifesti janë pak a shumë po ato që ka trajtuar Sami Frashëri në manifestin e njohur politik dhe ideologjik që botoi dy vjet më vonë pa emrin e autorit në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?” (Bukuresht, 1899). Për rëndësinë që ka nuk është pa vend të riprodhohet këtu pjesa kryesore e përmbajtjes së manifestit.

Aty thuhet:
“… Turqit u përpoqën pastaj t’i nënshtrojnë shqiptarët dhe, si me thënë, t’i asimilojnë duke u përpjekur që të shuajnë tek ata çdo ndjenjë kombëtare. Ata filluan duke e copëtuar vendin e tyre në katër vilajete, duke mos i njohur si kombësi më vete dhe, duket e pabesueshme, duke ua ndaluar atyre mësimin e gjuhës amtare… Turqit që ndalojnë gjuhën shqipe, u lënë fushë të lirë intrigave të ulta të grekëve dhe të sllavëve, u lenë fushë të lirë shkollave të tyre dhe në harmoni me ta mbjellin përçarje midis vëllezërve shqiptarë, myslimanë e të krishterë…”.

Dielli i lirisë, “ky diell kaq i dashur dhe i pritur me kaq ankth është duke lindur dhe Shqipëria vogëlushe deri më sot, duke arritur në moshën madhore, një shekull para o një shekull pas – kjo nuk ka rëndësi në historinë e kombeve, – kërkon me zë të lartë të drejtat e veta dhe po i kupton me zemërim gabimet dhe padrejtësitë çnjerëzore që i janë bërë nga kujdestarët e saj të paturpshëm.
Shqipëria kërkon të drejtat e saj…
Shqiptarët nuk kanë asnjë pretendim absurd ose të padrejtë. Ata nuk duan gjë tjetër veçse të drejtat e tyre, ato të drejta që çdo njeri i urtë dhe me ndërgjegje nuk do të ngurrojë t’ua japë. Dhe në ballë të çdo kërkese ata duan të mbrojnë me këmbëngulje tërësinë e atdheut të tyre të dashur, të asaj Shqipërie, e cila deri më sot ka ruajtur kurdoherë një gjysmë pavarësi dhe nuk u është nënshtruar asnjëherë plotësisht as romakëve, as turqve, as kërrkujt tjetër…
Nëse Evropa dëshiron të respektojë tërësinë e Turqisë, të kësaj perandorie që gërryhet përbrenda, Shqipëria do të përpiqet me çdo mjet të fitojë një farë autonomie, domethënë:
Bashkimin e katër vilajeteve (Janina, Manastiri, Shkodra dhe Kosova) në një vilajet të vetëm autonom; me një rregullim të veçantë për të; me shqipen si gjuhë lokale; me në krye një guvernator të përgjithshëm të dërguar nga Porta që të qeverisë nën kontrollin e një asambleje kombëtare.

Të gjithë funksionarët e tjerë të jenë shqiptarë, sepse deri sot kemi patur shumë nga ata hajdutë dhe nga ata xhahila të dekoruar që vinë për të plaçkitur vendin tonë. Të ardhurat nga taksat, doganat etj., të shpenzohen në vend dhe Turqia të marrë që këtej vetëm një tribut vjetor…
Nëse Evropa do t’i japë fund kësaj perandorie që është prej shekujsh në agoni, nuk është e nevojshme t’i themi tjetër gjë veçse atë që Shqipëria duhet të formojë një shtet të lirë. Ne s’duam as princ mysliman, as princ evropian.

Në vend të një monarku Shqipëria do të ketë një pleqësi të përbërë prej aq anëtarësh sa do të jenë departamentet e saj. Këta anëtarë do të zgjedhin një president nga gjiri i tyre sepse kjo është forma e qeverisjes që Shqipëria kishte në kohën e lashtë.
Nuk dihet se ku, disa njerëz e kanë psonisur pa menduar mirë idenë e një protektorati për Shqipërinë. Ne s’duam gjë tjetër veçse të jemi të lirë dhe t’i gëzojmë vetë të drejtat tona të shenjta.

Ne nuk kemi nevojë për kujdestarë. Por nëse nuk kemi nevojë për kujdestarë, përkundrazi kemi nevojë për miq…”. Një vit më vonë në një manifest që shpëndau në muajin gusht (1898) Komiteti Shqiptar theksoi haptazi se synonte të rimëkëmbte një organizatë politike të ngjashme me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Aty thuhej ndër të tjera:
“Abdyl Frashëri, kryetari i Lidhjes së Toskërisë, vajti në Gegëri për të lidhur një marrëveshje me shqiptarët që banonin në malësitë midis Dibrës dhe Gjakovës. Në këtë mënyrë, Prizreni u vu në krye të gjithë Gegërisë, mbasi aty u mblodh Kuvendi dhe u themelua Lidhja Shqiptare.

Aty u vendos që çdo armik që të shkelë në cilëndo pjesë të Shqipërisë, toskë dhe gegë, të gjithë sa flasin gjuhën shqipe dhe janë bij shqiptarësh, myslimanë dhe të krishterë pa dallim feje, morën përsipër të luftonin për çlirimin e atdheut.

Mund të thuhet se kjo Lidhje ekzistonte dhe më parë, sepse në çdo kohë shqiptarët kanë ruajtur në zemrat e tyre, kultin e lirisë dhe cilido nga ata që zotëron një pushkë, ditë apo natë qoftë, e mban gati për luftë. Lidhja e Prizrenit qëndroi dhe qeverisi vendin me kaq aftësi saqë gjatë ekzistencës së saj kushdo jetonte në qetësi aq sa mund të thuhet se çdo shqiptar flinte me portën e shtëpisë hapur…”. Dhe më tej: “Shqipëria fitoi atëherë vetëdijen për ekzistencën e saj dhe u tregua e aftë se mund të vetëqeverisej pa protektoratin e asnjë fuqie të huaj”.
Thirrja e Komitetit mbyllet me fjalët që mbajti Abdyl Frashëri në një kuvend që dibranët zhvilluan fill pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit.

Duke parashtruar programin e Lidhjes së Prizrenit dhe nevojën e mobilizimit të mbarë shqiptarëve për zbatimin e programit të saj, ai tha: “Sot është e domosdoshme që të harrojmë urrejtjet dhe t’i falim gjaqet.

Sot që armiku kërkon të pijë gjakun tonë, është e domosdoshme që të luftojmë për lirinë e vendit dhe jo kundër njëri-tjetrit”. Sapo tha këto fjalë të gjithë të pranishmit, rreth dhjetë mijë vetë, u ngritën në këmbë sikur të ishin një njeri i vetëm, i vunë armët në tokë saqë uturinë malet dhe sikur dilte nga një gojë e vetme, u dëgjua vetëm një thirrje: “Gjaqet i falim dhe për këtë po japim besën”.
Abdyl Frashëri u prek shumë kur pa këta gegë malësorë, të fortë si malet, të puthë hasmi-hasmin dhe për të mirën e atdheut të harronin mëritë, të bashkonin zemrat vëllazërisht në një besë dhe kushdo të falte gjakun nga armiku i vet.

Komiteti Shqiptar i Stambollit shpalli një politikë të prerë ndaj monarkive fqinje

Për sa kohë Athina, Beogradi dhe Sofia do të synonin të aneksonin viset shqiptare edhe pse ato deklaronin se nuk pajtoheshin me qeverinë perandorake të Stambollit, nuk pranonte të lidhte asnjë aleancë me to.

Madje sipas Sami Frashërit Shqipërisë rreziku më i madh i vinte nga perandoria sulltanore, pasi ajo ua kishte krijuar mundësinë monarkrive ballkanike të punonin në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë.
Ndërkohë, në pragun e lindjes së çështjes maqedone në arenën politikë të Perandorisë Osmane kishte dalë një faktor i ri.

Kundërshtarët e rreptë të absolutizmit sulltanor, pasardhësit e organizatës së dikurshme, “Osmanët e Rinj”, formuan në vitin 1894 në mërgim një organizatë të re, e cila u bë e njohur me emrin frëngjisht “Zhën Tyrk” (Jeune Turcs, Turqit e Rinj). Një nga katër themeluesit e organizatës së re, ishte mjeku shqiptar Ibrahim Themo lindur në Strugë me origjinë nga Mati.

Detyra themelore që mori përsipër organizata “Turqit e Rinj” ishte të përmbyste me anën e një revolucioni të brendshëm despotizmin feudal sulltanor dhe të vendoste në Perandorinë Osmane një regjim demokratik modern.

Mjeku I. Themo, i cili njihej si një patriot shqiptar, i ftoi bashkatdhetarët e vet të bashkoheshin me “Turqit e Rinj”, pasi nga përmbysja e absolutizmit sulltanor, mendonte ai, do të përfitonte edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare.

Një nga patriotët e parë që e refuzoi ftesën e I. Themos ishte Sami Frashëri. Kur lexoi programin e organizatës së re ai vuri re se edhe “Turqit e Rinj” synonin ta ruanin karakterin centralist të pushtetit perandorak, po atë parim të cilin e kishin zbatuar për breza me radhë qeveritarët sulltanistë.

Sami Frashëri mendonte me të drejtë se një regjim që zbaton parimin e centralizmit pushtetor nuk mund të lejojë të drejtat autonomiste të kombësive të nënshtruara, të cilat mund të realizohen vetëm me regjimin që zbaton parimin e decentralizimit pushtetor.

Si rrjedhim, shqiptarët të cilët kërkonin bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, të pajisur me një autonomi administrative, nuk kishin se ç’të fitonin nga revolucioni xhonturk. Për këtë arsye, Lëvizja Kombëtare Shqiptare duhej të ndiqte, sipas Sami Frashërit, rrugë të veçantë nga ajo e Turqve të Rinj.

Një nga personalitetet e shquara të kohës që e kundërshtoi për të njëjtën arsye bashkëpunimin me Turqit e Rinj ishte edhe Ismail Qemali, i cili e parashikoi që herët se Turqit e Rinj kur të vinin në pushtet do të vendosnin, në emër të parimit të centralizmit perandorak, një despotizëm antishqiptar ashtu siç ndodhi në të vërtetë.
* * *
Truallin më të përshtatshëm për përhapjen e tyre, idetë e Rilindjes Kombëtare e gjetën në kolonitë shqiptare të mërgimit. Kjo për arsye se jashtë kufijve të Perandorisë Osmane idetë kombëtare nuk ndeshën në pengesa nga policia e vendeve ku shqiptarët e mërguar banonin.

Për këtë arsye, aty ku kishte komunitete shqiptarësh lindën dhe klubet e para patriotike (në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali). Ndonëse klubet patriotike më të rëndësishme u formuan në Rumani, njeriu që u shqua më tepër se mërgimtarët e tjerë shqiptarë ishte Faik Konica, i cili banonte fill i vetëm në Belgjikë.

Në të vërtetë, Faiku kishte lindur më 1875 në Konicë, por edukimin arsimor e mori në vatra të ndryshme kulturore – në Konicë, në Shkodër, në Stamboll, pastaj në Francë. Në Stamboll pasi kreu shkollën unike në gjimnazin e Gallatës vazhdoi studimet e shkollës së mesme në Francë. Atje mori dhe diplomën universitare, në Dijon.
Në jetëshkrimin e tij personal drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Bruksel janar 1899, thotë ndër të tjera se kur më 1895 u vendos në Paris, atëherë dëgjoi të flitej për lëvizje kombëtare shqiptare dhe të merrte dijeni rreth botimeve shqip në Bukuresht. Deri atëherë kishte lexuar vetëm libra të botuara nga albanologë të huaj mbi Shqipërinë.

Propaganda në favor të lëvizjes kombëtare ishte për të, sikurse shkruan ai, pothuajse zero. Edhe gjatë pushimeve që kishte kaluar në Shqipëri, kur kishte folur me disa bashkatdhetarë, çështjen kombëtare, thotë ai, disa e kishin pritur ftohtë, disa nuk e kishin kuptuar fare.

Jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por as për ata të Stambollit, as për ata të Bukureshtit, shkruan ai, nuk ekzistonte një çështje kombëtare. Sipas tij, përjashtim bënin vetëm qarqet patriotike të Korçës.
Me bashkatdhetarët e parë që ai hyri në kontakt ishin shqiptarët mërgimtarë të Rumanisë. Dëshira e parë e Faikut ishte që me ndihmën e tyre të botonte jashtë Shqipërisë një organ shqip me përmbajtje patriotike.

Faiku thotë se nisma për botimin e revistës shqipe u prit me entuziasëm nga qindra shqiptarë të mërguar. Për botimin e revistës mori dhe premtime financiare, kryesisht nga mërgimtarët e Rumanisë. Në bazë të premtimeve ai vendosi në fillim të vitit 1897 të dërgonte në shtyp numrin e parë të revistës, të cilës i vuri emrin “Albania”.

Por ndërkohë, shqiptarët e Rumanisë u treguan, siç shkruan Faiku, entuziastë më tepër me fjalë sesa me fakte. Shkak u bë bashkëpunimi i Faik Konicës me dy personalitete shqiptarë që nuk shiheshin me sy të mirë as nga mërgimtarët e Rumanisë, as nga Komiteti i Stambollit – me Nikolla Naçon, për të cilin armiku kryesor për Shqipërinë ishte Greqia dhe jo Turqia dhe me Dr. Ibrahim Themon, i cili kërkonte ta ngushtonte lëvizjen shqiptare vetëm kundër despotizmit sulltanor dhe jo kundër Perandorisë Osmane.

Në qëndrimin që mbajtën shqiptarët e Rumanisë ndikuan edhe porositë që ata morën nga Sami Frashëri dhe Naim Frashëri për të mos mbajtur lidhje me Faik Konicën për sa kohë ai do të bashkëpunonte me dy kundërshtarët e platformës së tyre politike – me Nikolla Naçon dhe Ibrahim Themon.
Përsa i përket orientimit politik të revistës, Faik Konica pajtohej vetëm pjesërisht me Sami Frashërin. Ura që i bashkonte ishte gadishmëria e tyre për t’i shërbyer atdheut në fushën e kulturës. Një pikë e përbashkët e ideologjisë së tyre ishte angazhimi i veprimtarisë patriotike në fushën e përhapjes së arsimit shqip dhe të letërsisë shqiptare.

Të dy personalitetet e shihnin të dobishme mobilizimin e tyre për të zhvilluar haptas luftën e tyre për të drejtat kulturore shqiptare. Faik Konica shkruante në atë kohë: “Sot për sot kemi vetëm nevojë të hapim shkolla dhe udhë, të zbukurojmë mendjen kombiare, të lidhim gjithë shqiptarët në dashuri të fortë, të rendim drejt qytetërimit. Nuk duhet të përzihemi me punët e politikës”.

Megjithatë, në kundërshtim me programin e vet për të mos prekur tema politike, ai nuk i kurseu kritikat ndaj sundimit të Perandorisë Osmane në Shqipëri, të cilat i ushtroi haptas, ndryshe nga Samiu, i cili i shpalli në klandestinitet. Faik Konica mendonte se lëvizjes kombëtare do t’i shërbejnë më mirë bateritë e rrepta me të cilat duhej të sulmohej haptas politika e Perandorisë Osmane.
Por, jashtë tyre Faiku dhe Samiu kishin dhe dallime, madje disa prej tyre të theksuara.

Albini ua lëshoi mjekrrat?!

Nga: Prof. Dr Binak Maxharraj

Në një tubim që u mbajt këto ditë në Prishtinë që kishte të bënte se si dhe çka duhet bërë,dhe si duhet zhvilluar dialogu me Serbinë, ku mori pjesë edhe Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj dhe Ambasador te KUINTIT, por edhe ministra tjere, si dhe nga shoqeria Civile, fjalimi i Albin Kurtit i la të gjithë pa mend, bile Hashim Thaçin e mbështeti për muri sa qe i gjori vetëm mbeti me sy hapur.

Ia numëroi Kurti Thaçit të gjitha dështimet dhe lëshimit që kishte bërë në dialogun me Serbinë pa kurrfarë strategjie dhe pa e kushtezuar Serbinë për asgjë, por edhe ia bëri me dije se çka duhet bërë, si duhet me zhvillu dialogun në të ardhmen, duke potencuar se dialogu primar duhet bërë me serbët e Kosovës. Nga ky dialog për këto gjashtë vite Kosova nuk përfitoi asgjë pos disa tabela të veturave prej letre, kurse Serbia e more atë se çka dërishon kandidaturën për anëtarësim në BE.

Anipse LVV përjetoi një katrahurë duke dalë nga ajo pjesa më e prishur, me karrieriste, më puçiste për karrierë, si po duket nuk e ka dëmtuar aq shumë LVV, sepse ajo është në ofanzivë të madhe për ta marrë veten.kështu që nuk po e ndien mungesën aq shumë të të ikurve.

Të ikurit sot kanë mbetur si qurat e lagëta, e kanë humbur veten, janë çorientuar janë bërë si te çartur, të padiciplinuem, s’po dinë as vete se çka po kërkojnë, janë bërë pikë e pesë. Bile shumë prej tyre nga mërzia kanë nisur edhe me i lëshuar mjekrrat, si Dardan Mulliqaj, e tashti së fundit kanë nisur me u ba helaq me mjekrra edhe Visar Ymeri dhe Shpend Ahmeti të cilëve mjekrrat po ju rrinë bash si sqapit të dhive. Por kur ta këqyrish Visar Ymerin me atë mjekërr të vogël e me krye cullak ta çonë mallin e Leninit, kurse mjekrra e Shpend Ahmetit i përngjan Burdushit.

Ja kështu Albin Kurti ua lëshojë mjekrrat te arratisurve nga LVV, sepse ata edhe nuk meritojnë diçka ma mirë, sepse populli e ka një fjale ku thotë se kur dreqi te hynë ne bark as vete se dinë rrugën kah me dal,pra këta e kanë humbë rrugën,e për mos me i njoftë kush po çoroditën, po i i lëshojnë mjekrrat.

A ka ndonjë fjalë kulla e Surrelit për avionët serbë mbi Preshevë?

Nga: Romeo GURAKUQI

Avionët ushtarakë të Armatës së Serbisë vazhdojnë të fluturojnë shumë ulët përmbi çatitë e shtëpive shqiptare në Luginën e Preshevës, duke terrorizuar qytetarët, që qeveria e po atij vendi ka detyrimin që t’i mbrojë.

Mesazhe të shumta të ardhura nga banorët shqiptarë të kësaj ane, kanë kërkuar mbrojtjen e shtetit shqiptar, deputeteve dhe intelektualeve.

Ata kërkojnë t’i ofrohet e gjithë përkrahja politike dhe diplomatike, popullsisë civile dhe Kryetarit të Komunës së Preshevës, zotit Shqiprim Arifi, në mënyrë që mos të ndodhin provokime të tilla nga qeveria e Serbisë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e fshehur në panik në Kullën e Surrelit, e shmangur nga revolta e njerëzve të thjeshtë në strofkullat e sarajeve të grabitura në Bregdet, është përqendruar në punën hetimore të drejtuar nga kryehetuesi i diktaturës, për të burgosur Opozitën shqiptare dhe nuk e ka në axhendë mbrojtjen e vëllezërve të një gjaku, që jetojnë nën terror në cepin më jugor të Republikës së Serbisë.

Mirëpo, askush nuk pret që një qeveri despotike, e korruptuar, në të gjitha poret e veta, e mbajtur me patericat policore të hetuesve dhe oficerëve të diktaturës, një qeveri e cila as në ditët e veta të para, nuk ka qenë asnjëherë serioze në ndërtimin e rrugëve të komunikimit modern në Ballkan, të kryejë detyrat ndaj bashkëkombasve të vet të kërcënuar nga soldateska e Serbisë.

Është në detyrën e opinionit publik dhe intelektual të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, Diasporës në SHBA dhe në Europë, të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, për të sensibilizuar qeveritë demokratike perëndimore mbi gjendjen e rëndë që po kalon pakica shqiptare në Serbi.

Unë besoj se as shoqëria civile e Republikës së Serbisë dhe as parlamentarët mirëfilli europianiste të atij vendi, nuk mund ta pranojnë terrorizimin e programuar ndaj bashkëqytetarëve të të njëjtit shtet. Por në mes dënimit të heshtur dhe veprimit të njimendtë dhe serioz, ka një të ndarë të madhe që duhet kapërcyer, për hir të vlerave demokratike të Ballkanit të shekullit XXI. /Politiko

Pa territoret shqiptare, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe Serbia do ishin vetëm shprehje gjeografike

Nga Spartak Ngjela

Ku është nisur të shkojë Shqipëria dhe çfarë po bën korrupsioni shtetëror shqiptar sot për të shpëtuar kokën dhe paratë? Shqipëria është nisur të shkojë drejt një progresi perëndimor; kurse korrupsioni është bashkuar që ta ndalojë. Dhe sërish, si gjithmonë, edhe sot i është drejtuar fqinjëve që kanë pushtuar territore të tëra shqiptare, për ta ndihmuar që të krijojë pështjellim destabilizues në Shqipëri.

Janë katër shtete që, pa territoret shqiptare, do të ishin sot vetëm “shprehje gjeografike”: Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe madje edhe vetë Serbia. Të katër këta shtete kanë njëqind e pesëdhjetë vjet që ëndërrojnë shkatërrimin dhe shuarjen e Shqipërisë, sidomos pas pavarësisë së saj, sepse mbijetesa e tyre mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor vetëm pas shfarosjes së shqiptarëve. Këta sllavë dhe grekë, e dinë miopinë europiane, dhe i kanë quajtur shqiptarët “turq që duhen shfarosur”; dhe shumë kanë vrarë me këtë devizë; por Shqipërisë i morën të keqen.

Ku ka turq në Shqipëri mor injorantë e maskarenj njëherësh! Dhe duhet ta themi hapur se një ndihmë të madhe në këtë shpresë të kotë që kanë pasur, “strategëve” të tyre kryeministra, ua kanë dhënë gjithmonë vetë krerët e blerë të Shqipërisë; bëma këto që tani dihen mirë nga shqiptarët. Blejini! Këlthiste në Beograd kryeministri i Serbisë Pashiç; dhe gjithë të tjerët pas tij, duke përfshirë edhe Milosheviçin. Po kjo po ndodh edhe sot. Ja, Shqipëria është nisur drejt Perëndimit kurse korrupsioni kryeministror shqiptar, i ri dhe i vjetër, është hedhur në sulm që ta ndalojë: njëlloj si qëmoti.

Shihni se çfarë po ndodh realisht. Berisha me taborin e tij; kërkon të ndezë një kryengritje si trazirë të brendshme; që të dëbojë nga Shqipëria prezencën amerikane, njëlloj si Haxhi Qamili dhe Esat Toptani në vitin 1914, kur zbuan nga Shqipëria Princ Vidin. Kjo kërkon të jetë edhe revolta e 27 janarit. Me të cilën shqiptarët po qeshin. Kurse kryeministri Rama inaguron varrezat e trupave pushtuese greke të Metaksait, diktatorit antishqiptar grek, që drejtonte trupat e tij në territorin shqiptar me theksin që: Synimi i tyre nuk duhej të ishte lufta me italianët, “por çlirimi i Vorioepirit”: “Atje duhet të çlironi Vorio-Epirin”- iu drejtohej trupave të tij, rreth 140 000, gjenerali grek Aleksandro Palagos.

Ndërsa në Korçë vendosën minoritarët grekë të drejtonin bashkinë e Korçës, dhe nuk lejuan të festohej dita e pavarësisë, 28 nëntori, në vitin 1940. Por korçarët iu vunë pushkën; edhe gjirokastritët edhe e gjithë labëria po ashtu. Ata kishin harruar se në atë trevë që ata donin ta pushtonin si tokë grekë, jetonin ata që kishin sjellë në Shqipëri nacionalizmin modern shqiptar. Po i di Rama këto? Nëse nuk i di, pse është marrë dhe po merret me politikë ky pellë që nuk di asgjë! Por në fakt ky, nuk se njeh politikën, por ushqen oreksin e reaksionit grek, që, bashkë, të ndalojnë Reformën Shqiptare për Drejtësi, dhe rrugën e Shqipërisë drejt bashkimit kombëtar e drejt Perëndimit.

Ja, kjo është ndërmarrja e tyre sot për të ndaluar progresin e aleancës shqiptaro-amerikane në ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. E pra, njëlloj si Haxhi Qamili me Esat Pashë Toptani në vitin 1914 kundër Princ Vidit. Saliu, me shpresën e agjenturës serbë dhe ruse në Shqipëri, dhe Rama me joshjen e politikës reaksionare greke, kërkojnë të sjellin trazira antiametikane në Shqipëri. Po politika amerikane pasive është? Jo, përkundrazi, ajo është shumë aktive, dhe e ka gjëndjen në dorë. Prandaj shqiptarët janë të qetë. Para katër ditësh, ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, që i paralajmëroi rreptë krerët e opozitës duke iu thënë se: “Departamenti i Shtetit Amerikan, ju bën me dije se – nëse do të silleni me protestën tuaj të 27 janarit si në atë të dhjetorit; ne si Amerikë do t’iu godasim shumë rëndë “. Ku e gjen që ta kalojnë masën e të shpëtojnë një herë e mirë shqiptarët nga këta vjedhës që duan të shkatërrojnë Shqipërinë për të shpëtuar paratë e tyre të vjedha! Janë të humbur. Tani ka rënë gongu i sinjalizimit të fundit të tyre. Shqipëria është në progres perëndimor dhe brenda ombrellës mbrojtëse të Uashingtonit.

Kush me kë? Skizofrenia në qëndrimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë

Njëri thundrës, tjetri patkoit: Republika e Kosovës zbaton sanksionet perëndimore kundër Rusisë, ndërsa një zyrtar falënderon kundërshtarin më të madh të pavarësisë – Moskën; një pushtetar kërkon nga Pentagoni të stopojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, tjetri iu lutet politikanëve në Washington të ndihmojnë në themelimin e ushtrisë së Kosovës; ndërsa një pushtetar mbron kidnapimin e disa shtetasve të huaj, tjetri e kritikon ashpër këtë aksion. Me këtë kulturë primitive politike sundimtarët e Kosovës po e groposin gjithnjë e më shumë shtetësinë tonë edhe ashtu të kufizuar

Nga Agron DEMI

Disa ditë pas krijimit të Qeverisë Haradinaj, një nga pesë zëvendësit e tij falënderoi Rusinë për angazhimin në çështjen e Kosovës. Pengesa më e madhe për shtetësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është Rusia. Zyrtarisht, Kosova ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, ashtu siç kanë vepruar shumica e shteteve demokratike. Përkundër krejt këtyre fakteve, numri dy i qeverisë së Kosovës falënderon kundërshtarin më të madh të pavarësisë.

Në një rast tjetër, gjatë vizitës në Washington për të marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, zëvendëskryeministri i Kosovës kërkoi nga zyrtarët e Pentagonit të stopojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës. Pas tij, kryeministri Ramush Haradinaj në takime të ndara me të njëjtit zyrtarë, falënderoi SHBA për angazhimin në Kosovë dhe kërkoi ndihmë në transformimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

Përderisa për ne që jetojmë në Kosovë nuk përbën lajm kur një anëtar i Listës Serbe falënderon Rusinë dhe angazhohet kundër ushtrisë së Kosovës, imagjinojeni befasinë e pakëndshme të një zyrtari të një shteti të huaj, i cili pranon kërkesa të ndryshme nga dy zyrtarët më të lartë të ekzekutivit të Kosovës?

Por këto nuk janë rastet e vetme kur institucionet e Kosovës shfaqen skizofrenike. Turqia ka dorëzuar kërkesa të shumta për ekstradim të shtetasve turq të cilët akuzohen nga Qeveria e Erdoanit si pjesëtarë të organizatës FETÖ, por institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të njëjtë sa i përket trajtimit të këtyre kërkesave. Përderisa Policia dhe Agjencia e Inteligjencës (sipas të gjitha gjasave në koordinim me presidentin) kidnapojnë dhe depërtojnë gjashtë shtetas turq, për të njëjtat akuza gjykatat e Kosovës i garantojnë të tjerëve azil politik. Përderisa kryeministri i Kosovës dënon sjelljen e policisë dhe AKI-së, duke i shkarkuar krerët e këtyre dy institucioneve, ministri i Ministrisë së Administratës Publike i vlerëson anëtarët e organizatës FETÖ si terroristë, duke deklaruar se çfarëdo që shteti turk deklaron, ajo është e pranueshme edhe për të. Në mes të qëndrimit të Turqisë dhe qëndrimit të Kosovës, ky zyrtar i lartë i shtetit zgjedh t’i besojë më shumë Turqisë.

Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme po zbatonte vendimin për të arrestuar zyrtarin serb Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë në territorin e Kosovës edhe pse ekzistonte një ndalesë për të, ministri i Bujqësisë dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore me trupat e tyre provonin të pengonin arrestimin e një zyrtari të një shteti tjetër. Për tërë këtë aksion, kryeministri Haradinaj deklaroi se nuk kishte asnjë informacion, kurse presidenti deklaronte se Gjuriq ishte strehuar tek një mik i Haradinajt në veri të Mitrovicës.

Përderisa ministri i Punëve të Jashtme deklaron se njohja nga Burundi dhe shtetet tjera afrikane është shumë e rëndësishme dhe se ky shtet nuk e ka tërhequr njohjen, zëvendësministri i MPJ deklaron se ky shtet e ka tërhequr njohjen, duke vazhduar se njohjet nga shtetet si Burundi nuk janë të rëndësishme, ngase janë siguruar përmes premtimeve të dyshimta që Behgjet Pacolli u ka bërë shteteve të varfra.

Në këso sjelljesh absurde janë përfshirë edhe partitë opozitare. Përderisa 141 federata të futbollit votuan për të pranuar Kosovën në FIFA, ish lideri i Vetëvendosjes shprehej i zhgënjyer për faktin se prej momentit të pranimit lojtarët e Kosovës do të luanin për shtetin e tyre dhe jo për një shtet tjetër, atë të Shqipërisë.

Këto e shumë raste tjera tregojnë për një kulturë primitive të udhëheqësve institucional. Po ashtu, raste si këto shpërfaqin edhe absurdin e mbajtjes pezull të shtetit të Kosovës, mes pranimit si të barabartë në OKB dhe vazhdimit të pafund të negociatave Kosovë-Serbi. Aktualisht, Kosova është më pak shtet funksional, se sa me atë që garantohej me Pakon e Ahtisaarit. Edhe ashtu, ka kohë që interesat e Kosovës më mirë mbrohen nga diplomatë të shteteve mike, se sa nga vetë strukturat tona shtetërore. Nëse vazhdohet kështu, Kosova mund të jetë rasti i parë në historinë bashkëkohore, ku një shteti i mohohet sovraniteti i plotë për shkak të injorancës së liderëve shtetërorë.