Ndihmës nga Tirana për krijimin e ‘Serbisë së Madhe’!

Nga Enver Bytyçi

Gazeta serbe “Danas” ka intervistuar këto ditë një opinionist të Shqipërisë, Mustafa Nanon. Në këtë intervistë Nano flet për dy opsione të së ardhmes së Kosovës; Të qëndrojë kështu siç është ose të ndahet dhe veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë.

Duket qartë se opsioni i parë i shtetit të Kosovës përmendet si marifet për të relativizuar opsionin e dytë, atë të ndarjes së saj. Kjo, sepse ai është i vetëdijshëm se ky opsion është edhe opsion i Beogradit dhe përpiqet që të mos bie në sy se po vendoset në një radhë me Milosheviçin, i cili gjithashtu para bombardimeve të NATO-s kishte dalë me të njëjtin propozim si ky i Muç Nanos. Po kështu Dobrica Qosiç, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Serbisë.

Por më bën përshtypje fakti se sa të dhënë janë këta këshilltarët e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama pas lancimit të tezave të Beogradit për Kosovën.

Ndarja e Kosovës dhe bashkimi i territoreve me pasuritë e saj me Serbinë është ëndrra e Beogradit. Kësaj ëndrre i janë bashkuar në Kosovë miqtë e tjerë të Ramës, Rexhep Qosje, Baton Haxhiu, Shkëlzem Maliqi dhe në Shqipëri jo vetëm Muç Nano, bashkëpunëtor i rregullt i mediave të Beogradit, por edhe simuçët e tjerë.

Këto janë frytet e iniciativës kryeministrore në Serbi e Shqipëri për “vëllazërimin shqiptaro-serb”, duke anashkaluar interesat e Kosovës dhe duke cenuar sovranitetin e saj!

Është mirë që në qeverinë e presidencën e Kosovës t’i bëhet një vend si këshilltar i dobishëm edhe Mustafa Nanos, nëse ata kundrejt shpërblimit me territoret shqiptare duan të “pajtohen me serbët”! Ndihmësit e Tiranës në opsionin serb të Milosheviçit për krijimin e Serbisë së Madhe kanë marrë tashmë revansh.

Frika

Frikë nga Zoti nuk mund të kishe. Zoti ishte një babaxhan i urtë që i kishin djegur shtëpinë.
As nga Ligji nuk kishe frikë. Ligj ishte burgu

Nga Edison Ypi

Ta haje bukën që kishte brenda miza të ngordhura dhe pisllëqe të tjera, edhe nga kjo nuk kishe frikë. Askush nuk kishte vdekur duke ngrënë bukë të tillë. Nga frika e ilaçeve shpëtoje duke mos i gëlltitur, pra duke ia lënë në dorë shëndetin aftësive autoimunitare të organizmit. Oborret e spitaleve ishin plot me tabela dhe kapsula që pacientët i flaknin nga dritaret e pavijoneve.

Por mund të kishe frikë nga dashuria. Për t’u çliruar nga frika e dashurisë kishe dy mënyra, duke mos u martuar, ose duke mos e tradhtuar kurrë gruan.

Komshiu i katit të dytë ishte spiun. Le të ishte. Sa kohë edhe ti edhe ai hanin të njëjtat lëtyra dhe visheshit me rrecka, e rëndësishme ishte të mos kishe frikë se spiuni do të spiunonte. Spiuni nuk të spiunonte po të mos e kishe frikë. Spiuni të spiunonte po ta kishe frikë, që do të thoshte se në kokë kishe ca lakra, në mendje bluaje ca helme.

Të kishe frikë mos të shkelte ndonjë makinë në rrugë, nuk bëhej fjalë. S’kishte as rrugë as makina.

Nga frika e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm që mezi ç’prisnin të na pushtonin, mund të mos kishe frikë vetëm po të kujtoje se luftërat me ata do t’i fitonim ne që bënim Zbor, jo tigrat prej letre që nga kallashnikovi, llozi, kundërgazi, s’kishin haber.

Nuk kishe arsye gjithashtu të kishe frikë nga ndonjë sulm i befasishëm i NATO-s që mund të rrezikonte tejkalimin e planit, fitoret, dhe vetë kurvin, që marrtë nga ditët tona. Me syçelësinë dhe ndihmën e pakursyer të popullit, fitoret i mbronte dhe kurvin e ruante Sigurimi.

Ishte e kotë të kishe frikë se mund të internonin. Ta sillnin Skodën në çdo çast që t’u tekej, pa të pyetur në kishe a s’kishe frikë.

Kishte gjithandej tabela “Ruhu nga qeni”, “Ruhu nga treni”, “Ruhu nga vinçi”, çka do të thoshte se partia i kishte marrë të gjitha masat mos të gjente asgjë e keqe, të ishe jashtë rrezikut të frikës nga kafshimi i qenit të kufirit, dalja nga shinat e trenit që ecte me 20 kilometra në orë, rrëzimi i vinçit që ndërtonte veprat e pesëvjeçarëve.

Sa kohë gjarpër ose spiun ishin të gjithë, nuk kishe frikë as nga spiuni as nga gjarpri. Për rrjedhim, tabelat “Ruhu nga spiuni” dhe “Ruhu nga gjarpri” konsideroheshin të tepërta.

Surretërit i kishin; sekretari si të skuthit, komisari si të çakallit, komandanti si të zhapikut, shkrimtari si të kunadhes, poeti si të nepërkës, kompozitori si të gaforres. Megjithatë nuk kishe frikë t’i shihje. Nuk i kishin zgjedhur vetë ata turinj. Me ata surretër i kishte dënuar Zoti.

Thoshin se po të dëgjoje Zërin e Amerikës pa frikë, të rrasnin brenda, ndërsa po ta dëgjoje me frikë, nuk kishe pasoja. Ishte gënjeshtër. Sa kohë Zërin e Amerikës e kishte zaptuar Sigurimi, Zërin e Amerikës mund ta dëgjoje si të doje, haptas, fshehtas, me frikë, pa frikë. Nëse Zëri i Amerikës kishte të bënte me ndonjë frikë, ajo frikë nuk mund të ishte e jona që e kishim Sigurimin brenda, por e amerikanëve të cilëve Sigurimi u ishte ulur tinëz në sofër.

Dukej sikur arratisja ishte diçka e frikshme. Rrenë me bisht. Arratisja nuk ishte e frikshme në asnjë kombinacion.

Po të arrije të hidheshe matanë, ata që do lije këtu do t’i kalbnin nëpër baltëra, por ty do të mbulonte gazi dhe hareja.

Po të sharronin mbi tela me 72 plumba, do vdisje në vend dhe nuk do kishe as mundësi as kohë për të pasur ndonjë lloj frike.

Po të kapte ushtari ose qeni, do të fusnin në burg derisa të vdisje, ku për frikë dhe trimëri as mendja nuk do të shkonte.

Po ta kishe frikë partinë, marksizëm leninizmin, diktaturën e proletariatit, çka edhe mund të ndodhte, ishte shenjë e sigurt se burgun e kisha hak. Prandaj, që të flije rehat, e mira ishte të mos i kishe frikë por t’i adhuroje.

Qorrimi prej parakalimeve, shurdhimi prej duartrokitjeve, për shkak të të dyjave thyerja e gjymtyrëve nga përplasja nëpër bordura, mure, shtylla, as këto nuk shkaktonin frikë. Problemet me okulistin, otorinologun, ortopedin, i ndreqte mjekësia falas.

Çmendja ishte problem, dhe mund të shkaktonte frikë. Por përderisa nuk dihej në cilin moment do ndodhte, frika nga çmendja ishte frikë e kotë, dhe si e tillë, nuk ekzistonte.

Nuk kishe asnjë arsye të kishe frikë nga rrufeja, që nuk bie në hale.

Një rast frike disi i vështirë ishte frika nga humbja e ëndrrave, kështjellave brenda të cilave frika nuk mund të depërtonte kurrë. Që të mos kishe frikë nga ëndrrat, duhej t’i vrisje. Vrasja e ëndrrave bëhej në dy mënyra. Duke pushkatuar gjumin ose duke therur zgjimin, njërin ose tjetrin sipas dëshirës. Pra, të vazhdoje të gjalloje gjithë kohën zgjuar ose gjithë kohën në gjumë. Çka pas pak sillte vdekjen. Që ishte më mirë se frika nga humbja e ëndrrave me pasoja dramatike për breznitë e ardhshme, dhe vetë racën, nëse racës i ka mbetur ndonjë qelizë pa u kalbur.

Derri, dosa, zhaba, qeni, bushtra, kërmilli, keci, viçi, lopa, ishin paqësorë, bënin çdo mbrëmje xhiro në bulevardin Stalin. Prej tyre s’kishe asnjë frikë.

Mund të mos kishe frikë nga shumë tmerre, por nuk mund të mos kishe frikë nga frika. Mirëpo frika nga frika quhet panik atak, që atëherë nuk njihej, pra edhe frikë nga frika nuk mund të kishe.

Ndoshta ziliqarët sajonin shpifje dhe dërgonin nëpër komitete letra anonime për të të burgosur. Le të sajonin çfarë të donin halabakët. Nga burgu s’kishe frikë. Në burg s’kishe pse të shkoje. Në burg ishe.

Triumfi i primitivizmit

Kuptimi i vërtetë i fjalës primitiv është njeri i thjeshtë, i paarsimuar. Por tek ne primitivët më të mëdhenj, shembëlltyrat e primitivizmit, i gjejmë mu në mesin e atyre që kanë njëfarë arsimimi

Primitivi beson se bota ekziston vetëm për të. Ai nuk ka dilema, hamendje, brejtje ndërgjegjeje, trauma. Bota e parë me sytë e tij është e thjeshtësuar, pa dilema morale. “Ose s’i them unë, ose kurrsesi!”

***
Në kohë të qeta primitivët si mishërim i vulgaritetit shërbejnë për të qeshura. Uria e tyre e pangopshme dhe etja që gjithçka t’ia përshtatin dhe t’ia nënshtrojnë vetes duket e pamend dhe megalomane. E, si përgjigje ndaj rrethinës e cila i përqesh, ata krijojnë kulturën e tyre, shtetin e tyre në shtet. Kanë letërsinë e tyre, muzikën e tyre, idhujt e tyre, yjet dhe mbretërit. Primitivizmi është infektues. Kultura e primitivëve në kohë të errëta bëhet kulturë shtetërore, idhujt e tyre – idhuj të masave. Fryma e primitivizmit atëherë ndjehet në çdo hap, ajo është stampuar në çdo pjesë të jetës, pa rezistueshëm ngrihet si një metaforë e gjithçkaje ekzistuese.

***
Primitivizmi lind fanatizmin, ndërsa fanatizmi primitivëve u jep forcë të re, forcën e barbarëve të gatshëm të rrënojnë, shkelin, shkatërrojnë. Shovenizmi, fashizmi, stalinizmi, bashkojnë në vete primitivizmin e fanatizmin. Fanatikët verbërisht mësyjnë drejt realizimit të qëllimit të tyre. I bashkon urrejtja.

***
Gjithçka që ata prekin, shndërrohet në të kundërtën e vetes. Besimi bëhet blasfemi, atdhetaria e komprometuar, kultura nënçmuese, pushteti mbrojtje e anarkisë, institucionet e arsimit të lartë paravan për marrëzi, politika – strehë për primitivizmin e primitivët. Topuzi ideologjik në duart e primitivit fshikullon e godet rreth vetes gjithçka që prek. I zgjuar njëherë dhe i trimëruar, primitivizmi përhapet me forcë të papërmbajtshme, duke ofruar shembuj të tmerrshëm të mizorisë, përçmimit të personalitetit dhe marrjes së jetës dinjitetin themelor.

***
Vetë-respekt pa kurrfarë mbulese, brutalitet ndaj të paaftëve, përulje para eprorëve, ndërsa “vetëmashtrimi”, siç ka thënë poeti, “është vrasës për njerëz e për popuj”.

(Filip David, shkrimtar beogradas)

Mos e përdorni sovranitetin si ‘gjethe fiku’!

Nga Kristaq Xharo

“…t’i brendashkruhesh një koncepti të ngushtë të sovranitetit vestfalian në këtë botë, është një anakronizëm i pamenduar, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin”. Havier Solana

Tashmë në mënyrë paradoksale rigjendemi në valën e tretë të rapsodive të ‘sovranitetit’. Heronjtë e gjallë të ‘mbrojtjes së sovranitetit’, për fat të mirë, janë po ata të dy valëve të para. Por, akoma në mënyrë ironike, janë për të njëjtën çështje, për sovranitetin në drejtësi. Ata qëndrojnë aty stoikë dhe përsëritin të njëjtën rapsodi që nisën më parë. Numri i tyre nuk është shtuar, e as mbështetësit e tyre. Ndoshta ata do të jenë aty edhe më pas, por asgjë më cilësore nuk iu kanë shtuar ligjërimeve të tyre. Do të ishte shumë produktive që konceptin e sovranitetit ta lidhin me modelin që ata besojnë. Kjo nuk është shumë e vështirë pasi teoritë politike njohin vetëm dy lloj: atij që vjen nga Traktati i Vestfalisë në 1648 dhe që njihet me termin sovranitet vestfalian’ dhe atij që nis me krijimin e Lidhjes së Kombeve në 1920 dhe që mori formën moderne në 1945 me Organizatën e Kombeve të Bashkuara e që njihet si ‘ sovranitet modern’. Pa hyrë në shpjegimin e koncepteve (mund ta gjeni në literaturën bashkëkohore), Shqipëria ju bashkua plotësisht konceptit modern në sovranitetit në vitin 1990.

“Në mungesë të drejtësisë, sovraniteti nuk është asgjë tjetër veç robëri e organizuar.”– St. Augustine (354-430). Duke mbetur të ligjërimet më të fundit të meraklinjve të sovranitetit ato po degdisen në britma individuale edhe pse predikuesit kanë pozicione në formacionet e tyre politike apo shtetërore. Çfarë përfaqëson vala e re dhe predikuesit e vetëdeklaruar. Kjo valë u rishfaq para pak ditësh në kontekstin e zgjidhjes së prokurorit të Përkohshëm. Si dhe në baticat dhe zbaticat e mëparshme kjo nuk lidhet me kalendarin hënor, por me amplitudën e Reformës në Drejtësi. Ndryshe nga vala e parë (jemi në të tretën) kjo baticë nuk kapi në “befasi” as opinionin publik, por as edhe aktorët kryesorë, veçanërisht aleatët strategjik që po angazhohen me procesin e reformës.

Ajo që e dallon këtë valë është se heronjtë e mbrojtjes së sovranitetit po përdorin armët e fundit, objektivin për të degraduar personalisht përfaqësuesit e huaj. Ndihet që nuk iu ka mbetur asnjë mjet tjetër politik e diplomatik. Ndoshta edhe predikuesit po e besojnë se është beteja e tyre e fundit. Kjo baticë, që i ka të gjitha mundësitë të mos e arrijë bregun, do të ketë vetëm efekt bumerang. Nën paradoksin se “presioni” për Reformën në Drejtësi po cenon sovranitetin kombëtar, thirrja po identifikon grupin që vetëm merakun e sovranitetit nuk e kanë. Nuk besohet se do të ketë ndonjë efekt kërcënues as në opinionin publik të cilit po i adresohet, por as edhe ndonjë efekt ndikues tek aleatët ndërkombëtarë strategjikë. Të parët e kanë nivelin e inteligjencës më të lartë se mesazhet që adresohen, ndërsa aleatët do të vazhdojnë të mbeten pjesa motorike e procesit të reformës, si garancia e vetme e suksesit. Asnjë nga të dyja palët që i adresohen nuk besoj që do të bien në “grackën” e partizanëve të “sovranitetit vestfalian” dhe fuqishëm do mbeten të orientuar drejt misionit kryesor. Dhe kjo është më e thjeshtë se sa mund të mendohet pasi opinioni është i qartë, se një Reformë në Drejtësi e bën vendin më të mirë ose më të vështirë, por jo më sovran apo më të rrezikuar. Nuk ka ndonjë dilemë në raportet midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet” dhe qëllimit të reformës.

Berzinski shprehet që ‘Sovraniteti është një fjalë që përdoret shpesh, por nuk ka kuptim të veçantë. Sot sovraniteti është nominal. Shtete që pretendojnë se janë sovranë janë të tillë vetëm nominalisht dhe relativisht…’. Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët po e shkëputin termin nga konteksti i përgjithshëm. Ka paradokse në artikulim ashtu siç mund të mendohet se ka qëllime të tjera, por larg shqetësimit të vërtetë për sovranitetin. Se çfarë është sovraniteti, si sigurohet ai në arenën ndërkombëtare dhe botën bashkëkohore, nuk lidhet aspak me atë që dëshirojnë të lidhin të merakosurit e sovranitetit. Nëse do të mendohej për “cenim” të sovranitetit, mendimi do të lidhet me ata që po e cenojnë. Në kontekstin e cenimit të sovranitetit identifikohet rreziku nga ndërhyrja e jashtme. Kështu thonë edhe ‘mbrojtësit e sovranitetit’. Bile këta të fundit marrosjen e kanë identifikuar me përfaqësuesit zyrtarë të SHBA e BE.

Nëse e kanë për forca të brendshme ato mund të identifikohen në rolin e bashkëpunimit me të huajt dhe do të cilësoheshin me termin ‘kolaboracionistë’. Pra, përsëri rreziku i kërcënimit të sovranitetit mbetet përherë i jashtëm. Po cilët janë cenuesit e sovranitetit. Mos ndoshta ata që morën pjesë në krijimin dhe rritjen e shtetit sovran shqiptar. Edhe vetëm kaq, në çdo rast do të ishte gabim përafrimi i artikulimit të termit sovranitet me Reformën në Drejtësi. Ndërsa aleatët tanë strategjikë janë në unison për realizimin e Reformës në Drejtësi e për të bërë një shtet modern e të sigurt në mënyrë ironike përballen me elitat politike që ju vendosnin përballë flamujt e rreckosur nën emrin e sovranitetit. A thua që po përsëriten vitet 1914-1924. Histori e kthyer në tragji-komedi.

Nëse do të dëshironin të debatonin vërtet për sovranitetin mund të afrohen çështje edhe më kritike, por që vërtet lidhen me fuqinë e termit. Për cilin “cenim” të sovranitetit është thirrja e ‘heronjve? Në cilën aspekt të sovranitetit: territorial, politik, ekonomik, ushtarak? E më tej, nga kush po cenohet ky sovranitet? Përse gjithë aleatët strategjikë, ata që historikisht kanë qenë në ngritjen dhe ruajtjen e këtij shteti sovran po vihen në anën e cenuesve? Vendi ynë, tashmë dihet që sigurinë shtetërore, si element të sovranitetit ia ka adresuar sigurisë kolektive- NATO-s. Në mënyrë ‘sovrane’ ne nuk kemi aq kapacitete dhe aftësi për ta ruajtur i vetëm sovranitetin territorial. Ne nuk kemi kapacitete për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe atë detare.

Ne kemi kapacitete shumë të kufizuara për kufijtë tokësorë. Nëse është fjala për sovranitet ekonomik, jo ne, por edhe vende të tjera më të mëdha e më të fuqishme, në epokën e globalizmit nuk mund të jenë tërësisht sovran për zhvillimet ekonomike. Për më shumë se 20 vjet FMN, BB, apo BE asistojnë në politikat dhe ndihmat ekonomike për zhvillimin e vendit. ‘Sovraniteti politik’ është po aq i ndërvarur i ‘cenuar’ ndërkohë që kemi pranuar dhe dëshirojmë integrimin në BE, NATO apo organizime të tjera politike ndërkombëtare. Nëse dëshirojmë të integrohemi në perëndim ku afrohen mundësi zhvillimi dhe mbijetese kombëtare kërkohet të ecet me hapin e tyre ku bëjnë pjesë edhe drejtësia, duke qenë të ndërgjegjshëm për detyrimet jo vestfaliane. Emanuel Makron shprehet qartë se “…sovraniteti e tejkalon nivelin kombëtar; ky ishte gabimi i Brexit dhe që të tjerë bëjnë…”.

Na e keni bë punën të themi ‘nuk ia vlen të jesh i ndershëm’

Nga Kimete Berisha

S’mund të jetë demokratik, as i lirë, as perendimor, as normal, nuk meriton liberalizim vizash e as lëvizje rë lirë, një shtet si Kosova ku punëtorët e sektorit privat trajtohen si skllevër, ama, bash- bash si skllevër, në mesjetë.

– Nuk i bëjnë hesap për njerëz;
– Shkoni kqyrni se në çfarë temperaturash të ulta punojnë ata sot!
Ku është njerëzia! Ku i keni inspektorët e punës, Kryeministër, a ka mbet naj njeri normal në këtë vend!
– I kërcënojnë me largim nga puna dhe i frikësojnë;
– Rrogat e vogla plus ua vonojnë, ua japin xhepa-xhepa;
– I detyrojnë me punu edhe për festa;
– I detyrojnë që të dielave me ua falsifiku artikujve ushqimor afatet e prodhimit (me aceton);
– Nuk kanë të drejtën e ankesës;
– Punojnë pa kontrata;
– Punëtori i shkretë (skllav qysh e keni bë) ia ruan sytë pronarit, kur po e largon nga puna, a po më largon tash a tash;
-Skllavopronarë (hajna e kriminela) e kanë moton e njejtë për të gjithë skllevërit e tyre, pa përjashtim ‘mos ju pëlqeftë, ecni menjëherë, po presin në rend me ta zënë vendin;
– Nuk kanë të drejtë për pushim mjekësor.

Nënvizo, Kosova (shtet demokratik) nuk u jep të drejtë punëtorëve privat për pushim mjekēsor.
Nuk u jep pushim kur sëmuren, përveç pushim pa pagesë. Për lehona as mos të flasim se është e tmerrshme qysh e dekurajoni ju natalitetin;

– Vajzat e bukura e të varfëra i ngacmojnë dhe i kushtëzojnë (respekt për përjashtimet);
– Nuk zbatohet Ligji i punës në sektorin privat, sepse ju vetë jeni skllavopronarët që ua thithni gjakun punëtorëve, që s’di pse s’kanë vullnet të bëhen bashkë e t’ua ua zënë derën me therrë!

Ku po i sheh ti ato suksese, Kryeministër i skllevërve dhe shok i skllavopronarëve. Asnjë sukses të vetëm për 100 ditë, por edhe 500 vjet me ti jap Zoti ymer, ky je ti, kaq di dhe kaq mundesh ti.
Ti ke pare boll, je milioner, shtëpinë më të bukur se Bil Klintoni, s’di ti çka është me të shkel gjinja për një copë bukë e djath.

Sukses tjetër i yti është ndërmarrja me imitu Edi Ramën. Nuk imitohet Edi Rama, sepse ai ka energji mendore e ti ke energji fizike. As ai nuk mundet me t’imitu ty me muskuj

Ti ke studiuar online, kur të hysh në oborrin e dijes, ruaju se të zhveshin njerëzit, rri mos ia zë diellin Diogjenit, se atij kurrë s’i ka hëngër palla për asgjë, e as për paret e Aleksandrit të Madh.
Sepse, paraja dhe fuqia më e madhe është ‘dija’.

Nuk mund të jetë i mirë një njeri arrogant që i quan popullin ‘matrapaz’ që të shkretit mundohen m’i mbrojtë pronat e veta.

Se, vlerë nuk ka veç tulla, vlerën shtëpisë ia japin kujtimet e jetës dhe fëmijërisë. Sa herë shkoj në Mitrovicë, afrohem te shtëpia e fëmijërisë në oborrin e të cilës kam lindur dhe ia nguli sytë me mallin e krejt jetës. Ajo është shtëpi e vogël dhe e vjetër, por për mua është si një kuti me poezi dhe me bonbone.

Po ku merr vesh ti nga ndjenjat e bukura, një njeri që mbahet si burrë i odave e flet si gratë e kqija. Mos na trego çka është burrnia se kam dëgjuar çka është. Por kurrë në jetë nuk kam dëgjuar njeri që i thotë vetes ‘burrë’ dhe e ofendon një grua ndër sy të botës dhe burrit të saj (siç e ofenduat ju deputeten Mimoza Kusari).

Kulmin e vrazhdësisë po e arrin kur po e heq setrën e po i tregon muskujt.

Rrogat e vogla; pensionet mos pyet; pleqtë nënçmohen; të rinjtë keqpërdoren; nuk ka shans m’u punësu pa të njofshëm; çohet shqiptari n’sabah nuk di kah me ja mbajtë; kanë mbet njerëzit të paahpresë, ngujumë; ilaçet vidhen nga zyrtarët e shtetit; drejtësia blihet e shitet me pare; Kryeprokurori spekulant i dorës së parë, s’ia prishë kush qejfin; ministrat nuk ta varin; e shfrytëzon qeverinë si fabrikë për prodhimin e rrenave (premton punësimin e 1000 e kusur njerëzve që prej këtij momenti dihen kush do të jenë ata).

Zyrtarët shqiptarë i përcjell kur po hyjnë e kur po dalin nga zyret, ndërsa qindra serbë të MUP-it, marrin paga pa dalë kurrë në punë. Kurrë-kurrë, ama kurrë. Nuk i njeh kush, kush janë ata, s’ua ka pa kush fytyrat.

Çka po sheh mirë ti këtu?

Veturat zyrtare keqpërdoren (qysh janë keqpërdorë gjithmonë). Vendimi yt vlen veç derisa të perendon dielli, e pastaj si ti bie terri tokës vazhdojnë hajnat e kriminelat me ‘rrnu’ me vetura zyrtare, u knaqën, kurrë pa shpenzu gjë, pa pagu derivate, shetitu poshtë e lartë ‘badava’, zgjate Zot.

Këtu shkelen të drejtat elementare të njeriut, e ju flisni për suksese! S’ka suksese në një vend ku s’ka drejtësi.

Por megjithatë edhe ti e ke një sukses të madh. Suksesi më i madh i joti për këto 100 ditë është që ke arritë m’u bë i neveritshëm në afat rekord, dhe të gjithë luten mos me të zënë pranvera si Kryeministër.
Mu pyet unë nuk të kish zënë as Krishtlindja. Të kisha përcjellë me këngën ‘Shko përhape nëpër male se Krishti ka lind sot’!

P.S.

Në këtë vend nuk ia vlen të jesh i ndershëm! A ka dëshpërim më të madh se ky! Fundi i skllavërisë do të duhej të ishte kushti kryesor për liberalizim.

Alarmi i fortë po bjen, Kosova në rrezik të zhbërjes.!

Shkruan: Gani Sadiku

Çfar shteti po presim ne me dal nga ata që kurrë nuk i lëshuan dyert e gjykatave, dhe akuzohen e dyshohen për veprat më të ndyta kriminale? Çfar shteti po duam ne kur “çdo” politikan vrapon, jo për të udhëhequr, por për të vjedhur.

Çfar shteti po duam ne, kur krejt pasuria shoqërore është vjedhur, demoluar dhe ka kaluar në duart e pushtetarëve.? 
Çfar shteti po duam ne kur në çdo Fabrikë, Kompani apo ndërmarrje (çoftë edhe e vogël) prodhuese, kuadrot profesionale i ka nga Serbia.? Çfar shteti po presim ne të kemi, kur për kauza t’shpikura politike ia kthejmë shpinen Amerikës.

(Demarkacioni).? 
Edhe sikur që nesër të na e kthejnë tokën tonë deri në Sanxhak të Nishit, nuk ka çka na duhet, nëse ne jemi të varfër, të mjerë, të izoluar, dhe pa përkrahje,.

Nëse sot shkon në Vranjë Bujanoc, (në ministrinë e punëve të brendshme të Serbisë), 7 herë më shumë i ke duke pritur në sportele, shqiptarë (kosovarë) me prejardhje nga Kosova, të cilët tentojnë të marrin një dokument të Serbisë për ta lëshuar Kosovën “e tyrë të dashur”.

Me çfarë të drejte sot u themi atyre duane Kosovën, kur sot pikërisht ata në të cilët ne kemi shpresuar, e kanë bërë Kosovën të pa jetueshmë.! Çfar shteti po duam ne kur, çdo i ri, do të ikte nga ky vend, një minut e më parë.!?

Kosova më nuk është e qytetarëve të zakonshëm, e prodhuesëve, e rinisë, e punëtorëve, e të diturve, e të mençurve. Sot ajo është e matrapazëve e të shiturve, e gënjeshtarëve, sepse vetëm për ta ky vend ka mbetur i jetueshëm.

Nuk i bindë kush ma njerzit me jetue ne skamje e mjerim, pa punë, pa sigurime shëndetësore, pa arsim cilësorë, pa drejtësi efikase, dhe pa asnjë mundësi për të bërë jetë të dinjitetshme, vetëm përhirë të hymnit, flamurit, harzave, apo fotografive të heronjëve të varur nëpër muret e institucioneve. Jeta e zakonshme është përtej tyre, përtej dashurisë për heronjët e flamurin ( me gjithë respektin për ta).!

Nuk binden njerëzija më me fjalë të”mira të kuislingëve pushtetmbajtës, që këtijë dheu ma nuk i vjen era shqiptari, por “i vjen era fikë”, gërdi e maskarallak. Shtetet fqinjë kanë ikur së paku 20 vjet para nesh ekonomikisht, falë politikës dhe politikanëve të tyre, ndersa ne ngecim përshkak se na udhëheqin hajnat e banditët.

Nuk janë ma shqiptarët të përmallshëm, për ta provuar jetën në liri siç ndodhi pas lufte, sepse liria nuk u sjell bukë as ujë. “Liria është infrastruktura për të ndërtuar mirëqenie” (Emauel Hörmann).
Liria në fakt ka sjellur shumë ideologji, dhe fryma të ndryshme, në këtë vend. Por përtej frymës, qytetarit i duhet buka e uji.!

Do të ishte mirë që qytetari mos t’i dëgjojë gënjeshtrat e komandantëve milionerë se nuk e duan ata Kosovën as sa e doni ju.! 
Ata i kanë shumë borgj, kësaj toke e këtyre qytetarëve të ngratë. Ata në fund do t’ju lanë në dorë të Serbisë për “t’u larë” nga ju me një kërkim falje.!

Wolfgang Petrisch, diplomati austriak, e dha sot alarmin për rrezikun e zhbërjes së ëndrrës suaj.! Mos lejoni.! Mos u bani naiv, por protestoni që të kaloj demarkacioni, sepse politikanët e kanë hallin e tokës së Kosovës, vetëm nëse e kanë blerë ate. Një pjesë e mirë e tyre, jan misionarë të huaj, të kamufluar nën petkun patriotik dhe kauzave të rrejshme, e ditë e natë punojnë për interesa të të tjerëve,.

Nën petkun e patriotizmit folklorik, ndërkaç nuk e lëkundin bythen as për hymn as për flamur.! Thirren në emër të mirëqenies dhe institucionalizmit, ndërsa përditë i rrënojnë fabrikat dhe të tjerët i djegin institucionet.!

Disa të tjerët s’lënë gjë pa bërë nën petkun e bashkimit kombëtar, ndërkaç ditë e natë punojnë për ndarjen të mëtjeme të teritoreve tona.! 
Hajde me thuani dikush ju lutem.!

Drama shqiptare e “Vetëvendosjes”!

Nga Mero Baze

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, po kalon provën e parë të pjekurisë së saj politike, duke u ballafaquar me një përballje të një grupi drejtuesish të Lëvizjes, me profilin autoritar të Albin Kurtit. Është një histori që e ka kaluar çdo parti politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në botë. Nuk është as ndonjë dramë e madhe që i jep fund historisë, as ndonjë fitore e madhe nëse zbon nga partia “armiqtë” e tu.

Në rastin konkret, ka një acarim të skajshëm të militantëve pro Albin Kurtit me figurat e “Vetëvendosjes” që janë rreshtuar në mbrojtje të Aida Dërgutit, e cila po përjashtohet nga “Vetëvendosje” se ka fyer Kurtin. Detaji është banal, por problemi i ndarjes është real dhe është një sprovë nëse Vetëvendosja do ta tejkalojë modelin e partive shqiptare, a jo.

Deri më sot ajo mbahet si forca e re politike më efikase në hapësirën shqiptare, pasi gjithnjë ka ardhur duke u rritur dhe duke u bazuar fort në një ideologji të majtë, mbi solidaritetin dhe respektin mes anëtarëve.

Përfshirja e saj në pushtet në Prishtinë, dhe këtë radhë dhe në Prizren, duket se ka bërë që “Vetëvendosja” të kalojë moshën e pubertetit politik, dhe të përballet me politikën reale.

Të gjithë njerëzit e përfshirë në debat nuk është se thonë ndonjë gjë të re. I vetmi që mund të thotë diçka të re, është Albn Kurti. E reja që ai mund të thotë, është t’u tregojë militantëve të tij, teorive konspirative, paranojakëve që shikojnë armiq dhe të tjerëve që janë në ekstazë, se mos u merr dikush partinë, se për të nuk ekzistojnë probleme të tilla.

Albin Kurti është një vdekatar si gjithë të tjerët, njeri i prekshëm, që dhe vetë ka tentuar ta kthejë barazinë me qytetarin në frymëzim politik. Dikush që shet dhe shtëpinë për t’u ndjerë pa shtëpi si qytetarët e tjerë, për të bërë politikë, nuk mund të ngrejë një bunker betoni rrotull vetes, se mos e fyen apo sulmon dikush.

Ndaj fjala e Albin Kurtit në këtë pikë është e vetmja që vlen. Vlen më shumë për Albin Kurtin, se ne të tjerët. Ne jemi mësuar me politikanë si ky Albin që po farkëtojnë militantët e tij. Politikani që na ka munguar është Albini që shpresuam se është.

Është e qartë se një pjesë e drejtuesve të Vetëvendosjes nuk e duan Albin Kurtit dhe kaq. Nuk është fundi i botës. Në çdo parti ekziston një grup që nuk e dëshiron liderin dhe përballet me të. Ajo është po ashtu një pasuri e partisë. Albin Kurti duhet të provojë nëse do veprojë si gjithë liderët tradicionalë shqiptarë, si Berisha, Rugova, Nano, Thaçi etj, të cilët i zbojnë kundërshtarët, apo do përpiqet të bashkëjetojë me ta. A do ndjekë modelin e shqiptarëve, si Ben Blushi, që dhe kur ka një nënkryetare dhe 4 anëtarë, e zbon nënkryetaren si agjente, apo modelet perëndimore, që edhe kur ndarja është serioze dhe botëkuptimore, mbijetojnë si të barabartë.

Kaq është e gjithë drama dhe stërmundimi ynë për të mësuar nëse Albini është një udhëheqës i ri në hapësirën shqiptare, apo thjesht një udhëheqës që ka lindur pak më vonë se udhëheqësit e tjerë dhe po ecën në gjurmët e tyre.

Nëse ai e tejkalon veten dhe përpjekjet e militantëve të tij për ta mbajtur në “Bunkerin e Udhëheqësit të Madh”, atëhere ai ja ka rritur fuqinë “Vetëvendosjes”, jo vetëm si parti, por dhe si model politik. Nëse jo, atëhere do të vazhdojë traditën e politikanëve të tjerë shqiptarë.

“Vetëvendosja” është një projekt i tij, një frymëzim i tij dhe një model i tij. Por kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk vlejnë. Kritikët e tij janë njerëz që kanë personalitetin e tyre dhe padyshim kontributin e tyre në atë parti, por përballja me Kurtin natyrisht do t’i nxjerrë nga partia, nëse aty dominon fryma autoritariste dhe kripto-enverizmi.

Albini është sot në një moment, kur kritikët i bëjnë nder, dhe adhuruesit i bëjnë dëm. Dhe nga fakti se kë do zgjedhë ai, varet shumë se çfarë do të jetë për ne të tjerët. Filmi i eleminimit të grupeve armiqësore, është një film i parë disa herë në hapësirën shqiptare. Lajm i ri do të jetë, nëse në “Vetëvendosje” fiton legjitimitet demokracia e brendshme, mendimi ndryshe dhe bashkëjetesa. E kundërta nuk është lajm i ri, por shumë i vjetër, dhe nuk bën diferencën me partitë e tjera. Është një prej tyre. Është pjesë e dramës politike shqiptare.

Analfabetët meritokratë, sindrom modern i partive dhe kombit shqiptar

Gjyla Celiku

Varësisht rrethanave, ashtu krijohet edhe personaliteti. Rrethanat përfshijnë korpusin familje, zanatin(profesionin) që ushtron dhe pozitën që profesioni të ofron dhe institucioni ta miraton. Pozitat e pa profesionalizuara janë në dëm të institucionit, organizatës, partisë dhe shoqërisë. Pozitat për hatër, pozitat me pretendime dhe pozitat egocentrike janë shkatërruese të idealit.

Pozitat e pamerituara, avancimi i të pamerituarve krijon analfabetë meritokratë, të cilët kërkojnë vetëm lëvdata dhe t’jenë në qendër të vëmendjes “për sukseset e arritura”, pa e kuptuar asnjëherë që dikush me përkushtimin më të madh ka flijuar gjithëçka për krijimin e diçkaje me ndikim.

Psh nëse ne marrim partitë politike, qëndrimi për një kohë të gjatë në atë subjekt, gjysëmpërvoja e fituar, 200 fjalë të mësuara nga ajo parti, i krijojnë bindjen secilit që një ditë mund të bëhet lider/lidere.

Për mua kjo është fantazi e rrejshme e tyre, e ushqyer nga vete uni i tyre dhe nga rrethi të cilit i kanë ndihmuar, se kinse na “qenkan më të mirët”, duke harruar që nga askushi u bënë dikush dhe me ndikim, nga askushi morrën beneficione të ndryshme duke përfshirë derka e darka(mësuan karkalecat dhe midhiet), shëtitën botën, blenë vetura të reja dhe mësuan të mbajnë “bluza me krokodilë”, që mua nuk më bëjnë përshtypje dhe ndaj jam kështu si jam, sepse kur kam shkelur unë Amerikën ata s’kishin lëvizur nga fshati në qytet.

Kjo kategori njerëzish është më e dëmshmja, kjo kategori shpif, shantazhon, kërcënon, s’respekton as lider e as themelues, pretendon se mund të bëhet lider/lidere, s’i intereson josuksesei n’pozitën që ushtron sepse është i/e bindur që populli e do, duke harruar që populli e ka dashur por s’e do më.

Kjo kategori është në çdo parti shqiptare, jo rastësisht janë shfaqur këpurdha të reja me helm e vrerë. Si shembull më i freskët është në Kosovë Vetëvendosja, ku të njejtët me qëllim të caktuar, në kohë të duhur(duke shfrytëzuar kohën e Abin Kurtit në burg) ngrejnë pluhur me shpifje të ndryshme të cilat shkojnë në dëm të partisë dhe shoqërisë. Unë jam për ndryshime dhe fytyra të reja në çdo parti, por ama ato ndryshime të bëhen me etikë dhe t’jenë n’dobi të shoqërisë.

Nejse veç thash, por doja ta them!

Kosova në rrezik nga një klasë politike idiote dhe nga medie për faqe të zezë!

Nga Rexhep Kastrati

Wolgang Petrisch është shprehur tepër i shqetësuar për Kosovën, duke e quajtur të dobët dhe buzë kolapsit. Mirëpo, ky nuk është shqetësimi i vetëm që miq dhe personalitete të ndeyshme kanë shprehur për Kosovën. Diplomatë, ish-diplomatë, analistë dhe personalitete të ndryshme botërore vazhdimisht janë shprehur të shqetësuar lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke vënë theksin te një paaftësi e klasës politike për të vënë interesat e vendit para interesave të tjera, për të tejkaluar ndasitë dhe luftën e egër për pushtet.

Po ashtu, personalitete të rëndësishme botërore si dhe institucione ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen për nivelin e lartë të kapjes së shtetit dhe të korrupsionit që kanë bërë shtetin dhe institucionet e tij të dobëta dhe shumë herë jofunksionale.

Në fakt, këto shqetësime dhe këto vërejtje kanë konfirmuar qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi se kjo klasë politike është e paaftë për të ndërtuar institucione të fuqishme shtetërore, të paaftë për t’u përballur me sfida të vështira dhe të rëndësishme me të cilat është ballafaquar dhe po ballafaqohet Kosova.

Kjo klasë politike e paaftë dhe idiote që e ka dëmtuar shumë Kosovën gjatë viteve dhe që vazhdon ta dëmtojë edhe më shumë, në fakt është shfaqur për të krijuar raporte konfliktuale politike, për përçarje deri në luftë brendaahqiptare dhe për të komprometuar aftësitë shtetndërtuese të shqiptarëve.

Dhe kjo ka marr formë të plotë gjatë viteve të luftës kur edhe u përvijuan dy linja kundërkombëtare: linja e Tiranës/Kretës që doli nga mbarsimi politik Nano – Milosheviq në Kretë, dhe linja udbasho-jugosllavokomuniste, e dalë nga nënsqetullat agjenturore.

Qëllimi i tyre keyesor ishte që të rrënohej organizimi politiko-institucional i shqiptarëve të Kosovës, të komprometohej lufta çlirimtare, të instalohej pikërisht një klasë politike idiote dhe e paaftë dhe të binte niveli i politikëbërjes në Kosovë në nivel të tribalizmit politik.

Në atë kohë ka zënë fill edhe një korpus medietik që do të ishte i kontrolluar dhe në funksion të përçarjes, luftës speciale kundër organizimit pokitiko-institucional të Kosovës dhe afirmimit të një klase pokitike të paaftë dhe tribale

Ndarja dhe paaftësia e klasës politike në Kosovë për të cilën ka folur Petrisch bazën e ka pikërisht në kohën e luftës dhe është shpërfaqje e angazhimeve të përbashkëta të klasës politike idiote dhe të paaftë dhe të korpusit medietik për faqe të zezë.

Kjo është vërejtur gjatë viteve 2015-2016, kur marrëzia, veprimtaria destruktive, destabilizuese dhe manipulative arriti kulmin dhe kur Kosova ishte në pikën e saj më kritike dhe shpërthyese që nga vitet 1998 – 2000. Dhe tërë kjo ishte rezultat i bashkëveprimit të klasës politike idiote dhe korpusit medietik të faqes së zezë..

Këto ishin vite kur injoranca politike dhe medietike kishte arritur kulmin dhe që kishte për qëllim që tribalizmin politik ta bënte dominues edhe në proceset politike, edhe në ato diplomatike etj.

Paradoksi dhe fatkeqësia e Kosovës është se në kushte të pushrimit të egër diti të organizohet në pikëpamje politiko-institucionale, dhe arriti të bindte botën se e meritonte lirinë dhe mundësinë për t’u qeverisur vetë, kurse në kushtet e pavarësisë politike dhe juridiko-kushtetuese, kjo klasë politike idiote dhe ky korpus medietik për faqe të zezë dëshmojnë për të kundërtën. Tash e do kohë kjo klasë idiote politike dhe ky korpus medietik për faqe të zezë ka treguar shkallë të lartë të paaftësisë shtetformuese dhe shkallë të lartë të papërgjegjshmërisë shtetërore, kombëtare e profesionale, duke e vënë Kosovën në pozitën e një shteti të dobët, të paaftë dhe buzë kolapsit.

Dhe ky është qëllimi i Serbisë dhe i aleatëve të saj: të bindë aleatët tanë dhe botën se projekti për shtetin e Kosovës është një projekt i dështuar.

Prandaj, para se të ndodhë kjo, shoqëria jonë dhe aleatët tanë duhet të bëjnë gjithçka që ta çlirojnë Kosovën nga kjo klasë politike dhe nga ky korpus medietik për faqe të zezë, e jo të bëjnë eksperimente me individë të paaftë dhe vegla që veç shtet nuk dijnë të menaxhojnë.

SHIK-u, pushteti dhe partitë politike

Nga Mimoza Lakna

Nuk ka ditë që nuk përmendet ish Shërbimi Informativ i Kosovës. E shuar zyrtarisht, kjo organizatë, ka vite që është bërë kryefjalë e thuajse çdo politikani që kundërshton rivalët e tij. Së fundi, SHIK-u është “përfshirë” edhe në zhvillimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu të paktën ka lënë të kuptohet zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti, e cila ka përdorur termin “media të SHIK-ut”, për disa media dhe pronarët e tyre, që sipas saj janë shokë të Dardan Molliqajt.

Ka mjaftuar kjo deklaratë, që të kuptohet se sa keq janë punët brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Tani, gjithnjë sipas asaj që ka thënë Tinka Kurti, Vetëvendosja e cila ka kërkuar hetim parlamentar për SHIK-un, ka brenda vetes njerëz të afërt me SHIK-un. Si rrjedhojë e kësaj, në të ardhmen qytetarët e Kosovës, mund të mos i besojnë një hetimi parlamentarë të SHIK-ut të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, për LDK-në mund të ketë një arsye shtesë që të mos i besojë nismës së Vetëvendosjes për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut.

LDK, e cila është e goditur më së shumti nga vrasjet politike, e që vazhdon “ti qajë zemra”, se SHIK-u ka gisht në këto vrasje, do ti përforcojë bindjet e saj se vetëm institucionet e drejtësisë duhet ta hetojnë veprimtarinë e kësaj organizate.

Në anën tjetër, që në fillim të kësaj legjislature, ish Drejtori i SHIK-ut, tani Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri një deklaratë interesante e cila po zhvillohet hovshëm në praktikë.

“Ko me ju ngi me SHIK në këtë mandat. Mos bo pastaj ciu ciu me u tërhjek. Mos manipulo me plagët e njerëzve. Je i shpifës dhe i padinjitet”, kishte deklaruar Veseli në një nga seancat parlamentare, ku deputetë të LDK-së e quanin SHIK-un organizatë kriminale.

Se Kadri Veseli do të na “ngijë” SHIK askush nuk ka dyshuar, por se emri i Vetëvendosjes do të ndërlidhet me SHIK, këtë nuk e kishte menduar askush. Këtë nuk e kanë menduar qytetarët që e bënë Vetëvendosjen partinë e parë në vend, duke lënë shumë prapa madje edhe PDK-në, partinë që përbëhet nga ish pjesëtarë të SHIK-ut.

Për këtë arsye, Vetëvendosje, ua ka borxh votuesve të saj, që të deklarohet se nuk do të lejojë njerëz të SHIK-ut brenda. Këtë mund ta vërtetojë duke i qëndruar prapa premtimeve të dhëna në fushatën e zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti.

Situatë të ngjashme sikur në Lëvizjen Vetëvendosje, kishte në LDK pas vdekjes së Presidentit Rugova. “Kuvendi i karrigeve” i ka kushtuar shumë LDK-së në zgjedhjet që pasuan. LDK nuk arriti të kthjellet deri në zgjedhjet e këtij viti. Për të mos i ndodhur një gjë e tillë, Vetëvendosje duhet të demokratizohet dhe të mos lejojë persona apo grupe të caktuara që të prishin unitetin e saj.