4 ditë pa ty!

Nga Mira Kazhani

Që nga dita e enjte, 1 shkurt 2018, kanë ndodhur plot gjëra në Shqipëri. Disa të mira, disa të këqija. Lënia në burg e dy drejtorëve të Rrugëve, zgjedhjet në KLGJ e KLP, emërimi, sot, i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

Presidenti grek na bën presion për çështjen çame, duke na lidhur litarin për fyti me BE-në. Nesër Juncker prezanton strategjinë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Erjon Veliaj ka publikuar 7 punët e javës, qëparë, në Instagram. Blendi Klosi e ka me shumë zero numrin e pemëve. Erjon Braçe flet me Dritëro Agollin në distancë, se s’di ku ta hedhë vrerin për gabimet e së majtës. I dhembin bujqit, fermerët, të varfrit.

Ditmir Bushati del para studentëve ekselentë, se helbete do njeriu t’i përgjigjet dikujt e japë llogari kur është në pushtet. Ja, pra, pak a shumë jeta ka vazhduar me halle shqiptarësh dhe intriga politike, emërime dhe arrestime, por vetëm Lulzim Basha nuk duket gjëkundi, që prej ditës së enjte, tek Eni Vasili.

Kush e gjen një lider opozite në botë që zhduket 4 ditë? Asnjë postim në adresën e tij në Facebook! Asnjë reagim për një nga ngjarjet më lart. Ka dhe shumë më shumë sesa kaq, madje ka aq shumë sa edhe vetë Edi Rama është i zhgënjyer nga qeverisja e vet.

E acarojnë drejtorë abuzues dhe i pushon e lajmëron publikisht se në këtë vend gjërat nuk shkojnë mirë, aq sa të dhimbset që një njeri me ‘apetit’ opozitar ta lësh në Kryeministri, në atë vend të lodhshëm deri në mërzi.

Të paktën për Andi Tomën, i dashur Lul, ta bëje një reagim të thatë me dy fjali. Jo siç bën LSI-ja, se aq mbase nuk ta ka kap mendja e ndërgjegjja. Ish-bashkëpunëtorët mbahen deri në fund. Të paktën për politikë, një lider opozitar mund të reagojë e të thotë pse nuk arreston ministrat e ish-ministrat e tu?

Lulzim Basha është në fazën që përton edhe të gënjejë. I pafuqishëm, i fshehur pas një mbledhjeje grupi të lodhur, sot. Si gjithmonë pa ritëm, pa energji, pa motivim, pa statuse nga ato që, kur je në opozitë, seç kanë një fuqi, edhe pse gjysmë patetike, janë frymëzues dhe të bëjnë për vete.

Si është e mundur që sot opozita e vetme ishte shkrimi i Agron Agjemarkajt për lali Erin, por që me siguri nuk e ka lexuar Luli.

Më e shumta ndonjë këshilltar a këshilltare, që s’e përdor për punë institucionale. Ja kështu do bëhet ky vend, me kryeministrin që sillet sikur është në opozitë dhe Lul Bashën që përton të bëjë opozitë, se ndoshta do t’ia ketë thënë shoku i tij, Edi: kryeministër është një punë kaq e mërzitshme në Shqipëri!(Tiranapost.al)

Presidenti injorant grek duhet të durojë, ky është vetëm fillimi!

Nga Spartak Ngjela

Vetëm një injorant që nuk e njeh as historinë si shkencë, as të drejtën si koncept juridik, dhe as fajësinë ndaj një krimi si përcaktim krejt personal dhe as fare si përcaktim koleltiv, vetëm ky mund të flasë ashtu siç foli presidenti grek dje për genocidin çam antishqiptar që kanë ushtruar hordhitë kriminale greke kundër popullit shqiptar në vitin 1945.

Çfarë na tha dje presidenti grek me një kërcënim qesharak, kur i kërkoi politikës shqiptare që të mos e pëmendte as si emër çështjen çame, duke i quajtur mijëra fëmijë, gra e pleq shqiptarë të masakruar si bshkëpunëtorë të nazizmit?

Çfarë, pra:

Kërcënoi Shqipërinë?

Kërcënoi shqiptarët?

Iu kujtuan hijet makabre të sa kaluarës që kërkojnë shpëtimin ndaj përgjegjësisë për krimet anti-shqiptare?

I trembet i zhvillimit ndërkombëtar të Shqipërisë?

I trembet të vërtetës për shqiptarët e Ballkanit Perëndimor?

Iu kujtua në panik se vetë Greqia është një shtet dy kombësish, shqiptaro-grek, dhe këta tipa si Presidenti aktual grek kanë ushtruar në Greqi dhunë barbare kundër gjuhës shqipe, dhe kanë ushtruar genocid antishqiptar?

Kanë frikë se kjo kohë nuk ua përkrah më pushtimin e territoreve shqiptare?

Ka frikë nga aleanca shqiptaro – amerikani për Ballkanin Perëndimor?

Ka frikë nga aleanca germano- shqiptare për Ballkanin Perëndimor, duke kujtuar 200 miliardët e eurove që i kanë borxh Gjermanisë?

Apo ka, më në fund, frikë se padrejtësitë që Europa e vitit 1913-1915 ka bërë kundër popullit shqiptar në Ballkan, tani, me qëndrimin amerikan, po kërkon të heqë dorë nga padrejtësitë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Cila nga këto pyetje është më e sakta?

Janë të sakta, që të gjitha bashkë; prandaj mund të thuhet se ai është një president i dominuar nga frika e padrejtësisë antishqiptare. Por duhet të durojë, se është vetëm fillimi.

Shyqyr Zotit që fitoi Trumpi

Nga Ben Stein

Tani po fillojmë të shohim një konspiracion aq të madh saqë është e vështirë ta besosh. Media, Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC), një gjyqtar vërtet truvdekur i FISA-s dhe përsëri e përsëri media duket se po punojnë ditë e natë për të shkatërruar sistemin kushtetues të qeverisë.

Media, e cila me sa duket beson se është mbi ligjin (dhe besoj se është), po bashkëpunon ngushgtë me fushatën e Hillary Clinton për t’u siguruar se Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokrate/Medias nuk mund t’i humbte zgjedhjet e nëntorit 2016. E megjithatë, Sekretarja e Përgjithshme, Zonja Mao, Jing Qing (apo si dreqin shkruhet) humbi përballë një burri që as për një milion vjet nuk duhej as t’i ishte afruar fitores. Kësht që tani koalicioni DNC/MSM (Mainstream Media) po përpiqet me të gjitha forcat për të mbuluar konspiracionin e dështuar kundër vendit.

Në vende që të përpiqej të zbulonte lajmin e madh, aparati DNC/MSM punoi si dreqi për ta fshehur lajmin. Por ai ka marrë dhenë: Banda DNC/MSM spiunoi paligjshmërisht Trumpin. Ata nuk përdorën një tufë banditësh në Watergate. Përdorën gjykatat dhe patën sukses. Këta tani përdorën një rus apo një ish-spiun mik me rusët, thashetheme dhe blenë gënjeshtra të paguara për të shkelur ligjet zgjedhore dhe të drejtat civile të amerikanëve.

A mund ta imagjonini edhe në ëndrrat tuaja më të çmendura sikur Partia Republikane t’ia bënte këtë Zonjës Clinton? E imagjinonin gjakun në sytë në e kokave të mëdha të medias sikur të zbulonin që PR po bënte pikërisht këtë që bën dhe Clinton?

Shyqyr Zotit që Trump fitoi. Ndryshe, kjo sjellje shqetësuese e DNC, medias, konspiracionit rus, do to kalonte pa u vënë re dhe ne do të vazhdonim të flinim teksa e majta zhburrëronte Kushtetutën.

Tre brohoritje për Devin Nunes. Dhe një prokuror special tani, nëse mundeni ju lutem, për t’i shkuar pas dosjes false, zotit Steele dhe mandatit të FISA-s. Këto janë krime reale. Subversion real i sistemit të drejtësisë. Krahasuar me këtë, ajo që bëri Nixon ishte thjesht vjedhje tasa makinash nga ndonjë nxënës shkolle. A do të mbajë ndonjëherë përgjegjësi media?

Sigurisht që jo. Asnjë person nuk është akuazuar apo proceduar ndonjëherë për dhjetra muliona vdekjet nën udhëheqjen e Stalinit. E majta kujdeset për të vetët. E djathta ka ndërgjegje. Ndryshim i i madh. Por këtë herë ndoshta kemi një luftëtar.

Ndërkaq, t’i kthehemi zemërimit, tërbimit dhe zymtësisë së të majtëve dhe të Black Caucus (anëtarët afro-amerikanë të Kongresit) për fjalimin e parë vjetor të zotit Trump për situatën e vendit. E vutë re heshtjen e vrazhdë të tyre për familjen, ushtrinë, policinë, kishat? E majta në Amerikë e urren vërtet autoritetin, nuk respekton familjet, përbuz dijet, e ka inat politikën. Ky nuk është një veprim, por ajo çka ata ndiejnë.

Ky është revolucioni kulturor 1965-72 alla Mao Ce Dun i DNC/MSM. Kjo është një përpjekje për të shkulur rrënjët e rendit dhe zëvendësuar me zell racial. Kjo është ajo çfarë janë bërë Demokratët.

Kur Zonja Mao më në fund u arrestua dhe gjykua për tradhti pasi Revolucioni Kulturor u shua, ajo u bërtiti gjyqtarëve: “Maos i duhej një qen për të kafshuar armiqë. Unë isha qeni i tij”. Tani, klika e CBC dhe DNC/MSM kanë nevojë për një skuadër qensh për të kafshuar rendin dhe mirësinë. Ata kanë nevojë për SA (trupat sulmuese të Partisë Naziste në Gjermani) për të terrorizuar opozitën e arsyeshme. Ja tek ishin, të ngrysur në dashikit (veshje afrikane) e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe tani kanë edhe një slogan. Jo “Sieg Heil”, por “Ti je racist”. Dhe tani, fatmirësisht, njerëzit e mirë të Amerikës e kanë qenin e tyre sulmues/mbrojtës. Ai madje ka edhe aeroplanin e tij. Kjo nuk ka për të qenë shëtitja që kërkon Cory Booker (Senator Demokrat dhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme).

Marrë nga The Spectator.org-Përgatiti: SYRI.net

Sovraniteti apo integrimi evropian

Nga: Shaban MURATI

Një burim i mirinformuar diplomatik bën të ditur se Holanda i ka paraqitur një kusht Shqipërisë, që do t’ia japë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, vetëm nëse Shqipëria i akordon asaj pjesëmarrjen e një kompanie holandeze të gazit në procesin e menaxhimit të segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP dhe në ndërtimin e rrjetit të gazifikimit të vendit.

Sipas burimit, lëvizja holandeze duhet të ketë ardhur pas efikasitetit të së njëjtës lëvizje kushti, që bëri Greqia me Shqipërinë. Në prag të bisedimeve të raundit të parë midis dy Ministrive të Jashtme shqiptare dhe greke në Kretë, presidenti i Greqisë vjeshtën e kaluar katër herë me radhë parashtroi kushtin grek të përdorimit të vetos për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, nëse Shqipëria nuk lëshon në çështjen e detit, në çështjen e varrezave, në proteksionin grek mbi ortodoksinë shqiptare, në statusin e privilegjuar të minoritetit grek, etj.

Fakti që në datën 28 janar, pra pas raundit të dytë të bisedimeve midis dy Ministrive të Jashtme në Korçë, kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras në një mbledhje me krerët e partive politike greke njoftoi vendimin e qeverisë për heqjen e vetos greke për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, të çojnë tek mendimi se Shqipëria mund të ketë ceduar në drejtim të kërkesave greke. Kryeministri grek, i cili si rregull është prononcuar shumë rrallë për marrëdhëniet me Shqipërinë, e quajti të rëndësishëm rezultatin, sa vendosi të njoftojë vetë direkt se: “Ne jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë.

Një marrëveshje, që do të zgjidhë diferencat kritike dhe do të çojë tek vota jonë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE për vendin fqinj tonin”.

Hapi holandez, që imiton metodën e njohur greke të 25 viteve të postkomunizmit në raportet me Shqipërinë, për të vendosur kushtin e vetos në fazat e integrimit europian të Shqipërisë, ilustron pozitën e Shqipërisë me pozitën e lepurit të fabulës, i detyruar nga rreziku i jetës të futet në ferrë me breshkën, e cila keqpërdoron pozitën e tij dhe lepuri i thotë breshkës fjalinë proverbiale “vazhdo breshkë, se të ka ardhur dita”.

Në planin diplomatik dhe strategjik, kjo situatë breshke para të cilës ndodhet Shqipëria, me rastin holandez dhe sidomos me flagrancën e hapit grek, ngre siparin e një debati të madh, që duhet të zhvillohet në qarqet zyrtare dhe jo zyrtare, politike, diplomatike, ushtarake, akademike, të sigurisë, ekonomisë etj., lidhur me rendin e prioriteteve, që duhet të ndjekë sot Shqipëria midis sovranitetit dhe integrimit europian. Në mënyrë të veçantë, fakti i kushtëzimit aktual të votës greke për hapjen e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë në BE me kërkesën greke për cedimin në fusha të sovranitetit shtetëror e kombëtar, shtron sot nevojën e përcaktimit të një qëndrimi të përbashkët strategjik nga shteti, parlamenti dhe partitë kryesore politike. Drejtuesit e Shqipërisë postkomuniste, që i kanë bërë Greqisë cedime të papranueshme në sovranitetin e vendit, vazhdimisht janë përpjekur të justifikojnë lëshimet e tyre me rëndësinë prioritare, që i kanë dhënë ata integrimit europian.

Por, dilema e zgjedhjes midis sovranitetit dhe integrimit europian është një dilemë, që nuk mund të vazhdojë më kështu dhe që duhet zgjidhur dhe përcaktuar qartë në themelin e platformës së politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar erozione të reja në sovranitetin e saj shtetëror dhe kombëtar. Çështja shtrohet për një renditje prioritare strategjike midis sovranitetit dhe integrimit europian, kur shtete të ndryshme anëtare të BE, duke keqpërdorur veton, e vendosin Shqipërinë në pozitën e lepurit. Përcaktimi i prioritetit strategjik nuk bie në kundërshtim dhe as i kundërvihet kursit të drejtë të të gjitha qeverive dhe partive politike shqiptare për orientimin drejt integrimit europian dhe kjo është një dinamikë pozitive. Të gjithë jemi dakord për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nuk mund të jemi dakord që ai të paguhet me çmimin e humbjes së sovranitetit si pagesë për njërin apo tjetrin shtet anëtar të BE. Integrimi europian nuk është ajri i jetës dhe i ekzistencës së shtetit shqiptar.

Sovraniteti ka dhe duhet të ketë përparësinë absolute në prioritetet strategjike, diplomatike dhe kombëtare të vendit, për disa arsye:

Së pari, përmbajtja e procesit të integrimit europian të Shqipërisë është anëtarësimi në BE si organizatë, dhe jo integrim i saj një nga një në të gjitha shtetet anëtare. Shqipëria duhet të plotësoje kushtet e pranimit të BE si organizatë dhe jo kushtet specifike të çdo shteti anëtar, që ka votën e konsensusit. Përderisa kërkesat specifike të marrëdhënieve dypalëshe të çdo shteti anëtar me Shqipërinë nuk kanë statusin e kërkesës direkte të BE si organizatë ndaj Shqipërisë, nuk ka asnjë arsye t’u nënshtrohet kushteve të shteteve të veçanta, që cenojnë sovranitetin e saj.

Së dyti, në planin historik sovraniteti është i përhershëm dhe i përjetshëm, kurse integrimi europian është i përkohshëm. Sovraniteti i Shqipërisë është mijëravjeçar, kurse integrimi europian është proces i ri politik, i cili sipas ligjeve të historisë nuk vazhdon pafundësisht, pavarësisht se mund të zgjasë 100, 200 apo më shumë vjet. Shqipëria në historinë e saj ka kaluar përmes disa lloj integrimesh, si integrimi romak, integrimi bizantin, integrimi osman, integrimi serb, integrimi grek, integrimi jugosllav, integrimi sovjetik, integrimi kinez. Në të gjitha integrimet paraardhëse, që kanë qenë produkt pushtimesh, ka humbur tërësisht edhe sovranitetin.

Ndryshimi është se integrimi europian, ndryshe nga integrimet e mëparshme në histori, bëhet me vullnetin e lirë dhe me pjesëmarrjen e vullnetshme të shtetit, të institucioneve, të partive politike dhe të vetë popullit, që dëshiron të anëtarësohet në BE. Natyrisht, siç edhe është konstatuar nga përvoja e gjitha shteteve anëtare të BE, ata kanë pranuar vullnetarisht të humbasin një pjesë të sovranitetit kombëtar, në favor të BE si organizatë dhe jo në favor të njërit apo tjetrit shtet anëtar. Kurse Shqipërisë, shtete anëtare të BE si Greqia po i kërkojnë të humbasë sovranitet përpara se të hyjë në BE dhe ta humbasë në favor të këtij shteti në marrëdhënie dypalëshe, gjë që është e papërputhshme me Kushtetutën e Shqipërisë.

Së treti, sovraniteti përbën subjektivitetin ndërkombëtar të Shqipërisë, ndërsa integrimi europian nuk lidhet me këtë subjektivitet ndërkombëtar. Është sovraniteti që e bën Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në sistemin ndërkombëtar të shteteve dhe në organizatat ndërkombëtare dhe jo anëtarësimi në BE.

Së katërti, sovraniteti përputhet plotësisht me interesin e përhershëm kombëtar të Shqipërisë, kurse integrimi europian nuk e ka këtë përputhshmëri, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk i bën shtetet e tjera anëtare të kenë të njëjtat interesa kombëtare me Shqipërinë. Fakti që pesë shtete të BE, ndër ta edhe Greqia, nuk e njohin Kosovën, është kundërvënie e tyre ndaj interesit tonë kombëtar. Madje ka ndodhur dhe ndodhin vazhdimisht përplasje interesash kombëtare midis shteteve anëtare të BE.

Së pesti, sovraniteti është identitet kombëtar i një shteti dhe i një populli, gjë që nuk mund ta thuash për integrimin europian. Një shtet mund të jetojë pa integrimin europian, por nuk mund të jetojë pa sovranitetin e tij mbi territorin, mbi popullin, mbi pasuritë dhe të drejtat kombëtare.

Shqipëria pati fatin e madh historik që, falë planifikimit strategjik të SHBA, iu hap dera e anëtarësimit në NATO. Duhet thënë se për shtete si Shqipëria, e cila gjatë historisë së ekzistencës së vet vetëm është rrudhur gjatë shekujve, duke u ceduar territore dhe popullsi lakmive të shteteve fqinje, integrimi në NATO është më jetik se sa integrimi europian. Kjo është një rrethanë e rëndësishme strategjike dhe gjeopolitike, e cila për fat të keq nuk është kuptuar sa duhet nga udhëheqësit shqiptarë. Një Shqipëri anëtare e NATO-s ka pozita të tjera biseduese në tratativat me shtetet e tjera për integrimin europian, ndryshe nga një Shqipëri, që nuk ishte në NATO. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë arsye të cedojë në sovranitet ndaj kushteve specifike të njërit apo tjetrit shtet anëtar. Maqedonia ka qysh në vitin 2005 që ka marrë statusin e shtetit kandidat në BE dhe nuk i ka hapur akoma bisedimet e pranimit nga veto e Greqisë. Kur Maqedonia, pa qenë anëtare e NATO-s, i reziston 13 vjet vetos së Greqisë, pse duhet të cedojë Shqipëria që ka pozitën e fortë të anëtarit të Aleancës Atlantike.

Parashtrimi ynë ka të bëjë me fenomenin e dëmshëm, që konstatohet në politikën shqiptare të periudhës postkomuniste, ku në emër apo nën pretekstin e avancimit të integrimit europian, janë bërë lëshime të papranueshme në sovranitetin shtetëror. Shqipëria duhet të ecë në rrugën e integrimit europian, por pa ceduar në sovranitet ndaj shtetit fqinj. Ka një parim të madh dhe të parevokueshëm, që sovraniteti është më i rëndësishëm se integrimi europian. Ndaj është gabuar të ketë një dilemë shqiptare, sepse zgjedhja nuk mund të jetë tjetër veçse në favor të sovranitetit, që do të thotë integrim europian, duke ruajtur sovranitetin shtetëror dhe kombëtar të Shqipërisë.

Udhëkryqi strategjik: Kosova dhe BE deri në 2025

Nga Donika Emini

Sytë janë kthyer sërish nga Ballkani. Anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkim Europian – pas një kohe të gjatë – për herë të parë po vihet në korniza koncize kohore. Ndryshimi i qasjes ndaj zgjerimit mund të kuptohet si lëvizje gjeostategjike: kundërpërgjigjje ndaj frikës së shtrirjes së ndikimit rus por edhe si një investim strategjik për sigurinë dhe prosperitetin në Europë. Gjithsesi, ky momentum paraqet një mundësi historike për rajonin, e këtu nuk përjashtohet as Kosova.

Përafrimi i Ballkanit me BE-në do të jetë një nga prioritetet kryesore institucionale për vitin 2018. Kjo ide pritet të materializohet përmes Strategjisë së Komisionit për Ballkanin Perëndimor e cila do të publikohet gjatë kësaj jave. Ky dokument pritet të shërbejë si udhërrëfyes për anëtarësimin e Ballkanit në BE deri në vitin 2025, dhe paraqet qartazi etapat nëpër të cilat secili vend do të duhej të tregonte rezultate në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Parashikimet tregojnë se vendet që do të kenë prioritet, ose janë duke udhëhequr në këtë proces janë Mali i Zi dhe Serbia, të cilat pritet që të bëhen pjesë e BE-së deri në vitin 2025. Kurse vendet e tjera të mbetura si Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Maqedonia në po këtë vit – sipas mënyrës së kornizuar nga BE – do të kenë avancuar në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Megjithatë, shtrohet pyetja se në çfarë niveli të integrimit do t’i gjejë 2025-ta këto vende? Përderisa për vendet tjera BE paraqet kritere të qarta se ku BE-ja pret rezultate konkrete, duke filluar nga reforma në drejtësi për Shqipërinë, zgjidhja e çështjes së emrit për Maqedoninë, avancimi i Bosnjës në raportim dhe plotësim të pyetësorëve për progresin e bërë, Kosova nuk shihet përtej dialogut me Serbinë – e cila shihet si kriter i përbashkët për të hapur rrugën e integrimit për të dyja vendet, si dhe implementimin të Marrëveshtjes për Stabilizim dhe Asociim për të cilin duhen afërsisht dhjetë vite për ta implementuar. Me shpejtësinë e avancimit të Kosovës në këtë proces sigurisht se do të nevojitet më tepër kohë.

Qartazi hartuesit e kësaj strategjie nuk kanë mungesë ambicie. Përveç reformave në funksion të ngritjes së nivelit të demokracisë në këto vende, BE nuk ka hezituar që fatin e anëtarësimit të rajonit ta lidhë sërish me zgjidhjen e mosmarrëshjeve politike. Një gjë është e qartë, BE synon që mosmarrëveshjet në mes të vendeve të Ballkanit të zgjidhen para çdo hapi për integrim në BE, e këtu lista kryesohet nga problemi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe kjo çështje ka afat kohor, e sipas BE-së viti 2019 do të duhej të ishte viti i arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja shtetet. Pikërisht këtu elita politike në Kosovës duhet të tregohet e qartë dhe e prerë në raport me Serbinë dhe BE-në. Kjo marrëveshje nuk mund të ketë vend për ambiguitet, e hiç më pak për diçka më pak se njohje. Deklaratat se njohja nga Serbia nuk është e nevojshme janë të rrezikshme, dhe mundësia për të rënë në ndonjë kurth të ngjashëm me marrëveshjen e fusnotës do të ketë pasoja strategjike për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Andaj, konsensusi politik në dialog është vendimtar, rikthimi në Bruksel do të duhej të bëhet fuqishëm dhe i njëzëshëm – sepse kjo është mundësia e fundit për të kthyer situatën në favor të Kosovës, dhe kjo do të duhet të vendoset mbi interesat personale e partiake. Gjithashtu, kërkesat e Kosovës në raport me BE-në do të duhet të rriten. Nëse mbyllja e kësaj çështje i siguron Serbisë anëtarësim në BE, do të duhet të kërkohet që Kosova të ketë së paku të drejtën për aplikim për anëtarësim në BE deri në vitin 2019, kurse viti 2025 ta gjejë Kosovën me datë konkrete për integrim në BE. Është imperativ i kohës që BE të garantojë konsensus politik në mes të shteteve anëtare për zyrtarizim të procesit të integrimit për Kosovën.

Ekziston edhe një rrugë tjetër drejt BE-së për Kosovën e cila përmendet në strategji e që nuk ndërlidhet me Serbinë. Implementimi i suksesshëm i MSA-së do të dëshmonte që, megjithatë, Kosova e trajton anëtarësimin në BE përtej deklaratave për konsum politik. Përveç kësaj, Kosova do të duhet të negociojë dhe avokojë për hapjen – qoftë edhe jo formale pa marrëveshje politike në mes të BE-së dhe Kosovës – të kapitujve 23 dhe 24 për anëtarësim në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Këto janë kapituj vendimtarë e që ngërthejnë shumë elemente politike, andaj zotimi për nisjen e proceseve reformuese në këtë drejtim do të shërbente në favor të Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së. Implementimi i MSA-së dhe reformave të brendshme politike janë procese të brendshme që kërkojnë përkushtim serioz, mbi të gjitha këtu Serbia zor se mund të pengojë, por as të fajësohet për dështimet.

Andaj, viti 2018 duhet të shihet si vit vendimtar për Kosovën, dhe Strategjia për Ballkanin Perëndimor është vetëm fillimi. Ngjarje tjetër që do të konsiderohet si “ndryshim loje” në raport me Ballkanin është presidenca e Bullgarisë në Këshill. Bullgaria ka vënë prioritet Ballkanin, përfshirë këtu zhvillimin ekonomik të rajonit, mirëpo edhe qasjen e ashtuquajtur “reformuese”, që supozohet se duhet të sjellë ndryshime në qasjen e BE-së në raport me rajonin. Kosova, së pari do të duhet t’i ketë të qarta prioritetet dhe të shfrytëzojë këtë momentum për futjen e saj në agjendë në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në Sofje të Bullgarisë. Në anën tjetër, Procesi i Berlinit është një platformë për të cilin elita politike në Kosovë së pari do të duhej të ngrisë vetëdijen e ta shohë përtej projekteve me asfalt dhe rrugë. Ky proces do të shërbejë si shtyllë mbështetëse e rrugëtimit të rajonit në BE. Andaj, Kosova nuk duhet të mbajë shpresat tek shtetet e tjera për të marrë vizibilitet, por do të duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive ashtu siç do të duhet të marrë pjesë një shtet.

Kosova e ka mundësinë që të tregojë seriozitet dhe përkushtim në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Qëndrimi krahas vendeve të tjera në rajon është krucial, dhe asnjë lloj dështimi në këtë drejtim nuk duhet të jetë i pranueshëm.

Strategjia e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor: Po Kosova?!

Nga Blendi Gashi

Të martën e ardhshme, më 6 shkurt, Komisioni Evropian pritet të publikojë Strategjinë për Ballkanin Perëndimor dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Ndërsa Serbia së bashku me Malin e Zi të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian para vitit 2025, Kosova ende nuk e ka të sigurt nëse do përfshihet në këtë strategji, e lëre të flitet për datë të mundshme të anëtarësimit.

Këtë javë drejtues të institucioneve kosovare kanë dhënë deklarata të ndryshme rreth strategjisë së KE-së, por pa qenë të gatshëm të japin një përgjigje nëse vendi do bëhet apo jo pjesë e kësaj strategjie, ndërsa kanë shprehur shqetësimin nëse për Serbinë do ipet një afat kohorë për anëtarësim e jo edhe për Kosovën.

Shqetësimet e liderëve kosovarë

Presidenti, Hashim Thaçi ditë më parë nuk ka mundur të japë një përgjigje të prerë.

“Është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe se qytetarë e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Ndërsa zv.kryeministri, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova është pjesë e strategjisë dhe shqetësimi i saj ka të bëjë me afatet kohore.

“Nëse thuhet për Serbinë çka ndodh në vitin 2021- 2025 ne duam që edhe për Kosovën të thuhet se çfarë do të bëhet në këto vite. Nëse Serbia bëhet shtet anëtar i BE-së për shkak të reformave të brendshme dhe dialogut me Kosovën, ne duam që edhe Kosova të bëhet anëtar për shkak të reformave dhe dialogut me Serbinë, kjo është qasja jonë”, tha ai.

Kurse ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, më 2 shkurt gjatë raportimit para komisionit parlamentar për Integrime evropiane ka deklarur se “mosratifikimi i marrëveshjes për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, rrezikon ta lë Kosovën jashtë strategjisë së zgjerimit të BE-së”.

Se Kosova mund të mbetet jashtë e tha edhe Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimit Evropian dhe tani shef i stafit të presidentit Thaçi, në një shkrim autorial të botuar në gazetën prestigjioze evropiane “EUobserver”.

Ai për më tepër parlajmëroi tenisone siç tha “në rast se BE-ja vendos që në strategjinë e saj të caktoj afate kohore specifike për anëtarësimin e vetëm të disa shteteve duke i kualifikuar ato si prijëse në procesin e integrimit evropian, ndërsa për të tjerave nuk u ofrohet qartësi, duke i konsideruar ato si të mbetura mbrapa”.

Kujtojmë se Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Bashkimit ka thënë se “Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Evropian mbulon të gjithë rajonin Ballkanit Perëndimor dhe u bëri thirrje mediave të presin prezantimin zyrtar të dokumentit më 6 shkurt në Strasburg”.

Pra të martën përfundimisht do mësohet fati i rrugës europiane për Kosovën, pra nëse do i ipet një afat kohor për anëtarësim në BE apo thjesht do quhet sukses vetëm përfshirja në këtë strategji.

Kujtojmë se në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.(tesheshi)

Viti i parë i Trumpit, rritje e sigurisë evropiane

Nga Arian Starova

Prej një takimi dyditor pune ku bëjnë pjesë rreth shtatëdhjetë zyrtarë dhe ekspertë amerikanë dhe europianë të sigurisë dhe të marrëdhënieve transatlantike (ShBA-BE), ku mund të diskutohet hapur mbi gjithçka në lidhje me temën kryesore, sipas rregullave të “Chattam House” (që nuk lejon të shënohen dhe të përdoren publikisht emrat e njerëzve të veçantë pjesëmarrës për idetë e shprehura gjatë diskutimeve), është e natyrshme që të mund të nxirren ide kryesore të rëndësishme dhe udhërrëfyese si për politikat, edhe për opinionin e gjerë publik.

Në një botë të sotme ku siguria është e brishtë dhe e paparashikueshme, por njëkohësisht edhe jashtëzakonisht e rëndë- sishme për të zhvilluar normalisht çdo veprimtari njerëzore, çështjet e sigurisë u interesojnë dhe duhet t’u interesojnë të gjithë njerëzve. Tema e konferencës së organizuar nga Qendra Europiane Marshall e Studimeve mbi Sigurinë për të cilën po flas, që u zhvillua në Berlin në datat 18-19 janar të këtij viti, ishte “Marrëdhëniet transatlantike: E ardhmja dhe drejtimet e reja në rrethanat e ndryshimit politik”.

Risitë që ka sjellë Presidenca Trump në politikat e ShBA-ve dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare përgjatë vitit të saj të parë janë shoqëruar me diskutime, kritika, shqetësime dhe debate të forta dhe të larmishme. Një pjesë e tyre kanë përfshirë edhe aleatët europianë të NATO-s dhe përgjithësisht vendet e Europës. Është e natyrshme që e gjithë kjo rrymë e fortë dhe e larmishme e të menduarit të tërhiqte vëmendje edhe mbi gjendjen e marrëdhënieve transatlantike, ose marrëdhëniet ndërmjet ShBA-ve dhe Europës, të cilat vështrohen dhe mendohen si themeli i sigurisë euroatlantike dhe i sukseseve të NATO-s.

Do të doja të theksoj katër prej ideve të saj më të rëndësishme, për të cilat ishin të të njëjtit mendim të gjithë pjesëmarrësit amerikanë dhe europianë të konferencës. E para, rëndësia e jashtëzakonshme e marrëdhënies transatlantike. Përkundër theksit të veçantë që Presidenca Trump ka vendosur mbi interesat e Amerikës si diç- ka përparësore (Amerika e Para), kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë se ShBA është duke i shpërfillur interesat e saj për Europën dhe i ka “kthyer sytë” drejt Azisë.

Faktet tregojnë se investimet amerikanë në Europë vazhdojnë të jenë sa trefishi i atyre në Azi, kurse theksimi i Presidentit Trump i përparësisë së Amerikës bart vetëm mesazhin e nxitjes së bizneseve amerikanë, me synimin e lehtësimit të deficitit buxhetor të trashëguar që prej viteve 1970. Prandaj, të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi ishin të të njëjtit mendim se marrëdhëniet ShBAEuropë janë vendimtare për sigurinë euroatlantike dhe se ato duhet të forcohen më shumë.

E dyta, vendosja mbi baza më të drejta e marrëdhënies transatlantike brenda NATO-s. Thirrja e Presidencës Trump për rritjen e mbështetjes financiare nga aleatët europianë të NATO-s nuk është tërheqje prej mbajtjes nga ShBA-të të përgjegjësive politike dhe të peshës kryesore financiare në NATO, por nxitje për vendet e Europës që kuptojnë nevojën e një ndarjeje më të drejtë të shpenzimeve financiare brenda NATO-s, në rrethanat e rritjes së nevojave për sigurinë euroatlantike.

Ky përkushtim ndaj NATO-s u përforcua edhe nga Dokumenti i ri i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve. Saktësinë e këtij qëndrimi politik e tregoi edhe fakti që thuajse të gjithë vendet e Aleancës Atlantike i rritën buxhetet e tyre të mbrojtjes për vitin 2018. Të gjithë ekspertët e këtij takimi mbështetën idenë e nevojës së jashtëzakonshme për të zhvilluar aftësitë ushtarake të NATO-s duke e “mbajtur barrën” e shpenzimeve në mënyrë më të harmonizuar ndërmjet aleatëve atlantiko-veriorë.

E treta, qëndrimi më i fortë ndaj sjelljes politike të Rusisë në thyerje të rregullave ndërkombëtare. Të gjithë pjesëmarrësit e takimit ndanin mendimin se Rusia përbën rrezik për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Europës. Kjo është edhe arsyeja se përse ShBA i jep rëndësi të jashtëzakonshme qëndrimit të njëjtë të të gjithë aleatëve të NATO-s në lidhje me zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Ndryshe prej vendeve euroatlantikë që armët bërthamore i vështrojnë vetëm si mjet të trysnisë politike dhe diplomatike, Rusia i vështron ato si pjesë e arsenalit të saj ushtarak të përdorshëm në luftë.

Prandaj, NATO është garancia e sigurisë së Europës, në një kohë kur bota ka hyrë në periudhën e një konkurrence gjeopolitike në të cilën Rusia kërkon të rrisë aftësitë e saj ushtarake aq sa të mund t’i barazojë dhe t’ua kalojë atyre të NATO-s në pesë vjetët e ardhshëm. E katërta, rëndësia e nevojës për forcimin dhe zhvillimin e forcës ushtarake të përbashkët europiane me vende anëtarë dhe joanëtarë të NATO-s. Kjo forcë është vetëm shtim dhe plotësim i aftësive ushtarake të NATO-s, por kurrsesi konkurrencë kundrejt NATO-s.

Mesazhi kryesor i takimit të Berlinit ishte se lidhja transatlantike është e patjetërsueshme, sepse mbështetet në vlera shoqërore demokratike të përbashkëta dhe në mendime të njëjta mbi rreziqet ndaj sigurisë euroatlantike të të gjithë vendeve të NATO-s. Si pjesë e pandarë dhe e rëndësishme e Europës, Ballkani ynë Perëndimor është pjesë e pandarë e kësaj marrëdhënieje transatlantike kaq jetike për sigurinë rajonale dhe euroatlantike.

Shuplakë për shqiptarët

Të martën Bashkimi Europian do të prezantojë strategjinë e re për anëtarësim të vendeve të Ballkanit. Serbia dhe Mali i Zi favorizohen, vendet e tjera ngushëllohen me disa fjalë të ngrohta pa përmbajtje. Spanja sërish po luan rol tejet destruktiv kundër Kosovës. Por një pjesë të madhe të fajit që Kosova dhe Shqipëria po injorohen nga Brukseli duhet kërkuar në Prishtinë dhe Tiranë. Më 25 shkurt kryetari i Komisionit Europian Juncker do të vizitojë vendet e Ballkanit

Nga Enver ROBELLI

Të martën shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini do të prezantojë para Parlamentit Europian në Strassburg strategjinë e re të Brukselit për pranimin e vendeve të Ballkanit. Siç shkruajnë mediat gjermane BE e ka ndërmend të përshpejtojë anëtarësimin e shteteve të reja. Deri në vitin 2025 Serbia dhe Mali i Zi pritet të jenë të gatshme për anëtarësim, thuhet në një dokument strategjik të Komisionit të BE-së, të cilit i referohet gazeta «Die Welt». Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova do të ngushëllohen me disa fjalë të ngrohta pa përmbajtje. Për këto vende thuhet se kanë perspektivë europiane – një fjali e përmendur edhe në Samitin e Selanikut në vitin e largët 2003.

Këtë javë gazeta britanike «Financial Times» shkroi se arsyeja e ngutjes së BE-së për të prezantuar strategjinë e re të anëtarësimit ka të bëjë me rolin në rritje të Rusisë në rajon. Plani i BE-së është që të anëtarësojë gjashtë shtete: Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, por bashkë me to edhe shtetin e Kosovës. Sipas kësaj gazete, arsye kryesore për këtë veprim të Brukselit është se Ballkani shërben si «shteg kryesor» për depërtimin e mija emigrantëve për në Bashkimin Europian. Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. Financial Times thekson se strategët e BE-së druajnë se Rusia po zgjeron në përmasa të rrezikshme zonën e vet të ndikimit, pikërisht në territorin ku tradicionalisht ka aleatë. Siç vë në dukje kjo gazetë, Moska ka nisur të komentojë me cinizëm premtimet që BE ua bën vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me anëtarësimin, duke imponuar veten si «alternativë». Sipas Financial Times gjashtë vendet e Ballkanit që pretendojnë të hyjnë në BE do të jenë të detyruara, para anëtarësimit përfundimtar, të zgjidhin përfundimisht të gjitha problemet e hapura që ekzistojnë me vite, si dhe problemin e korrupsionit. Me këtë vështrim, siç theksohet, më afër qëllimit 2025 janë Serbia e Mali i Zi.

Siç ka shkruar gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» javën që po shkon, kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker do të vizitojë nga 25 shkurti të gjitha vendet e Ballkanit që aspirojnë të hyjnë në BE: Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në vitin e tij të fundit në këtë post Juncker dëshiron të përcjellë mesazhin se BE nuk po merret vetëm me Brexitin, por ka plane edhe për zgjerim. Kur ishte zgjedhur kryetar i Komisionit Europian Juncker deklaroi se qytetarët e BE-së së pari duhet të adaptohen me pranimin e 13 vendeve në 10 vitet e fundit – rrjedhimisht, gjatë mandatit të tij nuk do të ketë anëtarësime të reja. Dhe kështu ndodhi, ndonëse negociatat për anëtarësim nuk u ndërprenë me Serbinë dhe Malin e Zi. Këto dy vende kanë hasur më së shumti mirëkuptim në BE dhe i prijnë grupit të shteteve të Ballkanit me ambicie anëtarësimi. Maqedonia është kandidate që nga viti 2005, por fillimin e negociatave e ka penguar Greqia, por edhe politika nacionaliste e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Shqipëria ka humbur shumë kohë në betejat shpeshherë absurde politike mes dy partive kryesore – socialistëve dhe demokratëve dhe nëse ka fat tek sivjet mund të fillojë negociatat për anëtarësim.

Kjo është një vonesë e pafalshme dhe një dështim i madh i klasës politike të Tiranës, e cila nuk ka qenë në gjendje të implementojë reformat thelbësore që do të shtynin BE-në të hapë portat për Shqipërinë. Mbi 25 vjet nga rënia e komunizmi Shqipëria ende nuk ka një sistem serioz të drejtësisë dhe reforma për këtë fushë me vite është bllokuar. Bosnjë-Hercegovina mbetet e bllokuar për shkak të polarizimit ekstrem mes dy entiteteve dhe bllokadave që vijnë kryesisht nga e ashtuquajtura Republika Srpska. Kosova ka arritur të ketë një marrëveshje për stabilizim-asocimit me BE-në, hapi i parë drejt integrimit në BE. Më shumë s’ka qenë e mundshme së pari për shkak të ngecjes së Kosovës në ndërtimin e një shteti funksional dhe për këtë fajin e bartin politikanët e Prishtinës. Por ata s’janë fajtorët e vetëm. Fakti që pesë shtete të BE-së nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës ka ndikuar që Brukseli të qëndrojë kryesisht indiferent. Me thellimin e konfliktit rreth Katalonisë Spanja sërish i është kthyer politikave destruktive ndaj Kosovës dhe këto ditë ka kërkuar që BE të mos e përmend Kosovën si shtet që një ditë mund të jetë anëtare e BE-së.

Në një bisedë me «Süddeutsche Zeitung» europarlamentari gjerman David McAllister ka deklaruar se Serbia dhe Mali i Zi mund t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim në vitin 2025, por, sipas tij, premtimi i BE-së për anëtarësim duhet të jetë «indikativ», domethënë pa garanci. Brenda BE-së ekziston një përçarje sa i përket pranimit të vendeve të reja. Bullgaria, e cila kryeson BE-në deri më 1 korrik do të organizojë më 17 maj një samit të BE-së me shtetet e Ballkanit. Ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Saharieva ka deklaruar se premtimi i një date për anëtarësim do të nxit vendet e Ballkanit për të realizuar reformat e kërkuara nga Brukseli.

Sipas McAllister Serbia në aspektin ekonomik ndodhet në rrugë të mirë, por gjendet para sfidave të mëdha sa i përket sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtu hyn edhe kërkesa e BE-së që Serbia dhe Kosova të normalizojnë raportet me një marrëveshje obligative. Sipas McAllister BE duhet të tregojë më shumë interes për rajonin e Ballkanit, ku po luftojnë për ndikim edhe shtete si Rusia, Turqia, Kina dhe Arabia Saudite. «Ballkani perëndimor ka merituar dukshëm më shumë se mosinteresim të përzemërt», tha McAllister.

Lidhur me ndikimin në rritje të Kinës në Ballkan gazeta gjermane «Handelsblatt» shkruan: «Në hyrje të Teatrit Kombëtar bullgar mund të takosh Kinën: , shkruan në një tabelë prej mesingu – si në gjuhën angleze ashtu edhe me shkronja kineze. Kina përkrah kulturën në Ballkan. Para së gjithash Pekini qe një dekadë investon në mënyrë masive në infrastrukturë. Kjo është e dukshme sidomos në Serbi. Në Beograd bankat kineze po financojnë një urë të re mbi Danub. Mes Beogradit dhe Budapesitt kinezët po e shndërrojnë vijën hekurudhore në linjë të shpejtë. Ballkani është streha vorfënore e Europës. Andaj investimet kineze janë të mirëseardhura. Ana e kundërt e medaljes është se me angazhimin ekonomik po rritet edhe ndikimi politik i Kinës. Kinezët nuk janë vetëm: Edhe Rusia dhe Turqia janë gjithnjë e më aktive në rajon».

Hashim, mos u kërcëno, se askush më nuk ta ka frikën!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dy kërcënues kujdestarë: Janë dy kërcënues kujdestarë që tërë kohën më rrinë si shpata e Demokleut mbi qafën time dhe nuk e di kurrë se ku do të përfundojë koka ime, në Prishtinë apo Bruksel ose Uashington. Disi kam filluar të ndihem si Ali Pashë Tepelena: trupin në Prishtinë, kokën në Bruksel.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, zotëri Hashim Thaçi, gjithmonë kur i vjen veja të dalja emergjente, si Papa Françesku që në enciklikën e tij i drejtohet botës urbi et orbi, Hashimi i kërcënon ndërkombëtarët me destabilizim të situatës dhe paqëndrueshmëri afatgjatë. Sidomos kur i kalon vagoni i fundit për liberalizim të vizave i kujtohet se në Kosovë paska pasur luftë dhe ka pasur shumë viktima që kanë mbetur të padënuara.

Atëherë i kujtohet se Serbia paska bërë krim dhe gjenocid në Kosovë e që vetëm pas një jave e përqafon Vuçiqin si ta kishte djalë teze. Më kujtohet se kur duhej të votohej Gjykata Speciale, më shumë angazhohej presidenti Thaçi për të se vetë Dik Marti. Njeriu i drejtë dhe i përgjegjshëm kërkon drejtësi për viktimat pa bërë dallime etnike, fetare, racore, gjinore etj. sikur edhe përgjegjësi për ata që kanë bërë krime, pa bërë asnjë dallim. Njeriu pa ndjenja shpirtërore, i zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie, kërkon drejtësi vetëm për viktimat e “veta”, kurse nuk i interesojnë viktimat e tjera. Viktimat e “veta” i mbron jo se ndien dhembshuri, por i përdor për konsum dhe përfitime politike. Njeriu që ka mungesë të theksuar të përgjegjësisë, ata që kanë bërë krime nga radhët e veta i konsideron si patriotë, kurse kundërshtarët kriminelë.

Nuk ka asgjë më e ulët se kur krimet arsyetohen me sloganin se: “Lufta jonë është 100 % e pastër sepse kemi bërë luftë të drejtë”. Është dallim i madh midis luftës së drejtë dhe luftës së pastër. Lufta e drejtë, e lufta e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës ka qenë 1 000 % e drejtë, nuk do të thotë se ka qenë 100 % e pastër.

Ky është mendimi dhe ky është qëndrimi im që e kam pasur gjatë dhe pas përfundimit të luftës e që e kam të paluhatshëm edhe sot. Në këtë kontekst e kam kundërshtuar Gjykatën Speciale, jo se dua t’i amnistoj ata që kanë kryer krime eventuale, por se kam vlerësuar, në bazë të informatave që i kam, se kjo Gjykatë është e padrejtë sepse nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat, por siguron drejtësi vetëm për viktimat joshqiptare (serbe, rome etj.) si dhe ato shqiptare që kanë bashkëpunuar me okupuesin. Kjo është tabloja e viktimave që do të fitojnë drejtësi e që, nëse trajtohen 10-30 raste në këtë gjykatë, i bie se viktimat që do të fitojnë drejtësi nuk do të jenë më shumë se 0. 3%.

Në aspektin e realizimit të së drejtës për viktima edhe ky 0.3 % është pozitiv, po si do të realizojmë drejtësi për 99.7 % të viktimave dhe si do të kërkojmë përgjegjësi penale për kriminelët?! Drejtësia për viktima është hiçgjë nëse kriminelët nuk i sillni para drejtësisë. Nëse kjo Gjykatë Speciale e ka këtë mision për të ndarë drejtësi selektive dhe për të ndarë përgjegjësi selektive, në asnjë rrethanë nuk do të pranoja dhe me asnjë kusht nuk do ta votoja. As me kushtin e jetës e lëre më për një karrige të pshurrët apo përfitime që nuk mund t’i gëzosh dhe të cilat pashmangshëm të mbesin në fyt. Është shumë e pamoralshme që njëherë e voton pastaj e ç’voton.

Këta deputetë janë hiçgjë dhe nuk janë për asgjë! Deputetët që miratojnë ligje për një shtet, ta bëjnë punën të bëjnë hajgare me votuesit dhe qytetarët, duke luajtur guxhash me Gjykatën Speciale nuk e meritojnë as respektin që shprehet edhe në miligram. Deputetët që bëhen kukull e liderit apo liderëve e që pastaj shndërrohen në pleshta, s’ka ç’të thuash për ta. Nuk shkon bashkë edhe t’ua tregosh muskujt faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë e pastaj t’i ulesh brekët para tyre.

Kush e ka në rend të parë interesin kombëtar dhe shtetëror, pa asnjë hezitim e gëlltit helmin në vend të mjaltit. Këtë sakrificë të vetëflijimit, sikur që e bënë Sokrati apo Seneka, për të vërtetën nuk e kërkon askush nga deputetët apo politikanët tanë. Por, nuk kanë të drejtë që nga ne të kërkojnë sakrifica kurse ata të përqyrren para “mikut” ndërkombëtar. Edhe ata që janë gjysmë të informuar kanë qenë të sigurt se Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet. Ka qenë një lojë mirë e koordinuar midis disa politikanëve kosovarë dhe një pjese të ndërkombëtarëve.

Situatat dhe skenat si: “thikë prapa shpine, pabesi, rrezikim i Kosovës, humbja e përkrahjes ndërkombëtare, rrezikim i rendit ndërkombëtar… dhe budallallëqe të tjera” kanë qenë për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm dhe prej kësaj pune nuk pati dhe nuk ka asgjë. Në një vend normal, shfuqizimi i një ligji për themelimin e një Gjykate apo Shtëpie Publike (i njohur si puf për përdorim ndërkombëtar), është e drejtë legale dhe legjitime. Te ne kjo e drejtë u konsiderua sikur të ishte fundi i botës.

Kurrë nuk jam brengosur për këtë sepse e kam pasur të qartë fundin duke i njohur mirë politikanët, por edhe deputetët që, edhe fjalët, por edhe pordhët i kanë të forta. Për punë mos të flasim. Tash, Hashimi kur ndërkombëtarët thanë se ka ikur treni për Kosovën për liberalizim të vizave dhe për integrime evropiane, e nxori nga brezi armën e mbushur me pordhë, duke i kërcënuar ndërkombëtarët me destabilizim të situatës. Askush nuk po ia ka frikën më Hashimit. Madje as unë që deri dje jam përshurrur në tëlina me të dëgjuar kërcënimet e Hashit. Merreni me mend deri ku ka ardhur puna!

Viza dhe Mona Liza: Kur Ramush Hardinajt nuk iu dha viza për Amerikë, LDK-ja vetëm sa nuk e shpalli ditë zie kombëtare dhe shtetërore. Mandej erdhi dhe viza angleze dhe këta të LDK-së dhe mendermethënë shoqëria civile përjetuan orgazëm nga kënaqësia. Një i arratisur nga shoqëria civile deklaroi publikisht, mbase për ta poshtëruar Ramushin, se “po të ishte në vend të tij nuk do të rrinte as dy muaj si kryeministër, pasi i qenka refuzuar viza…”. Tash, pasi e mori vizën britanike dhe kur ta merr vizën amerikane, do të thonë se: “…u palua Ramushi, prandaj e mori vizën…”.

Ramushi po bën gabime. Do të bëjë gabime edhe në të ardhmen. Shumë herë nuk jam pajtuar me të. Jemi ballafaquar rëndë, por Ramushin e kam vlerësuar shumë për sakrificën dhe luftën e madhe që e ka bërë, falë së cilës e gëzojnë lirinë dhe të drejtën të shajnë e të fyejnë edhe ata që deri dje kanë qenë pjesë e grazhdit të Jugosllavisë dhe të Serbisë.

Për mua ka qenë e papranueshme nderimi me një minutë heshtje për Oliver Ivanoviqin, i dënuar dhe i rikthyer për rigjykim për krime ndaj shqiptarëve. Të mos gjendej asnjë deputet shqiptar që do ta kundërshtonte këtë veprim të pashembullt për së keqi, kjo është brengosja ime.

Mirëpo, Ramushi dhe të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë time dhe të gjithë juve që jeni mosmirënjohës dhe përbuzës mbetet dhe mbeten përmendore të përjetshme. Për luftën dhe sakrificën që e kanë bërë! Në këtë kontekst e konsideroj si përpjekje të kotë Baton Haxhiun që dëshiron ta zhveshë Albin Kurtin nga vlerat kombëtare, patriotike, intelektuale dhe politike.

Ta bësh krahasimin midis Albin Kurtit dhe Baton Haxhiut sa iu përket këtyre vlerave është si ta krahasosh elefantin me pleshtin. Të gjithë ne e kemi një të kaluar, personale dhe familjare. Albin Kurti e ka një të kaluar të sqaruar, Batoni e ka një të kaluar me shumë hije. E ka shumë të pasqaruar.

Derisa akuzat e Albinit ndaj Batonit kanë qenë shumë të qarta, përgjigjja e Batonit, jo që nuk ka qenë përgjigje ndaj akuzave të Albinit, por vetëm sa i ka bërë më të dendura hijet nga e kaluara e Batonit. Përgjigjet e gjata apo litanitë “intelektuale” të Batonit, vetëm sa e kanë bezdisur lexuesin i cili nuk ka besuar fare në ato përgjigje. Kam përshtypje që as Batoni nuk ka besuar në atë çka ka shkruar. Kjo është vetëm se për të nisur një ballafaqim me të kaluarën. Jam i gatshëm të bëhem pjesë e debatit, ndonëse me Albinin moti i kemi ndarë rrugët, kurse me Batonin kurrë nuk kemi qenë në të njëjtën rrugë.

Kositja e gjerë e Behgjet Pacollit: Begja fort është trimëruar. Të gjithëve po u kërcënohet. Ambasadorëve (22) që do t’i kthejë prapa. Politika e Jashtme e Kosovës gjithmonë ka qenë në duar të gabuara. Enveri e ka masakruar ministrinë duke e dënuar me vdekje, ndërsa Begja po e dërgon drejt ekzekutimit me gijotinë. Hashimi ministrinë për punë të jashtme e ka përdorur si pushim midis dy akteve seksuale dhe për ta pajisur me gardërobë Bekim Çollakun. Behgjet Pacolli i paska investuar 80 000 ojro në rinovimin e hapësirës së MPJ, kuptohet prej donacioneve të Buxhetit të Kosovës (humanist i madh është Begja…), kurse Ambasadën e Kosovës në Uashington e ka lënë pa ujë për pije, kurse tavolinat dhe karriget ku priten delegacionet dhe palët u ngjajnë mobileve që hedhen në rrugë.

Aso mobilie nuk mund të gjeni as në Guinea Bisao ku ishte Begja për ta rikthyer njohjen nga ky shtet. Po mos ta njihte Guinea Bisao Kosovën, do të kishte marrë fund puna jonë. Begja është hajgarexhi i madh, luan koqe me kënd të mundet. Së voni doli me propozim i cili nuk dallon fort nga ai i Daçiqit apo Vulinit se: “Serbia nuk e ka të domosdoshme ta njohë pavarësinë e Kosovës …”. Begjë jarani, fol në emër tëndin e jo në emër të Behxhetit.

Kam përshurrur afërsisht 9 vjet (5.5 vjet në vetmi) sikur që jam dhjerë po aq kohë në oturakët e ndryshkur të prodhuar në vitet 1945-48, jo për atë çka deklarove, por për atë për çka u flijuan Baca Adem Demaçi, komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë që u sakrifikuan për këtë që t’i po e keqpërdorë politikisht. Mbase për ty Baca Adem Demaçi dhe komandanti legjendar Adem Jashari nuk paraqesin asgjë, por për mua dhe shumë të tjerë janë fryma dhe kuptimi i jetës. Ndalu, Begjo!

Kërcënimi i dytë: Çdoherë kur e shoh para medieve Rrahman Jasharin më kap frika dhe tmerri. Gjithmonë kërcënohet me greva dhe kryengritje të SBAShK-ut. Jo për libra dhe arsim më të mirë, por për rritje të pagave. Tash në fillim, njëri prej këtyre të dyve do të jetë exheli im, ja Hasha, ja Rrahmani.

Hasha do të më prishë me “miqtë” ndërkombëtarë që aq shumë i dua dhe aq shumë i respektoj. Që nga koha e Dellit e këndej, kurse Rrahmani do me më prishë me miqtë vendorë, Hashimin, Ramushin, Kadrushin, Zejdushin etj… Duket se pas një kohe do ta dëgjoni këngën e kënduar nga kori i burrave dhe i grave i ansamblit folklorik nga Gjylekari dhe Muqibaba për mua: “Trupin në Prishtinë o, kokën në Bruksel, të vranë or të vranë, or Behxhet këta…”.

«Muuuuuu!» Kjo puna e lopës dhe qumështi i kovës së Edi Ramës

Përdorimi i figurave nga bota e kafshëve ka një traditë të gjatë në politikën shqiptare. Prej «një dreq i madh ky hy’ këtu» (Rrahman Morina), «ikën me bisht ndër shalë» (Hashim Thaçi) deri te rrëfimi me lopë, qumësht i kovë i Edi Ramës

Nga Enver Robelli

Është një skenë e xhiruar, ku Ramush Haradinaj shihet e dëgjohet, me zë e më figurë, duke imituar lopën. Është një përpjekje e tij për të shpjeguar diçka nga politika e Kosovës. Nga mbrapshtitë e saj. I njëjti kishte thënë se është politikan për «sporte të rënda», rrjedhimisht këtë shkathtësi e tregoi kur e quajti një zyrtar shteti «peder», përplasi disa harta dhe iku nga takimi.

Disa nga pjesëmarrësit në takim heshtën, të tjerët qeshën, disa e injoruan këtë marrëzi të radhës. Imitimi i lopës është një nga videot më të shikuara nga karriera e bujshme e Haradinajt, i cili prej së është bërë kryeministër ka dëshmuar se qeveris si do ai, pa u bërë merak për kritika, sado të drejta qofshin ato.
«Le të shkojnë atje ku s’duhet…» – kështu disi iu drejtua kryeministri të gjithë atyre që në katër javët e fundit kanë kërkuar transparencë prej tij për pushimet në Zvicër. Vazhdimi i fjalisë mund të merret me mend.

Përdorimi i figurave nga bota e kafshëve nuk është risi në politikën shqiptare. Kjo çështje u aktualizua këto ditë pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se politikanët e Kosovës po sillen si lopët që i bien shkelm kovës me qumësht.

Në Kosovë disa e pritën me zemërim deklaratën e Ramës, i cili që kur filloi aventura e liderëve të Prishtinës për të zhbërë Gjykatën Speciale kishte heshtur. Tani foli – dhe foli ashpër. Mënyra se si foli Rama tregon se ai nuk ka respekt për liderët e Kosovës. Dhe për këtë nuk duhet t’i mbetet hatri asnjë shqiptari të Kosovës.

Më ashpër kundër liderëve të Kosovës flasin edhe diplomatët e stacionuar në kryeqytetin e Republikës. Natyrisht në kushte anonimiteti.

Por, flasin. Sepse me veprimet e tyre, me intrigat e tyre, me konfrontimin me bashkësinë ndërkombëtare politikanët udhëheqës të Kosovës nuk kanë lënë hapësirë që diplomatët të kenë respekt për ta. Për ta s’ka respekt as një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, as Edi Rama.

«I shtyva pushimet për t’u kujdesur për të ardhmen e këtij vendi dhe po shikoj se si këta liderët tuaj po skijojnë në Zvicër». Kështu tha se fundi, në mirëbesim, një diplomat perëndimor.

Para se të nevrikosen me gjuhën e Edi Ramës një numër kosovarësh duhet të mendojnë edhe për gjuhën e politikanëve të tyre. «Ma hongsh…» kishte thënë kryetari i Kuvendit gjatë një debati me një deputete të opozitës. Vazhdimin e fjalisë mund t’ia lëmë fantazisë së lexuesve. «Jakupovski» – kështu e kishte quajtur Hashim Thaçi kolegun e tij partiak Jakup Krasniqi.

«Qeni që po del…», kështu kishte folur për Jakup Krasniqin kryetari i dikurshëm i Skenderajt Sami Lushtaku. «Idiote» – kështu e kishte quajtur deputeten Flora Brovina shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. «Ikën me bisht ndër shalë» – kështu kishte thënë për protestuesit e opozitës Hashim Thaçi. «Një dreq i madh ky hy’ këtu». Autor i kësaj fjalie është Rrahman Morina, një lider komunist i Kosovës gjatë heqjes së autonomisë së Kosovës nga Serbia.

Rrëfimi me lopë, qumësht e kovë i Edi Ramës renditet në vargun e deklaratave të pazakonshme (thënë më së buti) të politikanëve shqiptarë.

Por lopë tingëllon si kompliment kur të kihet parasysh se si politikanët shqiptarë e etiketojnë njëri-tjetrin (shpesh mbase edhe pas dyshime të bazuara) me fjalë si kriminel, trafikant, hajdut, kusar, cub, vjedhës, i korruptuar, vrasës.

Kjo puna e lopës nuk duhet të merret me shumë shqetësim. Me shqetësim duhet të merret fakti se politikanët e Kosovës e sollën punën deri këtu që edhe Edi Rama të humb durimin me ta, ndonëse është përkrahës aq i madh i tyre, saqë i ka bërë vaki që në parlamentin e Kosovës duke thurur elozhe për «trimat» e UÇK-së dhe «lavditë e tyre» të harrojë të përmend Ibrahim Rugovën.

Për dallim nga sundimtarët e tanishëm të Kosovës, me të cilët në Tiranë edhe tallen, Rugova kishte autoritet. Kur Sali Berisha u përpoq t’ia mohojë këtë autoritet dhe të ndërhyjë në politikën e Kosovës, Rugova e ndëshkoi rëndë: nuk e takoi kurrë më që nga mesi i viteve ’90.

Takimi i fundit i tyre ishte në dimrin e vitit 2006: Berisha para arkivolit të Rugovës, të cilit i thoshte lamtumirë mbarë Kosova. Kur gëzon respektin e qytetarëve të vendit tënd, detyrimisht do të respektojnë edhe të tjerët. Deri atëherë: «Muuuuuuuuuuuuuu!»