Trojet e shqiptarëve në ankand

Av. Agron Isa Gjedia*

Çdo kush që arrin të hedhë vështrimin në thellësitë e shekujve e vëren se populli Shqiptar i cili jeton në trojet e veta, i ka ndodh dhe po i ndodh që për pasojë të “gabimeve” të veta, ato të cilat nuk i ka pasë në karakterin e tij, që të sulmojë fqinjët e vetë dhe popujt e tjerë, e ka pësuar prej tyre historikisht, duke qenë pre e pabesive, grabitjeve, plaçkitjeve, luftrave, genocidit dhe shfarosjes permanente, e megjithatë në sajë të vitalitetit gjenetik dhe karakterit stoik, ka arritur që të mbijetojë sot e kësaj dite.

Ky popull është ndër të rrallët e mbijetuar, i cili prej shekujsh dhe po ashtu edhe sot e kësaj dite është në mes të disa rrathëve koncentrik të formuar mbi sipërfaqen e këtij globi nga tallazët historikë.

Gjurmët e këtyre “rrathëve” janë efektive sot e kësaj dite. Ata fillojnë nga territoret e shteteve dhe popujve grabitqarë që e kanë rrethuar historikisht, të cilët këtë vend të lakmuar të Mesdheut e kanë quajtur “pre” për zgjerime të vazhdueshme.

Më pas kësaj vijojnë tokat e saj të shpopulluara e të kolonizuara të cilat “banohen” sot e kësaj dite nga varret e të parëve tanë dhe artefakte të shumta arkeologjike të cilat flenë nën tokë si dëshmi e popullit që e ka jetuar atë territor.

Po ashtu fatkeqësisht apo fatmirësisht, po ashtu rrethohemi nga popullsi shqiptare e asimiluar e cila është dëshmia më e qartë dhe e gjallë e persekucionit të popullit shqiptar nga fqinjët tanë pushtues, me të cilin na kanë “pajtuar” dhe duan të na pajtojnë Fuqitë e Mëdha dhe veglat e tyre në këto troje, së paku pa i detyruar asnjë herë për pendesë dhe për të kërkuar falje.

Jo vetëm kaq por atë popullsi shqiptare të tkurrur në këto troje të vetat të Gadishullit Ilirik, e kanë ndarë historikisht në jo më pak se sa 6 shtete të këtij Gadishulli.

Në vetë Shqipërinë e cila nuk është Shqipëri por një rudiment i saj, pjesa tjetër më vitale në ish Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e në Shtetin Grek.

Kurse tani pas shpërbërjes se asaj sajese pa të ardhme historike në Republikën e Malit të Zi, tani së fundmi në Republikën e Kosovës, në Republikën e Serbisë, në Republikën e Maqedonisë, si dhe në shtetin Grek, pa llogaritur Arbëreshët e Italisë, të Zarës, të cilët edhe ata formojnë etnitetet e tyre, është edhe rrethi i parafundit koncentrik i këtij populli.

Kurse rrethi i fundit dhe me më pasoja që ka pasë dhe do ketë mbi vete ky popull, është rrethi i tradhtarëve dhe kolaboracionistëve të këtij populli të pushtuar paqësisht nga politikanë të shpërlarë dhe të shtrydhur pa vlera të cilët kanë punuar dhe po punojnë të meritojnë çmimin antikombëtar shqiptar “Vasa Çubrilloviç”.

Akoma nuk kemi institucione kombëtarisht të mirëfillta që t`i thërrasim kujtesës historike, sikurse mund të ishte besimi apo feja unike, Akademi Shkencash unike, Asosacione të shoqërisë civile unike, por herë pas here kemi rënë dhe biem në dorën e drejtuesve shqiptarë, mediokër të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e këtij populli, por pandehin se historia e tij fillon nga aty ku janë ata dhe më pas dhe se vetëm atyre pas do u shkojë historia.

Janë këta soj politikanësh dhe shtetarësh shqiptarë, në Shqipëri dhe Kosovë dhe aq sa munden edhe ata të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e popullit të tyre, por për rrjedhojë as që e do atë, të cilët e kanë nxjerrë Shqipërinë natyrale në ankand, kush një copë dhe kush një copë tjetër, si kusur për postet që mbajnë arbitrarisht.

Jo vetëm falja por edhe atëherë kur është bërë dhe bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, nuk është as më pak dhe as më shumë se sa një tradhti kombëtare sepse çdo shkëmbim i një territori shqiptar me një territor tjetër shqiptar të copëtuar, i konvenon vetëm legjitimimit të asaj ndarje të dhunshme e cila duhet riparuar me të gjitha forcat e mundshme.

Më mirë të ndarë padrejtësisht e të luftohet për riparimin e asaj padrejtësie se sa të legjitimohet ndarja duke hyrë në pazare të ulëta shkëmbimi territoresh duke legjitimuar padrejtësinë shekullore që na është bërë dhe vijon si e tillë edhe sot e kësaj dite.

Kësaj i shërbejnë vetëm tradhtarët e këtij populli dhe vendi, këtë e bëjnë vetëm ata politikanë, jo vetëm të paformuar kombëtarisht, të cilët nuk e njohin historinë dhe nuk janë të dashuruar me popullin e tyre, por edhe që janë cilësi dhe vlerë e për pasojë edhe shërbëtorë të përunjur të armiqve shekullorë të popullit shqiptar.

Këtyre, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit e, ruejna o Zot, që të ndodhë të vijojë edhe çdo dekadë, duhet t`ua bëjmë gjykimin historik të ndëshkimit të tradhtive të tyre dhe të flaken e nxirren jashtë skenës politike përmes të cilës po e dëmtojnë këtë vend, vendet përkatëse, por mbarë çështjen kombëtare.

Çështja kombëtare shqiptare prej shekujsh e pa zgjidhur, e cila është futur në shekullin e shqiptarëve dhe ka filluar zgjidhjen e saj, po dëmtohet energjikisht, nga qeniet politike të papjekura kombëtarisht, të cilët janë gati që çdo copë, disa copa, çdo pjesë, disa pjesë, të trojeve etnike shqiptare t`i shkëmbejnë me një copë karrige të cilën e mbajnë poshtë bythës së tyre në sajë të lëshimeve të herë pas hershme që kanë bërë dhe po bëjnë në dëm të interesave të kombit shqiptar.

Çështja kombëtare shqiptare është e dëmtuar që prej kur nuk mendohet, bashkërendohet e veprohet me një zë mbi bazën e një platforme mbarëkombëtare, të deklamuar ose jo dhe kjo të shërbejë që të ushtrohet presion pozitiv para ndërkombëtarëve duke i bindur ata përmes argumenteve, por edhe të shfrytëzohen hapësirat e lejuara në sajë të klimës në glob, por pa e marrë lejen e ndokujt.

Kjo arrihet vetëm atëherë kur politikanët e Tiranës nuk parcelizohen për të kryer keq detyrat para votuesve të tyre, por kur ata e shohin se para tyre del si detyrë që çështjen e Çamërisë, Arvanitasve dhe Shqiptarëve në Greqi ta trajtojnë duke e pasë në përparësi të tyre, po ashtu edhe çështjen e Kosovës, pa u ndërhyrë në çështje të brendshme ta shohin si çështje të tyre në çdo çast lajthimi të mundshëm.

Po ashtu duhet të jetë edhe për politikanët e Tiranës dhe Prishtinës, që së paku këto dy palë duhet të jenë në sinkroni të plotë për të parë dhe trajtuar çështjen e shqiptarëve të asimiluar të cilët duan dhe duhet të kthehen në identitet, sikurse janë ata në tokat shqiptare të Malit të Zi, në tokat shqiptare të Serbisë, në tokat shqiptare të Maqedonisë, në tokat shqiptare të Greqisë, por edhe të kërkohet respektimi i të drejtave të tyre të njohura edhe përmes akteve ndërkombëtare dhe akteve të shteteve përkatëse në principet e reciprocitetit për shqiptarët ku ata janë minoritet, pakicë, dhe pjesë ku ata janë pjesë në çdo shtet përkatës, në Ballkan, Europë, por edhe në Botë kudo që të jenë ata.

Pra çështja Çame, Arvanitase, e shqiptarëve të asimiluar me e pa vullnetin e tyre të shprehur sot e kësaj dite në Bushnjak, sikurse është në Tutinë, Sanxhak, Novi-Pazar, e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi nuk është çështje vetëm e atyre shqiptarëve që jetojnë atje, por është çështje mbarëkombëtare shqiptare.

Deri sot nga shtetarët dhe pushtetarët shqiptarë, të përzgjedhur sipas peshës specifike duke u prirur nga më të lehtat dhe që dinë t`u bëjnë më së miri shërbimeve të të huajve, as që është menduar një gjë e tillë, por ata kanë qenë të zënë dhe po mbeten të zënë, se si të manipulojnë dhe fitojnë zgjedhjet e rradhës dhe më pas se si të fitojnë dhe manipulojnë zgjedhjet që do vijnë, pjesa e kohës që u mbetet, se si të përfitojnë nga votuesit e tyre dhe taksapaguesit, si të tjetërsojnë pasuritë kombëtare dhe të popullit në një garë të ethshme se cili ndër ta do jetë në majën e piramidës së oligarkëve.

Pritshmëria e shqiptarëve për t`u bashkuar në Europën e Bashkuar (që herë pas here edhe kalon në “përgjumje”) e cila duhet të korrigjojë kushtet e sotshme, padrejtësitë që janë bërë ndaj nesh, është dhe do jetë një ëndërr për çdo shqiptar, por është kohë e humbur në qoftë se vetë Ne nuk bashkohemi në koncept, në vullnet, në mënyrën e sjelljes së përbashkët dhe shfrytëzimin e të gjitha hapësirave, shfrytëzimin e kohës duke fituar atë të humburën për të bashkërenduar dhe bashkëpunuar duke qenë një zë i përbashkët për të gjithë atë sa na takon dhe atë sa na mundon.

*Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

Pse Nano u tërhoq më 1998-ën nga projekt-ideja për ndarjen e Kosovës?!

Nga Enver Bytyçi

Në nëntor 1997 ndodhi një ngjarje shumë e përfolur e kohës. Fatos Nano i sapoardhur në pushtet e kryeministër i Shqipërisë u takua në Kretë të Greqisë me presidentin e Serbisë, Sllobodan Milosheviç. Takimi u sponsorizua prej kryeinistrit të Greqisë, Kostas Simitis, në kuadër të një samiti të kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve ballkanike në këtë ishull.

Si për çdo ngjarje madhore e jo të tillë, edhe për këtë takim Nano, pas grekëve, mori bekimin e amerikanëve. Sekretarja e Shtetit Olbright ishte në dijeni dhe kishte rekomanduar takimi të ishte krejt fotmal, thjesht për kortezi, me qëllim që Serbia të mos kishte mundësi ta interpretonte një refuzim të mundshëm të kryeministrit të Shqipërisë si qëndrim kundë paqes. Kështu që duhej që takimi të mos zgjaste më shumë se 30 minuta.

Por Milosheviçi kishte ardhur në takimin e Kretës me një dosje, në të cilën ishte formuluar ideja e ndarjes së Kosovës. Donte ta diskutonte deri në hollësi këtë opsion me zotin Nano, me qëllim që të realizonte idenë e Serbisë së Madhe. Nano u josh nga ky diskutim, bëri shumë pyetje, me qëllim që të qartësohej rreth idese serbe të ndarjes së Kosovës. Ndaj takimi zgjati një orë e gjysmë. Jashtë sallës ku bisedonin dy protagonistët në fjalë, qëndroi në pritje ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Kur Nano doli nga pritja Milo ishte i shqetësuar, sepse dikush nga departamenti i shtetit i kishte telefonuar dhe pyetur: “Çfarë po bëjnë ata kaq gjatë në takim? Milo , I shqetësuar e pyeti shefin e tij sapo doli se pse qëndruat kaq gjatë dhe si shkoi biseda me Milosheviin? Nano që i përgjigjet plot entusiazëm: “Shkoi mrekulli, biseduam ngrohtë si me Thanasin”! (Thanasi ishte i ati I Nanos).

Ve kësaj, Nano dhe Milosheviçi ranë dakord që ata të dy ta kontrollonin konfliktin ushtarak të sapo shfaqur në horizontin e Kosovës. Kjo do të thoshte se ata do të mbanin frenat e luftës, sigurisht përmes njerëzve të tyre që kishin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Nano nuk kishte menduar asnjë ide për ndonjë zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ideja e Milosheviçit për këtë zgjidhje përmes ndarjes iu duk kreative. Vetëm se ishte në dilemë të parashikonte se farë do të vinte pas ndarjes. Për momentin Nano nuk kishte kundërshtuar, ndërkohë që e mundonte dilema se a ishte më mirë apo më keq për pushtetin e tij, nëse Kosova e mbetur nga nndarja do të bashkohej me Shqipërinë.

Pas kthimit në Tiranë kryeministri shqiptar e diskutoi propozimin e Milosheviçit me disa kolegë të tij në qeverisje. Mori mendimin e disa ministrave të kabinetit të tij, ndërkohë që flakët e luftës u ndezën në Kosovë. Edi Rama ofroi idenë e efektit dopio të ndarjes. Që do të thotë se Kosova do të ndahej, por jo midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nga ndarja do përfitonte vetëm Serbia, ndërsa Shqipëria do përkujdesej që pjesa e mbetur të mbijetonte e të krijonte shtetin e saj. Dhe që të ndodhte kjo, ish-ministri i Kulturës propozoi që Kukësi, Hasi dhe Tropoja, dmth Qarku i Kukësit t’i bashkëngjitej Kosovës.

Ky propozim bazohej në dy argumente:

Së pari, Kosova e ndarë për të kënaqur orekset nacionalshoviniste të Serbisë nuk mund të bijetonte si shtet, ndaj bashkimi i Qarkut të Kukësit e mundësonte këtë bijetesë. Dmth duhej evituar me çdo kusht që Kosova e mbetur nga ndarja me Serbinë të bashkohej në formë unitare me Shqipërinë. Po të ndodhte kjo, atëhere Partia Socialiste e Nanos dhe Ramës rrezikonte të humbte pushtetin për shumë dekada. Maksimumi do të pranohej një formmulë bashkimi në formën e federatës osë konfederatës, me qëllim që të dy vendet të ruanin pozicionet në pushtet në territorin e vet. Si në kohën e principatave historia e mesjetës përsëritet!

Së dyti, bashkimi i Qarkut të Kukësit me Kosovën jo vetëm mundësonte krijimin e një shteti me kryeqytet Prishtinën, por do të pakësonte votat për opozitën shqiptare të djathtë. Në të dy rastet po përsëritej ideja hoxhiste e periudhës së Luftës dhe mbas Luftës së Dytë Botërore, sipas së cilës “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë rrezikon pushtetin popullor” të komunistëve.

Kjo projekt-ide iu referua ambasadores së SHBA-vë në Tiranë, zonjush Mariza Lino. Ajo e refuzoi menjëherë, sepse politika amerikane nuk lidhej me ndarjen e Kosovës, por me lirinë dhe pavarësinë e saj të plotë. Më pas ideja e projektit u fsheh në sirtarët e Partisë Socialiste, por jo edhe në protokollet qeveritare, për t’u ringjallur dhe implementuar 20 vite më vonë, në ditët e sotme.

Autori i kësaj ideje të atëhershme, Edi Rama, sot është aktori kryesor i padeklaruar i ndarjes së sotme të Kosovës. Ashtu si atëherë, edhe sot aktori tjetër më i rëndësishëm është Hashim Thaçi nga Kosova. Asokohe e shpallën udhëheqës politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më pas, me ndihmën e Beogradit e promovuan në krye të shtetit të Kosovës. Pikërisht këta të dy luajnë kartat në interes të Sëerbisë. Madje e lusin Europën që të mos ketë frikë nga ndryshimi i kufijve dhe tallen me shqiptarët, duke u bërë thirrje që “t’i mbështesin në projektin e mendur të tyre”!

Ndërkaq deklarata e Merkel e sotme me kërkesën e përsëritur që dialogu për Kosovën të përfundojë pa cënuar integritetin territorial të saj. Ndërsa shqiptarët janë rrjeshtuar në unison kundër ideve dhe përpjekjeve të paimagjinueshme të Hashim Thaçit për t’ia falë më çdo kusht pasuritë më të çmueshme të vendit, Serbisë.

Nuk ka një luftë ndërmjet qytetërimeve, e gjithë bota është një

Nga Juval Harari

Teza e “përplasjes së civilizimeve”, duket sikur po përjeton një rilindje. Shumë ekspertë, politikanë dhe qytetarë të zakonshëm besojnë se lufta civile siriane, ngritja e ISIS, Brexit dhe paqëndrueshmëria e Bashkimit Europian, të gjitha janë pasojë e përplasjes midis “qytetërimit perëndimor” dhe “qytetërimit islamik”.

Përpjekjet perëndimore për të imponuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vendet myslimane, sollën një reagim të ashpër islamik; dhe një valë e emigracionit mysliman, e shoqëruar me sulme terroriste islamike, bëri që votuesit evropianë të braktisin ëndrrat multikulturore, në favor të identiteteve lokale ksenofobike.

Sipas kësaj teze, njerëzimi ka qenë gjithmonë i ndarë në qytetërime të ndryshme, anëtarët e të cilave e shohin botën në mënyra të papajtueshme mes tyre. Këto pikëpamje të papërshtatshme botërore, bëjnë që konfliktet midis qytetërimeve të ngjajnë të pashmangshme. Ashtu si në natyrë, lloje të ndryshme qyteterimesh luftojnë për mbijetesë, sipas ligjeve të pamëshirshme të përzgjedhjes natyrore.

Teza e “perplasjes se qytetërimeve”, ka implikime politike të gjera. Përkrahësit e saj, pretendojnë se çdo përpjekje për të pajtuar “Perëndimin” me “botën myslimane” është e dënuar të dëshrojë. Vendet myslimane, s’do të pranojnë kurrë vlerat perëndimore, dhe vendet perëndimore nuk mund të asimilojnë kurrë me sukses pakicat myslimane.

Por kjo tezë është mashtruese. Fondamentalizmi islamik, mund të përbëjë vërtet një sfidë radikale, por “qytetërimi” që ai sfidon është një qytetërim global, dhe jo një fenomen unik perëndimor. Shteti Islamik ka arritur të bashkojë Iranin dhe Shtetet e Bashkuara kundër tij. Madje edhe fondamentalistët islamikë, pavarësisht të gjitha fantazive të tyre mesjetare, janë të bazuar më shumë në kulturën bashkëkohore globale, se në Arabinë e shekullit VII.

Ata ushqejnë frikërat dhe shpresat e të rinjve të alienuar modernë, se sa të fshatarëve dhe tregtarëve të Mesjetës. Më e rëndësishmja, edhe analogjia midis historisë dhe biologjisë, që mbështet temën e “përplasjes së qytetërimeve” është e rreme. Grupimet njerëzore – nga fiset e vogla deri tek qytetërimet e mëdha – janë krejtësisht të ndryshme nga llojet e kafshëve, dhe konfliktet historike ndryshojnë shumë nga proceset e përzgjedhjes natyrore.

Speciet e kafshëve, kanë identitete objektive që qëndrojnë të njëjta për mijëra e mijëra breza. Nëse jeni një shimpanze apo një gorillë, kjo varet më shumë nga gjenet sesa nga bindjet tuaja, dhe gjene të ndryshme diktojnë sjellje të ndryshme sociale. Shimpanzetë jetojnë në grupe të përziera meshkujsh dhe femrash. Ata garojnë për pushtet, duke ndërtuar koalicione mbështetësish nga të dyja gjinitë.

Ndërkohë midis gorillave, një mashkull i vetëm dominant krijon një harem femrash, dhe zakonisht përjashton çdo mashkull të rritur, që mund të sfidojë pozicionin e tij. Nuk gjen asgjë të tillë në mesin e njerëzve. Po, grupet njerëzore mund të kenë sisteme të dallueshme shoqërore, por këto nuk janë të përcaktuara gjenetikisht, dhe rrallë ekzistojnë për më shumë se disa shekuj.

Për shembull, mendoni për gjermanët e shekullit XX-të. Në më pak se 100 vjet, ata u organizuan në 6 sisteme shumë të ndryshme:Perandoria e dinastisë Hohenzollern, Republika e Vajmarit, Rajhu i Tretë, Republika Demokratike Gjermane (Gjermania Lindore Komuniste), Republika Federale Gjermane (Gjermania Perëndimore) dhe së fundmi Gjermania e ribashkuar demokratike.

Natyrisht gjermanët e ruajtën gjuhën, dhe dashurinë e tyre për birrën dhe kremviçet. Por a ka ndonjë esencë të veçantë gjermane, që i dallon ata nga të gjitha kombet e tjera, dhe që ka mbetur e pandryshuar nga Vilhelmi II tek Angela Merkel? Dhe nëse gjeni diçka, a ka ekzistuar ajo 1000 apo 5.000 vjet më parë?

Po, idetë demokratike kanë qenë pjesë e kulturës evropiane për shekuj me radhë, por ato kurrë nuk ishin gjithçka. Pavarësisht lavdisë dhe ndikimit të saj, demokracia athinase ishte një eksperiment që mbijetoi vetëm për 200 vjet në një cep të vogël të Ballkanit.

Nëse qytetërimi evropian për 25 shekujt e kaluar, është përcaktuar nga demokracia dhe të drejtat e njeriut, ç’duhet të bëjmë me Spartën dhe Jul Çezarin, kryqëzatat dhe konquistadorët, Inkuizicionin, dhe tregtinë e skllevërve të Lugjit XIV dhe Napoleonit, Hitlerin dhe Stalinin? A ishin ata të gjithë elementë të futur nga ndonjë qytetërim i huaj?

Në fakt, qytetërimi evropian është çdo gjë që bëjnë evropianët, ashtu si krishterimi është çdo gjë që bëjnë të krishterët, Islami është çdo gjë që bëjnë muslimanët, dhe Judaizmi është çdo gjë që bëjnë hebrenjtë. Dhe ata kanë bërë prej saj gjëra të mrekullueshme gjatë shekujve.

Grupimet njerëzore, përkufizohen më shumë nga ndryshimet të cilave iu nënshtrohen, por megjithatë arrijnë të krijojnë identitete të lashta për veten e tyre, falë aftësive të tyre të rrëfimit.

Edhe një individ mund të vendosë ndryshime personale revolucionare, në një histori koherente dhe të fuqishme jetësore:”Unë jam ai që dikur ishte socialist, por më pas u bëra kapitalist; kam lindur në Francë, dhe tani jetoj në SHBA; u martova, dhe pastaj u divorcova; isha i sëmurë kancer, dhe më pas u shërova”.

Ngjashëm, një grup njerëzor si gjermanët, mund të arrijë të përkufizohet nga vetë ndryshimet të cilave u është nënshtruar:”Dikur ishim nazistë, por e mësuam leksionin tonë, dhe tani jemi demokratë paqësorë”. Këto transformime radikale, janë pikërisht ajo që përcaktojnë identitetin gjerman.

Njerëzit shpesh refuzojnë t’i shohin këto ndryshime, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerat kryesore politike dhe fetare. Njerëzit kanë ende besime dhe identitete kombëtare të ndryshme. Por kur bëhet fjalë për gjërat praktike – si të ndërtojmë një shtet, një ekonomi, një spital ose një bombë – pothuajse të gjithë ne i përkasim të njëjtit qytetërim.

Sigurisht ka mosmarrëveshje, por pastaj të gjitha qytetërimet kanë kontestet e tyre të brendshme. Në të vërtetë, ato përcaktohen nga këto mosmarrëveshje. Kur përpiqen të përshkruajnë identitetin e tyre, njerëzit bëjnë shpesh një listë të tipareve të përbashkëta. Kjo është e gabuar. Ata do të ishin shumë më të saktë, nëse do të bënin një listë të konflikteve dhe dilemave të zakonshme.

Për shembull, deri në vitin 1618 Europa nuk kishte një identitet të vetëm fetar – ai u përcaktua vetëm nga konflikti fetar. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1940, Britania dhe Gjermania kishin vlera shumë të ndryshme politike, por ato ishin pjesë e “qytetërimit europian”.

Hitleri nuk ishte më pak europian sesa Çërcilli. Përkundrazi, lufta mes tyre përcaktoi se çfarë do të thoshte të ishe europian në atë moment të veçantë historik. Në të kundërtën, një gjuetar Kung në vitin 1940 nuk ishte europian, pasi sepse përplasja e brendshme europiane rreth racës dhe perandorisë, do të kishte patur pak kuptim për të.

Njerëzit që ne luftojmë më shpesh, janë anëtarët e familjes sonë. Identiteti përcaktohet nga konfliktet dhe dilemat, më shumë se sa nga marrëveshjet. Çfarë do të thotë të jesh evropian në vitin 2018? S’do të thotë të kesh lëkurë të bardhë, të besosh tek Jezu Krishti, apo të mbështesësh lirinë. Përkundrazi, do të thotë të debatosh me forcë rreth emigracionit, BE-së dhe rreth kufijve të kapitalizmit.

Gjithashtu, do të thotë të pyesësh veten, “Çfarë e përcakton identitetin tim”? Dhe të shqetësohesh për një popullsi të plakur, për konsumizmin e shfrenuar dhe për ngrohjen globale. Në konfliktet dhe dilemat e tyre, europianët e shekullit XXI, janë të ndryshëm nga paraardhësit e tyre të viteve 1618 dhe 1940, por janë gjithnjë e më shumë të ngjashëm me partnerët e tyre tregtarë kinezë dhe indianë.

Çfarëdolloj ndryshimesh që na presin në të ardhmen, ato kanë të ngjarë të përfshijnë një luftë vëllazërore brenda një qytetërimi të vetëm, dhe jo një përplasje mes qytetërimeve të huaja. Sfidat e mëdha të shekullit XXI, do të jenë globale në natyrën e tyre. Çfarë do të ndodhë kur ndryshimi i klimës të shkaktojë katastrofa ekologjike?

Ç’do ndodhë kur kompjuteri do të dominojë njerëzit në gjithnjë e më shumë punë, duke i zëvendësuar ata? Çfarë do të ndodhë kur bioteknologjia, të na mundësojë të përmirësojmë shëndetin e njerëzve dhe zgjasim jetëgjatësinë? Pa dyshim, do të kemi debate të mëdha e të hidhura mbi këto pyetje.

Por këto argumente dhe konflikte, nuk kanë gjasa të na izolojnë nga njëri-tjetri. Përkundrazi, është krejt e kundërta. Ato do të na bëjnë gjithnjë e më të ndërvarur. Ndonëse njerëzimi është shumë larg krijimit të një bashkësie të harmonizuar, ne të gjithë jemi anëtarë të një qytetërimi global.(“New Statesman”, bota.al)

Mehmet Kraja, a mos je edhe ti pjesë e trinisë së djallit?

Nga Rexhep Kastrati

1.

Devalvimi i vlerave morale dhe intelektuale që ka ndodhur gjatë viteve të pasluftës në Kosovë, u ka dhënë hapësirë dhe mundësi që të ngriten në nivele arketipore të ligjërimit publik edhe atyre që në një sistem të mirëfilltë vlerash do të ishin vetëm mediokrët, për të mos thënë edhe qatipët trutharë që telendisin tekste pa ndonjë bazë logjike, argumentuese dhe krtiko-racionale.

Mehmet Kraja, i cili për opinionin më shumë është i njohur si qatip i korpusit medietik sorosist, apo thënë më qartë, i strukurave udbasho-jugosllavokomuniste, sesa si pjesë e lëvizjes liri, pavarësi, demokraci në krye me presidentin Rugova, apo si shkrimtar, në vazhdën e ligjërimit të tij publicitik, ka bërë përpjekje koti për të devalvuar profilin politiko-intelektual të presidentit Rugova dhe të rëndësisë, rolit dhe funksionit të konferencave me gazetarë që presidenti Rugova mbante të premteve.

Në një shkrim të tij, të shkruar ekskluzivisht për portalin e birit të Bashorit, Bertatit, Mehmet Kraja ndër të tjerash ka shkruar: Ai ishte shkrimtar dhe dija e tij politike ishte zero. Të gjithë e dimë, për Kosovën u bë një luftë e madhe, të cilën Rugova nuk e deshi.”. Në këtë copëz teksti, Mehmet Kraja, zhvlerëson dijen politike të presidentit Rugova në nivelin zero, ngaqë na paska qenë shkrimtar! Në këtë rast, Mehmet Kraja, del jo vetëm i mjerë, por edhe budalla dashakeqës, pasi që njeriu duhet të jetë tepër i mjerë dhe budalla për të bërë përpjekje për të zhvlerësuar dijet e idnviidëve në fusha të caktuara bazuar në vokacionin e tyre të parë. Të niesh nga premisa se dijet e dikujt në një fushë janë zero, ngaqë vokacioni i tij i parë është tjetër, do të thotë të biesh ndesh jo vetëm me të vërtetën historike, e që vërteton se personalitete të rëndësishme kanë qenë të sukseshsëm, kanë pasur dije, kanë ofruar dije dhe kanë ndrtuar edhe teori të ndryshme në fusha të ndryshme, edhe pse vokacionet e tyre të para kanë qenë krejt të tjera.

Mbretër, perandorë, kryetarë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë partish dhe politikanë dhe liderë të njohur botërorë janë bërë të tillë, edhe pse kanë pasur profesione të ndryshme, por jo edhe të politikanit. Nuk di një president të ndonjë shteti të madh, apo të vogël që ka mbaruar shkencat politike, madje di edhe që kanë qenë edhe aktorë, si puna e Ronald Reganit, apo biznesmenë si puna e Donald Trump-it.

Në fakt, presidenti Rugova, jo vetëm në kohën e angazhimit të drejtpërdrejtë në politikë, por edhe në librat e tij dhe shkrimet e tjera autoriale, ka treguar se jo vetëm që ka pasur dije politike, por edhe dije në fushën e filzofisë politike, mbi ç’bazë ka sinetetizuar mton kryesore të lëvizjes së udhëhequr nga ai, e që është: Liri, Pavarësi, Demokraci, e që sintetizojnë dijen politike, por edhe qartësojnë rendin dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, pra ndërmjet Lirisë, Pavarësisë, Demokracisë, e që janë marrëdhënie ndërvarësie dhe trinie të njerëzores, e jo trini e djallit, pjesë e të cilës, duket se është vetë Mehmet Kraja.

Edhe pse shumë herë kam trajtuar aspektet semantike, denotative, konotative, por edhe sinkretike e diakronike të tri koncepteve themelore të filozofisë politike të presidentit Rugova: Liri, Pavarësi, Demokraci, megjithatë duhet thënë se mbi marrëdhëniet e ndërvarura të këtyre tri koncepteve është ndërtuar një platformë e tërë që ka edhe Teorinë, edhe Organikën, edhe Strategjinë e veprimit, por edhe të kuptimit, nëse i referohemi edhe dimensioneve kritiko-racionale të librit të presidentit Rugova “Strategjia e kuptimit”.

Në aspektin e personit politik, presidenti Rugova e ka ndërtuar personalitetin dhe dijen e tij politike, vizionin e tij politik para se të bëhej shkrimtar, e që do të thotë se idetë politike, vizionet politike dhe personaliteti i tij politik janë formuar para se të shpërfaqeshin, të formësoheshin dhe të shpreheshin konceptet e tij politike dhe para se të fillonte anagzhimi i tij politik.

Qëndrimi i tij në Paris te profesor Roland Barthes, për të cilin, jam i bindur se edhe vetë Mehmet Kraja di dhe njeh kontributin e tij në teorinë e shenjës, përkatësisht në Semilogji me Semiotikë, njohja e hershme me historinë politike të Evropës dhe të botës, njohja e hershme me teoritë politike klasike dhe moderne, me filozofinë, estetikën dhe me profilet tjera të shkencave humane, e kanë ndihmuar shumë presidentin Rugova në formimin e tij politik, e kanë ndihmuar shumë të kuptojë dimensionet e Lirisë, të Pavarësisë dhe të Demokracisë, dhe t’i sintetizojë në publicistikën e tij, në shkencësinë e tij.

Edhe formimi i lëvizjes “Vox”, më 1971, bashkë me Rexhep Ismajlin, Ali Podrimjen, eqrem bashën etj., ishte një angazhim sa kulturor-shekncor, po aq edhe politik, sepse ishte lëvizje që kërkonte hapjen ndaj kulturës perëndimore, e që do të thotë edhe ndaj koncepteve të saj politike. Si e tillë, kjo lëvizje ishte në korelacion me lëvizjen politike Maspok *Masovni Pokret – Lëvizja Masive, apo e Masave) që angazhohej për më shumë pavarësi të Kroacisë nga qendra në Beograd.

Është vetë filozofia politike, platforma politike dhe angazhimi i tij politik që dëshmojnë se presidenti Rugova jo vetëm që ka pasur dijen politike, por edhe ka ndrtuar një filozofi të tijën politike, që është filozofia më e plotë politike, më sistematike, më konstruktive, më kombëtare.

Mirëpo, Mehmet Kraja, në fakt, ka treguar se nuk e ka kuptuar dijen politike të presidentit Rugova, as teorinë, as Organikën, as Strategjinë politike të tij, dhe ka dëshmuar se dija e tij politike është zero.

2

Dhe kjo vërtetohet edhe nga thënia tjetër se ai, pra presidenti Rugova nuk e ka dashur luftën. Presidenti Rugova, në Teorinë e tij, në Organikën e tij dhe në Strategjinë e tij, e ka pasur edhe rezistencën e armatosur si pjesë dhe si ndihmesë e realizimit të qëllimit politik: Lirisë, për çak dëshmojnë jo vetëm të dhënat e bëra publike deri më tash, por edhe veprimet konkrete. Siç dihet, presidenti Rugova qysh më 1991 kishte bërë marrëveshje me Ramiz Alinë për stërvitjen e grupeve guerile nga Kosova në kampet ushtarake në shtetin shqiptar, kishte dekretuar Ministrinë e Mbrotjes dhe të Punëve të Brendshme dhe ka qenë në dijeni të aktiviteteve guerile gjatë viteve. Natyrisht, presidenti Rugova nuk ka qenë për linjën e Tiranës/Kretës, e cila është pikërisht kjo linja që po ka 20 vjet që po bën pazare me Serbinë, e që e ka udhëhequr Hashim Thaçi. Dhe edhe kjo ka qenë çështje e drejtë, qëndrim kombëtar. Gjatë luftës dhe pas saj, është manipuluar shumë me një deklaratë të presidentit Rugova sipas të cilës dilte se kishte informacione se individë brenda UÇK-së ishin të lidhur me UDB-në. Por a nuk e kanë akuzuar njëri-tjetrin komandantët e UÇK-së se janë të UDB-së, kurse Hashim Thaçi, njeriu kryesor politik i UÇK-së del të jetë edhe spiun i francezëve? Kurse lidhur me UÇK-në, presidenti Rugova ia ka bërë mbrotjejn më të mirë të mundshme në Hagë. Po ashtu, kur është masakruar Adem Jashari me familje, presidenti Rugova kishte shpallë tri ditë zie në Kosovë, si dhe pastaj kishte themeluar një dekoratë presidenciale me emrin e Adem Jasharit.

3

Në kushtet e një terri informativ të imponuar nga Serbia, Kosova kishte shumë nevojë që të plasonte të vërtetën në botë qoftë për angazhimet politiko-institucionale të Kosovës, qoftë për dhunën dhe represionin serb mbi shqiptarët, qoftë edhe për të shpërfaqur qëndrimet politike të Kosovës. Prandaj, kontakti i përjavshëm me gazetarë të medieve nga e gjithë bota, ishte një nga format e komunikimit me opinionin ndërkombëtar dhe e thyrjes së territ informativ, e që bëhej jo duke manipuluar opinionin, siç thotë Mehmet Kraja, por me fakte konkrete, me qasje krtiko-racionale, me një kod ligjërimor politik argmuentues, racional dhe të përgjegjshëm. Në asnjë rast, as në konferenca me gazetarë, dhe në asnjë formë tjetër të deklarimit publik, presidenti Rugova nuk ka shpërfaqur kode ligjërimore populiste, nuk ka manipuluar opinionin dhe nuk ka provuar të ndërtojë strategji mbi manipulimin.

Rëndësia e komunikimit me gazetarë që realizonte presidenti Rugova apo bashkëpunëtorët e tij, kuptohet edhe nga fakti se goditjet më të rënda që i është bërë lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci, ka qenë goditja ndaj QIK-ut, me vrasjen e Enver Malokut, që e udhëhiqte atë, e që ishte angjensi shtetërore që thyente terrin informativ dhe që nëpërmjet agjnesive të ndryshme botërore, medieve të rëndësishme botërore plasonte të vërtetën për Kosovën dhe për dhunën, reprsseionin dhe masakrat serbe në Kosovë.

Prandaj, të thuash se konferencat me gazetarë të mabjtura të premteve nga presidenti Rugova, apo nga bashkëpunëtorët e tij, kanë shërbyer për të manipuluar opinionin, do të thotë të thuash të pavërteta, dhe të përpiqesh të manipulosh opinionin për qëllime që nuk kanë lidhje me interesat shtetërore e kombëtare, por kanë lidhje pikërisht me të gjitha angazhimet për devalvimin e lëvizjes liri, pavarësi, demokraci, devalvimin e filozofisë politike të presidentit Rugova dhe të rolit historik të tyre.

4

Mirëpo, të bëra nga një njeri që në ty dyja rastet ndërlidhet qoftë me profilin shkencor-kulturor të presidnetit Rugova, qoftë me angazhimet politike të tij, siç është Mehmet Kraja, këto angazhime e rëndojnë më tepër se kaq, vetë këtë të fundit, pasi që nëse do të vlente teza se presidenti Rugova nuk ka pasur dije politike pasi që ka qenë shkrimtar, atëherë del se edhe vetë Mehmet Kraja nuk ka pasur dhe nuk ka dije politike, pasi që edhe ai është shkrimtar.

Në anën tjetër, nëse presidenti Rugova apo LDK, me konferencat me gazetarë paska manipuluar opinionin, çka i bie të jetë vetë Mehmet Kraja, i cili ka qenë pjesë e saj dhe pjesë e sistemit diplomatik dhe të informimit të ssitemit politiko-institucional i ndrtuar dhe i udhëhequr nga lëvizja politike, liri, pavarësi, demokraci? A po përpiqet Mehmet kraja dhe pse, të mohojë dhe të devalvojë edhe angazhimet e tij gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar? A mos e ndjek mbrapa historia,siç do të thoshte Kadare? A mos e ndjek mbrapa ndonjë histori shantazhi dhe rekrutimi nga UDB-ja?

Me hekur dhe ujë “kundër çdo marrëveshje”

Nga Xhemal Ahmeti

Gjithë kundër marrëveshjes serbo-kosovare? Cilës? Cilave pika a paragrafë? Askush s’di të thotë gjë. S’ka marrëveshje ende as si letër. Ka vetëm plane presidentësh për ta arrirë një marrëveshje historike, e cila kundërshtohet nga jashtë e brenda. Analizë një debati që zhvillohet në erë

Xhelati me viktimën e djeshme janë bërë bashkë. Presidenti i serbëve dhe ai i kosovarëve e kanë një plan të përbashkët: duan ta lidhin një marrëveshje historike paqeje. «Qoftë edhe duke korrigjuar kufij», thonë të dy. Shumica e partive dhe liderëve brenda dy shteteve – atij serb dhe atij kosovar – janë kundër ndonjë marrëveshjeje që do lëvizte kufijtë ende të pademarkuar. Kryeministri kosovar bashkë me një pjesë të koalicionarëve në pushtet kërcënojnë me luftë. Nga «shoqëria civile» tashmë është lansuar një peticion kundër marrëveshjes eventuale, të supozuar serbo-kosovare.

Arsyetimi i këtij peticioni: s’ka ndarje në baza etnike! Është peticion që shprehka vullnetin qytetar për shpëtimin e Kosovës muti-etnike, respektivisht serbo-kosovare ashtu siç e ka vizatuar Martti Ahtisaari me kolegë. Kisha serbe poashtu reagon ashpër, duke thënë se kjo nuk qenka ndarje në baza etnike por dorëzim i Kosovës, ngase serbet nuk jetuakan vetëm ne veriun e tematizuar. Intelektualë të pavarur shqiptarë shkruajnë se një marrëveshje e llojit patjetër u dashka të parandalohet, ngase paska një motiv të vetëm: shpëtimin e presidentit aktual të Republikës së Kosovës nga Gjykata Speciale. Radikalët në Prishtinë kërkojnë që t’i ndalohet kthimi nga Vjena të të njëjtit. Kolegët e tyre në Beograd nuk kërkojnë moskthimin e primatit të tyre, përkundrazi ata shkojnë edhe më larg duke thënë se «Vuçiçit do t’i ndodhë si Xhinxhiçit». Ndërkombëtarët duken të ndarë gati njëjtë si para bombardimit të serbeve nga NATO; njëra palë thotë s’bën të luajnë kufijtë dhe të preket sovraniteti i shteteve e tjetra thotë po, bën, nëse ashtu sigurohet paqja e përhershme dhe shpëtohen njerëz nga pogrome të mundshme. «Kthim i përjetshëm i së njëjtës?» Në Ballkan e për historinë – po. Edhe asimetria e mospajtimit ka të njëjtën gjeografi: SHBA-të nga njëra anë e europianët (pa pjesëmarrësit e Alpbachut) në anën tjetër. Të parët thonë nëse dy palët gjejnë gjuhën e përbashkët ne përkrahim, të dytët thonë pikërisht kjo s’bën – që këta dy të gjejnë formulën e koekzistencës në mënyrën si duan.

Për ç’marrëveshje e kanë fjalën gjithë këta?

Marrëveshjen bardh e zi nuk e di njeri. Natyrisht përveç vetë Vuçiçit dhe Thaçit. E këta ende nuk kanë hapur kartat në detaje se ç’ziejnë me kabinetet e tyre në prani të Mogherinit dhe Hahn-it.

OPSIONI MË I POPULLARIZUAR

Në etér polemizohet për disa spekulime. Versioni më i popullarizuar është ai i shkëmbimit të tri komunave serbe në Kosovë me tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës. Këtë propozim e bëri edhe një institut beogradas që spekulohet ta ketë porositur Vuçiç. Dy presidentët thonë s’ka ndarje e shkëmbime por fjalinë e Thaçit «se kufijtë mund të korrigjohen dhe se Jugosllavia nuk ekziston më», shumica e interpretojnë si aludim për korrigjim të «gabimit të bërë nga periudha e Titos kur tri komunat serbe u futën nën kufijtë administrativ të Kosovës e ato shqiptare nën administrimin e Republikës serbe». Ndaj këtij opsione tashmë janë mobilizuar kundërshtarët jashtë e brenda:

KUNDËRSHTARËT BRENDA – Argumentimet mund të përmblidhen në këto pika: 1. Serbia do ta marrë Veriun dhe Kosova do mbetet vetëm me një ulëse në OKB dhe hiç më shumë. 2. Kosovës do t’i merret Trepça dhe Ujmani dhe do t’i jepen katundet e varfra të Luginës, të cilat nuk vlejnë për asgjë vetëm se për shtim të problemeve shto këtu edhe mëradikalizmin religjioz. 3. Ndarja e këtillë do të dëmtonte karakterin e shtetit multi-etnik të Kosovës dhe do t’i hapte edhe më shumë rrugë idealit të nacionalistëve shqiptarë për bashkim me Shqipërinë.

KUNDËRSHTARËT JASHTË– Berlini dhe Londra janë më të zëshmet kundër prekjes së kufijve aktual. Nga ato që mund të lexohen brenda arsyetimeve e artikujve të diplomatëve dhe analistëve të afërt me këto dy qendra argumentimi ka këtë strukturë: 1. Një lloj pajtimi i këtillë serbo-kosovar është i rrezikshëm për rajonin ngase në plan afatgjatë do të defaktorizonte një seri shtetesh në Ballkan në favor të dy dominantëve: serbëve dhe shqiptarëve 2. Pa kundërshtimin e trinisë ortodokse Moskë-Beograd-Athinë bashkimi i dy shteteve shqiptare në një konfederatë do të jetë hapi që pason. 3. Nëpërmjet politikave rajonale të BE-së komunat shqiptare dhe ato serbe shumë shpejtë do të krijojnë rajonet (nëpërmjet asociacionit të komunave siç pretendohej ne Kosovë nga BE) përtej-shtetërore nëpërmjet binjakëzimeve e asociacioneve duke bërë ndarjen kulturosferike në dy njësi të mëdha 4. Një politikë e këtillë donë të thotë përgjysmim i Maqedonisë, ndarje faktike e Bosnjës, ndarje ndërmjet serbeve dhe shqiptarëve të Malit të Zi dhe depërtim në Kroaci. 5. Kjo strategji serbo-shqiptare nxit konflikte që mund t’i sponsorizonte me subversion jo vetëm Maqedonia, por edhe Bullgaria, Rumania për ta luftuar dominancën e serbëve dhe shqiptareve në Ballkanin perëndimor në kuadër të BE-së.

IDEALISTËT – Parti minore në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos ato që idealin e «bashkimit kombëtar» nuk e paskan për dogmë, porqë besuakan dhe shpresojnë që marrëveshja të ndez, për arsye se, siç thonë: 1. Kjo është mënyra më e shpejtë dhe më pragmatike e konstituimit të shqiptarëve në faktor relevant në Ballkan si dhe çon drejt një bashkimi paqësor dhe pa luftë 2. Kosova nuk humb as materialisht gjë se Trepça dhe Ujmani mund të mbahen dhe edhe po u ndanë në dysh ia vlen për idealin e bashkimit shqiptar, për të cilin luftohet aq gjatë.

VERSIONI I THAÇIT – Ky si homologu i tij nuk flasin «në detaje» ngase gjithçka na qenka në stadin e ideve e jo të strategjive definitive se për çka do të diskutohet. Madje Thaçi do të bind se nuk do të ketë ndarje por vetëm korrigjim. Më së shumti ngul këmbë se Kosova nuk do të humbë asgjë nga pasuritë e saj, për «shkak të planeve të tij kreative». Thaçi deri më tani vetëm një gjë e thotë qarte: se s’ka marrëveshje pa njohje reciproke, pa Kosovën në institucionet ndërkombëtare dhe pa mbyllje përfundimtare të konfliktit? Vetëm çmimin ende nuk e kallëzon hapur.

ANALIZA E DEBATIT – Nuk ka mundësi që Thaçi dhe Vuçiç të mos e kenë diskutuar deri në fund planin e tyre. Këtë e tregon edhe afërsia e të dy kohëve të fundit, gjë që reflekton një «pajtim me fatin» si dhe përpjekja për të bindur sa më shumë shtete tjera për formën e «marrëveshjes» për të cilën patjetër se paraprakisht janë marrë vesh. Si duket konkretisht marrëveshja e tyre ? Këtë siç duket e dinë vetëm amerikanët, Vuçiçi dhe Thaçi si dhe komisariatet e involvuara në dialog të BE-së. Askush tjetër. Polemika ndodhë duke u bazuar në spekulime, frikë dhe interpretime por jo mbi ndonjë bazë materiale – dokumentare.

Kundërshtarët e «marrëveshjes së supozuar rreth shkëmbimit» argumentojnë kryekëput nga motive utilitariste-materialiste, nga frika se Kosova pa Trepçën dhe Ujmanin – që i konsiderojnë të humbura me një marrëveshje të tillë – do të hynte në një varfëri edhe më të madhe. Këtë e relativizojnë ata që thonë: Deti është në anën tjetër dhe pasuria e një vendi ka kohë tashmë që nuk varret kryesisht nga hekuri dhe plumbi. Resurset natyrore si ashtu nuk do të zhvaten më edhe gjatë si deri më tani.

Kundërshtarët që thirren në multietnicitet nuk kanë asnjë argument bindës. Kosova nuk është shtet multietnik me një përqindje prej 8% joshqiptarësh, 5% të cilëve de facto as që kooperojnë dhe njohin shtetin në të cilin gjenden dhe që mund të jenë përherë destabilizatori dhe bllokuesi i demokratizimit dhe pasurimit të vendit. Ky lloj arsyetimi, sipas kritikëve qenka vetëm maskë e të parit dhe asgjë tjetër.

Një segment i kundërshtarëve thonë se Thaçi i bën gjitha këto për shkak të Gjykatës Speciale. E për këtë, sa për Gjykatën, shtohen zërat intern që thonë se është një fiasko e llojit pasi u ngrit mbi një mit që s’paska ekzistuar.

Ndërkombëtarët ndërkaq kanë arsyetime më serioze dhe të ngritura nga analiza të shumta se pse janë kundër që dy popujt, shqiptarët dhe serbët si dy kulturosfera të jenë faktorët dominantë të Ballkanit perëndimor. Kanë frikë. Kjo frikë duhet të hulumtohet, ngase ato që thonë se e bëjnë ngase besojnë se sa më shumë shtete e njësi në Ballkan aq më mirë kontrollohen nga Brukseli nuk e ka bazën e nevojshme të argumenteve për t’u pranuar si e tillë. Më shumë do jetë frika nga krizat në Maqedoni, Bosnjë e Mal të Zi apo jo? Qendrat si Gjermania dhe Britania e Madhe asistohen verbalisht nga politikanë e parti të brendshme, të cilat kërcënojnë se do bëhet luftë në Kosovë. Verbalisht ngase potencial e rrezik për luftë nuk ka gjersa të jenë amerikanët aty brenda, ata që edhe de facto dhe me krye-iniciativën e tyre bënë këtë Kosovë siç është sot. Pra janë vetëm britma kaçakësh të lazdruar ballkanik e hiç më shumë. E amerikanët thonë: Po! bën që të korrigjohen kufijtë.

KONKULZIONE

Pritet që kahja e «diskursit» të ndryshojë pasi që ndonjë propozim-marrëveshje të jetë mbi tavolinë. E këtë nuk mund ta bëjnë dy njerëz vetë; qofshin ata presidentë apo diçka tjetër. Deri tek kjo fazë mirëpo nuk vjen nëse Vuçiçit i ndodhë siç thotë Shesheli e Thaçit siç duan ata që deri dje moto në flamur kishin vetë «bashkimin kombëtar».

Një gjë është e qartë: Kosova nuk mbijeton pa tërheqjen serbe ose vetëm me dhunë mund ta fusë Veriun në kontroll dhe t’i shpall luftë Serbisë. Që të dyja shtetet nuk do të hyjnë ne BE e askund tjetër. Kosova do të mbetet me kushtetutën e Athisaarit, e cila e shpall të pavarur por pa kompetenca as që ta revidojë kushtetutën e saj. Një marrëveshje duhet. E si do të jetë ajo varret nga serbet dhe kosovarët. Nëse duan patjetër të jetojnë bashkë le të bëhen një – në vazhdimin e krizës historike. Shtohen zërat neutral jashtë që janë të mendimit se: «Nëse secili prej tyre do të jetë në shtëpinë e vetë pa qenë ne sherr me fqinjin atëherë duhet të merren vesh». Duhet një Marrëveshje! Dhe këtë do ta përcaktojnë ata që marrin pjesë në të e jo ata që bëjnë demagogji dhe kërcënojnë pa ditur as se si mund të dukej marrëveshja.

Motoja serbe ‘Ballkani, ballkanasve’, ndjell zi

Nga Muhamet Hamiti

Kosova po degradon prej çështjes ndërkombëtare, e zgjidhur me Marrëveshjen e Vjenës/Ahtisarit (2007), që e parashtroi në Këshillin e Sigurimit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, e njohur nga 115 anëtare të OKB-së, në çështje të pazgjidhur të Ballkanit.

Kjo u pa në Forumin Evropian Alpbach të Austrisë mbrëmjen e 25 gushtit të vitit 2018 kur Presidenti i Serbisë qortoi bashkësinë ndërkombëtare, ndonëse përmendte vetëm Londrën (Britaninë e Madhe), pse përzihej në punët e ballkanasve, të serbëve dhe të shqiptarëve, të “dy kombeve më të mëdha” në Ballkanin Perëndimor, siç u shpreh ai, teksa mendjen e kishte te insistimi i Londrës që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- S erbi të bëhet në bazë të njohjes reciproke të të dyja vendeve në kufijt aktualë.

Paradoksalisht, në këtë linjë, ndonëse me gjuhë më të butë, të lutjes bashkësisë ndërkombëtare që të pranojë zgjidhjen që do të arrijnë ai dhe Vuçiqi për ndryshim të kufijve (me eufemizmin ‘korrigjim i kufijve’) Kosovë – Serbi, ishte edhe paraqitja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në këtë forum.

Kërkesa e liderëve ballkanas drejtuar bashkësisë ndërkombëtare ta kujton paevitueshëm moton serbe “Ballkani ballkanasve” (Balkan balkancima) nga viti 1912, kur Serbia e pushtoi Kosovën, e cila duket se po riaktualizohet.

Presidenti famëkeq i Serbisë Sllobodan Millosheviq – i njohur botërisht me nofkën ‘Kasapi i Ballkanit’, ministër i informatave i të cilit në kohën e luftës së Kosovës (1999) ishte Vuçiqi, poashtu gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar insistonte që ai ‘ta zgjidhte’ problemin e Kosovës drejtpërdrejt me shqiptarët. Përpjekja e tij për ta bërë këtë ishte në të vërtetë spastrimi etnik i Kosovës me deportimin e 900.000 shqiptarëve të Kosovës, i cili, për fatin e mirë të shqiptarëve, në vitin e tragjedisë e të mrekullisë që ishte 1999-shi, nuk u bë realitet falë ndërhyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, NATO-s.

Përpjekja e Millosheviqit dështoi poashtu sepse udhëheqja shqiptare e Kosovës, nën drejtimin e Presidentit Ibrahim Rugova, kishte ngulmuar që biseda me Serbinë pa ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve nuk mund të kishte, ndërsa shqiptarët, UÇK-ja, me aq fuqi sa kishin, luftuan edhe me armë kundër Serbisë.

Motoja serbe ‘Ballkani ballkanasve” tingëllon keq e ndjell zi edhe sot, 106 vjet mbas lindjes së saj, sepse fajëson bashkësinë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës./Illyria

Qilimi i kuq për çetnikun e zi

Nga Enver Robelli

Çetniku i zi një ditë vendosi të shkojë në Bosnjë-Hercegovinë. E la Beogradin, ku kishte bërë emër si huligan i Cërvena Zvezdës, atij ekipi futbollistik që përkrahej nga ultranacionalistët e Arkanit. Çetniku i zi shkoi në Pale, afër Sarajevës. Aty ishte vendosur krejt banda që quhej udhëheqje politike e serbëve të Bosnjës. Radovan Karagjiqi, një malazez i serbizuar, që e urrente ambientin urban dhe ëndërronte ta digjte Sarajevën. Dhe e dogji. Aty ishte Ratko Mlladiqi, të cilin ushtria e serbizuar jugosllave e kishte dërguar nga Maqedonia në Prishtinë me shpresën se aty do të shpërthente lufta së pari, pastaj, kur lufta nuk shpërtheu në Prishtinë, Mlladiqin njëherë e dërguan në Knin të Kroacisë, mandej në Bosnjë, ku ishte lindur dhe ku do të kryente krimet më të mëdha në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Aty ishte Nikolla Koleviqi, profesori i letërsisë angleze, njohës i madh i Shakespeareit, i cili braktisi katedrën për t’u bërë anëtar i ekipit të kasaphanës. Aty ishte Biljana Pllavshiqi, biologia që i quante myslimanët «material i degjeneruar biologjik».

Çetniku i zi erdhi në Pale për të punuar në «Channel S», një radio propagandistike. Çetniku i zi ishte, sipas shefit të tij (të dikurshëm) Vojisllav Sheshel, edhe vullnetar i një aradhe çetnike. Si shumë të dyshuar për krime të luftës edhe ky i shpëtoi burgut të merituar. U kthye në Beograd çetniku i zi dhe më 1998 u bë ministër për informata (lexo: censurë e krime të tjera), në atë kohë në Kosovë vriteshin njerëz nga policia serbe dhe ndaloheshin gazeta. Çetniku i zi ishte i lumtur. Nuk kalonte ditë pa iu kërcënuar shqiptarëve dhe Perëndimit.

Çetniku i zi ngaherë është bërë udhëheqës i Serbisë. I ka ikur nga prehri shefit të tij të dikurshëm, ka themeluar një parti, ka fituar disa palë zgjedhje, e ka mbështetur opozitën për muri me mediat e tij kriminale. Çetniku i zi nuk ka kërkuar falje për krimet e shtetit të tij në Kosovë. Çetniku i zi ka arritur të etablojë narracionin: «ju na vratë, ne ju vramë». Pasi e ka marrë gjysmën e Bosnjës tash çetniku i zi ka gjetur partnerë në Prishtinë për ta marrë dhe një copë të mirë të Kosovës. Hap pas hapi ai po i arrin qëllimet. Territori i Kosovës është nxjerre në pazar. Parlamenti ka heshtur. Partitë politike kanë heshtur (me përjashtim të Vetëvendosjes), një pjesë e madhe e shoqërisë civile i ka shikuar në radhë të parë kuletat e veta të mëdha, mediat (me përjashtime lavdëruese) janë mjaftuar me përralla senzacionaliste.

E si erdhi deri këtu çetniku i zi? Si erdhi çetniku i zi deri para portave të Prishtinës? Si hyri çetniku i zi në Republikën e Kosovës? Sepse ia hapën derën politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës. Ata që kanë halle personale: mos po shfaqet diku në këtë botë ndonjë dëshmitar i gatshëm për t’i ngarkuar rëndë për krimet e tyre gjatë dhe pas luftës. A qeveriset Kosova me politikanë të tillë? Përfundimisht jo. Nuk mund t’i mbrojë interesat e Kosovës dikush që ka vetëm halle personale.

Por, kjo klasë politike ka mundësuar zgjedhjen e tyre në poste të rëndësishme, kjo shoqëri e ka toleruar këtë rrëshqitje në batak, kjo klasë intelektuale e Kosovës ka heshtur (me përjashtime të vogla), andaj ja ku jemi në gushtin e vitit 2018 – në pazar me çetnikun e zi. Pas takimeve të fshehte të kërbishteve tona politike me çetnikun e zi nëpër dynja, ku është folur për matje territoresh e ndarje katundesh, pronash e pasurish tokësore e nëntokësore – tash ka ardhur koha të paguajmë çmimin e verbërisë – të verbërisë së klasës sonë politike, e cila, dorën në zemër, më së paku merret me politikë. Ndërsa qilimi i kuq iu ka shtruar çetnikut të zi, disa bërtasin: ndaleni! Mos është pak vonë?

Treni për Bruksel

Nga Ramadan Baraliu*

Në Prizren shpesh dëgjon muhabete me nostalgji se si kanë hipur në tren në Perzeren dhe kanë zbritur në Vjenë para do kohe. Sot treni nuk shkon për Perzeren dhe askund tjetër. Shinat e trenit janë ngulfatur nga ndërtesa që janë shumë në numër dhe të larta, por të pa arritshme për shumicën e qytetarëve. Prishja e hekurudhës dhe pamundësia e udhëtimit për në Vjenë nga Prizreni, ngjason me rrugëtimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Përderisa shtetet e zhvilluara punojnë për të rritur mirëqenien e qytetarëve të tyre edhe më shumë, shtetet e Ballkanit Perëndimor ende orvaten në problemet e moçme, që vazhdimisht u kanë sjellë varfëri. Deri te kjo gjendja ka ardhur pasi që në Ballkan me shekuj janë ndeshur interesat e Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa popujt ballkanas kanë mbetur në mjegullën që është krijuar dhe nuk po mund të dalin, edhe pas shumë mësimeve. Në opinionin tim, zgjidhja përfundimtare e këtyre problemeve ballkanike është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në në miqësi të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por sa do zgjasë ky proces dhe a kemi shumë kohë për të pritur?

Kosova është në pritje të konfirmimit të rekomandimit të Komisionit Evropian në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave. Duket që ky propozim do të kaloj pozitivisht për kosovarët, nëse nuk e prishim punën vet ne, në momentin e fundit, siç ndodhë shpesh, pasi këso kulture politike kemi kultivuar deri më tani. Në këtë funksion, duhet të adresohet sa më parë nga organet e drejtësisë, procesi i hetimeve për veteranët, dhe në këtë proces politika nuk duhet të ketë dorë. Për shkak të këtij rasti, mund ta humbim mundësinë që të lëvizim lirshëm.

Çka po ndodh në Bashkimin Evropian

Qytetarët e shteteve të Bashkimit Evropian në vitin e ardhshëm do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet që do të organizohen për Parlamentin Evropian. Mandati i përbërjes VIII të Parlamentit Evropian përfundon më 18 prill 2019. Në një votim të drejtpërdrejtë më 23-26 maj, qytetarët në 27 shtete anëtarë të BE-së do të zgjedhin 705 deputetë. Deri më tani PE i kishte 751 deputetë nga 28 shtete anëtarë, mirëpo pas BREXIT, PE do të tkurret.

Deri më tani PE ka pas qëndrim shumë konstruktiv dhe mbështetës në raport me shtetin e Kosovës dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Tani, frika kryesore është rritja e euroskeptikëve dhe partive populiste dhe mundësia e rritjes së fuqisë së tyre edhe në PE pas zgjedhjeve 2019. Por, këto parti a janë të aftë të formojnë një forcë parlamentare e vetme koherente, kjo mbetet për tu parë. Ajo që dihet deri më tani është se dallimet mes tyre në shtetet të ndryshme evropiane, gjithnjë po zvogëlohen. Disa nga partitë euroskeptike dhe populiste e kanë ndërruar diskursin. Ato më nuk shprehën më kundër Bashkimit Evropian, por janë për reforma rrënjësore në mënyrën e vendimmarrjes brenda unionit dhe në shumë aspekte tjera. Madje është përmendur edhe mundësia e shuarjes së Komisionit Evropian, organ i cili pothuajse vendos për gjithçka brenda BE-së. BE është projekt i elitave evropiane. Rritja e ndikimit të partive populiste mund të ketë efekt negativë për shumë çështje.

Po ashtu ekziston një iniciativë për organizim kundër estabilishmentit aktual në BE, duke marrë modelin amerikan. Jo vetëm që populistët janë gati të prishin konstolacionin aktual të forcave në parlament, por një valë e re e partive transnacionale pak të vërejtura po shfaqen gjithashtu. Të dy kërcënojnë partitë kryesore politike që kanë mbajtur historikisht monopolin në projektin evropian. Evropa mund të jetë në prag të një forme më transnacionale të demokracisë, e cila është e polarizuar rreth pozicioneve themelore pro dhe anti BE. Grupi më i madh politik në PE është Partia Popullore Evropiane -EPP e djathtë, e cila mban 217 nga 751 vende, e ndjekur nga Aleanca Progresive e Majtë e Socialistëve dhe Demokratëve-SD, e cila aktualisht mban 189 vende. Parlamenti gjithashtu përfshin Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën-ALD, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë dhe disa koalicione të tjera më të vogla.

Nëse ndodhë një polarizim i tillë në BE, qëndrimet e forcave të reja që pretendojnë të fitojnë shumicën dihen dhe forcimi i tyre mund të shuaj shpresat e kosovarëve për lëvizje të lirë por mund të ju rikthej vizat edhe shteteve të rajonit nëse vazhdojnë të sjellin telashe për BE-në. Po ashtu rrugëtimi për integrim në BE-në i shteteve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjatet.

Është momenti i fundit që të bindim opinion evropian se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshëm për integrim të plotë dhe se nuk do të sjellin telashe me integrimin e tyre, porse do të jenë vlerë e shtuar në këtë projekt mbi nacional. ­

Këtë e tha të shtunën në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë edhe Presidenti i këtij shteti. Alexander Van der Bellen ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë marrëveshje brenda këtij viti. Kjo sipas tij duhet të ndodhë për shkak të zgjedhjeve të reja që ndodhin në BE në vitin e ardhshëm dhe kjo është periudha kur ” treni ndalet”.

E çka do të ndodhë nëse nuk e shfrytëzojmë trenin e fundit për të shkuar në Bruksel.

Largimi ose zgjatja e rrugës për në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor do të thotë krijimi i terrenit të përshtatshëm për agjendat ruse dhe të aleatëve të tyre në këtë hapësirë.

Ditë më parë Foreign Affairs publikojë një tekst, se “Si mund të luftojnë demokracitë kundër pushtetit autoritar”. Aty theksohet se në mbarë botën, qeveritë autoritare po ndërhyjnë me institucionet e shoqërive demokratike në mënyra që nuk do të ishin të paimagjinueshme edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Universitetet, kompanitë mediale, institutet hulumtuese, studiot e filmit, muzetë, shtëpitë botuese dhe çdo aspekt i procesit politik po vihen në shënjestër nga ndikimi i jashtëm. Kjo lloj force e mprehtë është aq efektive, sepse institucionet në mjediset demokratike janë të hapura për botën e jashtme dhe në këtë mënyrë janë të prekshme ndaj manipulimit të huaj. Politikëbërësit brenda demokracisë duhet të përballen me sfidën e refuzimit të ndikimit të jashtëm, ndërkohë që mbështesin vlerat esenciale demokratike.

Kosova si demokraci e re dhe në konsolidim e sipër është shumë e ekspozuar ndaj këtyre ndëryjoreve të jashtme.

Afrimi i Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor me Evropën dhe integrimi përfundimtar i tyre në BE, do të thotë largimi përfundimtar i ndikimit Rus në këto shtete. Sa është e interesuar Rusia për këtë perspektivë, kjo çështje nuk do koment. Rusia vazhdimisht ka luajtur dhe po luan me forcat nacionaliste në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe në BiH, duke shpresuar që të ngadalësojë rrugëtimin e këtyre shteteve për në BE dhe në NATO. Në Mal të Zi i dështoi tendenca për destabilizim , po ashtu edhe në Maqedoni, ndërsa ndikimin ende e ka në Serbi dhe në Republika Serbska, përmes tyre pretendo ta zgjeroj edhe në rajon.

Tani ekziston rrezikshmëri që në të ardhmen Rusia të përdorë prezencën dhe ndikimin e madh që kanë shtete të tjera euro-aziatike që e po rrëshqasin në regjime diktatorial dhe po largohen nga aleancat perëndimore dhe që janë mjaftë prezentë në rajon, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shtete larg me amerikanët dhe evropianët ndërsa të afërt me rusët dhe serbët, nuk mund të jetë miq të besueshëm dhe të qëndrueshëm me shqiptarët. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të vëmendshme për rreshtimet në këtë kohë të ndërrimit të raporteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe krijimit të aleancave të reja. Duhet të bëjmë një mburojë për ndikimet që mund të vijnë nga shtetet që historikisht nuk kanë mbajtur qëndrim në favor tonin.

Të gjithë duhet t’i kryejmë me përpikëri detyrat e shtëpisë në mënyrë që ta zëmë trenin e fundit për lëvizje të lirë dhe për integrim të plotë në BE dhe NATO. Duhet të zëmë trenin e fundit për Bruksel dhe mos ta katandisim trasenë siç kanë bërë me hekurudhën duke i pamundësuar lëvizjen trenit për Perzeren. Vitin e ardhëm treni mund të ndalet!!!

*Autori punon në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

Irritues hakërrimi i Kelmendit ndaj Selimit

Nga Idriz Zeqiraj

Idhshëm e fyes është reagimi i eksponentit të LPK-së, profesor Muhamet Kelmendit, ndaj shefit të SHP të UÇK-së, Sylejman Selimit. “UÇK-ja ka pasur 12.700 ushtarë”, – thotë kuadri i lartë i luftës, Sylejman Selimi. Fort inatshëm reagon lëvizaku Kelmendi, që luftën e ka përcjellur nga mërgimi: “Është mashtrim dhe një idiotizëm i rëndë të thuhet se kemi vetëm 13 mijë a 16 mijë luftëtarë”.

Kjo më kujton fjalorin-piskamë të Enver Hoxhës, me bandën e tij staliniste, kur denigronte “armiqtë e klasës”, duke ua bërë hetuesinë në arkivol, e disa syrësh i çonte në plumb dhe i linte edhe pa varr. LPK-istët mbeten robër të asaj ideologjie satanike. Mjerueshëm!

Është nonsens, mungesë e ndjenjës së masës, t`i drejtohesh, kaq vrazhdësisht, madje, edhe atëherë kur nuk ke fare të drejtë, një burgaxhiu, një njeriu, që nuk jeni të barabartë në kushte e rrethana.

T`i tregosh shifrën e ushtarëve në luftë, shefit të Shtabit të luftës, Sylejman Selimit, është sikur të thuash:

“Eja baba t`i tregoj sinoret (kufinjtë( e arave!”

Profesor Kelmendi shkreton edhe më tej, krejt paushall:

“Në vitin 1968, i tërë populli, pa dallim, ka qenë i organizuar në radhët e UÇK-së”.

Ndërkohë, në vitin 1968, as që ka ekzistuar UÇK-ja. Eksponentët e LPK-së e shtrijnë, në kohë, themelimin e UÇK-së, që nga viti 1981 e deri më 1998! Dhe, në fund, e pranojnë se nuk arritën asnjëherë, ta aktivizonin UÇK-në në formacione ushtarake, përshkak të sabotimit të luftës, që bëri Kryesia e re e LPK-së puçiste, përkatësisht, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, me kompani, në ujdi me Tiranën zyrtare social-komuniste, Serbinë dhe Sigurimin sekret francez. Këtë të vërtetë e kanë pranuar edhe pretenduesit e themelimit të UÇK-së: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendit, Bislim Zogaj, Jakup Krasniqi dhe të tjerë, të gjithë kuadro të lartë të LPK-së.

Dhe, kjo ngjason me njëfarë UÇK-je, që ne, grupi i kryesuar nga Kadri Osmani (Mani), Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Metë Shatri, Jashar Aliaj e tjerë, e kishim themeluar në vitet `60-a, por, pa arritur ta fusim në luftë, njësoj si këta të LPK-së. Megjithatë, ne ishim më të avancuar, sepse kishim krijuar resorët e nevojshëm për përgaditjen e luftës, drejtoritë përkatëse. Kurse këta të LPK-së, kishin vetëm një drejtori, atë politike, të kryesuar nga Hashim dallaverja! Dhe, dështimi ishte i pritur.

“Çdo njeri madhor ka qenë ushtar”, – befason, për të keq, Kelmendi! Jo, askurrë. Kanë qenë grupe të vogla, që rrallë kanë bërë çetën. Kurse batalionin asnjëherë. Ndërsa brigada ka qenë emërtesë fiktive, e rrejshme.

Përvijimi i vonshëm i UÇK-së

Pas dështimit të marrëveshjes të Osllos, presioni ndaj ushtarakëve të FARK-ut u shtua. Ultimatumi i LPK-së dhe Tiranës zyrtare ishte: FARK-u të largohet, dëbohet nga territori i Shqipërisë, përndryshe do ta pësonin keq. Oficerët institucionalë, i kërkuan takim Presidentit Rugova në Zvicër dhe e informuan Atë, për shqetësimin që kishin. Dr. Rugova, u tha prerazi se tërheqje nga lufta nuk ka! Çfarë të bëni e dini ju, sepse jeni të zanatit, jeni ushtarakë.

Porosia-urdhër e Komandantit të Përgjithshëm të FARK-ut, Ibrahim Rugova, ishte e qartë dhe aprovimi ishte njëzëshëm. Në gjysmën e dytë të vitit 1998, në Papaj të Tropojës nismoi përvijimi i UÇK-së, e dalë nga FARK-u. Megjithatë, Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Luftës, edhe pse ai, me oficerët e tij, mbanin uniformën me tri shkronjat e UÇK-së, ajo ishte në përvijim, nismë, për t`u bërë ushtri e mirëfilltë.

Kolonel Krasniqi, në një studim teorik ushtarak, shkruante se do të bëjmë pajtimin, bashkimin e të gjitha grupimeve, për ta bërë një UÇK-e solide, të mirëfilltë. Duke punuar për këtë projekt dhe mision të shënjtë, Koloneli, me përgaditje sipërore ushtarake, ekzekutohet zyrtarisht, në zemër të Tiranës hyjnore.

Andaj, që këtej është nisur edhe kozmopoliti Veton Surroi, kur deklaron se asnjëherë nuk ka ekzistuar UÇK-ja e mirëfilltë. Natyrisht, Surroi i ka pasur lëvizjet e lira në Kosovë dhe ka parë gjendjen faktike në terren. Dhe, është bindur se nuk bëhet fjalë për ndonjë UÇK-e, siç propagandohej në sallat luksoze të Evropës, të botës dhe transmetohej, lehaqençe dhe rrast përçarëse të popullit, nga Radio-Televizioni Shqiptar, |Redaksia e Kosovës, përkatësisht, e LPK-së.

Kosharja ishte detashmenti më i organizuar ushtarak, me elementët e bollshme, për të qenë brigadë. Për të emërtuar UÇK-e, duhej të bëheshin disa brigada të kësaj përmase, që, mjerisht, nuk u bënë kurrë.

Kelmendi rob i dogmës ideologjike

“…ndonjë parti politike pacifiste e kohës, që, në fakt, ishte kundër UÇK-së”, – thotë profesor Muhameti.

Mjerisht, kjo shpifje e përsëritur edhe nga bashkëpartiakët e tij, nuk ka asnjë bazë. Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), të cilat i themeloi Dr. Ibrahim Rugova, nga ku doli edhe UÇK-ja. Infrastrukturën e kësaj UÇK-je e përgaditi Kolonel Ahmet Krasniqi, minstër i Luftës. Dhe, kjo UÇK-e bazë kishte anëtarësinë e LDK-së. Kuadri i luftës, Fatmir Limaj, ka pranuar, madje, botërisht, “pothuaj se, të gjithë ushtarët na vinin nga LDK-ja”. Dihet, LPK-ja nuk ka pasur anëtarësi, rrjedhimisht, as ushtri, ndërsa eksponentët e saj u komoduan në vilat e Bllokut të zi të Tiranës dhe në Hotelin “Rogner”.

Dëshmi është protesta mallkuese e heroit Fehmi Lladrovcit, i cili akuzon bashkëpartiakët, pse shpenzojnë paratë e Fondit *Vendlindja thërret* bulevardeve e hoteleve të Tiranës dhe po sabotojnë luftën, duke mos hyrë në luftë vetë dhe duke penguar edhe ushtarët vullnetarë.

Rrjedhimisht, me gjithë “pacifizmin” e saj, më sakt, përgjegjësinë për popullin, Kosovën, LDK-ja e bëri paqen dhe atë luftë modeste, që është bërë në Kosovë, edhe pse bilanci është tragjik për shqiptarët. Realisht, në Kosovë, më shumë se sa lufta, ka ndodhur masakra dhe këtë e dëshmojnë shifrat, fatale për shqiptarët, përkundër “epopeve” fiktive të UÇK-së. Bilëz, përgjatë një “epopeje” të tillë, është vrarë edhe një polic serb!

Kelmendi dhe Çeku flasin për mijëra “veteranë”

Profesor Muhamet Kelmendi dhe gjeneral Agim Çeku thonë se në Kosovë ishte i gjithë populli në UÇK-e dhe meritojnë “dëshminë e veteranit”, jo dhjetra mijëra, sa janë regjistruar tani, por, qindra mijëra!! I pari e don begatimin e partisë së krimit me anëtarësi; ndërsa i dyti, don shtimin e një ministrie të veteranëve, duke u bërë ai ministër. Këtë ënderr e sheh edhe kur është zgjuar nga gjumi!

Por, e vërteta është ndryshe. Reporteri i luftës, Maxhun Smajli, i cili ka bërë edhe dy libra voluminoze kronikë nga lufta, thotë se në shkurt 1999 kishte 12.820 ushtarë. Më vonë janë shtuar edhe 3.200 ushtarë. Njëkohshëm kanë dezertuar 5.700 ushtarë. Kështu që, më 09 qershor 1999, Kosova kishte 9.500 ushtarë!

Kurse, Ramushi, nga këta, kishte gjithsejt 50 ushtarë në Dukagjin. Pra, rezulton se Ramushi nuk ka qenë as komandant, por, vetëm kryeçetanik. Gazetari i luftës, Maxhun Smajli, përmend edhe faktin se gjatë luftës u vranë 820 ushtarë. Ndërsa, pas luftës “komandantët” vranë 1.600 shqiptarë, kundërshtarë politikë!

Sipas vrojtimeve të mia, nga fillimi deri në mbarim të luftës, në shërbim të luftës kanë qenë 5.500 deri në 6.000 ushtarë, që do ta meritonin “dëshminë e veteranit”. Shto edhe kaq, që kanë qenë në gadishmëri të luftës, me armë në dorë, por, jo për neglizhimin e tyre, nuk u ka ardhur rasti dhe radha, për t`i përdorur armët. Ja, pra, u bënë 12.000 ushtarë.

Rrjedhimisht, pajtohem me shefin e SHP të UÇK-së, Sylejman Selimin dhe zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin, gazetarin dhe reporterin e luftës, Maxhun Smajlin, i cili është edhe drejtpërdrejtë pjesë e luftës, por, jo edhe veteran, të cilët, përgjegjësia ushtarake, politike dhe informative, i ka lidhur edhe me shifrat e luftëtarëve në terren. Të tjerët, që flasin për numrin e ushtarëve, pjesëmarrës në luftë, nuk mund të besohen, përfshi këtu edhe gjeneral Çekun, sepse kanë qenë shumë larg luftës.

Profesor Muhamet Kelmendi thotë: “UÇK-ja ishte e organizuar kudo ku ishte territori nën kontrollin e UÇK-së”.

Broçkulla! Asnjë territor nuk ka pasur UÇK-ja nën kontroll, përjashto hapësirën e Kosharës, të çliruar me luftë. Mos, vallë, Malisheva ishte nën kontrollin e UÇK-së?! Mësyemja e parë e forcave armike, përgjaku Malishevë e Rahovec. As kufomat e burrave dhe të djemëve nuk arritën t`i varrosin.

Kemi pasur fatin e hidhur t`i presim dhe t`i strehojmë ikanakët, refugjatët, nga këto dy komuna. Një kontigjent prej 450 vetësh, i strehuam në sallën sportive në Mamurras të Kurbinit. Edhe kur u gjetëm strehë banimi, në familjet vendore, ata nuk pranonin largimin nga salla kolektive. Ata ishin, skajshëm, të traumatizuar.

Kelmendi paralajmëroi rrezikun e puçistëve të LPK-së

“Cezarit jepi atë që i takon”! Është një shprehje e njohur që nga Antika. Dhe, pas të gjitha kritikave, në adresë të profesor Kelmendit, tani duhet pranuar edhe kontributin e tij.

Është, pikërisht, profesor Muhamet Kelmendi, ai që i denoncoi, krerët puçistë, të cilët, dhunshëm, shkarkuan Kryesinë e vjetër të LPK-së, për ta sjellur klanin e Drenicës, në krye të Lëvizjes, edhe pse kontributi i tyre ishte zëro. Kelmendi ishte i pari dhe i vetmi që denoncoi dhe paralajmëroi rrezikun që po i kanosej popullit të Kosovës, nga kjo bandë, e lidhur fort me agjensitë informative të shteteve armike, përfshi edhe Tiranën zyrtare social-komuniste. Dhe, profecia, parashikimi i profesor Kelmendit, ishte i saktë.

Puçistët e LPK-së, të cilët, dy dekada më parë, krijuan bandat, brenda organizatave kriminale e terroriste SHIK dhe “Shqiponjat e zeza”, kanë përgjakur Kosovën, duke vrarë, për diell e për hënë, në pusira dhe errësirë, në rrugë dhe në oborr të shtëpisë, në fshat dhe qytet, të paktën, 1.820 kundërshtarë politikë, për ta gëzuar pushtetin e gjakosur të sotëm. Dhe, sot e mbajnë të ngulfatur Kosovën tonë.

Kanë vjedhur e grabitur pasurinë e brezave shqiptarë. Kanë maltretuar dhe vazhdojnë t`i terrorizojnë shqiptarët, me haraçin zyrtar dhe privat, kanë shkelur nderin, personalitetin, dinjitetin e shqiptarëve, gjë që nuk arriti as armiku ta bëjë, deri në këtë shkallë.

Megjithatë, profesor Kelmendi, ka zvetnuar kontributin e tij të hershëm, ka shkelur parimet, për interesa ideologjike e vetjake, duke milituar në njërën nga partitë-banda, e cila është pjesë e gjakosjes të popullit të Kosovës.

Kush e tradhtoi Kosovën?

Shkruan prof. dr. Hakif Bajrami

Foli Dr. Sali Berisha në TV me atë temperamentin politik të bulevarditmitingagji, por la një përshtypje se akuzon kuturu se kinse Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e “paskan shitur Kosovën”!. Menjëherë më duhet t`i them doktorit se kur dhe ku u organizua ai pazar. Dhe, po të kishte qenë ndonjë personalitet që ka pasur funksion, por edhe pushtet, atëherë shtrohet pyetja krahasuese kush të pengoi Sali Berisha kur e more pushtetin e ta vësh në kufi ushtrinë për çlirimin e Kosovës, besa edhe të Çamërisë.

Sali Berisha e akuzove Enver Hoxhën dhe Fadil Hoxhën se e “paskan tradhtuar – shitur Kosovën”. Orë burrë, me sa e dimë ne, Ju jeni mjek. Ku e keni gjetur atë dokument të pazarit të “shekullit” për Shqipërinë Kontinetale (Kosovën dhe viset tjera të robëruara…)? Trego he burrë. Po bëhen 45 vjet që hulumtoj nëpër arkiva dhe dokument të tillë nuk kam hasur. E besa, më duhet të mos jem modest se jam punëtori shkencor më i informuar shqiptar, specialist për kohën sa ishin të dy “hoxhallarët”, njëri me funksion e pushtet e tjetri me funksion e pa pushtet. JO, Dr. Sali Berisha, duhet t’i kërkosh falje publike popullit të cilin e rren dhe atyre që i akuzon. Nuk po të jap këshilla, mati argumentet. Po Ti nëse ke bërë pazare me Milloshin, e ke bërë, që besa tani për tani po të “kursejmë”, sepse dihet të gjitha, por po të betohem në FLAMUR, se fytyra jote do të mbetet e ZEZË si katrani. Ja ku jam, publikisht.

Unë nuk të urrej, të respektoj si mjek e njeri, plus që je tropojan i vendlindjes së gjeneral Tahir Sinanit. Marre more burrë, ti lëre që po e komprometon veten, por po i korit edhe të tjerët, se Tropoja është Kosovë, ore mjek që ke harruar si vërtetohet diagnoza e të sëmurit. Lexoje Hipokratin. Po. Foli Dr. Sali Berisha në TV Dukagjini me atë temperamentin politik të bulevardit-mitingagji, por la një përshtypje se akuzon kuturu se kinse Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha e “paskan shitur Kosovën”! Menjëherë më duhet t`i them doktorit se kur dhe ku u organizua ai pazar. Dhe, po të kishte qenë ndonjë personalitet që ka pasur funksion, por edhe pushtet, atëherë shtrohet pyetja krahasuese kush të pengoi Sali Berisha, kur e more pushtetin, ta vësh në kufi ushtrinë për çlirimin e Kosovës, besa edhe të Çamërisë, sepse i ke pasur 240 aeroplanë, mbi 5000 oficerë të lartë të shkolluar, kualitativ e nja 230 diplomatë karriere me njohuri shumë profesionale.

Po ne që merremi me të kaluarën, lexojmë në dokumente se ushtarët e Shqipërisë bregdetare t`i vriste greku e sllavi në kufi e Ti heshte. Salo, vetëm bëje një listë se çfarë bëre me diplomacinë, me ushtrinë, me fajdet, me tentim ta shkatërrosh Shqipërinë bregdetare në 1997. Fare nuk mendove apo “mendove”, në mënyrë që të hapet shansi për Milloshin, ta shfarosë Kosovën pa problem, sepse Shqipëria mbaroi (mars 1997). Kjo nuk ishte shitje e drejtpërdrejtë, por gypat e naftës nëpër Liqenin e Shkodrës, drejt tankeve të Milloshit, të thërrasin trishtueshëm: Mbylle gojën, o i botojmë edhe fotografitë e gypave, e Serbia ishte nën embargo, e dënuar unanimisht nga KS i OKB-së. Fol, dalim ballë për ballë.

Nuk i njeh ligjet politike të Kominternit

Tash po të tregoj se ku ishte me kuadro Enver Hoxha që për 45 vjet, me funksion dhe pushtet absolut-totalitar dhe ku ishte Fadil Hoxha që kishte funksion lokal deri më 1968, e pastaj edhe më lartë, por kurrë-kurrë nuk ka pasur pushtet. Enver Hoxha e mori drejtimin politik të majtë në Shqipërinë Bregdetare më 8 XI 1941. Aty ishin dy shqiptarë të Kosovës: Ramadan Çitaku dhe Elhami Nimani. Kjo prani tregon diçka edhe pse ishin dy malazezë “kominternist”, sepse ishte zakon i kohës jo vetëm për shqiptar, sikurse princat, krajlët e mbretëritë në mesjetë që i kurorë- zonte dikush. E ti nuk i njeh ligjet politike të Kominternit, që ishte organizata më proshqiptare (me i zbardh plagët e Kosovës dhe me ia bashkua Shqipërisë -lexo Rezolutën e Kongresit IV PKJ në Drezden më 1928; lexo Rezolutën e KQ PKJ në Zagreb më 17 tetor 1940, ku thuhet se Kosova duhet të avancohet në Republikë sovjetike. Dhe disa shqiptarë idealist duke e parë se Evropa na TRADHTOI në Berlin (1878), në Londër (1913), në Versaj (1919), u kthyen kah politika majtiste.

I lexo dokumentet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në çdo program figuron simpatia për SHBA – Amerikën, në anën tjetër, por as ajo deri më 1999 nuk shkrepi në dobi të luftës së drejtë që bënë shqiptarët për çlirim dhe bashkim. Enver Hoxha ngadalë u avansua në prijës meritor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe këtë fakt nuk ka fuqi që e abrogon. Konferenca e Pezës këtë rreshtim e argumenton. E vërteton edhe letra e Koço Tashjos drejtuar Kominternit, ku Kosova është çështje shumë e theksuar, se duhet t`i bashkohet Shqipërisë. Salo unë kurrë nuk e kam denigruar Ballin Kombëtar si historian, por me rastin e themelimit dhe më vonë kishte në Kryesi shqiptar nga Kosova. Mos të flasim për Legalitetin e mercenarëve. Doktor Salo, më 20 tetor 1942 Fadil Hoxha themelon Shtabin e Përkohshëm të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. Po në këtë kohë e themelon Aradhën e parë shqiptare “Zenel Hajdini”; themelon në vijim: Aradhën “Emin Duraku”, “Bajram Curri”, “Kosova”, dhe më 15 prill 1943 themelon Shtabin Kryesor të UNÇ dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit. (Shtabe kryesore kishin të gjitha ish-republikat tjera të Jugosllavisë), kurse, Jugosllavia kishte Shtab Suprem. Në këto rrethana në viset shqiptare i pari do të gjendet ekipi Bill Meklinit (anglez), që do të njihet me luftën antifashiste. Pra nuk ishin rusët fare në dijeni për këtë realitet antifashist shqiptar.

Pazari tinëzar

Ky realitet në kushte të okupimit nazifashist që e kishte mbuluar Evropën në zi, nuk mund të injorohet. Po, edhe Enveri edhe Fadili e TRADHTUAN Fashizmin, nuk i shërbyen si të tjerët që të pranojnë pushtet kuisling dhe të rrinë gju me gju apo në një qytet dhe të lëvizin lirshëm, e roli i atyre që rrinin midis Tirane dhe Prishtine e Mitrovice me oficerët nazifashistë dihet. Shkojmë më tutje, ende nuk kemi pikë kritike se kah duhet të shkojë Shqipëria Kontinetale – pra Kosova, e cila nuk ishte në “Pazar” të askujt, por të okupatorëve po. Pra, intermedialisht ishte në “Pazar” tinëzar të çetnikëve, sllavokomunistëve, por i lexoi mendimet e tyre meskine. Plus kur dihet niveli i arsimimit politik, mozaiku i “pazarit” vjen e bëhet edhe më lotari se lotaria. Po ku je ti sot, pse nuk po u përmirëson gabimet me tërë këta intelektualë dhe bajraktarë mëhallësh politik djathtistë dhe patriot me llafe. Më 10 korrik 1943 formohet Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH; më 15 gusht 1943 formohet Brigada e Parë Sulmuese. Pason ardhja e Misionit Amerikan i drejtuar nga Tomas Stefani (lexoi raportet e tij të pabotuara kurrë në AK-hb, ore i gjorë, po çfarë shitje, po çfarë tradhtie… !).

Pason mbajtja e Konferencës Bujanit që ishte iniciuar nga Fadil Hoxha më 6 XI 1943 në Sharr (Konsulta e Komitetit Krahinor: lexo se çfarë vendimesh u morën kryekëput kundër politikës serbomadhe, çetnikofashite -hb). Po, mbasi është fjala për Kosovën, më 11/12 janar 1944 Fadil Hoxha një dosje të Bujanit ia dërgon Enver Hoxhës në gjuhën shqipe, një dosje ia dërgon Titos në gjuhën serbishte. Enver Hoxha dhe Shtabi i tij politik dhe ushtarak komplet i pranojnë vendimet e Bujanit nga 2 janari 1944. Tito, Rankoviq dhe Gjillas përmes një letre që e nënshkruan ky i fundit e refuzojnë kategorikisht çdo frymë liridashëse në Rezolutën e Bujanit më 28 mars 1944, me theks të veçantë se Kuvedni i Buajnit “nuk mundet të jetë institucion ligjbërës”. Ku e dinte Fadil Hoxha me shkollë mësuesie se çka fshihet nga kjo kërkesë zhvleftësuese e Kuvendit Bujanit. E nëse një kuvend nuk prodhon ligje, atëherë çka është. Letra e M. Gjillasit me të gjitha kërcënimet dhe shantazhet shqyrtohet më 16 VI 1944 në Kolosian. Para dite debaton Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë i kryesuar nga Pavle Joviqeviqi, mbas darke, po në Kolosian, në odë të Bajraktarit, debaton Kuvendi i dalë nga Buajni nën drejtimin e Mehmet Hoxhës. E pranojnë “kritikën partiake” të Gjilasit në tërësi. Në këtë pranim reagon te Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha shumë ashpër. Ruhen reagimet në A. CKSKJ/44.

Rankoviq largohet nga bisedimet

Për ta amortizuar masakrën e shkurtit 1944 që bëri Regjimenti “Kosova” në Tiranë, drejtuar nga Xhafer Deva dhe Shmit Huberi, me kërkesë të Fadil Hoxhës, Shtabi Suprem i Jugosllavisë dhe Shtabi Kryesor i Kosovës do të KËRKOJNË që Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ Shqipërisë t`i dërgoi forcat e veta respektive në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Kjo kërkesë do të shqyrtohet drejtpërdrejtë nga 16-26 gusht 1944 në VIS, ku ishte paria politike antifashiste Jugosllave dhe përfaqësuesit e Luftës Antifashiste të Shqipërisë bregdetare si: Ramadan Çitaku (nga Drenica), Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu nga (Shqipëria Bregdetare, si thuhet në dokument). Biseda që shtruan delegatët e Enver Hoxhës nga 16-26 gusht 1944 është kjo: Pasi që e prezantojnë (Ramadan Çitaku) “Memorandumin e Komisionit shqiptar nga Qeveria Kombëtare e Vlorës, nënshkruar nga: Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga më 2 janar 1913 me plotësim, sidomos të asaj pjese të Memorandumit të 25 janarit 1913 në Londër, (lexo në: AQSH. Fondi: Kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Dosja 19, frëngjisht), ku kërkohen viset e Shqipërisë Kontinentale (dok. E ka botuar edhe Arben Puto, në dokumentarin “Çështja…II, Tiranë 1997, dok 3 dhe 7; dokumenti grek, nr. 4, i 3 janarit 1913 ; dok. Serb nr. 5, i 8 janarit 1913).Si pasojë e këtyre fakteve A. Rankoviq largohet nga bisedimet. Por Tito dhe Kardel e Gjillas me Delegacioni e Enverit marrin vendim:

“Nëse Shqipëria Bregdetare ndërton sistem socialist, Kosova shkon me Shqipëri; nëse Shqipëria ndërton sistem kapitalist, Kosova shkon me Jugosllavi”. Nuk duhet përjashtuar edhe faktin se para kësaj kohe do të kërkohet nga një komunist malazez që Kosova të drejtohet nga Shtabi i Enverit në Luftën antifashiste. Faktet janë të njohura dhe këto I kemi prezantuar nëpër tubime shkencore për 25 vjet. Dihet çfarë sistemi ndërtoi Shqipëria më 1945 e tutje. Po, pas largimit të Delegacionit shqiptar nga ujdhesa e Visit më 26 gusht 1944, J. B. Titos i afrohet A. Rankoviq dhe e pyet: “Sa vlen kjo Marrëveshje? Tito, deri sa të largohet delegacioni shqiptar nga ujdhesa”!!! Çka ngjan? Pas gjashtë (6) ditësh, më 2 shtator 1944, J. B. Tito e DEGRADON Shtabin Kryesor të UNÇ Kosovës në Shtab Operativ, nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë.

Kjo do të thotë se titistët më 2 shtator 1944, pa ditur fare as Enveri e as Fadili, e defaktorizuan ushtarakisht Kosovën edhe pse deri në këtë kohë Fadil Hoxha i drejtonte gjashtë brigade dhe 3 aradha me 4 batalione antifashiste nga Kosova me 38000 luftëtarë antifashistë. Në këtë degradim ushtarak të Kosovës, Enver Hoxha do të përgjigjet më 12 shtator 1944, (pra dhjetë ditë pas degradimit-hb), duke i futur në Kosovë dy Brigada të UNÇ Shqiptare. Historikisht këto dy brigade e kanë shpëtuar Kosovën, popullin shqiptar nga shfarosja, sepse më 3 XI 1944, Vasa Çubrilloviq përpiloi Elaboratin për t`i shfarosë shqiptarët, “deri sa të zgjasin operacionet ushtarake”. Në frymën e këtij elaborati, më 21 XI 1944 Kryesia e Avnoj-it i AMESTOI të gjitha njësitet çetnike, të cilat më 22 nëntor u konvertuan në “partizan” dhe kështu do të vijojë “kënga” nacional shoviniste dhe klerofashiste çetniko-serbiane për ta shfarosur popullin shqiptar në Jugosllavi, në frymën e Konventës Jugosllavo-Turke për DEPORTIMIN e shqiptarëve në Anadoll më 1938- 1944.

Ata çetnik që kishin deklaruar “Do të jemi fatlum kur Drazha Mihajloviq do të na japi urdhër, Llapi dhe Sitnica do të bartin koka dhe plisa të shqiptarëve dy muaj”, u bënë partizan dhe pushtet neokolonial. Ku t`i mësonin Enveri dhe Fadili këto thika pas shpine të serbianëve me grada gjeneral me ndihma nga Çerçilli, Ruzvellti dhe Stalini. Mos harro Dr. Sali Berisha se: Çerçili, Ruzvellti dhe Stalini, morën vendim unanim në fund të 1944 dhe shkurt 1945 në Krime se: “Ata popuj që kanë bashkëpunuar me nazifashizmin, u lejohet qeverive respektive që t` i shfarosin, shpërngulin ose deportojnë në ato vende që kërkohet”. Fol doktor, si të luftojnë kundër SHBA-së, Anglisë dhe BRSSS, një grusht shqiptarësh, duke llogaritur këtu ata shqiptarë që ishin me Hitlerin si mishi e kocka. Lehtë e ke tash me shit zbuluar “pazare”, që nuk t` i blenë njeri i shkolluar dhe i informuar drejt.

Po shkenca e historisë nuk është shfaqje teatrale, kur kritiku jep vlerësim që kurrë nuk e ka lexuar as tekstin, madje nuk e ka parë as shfaqjen. I tillë je Ti në këtë punën e “pazarit”, sepse edhe kur flet para opinionit në televizion mendon se je në një tubim parazgjedhor politik, sepse me profesion je mjek, e ata që t`i servojnë dokumentet e kanë treguar vetëm me publikimin totalitar ku ia kthejnë pushkën veti-popullit që i takojnë për hir të ideologjisë vetëvrasëse, qoftë ajo e majtë apo e djathtë, kur është në pyetje fati i Kombit.