Mashtrimi, solidariteti dhe dëshirat politike

Nga Gjyla Çeliku

Definicioni i “solidaritetit politik” presupozon raportin jetësor, të konstruktuar nga shoqëria, të një bashkësie politike, normalisht nga qytetarët e atij shteti që përfaqësojnë qytetarët dhe shtetin nëpërmjet partive politike.

Indinjata për cënimin e solidaritetit politik shprehet, për shembull, në zemërimin për mashtruesit politik, të cilët përvidhen nga përgjegjësia e tyre për bashkësinë politike, avantazhet e së cilës ata i shijojnë pa ndal dhe jo i dashurojnë, sepse kur dashuron njeriu di edhe me u ndal, por i dëshirojnë, sepse dëshira s’ka fund.
Dëshirat politike të realizuara me mashtrime politike, aty ku mashtruesi kërkon solidaritet nga populli për egot dhe fantazitë pretenduese, janë sindrom modern i politikave në Ballkan dhe virus i çorientimit të organizatave politike. Sa më i korruptuar të jetë një shtet, aq më të padrejta janë raportet në parti midis antarëve, zyrtarëve dhe përfaqësusve të popullit me popullin, dhe aq më tepër “viktimat politike” shpresojnë në solidaritet nga populli të cilin e kanë zhgënjyer.

Projektet e realizuara kombëtare dhe politike, sot janë në rrezik nga viktimat politike, flas për trojet shqiptare në këtë rast, por fenomen ky që ka marrë përmasa globale, fatkeqësisht.

Përderisa politika u nënshtrohet “mashtruesve politik”, “viktimave politike” dhe “të dëshiruarve politik”, pritet një fund i dhimbshëm kombëtar.

Elementet e përmendura mund të zhduken nga partitë serioze dhe të cilat kanë një ideal për të cilin janë krijuar, por edhe nga qytetarët të cilët duhet ta dënojnë “viktimën politike”.

Lindje a Perëndim? Në shtëpi është më mirë

Nga Ilir Curri

Ne zihemi për të drejta, zihemi për kufinj, zihemi për rrugë, për parti, për ngjyren e lëkurës, për krahinë, për dialekt, për parkim, me pak fjalë zihemi për çdo gjë. Arsyet janë të shumta, por ndër kryesoret mund të radhiten natyra ekspresive, temperamenti, kushtet e jetesës, edukimi, apo tranzicioni i sistemit më gjithë tërësinë e tij e shoqërinë në këtë vend më emrin Shqipëri. Sado të themelta qofshin këto arsye, prapëseprape deficenca kolektive në kulturën e dialogut zë kreun e tyre. Zihemi në vend se të dialogojmë dhe arenat e grindjeve mbi baza politike, juridike, ekonomike, etnike etj, i zhvendosim që nga kafja e lagjes e deri në Parlamentin Europian ne Bruksel. Madje për të ndarë “sheret” në shtëpi/Shqipërinë tonë, na duhen arbitra ndërkombëtarë që të anuar ose jo na kthehen në pushtetarët më të fuqishëm në vend, e kjo nuk më bën të ndjehem dhe aq krenar si shqiptar, pasi pretendojmë mijëra vite ekzistencë si popull e shfaqim adoleshencë politike.

Por më kot pretendohet se rrafshi politik është më i munguari, jo shoqëria jonë vuan në shumë rrafshe, nga mungesa e dialogut, pranimit të tjetrit e kulturën së bashkëjetesës. Shoh se ne luftojme me simbole si në Mesjetë para se të mendojmë të ndërtojmë partneritete që sjellin zhvillim. Ne kemi mbetur prapa kur popuj rreth nesh, shumë më pak të lashtë se ne, kanë konsoliduar jo vetëm kufinj shtetërorë mbi troje të të tjerëve e institucione shtetërore mbi modele të provuara nga shoqëri të zhvilluara, por kanë konsoliduar njëherë e mirë kulturën e bashkëjetesës sociale, kulturore e fetare.

Ja të shohim histerinë kolektive në thirrjet për heqje të flamurit të një shteti tjetër nga një digë, thyerja e ndonjë simboli fetar nëpër rrugë, animet mediatike e institucionale në favor të figurave te një feje të caktuar, keqperdorimi i taksave në këtë drejtim, diskriminimi mbi baza të përkatësisë fetare të qytetarit e të ngjashme, para se të jenë faktorë të mundshëm destabiliteti, janë indikacione të mirëfillta se shoqëria jone ka nevojë të konsolidohet në rrafshin e dialogut dhe bashkëjetesës fetare. Fatkeqësisht, edhe mjaft zyrtarë si shumë te medhenj e te vegjël, e kanë kuptuar qe kah anti-religjioni e islamofobia eshte trendi ndërkombëtar, andej vijne shume avantazhe tokesore sot dhe nxijnë sa munden, por harrojnë këta “kodoshë zyrash” se minojnë paqen sociale duke i shërbyer Shejtanit, djallit në përçarjen e shoqërinë.

Këto e të tjera paraqesin nevojen e ndertimit te nje një platformë mbi ngritjen, thellimin e konsolidimin e dialogut si bazë e bashkëjeteses së gjithanshme sociale (kjo si detyrë e institucioneve të vendit, gjithsesi përtej konferencave, simpoziumeve e fotove shtrengimit te duarve të idheheqësve politikë e krereve fetare). Ndalemi tek kjo e fundit, për mua shoqëria shqiptare është e brishtë në kulturën e bashkëjetesës fetare. Si e tillë duhet trajtuar më kujdes për vetë ndjeshmëritë e saj. Pavarësisht, traditës familjare shqiptare për bashkëjetesë, apo rezultateve të barazisë së “cullakosjes nga besimi fetar” të shqiptarëve nga regjimi komunist, prapeseprapë kjo shoqëri ka nevojë për edukim të vazhdueshëm në pranimin e tjetrit.

Balancat fetare mbahen vetëm duke punuar në çdo nivel mbi baza reale të vlerave të përbashkëta njerëzore, kombëtare, historike, fetare etj. Pranimi i tjetrit është kulturë dhe kultura formohet në vite e shekuj, ku dialogu ndërfetar është guri i themelit të kësaj kulture, pa harruar drejtësinë e pushtetit. Etiketimet me “serb, turk, grek, shkja, kaurr e pismilet” te shqiptarëve njëri me tjetrin në rrjetet sociale janë diskriminuese, raciste, por para se të dënohen duhen analizuar faktorët dhe trajtuar ato, te trajtohen para se të shfrytëzohen nga qarqe anti shqiptare e antikombëtare apo qarqe të interesuara për konflikte në trojet tona.

Ne si shoqëri, akoma rrezojmë flamuj e simbole në emër të fesë gjasme për llogari të kombit, duke i hyrë në hak këtij të fundit e duke i bërë padrejtësi fesë. Prandaj, kultura jonë fetare s’ka pse lihet pre e nacionalizmës primitive të njeanshme, mohuesve të identitetit fetar, planeve të orientuara nga jashtë, ideologjizmave të lindjes e perendimit, apo interesave te huaja, por të punohet për ta zhvilluar e forcuar atë.

Kultura e bashkëjetesës, forcimit të ndjenjës kombëtare, ruajtjes së identitetit fetar si pjesë e identitetit kombëtar është mision që edhe nëse i dihet fillimi, fundi duhet të jetë aq sa të jetë toka.

Bashkëjetesa jone, pa përjashtuar thirrjet folklorike, kërkohet të mbështetet mbi dialog të mirëfilltë dhe të jetë amaneti ynë për fëmijët tanë, për shtëpinë e Shqipërinë tonë. Një vend ku jetohet e bashkëjetohet ku para çdo dileme për të zgjedhur mes Lindjes a Perëndimit, tu tregojmë fëmijëve tanë që në shtëpinë/Shqipërinë tonë është gjithmonë më mirë.

Agjencioni i Privatizimit të Kosovës, Ky dinozaur i ekonomisë ky jatakë i profiterëve!?

Nga Izet Abdyli

I krijuar menjëherë pas lufte nga UNMIK -u si institucion i përkohshëm me qëllim privatizimi dhe rivitalizimi të ekonomisë së Kosovës, në fakt mori krejt kahje tjetër. Qindra objekte të gatshme ekonomike e mijëra hektarë tokë pune, jo që nuk u aktivizuan por përkundrazi u shkatrruan apo ju ndërru destinimi. Edhe ish-punëtorët e këtyre ndermarrjeve u mashtruan me kompenzimin e 20 përqindëshit të cilin nuk e morën kurrë në tërësi e të mos flasim për angazhimin e tyre punë.

Shumicës së objekteve iu ndërru destinimi, edhe toka e blerë bujqësore me çmime simbolike u shëndërrua në tokë ndërtimore duke dhjetfishuar çmimin e blerjes. Fundja nuk është prit më shumë, ngase shumica e përfituesve nuk ishin firma të dëshmuara të biznesit, por profiterë të çastit që kishin mbështetjen e të ,, fortëve” (pushtetit). Edhe në krye të Bordit të Agjencionit viheshin njerëz të ,,fort” të politikës të cilët krijuan pasuri marramendëse jo vetëm për vete por edhe padronët e tyre.

Agjencioni i privatizimit u shqua për paga të mëdha e meditje marramendëse të punonjësve dhe Bordit drejtues të Agjencionit. Madje edhe përfaqësuesi i Sindikatës harroi kënd perfaqësonte dhe u bë me ,,ujkun”, andaj edhe qafa filloi t’i trashej si kodosh. Sa e sa herë u trumbetua se ky agjencion ka mision të përkohshëm, madje edhe kur kaloi në kuadër të institucioneve të Kosovës, por si duket misioni i tyre është i pafund. Ai tashmë është kthyer në jatakë të profiterëve të cilët janë në garë kush po zhvatë më shumë.

Meqë qeveria është vetë në të, i ka fut veshët në lesh, ndërsa punëtorët e shkretë ende i mbanë shpresa që nga 20 përqindëshi tu rrjedhë ndonjë lekë. Çka të bëjnë të gjorët, thonë: shpresa e fundit vdesë!? Populli thotë: ,,kungulli nuk shkon mbi ujë gjithmonë”, sadoqë profiterët po lulëzojnë e ekonomia po vdesë, na mbetet të shpresojmë edhe këtë vjet!?

Sot me dasht Vuçiqi, bjen qeveria e burrit të Anitës

Nga Kimete Berisha

U mbet me mbrojt gruaja, se s’ka shqiptar që ka qejf sytë me ja pa. Plus halli i saj milionerja del e thotë se gazetat shqipe janë ‘Tanjug’ i Serbisë, e harron se me vendimin e Aleksandër Vuçiçit burri i saj u bë kryeministër. Dhe, varet prej tij. Sot me dasht Vuçiçi, bjen qeveria e burrit të Anitës, kaq i pavarur që është prej Serbisë.

Lexojani statusin burrit të saj lidhur me vizën qe u tha nga portalet se ia ka refuzuar Amerika, pashë Zotim lexo qysh i personalizon bombardimet e NATO-s dhe Amerikës me trupin e tij.

Dhe thotë se është duke pritur vizēn, si atë natë kur i ka pritë bombarimet ndaj Serbisë.
Baca Shekspir.
Thotë se kurrë nuk ia harron Amerikës këtë të mirë që ka bë, prandaj e meriton vizën.

Thuajse Amerika ka intervenu me pshtu Rambon prej Serbisë e jo popullin.

Ti që paske qenë kaq i fortë pse s’na çlirojshe pa u bë myftjaq për Amerikën.
Tash që t’ka çliru Amerika, u bë halli yt me ja kthy fjalën Amerikës që të ka çliru edhe ty edhe Hashimin e Kadrinë, baras me popullin.
Tash e jep Amerikën për Dautin. Ti e jep Amerikën, se është larg, ama Bondsteellin e ke brenda, kryeministër i një shteti me ushtri të huaj.

Se kujton që Liria dhe pavarësia nuk kthehen mbrapsht.
Kaq poshtë t’ka ra katuni.

Nëse ju ‘treshi përsheshi’ jeni kaq rr.s. sa që ia tregoni vendin edhe Amerikës, atëherë me t’hallall.

Unë mendoj se nëse guxoni ta refuzoni Amerikën kaq hapur për Gjykatën Speciale, atëherë ose e keni ‘tinëz’ përkrahjen e Amerikës (si gjuha e tyre, që ndryshe shkruhet-ndryshe lexohet) ose jeni të krisur.
Se, s’jeni ju kaq ‘trima’, me kërcënu superfuqinë botërore, ju jeni trima veç me shti kry me gra e me pleq, dhe eventualisht m’i sha intelektualët.
M’i rreh tinëz najkon, po, mundeni, ama jeni nën përcjellje, s’keni si…se s’janë të gjitha ‘policitë’ e botës tuajat.

Bash kisha pas qejf me ju pa kah shkoni deri në fund dhe ia bëni punën Amerikën me qajt 😂
Ta sheh Amerika se nga vendi më i vogël mund të dalë armiku më i madh.

Çfarë mashkulli.
Ka mbet me mbrojt veç gruaja dhe ajo gjinekologia që i kish dalë sot në mbrojtje me një traktor gabime gjuhësore. Rusët që e studiojnë gjuhën shqipe e shkruajnë shqipen më mirë se patriotët e AAK-së.

Mirë është puna.
As s’e don kush.
As s’e respekton kush.
Dhe që është edhe më e keqja për të (dhe më e mira për neve), as s’i tutet më kush, qysh ka kujtu ai dhe qysh u mësu m’u tut prej tij…prej sporteve të rënda e foreve të lodhta me muskuj…se demek ne tjerët kemi lindur m’u tutë, e ai u lind me na tutë.
Kaloi ajo kohë.

Gazetarët e ‘Tanjugut’ ta ftohin, milionerko. E shërojnë lexuesin nga frika prej legjendave të rreme, që u dëshmua se i blen me 3,000 euro në muaj.
Ndoshta të ‘shërojnë’ edhe ty, nëse do të mund të bëheshe objektive.

P.S. Nëse Amerika ia mbyll Ramushit derën, për neve bëhet shumë mirë.
Por, dyshoj se Amerika ia refuzon vizën, merre shembull Xhavit Halitin, raporti sekret i NATO-s dhe USA e ka portretizuar si kriminel i dorës së parē, kurse Kuvendi i Kosovës e çon rregullisht si përfaqësues në Asamblenë Parlamemtare të NATO-s, ku hyn e del nga aty pa e këqyrë kush shtrembër.

Për ta hequr fajin tonë, shajmë Evropën

Nga Nijazi Idrizi

Liderët tanë shpërndajnë mjegull, për ta fshehur humbjen që ia kanë shkaktuar Atdheut tonë, për interesa personale dhe të klaneve të tyre! Ata për këtë qëllim, ngritën si përforcim strukturat e tyre, të cilat në emër të shoqërisë civile dhe medieve të pavarura, u bënë zëdhënëse dhe mburoja të krimit të organizuar, kundër demokracisë dhe shtetit tonë.

Kur këto klane uzurponin pronat publike, për relativizimin e këtyre akteve menjëherë pasonte reagimi, “ato ju takojnë, sepse ata na çliruan”! Kur disa nga ata akuzoheshin për vepra penale të hajnisë dhe korrupsionit, pasonin reagimet, “lironi çlirimtarët”.

Kur Serbia simbolikisht themeloi gjykatë speciale për krime lufte, në Kosovë pengoheshin që të punonin edhe këto të rregulltat, me arsyetimin se reforma në drejtësi po bëhet nga njeriu profesionist, por do vonoj pak.

Kur Serbia mblidhte dëshmi për krimet e UÇK-së, matrapazët tanë negocionin me matrapazët serb, “që në emër të paqës të harroheshin krimet e kaluara” dhe nuk bënë as edhe një akuzë madje as kundër Millosheviqit, (hiq “shakas” së 4 letrave të Presidentit Thaçi).

Kur Kuvendi i Kosovës themeloi gjykatën e Hagës, për krimet kundër UÇK-së, liderët deklaronin se “kjo është punë e mirë, do të pastrohet lufta e UÇK-së”.

Kur Serbia mbulonte me propozime të panumërta tavolinën në Bruksel dhe impononte njerëzit e vet në delegacion të Kosovës, këta thoshin “hajt se s’kanë çka na bëjnë, ne e kemi Amerikën” .

Kur Serbia e kthente pushtetin e vet në komunat serbe, duke i legalizuar strukturat e pushtetit të vet (“strukturat paralele”) në institucionet e Kosovë, liderët tanë bombardonin opinionin tonë se “Serbia e njofti sovranitetin e Kosovës”.

Kur liderët ua falnin fqinjëve një pjesë të territorit të vendit, “ftohej opozita që të marr pjesë në matjen e territorit” të mbetur.
Kur burgoseshin liderët tanë nëpër aeroportet e botës, dilnin klithmat histerike, “s’ka bisedime me Serbinë”.

Kur të gjitha shtetet që ndikoheshin nga Pavarësia e Kosovës, ndryshuan dhe plotësuan planet strategjike, (për shkak të lindjes së një shteti të ri), Qeveria jonë, në emër të hartimit të tij, shkoi për skijim në Banjsko të Bullgarisë dhe të ardhmen e vendit ia lanë klaneve të dyshimta dhe stihisë.

Dhe kur pas gjithë këtyre viteve, kemi mbetur vendi më i izoluar në Evropë, (madje edhe pa liberalizim të vizave), shkaktarët e kësaj gjendje i hakërrehen Evropës me sharjen bolshevike “kurva plakë”!
Po të ishte e mundur që Sokrati të jetonte pak ditë në kohën tonë, ai me siguri do t’i ngriste duartë drejt qiellit dhe do të thërriste me krejt fuqinë e zërit: “lavdi marrëzisë”!

“Çlirimtarët” që po vrasin Kosovën!

Nga Mero Baze

Pesë shtetet kryesore të Perëndimit, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, janë bashkuar në qëndrimin e tyre kundër përpjekjeve të udhëheqësve kosovarë të dalë nga UÇK, për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, duke bërë paralajmërime të rënda për të adhmen e Kosovës dhe ekzistencën e saj.

Përkundër këtyre paralajmërimeve, kryeministri Haradinaj, presidenti Thaçi dhe përkrahës të tyre, duket se janë të vendosur të ecin në këtë rrugë, duke i bërë Kosovës, ndoshta gjëmën më të madhe të mundshme, që nuk kanë mundur dot t’ia bëjnë këto 19 vjet armiqtë realë të saj. Në këtë valle duket se po qëndron në distancë dhe Vetëvendosja, e cila po ecën me parimin, “t’i shtyjë armiqtë e saj në greminë, bashkë me Kosovën”.

Ka shumë asyetime në këto momente për papërgjegjshmërinë e lidershipit politik të Kosovës, duke ngritur lloj- lloj hipotezash. Por është më e thjeshtë se sa lodheni ta gjeni. Duke pasur për 19 vite në mendje “heronj” që kanë çliruar Kosovën, shumë pak vetë kanë guxuar t’i shikojnë ata ashtu siç janë në të vërtetë.

Kur ata kanë vrarë njëri- tjetrin për eleminime politike, shumëkush i ka justifikuar se kanë vrarë tradhtarë. Në fakt, kanë vrarë kundërshtarë politikë.

Kur ata kanë zaptuar shtëpi dhe prona, për të bërë biznese, shumëkush i ka justifikuar si fitimtarë, që duhet të fuqizohen. Në fakt, thjesht ata janë sjell si hajna.

Kur ata kanë guxuar të hyjnë në politikë si injorantë, shumëkush ua ka falur, pasi ka arsyetuar se nuk kanë pasur kohë për shkollë, se kanë dalë në mal.

Në fakt nuk është e thënë t’i bëjnë të dyja punët, dhe të injorantit, dhe të intelektualit.

Kur ata hyjnë në zgjedhje e vodhën vota, shumëkush i ka justifikuar, se këtij populli duhet me ja vjedhë votën se nuk ua jep çlirimtarëve. Në fakt, ka justifikuar vrasësit e votës së lirë.

Kur ata vodhën në emër të pushtetit, shumëkush i justifikoi se nga pak vidhet kudo, dhe në SHBA. Por në fakt ka justifikuar hajdutët që nuk dënohen kurrë.

Në të vetmin rast në historinë e Kosovës, kur ata po përballen me vetveten dhe historinë e tyre, kur disa prej tyre dhe mund të shkojnë para drejtësisë për ato që kanë bërë, ata po dëshmojnë se nuk kanë lidhje me Kosovën. Ata po e flakin Kosovën si një leter higjenike, pasi kanë kryer nevojat e tyre.

Të gjithë ju që shqetësoheni përse këta nuk i zë frika për të ardhmen e Kosovës pas këtyre paralajmërimeve, apo përse nuk iu dhimbset e ardhmja e Kosovës, duhet ta kuptoni se ata nuk kanë qenë kurrë ashtu si i keni menduar. Janë thjesht disa njerëz banalë, që Kosova u ka hapur rrugë nën mitin e njerëzve që ishin gati të vdisnin për Kosovën, dhe tani po sillen si njerëzit që duan të vdesin Kosovën për të shpëtuar vetë.

Ata janë të qartë dhe të vendosur në rrugën e tyre, pasi mes të ardhmes së tyre dhe të ardhmes së Kosovës, zgjedhin veten e tyre.

Problemi real që ka Kosova, është që sot më keq se në çdo ditë të historisë së saj, ka në krye një konglomerat antivlerash, njerëz të rëndomtë dhe një shoqëri të dorëzuar para tyre. Nëse ata sot nuk do të ishin në politikë, Kosova do ishte një vend më i sigurtë.

Ky është gjyqi më i rëndë që Kosovës ja kanë bërë vetë kosovarët me duart e tyre, me pafuqinë e tyre për të ndryshuar klasën politike dhe me indiferencën me të cilën e shikojnë Kosovën, që po shkon si flutura drejt flakëve. Për t’u djegur!

Trump po i tregon gishtin demokracisë

Nga Christopher R. Hill

Një nga imazhet më ikonike – dhe mbase më dizinformuese të shekullit njëzet e një ishin irakianët e buzëqeshur që mbanin lart gishtat e tyre tregues të ngjyrosur me violë për të treguar se kishin votuar në zgjedhjet e janarit 2005 në vendin e tyre. Për shumë, këto ishin zgjedhjet e para ku ata kishin marrë pjesë.

Historia e supozuar pas këtyre imazheve ishte se demokracia më në fund kishte mbërritur në Irak. Një sistem pa zgjedhje nuk mund të pretendojë të jetë demokraci. Ndaj, për shumë, të shikoje imazhe të një procesi të mirë-organizuar votimi (njollat e bojës pengojnë votuesit të votojnë më shumë se një herë) ishte provë e mjaftueshme se gjërat kishin ndryshuar.

Por demokracia është një sistem shumë i ndërlikuar dhe zgjedhjet e lira janë vetëm një tipar. Një mungesë e zgjedhjeve sigurisht tregon për një mungesë demokracie. Por e anasjella nuk është e vërtetë. Zgjedhjet janë një kusht i nevojshëm, por i pamjaftueshëm për demokracinë, që gjithashtu kërkon institucione rezistente që kanë në trup vlera demokratike.

Sot, gjithnjë e më shumë vende mbajnë zgjedhje dhe demokracia në vetvete është në rrezik. Në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim, shkelja e besimit të publikut dhe dështimi për të mbrojtur institucionet demokratike janë sisteme të lodhura të kontrollit dhe balancës që, në disa raste, kanë ekzistuar për shekuj.

Sulmi ndaj institucioneve demokratike nuk është i kufizuar te vendet me pak eksperiencë në demokraci. Ato mund të shihen kudo, përfshirë demokracinë më të vjetër në botë, siç quhen Shtetet e Bashkuara.

Në Perëndim, ngritja në qiell e virtyteve të demokracisë për të tjerët ka ngjarë prej kohësh me prozelitizmin e një feje laike, plotësuar nga kërcënimi i zjarrit dhe barutit për ata që nuk përqafojnë besimin demokratik. Por leksionet e vendeve të zhvilluara ndaj botës së në zhvillim nuk ishin kurrë të dobishme veçanërisht.

Vite më parë, pas një eventi në të cilin një filantrop ndërkombëtar dha leksione rreth demokracisë për orë përpara se të fluturonte me avionin e tij privat në perëndim të diellit, një kryeministër ballkanas që po merrte pjesë më pyeti “Si supozohet ta bëj unë këtë?” Ndërsa ai po përballej me çështje të minoriteteve etnike, ata që ndërhynin nga jashtë po i ofronin një këshillë të vazhdueshme për të cilën ata më pas nuk mbanin përgjegjësi.

Tani, lavjerrësi është lëkundur në drejtim të ndryshëm, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme të SHBA. Nën administratën e presidentit Donald Trump, qeveria amerikane nuk duket se po mundohet t’i bëjë lavde më demokracisë.

Sigurisht, kjo pjesërisht reflekton dobësi nga dekada promovim i demokracisë nga ana e Perëndimit. Por ka edhe më shumë. Demokracia po kërcënohet direkt në vendin ku duhet të kishte rrënjët më të thella kulturore dhe politike.

Trump nuk do të shmangë përsëritjen e politikave të dështuara të së shkuarës, siç e thotë ai. Ai dhe mbështetësit e tij kanë shënjestruar institucione kyçe ku bazohet demokracia amerikane, përfshirë gjykatat, legjislativin, median e pavarur dhe të tjera.

Oficeri ushtarak prusian i shekullit 19 dhe teoristi Carl von Clausewitz ka folur pikërisht për periudhën e luftës totale që erdhi më pak se një shekull pas vdekjes së tij. Ajo që ai nuk adresoi ishte periudha e politikës totale, kur të gjitha institucionet e një shoqërie do të shtypeshin në shërbim të një lufte ideologjike totalizuese. Amerika tani është në mes të një lufte të tillë dhe mënyra si do ta përballojmë do të informojë vendet e tjera për përballimin që ato mund t’i bëjnë mundimeve të veta.

Kriza e Amerikës në atdhe tani po e ndalon atë së performuari rolin e saj tradicional ndërkombëtar si një burim i sigurimit institucional dhe një agjente ndryshimi. Gjatë periudhës së pasluftës, SHBA ofroi siguri kolektive përmes NATO-s dhe institucioneve të tjera dhe ka qenë mëse e gatshme të përballojë kërcënimet rajonale dhe globale, shpesh me pak miq në krah.

Për fat të keq, Trump tregon pak respekt për këtë trashëgimi apo për traditën e Amerikës për optimizëm dhe besim në institucionet e veta. Ai ose nuk e kupton ose nuk i intereson që sistemi amerikan i qeverisjes ka qenë burimi më i madh i prestigjit global të vendit të tij. Në fakt, ai refuzon lartësimin historik të Amerikës dhe e riformon atë si një vetë-iluzion dhe naivitet, kurdo që SHBA ndihmon ata që çojnë përpara lirinë në botë.

Tashmë, heshtja e Amerikës është shurdhuese. Në Siri, SHBA ia ka lënë fushën të tjerëve, edhe pse lufta atje do të vendosë të ardhmen e Lindjes së Mesme myslimane. Ndërkohë, refuzimi i administratës Trump ndaj pakteve të tregtisë dhe investimit trans-oqeanik ka konfuzuar miqtë e tij dhe i ka dhënë guxim kundërshtarëve. Departamentit Amerikan të Shtetit, pavarësisht se çfarë mund të thotë shefi në vështirësi i tij, Rex Tillerson, tashmë i mungon aksesi global. Dhe pa diplomaci proaktive, SHBA-ja shpesh do të eklipsohet ndërkombëtarisht, mbase nga Kina.

Por Trump fitoi zgjedhjet në 2016, ndaj ai po mban një gisht të ngjyer sikur të jetë e vetmja gjë që ka rëndësi. Vitin tjetër, do t’i takojë amerikanëve të të gjithë prejardhjeve të mbajnë lart gishtin e tyre dhe të bëjnë të qartë se demokracia është shumë e më shumë se aq.

*Christopher R. Hill, ish-ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Azinë Lindore ish diplomat ne Tirane dhe negociator i SHBA-ve ne marreveshjen e Rambouillet per Kosoven, është Dekan i Shkollës Korbel të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit dhe autor i Outpost/ Project Syndicat

Patriarkut serb Irinej, me bekimin e juaj çetnikët serb filluan luftën në Kosovë…

Nga Ragip Guraziu

Me bekimin e juaj, Serbia në Kosovë ka vrarë 14 mijë persona dhe për këto krime askush nuk është burgosur. Ai Zoti ytë qenka më ndryshe, kur kemi parasysh se po e sulmon Kosovën? Atë leshin qe po e mbanë në mjekër fute në gojë…. Vonë keni ardhur në Ballkan. Shqiptarët den baba den janë këtu..
Ndërsa kriminelët e Serbisë që kanë kryer gjenocid janë në krye të shtetit.

Gjenocidi serb në Kosovë i pandëshkuar

Vitet e luftës 1998-1999, në Kosovë, janë regjistruar me një numër ta madh viktimash. Mijëra shqiptarë të Kosovës, mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe.

Nga kjo luftë u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë dhe u vranë 15 mijë persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende shumë prej tyre vijojnë të kërkohen nga të afërmit.

Por, edhe pse ka me qindra dëshmi që vërtetojnë gjenocidin serb në Kosovë, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap për paditjen e Serbisë

Është fakt, se me bekimin e juaj njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe shkatërruan dhe dogjën rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, biznese, punishte zejtarie, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Faktet për gjenocid në Kosovë, çdo ditë e më shumë po shtohen.

Kështu, Fondi për të Drejtën Humanitare e ka publikuar një dosje të titulluar “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë.“Dëshmitë e pohojnë se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë prej marsit të vitit 1999 në nivelet më të larta të qeverisë, dhe lë të kupton se pjesëtarë të‘MUP-it’ serb (Departamenteve të Sigurimit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike) dhe departamenteve të Ushtrisë Jugosllave që kanë qenë në krye të ‘pastrimit të terrenit’, kanë qenë të përfshirë në të”, thuhet në kuadër të përmbledhjes së publikuar nga FDH.kreu

KOSOVA REPUBLIKË E PAVARUR E SHTET “SOVRAN”

Pas një riokupimi të dytë për gati njëshekullor nga qeveria nazifashiste Serbe, Kosova definitivisht u çlirua më 1999, kurse pavarsinë dhe sovranitetin politik e fitoi me shpalljen e pavarisë më 17 Shkurt 2008. Këtë të mbrijtur historike Kosova pati mundësi ta realizojë me intervenimin ushtarak të Aleancës Veriatlantike dhe përkrahjen e Bashkimit Evropjan dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpalljen e pavarsisë së Kosovës e pranuan shumica e shteteve të BE, kuptohet edhe Amerika (SHBA), pastaj edhe një numër i madh i shteteve mbarë botës. Nga shtetet fqinj, në përjashtim të Serbisë, të gjithë e pranuan zyrtarisht. Aktin e shpalljes së pavarsisë Serbia e pranoj me një indinjatë të thellë dhe, pasi nuk u bë me pëlqimin e saj, e quajti pavarsi të njëanëshme. Publikisht u deklarua se Kosova, sipas kushtetutës së saj, qenka territor serb, ndaj dhe si shtet të pavarur e sovran asnjëherë nuk do ta pranojë.

Pozita gjeostrategjike dhe gjeopolitike e Serbisë joshëse për politikën e Bashkimit Evropjane

Vetë pozita natyrore-gjeografike pa edhe gjeopolitike e Gadishullit Ballkanik, përkatësisht Evropës Juglindore, shikuar historikisht se e ka tërhequr vemendjen e fuqive të kohës për dominim në këtë gjeohapësirë. Serbia si shtet pikërisht është e pozicionuar në boshtin kryesor të gadishullit, aty ku kalojnë rrugët kryesore që lidhin perëndimin me lindjen , respektivisht veriun e jugun, ndërmjet Evropës Veriore e Perëndimore dhe Lindjes së Afërme me Afrikën e më gjerë. Këtu duket se qëndron thelbi i interesit të fuqive të mëdha edhe në kohën e sotme për të dominuar Ballkanin dhe me të ta shtien Serbinë në gjirin e vet. Nga njëra anë Rusia me satelitët e vet, synon në çdo mënyrë të dimonojë rajonin, kuptohet përfshirë edhe Serbinë; nga ana tjetër shtetet e perëndimit (tani Bashkimi i Evropës) të përkrahur nga Amerika, synojnë po këtë qëllim. Pozitën strategjike të rajonit edhe qeveritë serbë e kanë vlerësuar tepër, ndaj prej kur është krijuar ajo si shtet, ato kanë pasur tendenca që vendin ta zgjerojnë dhe t’i okupojnë venedet për rreth me pozitë strategjike. Një ndër ato ka qenë edhe territori i Kosovës. Sipas një analisti të huajë, Serbia pesë herë ka hyrë me forcë në Kosovë dhe të pesta herë me forcë ose me disfatë është larguar nga Kosova. Ajo Kosovën nuk e pat të okupuar me ndonjë kontiunitet, por me ndërprerje. Herën e parë Kosovën e mban të okupuar rreth 250 vjet, pastoj me një ndërprerje prej 450 vjet, e rioukupon në vitin 1912, duke e mbajtur gjer në vitin 1999, kur prej aty dëbohet me forcë.

Nga kjo që u përmend mund të shihet qartë se bota perëndimore është e interesuar që në gjirin e vet ta ketë jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë. Kur ajo do ta mbrijë qëllimin e vet, atëheren Rusia si forcë e madhe në lindje, nuk do të ketë mundësi që aty te ndërhyjë dhe ta zgjerojë pansllavizmin.

Tani Kosova, pasi u çlirua, shpalli shtetin e vet të pavarur e sovran. Kur thuhet sovran, nënkuptohet se askush prej jashtë s’ka të drejti t’i përzjejë në organizimin e vet të brendshëm e të jashtëm politik. Por, a respektohet sovraniteti i saj nga ana e vendeve të cilët e përkrahën formimin e saj si shtet sovran? Ecuritë e gjertanishme politike kanë treguar se jo tërësisht.

Historikisht është e njohur se Serbia kur nuk ka pasur sukses me luftë të armatosur, ka kaluar në luftë diplomatike. Këtë ajo po e dëshmon në kohën e fundit pas luftës së Kosovës në të cilën pësoj disfatë të madhe. Me shpalljen e pavarsisë së Kosovës që ajo e quajti “pavarsi e njëanshëme”, publikisht deklaroj se tani do bëjë një luftë diplomatike për çvelësimin e vendimit të pavarsisë dhe pastaj në ribashkimin e “Kosovë e Metohisë”, siç e quajnë ata, në kufijt kushtetues serbe. Dhe në fund, ç’është me rëndësi, nuk do ndërhyjë në “punët e brendëshme” të Kosovës. Mirpo, tani pyetja është, vall ajo po ju përmbahet deklaratave të këtilla dhe vall po e respekton sovranitetin e Kosovës, a po ato janë vetëm deklarative? Me siguri, jo! Tani Serbia, duke mos iu përmbajtur deklaratave të veta politike, Kosovës i ka shpallur luftë diplomatike në dy fronte: e para në marrjen sa më tepër territor të Kosovës dhe e dyta në ndërhyrjen, ndonjëherë në mënyrë të tërthortë e ndonjë herë në mënyrë të drejtpërdrejtë në punët e brendëshme të politikës kosovare. Këtë luftë ajo duket se është duke e fituar, prej kur në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropjan, filluan bisedimet ndërmjet dy qeverive (Kosovës e Serbisë) për çështje teknike! . Në këto “bisedime teknine”, saherë që është sjellë ndonjë vendim Serbia ka hezituar në implementimin e tyre te tërësishëm.

Por, kuptohet, jo drejtpërsëdrejti, por me paraqitjen e moskënaqësisë së pakicës serbe në pjesën veriore të Kosovës , në komunet me shumicë serbe, ajo filloi të “brengoset” për sigurinë dhe të drjtat e serbëve si qytetarë të Kosovës . Aty serbët e Kosovës moskënaqësinë e tyre (kuptohet me përkrahjen e fuqishme të Beogradit), e kanë manifestuar nëpërmjet të protestave të ndryshme, barikadave në rrugët kryesore, bile ndonjëherë edhe me ndonjë eksploziv në rrugë, në ndonjë shtëpi, në ndonjë objekt qeveritar, ose të ndonjë atentati. Për protestat e këtilla Bashkësia Evropjane, ose forcat paqëruajtëse në Kosovë, të shumtën herë kanë mbetur të “shurdhëta”, ndaj dhe nuk kanë reaguar me kohë në ndërmarjen e masave për pengimin e tyre ose për zbulimin e autorëve qe kanë kryer akte antiqeveritare. Edhe sot e kësaj dite forcat paqëruajtëse nuk po bëjnë gjë në qetësimin definitiv të situatës në pjesën veriore të vendit. Situata e këtillë qeverisë në Beograd i konvenon, pasi nëpërmjet të saj ajo vazhdimisht është duke kërkuar diç më tepët në kërkesat e saj të cilat nuk kanë të sosur dhe po e vë në pikpyetje sovranitetin e Kosovës! Ajo vazhdimisht është duke kërkuar diçka “plotësuese” për normalizimin e marëdhënieve në mes dy vendeve (Kosovës e Serbisë), por, kuptohet, duke përsëritur refrenin e vet se Kosovën kurrë nuk do ta pranojë si shtet të pavarur e sovran. Normalizim i marëdhënieve po, por jo pavarsi! Atëheren, çfar kupton ajo me “normalizim të marëdhënieve”?

Për gjersa Serbia vazhdimisht është duke kërkuar diçka plotësuese, atëheren çfar është duke bërë Kosova? Përgjigjja duket se është negative! Pse? Sepse Evropa në këtë rast po punon me dy arshinë: për Serbinë po paraqitet si nënë, kurse për Kosovën si njerkë! Edhe këtu, parashtrohet pyetja, pse?

Ç’po ndodh tani me sovranitetin e Kosovës?

Tani Kosova si shtet i pavarur e sovran, duhet vetë të vendosë për fatin e vet. Edhe kështu po ndodh. Por kur është në pyetje raportet me vendin fqinj Serbinë, ajo disi është e diktuar nga faktorët e jashtëm. Aty sovraniteti nuk po funksionon si duhet. Kjo vjen nga kushtet e përmendura më lartë. Me vendet e tjera fqinje Kosova nuk ka diçka të pazgjidhur nga fakti se me ato nuk ka qenë në ndonjë konflikt. Me Serbinë nuk është kështu. Me këtë shtet, siç është e njohur, historikisht dhe në kohën e fundit, ajo ka qenë në konflikt të vazhdueshëm. Nën sundimin serb qe për gati një shekull. Në fund të shekullit të kaluar çlirohet, kurse në fillim të këtij shekulli fiton pavarsi.

Megjithatë, edhe pse fitoj pavarsi, mbetën shumë çështje të pazgjidhura të cilat pengojnë përmirësminin e marëdhënieve në mes tyre dhe njohjen e Kosovës nga ana e qeverisë Serbe. Duke u nisur nga këto kushte, me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë (Bashkimit Evropjan dhe përkrahjen e SHBA), në Bruksel të Belgjikës, filluan bisedimet në mes qeverisë së Kosovës e asaj të Serbisë për zgjidhjen e çështeve teknike. Këto bisedime, natyrisht, nuk janë të njëanshëme sepse nuk synohet që njëra anë të jetë fituese dhe tjetra humbëse.

Mirpo, siç përmendem edhe më lartë, Serbia vazhdimisht është duke kërkuar diç më tepër. Edhe serbët e Kosovës, sidomos ata në pjesën veriore, vazhdimisht janë duke qenë të revoltuar nga marëveshjet që silleshin nga bisedimet. Vendimi kyç që u suall për formimin e komuneve në veri dhe në pjesët e tjera të Kosovës me shumicë serbe, qe pranuar nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës. Udhëheqsia në këto komuna do të ishte serbe, por, kuptohet në përputhje të ligjeve të dala nga Kushtetuta e Kosovës. Pikërisht këtu u paraqit pengesa, ku bile edhe kryetari i komunës në veri të Mitrovicës dha dorëheqje ngase nuk u pajtua që të punojë me ligjet e Kosovës. Kjo duket se nuk mbaroj me kaq. Serbët e veriut kërkojnë edhe diçka më tepër që Bashkimi Evorpjan duket se nuk sheh! Kuvendi i ashtuquajtur i Kosovës, të cilin e kanë themeluar asamblistët e pushuar nga kuvendet komunale nga veriu, kanë vendosur që të zgjedhin qeverinë e tyre, duke propozuar që në këtë anë të Kosovës të ketë ushtri dhe polici serbe e zgjedhur nga Beogradi. Me këtë do të thotë “shtet brenda në shtet”.

Për mosrespektimin e sovranitetit të Kosovës nga ana e udhëheqësve qeveritarë, politikë dhe shoqërorë serbë, shkohet akoma më tutje. Ata janë duke e penguar Kosovën të antarësohet në organizata politike, shoqërore, pa edhe sportive ndërkombëtare. Sipas tyre, anëtarisimi i Kosovës mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Serbisë. D.m.th., edhe pse Kosova shtet më vete, për të u dashka të vendosë Serbia!? Ja një rast konkret. Me vendim të Këshillit për Çështje Urgjente të FIFA-s (Federata e fudvollit), u vendos që Kosovës t’i lejohet organizimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Lidhur me këtë vendim, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Fudbollot të Serbisë, në një intervisë dhënë për një gazetë të huajë, ka qenë kategorik. Ai mbi të gjitha thotë: “Linjat e kuqe për Serbinë janë të gjitha çeshtjet që prejudikojnë Kosovën si shtet të pavarur”. Madje vazhdon: “Ne nuk kemi qenë të pranishëm në takimin e Këshillit për Çështje Urgjente kur është marrë ky vendim. Vendimi i tij duhet të miratohet edhe në takimin e Këshillit Ekzekutiv, i cili do të mbahet nga mesi i marsit. Ky është pra një vendim i njëanshëm i FIFA-s, sikur edhe vendimi i vitit të kaluar në Japoni që ekipeve kosovare të moshave më të reja t’u mundësohet të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.” Me fjalë të tjera, Serbia po e fiton “të drejtën” e vet që të ndërhyjë në punët e brendëshme të Kosovës. Shtrohet pyetja: A do pajtohej Serbia që ndonjë shtet tjetër fqinj i saj, pa edhe Kosova, që të përziente në punët e brendëshme të saj dhe si do reagonte bashkësia ndërkombëtare? Përgjigjja e kësaj pyetje është e kuptueshme.

Ja seç kanë deklaruar ata, shprehimisht: “Do të vazhdojmë me të gjitha mjetet legjitime që të mbrojmë rendin kushtetues të Republikës së Serbisë, do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që të ruajmë integritetin territorial të shtetit tonë Serbisë dhe Kosovën në kuadër të saj, dhe popullin serb në Kosovë”. Që është fakt se serbët e Kosovës nuk janë duke e respektuar sovranitetin e shtetit ku jetojnë, me deklaratë publike paraqitet udhëheqës i Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq. Ja se çka thotë ky udhëheqës politik serb: “Zgjedhjet lokale, madje as ato parlamentare, nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë se serbët e kanë pranuar integrimin në shoqërinë kosovare”. Madje, lidhur me këtë e parashtron pyetjen: “Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje dhe krijimi i institucioneve komunale në veri a do të thotë se kanë pranuar integrimin në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”? Kategorikisht jep përgjigje negative: “Në mënyrë absolute, jo. Kjo është mënyra, me të cilën njerëzit që janë kundër zgjedhjeve, i diskualifikojnë të gjithë ata tjerët që hynë në procesin zgjedhor. Zgjedhjet lokale, madje as ato parlamentare në njëfarë mënyre, nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë ndonjë përfundim se serbët e kanë pranuar integrimin në shoqërinë kosovare… Këtë nuk mund ta bart individi, nëse ai individ nuk është kryeministër i Qeverisë së Serbisë, kryetar i Serbisë ose eventualisht ministër i Punëve të Jashtme”, përfundon në deklaratën e vet ky politikan serb i lindur në Kosovë.

Ndërkaq, të shohim se çfar deklarojnë udhëseqësit kosovarë

Lidhur me dialogun në mes dy qeverive, kryetori i qeverisë kosovare është mjaft optimist. Ja ç’deklaron ai: ”Negociatat në Bruksel janë në interesin e Kosovës, të stabilitetit dhe të paqes në rajon. Vendimi im ka qenë i drejt dhe kur të kalojë koha do të kuptohet se kjo ishte e vetmja rrugë për ta kthyer veriun e Kosovës në kontrollin e Kosovës”. Më tutje vazhdon: “Me dialog kemi arritur ta institucionalizojmë atë pjesë që kontrollohej nga Serbia. Me dialog kemi shtrirë sovranitetin në veri. Ne kemi shpëtuar ndarjen e Kosovës, kemi ndaluar formimin e një ‘Republika Srpska’ në veri apo një autonomi që garantohej nga qeveria e Beogradit. Në anën tjetër, me dialog kemi arritur t’ia rikthejmë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare se ekziston një problem që quhet një Mitrovicë dhe që kërkon zgjidhje urgjente”, Me fjalë të tjera, ky është i mendimit se Qeveria e Kosovës definitivisht ka fituar sovranitetin e vet në pjesën veriore e dominuar me shumicë serbe!

Tani paraqitet dilema, ka Kosova sovranitet në veri të saj apo s’ka , pjesë e dominuar me shumicë serbe. Kjo del nga fakti se udhëheqsia qeveritare kosovare po deklaron publikisht se ka marrë sovranitet mbi këtë anë të vendit, kurse, nga ana tjetër, udhëheqsat serbë po dalin me deklarata të kundërta.

Megjithatë, udhëheqës të partive politike në Kosovë, janë të mendimit se në rajon nuk mund të arrihet stabilitet i qëndrueshëm pa pajtueshmëri dhe kërkimfalje. Ndaj mund të thuhet se edhe dialogu në mes dy qeverive është i pafrytshëm. Për vizitën e kryeministrit serb në kosovë gjatë krishlindjeve ortodokse, ja si shprehet një lider i një partie shqiptare: “…gjuha e shefit të qeverisë serbe në Kosovë, Ivica Dacic, është një retorikë e vjetër, e vrazhdë dhe nacionaliste dhe një sinjal ogurzi që tregon se mentalitetet e vjetruara dhe reminishencat e luftës, ende janë aktive në Ballkan”. Pastaj vazhdon: “Rajoni i Ballkanit, ka nevojë për paqë, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe dihet se paqja mes palëve të armiqësuara, nuk vjen nëpërmjet retorikës nacionaliste, por nëpërmjet ndëshkimit të së keqes dhe kthimit të shikimit kah e ardhmja evropiane, që është përvojë e mirë dhe frytdhënëse edhe për ne”.

Nga ç’u konstatua më lart, mund të sillet përfundim i përgjithshëm se, Kosova akoma nuk mund të thuhet që ka sovranitet të plotë si shtet i pavarur në tërë territorin e vet. Ndaj, pergjersa akoma po kryhen bisedime për veriun e Kosovës dhe për çështje të ashtuquajtura teknike; përgjersa Serbia akoma po përzihet në punët e brendëshme të Kosovës; përgjersa ajo, nëpërmjet të komunave të tjera me shumicë serbe në territorin e brendëshëm, po inflitrohet gati në tërë territorin kosovar- pyetja e sovranitetit mbetet akoma çështje e hapur.

Ndryshe,Patriarku serb Irinej ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe (KOS ) nuk mund ta paramendojë Serbinë pa Kosovën dhe ka porositur se serbët kurrë nuk mund të thonë se e falin Kosovën sepse e falura humbet përgjithmonë.

“Kosova mund të jetë e rrëmbyer dhe e pushtuar, ashtu siç dhe është sot, por serbët nuk mund të thonë se e dhurojnë, sepse ajo që dhurohet humbet përgjithmonë. Ne nuk mund ta mendojmë Serbinë pa Kosovën. Në kohë të fundit atë pjesë e kemi quajtur Kosovë e Metohi, por ajo është Serbia e Vjetër,e cila e ka lindur këtë pjesë tjetër të Serbisë”, ka thënë patriarku Irinej në intervistën e Krishtlindjeve për televizionin “Hram”.

Ai ka theksuar se KOS shpreson se kështu mendon edhe kreu shtetëror dhe se po sheh përpjekje të mëdha që Kosova të ruhet në kuadër të Serbisë.

Irinej ka nënvizuar se Kosova është historia serbe, kultura dhe shpiri i saj, se Prizreni ka qenë kryeqytet i popullit serb e Patrikana e Pejës rezidencë e argjipeshkëv dhe e patriarkëve serbë.

“A mund të lejojmë që Patrikana e Pejës të jetë në një shtet tjetër? Këtë një popull i vetëdijshëm për veten, për historinë dhe për kulturën e vet, nuk mund t’ia lejojë vetes. Deçani, Virgjëresha Levishka, Graçanica dhe shenjtoret tjera a mund të bëhen pronë e një populli që dje i ka shkatërruar dhe i ka djegur”, ka pyetur Irinej.

Patriarku ka shtuar se KOS ka probleme me Maqedoninë dhe ka vlerësuar se “nuk është pjekuri që Kisha Ortodokse e Maqedonisë e panjohur” ka kërkuar që nënë t’i bëhet Kisha Ortodoks e Bullgarisë.Profesori Muhamet Kelmendi tha se gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë është kryer një dhunë dhe terror.

Autori është gazetar -analist i pavarur.

Ramushi po sillet si njeriu që e di se i ka ditët e numëruara

Nga Kimete Berisha

Deri para luftës u ‘zavit’ me gajbe të birrave nëpër sokaqe t’katunit, e sot i erdh dita, pa punu kurrë një punë të vetme në jetën e tij me pushu në vendin më të shtrenjtë në botë.

S’sheh kund kësi yrrneku, me qenë njeriu si Ramushi merakli dhe entuziast në budallallëk.

As që mundohet m’i mbajt fshehtë punët e kqija që ia marrin fytyrën dhe e bëjnë neveritës, por shkon e i sforcon ato të meta që me ra në sy prej helikopteri….taman abnormal, s’la njeri pa e kthy kundër vetes…
s’sheh kështu..

I shet kurum popullit të varfër, as nuk ja rrok truni se rinia janë të mërzitur si pleqtë, pa pare e pa rrugëdalje; s’ja rrok, s’e din e as ndoshta s’i tregojnë sa shumë po e shajnë gjinja, sa shumë po e nëmin e po e mallkojnë, i madh e i vogël, gra e burra po ia dëshirojnë të gjitha të këqijat që ekzistojnë.

S’ka njeri që s’thotë ‘mos ia paft hajrin rrogës’.

P.S. Ramushi po sillet si njeriu që e di se i ka ditët e numëruara;

Si njeriu që e di se nuk i shkon larg;
Si ‘i pamendi’ që e jeton çdo ditë sikur të ishte dita e fundit e jetës së tij;
Si ateisti që nuk beson në ‘ditën e gjykimit’.
Si i çmenduri që nuk pranon të dalë nga senatoriumi sepse brenda tij mund ta konsiderojë veten ‘zot’ dhe s’ia prishë kush disponimin.

P.S: PDK po e shfrytëzon padijen dhe pasionet e sëmura të Ramushit me kallë Kosovën si Neroni-Romën, në kohën kur opozita s’është kërkah hiç.

Unë (e them me sinqeritetin më të madh), besoj (si Montesquieu) se luksi dhe padija e Ramushit po e shkatërrojnë në themel Republikën.

Porosi për Kosovën

Nga Skënder S.KAPITI

Kosovë, Gëzuar Vitin e Ri 2018!

Urime dhe suksese në Rrugën e shtetndërtimit demokratik,ligjor dhe modern; urime në Rrugën e konsolidimit të Pavarësisë, të prosperitetit dhe të integrimit për në BE, të Antarësimit në NATO dhe në OKB.
Kosovë nëse dëshiron të bëhesh ,të zhvillohesh dhe të prosperosh shpejt në rrugën e demokracisë, të qytetërimit dhe integrimit, nuk mund të bëhesh duke marrë modelin e Shqipërisë e cila ka mbi 100 vite që ka mbetur e fundit në Europë në rrugën e prosperitetit, të qytetërimit , të ndërtimit dhe të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit të saj, pasi problemin më të madh Shqipëria e ka pasur gjithnjë me politikën e keqe të politikanëve e të pushtetarëve të vet, me politikën grindavece, egoiste dhe të korruptuar,me tradhëtinë dhe sidomos me padrejtësinë, të cilat i ka ende edhe sot politika e Tiranës.

Mos merrni tabiate e“leksione”politike, juridike,ekonomike, diplomatike e demokracie nga politika eTiranës se vetëm sherre, ngatërresa, moszhvillim, mosintegrim,pabesi e pengesa prej tyre do keni, ashtu siç edhe vetë Shqipëria dhe shteti shqiptar që gjithnjë e kanë pësuar prej saj deri edhe më sot akoma, dhe arriti deri atje sa në Vitin 2017 prej krimit, papergjegjshmerisë, korrupsionit dhe te trafikimt te droges shume medie dhe politikane nderkombetar ta quanin Shqipërinë si Kanabistan, ambasadorja e BE-së nëTiranë i akuzoi politikanët e Tiranës se e shesin atdheun per interes personal dhe ai amerikan i akuzoi po politikanet e Tiranes per krime të tmerrshme.

Kosovë, vështro dhe orientohu nga Washington-i, merrni shëmbullin amerikan të ndërtimit të shtetit ligjor, të sistemit të drejtësisë, të demokracisë,të lirisë dhe të patriotizmit:
se po mbajte shumë shpresa për lobim, ndihmë e këshilla nga Tirana për të ndërtuar shtet ligjor e me standarte moderne, për zhvillim e integrim në BE , nuk ke me pas ndonji hajër e prokopi prej saj,pasi gjithmonë Shqipëria ka qenë dhe është akoma problem për veten e saj, e jo vetëm të saj, por ajo u ka shkaktuar telashe e kokëçarje edhe SHBA –ve edhe BE-së po me problemet që politika e pushteti në Tiranë i ka shkaktuar Shqipërisë akoma deri më sot.

Urojmë që politika në Tiranë të ndahet përfundimisht tani pas miratimit te VETTING-ut nga trashëgimia e saj e demshme kombëtarisht, të pastrohet, të dekriminalizohet dhe t’i përkushtohet më shumë demokracisë , ligjit dhe ndërtimit të shtetit ligjor dhe sidomos interesit kombëtar dhe jo atij personal, familiar,klanor e partizan. Kosovë, qëndroi besnike dhe mirënjohesë gjithmonë SHBA-ve prej të cilave erdhi liria dhe pavarësia, pasi pa SHBA nuk do të kishim sot Shtetin e Pavarur të Kosovës.

Historia dëshmon se gjithmonë kur Kosova në momentet më kritike të saj , kur ajo ka pasur nevojë për Shqipërinë, pikërisht në ato raste Shqipëria tronditej nga destabiliteti e rrëmuja. Ndërsa janë po SHBA-të , ato të cilat prej 100 vitesh u janë gjetur pranë kudo shqiptarëve dhe Shqipërisë në momentet më kritike kur rrezikohej e kërcënohej ekzistenca edhe e vetë shtetit të Shqipërisë.

Vetëm shikoni rastin e fundit se si politika dhe drejtësia në Shqipëri iu kundërvu ashpër përpjekjeve dhe vullnetit të SHBA dhe të BE -së për miratimin dhe për zbatimin e VETTING-ut ,për këtë Reformë e cila është jetike për shqiptarët dhe është çelësi i cili i hap dyert e integrimit të Shqipërisë për në BE. Pra sa e habitshme dhe interesante për politikën e Tiranës, që sillet si antiamerikane edhe kur SHBA ndihmon dhe e ka prioritet ndërtimin e shtetit ligjor shqiptar dhe interesat e integrimin e Shqipërisë në BE!? Një politikë e cila dëmton interesat e vetë Shqipërisë së pari, është njëkohësisht edhe një politikë thellësisht edhe antiKosovë, madje shumë më tepër si e tillë, pasi shëmbullon si e tillë edhe për politikanët e Kosovës.

E keqja më e madhe kombit shqiptar i ka ardhur nga padrejtësia

Kosova e ka pësuar shumë herë më rëndë se Shqipëria prej padrejtësisë e cila i erdhi nga kolonizatori dhe pushtuesi barbar serb, nga krimi dhe genocidi i tij mbi 100 vjeçar, nga padrejtësia e Europës e cila e la Kosovën jashtë Shqipërisë. Por mjerisht e fatkeqësisht edhe shqiptarët në Shqipëri kanë pësuar pabesi, tradhëti dhe padrejtësi nga politika dhe nga politikanët e vet injorantë, të pashpirt , të papërgjegjshëm e të korruptuar të cilët gjithmonë kanë pasur synim dhe objektiv pushtetin dhe hajninë,politikë dhe pushtet si i tillë kulmoi sidomos në këto 25 vite të tranzicionit .

Le të jetë Viti 2018 për Shqipërinë viti i kthimit të shpresës dhe besimit të qytetarëve shqiptar te Drejtësia, Viti i triumfit të Shtetit ligjor dhe VETTING-ut, Viti i integrimit të mëtutjeshm të saj në BE, pasi një Shqipëri e fortë politikisht, demokratikisht dhe e prosperuar ekonomikisht do të ishte një ndihmë e madhe dhe si më kryesore edhe për forcimin, konsolidimin e shtetit, të pavarsisë e të integrimit të Kosovës.

Fatkeqësisht dhe mjerisht edhe politika në Kosovë ka marrë shumë nga përvoja e politikës së tillë të derimësotme nga Tirana dhe e ka instaluar atë edhe në Kosovë, përderisa edhe Kosova dhe shoqëria kosovare atje po vuajnë po të njëjtat pasoja si në Shqipëri, ku kryeproblemi edhe në Kosovë sot është drejtësia, pra më sakt sundimi i padrejtësisë prej së cilës vijnë pastaj edhe varfëria, papunësia, korrupsioni, eksodi dhe moskonsolidimi i shtetit dhe moszhvillimi i tij demokratiko-ligjor,mosliberalizimi i vizave dhe mosintegrimi.

Ju politikanë, pushtetarë dhe shtetarë të Kosovës mos e harroni të shkuarën jo të largët , atë të para Çlirimit të vitit 1999, mos e harroni amanetin e dëshmorëve dhe të herojve! Mos i harroni vuajtjet, sakrificat dhe stërmundimet e jashtëzakonshme që bënë brezat për Liri dhe Pavarësi. Ju që drejtoni tani dhe ata që do ta drejtojnë pas jush Kosovën e lirë dhe të pavarur, politikën, pushtetin, shtetin dhe shoqërinë të parin dhe mbi gjithçka duhet ta keni popullin dhe Kosovën, duhet të keni si prioritetin e prioriteve interesin kombëtar dhe nevojat jetike të njerëzve, mirëqënien dhe prosperitetin, punësimin, arsimimin,shëndetin dhe forcimin e kombit e të pavarësisë. Mos i harroni Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin dhe objektivin e qëllimin final, Bashkimin Kombëtar.

Urime dhe të jetë Viti 2018 viti i Drejtësisë, i prosperitetit, i integrimit dhe i ndryshimeve të mëdha për në favor të interesit të pëgjithshëm kombëtar si në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe i shpresës e lumturisë për të gjithë shqiptarët kudo ata ndodhen.