Më quani idealist të sëmurë, por për vendin tim do jem gjithmonë i tillë

Nga Marin Mema

Shqipëria është një vend i bekuar nga perëndia, por i mallkuar nga politika !! Në një territor kaq të vogël sa jemi tkurrur, korrupsioni sot e mot është gradë, është pushtet, është arritje, është tallje me të ndershmit dhe të pamundurit.

Janë të njëjtët që fshehin kokën dhe shmangin drejtësinë duke u përdredhur e shitur dëngla, gjoja parimore.

Pikërisht kjo duhet ndryshuar, kjo mendësi që e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku asgjë nuk kryhet pa u përlyer, pa patur miq e shokë, pushtet e mundësi.

Ku i pamunduri është edhe më i pamundur, ky pensionisti konsiderohet barrë dhe ku përballë zyrtarëve të gjithëpushtetshëm, qytetari është një qenie pa zë.

Ku askush nuk dënohet, por qytetarët mund të dhunohen. Shqipëria ka plot burra e gra, djem e vajza, gjyshër e gjyshe që mundet ta bëjnë këtë vend !!

Të gjithë ata që e duan munden !! Mjafton të shohim të ardhmen bashkë, pa ngjyra politike, pa flamurë, pa ndarje e përçarje… Boll jemi vrarë e masakruar kaq shumë sa më shumë po i bëjmë vetes sesa po na bëjnë të tjerët !!

Ndoshta këto ideale janë të tepruara, sepse e di që një bazë e mirë e tyre tallen me to, tallen me mua, me ty, me të gjithë ne që e duam pa interes këtë vend, që kërkojmë më shumë nga e sotmja dhe e ardhmja e tij. Më quani idealist të sëmurë, por për vendin tim do të jem gjithmonë i tillë !!

Ne ishim viktima të aparteidit serb, ju të injorancës

Nga Lis Bukuroca

Për çlirimin e Kosovës, u organizua dhe vuajti një populli i tërë dhe secili në mënyrën e vet, kontribuoi. Si tërësi, ia dolëm. Ne jashtë kishim një ëndërr: Ne ëndërronim pas luftës të kthehemi dhe ndërtojmë një shtet si këto që njohim në Perëndim: Shtete të së drejtës dhe i mundësive të barabarta. Njëzet vite më vonë, ne jo se dëshirojmë të kthehemi, por as nuk na shkohet atje, e pastaj, ata që janë brenda, pjesa dërmuese, do të ikte sot, sikur të ishte e mundur! Por ka një dallim! Ne ishim viktima të një aparteidi serb, këta që ikin apo do të iknin sot, janë viktima të injorancës së pashembullte në Europë. Kuptohet, të injorancës së elitës politike!

Ne kemi ngelur ashtu si ishim, shqiptar. Me shumë atje nuk kuptohemi më. Identiteti dhe perceptimi i tyre ka ndryshuar brenda shumë, sa nuk merremi më vesh në mes vete, edhe pse flasim të njëjtë gjuhë dhe kemi prejardhje të njëjtë. Ne nuk kuptojmë më dhe nuk dimë të shpjegojmë fragmentimin dhe moskokëçarjen për shtetin e uzurpuar, për krimin ekonomik, dhe për administratën fisnore.

Ne protestonim kundër padrejtësive të shtetit jugosllav dhe serb. Sot, nuk gjenden disa mijëra veta, që do të sakrifikoheshin para Kuvendit, para Qeverisë dhe para Presidencës për të bërë një grevë urie deri në largimin e tyre, ose deri në vetëflijim! Nuk ka! Nuk gjenden dy veta, por gjen shumë prej tyre, që me gurë, do të thyenin xhama apo do të ndiznin makina!

Ne kemi një Kryeministër, i cili kërkon duel dhe dëshiron të rrihet me kundërshtarin nga opozita. Ky sugjeron mënyrën e vet, që njeh për zgjidhjen e telasheve: Vetëgjyqësinë! E si mund të udhëheq një shtet, një njeri me këtë dije, me këtë nivel të kulturës dhe botëkuptime të shtetit?! E kush nga jashtë do të dëshironte të takojë një njeri me aftësi dhe qëndrime të tilla?

Ne kemi president, i cili krye në vete, pa shpalosur para Kuvendit projektet, merr vendime. Ne analizojmë qëndrimet e tij, ne shqyrtojmë deklarata e tij, ne merremi me hamendje, ai vazhdon projektin sekret, mu si edhe e bëri me Malin e Zi, si e bëri me Autonominë Serbe. Ai po sjell Kosovën para akteve të përfunduar, sepse ai nuk bën një dallim në mes vetes dhe Kosovës. Ai mendon se Kosova është Hashimi dhe Hashimi është Kosova.

Ai përdori, keqpërdori, shfrytëzoi dhe abuzoi me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Veselin, Pacollin… dhe i ka të gjithë në dorë. Nuk ka faje vetëm Hashim Thaçi, por fajet gjenden pikërisht te ndërtuesit e karrierës së tij dhe ata janë të lartpërmendurit.

Sot kemi një situatë paradoksale, ku Serbia ka më shumë pushtet në Kosovë se sa Qeveria, ose Presidenca Kosovës. Sot jemi në atë gjendje të mjerë, ku pa Listën Serbe, nuk mund të vendoset, as kush do të bëjë negociata me Serbinë. Sot kemi një Qeveri kuislinge, që varet kryekëput nga Beogradi.

Kosova po dëmtohet nga opozita, që nuk gjen strategji për të penguar konsolidimin e shtetit privat të Thaçit dhe po dëmtohet nga populli spektator. Kosovës sot i duhet një mosbindje qytetare, një grevë paqësore, që do të çonte në përmirësimin e shtetit dhe lirimin e gjykatave nga gjykatës të blerë dhe prokuroria nga prokurorë të fiseve të tyre.

Politikanët e Kosovës nuk luftojnë për interesa nacionale, por vetjake. Ata gjatë një mandati, rehatojnë fisin e vet. Ky është qëllimi i tyre, jo punësimi me njerëz të aftë, por me të familjes.

Aty gjendet një nga arsyet pse na shfaqet Serbia më sipërore, sepse ajo nuk udhëhiqet nga instinktet, nga interesi i politikanit, por nga interesi nacional.

Politikanët e Serbisë luftojnë për shtetin e Serbisë! Politikanët e Kosovës luftojnë për karrige dhe pasuri! Ata kanë politikë të strukturuar me strategji nacionale, ne kemi klane (parti) fisnore, që bëjnë politikë antishqiptare! Serbet e duan shtetin, ne e duam vetëm nëse mund ta vjedhim dhe derisa ta punësojmë fisin! Thjesht një popull, që nuk mbron shtetin e vet, nuk është shtetformues, sepse ai shkel ligjet e shtetit të vet! Ne adhurojmë rregullin në shtetet e huaja, por e prishim në vendin tonë! Ne nuk duam shtet të së drejtës! Ne nuk duam t‘i shërbejmë shtetit, por shteti duhet të na shërbejë neve! Shkurt e shqip, ne dimë të prishim shtete, por jo të ndërtojmë! Të kesh qeveri me 100 ministra e zëvendës, të kesh Thaçin si uzurpator të shtetit dhe të shtrihesh natën për të fjetur, duhet të kesh nerva më të trasha se të buallit, ose të jesh në depresion kronik!

Lojë e rrezikshme e djemve të plehrave

Nga Aurel Dasareti

Çdo vit, mijëra shqiptarë shkojnë e bien pre e pusive të kurdisura nga zyrtarë shtetëror, politikanë dhe qeveritarë, që nuk janë gjë tjetër veçse banditë, kriminelë spekulativ dhe lakmitarë, djem të plehrave.

Shqiptarë të trojeve dhe diasporës, banditët dhe kopilët e fëlliqtë shqipfolës të ulur në karriget Kuvendit, janë duke copëtuar Kosovën tonë dhe dhënë Serbisë. Mos rrini pasiv si burra mendërisht të kastruar! Në damarët e juaj qarkullon gjak shqiptari. Hiqni zvarrë nga Kuvendi djemtë e plehrave. Shtyni në përdorim energjitë e juaja ose digjuni!

***
Ne shqiptarët, në vend që të krenohemi me lashtësinë e historisë pellazge/ilire së qenies tonë kombëtare, bëjmë gjithçka që të tregojmë para botës së civilizuar se jemi indiferent dhe frikacak për të ndëshkuar kriminelët dhe tradhtarët e vendit; se nuk kemi prirje dhe aftësi shtet-formuese; se nuk bashkohemi t`u përballojmë kërcënimeve të rrezikshme ndaj integritetit dhe sovranitetit të vendit, prandaj nuk meritojmë të kemi një shtet serioz të përbashkët, si të gjithë evropianët tjerë; dhe që me kalimin e kohës, nuk bëhemi më të pjekur, por më të çmendur.

***
Shqiptarët e Kosovës vullnetarisht, kaherë, janë bërë pre e “presidentit”, pelës (dhe pelave tjera të Kuvendit) së kuajve serbo-turk. Një sadisti të çmendur, që përveç kriminaliteteve ekonomike, vrasjeve të kundërshtarëve politik dhe tradhtisë kombëtare, dredhimet, gënjeshtrat dhe manipulimet i ka pasion të zjarrtë. Pasioni i këtij bërlloku, përmes veprimeve dhe trillimeve dinake e tinëzare për të mashtruar njerëzit dhe për t`iu shmangur përgjegjësisë për keqpërdorimin e detyrës, është për të ushtruar një kontroll të plotë dhe të pakufishëm mbi shqiptarët e Kosovës, pa dallim moshe apo gjinie. Të shtrëngojë ata që edhe më tutje të durojnë poshtërime, vuajtje, maltretime, pa pasur mundësi të kundërveprojnë në mbrojtje të dinjitetit personal/kombëtar dhe vendit të tyre. Duke ushtruar me decenie kontrollin e plotë mbi shqiptarët tjerë, e ka shndërruar jo vetëm Kosovën por edhe ata në një objekt të tij, në një pronë të tij private.

Ne nuk e duam atë tradhtar (“kosovar”) të lig dhe analfabet tragjikomik. Gënjeshtar profesionist dhe kriminel mafioz. Ne nuk duam një president i cili është ulur në karrige për 30 vjet. Ne nuk duam një president të përjetshëm, por duam ta dënojmë me burgim të përjetshëm. Ne nuk duam një president i cili është shndërruar në një zot të pagabueshëm, fjala e të cilit është gjykatësi i pakthyeshëm. Ne nuk duam një president i cili do të futë djalin e tij si president. Ne nuk duam që një president të trajtojë shqiptarët autokton sikur të ishin armiq ndërsa armiqtë (pushtuesit) e vendit si miq, dhe jep urdhra për të vrarë ata që nuk i pëlqen.

Fitorja do të jetë e jona, sepse ne luajmë me karta të hapura. Sepse ne “nuk e kuptojmë” politikën, kompromiset, negociatat e pista dhe mashtrimet e lira. Fitorja do të jetë e jona, sepse ëndrrat tona janë të drejta. Sepse ne kemi një aftësi natyrore për ta dashur vendin. Fitorja do të jetë e jona, sepse ne më mirë zgjedhim të vdesim me lavdi sesa të jetojmë pa dinjitet. Fitorja do të jetë e jona, sepse Shqipëria vjen e para dhe është më e madhe se çdo gjë.

Unë mendoj se ne shumë shpejtë do t` a pastrojmë oborrin tonë nga plehrat e qelbur dhe do të fillojmë me fletë të zbrazëta, të kapim lapsin dhe të fillojmë të shkruajmë të ardhmen tonë – me duart tona.

***

Ëndrra ime, shqiptarit të tre kontinenteve, lindur në Australi, jetoj në Amerikë, prejardhje nga Shqipëria:

Më kujtohet se ndjenja ime e përkatësisë në Shqipëri nuk është e detyrueshme, por zgjedhja ime. E zgjedh atë, sepse është mirë për mua të përkas atje, dhe jo mirë për Shqipërinë. Është mirë për mua që unë të di prej nga kanë ardhur gjyshërit e mi, nga ky vend që është edhe i imi, atje ku është shtëpia ime, dhe shtrati im, ku ndjehem që kam ardhur dhe atje ku unë nuk pres më për t’u kthyer në shtëpi.

Më kujtohet se duhet të kem një qëndrim pozitiv për vendin që kam zgjedhur t`i përkas. Duhet të mbetem optimist pavarësisht rrethanave. Ky vend do të jetë më i mirë për shkakun tim dhe të njerëzve që më rrethojnë.

Pa përkatësi dhe shpresë, më mirë do të vdisja. Nëse vazhdoj të jetoj pa një shkak të denjë, nuk jam më i mirë se kafshët që jetojnë për të ngrënë, për të fjetur dhe për kënaqësitë afatshkurtra që nuk mund ta ushqejnë shpirtin tim. Kjo ishte një zgjedhje përfundimtare që nuk kam nevojë ta rishikoj.

***

Nesër në mëngjes, bashkarish me disa koleg, miq dhe bashkëluftuar të mi shqiptaro-amerikan dhe australian, udhëtojmë për në Shqipëri, për një stërvitje 14 ditësh. Do të jetë kjo një reprizë e shtatorit të vitit 2012, ku afër dy muaj u stërvitëm në bjeshkët madhështore dhe ujërat e kaltra të Ksamilit. Natën e fundit para ikjes, në ditarin tim shkrova:

Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.

Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin…

“Rama bëri ndryshimin e duhur”

Nga Lutfi Dervishi

Nëse njerëzia bëri pushim muajin gusht- ministrat e qeverisë kaluan pushimet më të këqija për shkak të sinjaleve se në shtator priteshin ndryshime në Qeveri. Ministrat në fakt nxijnë për 11 muaj fytyrën në Tiranë dhe 1 muaj i mbetet për të nxirë trupin në plazhet e Shqipërisë. Por nëse tolerohet nxirja e fytyrës së individit nuk mund të tolerohet nxirja e fytyrës së qeverisë.

Vetë kryeministri e la krejt të hapur mundësinë e ndryshimit kur tha se me secilin ministër kishte një kontratë perfomance. Dhe kur vjen te perfomanca- nuk ka facebook e instragram që të zbukuron bilancin.

Analistët dhe vëzhguesit e jetës politike nënvizonin se pyetja nuk ishte A, por Sa të thella do të ishin ndryshimet?

Fjala e mbajtur në Asamble kombëtare nga kryeministri paralajmëroi një cunam të vërtetë. Po të mos e dalloje nga timbri zërit dhe figura të krijohej përshtpja se po fliste lideri opozitës.

Nuk kemi mbaruar by passin e Fierit (5-6 km të mbetura) dhe të Vlorës, nuk kemi mbaruar rrugën e Elbasanit (10 km rrugë e mbetur). Zemërimi kryeministrit duke patur parasysh se nuk ka përgjigje për pytjen: cfarë rruge keni mbaruar këto 5 vjet, është mëse legjitim.

Ata në sallë dhe vëzhguesit në kafene menduan se ministri parë që duhet ndryshuar është Damian Gjiknuri.

Kryeministri u shpreh krejt i pakënaqur me drejtimin e ministrisë së Bujqësisë. Të gjithë zyrtarët – tha ai nuk e kuptoj se çfarë bëjnë në zyra– E hëngri dhe Niko Peleshi….

Edhe në frontin e punëve me jashtë nuk është se kemi shkëlqime. Bisedimet me Brukselin nuk u hapën. Me Athinën nuk ka progres. Në Kosovë nuk merret vesh në është bishti më i rëndë se sqepari. U krijua për një moment ideja se iku edhe Ditmir Bushati.

Gjykuar nga vizitat në familjet e varfëra ku varfëria është skalitur më shumë se në prozën e poezinë e Migjenit, ndryshime të shpejta dhe pa shumë diskutim priteshin edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Për punë e rendit, ndryshimet jo vetëm i kërkon opozita, por është krejt e qartë se i kërkon edhe situata. Një postim i deputetit Gjetan Gjetani ishte qershia mbi tortë. Shkarkimi live i Gjetanit- sigurisht që do të pasohej edhe nga shkarkimi ministrit të Rendit. Kur u shkarkua Gjetan Gjetani që skuqet kur flet- pritej të skuqeshin edhe të paktën gjysma e qeverisë.

Te çështja e rendit dhe lidhjeve me krimin- kryeministri sigurisht nuk do të toleronte sinqeritetin brutal të kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla që pohoi se kishte miqësi me një të ndaluar me biografi problematike në Itali dhe Shqipëi.

Për Financat dhe Ekonominë – si mund të ecë përpara nga në mësues anglishtje- shifrat sado të mira të dalin në facebook nuk mbulojnë dot realitetin e një ekonomie në paralizë ku malli kryesor i eksportit mbeten: 400 mijë shqiptarë që plotësojnë llotarinë amerikane.

Kryeministri u shpreh dakord me një propozim të beftë të kryetarit të opozitës për vetting- por nënvizoi se nuk duhet të harrojmë vettingun që po ndodh- me ritmet e të cilit nuk janë të kënaqur as ata që po shkarkohen. Ministria e Drejtësisë një tjetër dikaster ku priten ndryshime.

Në fakt udha më e shkurtër do të ishte të përmendej se cili dikaster do të mbetet pa ndryshuar: dhe i vetmi duket ai i Mbrojtjes.

Në kohën që anëtarët e asamblesë, anëtarët e qeverisë dhe publiku i gjerë po priste kumtimin e ndryshimeve, kryeministri mori frymë thellë dhe kumtoi ndryshimet , … jo në qeveri, por në parit. Në fakt jo ndryshimet, por ndryshimin.

I vetmi ndryshim i madh i shtatorit 2018 ishte Musa Ulqini.

Pas marrëveshjes së 17-18 majit 2017 me liderin e opozitës, kjo ishte lëvizja e dytë e madhe që nuk u parashikua as nga opinioni publik, as nga ministrat, dhe sigurisht edhe këtë radhë analistëve mbeten me gisht në gojë. Askush nuk guxon të komentojë efekte që do të ketë në qeverisjen e vendit ndryshimi i Musa Ulqinit.

Gënjeshtra nuk shitet, por mosha për të gënjyer vlerësohet

Nga Islam Fejzullahu

Se i doli nami i zi kreut të shtetit duke e genjyer popullin,po shifet,por pse i detyron vartësit e tij ne pushtet per te genjyer edhe pse te shtyrë ne moshë si të vlerësohet vetem si thot një proverb me ia vu kapakun gjithqkajes mete kqijat qepo i sjellin vendit dhe popullit.

Se presidentit serb nuk i pelqyen te thënat dhe te bëmat nga presionet vendore ne kundershtim me at qfar ishin marrur vesh me homologun e tij Kosovar, per te kqijat e Kosoves e deshmoj dje ne Bruksel duke refuzuar takimin me homologun e tij nga Kosova.

Por pse elita Kosovare i gënjen hapur popullin evet mete palarat etyre rreth atyre takimeve famkeqe dhe kinse gjoja BE po iu bën presion qeta lejojnë serbin ta vizitoj qdo cep te deshiruar nga ai të Kosoves( ndersa elites Kosovare nuk iu lejohet ta vizitojnë Kosoven lindore qoftë edhe si vizit familjare vetem pse janë ne pushtet),kjo nuk kaperdihet!Si nuk turpërohen qete gënjejnë ne ket moshë sidomos Pacolli e shum te tjerë te moshuar si ai psh. nga LDK Veliu, Rugova, e besa edhe Mustafa…. ete tjerë edhe ma te ri Haziri,Beqiri por ata te shtyrë ne moshë se per kreun e shtetit jemi mësuar! Ruaje Zot popullin shqipëtar nga vet gënjeshtaret shqipëtar.A do të ken fund të kqijat e ketyre njerzve qepo i sjellin vendit dhe popullit?

Një pyetje e munguar për Presidentin Thaçi

Nga Dr. Islam Lauka

Mbrëmë, në emisionin “Opinion” të televizionit Klan, pak orë para takimit me homologun serb Vuçiq, atëherë kur pritej, të paktën, një transparencë minimale mbi përmbajtjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e bëri edhe më të dendur mjegullën rreth kësaj çështjeje. Ai ripërsëriti qëndrimet e deklaruara prej tij, në sa e sa konferenca shtypi: jo ndarje, jo shkëmbim territoresh, por vetëm korrigjim kufijsh dhe, si rezultat i këtij korrigjimi – bashkimi, në tërësi, i Luginës së Preshevës me Kosovën.

Pyetjes së gazetarit, Blendi Fevziu, përse do ta nënshkruante Serbia marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, pra çfarë do të marrë ajo në këmbim të Luginës, Thaçi iu kundërpërgjigj, “Ti ke kasavetin e Serbisë”

Kjo është një metodë tipike e autokratëve dinakë siç është Presidenti rus Putin, për t’iu bishtnuar pyetjeve të drejtuara, duke sulmuar me akuza të pabaza vetë intervistuesin.

Partitë politike, elitat intelektuale, shoqëria shqiptare, në përgjithësi, nuk duan që të lihen në terr informativ, sidomos tani që po diskutohen çështje kaq jetike, si territori. Ato nuk e kanë kasavetin e Serbisë, por janë të interesuara që të dinë çfarë do të marrin dhe çfarë do të japin, para se të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Shqiptarët duhet të njihen, paraprakisht, me çmimin, të dinë koston, sa kushton kjo marrëveshje. Që kushton shumë, këtë e di më mirë se kushdo, Thaçi, sepse e ka thënë e stërthënë, me muaj të tërë, nëpërmjet togfjalëshit, “kompromis i dhimbshëm”.

Në qoftë se, siç deklaron ai, nuk do të ketë ndarje, as shkëmbim territoresh; nëse Mitrovica, Trepça dhe Ujmani do të mbeten në përbërje të Kosovës; nëse asaj do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës, nëse, në fund të këtij procesi, do të njihet nga Serbia, si shtet i pavarur dhe sovran, atëherë, ky do të ishte “kompromisi më i lumtur” për të gjithë shqiptarët dhe Hashim Thaçi do të duhej, menjëherë, të shpallej hero kombëtar dhe, njëlloj si Skënderbeut, t’i ngriheshin monumente, në përkujtim të veprës së tij heroike, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë dhe Ulqin.

Në këtë rast, do të ishte plotësisht i justifikueshëm parashikimi i Vuçiqit për “kompromis të dhimbshëm” të Beogradit, sepse e fituara, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme, do të ishte Kosova, ndërsa, e humbura, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme e këtij procesi, pa diskutim, do të ishte Serbia.

I pajustifikueshëm do të mbetej shqetësimi i Thaçit, sepse përbën paradoks fakti që ruajtja e integritetit territorial të shtetit dhe zgjerimi i tij me 3 komuna, aktualisht në përbërje të Serbisë, por të banuara nga shqiptarët dhe të njohura, historikisht, si territore të tyre, të konsiderohen prej tij si “kompromis i dhimbshëm”.

Pyetja e munguar mbrëmë ishte: Për cfarë dhimbjeje flet Thaçi? Apo, ku i dhemb konkretisht atij? Dhe më tej, në emër të kujt flet Hashim Thaçi?

Politika shqiptare, “minierë rastësish”

Nga Xhevat Mustafa

“…në politikë të gjesh një “rastësi krejt të rastësishme” është thuajse njësoj sikur të gjesh gjilpërën në mullarin e kashtës apo një grimcë floriri apo sheqeri në rërë”.

Lista e rastësive që kanë lidhje të fortë, mesatare apo të paktë me politikën dhe qeverisjet shqiptare në këta afro 106 vjet pavarësi dhe shtet është e pafundme. Duke iu shmangur kthimit shumë prapa në kohë apo vështrimit të largët historik, po e filloj numërimin e rastësive nga “gjetja” e Edi Ramës prej Fatos Nanos në Paris dhe e sjelljes në Tiranë, në PS, më 1998, fillimisht në postin e ministrit të Kulturës dhe pastaj si kryebashkiak i Tiranës për 3 mandate radhazi. E dyta, mund të jetë “eliminimi demokratik“ i të gjithë kandidatëve për fronin e kryetarit të PS-së dhe lënia e këtij posti “befasisht” apo “rastësisht” në duart e Edi Ramës… Por, për të keqen e PS-së dhe të mbarë vendit, qysh nga fillimi i kapjes së kolltukut të kryetarit të PS-së nga Edi Rama, ka nisur dhe është masivizuar edhe dukuria e paramenduar apo “rastësia”, që njerëz të hurit e të litarit, të njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare dhe policitë dhe drejtësitë ndërkombëtare si elementë të inkriminuar dhe me disa emra nëpër dosje hetimesh disavjeçare, gjykatash, doganash…vërshuan të afroheshin me PSSH-në dhe personalisht me kryetarin e saj…Edhe pse kishin sinqeritetin dhe kurajën të pranonin se intelektualisht dhe nga aspekte të tjera Edi Rama ishte “ndryshe” nga ata apo shumë më lart se ata, përsëri gjenin edhe disa pika të përbashkëta me atë.

Vetë Edi Rama, edhe pse me shumë gjasa i përçmonte e përbuzte apo ndihej shumë lart dhe larg njerëzve të “brumit të keq”, për nga trashëgimia, arsimimi, intelektualizmi, karriera në basketboll dhe pikturë, ishte i bindur se nuk duhej ta frenonte këtë “përrua llumrash” që të bashkohej me “lumin” e partisë së tij dhe të elektoratit të saj. Sali Berisha si kryeministër dhe si kryetar i PD-së ishte plotfuqizuar, duke u bërë, ndier, duke u dukur dhe vepruar, si i papërballueshëm, i pakundërshtueshëm dhe i parrëzueshëm ndershmërisht apo pastërtisht në beteja apo në fushata zgjedhore allashqiptare. Berisha nuk rrëzohej nga pushteti apo nga “kali” me fjalime, diskutime, shkrime të tij, të Servet Pëllumbit, Ben Blushit, Erion Braçes, Arta Dades, Namik Dokles, Et’hem Rukës, Spartak Brahos, Anastas Angjelit, Shkelqim Canit,…

Shprehur më popullorçe dhe, siç ka pranuar me gojën e vet Edi Rama në një intervistë rreth 3 vjet më parë, atij mund t’i rrëzohej “kali” dhe mund t’i rrëmbehej pushteti dhe “skeptri”, duke vënë në pararojë të “ushtrisë socialiste” pikërisht kontingjentin e të fortëve, e bosëve të krimit, trafiqeve, korrupsionit…Nuk po ua përmend emrat, sepse edhe lista e tyre është e gjatë, edhe sepse prej kohësh janë bërë “bajatë” nëpër media dhe njihen mirë si nga ne shqiptarët, ashtu edhe nga shumë ndërkombëtarë në Tiranë, Bruksel, Amsterdam, Romë, Athinë, Londër…

Me “fitoren historike” në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 u dëshmua edhe “largpamësia” apo merita ekskluzive e Edi Ramës për “aleancën” me bosë biznesesh dhe bandash. Por, shpejt ai do të kuptonte se krahas të mirës së marrjes së pushtetit nga duart e Berishës, duke lënë tek jo pak demokratë të vërtetë edhe dyshimin se me dështimet e tij “të rastësishme”, sidomos gjatë mandatit të dytë, ia kishte falur Edi Ramës me duart e veta pushtetin, pse jo, edhe sipas një pazari…’8 vjet ne” dhe “8 vjet ju”, “nuk ju prekëm, nuk do të na prekni”, aleanca me të fortët kishte edhe jo pak të këqija e rreziqe…Prurjet e reja të Edi Ramës në ekipet politike të “Rilindjes” apo në “bordin” e financuesve të saj, do t’ia bënin të qartë shpejt se nuk e kishin mbështetur bujarisht “rastësisht”, krejt dhe vetëm për idealizëm dhe militantizëm qorras fitoren e “Rilindjes”. Atyre u ishin shtuar dhe rritur edhe ambiciet karrieriste. Për meritat në fitore duheshin shpërblyer me “vepra” dhe jo me mirënjohje me fjalë apo letra bakalli. Kështu, erdhi një ditë dhe Edi Rama qe i detyruar të fuste në grupin parlamentar, në zyra kryetarësh bashkie, prefektësh, drejtorësh të përgjithshëm…disa prej këtyre apo njerëzve shumë të afërt të tyre, si p.sh, vëllezër gjaku apo “vëllezër” nëpër qelira…Jo “rastësisht” ardhja e tyre u shoqërua me lazaratizimin, kanabizimin, kullëzimin… e gjithë Shqipërisë. Gati në të njëjtën kohë, “papritur” apo “rastësisht”, në PS, e përfaqësuar me ekipet e “Rilindjes”, u përjetua dukuria e ngushtimit të hapësirës dhe e largimit të vullnetshëm apo me “imponim demokratik” të disa figurave përfaqësuese, elitare dhe kontribuuese të së majtës si Arben Malaj, Shkëlqim Cani, Luan Hajdaraga, Taulant Dedja, Ndre Legisi, Et’hem Ruka, Bardhyl Agasi, Marko Bello, Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Moikom Zeqo…

Pasi lejoi dhe forcoi “aleancën” me këtë kontingjent apo establishment “të të fortëve”, Edi Rama u ndie dhe u bë, “befasisht” apo “rastësisht” edhe më agresiv në fjalime dhe veprime, duke ideuar, përgatitur dhe udhëhequr “me largpamësi” edhe demonstrata të dhunshme, si ajo e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër bij nënash shqiptare. Edhe sikur, për të ngushëlluar sado pak familjet e viktimave të pafajshme, t’i faturohen apo lihen në derë këto katër jetë njerëzore atyre që ishin në pushtet, pra Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, përsëri, me logjikë të fortë juridike dhe analizë të sinqertë, jo paragjykuese, jo politike, nuk mund të thuhet dhe pranohet me bindje të plotë se nuk kanë asnjë përgjegjësi morale, njerëzore, juridike…ata që i sollën dhe udhëhoqën në atë demonstratë të dhunshme, ku, “rastësisht”, kishte edhe mes turmës së tyre njerëz të armatosur.

Apo se nuk u përjetua apo u përsërit kushedi për të satën herë tradita e vjetër e Enver Hoxhës dhe përgjithësisht e komunisto-socialistëve tanë dhe ndërkombëtarë “vra natën dhe qaj ditën” apo “vra pas shpine dhe qaj para syve”. Shpreh shumë edhe kjo fjali e Tom Doshit më 25 shkurt 2015, në nisje të konfliktit të tij me Edi Ramën: “Kur të flas më tepër do dridhet nga themelet mazhoranca”. Por, “nuk qe nevoja të fliste më shumë”, sepse reflektoi dhe ndërroi mendje, Edi Rama, duke u ribërë shokë e miq…
Tani që për më shumë se 5 vjet i ka njohur shumë më mirë plot nga ortakët e tij me dosje voluminoze inkriminimi apo “mëkatesh” edhe vetë Edi Rama, nuk mund të pranohet si “e rastësishme” që ai vazhdon t’i mbajë afër e në poste jo pak prej tyre, t’u falë tenderë e koncesione, për t’u bërë edhe shumë më të pasur, t’i ndihmojë të dalin “të pafajshëm” në rrjetat e shklyera të drejtësisë shqiptare… Merret lehtë me mend arsyeja: i duhen shumë edhe për “fitoret” e ardhshme…Juridikisht dhe në “shqip” kjo mund të “përkthehet” edhe si “bashkëfajësi e paramenduar”.

Padurimi dhe agresiviteti i Edi Ramës me shokë e shoqe u kuptuan dhe shprehën hapur e frikshëm edhe me zbatimin e skenarit të bojkotimit për shumë muaj të parlamentit, pa u shqetësuar fare se moskonsensusi i opozitës, pikërisht në atë kohë, për “koincidencë” apo “rastësi” dëmtonte drejtpërdrejtë e jo pak ecurinë e procesit të marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE, normalitetin, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve dhe të investitorëve të huaj…

Seriali i pafund i “rastësive” në PS vazhdoi me histori të tjera. Kështu, “rastësisht” ministrit të Brendshëm në mandatin e parë, 2013-2017, Saimir Tahiri, na i dalin kushërinj disa pjesëtarë nga familja Habilaj, të cilët kishin pasur problem me drejtësinë italiane, greke, shqiptare, etj.. Më vonë, “rastësisht”, po këtij ministri na i kapen në veturën e një biznesmeni rreth 850 mijë euro si dhe dy patenta për përdorim skafesh të ministrit dhe një patentë për veturë në emër të gruas së tiJ, “të harruar” nga shoferi i ministrit Saimir Tahiri. Pas tij “viktimë” e rastësive bie edhe pasuesi i tij, ministri aktual, Fatmir Xhafaj. Këtij na i del vëllai me probleme në trafiqe ilegale dhe me drejtësinë italiane…Më 30 qershor 2018, Xhafaj tronditet nga një “befasi” tjetër. Fjala është për “vetëvrasjen” e njërit prej shoferëve të tij…brenda ambienteve të Gardës së Republikës… Në vijim, “rastësisht” kunati i tij është një nga ata që e kalon fare lehtësisht “rrjetën e imët të vetingut” në drejtësi, ashtu si kunati i Spartak Brahos, Vilma Nushit…

Një “rastësi” tjetër është edhe kjo, fort shprehëse, nga teksti dhe nënteksti.

Me t’u bërë kryeministër Edi, i vëllai i tij, Olsi, “braktis” me konsensus familjen në SHBA dhe vjen e bëhet bos, aksioner, multimilioner në Shqipëri, nëpërmjet favorizimeve të hapura apo të bëra vetëm nga fakti i të qenit vëllai i kryeministrit, nëpërmjet disa koncesioneve, sidomos në industrinë e naftës, energjetikë, në lojërat e fatit…Krejt “rastësisht”, qysh kur ai u fut në biznesin e lojërave të fatit, tani më 2018, numri i tyre është rritur me rreth 3000, në krahasim me vitin 2013. Nuk mund të harrohet se atëherë, Edi Rama premtonte shesheve të mitingjeve elektorale se do t’u bënte gjëmën lokaleve të tyre, duke ua mbyllur dyert shumicës.

Lidhur po me Edi Ramën, “rastësi” e freskët është ardhja në fund korrik 2018 e Aleksandër Soros, djalit të Xhorxh Sorosit, të mikut të vjetër të tij, në Himarë dhe takimi miqësor mes tyre, në kuadër të një turi turistik apo politik të tij në Ballkan, me vizita në Shqipëri, Serbi, Kosovë…”Rastësisht” në të njëjtën kohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hedh në tregun politik dhe mediatik tezën e mykur serbe, me ndërrim “etikete” apo “ambalazhi”, për “korrigjimin” e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse qysh shumë vite më parë dhe tani, qysh në fillim “ëndrra” e Hashimit u kundërshtua hapur e fort nga shumica e qeverive të vendeve të BE-së, sidomos nga Gjermania dhe Britania e Madhe si dhe nga shumica e diplomatëve, ekspertëve dhe publicistëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë, Hashim Thaçi po tregon edhe sot e kësaj dite se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ky “pazar i pistë” dhe i rrezikshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Edhe ky na është “rastësisht” edhe mik me Edi Ramën, edhe mik i vjetër me Xhorxh dhe Aleksandër Soros…

Duke e ditur se në partitë kryesore shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, nuk bëhet asgjë, ndoshta edhe vajtja në një ëc, pa dijeninë e kryetarëve, mund të mendohet apo besohet se ky “serial i gjatë rastësish” në majën e piramidës së PS dhe të qeverisjes së saj, nuk është “realizuar” pa u vënë re nga Edi Rama dhe se ai nuk ka se si të mos mbajë përgjegjësi dhe të ketë “penalizime”, qoftë edhe morale.

Shqipëria, një ndër vendet me pasuri më të mëdha nën dhe mbitokësore, me klimë për turizëm gjatë 365 ditëve dhe që mund të punësojë në këtë sektor të pakën 1 milion të rinj e të reja, është edhe sot e kësaj dite në mos më e varfra, e parafundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-social, të nivelit të mirëqenies dhe të politikave sociale, ashtu siç ka qenë edhe më 28 nëntor 1912, më 30 gusht 1928 ( dita e shpalljes mbret të Ahmet Zogut), më 29 nëntor 1944, më 22 mars 1992…Të mos harrojmë: këto pasuri dhe shanse nga ZOTI janë “djegur dhe masakruar” më shumë nga robi, nga mendje dhe duar shqiptarësh se sa armiqsh të huaj. A mund të quhet dhe justifikohet si “rastësi”, që ky realitet përkon me tezat dhe përrallat serbe, greke, ruse… se “shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet”, se “shqiptarët janë barbarë dhe nuk meritojnë integrimin në BE”?

Po e mbyll këtu, për të shprehur “konkluzionin e huazuar” apo bindjen time subjektive: në politikë të gjesh një “rastësi krejt të rastësishme” është thuajse njësoj sikur të gjesh gjilpërën në mullarin e kashtës apo një grimcë floriri apo sheqeri në rërë.
Burimi:Gsh.al

Kosova para një çasti historik…

“Është më e mirë një paqe e sigurt se një fitore e shpresuar” / TITO LIVIO (59–17 p.k.), historian i madh latin

Nga Eugjen Merlika

Ka disa javë që në botën shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Mërgatën shqiptare, vendin kryesor në bisedat e përsiatjet politike e ka zënë një pikëpyetje hamletiane mbi një projekt serbo – kosovaro – shqiptar në shqyrtim, të përkrahur nga institucionet zyrtare të BE e, me gjasë, edhe nga ato të SHBA.

Po ta zhveshim këtë rrahje të gjerë mendimesh, në forma vetjake nga përfaqësues të politikës dhe të mediave të shkruara e pamore, nga termat propagandistikë e etiketimet tradicionale të panevojshme, që këpusin që në lindje fillin e arsyetimit mbi thelbin e problemit, besoj se do të arrijmë në një trajtim më objektiv e të dobishëm të një situate e cila na paraqitet për herë të parë mbas 106 vitesh të mëvetësisë shqiptare.

Pikërisht para 106 vitesh Shqipëria ishte Vendi i fundit në Ballkan që kishte mbetur në kuadrin e Perandorisë Osmane e që, në vetvete, gëlonte nga një diskutim i gjerë, kryesisht në rrafshin intelektual dhe administrativ mbi kërkesat për një pavarësi të plotë apo për një autonomi të zgjeruar, të kryera nga rrethe atdhetare në drejtim të Portës së lartë. Këto kërkesa mbështeteshin edhe në përfundimet e fitoreve ushtarake të kryengritjes shqiptare, që patën kurorëzimin e tyre në marrëveshjen e Shkupit. Por ndërsa shqiptarët diskutonin për këtë përparësi të së ardhmes së tyre politike, koalicioni ballkanik, i përbërë nga ushtritë serbe, malazeze, greke e bullgare, mësyu trevat shqiptare, duke përvetësuar gati dy të tretat e Shqipërisë etnike. Ushtria turke, e dobësuar nga kryengritjet shqiptare, ndoshta e panxitur më nga interesat e perandorisë që ishte në perëndimin e fuqisë së saj shekullore, braktisi në mëshirë të fatit territoret e Shqipërisë osmane. Përballë kësaj gjendjeje katastrofale, që rrezikonte edhe vetë qenien e një Shteti të shqiptarëve, një grusht atdhetarësh të prirë nga Ismail Qemali, vendosën krijimin e të parit Shtet të bashkuar shqiptar, fatmirësisht me nxitjen dhe përkrahjen e diplomacive të Vjenës e të Romës.

Në një epokë mendësish perandorake e ndarjeje të botës në shtete koloniale e kolonizuese, me shumë vështirësi u arrit që të njihej Shteti shqiptar, në kufijtë e tij të cunguar, në konferencat e Londrës e të Versajës. Historia e këtyre më se njëqind viteve pati si fill përçues të saj çështjen kombëtare. Në një të tretën e shekullit që shkoi, deri në bashkimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare në vitet 1941–1945, kombi i ndarë e plagët e dhimbshme të tij ishin thelbi i gjithë shqetësimit e problematikës së jetës shoqërore, shtetërore, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve. Më 1945, me vendimet e të mëdhenjve të botës mbi gjeopolitikën e Europës së mbas luftës dhe bashkëpunimin e komunistëve shqiptarë me kujdestarët e tyre homologë jugosllavë, çështja kombëtare pësoi një goditje vdekjeprurëse e për gjysmë shekulli, me përjashtime të rralla, doli nga orbita jo vetëm e jetës politike dhe administrative, por edhe nga ajo e jetës shpirtërore e kulturore të shqiptarëve.

Viti i parafundit i shekullit, me shfaqjen më të egër e më kriminale të shovinizmit serb, me pasoja shkatërruese mbi popullsinë kosovare dhe kundërveprimin ushtarak humanitar të NATO-s, hapi një epokë të re në jetën e kosovarëve. Pavarësia e shpallur disa vite më vonë, e njohur nga Perëndimi në të dy anët e Atlantikut, i hapi rrugën një etape tjetër të jetës kombëtare të shqiptarëve, kryesisht atyre të Kosovës. Por procesi i përparimit të Kosovës e të integrimit të saj në Europë, për shkak të shemërive e koniunkturave ndërkombëtare, aftësisë së serbëve për të lobuar e përkrahjes që gjejnë në Fuqi të mëdha si Rusia dhe Kina e, së fundi, edhe për mangësi të theksuara të klasës politike kosovare, nuk ecën me ritmet e duhura. Gjatë viteve të fundit çështja e Ballkanit perëndimor duket se ka marrë më shumë rëndësi në tryezat e diplomacisë së Bashkimit Europian, i cili ngulmon në takimet e drejtpërdrejta mes drejtuesve kryesorë të Serbisë e të Kosovës, që të arrijë në një marrëveshje të pranueshme e të kënaqshme për vetë popujt e tyre, por edhe në përputhje me parimet kryesore të Bashkësisë europiane, në të cilën dy shtetet synojnë të hyjnë në kohë relativisht të shkurtra.

Parimi i diplomacisë europiane, për sa i përket politikës së zgjerimit, duket se është i lidhur me shmangien e problemeve të grindjeve ndërmjet mëtonjësve. Në këtë kuadër synimi i tyre sot është i përqendruar në shmangien kundërshtisë serbo – shqiptare si gur themeltar i një godine harmonie për të gjithë Ballkanin. Nëse ky është synimi i Europës e i SHBA, mendoj se ne e kemi për detyrë të mundohemi me të gjitha mundësitë tona për të lehtësuar sendërtimin e tij. Ajo gjë është në radhë të parë në interesin tonë, mbasi normalizimi i marrëdhënieve të Prishtinës me Beogradin do t’i hapte rrugën normalizimit botëror të çështjes kosovare, me pasojë arritjen e synimit të pranimit të saj në të gjithë organizmat ndërkombëtare, me të drejta të plota të një shteti sovran.

Për të arritur në këtë pikë të dëshiruar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët duhen shmangur pengesat që, me ose pa të drejtë, quhen vendimtare. Këto njëjtësohen me problemet e pakicave etnike në trevat e dy shteteve. Diplomacia bashkëkohore europiane ka bërë një kapërcim të fuqishëm mbrapa, duke pranuar përparësinë e shteteve etnike në shmangien e arsyeve të kundërshtive dhe vatrave të tensionit mes shteteve. A nuk ishte kjo teza e hershme e kombëtarizmit shqiptar? A nuk kemi një shekull që ne ngremë lart flamurin e padrejtësive historike kundrejt nesh, pikërisht sepse mësymja e fqinjëve dhe ligjësimi i saj nga diplomacitë e shteteve të mëdha ka qenë një nga fatkeqësitë më të mëdha të kombit tonë në shekullin e shkuar?

Për të sendërtuar këtë mundësi normalizimi duhet bërë një ndryshim kufijsh: Mitrovica e veriut, e banuar nga 130.000 serbë me Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjes. E para duhet t’i kalohet Serbisë dhe e dyta Kosovës. Në këtë shkëmbim, nga ana ekonomike, del e fituar Serbia, pa dyshim, në saje të pasurisë nëntokësore që përfaqëson Trepça dhe Mitrovica e veriut. Logjika tregtare e arsyetimit shtyn shumicën e politikanëve dhe opinionistëve ta quajnë të papranueshme këtë mundësi, qoftë edhe në shkëmbim të një paqtimi të vërtetë mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, një paqtim që nënkupton njohjen de jure nga serbët dhe miqtë e tyre të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Këtu shtrohet pyetja: a ia vlen ky flijim i interesit material të Kosovës sot, për të ardhmen e saj, të siguruar nga marrëveshje të firmosura në prani e mbikëqyrje të diplomacive perëndimore europiane dhe amerikane, marrëveshje që sanksionojnë zyrtarisht njohjen e ndërsjellë, hapjen e një epoke bashkëpunimi të sinqertë e të gjithanshëm në dobi të integrimit europian? E në këtë rast lind një tjetër pyetje: a mund e duhet t’iu besojmë serbëve, a mund të zëvendësojmë shprehjen e famshme të Virgjilit “Trembju grekëve dhe kur të bëjnë një dhuratë”, duke ndërruar emrin e grekëve me atë të serbëve?

A duhet të mbajmë parasysh se nesër në vend të Vuçiçit, që mendoj se e don marrëveshjen mund të vijë një Sheshel, apo një tjetër dishepull i Millosheviçit, që ta hedhë atë në kosh e të kërkojë edhe një herë tjetër rishikimin e kufijve, duke mëtuar kthimin e tyre në shekullin e shkuar? Këtu hyn në veprim fuqia politike e mbikëqyrësve të asaj marrëveshjeje, që janë në gjendje të sigurojnë mos realizimin e skenarit të hamendësuar më sipër, nëse ata na e japin këtë siguri nuk kemi pse të ngurojmë. Përputhja e interesave të integrimit në Europë për të dy popujt është një tjetër motiv shumë i rëndësishëm që mund të heqë dyshimet e mundshme në lidhje me të ardhmen.

Nëse marrëveshja do të parashohë qëndrimin e popullsisë shqiptare të Mitrovicës në territorin e Kosovës dhe bashkimin e krahinave të Luginës me të, më duket se ajo mund të jetë e pranueshme. Sidoqoftë ky mbetet një problem për t’u zgjidhur nga Kosova, populli i saj dhe klasa politike e saj. E kjo bëhet nëpërmjet një bisede të shtruar në institucionet përkatëse, një lloj “Kuvendi të Arbërit”, në traditën më të mirë të tij, ku të peshohen argumentet pro dhe kundër, pa paragjykime e me gjakftohtësi, duke lënë mënjanë një pjesë të mirë të mllefit që historia na ka futur në gjak, si pasojë e një të shkuare të dhimbshme e me shumë flijime nga ana jonë. Në këtë kuvend duhet të mbizotërojë logjika e ftohtë pragmatiste, e projektuar më shumë në të ardhmen se sa e ngulitur në të shkuarën, vetëdijesimi që çdo sipërmarrje e madhe, e tillë duhet quajtur edhe kjo e paqtimit me Serbinë, kërkon flinë e vet. Legjenda e Rozafës mbetet gjithmonë aktuale e ka çfarë të na mësojë.

Krijimi i një grupi pune që do të qëndrojë përbri kryetarit të shtetit në bisedimet e Brukselit më duket një iniciativë mjaft e drejtë dhe e dobishme. Por ngulmimi i Presidentit Thaçi për të sendërtuar marrëveshjen, më duket se nuk meriton lumin e padive që i bëhen. Ai duhet të jetë një përpjekje për mirëkuptim, për shoshitje të gjithë elementëve përbërës të bisedimeve, për të përcaktuar caqet përtej të cilëve nuk mund e nuk duhet të shkohet. Në këtë drejtim duhet të japë ndihmesën e vet edhe opozita kosovare, që nuk duhet të ngujohet në bindje të parafabrikuara e të flasë jashtë kuvendit, por të marrë përgjegjësinë e saj, nëpërmjet ballafaqimit të hapur me ekipin negociues e me shumicën në parlament.

Është një provë e madhe edhe në fushën ndërkombëtare, një provim i aftësisë sonë ndërtuese që duhet të shprehim, i prirjes për t’i zgjidhur problemet tona nëpërmjet marrëveshjesh të peshuara, të shoshitura e të pranuara, jo si detyrim nga njëri apo tjetri, por si një detyrë që e ardhmja shtron sot para vullnetit tonë për të punuar për të. Kundërshtimi paragjykues i përhershëm dhe i pabazuar në logjikën historike, nuk është shprehje e kthjelltësisë së ideve, mbasi teza se “kufijtë janë vendosur me luftë” e për pasojë logjike, me luftë duhet të ndryshojnë, jo vetëm nuk ka asnjë dobi për të ardhmen tonë, jo vetëm na kthen mbrapa në mendësi të vjetra e të tejkaluara nga kohët, por nuk i përgjigjet së vërtetës historike, mbasi për ne kanë qenë produkt i vendimeve të të mëdhenjve të botës që ligjësuan pushtime të cilëve ne nuk qemë në gjendje t’u kundërviheshim e pra “të luftonim”. Nëse sot, në sajë të ndryshimeve të mëdha të Europës, na jepet mundësia t’i përcaktojmë ata nëpërmjet bisedimeve ndërtuese, nuk më duket se është rasti t’u bishtnojmë atyre e, aq më tepër, t’i hedhim poshtë.

Nuk më duket bindës edhe një qëndrim tjetër i shprehur këto ditë, i huajtur nga arsenali i diplomacisë europiane të së shkuarës, se “ndryshimi i kufijve përbën një rrezik për përballime të reja në rajon”. Në rastin e veçantë të shqiptarëve me serbët duhet të jetë e kundërta, duhet të sigurojë një periudhë harmonie e bashkëpunimi me fqinjët. Përvoja e këtyre tridhjetë viteve të fundit në Europë tregon se ndryshimet, pasojë e marrëveshjeve paqësore kanë funksionuar mirë e nuk kanë krijuar asnjë problem. Mjafton të mbajmë parasysh bashkimin e Gjermanisë dhe ndarjen e Republikës Ҫeke nga Sllovakia.

Së fundi mendoj se marrëveshja me Serbinë, në perspektivën e integrimit europian, krijon premisat edhe për hapa të mëtejshëm në drejtim të bashkimit kombëtar, mbasi një Kosovë e shkëputur nga litari serb i lidhjeve të së shkuarës, ka mundësi nëse e dëshiron, nëse iu përgjigjet aspiratave të shqiptarëve në të dy anët e Drinit, të kërkojë më me lehtësi bashkimin, aq shumë të dëshiruar me Shqipërinë.

Si përfundim i kësaj përsiatjeje kundër rrymës, desha të kujtoj një thënie të një historiani të madh anglez, Edward Gibbonit: “Shqiptarët kanë mbrojtur gjithmonë kauzën e humbur”. Ndoshta këtë herë kemi rastin të përgënjeshtrojmë historianin anglez e të tregojmë se jemi në gjendje ta rrokim çastin e volitshëm e të punojmë për interesat e vërtetë të kombit e, kryesisht, të fëmijëve e nipave tanë.

Propozimet e Thaçit për korrigjim të kufijve, blof politik?

Nga Agon Hamza

Njëra ndër sfidat kryesore të mendimit dhe praktikës politike është krijimi i dallimit ndërmjet urgjencave reale dhe atyre të imponuara. Në fakt, politika fillon atëherë dhe aty ku përfundon terreni i urgjencave të imponuara. Më shumë se sa kualifikimi poetik i saj si arti i të mundshmes, politika është, mbi të gjitha, procesi i ndryshimit të statusit të së pamundshmës në atë të së mundshmes. Në psikoanalizë ekziston një tezë (më vonë e zhvilluar nga filozofia politike), sipas së cilës nuk mund të shohësh gjithçka nga gjithkund. Totaliteti i situatës mund të shihet vetëm nga brenda vet situatës. Sfida kryesore këtu është të gjendet perspektiva adekuate prej së cilës do të mund t’i kuptonim specifikat e situatës.

Nga kjo perspektivë, problemi me Kosovën dhe proceset aktuale politike e ekonomike, qëndron në faktin se të gjitha këto procese janë inicuar mbi presupozimin se ekzistojnë disa rregulla të qëndrueshme në sfondin e situatës. Thënë ndryshe, proceset politike në vend, janë inicuar mbi farsën se specifikat e totalitetit të Kosovës mund të kuptohen nga perspektiva e shtetit-komb – e, që Kosova nuk është. Kjo është njëra prej arsyeve që kur kjo situatë dështon në mënyrë të vazhdueshme, si rezultat i pamundësisë së saj strukturore, ne shtyhemi dhe kthehemi prapa pothuajse në pikën e fillimit. Me këtë rast, mekanizmi ideologjik i urgjencës ri-aktivizohet, shpallen zgjedhjet e jazhtëzakonshme, ripërtrihet tregimi për destabilitet e konflikt, e kështu me rradhë. Këtu pyetja e madhe, por që nuk mund të zhvillohet në këtë tekst, është: cila është mënyra e duhur për të bërë politikë partiake në një shtet-jo-komb inkonsistent? Por, ajo që vijon më poshtë, do të jetë përpjekje për t’i diskutuar pasojat e pyetjes paraprake.

Tani që çështja e negociatave me Serbinë është shndërruar në çështjen kryesore politike dhe shoqërore në vend, koncepti i urgjencës merr kuptim tjetër. Dhe është pikërisht ky lloj i urgjencës false si përcaktuese e jetës sonë, që duhet analizuar për t’u kundërshtuar pastaj.

Të fillojmë kështu: është shumë e vështirë, pothuajse në nivel të pamundësisë, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rezultojë me ndarje të vendit në këtë konjukturë historiko-politike. Mirëpo, kjo aspak nuk nënkupton që vetëm ndarja është rrezik ekzistencial për Kosovën. Përkundrazi, përjashtimi i opsionit të ndarjes si bllof politik (ku tezat e ‘korigjimit të kufinjëve’, apo ‘shëmbimit të territoreve’ qëndrojnë si eufemizëm), është arsye e mjaftueshme për shqetësim. Në fakt, pikërisht për shkak se ndarja e vendit nuk është opsion serioz politik, ne duhet të fillojmë të shqetësohemi për situatën në të cilën ndarja është perde tymi politik.

Arsyeja pse situata politika shfaqet si shkak për shqetësim është fakti se Presidenti Hashim Thaçi e prezentoi idenë e ndarjes së vendit vetëm si blof politik. Por, në të vërtetë kjo nuk është asgjë e re – Presidenti Thaçi e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij politike duke rrëmbyer apo duke u katapultuar në projekte politike (lufta çlirimtare, deklarata e pavarësisë), ose duke krijuar probleme dhe agjenda false (sikurse negociatat me Serbinë). Në këtë kontekst, urgjenca për të hyrë në të ashtuquajturën fazë finale të dialogut me Serbinë ka disa problem e enigma.

Problemi i parë, konstituiv i gjithë këtij procesi, mund të formulohet nëpërmjet një pyetje shumë naive vet-referuese: pse gjithë kjo urgjencë për të nënshkruar një marrëvëshje politike dhe juridikisht të obligueshme me Serbinë? Ka diçka të pakuptimtë në nxitimin e Presidentit Thaçi – nëse për një moment e abstrahojmë faktin që ai shfrytëzon negociatat si levën e vetme për të mbetur në pushtet. Por, kjo nuk është asgjë e re. Kjo është tashmë pothuajse common sense. Tragjikja qëndron në faktin që një njeri, pavarësisht se kush është ai/ajo, mendon se fati i tij/saj individual është kauzalisht i ndërlidhur – apo akoma më keq: përcaktues – i fatit të kolektivitetit. Kësisoji, jeta e tyre shndërrohet në teatër të ideve të tyre dhe ekzistenca e tyre merr përmasa të Absolutit. Ky është problem i Presidentit Thaçi, por kurrsesi i vendit. Dhe sfida qëndron në këtë pikë: reduktimin dhe kufizimin e e jetës së Presidentit Thaçi përbrenda personit të Presidentit Thaçi, e jo të idesë së tij për Presidentin Thaçi.

Por, më e ndërlikuar dhe enigmatike se kjo është çështja e funksionit politik dhe ideologjik të propozimit të Presidentit Thaçi për ndarjen e vendit. Çka ka prapa serisë së propozimeve të tij për demarkim të kufirit, shkëmbimit të territoreve, ndarjes, njohjes reciproke nëpërmjet një marrëveshje juridikisht obliguese, etj? Pothuajse çdo ditë jemi të bombarduar me ide të ndryshme për dhe rreth zgjidhjes përfundimtare të problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vetëm me qëllim të maskimit dhe mistifikimit të zgjidhjes reale. Sipas të gjitha probabiliteteve, marrëveshja politike ndërmjet Presidentit Thaci dhe atij Vucic, do të jetë marrëveshje për krijimin e Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Kjo ndryshe quhet edhe “Zajednica”, apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Këtu qëndron ironia e situatës: përderisa Slobodan Milosheviq, Radovan Karadgjiq apo Ratko Mladiq¬ kanë vdekur apo janë dënuar për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit, projektet e tyre politike po vazhdojnë të implementohen. Së pari në Bosnjë e Hercegovinë, e tani edhe në Kosovë. Zgjidhja përfundimtare (përfundimi i së cilës nuk do jetë as përfundimtar, e as vendimtar) do të marr formën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por që do të jetë me fushë dhe thellësi të zgjeruar të kompetencave.

Negociatat me Serbinë nuk janë çështje e urgjencës së Kosovës dhe popullit të saj. Problemi qëndron në faktin se ne jemi zhytur në to, nga forcat dhe njerëzit që nuk kanë potencë dhe efikasitet të luftojnë që të mbeten gjallë politikisht, por që pretendojnë të kenë kontroll mbi realitetin politik. Çarja me urgjencat e imponuara mes tjerash nënkupton shfaqjen e një forme tjetër të temporalitetit që e vë në funksion një formë tjetër të racionalitetit politik e intelektual. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në konjukturën e sotme e cila mbizotërohet nga konfuzioni ideologjik, dhe ndarjeve false politike. Për fund, duhet theksuar se në këtë proces politik që nëse nuk është inicuar drejtpërdrejtë nga Vucic, atëherë definitivisht është i udhëhequr prej tij, fati i Kosovës është më i rëndësishëm se sa ai i personit Thaçi.

Rreziqet e lidhjes me Moskën…

Nga Angelo Panebianco

Një 18 prill 1948 i përmbysur? Hakmarrja e Lindjes mbi Perëndimin? Ndoshta votimet e 4 marsit të këtij viti mund të quhen e barasvlershmja – me pasoja të kundërta – e zgjedhjeve të shtatëdhjetë viteve më parë. Më 18 prill 1948 u vendos ajo që kishte mbetur pezull që nga dita e Çlirimit: përkatësia jonë ndërkombëtare. Italia u ngul në Perëndim (pasoi hyrja në Paktin atlantik, në vazhdim pjesëmarrja në procesin e integrimit europian). U hodh poshtë nga zgjedhësit përpjekja e Partisë komuniste për ta mbërthyer Vendin në Lindje, për të zhvendosur Italinë në zonën e ndikimit të BRSS, varianti ruso-bolshevik i despotizmit aziatik. Në anë të përmbysura sot Italia duket se ka arritur në pikën e vënies në diskutim të zgjedhjes pro Perëndimore të 1948, duket e gatshme të niset drejt limanesh më lindore (Rusia është në kapërcyell mes Europës dhe Azisë), duket e gatshme të përcaktojë përsëri përkatësinë e saj ndërkombëtare.

Ndoshta është e gabuar të flitet për “sovranizëm”, ndoshta “orientalizëm” do të ishte termi më i përshtatshëm për të përshkruar zgjedhjet e mundshme ndërkombëtare të kësaj qeverie. Natyrisht ka një ndryshim të madh ndërmjet 4 marsit 2018 dhe 18 prillit 1948: nuk është më bipolarizmi, dhe në Shtëpinë e Bardhë ulet një zotëri, për të cilin ndoshta nuk do të përbënte një dramë çmontimi i mundshëm i sistemit të aleancave perëndimore.

Në një botë shumë më të çoroditur, këtë herë zgjedhësit (në ndryshim me atëherë) nuk kishin ide të qarta mbi ndërlikimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të tyre të votës. Faleminderit Qiellit e ardhmja është ende e hapur, nuk është shkruar e ndoshta nuk do të ndodhë ajo së cilës i tremben shumë njerëz. Por të hamendësosh më të keqen, kur më e keqja është e mundshme, mund të ndihmojë për të kërkuar mjetet për ta shmangur. “Më e keqja” duket se lajmërohet nga lëvizjet e Di Maios dhe Salvinit që ndihen të sigurt në vetvete nga sondazhet e favorshme por edhe nga mungesa e një opozite të vërtetë. Ata përgatitin çastin në të cilin të parafolurat e vazhdueshme dhe aspak patëkeq të ministrit Paolo Savona (përfshirë dhe të fundit që ka të bëjë me rolin e mundshëm të Rusisë, sa i përket borxhit tonë) të kthehen në realitet.

Në këtë rast, orientalizëm do të thotë shtetëzim sa më shumë të jetë e mundur i ekonomisë dhe shtypje monedhe për të financuar premtimet zgjedhore verdh-jeshile, prishje me Europën dhe kërkim i një shtrati më mikpritës se ai perëndimori, shtrati rus pikërisht. Aleanca me grupin e Vishegradit duket se është një etapë e ndërmjetme, shërben për të vendosur një urë, mbas përshkimit të së cilës mund të arrihet në një ripozicionim të plotë ndërkombëtar të Italisë.

Të quash mosbesimin e tregjeve si një përbetim të pushteteve të fuqishme (Salvini), të krijosh një proces mbi Europën si ai i hapur nga Di Maio, të hysh në kundërshti me Makronin (Salvini), janë lëvizje që duket se përgatisin orën e një ndarjeje më të gjerë. Së pari nga Europa. Nëse do të arrijë çasti ynë “grek” (siç ka shkruar Paolo Mieli në këtë të përditshme, në pështjellimin mund të përfundojmë në vjeshtë) do të jetë e lehtë t’i vishet kjo gjë jo politikës së qeverisë por armiqve të jashtëm, Europës, financës ndërkombëtare etj. Deri sa në një mëngjes të bukur të zbulojmë se, gjatë natës, kemi dalë nga euro. Pasojat shkatërrimtare që ajo do të ketë mbi italianët, mbi kursimet e tyre, mbi cilësinë e jetës së tyre, do t’i vishen intrigave të fuqive të liga e të errëta.

Thënë me respekt, të mbështetet gjithçka në arsyetueshmërinë e ministrit të Ekonomisë Tria, duket një gjë të dëshpëruarish. Të kujton njërin që, i rënë nga kati i nëntë dhe i mbërritur si një plumb në lartësinë e të parit, kapet mbas fillit të teshave të ndera. Është e mundshme që dy ministrat e paangazhuar të kësaj qeverie, Tria dhe ministri i Jashtëm Moavero, të kthehen shpejt në histori e të zëvendësohen nga ekzekutues më të dëgjueshëm. Siç tregoi rasti i Che Guevarës në çastin e krijimit të të parit ekzekutiv kastrist në Kubë, nuk ka asnjë nevojë kompetencash për të bërë ministrin e Ekonomisë në një qeveri revolucionare.

Natyrisht thyerja e ngulitjes europiane do të ishte i pari i një sëre hapash. Më pas do të vinte dobësimi i lidhjeve me NATO-n dhe hyrja në zonën e ndikimit rus. Siç ka shkruar Mario Monti (Corriere, 27 gusht), e gjithë kjo do të ndodhte pa asnjë rrahje mendimesh më parë në Vend. Do të rridhnin pasoja edhe për politikën tonë në Lindjen e mesme: p.sh. rreshtim kundërizraelian, lidhje të ngushta me Iranin (Vend aleat i rusëve). Në kllapa, ka qenë largpamës ai që vendosi të ftojë përfaqësues të regjimit iranian, dalzotës i njohur i lirisë së mendimit e të fjalës, në sallonin e Librit të Torinos: është arti i të qënit i rreshtuar dhe i mbuluar, askush nuk din ta ushtrojë më mirë se një farë intelektualësh.

Kush mendon se në një prani të një skenari të tillë mënxyror, italianët do t’i përzinin qeveritarët e sotëm, ndoshta gënjen vetveten. Me një opozitë pa nerv, që sot është e aftë vetëm t’i lehë hënës, verdh-jeshilët ka mundësi të fitojnë përsëri. Ashtu sikurse në një Venezuelë të katandisur në uri vazhdojnë të fitojnë zgjedhjet përgjegjësit e asaj gjëme.

Përveç këshillës, me shaka por jo shumë, drejtuar gjithë atyre që nuk kanë simpati për qeveritarët rusë, që të mos pranojnë kurrë karamele nga të panjohur (mund të jenë me polonium), problemi me të vërtetë i rëndë ka të bëjë me të rinjtë: çfarë perspektive do të kishin të rinjtë cilësorë, ata që nuk janë të interesuar të bëhen me shpërblim shtetësie apo diçka tjetër, të varfrit, klientët e trishtuar të një Shteti në rrënim?

Kushedi, ndoshta së fundi do të tremben, nuk do të kenë guximin të zbatojnë recetat ekonomike “venezueliane”, të propozuara nga disa këshilltarë të tyre. Ndofta Tria dhe Moavero do të qëndrojnë në vendet e tyre. Mbi të gjitha, nuk do të jetë e lehtë të kalohet aftësia shumë më e fuqishme e qëndresës së Presidentit të Republikës. Edhe se, siç e kemi parë, është dikush i aftë të propozojë vënien në gjendje padije të Presidentit të Republikës me të njëjtën lehtësi me të cilën porosit një kafe.

Deri sa sondazhet do të vazhdojnë t’u japin arsye ata do të ngulmojnë. Por asgjë nuk është e përjetshme. Era mund të ndryshojë.

“Corriere della Sera”