Shqiptarët, populli ku askush nuk pyet dhe të gjithë përgjigjen

Klementin Mile

Problemi më i madh i një shoqërie është paaftësia për të ngritur pyetje. Problemet e tjera – ekonomike, juridike, politike, edukative, fetare, morale – janë dytësore në raport me të. Në fakt, këto probleme të tjera përshkallëzohen pikërisht prej kësaj paaftësie. Me këtë nuk kam parasysh ato fjalitë që mbarojnë me shenjën e pikëpyetjes, pasi ato nuk janë domosdoshmërisht pyetje.

Shkrimtari italian, Italo Calvino, ka shkruar për një lloj kodi që, sipas tij, do të orientonte mijëvjeçarin e ri. Ky kod është dallimi ndërmjet legerezza dhe pesantezza, pra ndërmjet lehtësisë dhe rëndësisë. Në kuptimin kohor, e lehta është diçka e paqëndrueshme, e ikshme, variable; ndërkohë që e rënda është e qëndrueshme, rezistuese, konstante. Në kuptimin faktik e lehta shfaqet si e papërcaktuar, si ekuivoke; ndërkohë që e rënda si e përcaktuar dhe univoke.

Referuar pyetjeve dhe përgjigjeve, mund të thuhet se pyetjet karakterizohen nga rëndësia, ndërsa përgjigjet nga lehtësia. Pyetja, që të jetë vërtet e tillë, duhet të jetë singulare, e qëndrueshme në kohë dhe e përcaktuar qartë. Nga ana tjetër, përgjigjja nuk mund të jetë veçse partikulare, e prandaj e ikshme dhe ekuivoke.

Por, a nuk është paradoksale të thuash se në Shqipëri të gjithë japin përgjigje dhe askush nuk shtron pyetje? Si mund të emërtohet ‘përgjigje’ një gjë që nuk i përgjigjet pyetjes? E, nëse nuk i përgjigjet pyetjes, për cilën gjë është përgjigje?

Megjithatë, fakti që jemi përballë një paradoksi nuk duhet të na shqetësojë, madje tregon se kemi kapur intuitën e duhur. Siç shkruan filozofi danez Kierkegaard: “Mendimtari pa paradoks është si dashnori pa ndjenjë”.

Në Shqipëri nuk ka pyetje, sepse nuk ka një shqetësim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm për gjërat që diskutohen. Sot diskutohet për këtë çështje, nesër për një tjetër dhe pasnesër janë harruar të dyja, pasi vëmendja është zhvendosur te një çështje e tretë. Mbase nuk është e rastësishme që batutën e famshme ‘çudia më e madhe tri ditë zgjat’ e gjejmë në një film shqiptar.

Aristoteli, në librin e tij për retorikën, fokusohet te konceptet ethos, logos dhe pathos. Ethos i referohet karakterit të njeriut, qëllimeve të tij të mira, qenies etike. Logos ka të bëjë me argumentin, arsyen, me aftësinë për të menduar si duhet. Pathos i referohet emocionit, pasionit për diçka. Pyetja duhet t’i ketë të tria këto, edhe ethos, edhe logos, edhe pathos. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të shqetësohesh realisht për gjënë që po pyet, do të thotë që e gjithë qenia jote po angazhohet etikisht për të kuptuar vlerën e ngjarjes apo fenomenit në fjalë. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të mendosh, të konceptosh dhe çelësh premisën e një argumenti të mundshëm. Të jesh i aftë të pyesësh do të thotë të konsumohesh emocionalisht prej pyetjes, e jo të mbetesh indiferent sikundër ndodh kur “pyesim” ‘sa bëjnë 2 + 2?’.

Prandaj, nuk arrijmë të pyesim, sepse kemi ngritur një shoqëri pa etikë, pa mendim dhe pa pasion. Këto janë elementet që e bëjnë pyetjen të rëndësishme, e bëjnë të rëndojë; janë elementet që na mbërthenin pas pyetjes, duke u përpjekur për t’i dhënë përgjigje sikur nga kjo të varej fati i jetës sonë. Dhe, në fakt, fati i jetës sonë varet nga aftësia ose paaftësia për të ngritur pyetje.

Por, ne jemi të aftë vetëm të japim përgjigje. Sigurisht, me lehtësinë tipike dhe shkathtësinë instrumentale që nuk ka asnjë lidhje me ethos, logos dhe pathos. Lehtësia e përgjigjeve tona dëshmon çorientimin shoqëror dhe individual të shqiptarëve; dëshmon ekzistencën e një shoqërie që kujton se mund të zhvillohet pa moral, pa mendim dhe pa pasion.

Në fillim të viteve ‘90 shqiptarët i shprehën aspiratat e tyre me parullën ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Por, siç u dëshmua, kjo ishte vetëm dëshirë, jo pasion. Më shumë se çerek shekulli më pas, Shqipëria, e paaftë të pyesë dhe instrumentalisht e aftë të përgjigjet, është filozofikisht po aq larg Evropës sa atëherë.

Komisioni i ri për demarkacionin, “amniston” kauzën për pushtet

Nga: Nijazi Idrizi

Kryeministri Haradinaj me të marrë mandatin e qeverisjes së vendit, me të drejtë, me prioritet e formoi komisionin e ri për rishikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi (të firmosur nga vartësi i kryeministrit Isa Mustafa, ministri i punëve të jashtme Hashim Thaçi, pas 15 takimeve të dy komisioneve larg syve të opinionit). Aty u përfshinë të gjithë kundërshtarët e zëshëm të marrëveshjes, pa dallime politike (Bulliqaj, Gruda, Berisha, Basholli, Isufi). Ky vendim është pritur nga opinioni publik, pas aktit të konfrontimit dhe goditjes me harta të kryetarit të komisionit të parë, Murat Meha.

Njohësit e mirë të kësaj fushe, formimin e komisionit të ri me këtë përbërje, e konsiderojnë si punë joserioze. Kjo për faktin se argumentet dhe provat e anëtarëve të tij tashmë janë të njohura për të gjithë dhe si të tilla, ato pos që do të vazhdojnë ta mbajnë opinionin të ndarë në dysh, nuk do të prodhojnë ndonjë rezultat, jo pse s’duan, por nuk kanë mundësi të bëjnë diçka më shumë. Po të ishte motivi serioz, për ta zgjidhur këtë problem, Kryeministri Haradinaj do të duhej të shpallte konkurs për ekspertizë ndërkombëtare, e cila e kombinuar me vendoren do të mund të ofronte ndonjë argument të ri si propozim për zgjidhje të re.

Argumentet e reja janë kusht për kontestimin e marrëveshjes dhe rinegocimi i çështjes do të ishte fare i sigurt, duke pasur parasysh edhe deklaratat e kreut të shtetit të Malit të Zi të cilët kanë deklaruar se nuk duan tokë të Kosovës.

Ka dyshime se komisioni i ri me këtë përbërje, u krijua me qëllim që të njëjtit të shpallen jo profesionist, të papërgjegjshëm dhe manipulatorë të lidershipit të disa partive politike, dhe të akuzohen se pikërisht këta janë nxitësit e kundërshtimit të marrëveshjes, duke i nxitur disa parti që atë kundërshtim ta shndërrojnë në kauzë dhe për pasoj vendin ta lënë pa liberalizim të vizave.

Këtë akt mund ta përshpejtojë deklarata e fundit e Bulliqajt dhe Isufajt të cilët dolën me idenë që ta hedhin këtë problem në Kuvend të Kosovës, me alternativa madje edhe për metodologjitë që mund të përdorën, (për të cilat ata nuk kanë as dije bazike), flet për një “tërheqje taktike” të tyre dhe i hap rrugën dyshimit për profesionalizëm.

Në një situatë të tillë, rrugë tjetër nuk ka: ose qeveria duhet të jap dorëheqje ose komisioni duhet të shkarkohet (ose dorëhiqet). Nuk ka dyshim se në një alternativë të tillë, do të ndodhë kjo e dyta!
Pas kësaj, qeveria me Kryeministrin (e zhveshur nga kauza), pritet t’iu kërkojnë falje qytetarëve për vonesën e vizave dhe bashkë me LDK-në do ta votojnë në Kuvend pa asnjë ndryshim.

Të gjitha dështimet e qeverisë së Edi Ramës, sipas Fondacionit politik gjerman

Fondacioni «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë e kancelares gjermane Angela Merkel, kritikon mungesën e rezultateve të qeverisë shqiptare në luftimin e korrupsionit. Fondacioni shprehet po ashtu i habitur se si shqiptarët i durojnë zyrtarët e korruptuar. Përballë kësaj situate shumë ekspertë nuk janë të bindur nëse Shqipëria do të llojë vitin e ardhshëm negociatat për anëtarësim në BE

Nga Enver Robelli

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përpiqet të argëtojë opinionin duke ofenduar gazetarët me fjalë të rënda, Fondacioni politik «Konrad Adenauer», i cili është i afërt me partinë e kancelares gjermane Angela Merkel, ka publikuar të premten një analizë mbi performansën e qeverisë së Tiranës.

Analiza përmban kritika të ashpra ndaj kabinetit të Edi Ramës për shkak të rezultateve të mangëta në betejën për ta bërë Shqipërinë shtet funksion. Kjo është edhe arsyeja që Shqipëria ende po pret llimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndonëse që në vitin 2014 BE i kishte dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Që nga atëherë Tirana po pret llimin e negociatave për anëtarësim dhe kryeministri Rama po tregohet gjithnjë e më nervoz në biseda me gazetarë perëndimorë për gjoja arrogancën e BE-së.

Në përgjigjet e Ramës krijohet përshtypja sikur ai mendon se BE duhet të negociojë për t’u anëtarësuar në Shqipëri dhe jo e kundërta. Qeveria e Ramës po pret Raportin e Progresit që do të publikohet në mars dhe po shpreson se BE do të hap portat për të lluar negociatat për anëtarësim. Por, sipas Fondacionit politik «Konrad Adenauer» gjasat që kjo të ndodhë me të vërtetë nuk janë të sigurta.

Një rol të rëndësishëm në marrjen e vendimit për fillimin e negociatave do ta ketë sidomos parlamenti gjerman. Në vjeshtë të vitit 2016 grupi parlamentar i partive CDU dhe CSU dërgoi një mision në Tiranë për mbledhjen e fakteve. Misioni arriti në përfundim se Shqipëria nuk ka ecur aq shumë përpara sa i përket plotësimit të pesë kritereve kyçe për llimin e negociatave dhe pritjeve të tjera sa i përket reformës zgjedhore dhe dekriminalizimit.

Reforma e drejtësisë është miratuar në korrik, por procesi i ashtuquajtur i Vettingut ende nuk ka filluar së zbatuari. Fondacioni gjerman thekson se para ose pas publikimit të Raportit të Progresit të BE-së pritet që grupi parlamentar i CDU-së dhe CSU-së të dërgojë në Shqipëri një mision të ri për mbledhjen e fakteve. Mbetet të shihet nëse të arriturat e deritanishme në Shqipëri, të cilat Fondacioni i quan modeste, do t’u mjaftojnë vendeve anëtare të BE-së për të filluar negociatat me BE-në.

Në analizën e Fondacionit kritikohet punësimi i zyrtarëve të thjeshtë shtetërorë nën ndikimin e qeverisë. Mes viteve 2013-2016 ndikimi politik i qeverisë së koalicionit kryesisht është heshtur.

Ndonëse në marrëveshjen e 18 majit she i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari Partisë Demokratike Lulzim Basha u pajtuan t’i japin fund punësimeve politike, pas zgjedhjeve parlamentare Rama, sipas Fondacionit gjerman, e quajti reformën e paralajmëruar si të papërshtatshme. «Qeveria e re edhe më tutje i ka emëruar pa konkurs zyrtarët më të lartë nëpër ministri dhe drejtorët e administratës publike», theksohet në analizë.

Reforma në drejtësi, e cila është paralajmëruar se do ta pastrojë gjyqësinë, sipas ekspertëve praktikisht është bllokuar. Komisionet për verikimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk janë ende të gatshme për të lluar punën. «Një agjenci e veçantë, e cila është themeluar për luftimin e krimit të organizuar, ende nuk është funksionale dhe aktive. Prokuroria disa herë ka dështuar të llojë hetime të rëndësishme mbi zyrtarët e lartë të korruptuar», thuhet në analizën e Fondacionit gjerman. As verikimi i pasurisë së dyshimtë të zyrtarëve të lartë nuk ka sjellë rezultatet e pritura.

«Një pjesë e madhe e zyrtarëve dhe politikanëve, të cilët dyshohen për korrupsion, ndërkohë sërish janë kthyer në funksionet e rëndësishme politike. Shumë njerëz këtë e shohin si shenjë të qartë se elitat politike tani për tani fare nuk tregojnë vullnet për t’i ndjekur personat nën dyshimin për korrupsion».

Në analizën e Fondacionit gjerman përmendet edhe kontrabanda me drogë. «Qeveria ka pranuar zyrtarisht se situata ka dalë nga kontrolli dhe mbjellja e kanabisit në vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë në 27 vitet e fundit. Të ardhurat e maes së drogës janë rritur pa masë përkundër përpjekjes së policisë për rezistencë. Ekspertët llogarisin se pjesa më e madhe e timeve të krimit të organizuar investohen në zyrtarë të lartë të korruptuar, para së gjithash në zyrtarë të policisë, në mënyrë që të gjenerohen më shumë time, për të ndikuar e zgjedhjet parlamentare dhe për të kontrolluar shumë ndërmarrje private.

Është hera e parë që nga viti 2005 që krimi i organizuar dominon diskursin publik në Shqipëri». Në analizë nënvizohet se socialistët kanë refuzuar dy herë t’ia heqin imunitetin ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për t’ua mundësuar organeve të rendit që ta arrestojnë këtë socialist të dyshuar për lidhje me një bandë të drogës që vepronte në Shqipëri dhe në Itali. Sa i përket dekriminalizimit në analizë thuhet se janë arritur disa rezultate. Si shembull përmendet se në mandatin e kaluar tre deputetë u detyruan të dorëzojnë mandatet, po ashtu kryetari i qytetit të Kavajës u hoq nga posti – «ai ishte një nga simbolet kryesore të inltrimit të krimit në politikën dhe administratën shqiptare».

Fondacioni gjerman kritikon zvarritjen e procesit të dekriminalizimit. «Është e habitshme që popullsia e pranon me aq lehtësi që partitë politike nuk i largojnë nga radhët e tyre zyrtarët e korruptuar». «Mbetet të shihet nëse në muajt e ardhshëm ndodhin gjëra vendimtare, në mënyrë që të vërehet përparim i dukshëm në kriteret kyçe dhe pritjet. (…) Qytetaret dhe qytetarët e Shqipërisë e shohin të ardhmen e vendit të tyre në BE. Gjerman ndan këtë vizion dhe e përkrah Shqipërinë në rrugën e saj. Por, çelësi për të ardhmen europiane të vendit gjendet në Shqipëri».

Ambicia e Google për të marrë drejtimin e qyteteve

Nga Jathan Sadowski – Lektor në Delft University of Technology, Hollandë

Alphabet, kompania nënë e Google, nuk vuan nga mungesa e ambicies. Filialet e saj po trajtojnë çështje që variojnë që nga automjetet autonome te shtëpitë inteligjente, inteligjenca artificiale te bioteknologjia për zgjatjen e jetës. Kështu që nuk ka pse të jetë surprizë që Alphabet ka vendosur të planifikojë, ndërtojë dhe drejtojë një qytet – ose një pjesë të një qyteti. Supriza këtu është se një qytet i madh po i jep me gëzim Alphabet një lagje të nivelit të parë, të cilën kompania mund ta konsiderojë të vetën.

Projekti i njoftuar javën e kaluar është një bashkëpunim mes Sidewalk Labs, një filial i Alphabet i orientuar drejt teknologjisë urbane, dhe Torontos. Sidewalk Labs do të ketë të drejtë që të rizhvillojë vijën bregdetare të qytetit, një zonë të quajtur Quayside. Sipas raportimeve, kjo nismë përfshin më shumë se 30 ha të hapësirës rezidenciale, asaj për zyra dhe hapësirës tregëtare, bashkë me një seli qendrore të Google Canada, në një zonë që do të jetë test për kombinimin e teknologjisë dhe urbanizimit.

Me marrjen e këtij distrikti, Alphabet do të ketë në posedim “laboratorin e tij urban të gjallë” ku mund të eksperimentojë me sisteme të reja inteligjente dhe teknika planifikuese. Mund të studiojë sesi këto sisteme dhe teknika funksionojnë në botën reale dhe sesi njerëzit afektohen prej tyre. Laboratorët urbanë Sidewalk Labs, pasi filiali është angahzuar në rizhvillimin e Hudson Yards në New York.

Por nëse zhvillimi i Torontos shkon siç është planifikuar, do të jetë një ndër shembujt më të mëdhenj të një projetki për një qytet me shërbime në bazë hi tech(smart city) në Amerikën e Veriut. Që është: një vend i ndërtuar mbi bazë teknologjish automatike në rrjet. Në këtë nismë luhet një gjë e madhe – jo vetëm për Toronton dhe Alphabet por për qytetet në mbarë botën. Me një projekt të nivelit të lartë si ky, marrëveshjet dhe dhe termat e aplikuar në këtë rast, mund të bëhen model për raste të tjera në qytete të tjera në botë.

Kryebashkiakët dhe drejtuesit e kompanive teknologjike i ngrenë në qiell laboratorët urabnë si zona të një inovacioni transformues dhe rritjeje ekonomike. Gjithësesi, ky model i krijimit të së ardhmes sonë urbane është gjithashtu një mënyrë tinzare që koorporatat e vetëqeverisura, të etura për pushtet të marrin më shumë kontroll – mbi njerëzit, vendet, politikat.

Eric Schmidt tha me rastin e njoftimit të projektit: “Zanafilla e mendimit për Sidewalk Labs erdhi nga themeluesit e Google, entuziastë të idesë se çfarë gjërash mund të bëhen nëse dikush do të na jepte ne një qytet dhe do të na ngarkonte me drejtimin e tij”.

Thjesht dhe vetëm ambicia, nuk është mëkat, por dëshira si këto duhet të nxisin dyshime dhe jo festime. Në një erë të konkurencës intensive mes qyteteve për burime, shumë prej tyre janë përqendruar në ruajtjen e një rritjeje ekonomike konstante, të ardhurave të mëdha dhe në partneritetin publik-privat. Kjo ka shndërruar drejtuesit e qyteteve që harxhojnë përherë e më shumë energji duke u vardisur ndaj sektorit të teknologjisë, mjedis investimesh dhe inovacioni.

Ata joshin kompanitë duke ofruar përfitime si rregullore më të zbutura dhe taksa më të ulëta. Ata krijojnë “ekosisteme të inovacionit”, si forume programuesish, inkubatorë apo hapësira bashkëpunimi, synimi i të cilave është tërheqja e programistëve dhe kapitalistëve me iniciativë. Distriktet digjitale, si ai që po zhvillohet nga Sidewalk Labs, janë version i një niveli tjetër i këtyre karremeve që përdoren aktualisht.

Pse të mjaftohesh me çlirim nga taksat apo kampet e kodimit kur mund të pretendosh një lagje të tërë? Vetë qyteti është kthyer në një tjetër platformë në të cilën Silicon Valley mund të ndërtojë dhe testojë teknologjitë e reja ndërkohë që nxjerr më shumë përfitime dhe rrit ndikimin e vet. Është e lehtë për drejtuesit e qyteteve që të hiqen mënjanë dhe t’u hapin rrugën teknokratëve dhe korporatave që të marrin kontrollin sikur këta të jenë alkimistët që mund të shndërrojnë problemet sociale dhe ato të stanjacionit ekonomik në progres dhe rritje.

Por qytetet nuk janë makina që mund të opimiziohen, as nuk janë laboratorët e tyre ku mund të bëhen eksperimente. Qytetet nuk janë platforma me përdorues, njësoj sikundër nuk janë biznese me aksionerë. Qytetet janë vende me njerëz të vërtetë që kanë të drejtë të refuzojnë të jetojnë me çfarëdo “zgjedhje të zgjuar” që një inxhinier apo drejtues ekzekutiv vendos të vërë në zbatim. Këto partneritete nuk mund të jenë një mënyrë që përdoret nga qeveritë e qyteteve që të heqin dorë nga përgjegjësia ndaj qytetarëve duke dorëzuar(pjesë) qytetin korporatave. Askush nuk e ka zgjedhur Alphabet apo Uber, apo ndonjë kompani tjetër me synimet drejt privatizimit të qeverisjes së qytetit.

Kur Sidewalk Labs u zgjodh për zhvillimin e Quayside, Schmidt reagoi: “Tani është radha jonë”. Një thirrje entuziaste për të dhe ogurzezë për ne.

Nuk ka dyshim se laboratorët urbanë mund të ndihmojnë në projektimin e teknologjive të fuqishme dhe të dobishme. Por ndërtimi i të ardhmes urbane mbi hi tech nuk mundet gjithashtu që të shtrojë rrugën për miliardertë e kompanive teknologjike për përmbushjen e ëndrrave të tyre për të sunduar mbi qytetet. Nëse kjo ndodh, atëhëre kjo nuk është e ardhmja ku do të donim të jetonim.

Burimi: The Guardian

Bandat e humbësve të përjetshëm

Nga Aurel Dasareti

Mallkim i rëndë, poshtërim gjithëkombëtar dhe turp që shqiptarët të gjunjëzohen para mafiozëve shqipfolës dhe pushtuesve të huaj. Me poshtërimin kombëtar, shpërbërjen e shtetit dhe mjerimin shoqëror, duhet të ketë shumë forma të patologjisë shoqërore, ndër të cilat krimi do të ishte i pari.

***
Kombi dhe vendi ndodhet para shpërbërjes. Por, këtë nuk duhet ta lejojnë patriotët shqiptarë, që kanë një zemër të ngrohtë për atdheun e tyre, Shqipërinë (natyrale), të cilën ata dëshirojnë ta çlirojnë nga armiqtë e brendshëm dhe jashtëm, demokratizojnë, zhvillojnë dhe ruajnë për pasardhësit e tyre. Në kontrast me mafiozët dhe tradhtarët të cilët edhe për krimet më të rënda “dënohen” vetëm me “arrest shtëpie”.

***
Nëse doni të dini më shumë për pisllëqet e Partisë Socialiste së Shqipërisë pyetni Partinë Demokratike, nëse doni të dini më shumë për pisllëqet e Partisë Demokratike pyetni Partinë Socialiste…

Vetëm për shkak se ti e ndryshon kryesinë e një sistemi të pistë, nuk do të thotë domosdoshmërish se ai sistem ka ndryshuar. Kjo sepse vendi (sidomos Shqipëria, Kosova dhe trojet e okupuara të FYROM-it) është kapur shumë keq nga bandë hajdutësh, kriminelësh e tradhtarësh profesionistë. Grupe të bashkuara për të bërë vjedhje dhe uzurpime të pronave shoqërore; kontrabandistësh të qenieve njerëzore, armëve dhe drogës; plaçkitje e krime; grupe gjysmë-analfabetësh, zakonisht në pushtet, që veprojnë në dëm të popullit me metoda kriminelësh e tradhtarësh.

***
Kur dikujt i është dhënë besim dhe pushtet në mënyrë të tillë ku lindin mundësitë dhe joshjet, ndërsa rreziku për marrje në përgjegjësi fundoset, atëherë rritet gjithashtu rreziku i shpërdorimit të detyrës.

Po, e duam këtë vend, prandaj jeta ju kërkon të gjeni një detyrë, gjegjësisht, të luftojmë bashkarish krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin, duke filluar nga kreu i bandës dhe përfunduar me asgjësimin e bandës.

***
Nëse të gjithë ata “politikanë” që kanë standarde të dyfishta mund t`i ndajnë me ata që nuk kanë aspak moral, atëherë bota shqiptare do të ishte një vend më i mirë për shumicën!

Partitë politike të trojeve shqiptare, janë të pa dhëmbë në premtimet e tyre kinse për të mirën e shoqërisë dhe vendit. Ato bazohen në shpresë dhe besim në vend të: do të bëjë, duhet të bëjë. Politika shqiptare është krijuar për shfrytëzuesit dhe mashtruesit.

***
“Kur një i verbër e udhëheq një të verbër, të dy bien në hendek”- më thoshte gjyshi im.

Kryeministri aktual i shtetit amë Edi Rama, duhet të pushojë së vepruari si komiku Ali duke kritikuar të gjitha partitë e tjera, ndërsa vetë dhe PS nuk kontribuojnë me asnjë pleh. Ose të largohet nga politika. Kryeministri ka mbërthyer kokën e tij në rërë gjatë gjithë këtyre viteve dhe ka kontribuar vetëm me budallallëk dhe zero veprim kur është fjala për gjithçka që i shërben vendit. Për shembull, në rastin aktual, e pengon heqjen e imunitetit për deputetin (mikun e tij Saimir Tahirin, ish ministrin e policisë) që prokuroria kërkon ta arrestoj, sipas prokurorisë, për veprat penale – të dokumentuara. Pse e bën këtë?! A thua i dhemb diçka?

Në një shkrim timin (2013): “Të luftojmë në shërbim të jetës” kam thënë:

“Duhet hequr imuniteti politikanëve sepse nuk funksionon – Keqpërdoret. Imuniteti parlamentar është një mbrojtje e një anëtari të Parlamentit (Kuvendit) kundër persekutimit të mundshëm politik nga ekzekutivi (policia).

Në vendet demokratike të gjithë njerëzit e zgjedhur në pushtet (deputetët) gëzojnë imunitet parlamentar sipas kushtetutave, përafërsisht: Asnjë anëtar i Parlamentit (Kuvendit) pa pëlqimin e parlamentit nuk mundet të ndiqet penalisht ose të burgoset, përveç nëse ai është kapur në flagrancë.

Kur policia dyshon se një deputet ka kryer një krim, i kërkon Parlamentit (Kuvendit) të heqë imunitetin para se ajo ngre një akuzë. Normalisht se Kuvendi përmbush menjëherë kërkesat e tilla, pasi kuptimi (qëllimi) i imunitetit nuk është se deputetët mundet të jenë në gjendje për të thyer ligjin pa pasoja, por vetëm për t`i mbrojtur kundër persekutimit të motivuar politikisht.”

***
Tradhtia i referohet mashtrimit ose pabesisë, veçanërisht veprave (akteve) penale të drejtuara kundër sigurisë ose pavarësisë së shtetit.

Është antiligjor Akti i sotëm i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë, që nuk lejon heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, i dyshuar nga policia si i implikuar (me familjen kriminale Habilaj) në kontrabandën e drogës dhe armëve drejtë Italisë etj.

***
Shqiptarët enden në errësirë. Disa sepse nuk shohin me sytë e tyre, disa sepse nuk shohin me mend. Shumica prej nesh, sepse nuk e shohim njëri-tjetrin.

Të vetëshpallurit “politikanë” shqipfolës brenda dhe jashtë murit të arbrit, janë të shqetësuar vetëm për të pas më tepër pushtet dhe sa më shumë të mbushin llogaritë e veta bankiere.

Ne duam një qeveri që punon për të gjithë, ndërsa secila parti shqipfolëse që gjendet në qeveri dëshiron që të gjithë të punojnë për qeverinë.

Të jesh një shqiptar gjithashtu duhet të jesh një aktor politik dhe historik. Fati ynë i përbashkët qëndron në duart tona. Është detyrë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e shoqërisë sonë. Ne nuk duhet të jemi subjekte pasive të dominimit të forcave despotike, qofshin ata të “shenjtë” ose laikë, të djathë apo të majtë, kriminel apo më pak kriminel. Dhe ne nuk duhet të jemi subjekt i fuqive historike të paarsyeshme.

***
Në botën shqiptare, pakica e të pasurve përbëhet nga një pakicë kontrabandistësh, e cila lejohet të jetë e pasur vetëm nëse në çdo aspekt është besnike ndaj komandës së faktorit dashakeq që prapa perdes vendos për fatin e vendit të tyre. Prona publike dhe shoqërore, veçanërisht në degët e gazit, naftës, turizmit etj., shpejt transformohet në private, por pronarët e vërtetë të asaj pasurie, si rregull, janë të huajt.

Përjashtimet e vetme janë ata që blenë të drejtën e pronësisë me besnikëri dhe nënshtrim të zhvendosur nga sfera e dinjitetit elementar, kombëtar dhe njerëzor. Pasuritë më të mëdha kombëtare në këto raste janë bërë pronë e të huajve dhe ata që deri më tani i kanë drejtuar ato, kanë arritur ta bëjnë këtë, në këto raste të ndryshuara, si nëpunës të kompanive të huaja në vendin e tyre.

***

Politika shqiptare gjithmonë e ka shitur interesin kombëtar për pushtet. Hynë në pushtet duke shitur interesin kombëtar dhe shesin interesin kombëtar kur u kërcënohet ndenjësja (karrige) ose burgimi

O shqiptar! Mos ik prej vendit sepse askund nuk do të gjesh më mirë se në tokën tënde, por zgjohu dhe vepro. Ti nuk mund të jesh i lirë si individ nëse ti nuk je i lirë si komb. Pastro menjëherë para oborrit tënd, dhe vazhdo më tej…

Të shpresojmë se edhe më tutje do të kemi ndihmën e mikut të vërtetë, Amerikës.

Miqtë e mirë janë engjëjt që na ngrenë lartë përsëri kur krahët tanë kanë harruar se si duhet fluturuar.

/Autori është ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike.

Rusia në betejë për të kontrolluar hapësirën kibernetike

Nga David Ignatius

Ndërhyrja kibernetike e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 u shoqërua nga ajo që ekspertët amerikanë dhe evropianë përshkruajtën si një fushatë shqetësuese e Kremlinit për të rishkruar rregullat për hapësirën kibernetike globale.

Një projekt i një propozimi rus për një “Konventë të Kombeve të Bashkuara mbi Bashkëpunimin në Luftën kundër Krimeve të Informacionit” m’u prezantua së fundmi nga një ekspert i sigurisë i cili kishte një kopje.

Dokumenti prej 54 faqesh përfshin 72 nene të propozuar, që mbulojnë mbledhjen e trafikut të internetit nga autoritetet, “kodet e sjelljes” për hapësirën kibernetike dhe “hetimet e përbashkëta” të aktiviteteve keqdashëse. Gjuha tingëllon burokratike dhe e padëmshme, por ekspertët thonë se nëse miratohet, kjo do të lejonte Rusinë të shtrydhte hapësirën kibernetike edhe më shumë.

Konventa e propozuar e Kremlinit do të rriste aftësinë e Rusisë dhe të kombeve të tjera autoritare për të kontrolluar komunikimin brenda vendeve të tyre dhe për të fituar qasje në komunikimet në vende të tjera, sipas disa ekspertëve kryesorë kibernetikë të SHBA-së.

Ata e përshkruan projektin e fundit si pjesë të shtytjes së Moskës gjatë dekadës së fundit për të formësuar arkitekturën ligjore të asaj që strategët rusë e quajnë “hapësirën e informacionit”.

Propozimi u idejua nga Kremlini në fillim të këtij viti dhe u përvijua në një artikull të 4 prillit në Kommersant. E përditëtshmja e Moskës raportoi se ministria e jashtme ruse e kishte përshkruar konventën si një përpjekje “inovative” dhe “universale” për të zëvendësuar Konventën e Budapestit të vitit 2001, e cila është nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe 55 vende të tjera, por është refuzuar nga Rusia. Kommersant tha se “autoritetet ruse panë një kërcënim për sovranitetin e vendit” në paktin e Budapestit.

Oferta e Rusisë për të rishkruar rregullat globale nëpërmjet Kombeve të Bashkuara u përputh nga një këndvështrim personal në bashkëpunimin kibernetik në korrik, nga Presidenti Vladimir Putin me Presidentin Trump, gjatë Samitit të G20 në Hamburg. Putin “i mohoi me forcë” Trump-it se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-ve, tha Trump në një cicërimë.

Trump pastaj zbuloi një propozim të fshehtë: “Putin dhe unë diskutuam për formimin e një njësie të padepërtueshme të Cyber ​​Security në mënyrë që hakimi i zgjedhjeve, dhe shumë gjëra të tjera negative, të ruhen dhe të jenë të sigurta”.

Sugjerimi i Trump që Amerika t’i bashkohet Rusisë në cyberdefense provokoi një stuhi reagimesh në Shtetet e Bashkuara. Një komentator shkroi në Twitter: “Kjo është sikur FBI t’i kërkonte mafies të formojnë së bashku një njësi kundër krimit”.

Shtëpia e Bardhë u tërhoq pas deklaratës së Trump. Këshilltari i sigurisë së brendshme Tom Bossert u tha gazetarëve më 14 korrik: “Unë nuk besoj se SHBA dhe Rusia kanë arritur ende deri në atë pikë në hapësirën kibernetike. Dhe derisa të bëjmë diçka të tillë, nuk do të kishim biseduar për partneritetin”.

Shumë ekspertë kibernetikë të SHBA-ve ndajnë pikëpamjen e Bossert se ndonëse çdo traktat formal ose partneritet me Moskën tani është i pamatur, diskutimet e qeta për ndërtimin e besimit mund të jenë të dobishme. Ato mund të përfshijnë kontaktet ndër-ushtarake ose teknike për të eksploruar mënyrën se si të shmangen ngjarjet katastrofike kibernetike që mund të dëmtojnë sistemet strategjike ose të paraqesin rrezik sistemik.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kishin mbajtur një dialog të tillë për të shqyrtuar normat për internetin, por deri më tani kanë qenë një rrugë pa drejtim. Rusët u drejtuan nga Andrey Krutskikh, një zyrtar i ministrisë së jashtme, i cili është këshilltar kibernetik i Putinit; dhe në anën amerikane, nga Christopher Painter, i cili ishte kreu kibernetik i Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Barack Obama dhe më pas koordinator kibernetik në Departamentin e Shtetit, një post të cilin ai la këtë vit.

Këto kontakte janë të ndjeshme, por ato janë zhdukur pasi marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar. Një grup pune i nivelit të lartë ndaloi së u takuari pasi Rusia pushtoi Ukrainën në 2014.

Një grup ekspertësh qeveritarë të sponsorizuar nga OKB mbi Sigurinë e Informacionit u shkri në qershor pasi nuk arritën konsensus mbi masat për përmirësimin e sigurisë së informacionit. Propozimi bilateral i Putinit në Hamburg u zhduk shpejt pas miratimit të parakohshëm të Trump.

Rusët, ndërkohë, vazhdojnë fushatën e tyre për të rregulluar hapësirën kibernetike sipas kushteve të tyre, duke mobilizuar aleatët për të mbështetur alternativat e tyre ndaj konventës së Budapestit; Ankesa më e madhe e Moskës është se kuadri i Budapestit, në nenin 32 (b), lejon pronarët e të dhënave të kontrollojnë përdorimin e tyre, në vend të qeverive. Moska dëshiron kontroll shtetëror të informacionit.

Rusia mori një mbështetje globale për përpjekjet e saj në një mbledhje të shtatorit në Xiamen të Kinës, të të ashtuquajturve vende të BRICS: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.

Në deklaratën e tyre zyrtare, vendet “e njohin nevojën për një instrument universal detyrues rregullator për luftimin e përdorimit kriminal të TIK-ve [teknologjive të informacionit dhe komunikimit] nën patronazhin e OKB-së”. Vendet “e mirëpresin iniciativën” e Rusisë në kërkimin e një pakti të tillë obligues.

Nëse ngjarjet e vitit të kaluar na kanë mësuar diçka, kjo është se Rusia e sheh informacionin si një armë vendimtare politike dhe dëshiron të kontrollojë këtë hapësirë të mundshme beteje.

Ana rregullatore globale e kësaj gare nuk merr shumë vëmendje, por mund të ndihmojë në përcaktimin nëse kanalet e hapura të informacionit do të mbijetojnë në epokën e autokratëve./The Washington Post – Lexo.al/

Ngjitja e Kinës: Versioni 2.0

Nga Jin Kai /The Diplomat

Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze po tërheq vëmendje nga e gjithë bota. Sipas mediave kineze, nga një numër i përgjithshëm prej 3,068 gazetarësh të regjistruar, 1,818 (pothuajse 60 përqind) janë nga mediat e huaja. Gjatë konferencës, shumë vëmendje i është kushtuar jo vetëm asaj që Kina ka arritur në pesë vitet e fundit, por veçanërisht panoramës që ofrohet për të ardhmen.

Raporti i punimeve, i cili u shpërnda në ceremoninë e hapjes më 18 tetor nga Sekretari i Përgjithshëm i PKK, Xi Jinping, paralajmëron fillimin e një “epoke të re” për Kinën. Si një fjalë e re kyçe, “epoka e re” sinjalizon një fillim të ri, për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës. Në fakt, pas 40 vitesh shfaqjeje të vazhdueshme, rritja e Kinës është vërtet në pragun e një epoke të re, ose siç e thotë raporti, “një moment i ri historik në zhvillimin e Kinës”.

Duke parë pas në kohë ngjitjen madhështore të Kinës që nga fundi i viteve 1970, vazhdimësia e strategjive dhe politikave kombëtare të zhvillimit, të hartuara nga një udhëheqje e fortë dhe efektive, kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Investimet masive dhe të vazhdueshme janë orientuar në fusha vendimtare si infrastruktura, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, që do të vazhdojë të lehtësojë kinezët si komb, për të realizuar ëndrrën e tyre për rimëkëmbje. Sot, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, dhe është gjithashtu në krye të shumë inovacioneve moderne të jetesës, si ndarja e biçikletave, pagesat përmes celularëve dhe hekurudhat e shpejtësisë së lartë. Kina është gjithashtu një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm në çështjet politike dhe ekonomike botërore.

Këto janë vetëm disa nga pikat kryesore, në atë që unë e quaj Rritja e Kinës, versioni 1.0. Hyrja në një “epokë të re” në zhvillimin e Kinës, me të vërtetë do të thotë një rritje e fortë në shkallë, për atë zhvillim tashmë 40 vjeçar. Për mendimin tim, ky kapërcim ka dy shtresa me rëndësi. Së brendshmi, politikat në “epokën e re” do të vazhdojnë të përsosin dhe rinovojnë zhvillimin e Kinës, me karakteristikat e veta. Ndërkohë, në lidhje me angazhimet ndërkombëtare të Kinës dhe rolin e saj në sistemin botëror që po ndryshon, duhet të ketë disa ndryshime apo përmirësime të rëndësishme në rritjen e Kinës, versioni 2.0. Për shembull, mund të presim që zhvillimi i Kinës të përqendrohet më shumë në proceset e “ndërtimit të komuniteteve”. Kjo do të ketë një domethënie të gjerë rajonale dhe globale, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Prandaj, ajo që më intereson më shumë për këtë “epokë të re”, është roli që Kina do të ndërmarrë në sistemin botëror në ndryshim, dhe sidomos qasja përmes së cilës kinezët do të përpiqen ta kuptojnë atë rol. Në fakt, Kina ka qenë një përfituese e sistemit ekonomik botëror ekzistues, dhe arritjet e mëdha ekonomike të Kinës, vështirë se mund të realizoheshin pa pjesëmarrjen e saj në globalizimin e iniciuar nga Perëndimi. Në njëfarë kuptimi, Kina ka qenë një “marrës”, që tani gjithashtu synon të veprojë si “dhënës” ose “kontribues”, ndaj rendit global.

Bota po përballet me probleme dhe çështje kronike të ndryshme, dhe ka pasur një tendencë “deglobalizimi”, veçanërisht në Perëndim. Në të ardhmen, mund të presim që Kina të marrë një rol më aktiv në qeverisjen globale, duke sugjeruar dhe ofruar zgjidhje më të përshtatshme dhe më të zbatueshme. Në përgjithësi, kjo nënkupton “vetëperceptimin” e ri të Kinës në sistemin botëror.

Një tjetër çështje kyçe është se si Kina do të garantojë paqësisht, rritjen e saj të mëtejshme. Një “koherencë e bazuar në rregulla”, e cila mund të kuptohet si një lloj i ri lidhjesh mes vendeve, në një kuptim më praktik, mund të jetë e vlefshme.

Ndërsa rritja e Kinës vazhdon, ajo duhet dhe do të bëjë rregulla të reja, por definitivisht nuk duhet ta bëjë këtë në një mënyrë që është e njëanshme, arbitrare ose përjashtuese. Unë besoj se ky parakusht është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm në rritjen e Kinës, versioni 2.0. / Në shqip nga bota.al

Fantazmat e korridoreve demonizuese

Portale pa emër, pa identitet, me misione mirë të caktuara, po atakojnë, gazetarë që lirshëm dhe pa komplekse shfaqin mendimin e tyre, shfaqin observimin e tyre mbi kombinatorikat politike dhe zgjedhore

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Pasi ndodhin gjithë intrigat, në korridoret e pabesisë, aty ku ka vetëm fantazma dhe shpata që ngulën tinëzisisht, ka një moment te kryevepra e Shekspirtit, një moment kur Hamleti klith: shfaqu. Ai e kërkon përballjen me fantazmat e munguara, me gjithë atë botë prej hiçi që vërdalliset dhe nuk shfaqet për njëqind arsye.

Ka një ngjashmëri mes kësaj situate dhe ambientit tonë politik dhe mediatik kohëve të fundit, sidomos gjatë këtij cikli zgjedhor. Portale pa emër, pa identitet, me misione mirë të caktuara, po atakojnë, gazetarë që lirshëm dhe pa komplekse shfaqin mendimin e tyre, shfaqin observimin e tyre mbi kombinatorikat politike dhe zgjedhore.

Po i atakojnë ata që janë në skenën publike me emër dhe mbiemër dhe me intepretimin e tyre autentik, pa u fshehur, duke zgjedhur rrugën e lirisë së mendimit dhe të pjesëmarrjes në debat pavarësisht nëse dikush tjetër mund të mos pajtohet dhe njësoj mund të shfaq argumente tjera.
Por, jo gjithsecili sferën publike, hapësirën e mendimit e kupton si debat, si përplasje idesh, argumentesh dhe vlerësimesh.

Ka nga ata që e kanë marrë në dorë “shpatën e demonizimit” dhe e tundin me yrishe, me logjikë njëmendësie dhe damkosjeje. Ata nuk shfaqen, por rrinë kruspull përpara ekraneve dhe gjuajnë mendimin publik, mendimin ndryshe, duke shpifur dhe duke ndërtuar storie demonizuese dhe asgjësuese.
Janë të paemër dhe të pafytyrë, janë copa terri që nuk dallohen, sepse lëvizin korridoreve si fantazma, duke ndjekur “viktimat” dhe duke sajuar histori perverse për egot e tyre.

Ashtu siç janë fantazma të mirëushqyera tabori, me çdo kusht kërkojnë që edhe të tjerët t’i zhvendosin në tabor, sepse mendojnë se kështu e kanë sosur misionin e tyre. Këtë rol kanë, të krijojnë tabore të paqena, të krijojnë iluzionin se edhe ky që shfaqet në skenën publike është njësoj si ata, si terri i tyre, si guva e pabesë e goditjes.

Dhe, mbërrijmë kështu te momenti i Hamletit. Shfaquni, sepse skena kërkon emër dhe mbiemër, jo adresa. Shfaquni, dhe lirshëm shprehni mendimin tuaj, qoftë ai edhe më i egri, sepse vetëm kështu bëheni pjesë e sferës publike, e normalitetit dhe jo e korridoreve fantazmogorike.

Sepse pavarësisht nga çdo kundërshti, nga çdo përplasje, njeriu ndjen përulje dhe konsideratë të pafundme kur përballë ka një emër, një fytyrë, një mendim ndryshe, sepse ai është i denjë për ballafaqim, i denjë për të qëndruar në hapësirën publike, në hapësirën e lirisë.
E kundërta është me ata që nuk shfaqen, që janë adresa, që janë e panjohur e frikshme demonizuese. Njeriu ndjen thellësisht neveri!

Të habitur në qorrsokak

Një entuziazëm i lehtë e kaploi botën shqiptare pasi nobelistja gjermane Herta Müller në Beograd ua përmendi serbëve të kaluarën e errët. Fakti se si shoqëri shqiptare me dy shtete nuk kemi qenë në gjendje të sjellim kurrë në viset tona një autore si Müller flet shumë për djerrinën tonë kulturore. Neve na mjafton përkëdhelja e ndërsjellë provinciale

Nga Enver ROBELLI

I.
I keni parë kokat e kombit? Universiteti i T. nderon me titullin «honoris causa» filan personalitetin, pastaj Universiteti në P. e nderon presidentin e Sh. me titullin «honoris causa», mandej bëhen bashkë udhëheqësit e tri universiteteve provinciale shqiptare (nga K., M., Sh.), zënë vend në një hotel buzë detit në D. dhe i tregojnë botës se kanë organizuar një «konferencë shkencore ndërkombëtare». Pak a shumë ngjashëm shkojnë punët edhe me çmime letrare. «Ata andej» na «nderojnë neve këndej», pastaj, meqë «jemi një», «vëllezër e motra», edhe ne ua kthejmë me po aq dashamirësi – me çmime, mirënjohje dhe «honoris causa». Kështu jemi të kënaqur të gjithë, sepse gjendemi brenda arealit tonë provincial. Po të kapërcenim gardhin, do të duhej të mateshim me vlera të tjera. Një shoqëri nuk ka ecur kurrë përpara në garë mes lagjeve e mëhallëve.

II.
Këto ditë një entuziazëm i lehtë e kaploi botën shqiptare pasi nobelistja gjermane Herta Müller në Beograd ua përmendi serbëve të kaluarën e errët. Fakti se si shoqëri shqiptare me dy shtete nuk kemi qenë në gjendje të sjellim kurrë në viset tona një autore si Müller flet shumë për djerrinën tonë kulturore. Neve na mjafton përkëdhelja e ndërsjellë provinciale. Serbia, tha Müller, i ka shkaktuar vetes dëm dhe qytetarët e saj duhet të jetojnë me të vërtetën se ata vetë i kanë shkaktuar vuajtje vetes. Müller qëndroi në Beograd në kuadër të Panairit të Librit. Jo vetëm tani shtrohet pyetja: kush merr pjesë nga figurat prominente në panairet tona të librit? Nuk duhet të godasim veten me kamxhik, kjo nuk është rruga e duhur, por gjithsesi duhet pyetur: çfarë kemi bërë e po bëjmë për të braktisur shkretëtirën tonë kulturore të reduktuar në rrahje supesh mes gjenive të kombit nga P. dhe T.

Në Beograd Müller u ballafaqua me pyetje agresive mbi përkrahjen e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999. Por, me sa duket publiku i kryeqytetit serb e ka nënçmuar stoicizmin e autores gjermane. Ajo tha se ndërhyrja ushtarake është «pozicion njerëzor dhe moral», kur bëhet përpjekje që njëra palë të humb gjithçka dhe të mposhtet nga pala tjetër. Müller nuk kishte nevojë të theksonte më shumë se çfarë po mendonte, ishte e qartë: më 1999 synimi i Serbisë ishte shfarosja e një populli dhe për këtë arsye ndërhyri bashkësia ndërkombëtare perëndimore. Sepse, siç tha Müller, njerëzit që sulmohen duhet të kenë përkrahje nga jashtë nëse vetë s’mund të mbrohen nga një fuqi më e madhe. «Nuk jam pacifiste», nënvizoi Müller.

«Kush zhvillon katër luftëra brenda nëntë viteve dhe në mënyrë pragmatike ndërton varreza si qytete, ai s’mund të ndalet me fjalë. Do të isha e lumtur nëse NATO do të hynte në Rumani, por kjo s’ndodhi dhe rumunët luftuan kundër rumunëve për t’i dhënë fund Çausheskut». Kështu ka shkruar Müller gjatë luftës së Kosovës dhe me këtë citat ajo u ballafaqua në Beograd nga një gazetar gjerman që moderoi takimin me të. «Njëjtë mendoj edhe sot. Shumë gjëra kanë ndodhur. Kosovës dhe Bosnjës u janë shkaktuar shumë të këqija. Ishte nacionalizmi i pështirë që i bëri këto. Kam qenë e tronditur. Nuk e kam pritur nga një vend si Jugosllavia, e cila për ne ishte gjysmëparajsë, që brenda tij të shpërthejë nacionalizmi. Por, ky vend i ka bërë vetit dëm dhe i ka shkaktuar vuajtje. Serbët i kanë shkaktuar vetes të keqen».

III.
Herta Müller u lind në vitin 1953 në një fshat në trevën e Banatit në Rumani. Ajo është pjesëtare e pakicës gjermane të Rumanisë, prej nga u largua në vitin 1987. Por, nga Rumania nuk arriti të shkëputet kurrë: represioni brutal i regjimit komunist dhe presioni e përcjellja nga ana e shërbimit sekret e kanë bërë këtë autore shumë të vetëdijshme mbi sistemet diktatoriale dhe rrezikun që buron prej tyre. Më 2009 Müller u nderua me çmimin Nobel për Letërsi për veprën e saj shpeshherë tronditëse mbi njeriun që synon të mbijetojë brenda aparatit të terrorit. Në vitin 1999 kishte shkrimtarë gjermanë si Martin Walser, për shembull, i cili në lidhje me luftën e Kosovës thoshte: «Një politikë që çon në luftë, duhet të ketë qenë politikë krejtësisht e gabuar. Lufta nuk fitohet, madje kjo luftë assesi – ashtu siç nuk u fitua lufta e Vietnamit».

Krejt ndryshe mendonin shkrimtarë të gjeneratës së re, ta zëmë Durs Grünbein: «Nuk duhet të jesh idealist për të parë se bomba mund të jetë mjet edukimi, siç e dimë nga Gjermania. Atje një popullsie jashtëzakonisht kryeneçe nacionalizmi iu shkul si një dhëmb i kalbur». Fiset që s’marrin vesh duhet të edukohen nga jashtë – kështu mendonte Grünbein. Serbisë nuk i është shkulur ende nacionalizmi, por së paku ish-radikalët e dikurshëm nuk po guxojnë të çirren publikisht se do t’ua nxjerrin sytë kroatëve me lugë të ndryshkur dhe shqiptarët do t’i përzënë matanë Bjeshkëve të Nemuna.

IV.
Ka gjermanë që edhe sot me ton vetëqortues thonë se pas Hitlerit më 1999 një kancelar tjetër gjerman bombardoi Beogradin. Të tillëve Müller u ka dhënë një përgjigje që në vitin 1999: «Nuk e kuptoj qëndrimin arrogant ndaj NATO-s, të cilin e demonstrojnë plot njerëz. Deri më 1987 kam jetuar në Temishvar të Rumanisë, dy orë rrugë larg Beogradit dhe me vite kam mundur të shoh televizionin jugosllav. Që atëherë vazhdimisht kishte trazira në Kosovë, të cilat shtypeshin me polici dhe ushtri. Pas luftërave në Kroaci dhe Bosnjë radha i erdhi Kosovës, së shpejti i vjen radha Malit të Zi. Millosheviqi duhet të ndalet tash njëherë e përgjithmonë. Atë njeri e ka zënë dalldia. Nuk pritet realizëm prej tij. Ai po e tërheq popullin e tij në kohën e gurit për të ruajtur pushtetin. Shpresoj që karriera e tij të përfundojë para Tribunalit të Krimeve të Luftës».

V.
Me këtë kompas moral Müller qëndroi në Beograd, tha atë që mendon, nuk u pajtua me bashkëbiseduesit e saj dhe vazhdoi rrugën për në Gjermani. Pas mbetën disa serbë të zemëruar me një shkrimtare, e cila nuk i tradhton vlerat humane dhe me përbuzje shikon kolegët e saj në «Francuska 7», selia e Shoqatës famëkeqe të Shkrimtarëve të Serbisë. Me pak vonesë për debatin e nobelistes Müller mësoi edhe opinioni shqiptar. I habitur në qorrsokak ky opinion mbetet i shkëputur nga debatet e rëndësishme. Nuk është se shteti nuk ka buxhet për të organizuar ndonjë aktivitet kulturor, ndonjë debat të hairit, për të ftuar ndonjë personalitet të rangut ndërkombëtar. Problemi është te injoranca, te bindja se kështu, mes filxhanit të kafesë dhe fantazmave tona, jemi krejtësisht në rregull. Lufta ka mbaruar dhe ardhmërinë po e presim të vijë një ditë.

Sulmuesit përbrenda Evropës

Evropa më së fundmi duket se e ka lënë pas krizën e vet ekonomike shumëvjeçare, por ajo mbetet e pazgjidhur. Për çdo arsye për optimizëm, duket se ka gjithnjë një shkak për shqetësim

Në qershor 2016, një shumicë e ngushtë votuesish britanikë zgjodhën nostalgjinë për të shkuarën e shekullit XIX ndaj çfarëdo premtimi që mund të ketë shekulli XXI. Ndaj ata vendosën të hidhen nga një humnerë në emër të “sovranitetit”. Ka shumë prova që sugjerojnë se Mbretërinë e Bashkuar e pret një largim i vështirë. Një cinik do të theksonte se do të duhej një “sovranitet” që funksionon siç duhet për të pakësuar impaktin.

Në Spanjë, qeveria e rajonit autonom Katalunjës po kërkon gjithashtu sovranitet. Por, qeveria aktuale spanjolle nuk po persekuton, burgos, torturon dhe ekzekuton popullin e Katalunjës, siç bëri dikur diktatura e gjeneralit Françisko Franko. Spanja është një demokraci e qëndrueshme dhe një anëtare e Bashkimit Evropian, eurozonës dhe NATO-s. Prej dekadash ka ruajtur sundimin e ligjit sipas një kushtetute demokratike që është negociuar nga të gjitha partitë dhe rajonet, përfshirë Katalunjën.

Më 1 tetor, qeveria katalane mbajti një referendum pavarësie ku më pak se gjysma – disa vlerësime thonë një e treta – e popullatës së rajonit mori pjesë. Nga standardet e BE-së dhe OSBE-së, votimi nuk mund të pranohej kurrë si “i lirë dhe i ndershëm”. Përveçse është ilegal nga kushtetuta spanjolle, referendumi nuk kishte as një regjistër votimi për të përcaktuar se kush mund të merrte pjesë.

Referendumi ‘alternativë’ i Katalunjës tërhoqi një goditje nga qeveria e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, i cili ndërhyri për të mbyllur qendrat e votimit dhe për të penguar votuesit. Kjo rezultoi të ishte një marrëzi e nivelit të lartë, sepse imazhet e policisë duke u përballur me protestues të paarmatosur i dhanë një legjitimitet separatistëve. Asnjë demokraci nuk mund të fitojë në këtë lloj konflikti. Dhe në rastin e Spanjës, mësymja krijoi imazhe që i ngjanin luftës civile 1936-1939 të vendit – traumës më të madhe historike sot e kësaj dite për Spanjën.

Që Katalunja të arrijë pavarësi, duhet të gjejë një mënyrë që nuk përfshin Spanjën apo BE-në. Spanja, me mbështetjen e shumë shteteve të tjera anëtare që shqetësohen për lëvizjet pasuese brenda tyre, do të bllokojë çdo përpjekje katalane për anëtarësi në BE apo eurozonë. Pa anëtarësi në tregun e përbashkët evropian, Katalunja do të përballej me perspektivë të errët të transformimit nga një ekonomi në lëvizje në një vend të varfër dhe të izoluar.

Por pavarësia për Katalunjën do të ofronte një problem fondamental për Evropën gjithashtu. Si fillim, askush nuk do të përsëritet një ndarje e Jugosllavisë, për arsye të qarta. Por, më tepër, BE-ja nuk mund të tolerojë shpërbërjen e shteteve anëtare, sepse këto shtete përbëjnë thelbin e saj.

BE-ja është një lidhje e shteteve, jo rajoneve. Megjithëse rajonet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në BE, ato nuk mund të jenë një alternativë për shtetet anëtare. Nëse Katalunja do të vinte një precedent të ndarjes, duke inkurajuar rajone të tjera të pasojnë këtë, BE-ja do të hynte në një krizë të thellë ekzistenciale. Në fakt, dikush mund të argumentojë se asgjë më pak se e ardhmja e BE-së nuk vihet në rrezik në Katalunjë sot.

Për më tepër, synimi origjinal i BE-së ishte të tejkaloheshin problemet e shteteve duke integruar – e kundërta e ndarjes. Ajo supozohej të kalonte sistemin e shtetit që kishte rezultuar aq shkatërrimtar në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Për shembull, Irlanda e Veriut, që rezultoi të ishte një shembull perfekt se si integrimi mund të tejkalojë kufijtë kombëtarë të BE-së, të ndërtojë ura mbi përçarjet historike dhe të sigurojë paqe dhe stabilitet. E njëjta gjë mund të thuhet për Katalunjën, që në fund të fundit ia ka borxh të gjithë suksesin ekonomik pranimit të Spanjës në BE në vitin 1986.

Do të ishte historikisht absurde që shtetet anëtare të BE-së të hynë në një fazë përçarje dhe disintegrimi në shekullin XXI. Përmasat e mëdha të aktorëve të tjerë globalë – Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara – e kanë bërë më të nevojshme integrimin më të thellë evropian dhe atë të marrëdhënieve ndërkomunitare.

Shpresojmë që arsyetimi të prevalojë, veçanërisht në Barcelonë, por edhe në Madrid. Një Spanjë demokratike e paprekur është shumë e rëndësishme për t’u vënë në rrezik nga mosmarrëveshjet për alokimin e të ardhurave nga taksat mes rajoneve të vendit. Nuk ka alternativë përveç që dy anët të negociojë dhe të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme për të dyja që i përshtatet kushtetutës spanjolle, parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit.

Eksperiencat e miqve dhe aleatëve të Spanjës mund të jenë ndihmuese këtu. Gjermania, ashtu si Spanja është e organizuar si federatë. Megjithatë edhe në Gjermani, asgjë nuk është aq e vështirë sa negociatat për transfertat fiskale brenda qeverisë federale dhe shteteve individuale – mes rajoneve më të pasura dhe më të varfra. Por një marrëveshje mund të arrihet gjithnjë me kalimin e kohës dhe qëndron derisa të ngrihen të tjera mosmarrëveshje që sjellin negociata të reja.

Sigurisht, paraja është e rëndësishme. Por nuk është aq e rëndësishme sa angazhimi i përbashkët i evropianëve ndaj lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Begatia e Evropës varet nga paqja dhe stabiliteti, dhe paqja dhe stabiliteti në Evropë varen së pari dhe më e rëndësishmja nga fakti nëse evropianët do të luftojnë për këto vlera.