Ben Andoni: Çfarë po ndodh në Kosovë…

Nga Ben Andoni

Refuzimi i vizës nga SHBA për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj ishte një prej temave të emisionit “JAVA” në RTSH. I ftuar në studio ishte gazetari Ben Andoni, njohës i çështjeve rajonale. Në analizën e bërë, gazetari Andoni e shikon refuzimin e vizës si një përgjigje të SHBA-së lidhur me qëndrimet e Haradinajt kundër Gjykatës Speciale.

“Paradoksi i vetëm ishte se 1 vit më përpara kur Haradinaj bënte betejën ligjore në Francë, familjes së tij i ishte akorduar viza për në SHBA. Për problemin e Kosovës, ka një lloj relacioni. Nga pala serbe përfaqësohet minsitri i jashtëm, nga Kosova ambasadorja.

SHBA prej muajsh kanë humbur besimin me zhvillimet në Kosovë. Qëndrimi amerikan është dhënë përmes ambasdorit Delaëi, që ka qenë i ashpër. Ka qenë e papritur për atë investim të SHBA që pala kosovare, shteti kosovar që është investim i Amerikës të bënte këtë manovrim sa i takon Gjykatës Speciale”, tha Andoni në “JAVA”.

Më tej gazetari Ben Andoni deklaroi se SHBA është zhgënjyer nga faktori politik edhe me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Problemi i madh në Kosovë ëhstë përçarja e madhe e faktorit politik, dhe pamaturia. Kosova po përballet me problemet direkte. Kosova ka bërë veprime të pamatura mjaft të gabuara. Pa konsultuar demarakacionin i dha viston palës malazeze, në kohën kur duhej pasur një vendim nga parlamentet. U bë në Malin e Zi por nuk u bë në Kosovë. Në Kosovë ka ngelur komplet e bllokuar. Të gjitha këto kanë qenë investim i SHBA pasi hartat kadastrale kanë qenë të njohura gjatë luftës”, tha ai.

Tre liderët të mërkurën kontrabandojnë shfuqizimin e Speciales në Kryesi të Kuvendit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, po tentojnë ta përsërisin natën e 22 dhjetorit, që ta kontrabandojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale. As thirrjet e Uashingtonit, sikurse edhe sot të Brukselit, nuk ia kanë ndërruar mendjen liderëve që ta ndalin nismën e tyre

Gazeta Express e ka siguruar dokumentin dhe të gjitha pikat e rendit të ditës për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila ishte paraparë të mbahej të hënën, por që e njëjta u vendosë të shtyhet për të mërkurën.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku pritej të shqyrtohej përsëri futja në rend të ditës e shfuqizimit të Gjykatës Speciale ishte caktuar të mbahet më 15 janar, por tani, e njëjta është shtyrë më 17 janar.

Megjithatë, drama e 22 dhjetorit do të vazhdojë. Tre liderët kosovarë nuk janë zmbrapsur nga nisma e para tre javësh kur tentuan që përmes një seance të jashtëzakonshme të hedhin në votim shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Pamundësia për kuorum në dy mbledhjet e Kryesisë së asaj nate, e dështuan këtë iniciativë.

Sido që të jetë, duket se i njëjti skenar do të ndodh edhe të mërkurën, ani pse në plan ishte që ajo të shqyrtohej të hënën.

Tentimin e liderëve që Specialja të futej në rend dite të hënën, e ka konfirmuar për Express, edhe shefi i Grupit Parlamentar i LDK’së Avdullah Hoti në një prononcim për Gazetën Express të premten. Tha se kjo është e vërtetë, por që qëndrimi i LDK’së për këtë gjykatë tashmë është i ditur.

“Qëndrimi i LDK-se është i qartë. Kërkesa e miqve tanë ndërkombëtarë është e qartë, përfshirë edhe rekomandimin nga dy të dërguarit special të Francës dhe Gjermanisë ditën e enjte”, është shprehur Hoti për Express.

Kryesisë së Kuvendi i duhet shumica e votave të anëtarëve të saj në mënyrë që të votojë për miratimin e një pike të rendit të ditës.

Dy herë radhazi, Kryesia dështoi javë më parë, për të futur në rend ditë një pikë të caktuar, pra Ligjin për Specialen.

Avdullah Hoti nuk tregon se çfarë do të bëjë LDK kur kjo gjykatë të jetë pikë e rendit të ditës. Tha se atë ditë edhe do të vendosin se si do të veprojnë.

Kurse nga Qeveria e Kosovës mohojnë se qëndrojnë mbrapa inicimit të këtij Ligji për të mërkurën. Avni Arifi, nga kabineti i Kryeministrit Haradinaj, ka thënë se prej tyre nuk është marrë kjo nismë.

“Qeveria nuk ka iniciative të tillë. Është mire me ju drejtu kuvendit në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Arifi.

Kuvendi i Kosovës, sot gjatë ditës e ka lëshuar agjendën për ditën e hënë, pra 15 janar, dhe pikat e rendit të ditës që do të shqyrtohen aty. Por, nuk e kanë bërë publike pjesën kur në rend dite do të futet edhe Specialja.

Gazeta Express e ka siguruar të gjithë agjendën dhe pikat tjera që ishin planifikuar të jenë pjesë e mbledhjes së kryesisë për 15 janar.

Ramush Haradinaj ditë më parë e ka hequr barrën nga vetja duke thënë se një vendim i tillë u takon deputetëve të vendosin, derisa presidenti Thaçi qartazi shprehet kundër Speciales. Në vazhdimësi e ka potencuar se me këtë gjykatë i është bërë padrejtësi Kosovës.

Pak më i tërhequr është shfaqur të jetë kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili përmes një kolumne rreth zhvillimeve për Specialen tha se kjo gjykatë është e pashmangshme dhe nuk mund të ndalohet.

Ndërkohë, sot deputetët e Kuvendit dhe tre liderët kanë marrë një kërcënim të ri ndaj kësaj iniciative. Atyre u kanë reaguar Zyra e BE-së dhe misionet diplomatike të vendeve anëtare të BE’së që përfaqësohen në Kosovë./GazetaExpress/

I apostrofuari për vrasjet e aktivistëve të LDK-së akuzon Hashim Thaçin

Ibrahim Kelmendi ka thënë se dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, Shkumbin Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin

Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Shkumbin Mehmeti akuzoi dje vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi si persona që organizuan vrasjet e eksponentëve politikë të LDK-së, në mesin e të cilëve edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt dhe Tahir Zemajt.

Por këto akuza i ka quajtur të vjetruara i apostrofuari nga Mehmeti, Ibrahim Kelmendi. Në një intervistë me shkrim për Kohavisionin, ai ka thënë se Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Kelmendi akuzon Presidentin e Kosovës se e ka “nën kontroll” dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Dyshoj se po komandohet dhe po shpërdorohet përmes kuadrove policore, që janë në shërbim të Xhavit Halitit e Hashim Thaçit, respektivisht Serbisë”, ka thënë ai.

Por Kelmendi thotë se gjithmonë ka qenë kundër vrasjes së shqiptarëve, sepse po të kishte mendësi ushtarake, Zemajn do ta vriste gjatë luftës.

“Për vrasjen e Tahir Zemajt, po të kisha pasur mendësi profesionale ushtarake, do ta kisha vrarë gjatë luftës, për ta penguar diversionin e tij kundër luftës çlirimtare, por nuk e kam pasur atë mendësi. Ndërsa për herë kam qenë kundër vrasjeve klandestine të shqiptarëve, me mendim se ato dëmtojnë luftën çlirimtare dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës dhe jo se më janë dhimbsur kriminelë të rangut Tahir Zemaj. Për bindjen time të atëhershme dhe të tanishme, ato vrasje duhet t’i ketë bërë shërbimi përkatës i Serbisë”, ka deklaruar Kelmendi për KTV-në.

Cili është Skënderbeu? 50 faktet interesante nga jeta e heroit të madh

Më 17 janar mbushen 550 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar të kombit shqiptar. Ndërkohë që qeveria shqiptare e ka shopallur vititn 2018 vitin e Skënderbeut

Nga Roland Qafoku

Po cili është Skënderbeu? Cila ka qenë jeta dhe veprimtaria e tij? Përse Skënderbeu u shndërrua në pikën referuese të shqiptarëve gjatë Rilindjes dhe përse edhe sot ai mbetet krenaria më e madhe e shqiptarëve? Përse bota dhe sidomos evropa e krishterë e vlerëson atë si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të qytetërimit të krishterë?

Gazetari Roland Qafoku, publikoi dje në emisionin “Debati në Channel One”, 50 fakte nga jeta e Skënderbeut.

1. Gjergj Kastriot Skënderbeu mban titullin “Hero i Kombit Shqiptar”, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar.

2. Gjergj Kastriot Skënderbeu lindi më 6 maj të vitit 1405. Për vendlindjen e tij ka dy versione. I pari në Dibër dhe i dyti në Mat. Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468 në Lezhë. Ai jetoi 62 vjet, 7 muaj e 11 ditë.

3. Për 25 vjet Gjergj Kastriot Skënderbeu mbajti të papushtuar Arbërinë nga ushtria osmane që e sulmoi atë dhjetra herë duke u bërë mbrojtës jo vetëm i kësaj toke por edhe i krishtërimit në Evropë.

4. Për shkak se Skënderbeu u bë diga, mbrojtja dhe rezisteca e krishterë ndaj ushtrisë osmane, Evropa dhe Vatikani e kanë cilësuar heroin kombëtar të shqiptarëve, si atlet i krishtit dhe pararendës të aleancës Atlantike NATO.

5. Për 25 vjet me radhë Kruja që ishte kryeqyteti i Arbërisë, u quajt nga shumë personalitete të kohës akropoli i Kristianizmit në Evropë.

6. Gjergj Kastriot Skënderbeu cilësohet nga historianët si një nga 4 gjeneralët dhe strategët më të zotë në historinë e botës pas Aleksandrit të Madh, Jul Çezarit dhe Napoleon Bonapartit.skendo

7. Skënderbeu me ushtrinë e tij shkatërroi 20 ushtri të huaja dhe sipas Marin Barletit ai vetë gjatë gjithë jetës së vete vrau në beteja 3 mijë persona.

8. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Arbërisë së Veriut dhe i princeshës Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit mes 4 djemve Stanishin, Reposhin dhe Konstandinin si dhe 5 vajzave Mara, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica që kishin Gjon dhe Vojsava Kastrioti.

9. Familja e Kastriotëve zotëronte një principatë të vogël midis Matit dhe Dibrës në kufirin verior në zotërimet e Topiajve. Paraardhësi Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vititn 1383.

10. Gjergj Kastrioti u martua me Donika Arianitin nga Kanina e Vlorës dhe bashkë patën një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vunë në nder të të atit. Djali I Gjonit, e kishte emrin Gjergj Kastrioti, në nder të gjyshit.

11. Gjergj Kastrioti dhe Donika Arianiti u martuan më 23 prill të vitit 1451 kur ajo ishte 23 vjeç dhe Gjergji 46 vjeç. Në Kaninë dasma zgjati 3 ditë dhe Skëndebeu shkoi nga Kruja atje me 500 kalorës. Më pas dasma vazhdoi në manastirin e Ardenicës dhe më pas akoma në kalanë e Beratit.sked

12. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i përkiste fesë së krishterë si e gjithë familja dhe të gjithë paraardhësit e tij. Ai u kthye në muhamedan pasi u mor peng dhe më pas u kthye sërish i krishterë kur u kthye në Shqipëri.

13. Në moshë të vogël Gjergj Kastrioti bashkë me 3 vëllezërit e tij u mor peng nga Sulltan Murati I II si ndëshkim për luftën që i shpalli babaii tyre Gjon Kastrioti. Gjergj u nvndos në Edrene dhe më pas në oboprrin e sulltanit.

14. Gjergj Kastrioti vazhdoi shkollën e içogllanëve në Ederne të Turqisë së sotme në të cilin mësonin artin ushtarak djemtë e sundimtarve të nënshtruar me frymë osmane

15. Pas shkollës Skënderbeu nisi karrierën ushtarake si pjesë e disa ekspeditave në Ballkan dhe Azi në të cilat u shqua në luftme por edhe si strateg. Nga spahi, ai mori gradën sanxhakbeut.

16. Për trimërinë dhe fitoren në betejat si pjesë e ushtrisë osmane Sulltani iu kishte dhënë Gjergj Kastriotit gradën e lartë gjeneral.

17. Skënderbeu studio dhe u stëvrit në Stamboll për artin ushtarak. Ai njihte gjuhën osmane, latine dhe shqip. Titullin Skënderbej “Iskander bej” ose Aleksandri i madh iu dha nga Sulltan Murati i II pas fitores së betejave ne Azi.

18. Në vitin 1443 Skënderbeu arrestoi sekretarin e Sulltanit dhe e detyroi të firmoste një urdhër të Sulltanit për komandantin turk të Krujës sipas të cilit duhet tia dorëzonte qytetin Skënderbeut. Me 300 kalorës dhe ushtarë besnikë Skënderbeu mbërriti në Krujë, mori në dorëzim kalanë dhe brenda natës vrau të gjithë ushtarët osmanë.

19. Kryengritja kundër osmanëve vijoi në të gjithë Arbërinë dhe pasi u morën të gjitha kalatë, në një kuvend Skënderbeu u shpall komandant i të gjitha forcave.

20. Janë disa shtete në botë që kanë sheshe me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeu si Tirana në Shqipëri, Prishtinë në Kosovë, Zyrihu në Zvicër, Parisi në Francë, Roma në Itali, Çikago në SHBA, Shkupi në Maqedoni etj.

21. Simbolet dhe armët orgjinale të Skënderbeut gjenden në muzeun e armëve në Vjenë të Austrisë. Pas vdekjes së Skënderbu bashkëshortja i ka lënë me testament. Por më pas ato ndërruan duar te disa koleksionues dhe në fund u vendosën në muzeun e Armëve.

22. Armët e Skënderbeut që ndodhen në muzeun e armëve në Vjenë janë dy shpata. Shpata e parë i është dhuruarnga Papa në krishtlidnjen e vitit 1466. Ajo është e drejtë dhe e gjatë 85.5 cm dhe e gerë 5.7 cm dhe peshon 1.3 kilogram. Shpata e dyt është e modelit turk dhe është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.

23. Në muzeun e Krujës janë vetëm kopjet e tyre. Në Shqipëri aktualisht nuk gjenden sende apo objekte personale të Skënderbeut. Ato janë zhdukur pas vdekjes së tij dhe dyndjeve osmane në vendin tonë. Madje edhe eshtrat e tij janë marrë nga osmanët dhe janë përdorur si hajmali.

24. Në nëntor të vitit 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, armët e Skënderberut u ekspozuan për disa ditë në muzeun historik kombëtar në Tiranë. Numri i vizitorëve që panë armët orgjinale të Skënderbeut ishte 1.4 milionë persona. Vetëm më 28 nëntor atë e vizituan mbi 200 mijë vizitorë.

25.
Përkrenarja me kokën e Skënderbeu ishte simbol i huzuar nga legjenat e Pirros së Epiriut dhe Aleksandrit të madh. Ajo ishte me metal të bardhë dhe me një rrip të lar me ar. Skënderbeu deklaronte se ishte pasardhës i Pirros. Marin Barleti nënshkrunte se Skënderbeu i referohej shpesh Pirros së Epirit.

26. Kali i Skënderbeut është një nga simbolet e jetës së tij. Sipas Barletit ai ishte i bardhë dhe i një rrace të zgjedhur. Pas vdekjes së Skënderbeut kali nuk pranoi ti hipte dikush tjetër dhe pas disa kohësh vdiq (ngordhi).

27. Flamuri i Skënderbeut ishte me fushë të kuqe dhe shqiponja me dy koka, flamuri që edhe sot është zyrtar i shtetit shqiptar. Në fjalimin e tij më 28 nëntor 1912 në Vlorë, teksa shpallte pavarësinë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali përmendi se flamuri që ngriti ishte ai i Skëndebeut.

28. Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij që ndodhej në kishën e Shën Nikut në Lezhë u dhunua dhe eshtrat e tij u morën si hajmali nga ushtarët turq.

29. Dy herë Papa Piu I II u nis në Shqipëri për të kurorëzuar si mbret Gjergj Kastriot Skënderbeun. Por kjo nuk u bë e mundur. Herën e dytë Papa Piu vdiq në Ankona duke ardhur në Arbëri.

30. Emrin e Skënderbeut në Shqipëri e mbajnë: Sheshi qendror në Tiranë, tri rrugë në Tiranë, Krujë, Durrës, një muze ne Krujë, një fshat në Librazhd, klubi i futbollit të Korçës, një titull i lartë. Akademia ushtarake e Shqipërisë në Tiranë mban emrin e Skënderbeut si startegu më i lartë ushtarak i të gjitha kohrave. Më parë emrin Skënderbej e mbante edhe shkolla e mesme ushtarake në Tiranë.

31. Kanë qenë disa tentative për ta vrarë Skënderbeun. Sipas historianëve disa herë janë bërë përpjekje për ta helmuar atë. Por duket se përpkeja më serioze ka qenë e Venedikut. Gjatë kohës që ishin në luftë me të venedikasit shpallën çmim si pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh për varsjen e Skënderbeut. .

32. Janë 4 autorë shqiptarë si biografë të Skënderbeut: Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo dhe Kristo Frashëri.

33. “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit e shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë në 1508 është vepra më shumë e përkthyer e një autori shqiptar. Kjo vepër është përkthyer në 40 gjuhë dhe pas 500 vjetëve u përkthye edhe në gjuhën shqipe.

34. Mbreti i Napolit i dhuroi Skënderbeut 60 kilometra katrorë tokë dhe një kështjellë në Napoli në shenjë nderimi dhe respekti për ndihmën që ai i dha në luftë ndaj kundërshtarëve. Edhe sot kjo kështjelël është pronë e pasardhësve të Skënderbeut.

35. Varri i Donika Kastriotit, bashkëshortes së Gjergj Kastriotit, ndodhet ende në Spanjë që në atë kohë pjesë e mbtretërisë së Napolit. Për koicidencë edhe varri i bashkëshortes së Ismail Qemalit, ndodhet po në Spanjë.

36. Lekë Zaharia, Gjon Muzaka, Stres Balsha, Pal Engjëlli, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Vrana Konti ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut. Nipi i Skënderbeuit Hamza Kastrioti dhe Moisi Golemi e tradhëtuan atë.

37. Dy janë fjalimet më të rëndëishëm të Skënderberui. I pari i mbajtur në Krujë kur mbërriti nga Turia. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”, janë unikale edhe sot e kësaj dite. Fjalimi i dytë është në formën e testamentit përpara vdekjes në të cilin thotë: “ska asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë që të mos shembet kur i lëshon vendin mërive dhe grindjeve”.

38.
Tre herë u sulmua qyteti i Krujës ngaushtria osmane. Dyherë nga sulltanët Murati i II dhe djeali i tij Mehmeti dhe një herë nga ushtria e gjeneralit Evrenoz Pasha. Por megjithatë bqytetei nuk ra. Ushtria osmane në të tre rastet numëronte 100 mijë ushtarë.

39. Skenderbeu zhvilloi 30 beteja nga të cilat fitoi 29 dhe humbi vetëm 1 atë të Beratit në të cilën u tradhëtua nga besnikët e tij më të mëdhenj. Ushtria e Skënderbut aty pati 5 mijë të vrarë.

40.
Besëlidhja e Lezhës është i pari bashkim i madh i shqiptarëve kundër një pushtuesi. E ideuar dhe organziaur nga Skëndebeu ajo bashkoi princat shqiptarë.

41. Më 2 mars 1444 në katedralen e shën Kollit në Lezhë u mbajty kuvendi kombëtar I prindërve dhe fisnikëve shqiparë. N ë kuvend morën pjesë Skëndebeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia me dy7 djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikoll dhe Pal Dukagjini, Teodor Muzazka iriu, Lekë Zaharia, pjhesëtr Spani, Lekë Dushmani, Stefan Gojçini etj

42. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut u largua në Napoli pas vdekjes së Skënderbrut bashkë me të ëmën. Ai mori titullin Dukë dhe kont. U martua me Irena Brankoviç Peleologlu, pasardhësja e fundit e familije sperandorake Bizantine dhe patën shumë fëmijë. Në vitin 1700 pasardhësit u shpërngulën në Leçe.

43. Ushtria e Skënderbeut arriti të numërojë deri në 40 mijë ushtarë. Nga këta 3 mijë siguronin kufijtë që kishin komandant Moisi Golemin. 8 mijë ishin kalorës dhe 7 mijë ushtarë këmbësorë special që ishte garda e Skëndebeut.

44. Janë 24 përpjekje të ushtrisë osmane për të marrë Krujën dhe princiatën e Skëndebeut por nuk e arriti asnjëherë sa ishte ai gjallë.

45. Gjergj Kastrioti shkjoi disaherë në ndihmë të Vatikanit dhe mbretërisë së Napolit. Në vitin 1463 Skënderbeu u bë komandant i forcave kryqtare të Papa Piut të II-të.

46. Në të gjithë botën për figurën e Skënderbeut janë shkruar rreth 600 libra. Mes tyre janë dhjetra romane, libra historikë, studimorë dhe legjenda.

47. Janë të shumta veprat e artistëve botërorë me temë Skënderbeun. Piktori hollandez Rembrand ka bërë portretin e tij, shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë, kompozitori Antonio Vivaldi ka shkruar një opera dhe kompoziorët François Rebel dhe François Francoeur nga një operetë.

48. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Tiranë, Prishtinë, Gjenevë, Londër, Bruksel, Budapest, Romë, Miçigan. Pritet që bust të tij të ketë edhe në Spanjë, Australi, etj. Në të gjitha punimet artistike, Heroi Kombëtar qëndron hipur mbi kal duke simbolizuar luftëtarin.

49. Monumentin e Sknderbut mbi kal në qendër të Romës e zbuloi Benito Musolini më 27 tetor 1940, një vit e gjysmë pas pushtimit që Italia i bëri Shqipërisë.

50. Viti 2018 është shpallur nga kryeministri Edi Rama si vit i Skënderbeut për nder të 550 vjetorit të vdekjes së tij.

Haki Abazi: Ja kush qëndron prapa deklaratave të dëshmitarit Mehmeti për vrasjet politike

Njohësi i zhvillimeve politike në vend Haki Abazi ka komentuar lidhur me akuzat dhe deklaratat e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me vrasjet e pasluftës

Mehmeti mbrëmë në një emision televiziv, ka folur veprimtarinë e një grupi të njerëzve, që ai ka thënë se kryen disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë vrasjet politike.
Ai ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë, por ka përmendur edhe emrat e Florim Ejupit, Agron Sylejmanit, policin Fadil Syleviç dhe vëllain e ish-deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj, duke thënë se të gjithë këta persona, janë të përfshirë në vrasje.

Sipas tij, këta persona ishin të ngarkuar për vrasjen e aktivistëve të LDK-së si Smail Hajdaraj, Xhemajl Mustafa, Tahir Zemajt e Sebahate Tolajt.

E duke komentuar në lidhje me deklaratën e tij, Haki Abazi ka thënë se prapa zhvillimeve të fundit alarmante në vend, qëndron SHIK-u dhe oponentët e tij brenda klanit Pronto.

Ai këtu ka përmendur tentativën për të shfuqizuar Gjykatën Speciale nga paniku, derisa për intervistën e dëshmitarit Mehmeti, ka theksuar se është bërë për të lansuar mjegull dhe konfuzion në publik, duke përdorur instrumentet e tyre në media të financuara nga krimi i organizuar.

“Ajo çfarë po ndodhë këtyre javëve në Kosovë, është gjendje alarmi. Është e qartë se SHIK dhe proponentët e tyre përbrenda Klanit Pronto, kanë kuptuar se nuk mbajnë fuqinë politike të vendit. Tani janë nisur në disa drejtime, ajo e panikut dhe veprimit pa kokë, duke tentuar të shfuqizojnë Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale, që është çmenduri politike, përveç që është e lojë e “Russian Roullet”. Tjetra, kanë filluar që të përdorin instrumentet e tyre që kanë në media të financuara nga krimi i organizuar që të përgatisin publikun dhe kjo intervista me Shkumbin Mehmetin, ishte në kuadër të asaj që të lansojnë mjegull dhe konfuzion dhe për të akuzuar dy-tre veta dhe duke e reduktuar krimin politik në nivel të inateve personale dhe për të larguar përgjegjësinë sa më shumë që është e mundur ndaj organizatë, udhëheqësve të saj dhe urdhërdhënësve të vrasjeve të patriotëve dhe intektualëve”, ka pohuar Abazi në një prononcim për “Bota sot”.

Ai ka përmendur edhe strategjinë e tretë të SHIK-ut, të cilën, sipas tij, ky i fundit po e përdor në vend.

“Strategjia e tretë është ndarja dhe përdhosja e VV-së, duke i premtuar Klanit të dezertorëve akomodim përbrenda strukturave të një tranzicioni të mundshëm. Kjo nuk është lojë e përgatitur vetëm nga Klani Pronto, sepse në shumicën e rasteve, ata janë analfabet politik dhe çkado që tentojnë të lëvizin, e bëjnë me gabime të mëdha, por këtu kanë gisht edhe individ nga vendet e Bashkimi Evropian, të cilët po mundohen që të mbajnë kontroll ndaj resurseve financiare, ekonomike dhe informacionin e ndjeshëm të shtetit”, është shprehur më tej Abazi.

Ai ka theksuar se Prokuroria e Shtetit është e kapur dhe e ndikuar politikisht dhe se rrjedhojë e kësaj, janë krijuar institucionet siç është EULEX dhe Gjykata Speciale.

“Në këtë gamë komplekse të çështjeve dhe akterëve të involvuar, Prokuroria është gjithashtu e kapur dhe e ndikuar politikisht dhe sa herë që ka tentuar që të kryejë punën e tyre, si në rastin Velijaj, ku ekspozohet shoferi i Kadri Veselit, prokurorët e zotë janë larguar nga rasti. Kjo është edhe arsyeja që po krijohen institucione siç është EULEX-i dhe Gjykata Speciale, sepse askush nuk i besoj këtij sistemi politik që do të lejojë që sistemi i drejtësisë të veprojë i pavarur”, ka theksuar për “Bota sot”, Haki Abazi.

Gjuha shqipe paskësh qenë instrument gjeopolitik!

Dje Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, duke i dhënë të drejtën historike kombit shqiptar që jeton në atë shtet. Padrejtësia që iu është bërë shqiptarëve, që nga koha e Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot, ndoshta nuk ka të ngjashme në llojin e vet, duke qenë se shqiptarët janë një faktor shtetndërtues në Maqedoni dhe jo thjesht një pakicë etnike

Nga Ervis Iljazaj

Përtej vlerës historike që ka për kombin shqiptar një akt i tillë i ndërmarrë nga Parlamenti maqedonas, merr një rëndësi të veçantë në aspektin gjeopolitik të Rajonit. Është e qartë se pas shumë përpjekjesh, një gjë e tillë ndodhi si pasojë e gjeopolitikës dhe instrumenteve diplomatike të përdorura kohët e fundit. Ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, si dhe ndryshimi i ngjyrës së pushtetit, erdhi po ashtu si pasojë e ndërhyrjes ndërkombëtare, sidomos të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kuptim, njohja e shqipes si gjuhë zyrtare, merr një rëndësi të veçantë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe të Rajonit. Tani, çdo proces i politikës ndërkombëtare, që Maqedonia ka përpara saj dhe të tilla ka shumë, faktori shqiptar nuk mund të anashkalohet, duke patur një pozicion më të fortë në këtë aspekt.

Prandaj, ndryshe nga instrumentet klasike të politikës ndërkombëtare, si ekonomia apo mjete të tjera, në këtë rast është përdorur një faktor kulturor si ai i gjuhës.

Jo më kot, kishte një rezistencë të politikës sllave për ta njohur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, pasi me anë të kësaj rezistence jo vetëm që bëhej politika e brendshme, por ndikoheshin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të saj, të cilat vinin nga faktorë të ndryshëm të fuqive jo fort dashamirëse më kombin shqiptar. Tashmë që realiteti i rajonit është duke ndryshuar, me insistimin e fortë të SHBA është e qartë që kombi shqiptar ka aleatin e saj.

Edhe pse duhet thënë, në një Rajon si ai Ballkanit, gjeopolitika shpeshherë është bërë nëpërmjet faktorëve të tillë. Etnia, gjuha apo kombësia kanë luajtur një rol thelbësor në çdo proces politik dhe gjeopolitik në Ballkan. Mirëpo, kësaj here një instrument i tillë, kjo kartë gjeopolitike është në favor të shqiptarëve dhe, është po e njëjta kartë që kanë luajtur kundër tyre, ai i kombësisë dhe i gjuhës.

Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, është si ata hapat prej elefanti, që janë të vështirë për t’u hedhur, por në momentin që hidhen janë vështirë për t’u kthyer mbrapsht. Prandaj, duhet konsideruar, mbas njohjes së Kosovës si shtet të pavarur, një nga ngjarjet më historike të kombit shqiptar në dekadat e fundit.

Por ajo duhet të shihet gjithmonë në aspektin e gjeopolitikës dhe mekanizmave që po lëvizin në këtë moment në Rajonin e Ballkanit. Ndërgjegjësimi i përfaqësuesve të shqiptarëve të këtij kontesti, është në të mirë të tyre, si dhe të gjithë faktorit shqiptar në Rajon.

Rajoni i Ballkanit është kthyer në një nga rajonet me interes të gjeopolitikës të fuqive botërore, si Rusia, SHBA apo Turqia. Në këtë kuptim mjetet diplomatike për të fituar terren dhe ndikim në këtë rajon, janë shumëfishuar. Një nga këto mjete që Shtetet e Bashkuara, fatmirësisht për shoqërinë e vendeve si Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, është drejtësi, duke shkëputur njëherë e përgjithmonë lidhjet korruptive që historikisht ka patur me politikën. Së fundmi, me njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në Maqedoni, është kthyer dhe ajo, në favor të kombit shqiptar një mjet gjeopolitik.

“Ose do bëhesh nusja imja, ose e askujt”, i riu plumba 14-vjeçares!

Zbulohen te tjera detaje nga ngjarja e rëndë dje në Babunjë të Divjakës, qe për pak sa nuk përfundoi në tragjedi

Dashuria për një vajzë të mitur ka bërë që një 22-vjeçar të tentojë ta vrasë pasi mësoi lajmin se familja do ta fejonte me një tjetër djalë. Në kushtet e zhgënjimit, i riu ka rrëmbyer armën dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të saj, shkruan “Panorama”.

Nga Policia mësohet se, ngjarja e rëndë u shënua në fshatin Babunjë, ku Bajram Krasniqi ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një 14- vjeçareje, e cila nuk ka pësuar dëmtime.

Mësohet se i riu, Krasniqi, ishte dashuruar pas nxënëses së klasës së tetë dhe kishte kohë që e ngacmonte atë. Vazhdimisht i riu i zinte rrugën kur ajo kalonte dhe e ngacmonte me fjalë, ndërsa i kishte kërkuar disa herë ta takonte. Por pavarësisht kësaj, vajza e mitur nuk ka shfaqur asnjë interes për djalin. Ajo shkonte e kthehej çdo ditë nga shkolla, por asnjëherë nuk i ka dhënë mundësinë të riut për t’i shprehur dashurinë duke e shmangur atë, edhe pse 22- vjeçari i kërkonte që ajo të fejohej me të.

“Nuk ke nga të shkosh, një ditë do të bëhesh nusja ime”, mësohet se i shprehej shpesh djali. Me këtë mendim dhe dashuri në distancë, Bajram Krasniqi duket se e kishte bindur veten që vajza i përkiste atij dhe në momentin që ka marrë vesh që 14-vjeçarja po fejohej me dike tjetër, për të cilin edhe familja kishte rënë dakord, që të rinjtë të njiheshin e me vonë të vendosnin për fejesën, 22-vjeçari i ka kapërcyer kufijtë, duke tentuar ta vrasë të miturën.

Dje pasdite, ai ka ruajtur një çast kur vajza shkonte në dyqanin e fshatit dhe pasi e ka parë në një moment vetëm, ka qëlluar në drejtim të saj duke i thënë se atë ose do ta merrte ai për nuse ose askush tjetër.

“Ose do bëhesh imja, ose e askujt”, i ka thënë ai. Policia thotë se e mitura nuk ka marrë asnjë lëndim dhe është mirë nga ana shëndetësore, ndërsa psikologjikisht vajza është shfaqur e trembur.

Ajo ka thënë para Policisë se nuk e kishte marrë kurrë seriozisht ngacmimin e vazhdueshëm të tij. “Nuk më kishte bërë përshtypje. Fliste si të gjithë çunat. Nuk di se çfarë ka menduar”, mësohet të ketë thënë e reja për Policinë.

Kjo e fundit, brenda një kohë të shkurtër pas denoncimit të ngjarjes, ka arritur të arrestojë autorin e dyshuar si dhe të sekuestrojë armën, me të cilën i riu ka tentuar të kryejë krimin. Çështja i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

“Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Bajram Krasniqi, 22 vjeç, banues në Babunjë, Divjakë. Në datën 10.01.2018, në fshatin Babunjë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një shtetaseje 14 vjeçe, e cila nuk ka pësuar dëmtime”, bëhet e ditur nga ana e Policisë.

Njihuni me njërin nga aeroplanët luftarak më të sofistikuar të ushtrisë amerikane (video)

Ushtria amerikane përdor aeroplanë të ndryshëm për misione luftarake, por njëri nga më të pëlqyerit e ushtrisë, është A-10 Thunderbolt II që ndëryshe njihet si Warthog apo Grunt, shkruan Business Insider

Ky aeroplan i forcave ajrore amerikane përdoret për fluturime të ulëta, dhe luan rolin e asistuesit e aeroplanëve luftarak që lëvizin me shpejtësi të madhe, por është interesant se si është përkundër peshës së madhe, ai është shumë i manovrueshëm.

Por ajo çfarë e bën unik këtë aeroplan, se në maje të “hundës” ka të vendosur mitralozin e kalibrit 30 mm që brenda një minute mund të shkrep 3900 plumba, dhe kështu duke se po nxjerr flakë nga “goja” derisa fluturon.

Së fundmi janë shtuar zërat se ai do të vazhdojë të shërbejë për misione të ndryshme ushtarake edhe për disa vite, pasi Kongresi amerikan ka ndarë një shumë të majme prej 100 milionë dollarë për avancimin e tij.

Aeroplani A-10 Thunderbolt II për herë të parë ishte përdorur në mars të vitit 1976, ndërsa pasardhësi P-47 Thunderbolt nuk u fut në përdorim deri në luftën e Gjirit.

Versioni origjinal posedon mitralozin GAU-8 Avenger prej 30 mm, që brenda një minute shkrep plot 3900 plumba të mbushur me eksploziv dhe lëndë tjera shpërthyese.

Warthog lëviz fal dy motorëve elektrik TF34-GE-100, ku secili prej tyre kryen rreth 9.065 rrotullime në minutë.

Shpejtësia maksimale e Gruntit është 726 kilometra në orë, dhe mund të godasë cakun në një rreze prej 13 kilometra.

Për ta bërë sa më unik, aeroplanit i është vizatuar një gojë me dhëmbë të mprehtë në maje të hundës, me qëllim që të duket se po nxjerr zjarr nga goja. Ndërkaq, mitralozi pajiset me plot 16 mijë plumba.

Ai gjithashtu mund të bart deri në 225 kilogramë, bomba të tipit Mk-82 dhe 910 kilogramë tjera me Mk-84.
I preferuari i ushtrisë amerikane, është pajisur edhe me bomba që shkatërrojnë minat dhe lëndët tjera shpërthyese të montuara në tokë.

A-10 Thunderbolt II posedon edhe raketa tjera të tipit AIM-9 Sideëinder dhe AGM-65 Maverick. Ky aeroplan supermodern nuk do të ishte aq i rrezikshëm për armikun, sikur të mos kishte edhe raketa “shpërqendruese” për aeroplanët e armikut.

Warthog fitoi epitetin e të “pamposhturit” kur në vitin 1991, kapiteni Robert Sain rrëzoi një helikopter të ushtrisë irakiane duke e goditur me plumbat e mitralozit të frikshëm.

Ai madje mund të rimbushet derisa është në ajër. Ideja për t’ia vizatuar në hundë një gojë me dhëmbë të mprehtë daton që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky aeroplan ua ka shpëtuar jetën qindra ushtarëve amerikanë në luftën e Irakut, Afganistani dhe Sirisë.

Faik Konica: Iliria e Jugut, që grekët e quajtën Epir

Faik Konica: Iliria e Jugut, që greket e quajten Epir e qe do te thotë “kontinent”…gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk…, kishte qytetin e Janinës si kryeqendër.

Konica, amerikanëve: Ju rrëfej Ilirinë dhe krimet e grekëve ndaj çamëve Iu rrëfej grekët Faik Konica (Botuar në “New York Times”, më 1940)

Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës.

Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë. Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme. Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull. (I) Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë.

Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër. Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek.

Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë. (II) Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues.

Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi. Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë “të zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës.

Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse “të drejta” të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë. Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore.

Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Ëien. Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve. (III) Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës. Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane.

Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek. Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta. (IV) Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta.

Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër. Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti.

Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri. Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta. Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri).

Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot? Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë. E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë. (V) Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim.

Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme. Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

Shtëpia e sëmurë!

Nga Kimete Berisha

1. Presidenti i fali të burgosurit e dënuar për shfarosjen e një familjeje (pa marrë parasysh a janë të pafajshëm (siç pretendojnë dhe mund të jenë të pafajshëm), ama ata janë shpallur fajtorë nga të gjitha gjykatat dhe liria e tyre është e frikshme).

2. Pasi iu refuzua viza amerikane, Ramushi për inat të Amerikës me nxitim e mori pasaportën shqiptare.

3. Ilir Meta ia dha solemnisht pasaportën Ramushit, por kundërshton kategorikisht t’u jap pasaportë qytetarëve ‘të rendit të dytë’. Shqipëria pra, diskriminon shqiptarët e Kosovës, i ndan shqiptarët në ‘dikushi’ dhe në ‘kurrkushi’, në të ‘rëndësishëm’ dhe në ‘të parëndësishëm’.

4. Edi Rama e çoi në qiellin e shtatë Erdoganin. E shfrytëzon presidentin turk si hakaret të bahçes së babës m’i tutë’ Evropën me të.

5. Një dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it, i tha dje krejt botës nëpërmjet Baton Haxhiut në gjykatoren e tij se SHIK-u është i pafajshëm komplet, se Xhavit Haliti lëre që nuk është vrasës, po e kundërta, ka qenë rrezik m’u vra, por ka pas ymër dhe sot është gjallë. Për fatin tonë të keq, ‘vrasësit’ sipas tij ishin të vdekur. Dhe, vrasësit ishin ata tradhtarët e kompleksuar që nuk janë dëshmuar dhe nuk e kanë treguar veten gjatë luftës. Çudi qysh s’jemi kujtu! Ne budalltë, u bazojshim në raportet sekrete të KFOR-it, NATO-s e USA-s!

6. Baton Haxhiu pasi foli për vrasjet e shqiptarëve si për kastraveca, pa pikë përgjegjësie dhe serioziteti, në fund të emisionit u tha shqiptarëve: A i besohet këtij dëshmitari me mjekër të Allahut! (thuajse njeriu me mjekër nuk është i aftë ta thotë të vërtetën dhe thuajse Zoti ka mjekër).

Dëshmitari, tha Batoni, duket si luftëtar i Sirisë. Anipse për dallim nga Batoni, dëshmitari e kish çelë kmishën e i dukej gjoksi.
Shikojeni, sa i kuruar është (demek me pas dalë me folë për vrasjet pa la sytë e i veshur me zhele, kish qenë bindës dhe i sinqertë).

Pra, njëherë e shfrytëzoi ‘budallallëkun’ e dëshmitarit (ju tha vrasësve, mos u tutni prej tij se ky dëshmitari kaq di, pra s’di gjë (dhe se ky është kriminel i 2001 e gjykata i njeh vetëm krimet e 2000), e pastaj, pasi e shfrytëzoi ‘çmendurinë’ e tij, e tipizoi si mjekrrosh të Allahut.

Që do të thotë, sipas këtij marifeti psikanalitik të Batonit, se vrasësit dhe organizatorët e ngjarjeve të marsit 2004 kanë qenë terroristë, s’kanë pas lidhje me politikë, por me fe! Dhe, se mbytja e fëmijëve shqiptarë në fshatin Çabër nga serbët nuk u bë sebep që filluan trazirat e vitit 2004.
Dëshmitari i mbrojtur në anën tjetër tha se për trazirat e vitit 2004 e kishin përkrahjen e të gjitha partive politike.

Që është Batoni bash kaq i pamatur, joserioz dhe i cektë nuk e paskam ditur. Por lakmia dhe ambicia të bëjnë të dukesh karikaturë.

7. Shqiptaria u shkri prej gëzimi që Maqedonia më në fund vendosi m’i mëshiru shqiptarët, m’i llogarit për njerëz em’i leju shqiptarët me folë shqip. Arritje kaq e madhe e shqiptarë e me guxu me folë gjuhën amtare zyrtarisht…kaq poshtë që na katuni.

P.S.

Megjithatë në këtë situatë horror dhe të pashpresë, na kanë ndodh disa të mira: mandarinat e Shqipërisë, dimri i butë dhe Gjykata Speciale.