Gjykata nuk e çon askënd në burg për përdorim dhe mbajtje të armës

Gjykata Themelore në Prishtinë as një ditë burg nuk po u jep njerëzve që janë zënë me armë. Po u shqipton dënime me kusht. Le që nuk dënojnë më dënime maksimal prej pesë vitesh burgim por japin dënime qesharake. Express sjell disa prej vendimeve gjyqësore të publikuar nga Gjykata e ku tregohen për dënimet e buta të gjykatësve në raport me kryerësit e veprave penale

Në këto tri raste, që personat kanë mbajtur armë pa leje, por edhe i kanë përdorur ato, gjykata u ka shqiptuar dënim me kusht. Dy në Gadime të Ulët, të cilët pos posedimit të armës edhe kishin përdorur atë, morën dënim me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Një tjetër rast në Gjilan, gjithashtu mori dënim me kusht për shkak se kishte në pronësi një kallashnikov.

Në këto aktgjykime të publikuara, Gazeta Express gjen se në asnjërin rast gjykata nuk e ka dënuar me burg asnjë të pandehur që ka poseduar armëmbajtje pa leje, e që disa prej tyre edhe e kanë përdorur atë, duke vepruar në kundërshtim me nenet 374 dhe 375 të Kodit Penal.

Më 2012’ën, i pandehuri I.T kishte shtënë me armë zjarri disa herë në ajër në afërsi të lokalit “Rinori”. Aty, aktgjykimi shpjegon se ai e ka ndalë makinën dhe ka shtënë me armë të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar. I njëjti, më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjykata megjithatë e ka shpallur fajtorë, por pos që ka mbajtur armë pa leje, ai edhe e ka përdorur atë. E krejt çka i cakton gjykata të pandehurit është dënimi me kusht, i cili thotë:

“Ashtu që i përcakton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) muajsh i cili nuk do të ekzekutohet, nëse brenda afatit prej 1 (një) viti nuk do të kryejë vepër të re penale…”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Gadime e Ulët në prill të 2012’ës. Arma të cilën e përdori I.T është e tipit FB Radom VIS MOD 35 PAT, e kalibrit 9mm dhe është konfiskuar nga policia e Kosovës.

Ndaj tij, gjykata vendosi vetëm shpenzimet e procedurës penale me shumë 50 euro, në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, në vitin 2013’ë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur ta shpallë fajtor Sh.T, pasi kishte poseduar armë pa leje, mirëpo edhe kishte përdorur njërën nga armët. Edhe ndaj tij nuk u shqiptua dënimi me burg, por vetëm dënim me kusht.

Edhe pse Sh.T nga Gadimja e Ulët, kishte shtënë me armë automatike rafal disa herë në ajër gjatë një ahengu familjar me armë automatike AK-47, ai nuk u dënua me burg, por me kusht. I njëjti ka poseduar edhe një revole të kalibrit 6mm, prodhim “Zastava”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në korrik të 2013’ës, kur Sh.T festoi fejesën e djalit të vëllait të tij, duke shtënë me armë automatike në ajër. Kjo armë është konfiskuar më pas nga policia. Të pandehurit iu gjetën: arma automatike AK-47, një karikator dhe dy fishekë të kalibrit 6mm, si dhe një karikator dhe 30 fishekë të kalibrit 7.62mm.

E për këtë vepër penale, Gjykata i shqiptoi dënim me kusht, në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muaj dhe i dha 2 vjet afat që të mos kryej vepër tjetër penale. Krejt çka u mor masë ndaj të pandehurit ishte dënimi plotësues, ku thuhet se i kishin konfiskuar revolen Zastava, dy fishekë, një karikator, një pushkë automatike, 30 fishekë 7.62mm dhe një karikator.

Në vitin 2016, K.B, baba i gjashtë fëmijëve, gjatë një pune operative në terren të policisë së Kosovë, ia kishin gjetur dhe konfiskuar armën e tipit “Kallashnikov”. Operacioni u zhvillua në një fshat të Gjilanit
Këtë kallashnikov të prodhimit kinez, kalibër 7.62mm, një karikator dhe një fishek të kalibrit 7.62mm, policia ia ka konfiskuar, pasi K.B i ka mbajtur në pronësi në kundërshtim me ligjin dhe me këtë ka kryer vepër penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor, mirëpo i kishte shqiptuar dënim me kusht.
“Dënimin me kusht, ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një (1) viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale…”, thuhet në aktgjykim.

I njëjti vetëm është përcaktuar t’i paguaj shpenzimet e procedurës penale, e cila ishte 30 euro.
Edhe pse neni 374 i Kodit Penal të Kosovës thotë se kushdo që mbanë në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin, dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose burgim deri në pesë vjet, ky nen specifikon se nëse personi mbanë katër armë ose më shumë se 400 fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Ekziston edhe neni për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm (Neni 375) i cili veçon se kushdo që përdorë armë apo materie plasëse, dënohet me burgim prej një vit deri në 8 vjet. /GazetaExpress/

Ish-diplomati shqiptar në Vietnam rrëfen vitet e luftës

Kanë kaluar vite që atëherë, por ai i ka të gjalla kujtimet. Në largësinë e viteve e ka më të lehtë të reflektojë mbi tmerrin që ka përjetuar gjatë viteve të Luftës në Vietnam. Diplomati i karrierës, Maxhun Peka, sjell disa kujtime të tij nga periudha e qëndrimit të tij në Vietnam, si i dërguar i Shqipërisë. Po ashtu, ai bën edhe një analizë mbi atë që ka ndodhur dhe arsyet se përse u zhvillua kjo luftë. Rrëfimin e tij mund ta lexoni më poshtë

Isha edhe unë dëshmitar i asaj tragjedie. Përjetova ato vite lufte në Vietnam, ato vite të tmerrshme, ato vite, që sot bëj pyetjen: a ishte e vërtetë apo ëndërr e keqe? I përjetova bombardimet, shkatërrimet, i pashë avionët B-52, kështjellat e ajrit kur hidhnin bombat, kur mbillnin vdekjen, kur shkretëtonin gjithçka, i pashë në ajër tepër krenar, por i pashë edhe në tokë të gjunjëzuar, të kthyer në hekurishte pa vlerë. Edhe sot, në shtëpinë time kam unaza apo artistike të tjera të punuara nga artizanët vietnamezë, nga copat e këtyre avionëve.

Avionë të kthyer në relikte. E pashë rrugën “Kham Thien” në Hanoi të kthyer në gërmadha brenda një minute, në mbrëmjen e datës 18 dhjetor 1972. I pashë ekskavatorët që nxirrnin nga gërmadha e asaj rruge kufomat, i pashë kur i fusnin në thasë celofoni, i hidhnin në kamionë për t’i varrosur diku jashtë qytetit në varre kolektive. Takova rastësisht, të nesërmen, një vajzë 12-13 vjeçare në trotuaret afër ambasadave, që nuk dinte as të qeshte dhe as të qante. Mësova se prindërit e saj kishin vdekur një natë më parë në rrugën “Kham Thien”.

Fëmijë? Ajo nuk dinte ç’është fëmijëria. E rritur? Tepër e vogël në moshë, për të mbijetuar. Mësova se këshilli i lagjes e strehonte dhe e ushqente diku në qendrat e ngritura për fatkeqët. E pashë spitalin Kim Lien, njërin nga spitalet më të mëdhenj të qytetit të shkatërruar, gërmadhë, pashë gropën e stërmadhe ku bomba e një nate më parë kishte rënë mbi një gropë bombe të një nate tjetër të mëparshme. Pashë edhe ftesat për dasmën e një infermiereje të spitalit, të shpërndara andej këndej, dhe mësova se dasma nuk do të bëhej kurrë.

Ëndërr e bukur, ëndërr në përjetësi, ëndërr në kohë lufte. Njoha një vajzë të vogël që priste vdekjen në një spital lufte. Kërkonte krehër të krihte flokët për të vdekur e bukur. Pashë punëtorin e një miniere qymyri, që kur u kthye në shtëpi, e gjeti atë të shkatërruar, gruaja dhe gjashtë fëmijët të vdekur. Shtrëngonte grushtet para gërmadhave, para sendeve, fotografive të fëmijëve, i pashpresë, i pafuqishëm, i mbushur me urrejtje, vetëm urrejtje. Pashë edhe robërit amerikanë, pilotët e kështjellave të ajrit, në konferenca shtypi kokulur. Nëse ndonjëri guxonte të ngrinte kokën, vietnamezi që e shoqëronte, që nuk arrinte me trup as në gjysmën e trupit të pilotit, i thoshte “ul kokën, je rob lufte!” I dëgjova pilotët kur thoshin emrin, mbiemrin, numrin e ushtarit. Pashë rrugë të shkatërruara, qytete që nuk ekzistonin më, njerëz të gjymtuar, pashë, pashë e ç’nuk pashë në ato vite lufte.

* * *

Sot bëj pyetjen përse? Kujt i shërbeu? Kush fitoi? Në logjikën e sotme, askujt dhe askush. Përse miliona të vrarë, të humbur, të sakatuar, të gjymtuar, përse qytete të sheshuara, uzina, fabrika, ura, spitale të shkatërruara. Përse vuajtje, uri, pasiguri? Përse rini pa shpresa, pa të ardhme, përse rini pa lumturi? Përse, përse, përse?

Përse-të nuk mbarojnë kurrë, kur shikon se jeta vazhdon në një mënyrë krejt tjetër, kur shikon se si Vietnami, ashtu dhe Amerika, bëjnë të pamundurën për t’i forcuar marrëdhëniet, për të forcuar miqësinë, për të harruar të kaluarën, për të harruar të gjithë ata që ranë heroikisht për të mbrojtur, në logjikën e vietnamezëve, atdheun, lirinë, sovranitetin, bashkimin e vendit të ndarë padrejtësisht në vitin 1954, dhe, në logjikën e Amerikës, ata që ranë për hir të angazhimit të Amerikës, të demokracisë më të madhe në botë, për fitoren e lirisë, demokracisë në çdo vend të globit, për hir të angazhimit për të qenë garant të normave civilizuese, ata që ranë heroikisht për të mbajtur Amerikën të gjallë, ata që kombi duhet t’i shohë si shembuj të vetsakrificës për nderin e Amerikës….

Ata të rënë në atë ndeshje gjigande në emër të moralit, të dy kategorive të kundërta morali, kujtohen vetëm një herë në vit, në ditën e martirëve të Vietnamit, dhe në ditën e të rënëve në Vietnam, që prehen në përjetësi në varrezat e Arlingtonit në Uashington.

* * *

Sot shkruhet se Vietnami ishte një gabim, se lufta në Vietnam ishte idiote, ishte një luftë ku Amerika u thye, u mund, nga e cila doli e humbur. Por, a është e mundur që sot të gjykojmë objektivisht për luftërat e një gjysmë shekulli më parë?! Lexova librin “Zemra e Patriotit” të Max Cleland, për të cilin “Vietnami do të thoshte humbje: humbje këmbësh, humbje krahu, humbje rinie, humbje pafajësie, luftë e humbur…”. Po aty lexova diçka nga libri i Gjeneralit Moor, “Dikur ishim ushtarë… dhe të rinj”, lexova për betejën në luginën Ia Drang (Lugina e vdekjes).

450 burra (amerikanë) të rrethuar nga 2000 ushtarë vietnamezoveriorë. Tri ditë luftime, 79 ushtarë amerikanë të humbur dhe më shumë se 1000 vietnamezo-veriorë. Në vitin 1990, gjenerali Moor takohet me gjeneralin Nguyen Huu An, komandant i trupave vietnamezo-veriore. Ata darkuan në Pleiku, zonë ku u bënë luftimet në Vietnamin e Jugut. “Gjenerali vietnamez e mbërtheu gjeneralin Moor për shpatullash, pastaj e përqafoi dhe e puthi në dy faqe.

Në përgjigje, Moor i dha orën e tij të dorës në shenjë të miqësisë së tyre. Kur vdiq gjenerali An, Moor u rikthye në Vietnam dhe vizitoi shtëpinë e gjeneralit An. Në një cep të shenjtë të zyrës së tij, Moor gjeti orën që i pati dhënë…”. Ç’gjë e bukur: në luftë armiq për vdekje, në paqe miq deri në vdekje. Dy gladiatorë apo dy shahistë të mëdhenj. Mbas betejës i shtrëngojnë dorën njëritjetrit.

Dy epoka: ajo e luftës dhe ajo e paqes. Kush kishte të drejtë, brezi që bëri luftën apo brezi i sotëm i përkushtuar për bashkëjetesë? E kush mund të japë një përgjigje racionale? Epoka të ndryshme, mentalitete të ndryshme, morale të ndryshëm, Në vitet ’60, socializmi dhe rendi socialist ishin akoma tërheqës për popujt e shtypur. Barazia shoqërore, premtimet për punë për të gjithë, shërbime mjekësore për të gjithë, shkollim falas për të gjithë, bollëk e jetë të lumtur kishin gjetur shtrat te popujt e vuajtur të të gjitha kontinenteve.

Utopi, por e këndshme, ëndërr, por njerëzit e thjeshtë pëlqenin ta jetonin. Ideologjia majtiste kishte arritur të krijonte “moralin” e gatishmërisë për vetësakrifikim për arritjen e qëllimeve. Me këtë moral ishin gatuar edhe vietnamezët, të cilët, në ato vite lufte, ishin të gatshëm të jepnin jetën për të fituar mbi imperializmin… Morali i shoqërisë kapitaliste ishte krejt tjetër, ishte ai i demokracisë në çdo vend të globit, i të drejtave të njeriut, dhe flamurin për mbrojtjen e lirisë, demokracisë, të drejtat e njeriut e kishin marrë përsipër Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duhej ndaluar shtrirja e komunizmit. Nëse rendi komunist do të fitonte edhe në Vietnamin e Jugut, rreziku i shtrirjes së tij në Kamboxhia, Tailandë, Malajzi, e me radhë në vendet tjera të Azisë ishte eminent. Efekti domino e angazhoi Amerikën në Vietnam. Përpjekja nuk ishte vetëm Shtete të Bashkuara – Vietnam, por luftë midis dy sistemeve, sistemit kapitalist dhe atij socialist.

Fushë lufte ishte Vietnami, mish për top ishin vietnamezët, të cilët, në disa breza, ishin lindur dhe rritur në luftë, që nuk dinin të bënin asgjë tjetër më mirë se luftën. Shtetet e Bashkuara nuk kishin përballë vetëm Vietnamin e vendet tjera të bllokut socialist, por edhe lëvizjen e madhe kundër luftës në vetë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Shumë politikanë dhe analistë thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e humbën luftën në Vietnam, ata qortojnë politikën amerikane të atyre viteve për një angazhim të tillë.

Amerika u tërhoq “e humbur”, por me “nder”, në sajë të Marrëveshjes së Parisit. A është e vërtetë që Amerika humbi? Kjo varet nga këndvështrimet. Por po të bëjmë pyetjen: pse presidentët amerikanë u angazhuan aq fort në këtë luftë, del e qartë se objektivi i tyre nuk ishte thjesht Vietnami i Jugut, por të ndalohej “efekti domino”, shtrija e komunizmit në vende të tjera të Azisë Juglindore. Amerika humbi Vietnamin, por fitoi Azinë Juglindore, humbi luftën në terren, por arriti të realizojë objektivat për të cilat u angazhua.

Pati shumë të humbur, shumë arkivole, shumë kujtime të hidhura, shumë familje të dërmuara, shumë amerikanë të vrarë. Ky është fati i Amerikës. Në vitin 1961, Presidenti John F. Kennedy deklaronte me besim në vete (confidently) se Amerika ishte mjaft e fortë të “paguajë çdo çmim, të mbajë çdo barrë” për të siguruar suksesin e lirisë. Ky është fati i amerikanëve. Të jesh amerikan është nder, është privilegj, por është edhe sakrificë. Të udhëheqësh botën është e natyrshme që do të kesh edhe detyrime ndaj vendeve të ndryshme të botës.

Kjo justifikon angazhimin në Vietnam në vitet ’60, justifikon angazhimin në Irak, në Kosovë, do të justifikojë angazhimin e Amerikës edhe në vende të tjera të globit, për hir të lirisë dhe demokracisë. Le të bashkëjetojë sot Amerika me Vietnamin, le të nderohen ata që dhanë jetën në atë luftë në emër të idealeve, të idealeve utopike socialiste për vietnamezët, në emër të lirisë dhe demokracisë për amerikanët. Le të respektojmë idealet e secilës palë, të fitimtarit dhe të humburit.

Po të jetë nevoja që në emër të këtyre idealeve të ndeshen gjeneralë si Moor dhe Nguyen Huu An, le të jenë në luftë armiq për vdekje dhe në paqe miq deri në vdekje. Të bindur në fitoren e të drejtës, në fitoren e lirisë, demokracisë. Në përfundim do të ketë fitore për palët në konflikt, nuk do të ketë të humbur, sepse Amerika dhe trupat amerikane nuk janë pushtuese, ato sjellin lirinë, demokracinë, sjellin të ardhmen… /Panorama/

Gazeta amerikane për Limajn: Hero i cili nxori Kosovën nga balta

Ishte viti 2009 kur zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe kryetari aktual i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj po drejtonte ministrinë e Transportit. Dhe si rrallë herë për një politikan vendor, një media amerikane e kishte ngritë në çiellë ish komandant ‘Çelikun’

Në një shkrim të gjatë të botuar në gazetën “Christian Science Monitor”, Limaj vlerësohet si një hero kombëtar. Në këtë shkrim ndër të tjera thuhet se Limaj po ka sukses në punën, ku të gjithë të tjerët kanë dështuar: Në ndërtimin e rrugëve. “Z. Limaj në shumë mënyra është një histori e Kosovës. Me 1998, ai mori armen si një udhëheqës kryengritës, fitoi betejën e parë të vërtete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbeve dhe u be i njohur si “Komandant Celiku.” Ai u arrestua dhe me pas u lirua në Hage për krime lufte. Sot, ai mban kostume të errëta, këpuce lëkure të lustruara dhe pret shirita dhe merret me beton të freskët dhe xhade të asfaltuara.

Ne vitin 2007, kur u bë ministër i Transportit, Limaj vetëm pesë milje (8 kilometra) autostrade katër-korsi kanë ekzistuar në Kosovë. Vitin e kaluar, ai ka ndërtuar tete milje (13 kilometra), krijoi punishte 24-oreshe dhe tani është duke mbikëqyrur ndërtimin e tetë miljeve (13 kilometra) të tjera të rrugës katër-korsi. Kosovarët e duan. Limaj e sheh Ministrinë e Transportit pothuajse si ministri personale, një thirrje për të ndërtuar vendin. Ai e ka lexuar “The Audacity of Hope (“Guximi i Shpresës”) të Barack Obamës, dhe duket se u ofron mesazhin “Po, mundemi” kosovarëve cinike, të lodhur nga premtimet e paplotësuara dhe rrugët me balte. Me kredenciale prej kryengritësi, në shoqërinë e shumicës shqiptare, Limaj ka bashkuar kokat, ka gjetur konsensus me kontraktorët dhe ka mobilizuar fuqinë punëtore”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim, i cili mbanë titullin rrugëtimi i heroit të Kosovës nga kryengritësi në ndërtues rrugësh. Tutje në këtë shkrim përshkruhen edhe rrugët e atëhershme të cilat kanë qenë në gjendje të mjerueshme Ndërtimi i rrugëve të dhive në autostrada moderne “Një drejtues i një organizate perëndimore joqeveritare, i cili ka jetuar në Kosovë për disa vjet, e përshkruan Limajn si “një nga më të mirët…. Metodat e tij nuk janë tipike, mirëpo ato janë praktike dhe me siguri se çfarë i nevojiten Kosovës tani.

”Rrugët në këtë shoqëri rurale kanë qene aq të dobëta dhe kuturu, saqë udhëtaret nga Evropa veriore kanë humbur në mënyre rutinore, madje edhe në vitet e fundit. Infrastrukture rrugore e shekullit 21 do të thotë zhvillim. Megjithatë, një dekade pas ndërhyrjes se NATO-s dhe pavarësisht buxhetit për rrugët është bërë pak. Rrugët e fshatit kanë mbetur primitive, pa asfaltim dhe një makth në dimër”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim. Po ashtu aty përmendet edhe rruga kryesore nga aeroporti për në Prishtinë, e cila ishte dy-shiriteshe, e ngarkuar pa masë dhe me gropa “Megjithatë, në vitin e kaluar, Ministria e Limajt ka asfaltuar ose riasfaltuar rreth 500 kilometra rruge, duke miratuar një strategji qe lidh fshatrat me njëri-tjetrin dhe me arteriet kryesore. “Kishte aq shume rruge, saqë ne të gjithë filluan të pyesim veten pse kjo nuk kishte ndodhur më parë,” thotë Artan Mustafa, redaktor politik në gazetën ‘Ekspres’. “Sigurisht, një arsye është për shkak se Limaj ka fuqi. Askush nuk mund t’i thotë Komandant Çelikut se rruga nuk do të kaloje përmes këtu apo atje. Ai ju tregon juve, ju nuk i tregoni atij.”

Duke folur në zyrën e tij pranë ndërtesës se re të parlamentit, Limaj shpjegon pasionin e tij per atdheun e tij. “E ndiej këtë 24 ore në dite. Ishte një ëndërr e rinise sime, për të pasur një vend te lire,” thotë ai. “Ne qofte se keni pyetur mua 10 vjet më parë, unë do të kisha thënë se liria ishte e pamundur. Por, Zoti na e ka dhënë mundësinë”, kishte thënë Limaj Në këtë shkrim të botuar në vitin 2009, flitet edhe për përballjen e Limajt me drejtësinë ndërkombëtarë të cilën e fitoi duke fituar edhe respektin e popullit të Kosovës. “Ish-komandanti minimizon statusin e heroit të UÇK-se. Por Limaj ishte i pari qe te ndryshonte taktikat e UCK-se, qe karakterizoheshin me përleshje guerile nëpër fshatra dhe duke u fshehur nëpër male, duke konfrontuar forcat serbe hapur. Njësite e tij eventualisht ka mbajtur dy rruge kryesore dhe ka strehuar 85.000 persona, një spital dhe një radiostacion“, vijon me tej shkrimi.

Tutje, provimi më i madh për Limajn thuhej se mund të jetë pëpara. “Pasi ka fituar zemrat si një njeri qe e kryen punën, ai tani duhet të përfundoje rrugën e aeroportit, rrugën e re për ne Shkup dhe të drejtoje vështirësitë e ndërtimit. “Ai e fitoi betejën e pare, por tani është test i vërtete,” thotë një zyrtar i KB-se. Redaktori Mustafa shton: “Të gjithë e duan Limajn, mirëpo edhe unë pres atë dite kur një nëpunës civil i zakonshëm do të mund të japë një urdhër dhe ai të zbatohet”.

Në Kosovë, trafikimi me njerëz bëhet për prostitucion dhe kërkim lëmoshë

Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë një dukuri dhe sfidë për institucionet e Kosovës. Autoritetet e rendit në Kosovë raportojnë se gratë që shfrytëzohen për prostitucion dhe fëmijë që detyrohen të punojnë, janë dy profilet më të shfrytëzuara. Sipas tyre, gjatë një viti, raportohen më shumë se 30 viktima të trafikimit

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se në nëntëmujorin e këtij viti, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka ngritur kallëzim penal në prokuroritë përkatëse për 16 raste të trafikimit me njerëz.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore, vërehet një rënie e lehtë e rasteve të trafikimit me njerëz. Numri i personave të arrestuar për trafikim me qenie njerëzore është 31, ndërsa numri i viktimave zyrtarisht të identifikuara është 22. Njëra nga format më të shpeshta apo më të theksuara të shfrytëzimit të viktimave të trafikimit, është ajo e shfrytëzimit seksual, e në disa raste edhe kërkim-lëmosha dhe puna e detyruar”, bëri të ditur Hoxha.

Tutje, zëdhënësi Hoxha tha po ashtu se kategoria më e prekur që lidhet me trafikimin, janë femrat e moshës së re, duke përfshire edhe raste kur viktimat janë edhe fëmijë.

Trafikimi me njerëz që konsiderohet si dukuri kriminale e ndërlidhur me krimin e organizuar trans-kufitar, ka shtyrë autoritetet e rendit që të nënshkruajnë marrëveshje të shumta me shtetet e rajonit e më gjerë.

Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje ka nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale në angazhimin për parandalimin e kësaj dukurie. Po ashtu, Policia e Kosovës në kuadër të vlerësimeve strategjike, të rreziqeve dhe kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe krimet e rënda, ka radhitur dukurinë e trafikimit me njerëz si një nga kërcënimet kryesore.

Sipas vlerësimeve nga autoritet e sigurisë, faktorët kryesorë që nxisin trafikimin, janë gjendja socio-ekonomike, mungesa e kujdesit prindëror e familjar, në veçanti ndaj fëmijëve, si dhe braktisja e shkollimit.

Me rastin e shënimit të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe fillimit të fushatës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokurori Besim Kelmendi, deklaroi se prokuroritë e Kosovës kanë goditur fuqishëm grupet kriminale të trafikuesve.

“Institucioni i Prokurorit të Shtetit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ka zgjidhur 25 raste, me 72 persona. Zyra për mbrojtjen e viktimave ka ofruar mbështetje dhe asistencë për të gjitha rastet e trafikimit me qenie njerëzore, pra për viktimat e kësaj dukurie duke përfshirë këtu edhe 437 raste të dhunës në familje. Prokurori i Shtetit ka arritur një bashkëpunim të mirë rajonal dhe ndërkombëtar sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore dhe jemi pjesë e hartimit të indikatorëve për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe procedurave standarde të veprimit lidhur me këtë bashkëpunim”, theksoi Kelmendi.

Prokurori Kelmendi megjithatë tha se Prokuroria e Shtetit nuk është e kënaqur me politikën ndëshkimore dhe shtoi se sfidë më vete vazhdon të jetë ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në raste e trafikimit.

“Sfidë tjetër për Prokurorinë e Shtetit është ndjekja dhe ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, sepse zyrtarët duhet të jenë shembulli më i mirë për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, e jo pjesë e këtij krimi”, tha Kelmendi.

Nga ana tjetër, drejtoresha e organizatës “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve-Kosovë”, Valbona Çitaku, tha për Radion e Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për parandalimin e kësaj dukurie.

“Duhet të punohet më shumë në fushën e parandalimit për arsye se më lehtë është të punosh në parandalim, sesa më pas në mbrojtjen dhe ri-integrimin afatgjatë që është një proces mjaft i gjatë dhe i kushtueshëm. Po ashtu, është mjaft me rëndësi që të kemi shërbime të qëndrueshme, pasi që organizatat joqeveritare varen nga donatorët”, tha Çitaku.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova duhet të punojë më shumë për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me njerëz. Sipas tij, duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi.

“Sa i përket Kosovës, parandalimi i këtij lloj krimi specifik duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë Haradinaj në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kurse, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore që është publikuar në muajin qershor, pati thënë se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues.

Fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri?

Këshilli i Mandateve vazhdon mbledhjen për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar hetimin e tij korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti socialist, Saimir Tahiri tha të shtunën se “akuzat janë shpifje, nuk ka kryer asnjë vepër penale, nuk ka vrarë askënd dhe gjithҫka është politizuar nga opozita”. Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli për këtë ҫështje, të zhvilluar të premten (20.10), ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri mori pjesë së bashku me avokatin e tij, Artan Hajdari, Anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Burime zyrtare nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve pohojnë për DW se në takimin e sotëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda, paraqet prova të reja për të përligjur kërkesën e saj për të marrë autorizimin nga Parlamenti për arrestimin e Tahirit ose heqjen së lirisë. Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve po vazhdon mbledhjen e për t’i hequr ose jo mandatin e deputetit ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të lejuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda ta hetojë atë për korrupsion dhe trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Mazhoranca socialiste: Duam prova

Provat që prokuroria paraqiti në takimin e djeshëm (20.10) të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ishte një dosje prej 416 fletësh, që autoritetet italiane ia kanë vënë në dispozicion nga përgjimet telefonike të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish- ministrit Tahiri. Deputetët socialistë, anëtarë të këtij këshilli nuk i konsideruan prova këtë material të publikuar prej ditësh në portale dhe në media për të përligjur autorizimin për arrestimin e Tahirit. “Po të kishin prova Saimir Tahitri do të arrestohej në flagrancë. Përgjimi është një mjet kërkimi, por jo prova” deklaroi Ulsi Manja, deputeti socialist anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.

Në takimin e djeshëm u paraqiten edhe disa përgjime të kryera prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda në territorin e Shqipërisë, ku në asnjë rast nuk përmendej emri i ish-Ministrit të Brendshëm, Tahiri, por emrat e disa oficerëve të policisë. Por ndryshe nga deputetët socialistë, Prokurorët e krimeve të rënda dhe deputetët opozitarë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve edhe sot vijuan t’i konsiderojnë prova përgjimet e autoriteteve italiane.

Vettingu dhe ҫështja Tahiri

Kërkesa e prokurorisë së Krimeve të Rënda për të arrestuar Saimir Tahirin ka risjellë në vëmendje ҫështjen e kryerjes së Vettingut dhe pastrimit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të politizuar apo të përfolur për korrupsion politik. Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW: “Vettingu nuk e ka bërë ende skanerin e prokurorëve dhe gjykatësve që pritet të hetojnë dhe gjykojnë Saimir Tahirin, nëse Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve merr sot vendimin politik për t’i hequr imunitetin e deputetit dhe hapur rrugë arrestimit të tij. Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala i ka mbaruar mandati dhe përveҫ kësaj është përfolur për korrupsion politik dhe dështimin për të hetuar dosje korrupsioni si ajo e ÇEZ, ku implikohet djali i ish-kryeministrit Berisha. Prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kështu nuk kanë kaluar vettingun. Çështja po politizohet. Qytetarët presin të vërteten, presin Drejtësi nga Drejtësia. Përndryshe nuk do të ndryshojë asgjë në qerthullin e pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, dukuri që është konsoliduar në dy dekadat e fundit me raste flagrante, skandaloze.” thotë Aleksandër Çipa.

Fund i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë dhe pazareve politike mes palëve

Rastet flagrante emblematike të pazareve politike mes palëve në Shqipëri që kanë sjellë betonizimin e kulturës së pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë janë trazirat e vitit 1997, kur me shembjen e skemave piramidale vendi shkoi në prag të luftës civile, shteti dhe rendi publik u shembën, popullsia civile u armatos dhe bandat kriminale gjetën terren pjellor për të lulëzuar. Asnjë nga politikanët e lartë përgjegjës nuk u dënua. Viti i mbrapshtë 1997 mbeti në errësirën e kompromisit mes palëve.
Kompromisi i 10 viteve më parë rezultoi fatal: ai i hapi rrugën mbylljes për arsye proceduriale të hetimeve për korrupsionin në Rrugën e Kombit, vrasjes së 4 qytetarëve në 21 janar 2011 apo kanabizimit të Shqipërisë në vitet e fundit.

E djathta dhe e majta, që kanë kryer rotacionet politike në Shqipëri, me pazaret politike për interesa personale duket se kanë patur marrëveshje të heshtura për të mos ndëshkuar politikanët e lartë të secilës palë, kur ka qënë rasti për për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Marrëveshja pa fjalë mes dy palëve është vulosur nga një drejtësi e varur politikisht, e korruptuar dhe kompromentuar. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë pritet në radhë të parë nga Drejtësia. Bërja drejtësi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimi i tij apo shpallja i pafajshëm do të ishte i pari rast në 27 vite demokraci në Shqipëri që ndaj një politikani të lartë të mos ndiqet tradita e deritanishme./DW

DnV-ja nxjerr bilancin e fushatës të dominuar nga burrat

Demokracia në Veprim (DnV) përmes 61 vëzhguesve afatgjatë, në tridhjetë ditët e fushatës për zgjedhjet lokale, ka përcjellë 1,369 aktivitete të subjekteve politike të certifikuara, ka zhvilluar intervista me kandidatët që janë në garë zgjedhore për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, si dhe ka monitoruar mbledhjet KKZ-ve dhe KQZ-së

“Në bazë të monitorimeve tona, vlerësojmë se fushata zgjedhore ka qenë e qetë, e zhvilluar në një ambient konkurrues. Kandidatët për kryetar të komunave dhe për kuvendet komunale kanë shpalosur lirshëm opsionet dhe programet e tyre politike, ku pjesëmarrja e qytetarëve dhe e mediave ka qenë e sigurt dhe e papenguar. Janë shënuar një numër i vogël i incidenteve të cilat kanë qenë raste të izoluara dhe nuk kanë dëmtuar fushatën zgjedhore”, thuhet në njoftimin e DnV-së, transmeton Koha.net.

Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime

Subjektet politike në përgjithësi kanë zhvilluar tubime zgjedhore deri në 100 pjesëmarrës, respektivisht 52% e takimeve të tyre, pastaj takime me grupe të interesit, takime me qytetar derë me derë. Ndërsa në javën e fundit të fushatës është vënë re një intensifikim i takimeve me qytetarët dhe veçanërisht i tubimeve zgjedhore të përmasa më të mëdha deri në 1,000 pjesëmarrës.

Përdorimi i resurseve publike

Edhe gjatë kësaj fushatë zgjedhore është shënuar përdorimi i resurseve publike në 82 raste, ku është vënë re përdorim i automjeteve zyrtare, pjesëmarrje e shërbyesve civile dhe personave zyrtar në fushatë.

Gjuha e urrejtjes

Subjektet politike kanë qenë më të përmbajtura në përdorimin e gjuhës së urrejtjes, nga të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV, në 22 raste është shënuar përdorim i gjuhës së urrejtës.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë

Fushata zgjedhore është shënuar me pjesëmarrjen e fëmijëve, përkatësisht në 30% të aktiviteteve të monitoruara të fushatës zgjedhore apo 3,994 fëmijë pjesëmarrës në fushatë.

Qasja e personave me aftësi të kufizuara

Ofrimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara ka qenë një tjetër problematikë që ka shënuar fushatën zgjedhore të partive politike. Është vënë re që në pjesë të madhe të këtyre aktiviteteve nuk u është ofruar qasja personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht qasje nuk është ofruar në 29% të aktiviteteve. Pjesëmarrje e personave me aftësi të kufizuara ka qenë në 151 aktivitete të subjekteve politike.

Pjesëmarrja e grave

Numri i grave të nominuara si kandidate për komuna është vetëm 8 nga 204 kandidatë të cilët po kandidojnë për kryetar në rang vendi.

Pjesëmarrja e grave ka vazhduar në nivele të ulëta gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Në të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV pjesëmarrja e grave ka qenë në mesataren 10%. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së grave si folëse ka qenë 21%. Përkatësisht kanë folur 3691 burra dhe vetëm 974 gra.

Prania e mediave

Mediat kanë qenë të pranishme në 51% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.

Ofrimi i sigurisë

Në shumicën e rasteve të monitoruara Polica e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Për 30 ditë të fushatës shihet që gjysma e aktiviteteve që mbahen nga subjektet politike nuk kanë fare sigurim.

Vëzhgimi i zgjedhjeve dhe përgatitjet nga DnV

Demokracia në Veprim është e gatshme për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Ne kemi rekrutuar rreth 3 mijë vëzhgues të cilët i janë nënshtruar trajnimeve dhe janë të gatshëm për të mbuluar të gjitha 2,505 vendvotime sa janë paraparë të hapën në ditën e zgjedhjeve.

Qendrën Koordinuese do ta kemi të vendosur në Prishtinë (Hotel Sirius) nga ku përmes 150 vullnetarëve do të mbledhim të gjitha të dhënat nga terreni të cilat do të analizohen dhe bëhen të ditura për publikun. Kujtojmë që gjatë periudhës së fushatës, përveç monitorimit të aktiviteteve të subjekteve politike, DnV ka qenë aktivisht e përfshirë në informimin dhe edukimin e votuesve për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe për mënyrën e votimit.

Tradita e mirë e ndërtuar në organizimin e zgjedhjeve, sidomos nga zgjedhjet e viti 2013 dhe këndej, urojmë të ruhet edhe në këto zgjedhje. Subjektet politike dhe institucionet tjera të përfshira në menaxhimin e zgjedhjeve kanë treguar maturi dhe nivel të lartë të përgjegjësisë. Çdo rezultat i zgjedhjeve i cili është i kontestuar nuk garanton qeverisje të mirë në atë komunë, dhe njëkohësisht dëmton rëndë reputacionin e subjektit politik dhe zhvillimin e demokracisë së atij vendi.

Andaj iu bëjmë thirrje të gjitha 91 subjekteve politike të përfshira në garë, të përmbahen nga çfarëdo forme e presionit mbi votuesit apo tentimit për të manipuluar me vullnetin e qytetarëve.

Institucioneve të sigurisë u bëjmë thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore. Vëmendje më të shtuar duhet treguar në komunat me shumicë serbe. Në zgjedhjet e kaluara është raportuar për presion mbi votuesit në këto zona, prandaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të gatshme që të parandalojnë përsëritjen e skenarëve të tillë.

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe me votën e tyre të vendosin për shërbime më të mira të administratës, për infrastrukturë më cilësore e për përkujdesje më të mirë shëndetësore.

Votuesit të cilët marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje, duhet të bëjnë kujdes që fletëvotimi i tyre të mos shpallet i pavlefshëm. Në ditën e zgjedhjeve do të marrin dy fletëvotime. Në fletëvotimin për kryetar të komunës duhet të votojnë vetëm për një kandidat. Ndërsa në fletëvotimin e dytë, së pari duhet të shënjojnë vetëm një subjekt politik, pastaj në anën e djathtë të po atij fletëvotimit duhet të shënjojnë vetëm një kandidat për Kuvendin Komunal.

Çfarë di dhe çfarë dihet për Saimir Tahirin

Orë pas ore si ndryshuan qëndrimet për Saimir Tahirin, nga i refuzuar dhe i braktisur, në personazh që nuk lëshohet lehtë. Me çfarë lidhen provat sekrete që prokurorët paraqitën dje në Kuvend dhe çfarë di ish-ministri i Brendshëm, ndaj të cilit socialistët ndryshuan kurs. Nga kërkesa e fillimit për një drejtësi të pastër, në shigjetimin e prokurorisë si të përdorur politikisht

Nga Luljeta Progni

“Unë po shkoj në burg….”, është shprehja e thënë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, 36 orë më parë. U duk se ishte çështje orësh që ministri më i rëndësishëm i qeverisë “Rama 1” të kapërcente pragun e qelisë. E ka përsëritur i përlotur këtë shprehje disa herë në emisionin “Opinion”, ku qe i ftuar që të sqaronte rrethanat e tij, përballë akuzës së rëndë të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror. Prej pak orësh në Kuvend ndodhej kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit, për arrestimin e Tahirit. Ai akuzohet nga prokuroria si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të drogës, në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj. Ish-ministri dyshohet se në detyrën e ministrit të Brendshëm, ka lënë të lirë të veprojë grupin e strukturuar kriminal të kushërinjve të tij Habilaj, prej nga prokuroria supozon se Tahiri ka përfituar shuma të mëdha parash.

Kështu thuhet në përgjimet e publikuara në mediat italiane, informacion që vjen nga organet ligjzbatuese të Italisë. Atje u arrestua pak ditë më parë njëri prej anëtarëve të grupit kriminal, Moisi Habilaj. Ky kushëri i largët, (i rangut të dhjetë thotë Tahiri, i të gjashtit pretendon një prej Habilajve), përfundoi në burgun e Katanias në Itali, por pa dëshirën e tij, i hapi derën edhe qelisë që pret ish-ministrin. Kështu Tahiri e pa veten në këtë “kurth” të frikshëm, me të vetmen rrugë, atë drejt burgut. I ftuar në “Opinion” për të sqaruar pozitat e tij, Tahiri e ka përsëritur shpesh: “unë po shkoj në burg”. Dukej kaq e pabesueshme të vinte nga goja e tij kjo shprehje, e cila krijoi përshtypjen se pas pak orësh do të ishte pas hekurave. Por kishte edhe nga ata zëra që qarkullonin korridoreve të politikës që Tahiri nuk vetëdorëzohej aq kollaj, pa marrë edhe të tjetër të “paprekshëm” në rangjet politike.

Orët e vetmisë

Përgjatë gati 24 orëve, Tahiri u braktis nga të gjithë njerëzit e parisë së tij dhe kryesisht nga kryeministri Rama. Ai u distancua publikisht nga Tahiri duke e lënë të braktisur në fatin e tij, me të vetmen rrugë atë drejt burgut. Mediat publikuan tri ditë më parë përgjimet që institucionet ligjzbatuese italiane kanë realizuar në hetim të vëllezërve Habilaj. Atje përmendej disa herë edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili pranon të paktën një detaj të akuzës, që i ka shitur automjetin e tij vëllezërve Habilaj dhe se e ka përdorur këtë automjet edhe pasi e ka shitur. Ndërkohë që Tahiri përdorte automjetin e vëllezërve Habilaj, ata hetoheshin nga drejtësia italiane por edhe ajo shqiptare si grup i strukturuar kriminal, trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Një ditë pas publikimit të përgjimeve, prokuroria çoi në parlament kërkesën për arrestimin r Tahirit. Qysh prej atij momenti, ish-numri një i Ministrisë së Brendshme u braktis nga të gjithë, kolegët e tij e bashkëpunëtorët në PS, duke nisur qysh nga kryeministrit Rama. Asnjë koleg i Tahirit nuk reagoi, askush nuk u pa ta shoqërojë ato orë të vetmisë së tij, ndërkohë që Rama publikonte statuse në facebook që dëshmonin për distancim ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Deklarata e Ramës

“Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve! Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie. Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”, është ky reagimi i parë i kryeministrit Rama që dëshmon qartë për distancim të tij nga ish-ministri Tahiri. Gjatë kësaj periudhe të trazuar, Tahiri pohoi se ishte takuar dy herë me kryeministrin Rama, por nuk pranoi të flasë për detaje të bisedës. Mediat shkruan se kishte qenë një takim shumë i tensionuar dhe se Rama e kishte “shitur” Tahirin. Në këtë situatë ish-ministri i akuzuar vendosi të shfaqet në “opinion”, nga ku dhe lëshoi deklarata shumë të rëndësishme që u komentuar edhe si kërcënim ndaj njerëzve të familjes së tij politike.

Ndërkohë, deputetët socialistë apo zyrtarët e tjerë refuzuan të reagojnë duke mbajtur distancë të rreptë me Tahirin. Këtë e pranoi edhe vetë ish-ministri në “Opinion”, ku dhe shprehu çudinë e tij për anëtarët socialistë të Komisionit të Mandateve. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, se si ishte e mundur që as anëtarët e komisionit nuk e kishin dëgjuar, Tahiri u përgjigj: “Nuk e di, edhe unë vetë jam i çuditur”. I pyetur nëse ndihej i tradhtuar jo vetëm prej këtyre deputetëve por kryesisht nga Rama, Tahiri dha një përgjigje shumë domethënëse për mundësinë e një marrëveshjeje me Ramën në këtë situatë. “S’kam ndër mend dhe as dëshirë të bëj marrëveshje me Ramën dhe me askënd. Dhe sot po ju them se nuk është dita që të merrem se kush ka rol në këtë histori. Të shkoj edhe në qelinë më të largët të burgut. Do rri aty dhe pasi të zbardhet e vërteta. Nëse unë do ta fitoj këtë të vërtetë, do jetë dita që do përballem në mënyrë spektakolare me të gjithë”. Se çfarë mesazhi lëshoi ai për Ramën e të tjerët, ne nuk e dimë me saktësi, por dimë që Tahiri foli me gjuhën e kryeministrit, atë më simboliken kur u gjend i rrethuar nga akuzat: “s’keni parë gjë akoma”. Padyshim që nga një pjesë e opinionit u konsiderua si një kërcënim për kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Tahirit në qeverisje, atje ku mundësia për të kompromentuar në korrupsion e trafiqe është gjithmonë prezente.

Ndryshimi i kursit

Dita tjetër do të ishte krejt ndryshe. Gjithçka ndryshoi papritur dhe ndryshimi nisi me qëndrimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili e mbrojti paraardhësin e tij Tahiri. Më pas do të ishin anëtarët socialistë të komisionit të mandateve që mbrojtën fort Tahirin duke e shpëtuar nga ajo që pritej edhe nga të gjithë por kryesisht nga vetë Tahiri, arrestimin. Një ditë më herët, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kishte deklaruar për mediat se akuzat ndaj Tahirit, ishin çështje e drejtësisë: “Nuk besoj se bëj pjesë tek ata njerëzit që kam qejf të flasë pafund dhe për asgjë. Në këtë rast kur flet drejtësia këto janë çështje që i përkasin drejtësisë, nuk ka pse flet Ministria dhe ministri”, -tha dy ditë më parë Xhafaj. Ndërsa dje në mëngjes ai pohoi krejt të kundërtën, duke theksuar se nuk ka prova që implikojnë Tahirin dhe se prokuroria u përdor politikisht. “Për sa i përket për atë që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova.

Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin ku segmente apo individë të Prokurorisë, po vetëpërdoren politikisht në një çështje apo në një situatë të nxehtë politike”, deklaroi dje Xhafaj. Anëtarët socialistë të Komisionit të Mandateve u shfaqen dje krejt ndryshe nga një ditë më herët kur refuzuan ta dëgjojnë kolegun e tyre Saimir Tahiri. Në mbledhjen e Komisionit të Mandateve, socialistët dukeshin të qartë, të vendosur dhe të fortë për ta mbrojtur deri në fund ish-ministrin e tyre. Përballë deputetëve u gjendën tre prokurorët të cilët përveçse nuk mundën të mbrojnë kërkesën e tyre për heqjen e imunitetit, erdhën në atë mbledhje të paragjykuar si njerëz më lidhje të forta me ish-kryeministrin Berisha. Të gjitha këto detaje i dhanë më shumë mundësi Gramoz Ruçit dhe deputetëve socialistë për të ndalur arrestimin e shpejtë të ish-ministrit të Brendshëm, të paktën për tri ditë. Por kjo ishte pjesa publike e ngjarjes. Për rreth një orë, prokurorët paraqitën sipas tyre prova sekrete që e implikonin më tepër ish-ministrin, por bërja e tyre publike do të dëmtonte hetimin. Pas hapjes së dyerve për mediat, avokati i Tahirit kërkoi tre ditë kohë, gjë që flet për rëndësinë e materialeve sekrete që kanë paraqitur prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores.

Vendimi i paligjshëm

Avokati i ish-ministrit Tahiri, kërkoi tri ditë kohë për të shqyrtuar provat e paraqitura nga prokuroria, sipas së cilës ish-ministri implikohet në trafik droge me vëllezërit Habilaj. Kërkesa e avokatit të Tahirit është kundërshtuar nga anëtarët demokratë të komisionit të mandateve. Por kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka refuzuar të diskutojë këtë çështje dhe e ka mbyllur mbledhjen duke e bërë fakt të kryer vendimin. Vendimi është marrë në shkelje flagrante të rregullores së komisionit të mandateve. Sipas rregullores, vendimet merren me gjashtë vota të këtij komisioni. Por Ruçi refuzoi ta hedhë në votim kërkesën e avokatit duke e bërë fakt të kryer vendimin për ta shtyrë për tri ditë vendimin e komisionit për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Ndërkohë, ka ndryshuar edhe qëndrimi i kryeministrit. Një ditë më parë ai shkruante krejt i distancuar nga Tahiri, gati duke pranuar akuzën ndaj ish-ministrit kur shkruante se: “Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë”. Por dita e sotme e ka gjetur me një tjetër mendje kryeministrin Rama. Statusi i tij në facebook ishte krejt i ndryshëm nga ai i një dite më parë:

“Deri këtu muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT Deri në fund”, shkruan Rama. Ndërsa vetë Tahiri dukej më i relaksuar dhe më i sigurt në fund të ditës së djeshme kur komisioni i dha tri ditë kohë. Ai la pas “lotët” e ditës së parë sepse ndoshta ndihet i mbrojtur tashmë nga Rama e socialistët e tjerë. Tahiri foli për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend ku përsëriti si triumfator atë shprehjen: “Jua thashë që s’keni parë gjë akoma”. U përpoq të sqarojë të gjithë ata që e kishin “keqkuptuar” këtë shprehje duke e marrë si kërcënim për Ramën: “Kur ua thashë ju duk si një mënyrë e mirë për të bërë çdo lloj historie, por e them prapë që nuk keni parë asgjë akoma. E vërteta do dalë në dritë dhe nuk do vonojë shumë. Unë do jem i kënaqur kur e vërteta të dalë në dritë”, -tha Tahiri. Tashmë do të presë orët e fundit që do i përcaktojnë fatin, sido që të shkojë Tahiri ka premtuar se do të flasë, madje shumë sapo të mbyllet ky proces.

Samiti i BE-së: May shpreson tek dhjetori

Kryeministrja britanike Theresa May largohet nga samiti pa një datë konkrete për fazën e dytë të Brexit, por ajo ka hasur në mënyrë të pazakontë në dashamirësinë e madhe të partnerëve europianë

Mrekullia nuk ndodhi. Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker para samitit kishte thënë, se duhet ndodhë një mrekulli, që të jepet drita e gjelbër në këtë takim për fazën e ardhëshme të bisedimeve për Brexit. Me pesimizmin e tij ai pati të drejtë. Sidoqoftë atmosfera mes kryeministres Theresa May dhe kryetarëve të tjerë të shteteve dhe qeverive të BE-së është më e mirë. Të dyja palët kanë kontribuar për këtë. E madje pati edhe efektin e një simboli të unanimitetit fakti që: si May edhe kancelarja Angela Merkel të premten kishin ardhur të veshura me xhaketa të bardha në samit.

Kancelarja ndërkohë nuk le t’i shpëtojë rasti, që t’i mbështesë krahët Mayit kundrejt kundërshtarëve të saj. Në partinë koservatore ka një sërë përkrahësish të Brexit pa marrëveshje, sepse ata nuk janë të gatshëm për asnjë lëshim ndaj Brukselit. Ndaj May ka nevojë urgjente për sukses, për t’u bërë ballë atyre dhe që të mund të dëshmojë diçka në opinionin britanik. “Unë dua qartësisht një marrëveshje dhe jo ndonjë zgjidhje të paparashikueshme”, tha Merkel. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u mundua, që të kontribuojë për një atmosferë të mirë: ai tha, se njoftimet për bisedime të mbetura në vend numëro janë të ekzagjeruara. May nga ana e saj theksoi, se vendi i saj do “t’u përmbahet detyrimeve të veta”, pa e preçizuar, se çfarë kupton ajo me këtë.

Londra më në fund duhet të thotë, se çfarë do

Por pikërisht ky është problemi. Të 27 vendet e tjera të BE-së ende presin premtimet konkrete nga Londra. Eshtë fjala për tri çështje: të ashtuquajturat “përllogaritjet e daljes” për të cilat përfytyrimet dallojnë nga rreth 20 miliardë Euro (May) deri në 60 miliardë Euro e madje edhe 100 miliardë Euro nga ana e BE-së, ndërsa britanikët e vijës së fortë si ministri i Jashtëm Boris Johnson kanë deklaruar, se nuk i kemi borxh anjë penny BE-së. May tha tani në Bruksel, se Britania e Madhe do ta shlyejë pagesën e parë vetëm pasi të përfundojnë bisedimet “si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për partneritetin tonë të ardhshëm”. Janë të paqarta gjithashtu se çfarë regjimi kufitar do të mbizotërojë në të ardhmen mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës si anëtare e BE-së – dhe pika e tretë është – të drejtat e të huajve nga BE-ja në Britaninë e Madhe pas Brexit. Lidhur me këtë megjithatë zgjidhja duket e afërt, pasi janë të prekur më shumë se tre milionë vetë, e kjo është një çështje e rëndësishme.

Meqënëse kësaj radhe nuk u dha drita e gjelbër për fazën e dytë të bisedimeve, BE-ja shpreson që kjo mund të negociohet në dhjetor. Pavarësisht se si do të vazhdojnë negociatat me britanikët, BE-ja ka edhe pa këtë mjaft probleme të tjera. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha në Bruksel, se BE-ja në sfondin “e gjendjes së përgjithshme konfliktuale nuk mund të vazhdojë kështu edhe më tej”. BE-ja duke përfshirë edhe Eurozonën duhe të bëhet më “efikase” dhe më “e fortë në vendimmarrje”. Se çfarë kihet parasysh me këtë, Merkel e shpjegoi: që Europa duhet ta marrë vet në dorë fatin e saj. Të njëjtën gjë ka thënë Merkel edhe pas fitores së Donald Trump-it në SHBA.

Hollësitë për këtë janë ende të vakëta. Flamurtar ka dalë me tezat e tij presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili do ta forcojë Eurozonën. Për këtë ai në radhë të parë është i varur prej mbështetjes nga Gjermania. problemi është, se ndonëse edhe në të ardhmen ai do të ketë të bëjë me një qeveri Merkel, që i mbështet me maturi reformat, por që kancelarja së shpejti do të qeverisë me një koalicion të ri qeveritar. Pikërisht liberal-demokratët (FDP)si partner i mundshëm në koalicion i shohin me shumë sy kritik përfytyrimet e Macron-it për reforma.

Merkel, që tani u përfaqësua në Bruksel me qeverinë e vjetër, premtoi, se do t’i involvojë partnerët e mundshëm të koalicionit qysh tani në politikën e Europës. Vendimet e këtij samiti janë aq “të përgjithshme, sa askush nuk do të dalë kundër”. Por për reformat e rëndësishme Merkel do ta shmangë që FDP-ja apo ekologjistët të ndihen të anashkaluar, përpara se të dyja këto parti të kenë rastin që të influencojnë direkt në politikën e Europës.

Kosova në heshtje zgjedhore

Pas një fushate 30 ditëshe për zgjedhjet lokale, në Kosovë ka nisur heshtja zgjedhore. Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe këshilltarët komunalë

Zgjedhjet lokale mbahen në 38 komunat e Kosovës. Në këto zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale).

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale. Zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se KQZ-ja ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Pastaj organizata joqeveritare vendore, institucione ndërkombëtare, organizata joqeveritare vendore, përfaqësi diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës si dhe media vendore dhe ndërkombëtare. Për KQZ-në vëzhgimi i procesit zgjedhor është thelbësor, pasi kjo do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në procesin zgjedhor”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e 11 qershorit do të vëzhgohen edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”. Në këtë koalicioni bëjnë pjesë më shumë e 20 organizata nga komuna të ndryshme të Kosovës. Nga ky koalicion janë akredituar mbi 2.700 vëzhgues.

Ndërkohë, organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë thënë se kanë bërë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim joligjor në procesin e zgjedhjeve lokale.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur një ditë më parë se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, ka thënë Drejtori i Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në një takim lidhur me angazhimin e Policisë në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2017”.

“Zëri i Amerikës”: Prokurorët ndryshuan versionin e parë për udhëtimet e Tahirit me Habilajt

Në Shqipëri prokuroria tha sot se kishte dyshime të arsyeshme që ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës duke i dhënë mbështetje grupit të Habilajve, i cili i godit fillimisht pak ditë më parë në Itali

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të parlamentit, prokuroria, paraqiti në një seancë me dyer të mbyllura prova shtesë që sipas saj ishin në favor të kërkesës për arrestimin e zotit Tahiri. Ndërkohë gjatë mbledhjes ajo ndryshoi versionin për udhëtimet e zotit Tahiri me automjetin që më parë ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Seanca do të vijojë nesër me mbrojtjen e ish ministrit të Brendshëm.

Në hyrje të mbledhjes së sotme prokuroria kërkoi që diskutimet të zhvilloheshin me dyer të mbyllura për shkak të disa të dhënave që sipas drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj, përbënin sekret hetimor. Por deputetë të të dy krahëve kërkuan që fillimisht të paraqitej pjesa që mund të bëhej publike.

Duke argumentuar kërkesën për arrestimin e ish ministrit Tahiri, zoti Hajdarmataj tha se ajo erdhi pas gërshetimit të informacioneve mes hetimeve të nisura më parë nga Prokuroria ndaj grupit të Habilajve në Shqipëri dhe atyre që dolën nga hetimet në Itali që cuan në arrestimin e Moisi Habilajt dhe shpalljen në kërkim të vëllait tjetër Florian Habilaj, të cilët rezultojnë të jenë dhe kushërinj të zotit Tahiri: “Regjistrimi i procedimit, është bashkuar me dy procedime të tjera që ne i kishim në fazën e hetimit. Dhe duke i bashkuar të gjitha e duke patur parasysh dhe aktet e dala e të bëra publike, një pjesë të marrë tanimë dhe në rrugë zyrtare, ne kemi harmonizuar secilën provë me njëra tjetrën dhe kemi arritur në këtë bindje”.

Sipas drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e ish ministrit në aktivitetin e Habilajve: “Duke qenë se ne kishim paraprakisht të dhëna që këta persona e ushtronin aktivtetin e tyre në qetësi të plotë, ne kemi krijuar dyshimin, që kjo ndihmë, referuar dhe bisedave të përgjuara, në rastin konkret krijohet bindja dhe dyshimi i arsyeshëm që është i përfshirë në këtë aktivitet dhe deputeti Saimir Tahiri”.

Ndër elementët e rinj, të paktën ato të bërë publik, dhe që ishin përfshirë në kërkesën zyrtare drejtuar parlamentit, ishin të dhënat mbi udhëtimet që sipas prokurorisë zoti Tahiri, kishte bërë në verën e 2014, me makinën që e kishte shitur një vit më parë. Prokuroria në kërkesë shprehej se ish ministri kishte udhëtuar katër herë jashtë vendit i shoqëruar nga Artan Habilaj dhe të tjerë. Por duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve, zoti Hajdarmataj ofroi një version të ndryshëm: “Në tre nga udhëtimet pasqyrohet që ka udhëtuar shtetasi Saimir Tahiri. Në një nga udhëtimet, në kohën që shtetasi Saimir Tahiri ishte në Greqi, Artan Habilaj udhëton për në Greqi, dhe në kthim kthehet me këtë automjet vetë personalisht shtetasi Saimir Tahiri”.

Nga ana e tij zoti Tahiri në pyetjet drejtuar prokurorëve u kujtoi atyre se e njëjta prokurori ka hetuar me kërkesë të tij në vitin 2015, akuzat e bëra nga ish zyrtari i Policisë Dritan Zagani lidhur pikërisht me përfshirjen e automjetit të tij në trafik droge, dhe Iprokuroria i ka vlerësuar ato të pabaza: “Në asnjë informacion të përpiluar prej vetë shtetasit Dritan Zagani, apo bërë me dije në formë verbale eprorëve të tij, nuk përmendet automjeti me targë AA 003 GB sit ë jetë përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të lendëve narkotike”, tha zoti Tahiri duke lexuar vendimin e Prokurorisë për pushimin e çështjes.

Seanca u ndërpre më pas në mënyrë që prokuroria të paraqite provat dhe faktet që ajo i konsideronte sekrete. Me rifillimin e seancës avokati i zotit Tahiri kërkoi tre ditë kohë meqënëse sipas tij Prokuroria kishte paraqitur argumenta shtesë. Përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan. “Ka një kërkesë për shtyrje. Ju thoni se nuk kemi ngut. Jo, jo, ne kemi ngut. Se vetë kërkesa e prokurorisë përmban ngutin brenda. Sepse nëse mbani mend, ishte një nga pyetjet që ne u drejtuam: Keni frikë se prishen provat, keni frikë se mund të ikë, keni frikë se mund të kryejë sërish verpa të tilla penale? Po kemi frikë. Dhe ky është nguti”, u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.

Me vendim të kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi seanca për dëgjimin e zotit Tahiri do të zhvillohet nesër paradite.(VOA)