Haradinaj jashtë loje

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vendosur që Presidenti Thaçi ta ketë në dorë emërimin e shefit të ri të AKI-së, pasi Driton Gashi u shkarkua nga detyra për shkak të arrestimit dhe deportimit të gjashtë gylenistëve. Edhe pse ligji thotë se kjo duhet të bëhet bashkërisht mes presidentit dhe kryeministrit, ky i fundit ka hequr dorë nga ky proces, duke ia kaluar të gjitha kompetencat Presidentit Thaçi

Sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin emërojnë drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Haradinaj “jashtë loje”

Mirëpo, Kryeministri Haradinaj, thotë se në fund do ta japë vetëm nënshkrimin dhe nuk do përzihet në përzgjedhjen e të parit të ri të AKI-së. “Shefi i këtij emërimi është presidenti, unë duhet me qit firmën në fund, kaq”, ka thënë Haradinaj. Ai kësaj radhe mbeti “jashtë loje”, derisa edhe herët e kaluara nuk ishte marrë parasysh nga të tjerët, si në rastin e arrestimit të gjashtë turqve.

E këto akordime të kryeministrit dhe presidentit duke i ikur ligjit, i komentojnë për “Bota sot” analistë dhe ekspert të këtyre çështjeve.

Profesori Avni Islami, thotë për “Bota sot” që mospërfshirja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në përzgjedhje të drejtorit të AKI-së, tregon që kryeministri është i pafuqishëm ndaj Presidentit Thaçi. “Vërehet se presidenti po e zgjedh shefin e AKI-së, dhe nuk e di a po konsultohet presidenti me kryeministrin e Kosovës, mirëpo në këtë situatë kryeministri, Haradinaj, po del të jetë i pafuqishëm në raport me presidentin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Islami, potencoi, edhe një herë, se presidenti Thaçi duhet të ketë rol më pak vendimmarrës. “Presidenti duhet të ketë rol më pak vendimmarrës, për shkak se edhe me ligj është e përcaktuar se drejtori i AKI-së, duhet t’i raportojë Komisionit Parlamentar, Kryeministrit, dhe Presidentit”.

Vata: Në Kosovë po instalohet pushteti i pazarit politik në kurriz të kushtetutës

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, Ilir Vata, thotë se përzgjedhja e shefit të AKI-së, duhet të bëhet në mënyrë kushtetuese mes presidentit dhe kryeministrit, por sipas tij, nëse ata gjejnë një akordim mes vete, nuk ka asgjë të keqe.

“Institucionet kushtetuese kërkojnë vullnet të përbashkët politik në shërbim të Kosovës dhe në respekt të kushtetutës. AKI u bë shkak i një tensioni ndër-shtete, madje të një aleati në krah si Turqia dhe mendoj se kësaj radhe Kosova duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe të kushtetutës së pashkruar të pazarit politik mes dy krerëve të shtetit të Kosovës. Shteti nuk është për të ndarë llokma mes krerëve të saj por të mira për qytetarët e saj! Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është një institucion kushtetues dhe mekanizmi i zgjedhjes duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe nëse bëhet në bazë të standardit kushtetues nuk ka asgjë të keqe kur palët ndërveprojnë me dakordësi për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni”-u shpreh Vata për “Bota sot”.

Ai shpreson se ky vendim që presidenti ta emëroj shefin e AKI-së, të mos jetë ndonjë pazar politik, sepse atëherë emërimi do jetë i njëanshëm.

“Parë në këtë kontest nuk ka asgjë të keqe që emërimi të propozohet nga palët dhe cili do qoftë ai t’i përmbahet kushtetutës së vendit, por kur emërimi bëhet pazar i politikës, atëherë emërimi është i njëanshëm, posti i politizuar dhe në një farë mënyrë është tendencë si në rastin e Thaçit për të kontrolluar një institucion të tillë si AKI. Kryeministri I Kosovës Haradinaj, i besoi presidentit emrin e AKI-së, parë në planë të parë është normale sepse për hir të aleancës politike dhe ndarjes së pushtetit mes palëve dhe drejtuesi i AKI mundet të jetë pjesë e marrëveshjes, por nëse kryeministri e ka përdorur këtë institucion për të kënaqur palën tjetër në dëm të kushtetutës dhe të Kosovës atëherë mund të themi se në Kosovë po instalohet pushteti i pazarit politik në kurriz të kushtetutës”- tha Vata.

Protagonizmi i Thaçit

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë për “Bota sot” se njerëzit me autoritet më të lartë, e shfrytëzojnë situatën dhe i marrin vendimet vet, e gjithashtu i përmend disa raste kur Thaçi ka shkelur kushtetutën.

“Politikat janë të tilla, që ata politikanë që janë më me autoritet gjithmonë e shfrytëzojnë situatën dhe si dominues ata i marrin mbi supet e veta vendimet me te rëndësishme si në këtë rast emërimin e shefit të AKI-së. Edhe në kohën e shpalljes së Pavarësisë më 17.02.2008, i pat rastisur me e lexuar deklaratën e Pavarësisë edhe që ishte si Kryeministër, pranë asaj që e kishim Presidentin, kryeparlamentarin që në esencë ata e kishin përparësinë sipas Kushtetutës. Edhe tani në këto kohëra për shumë çështje Kryetari jashtë kompetencave të tij kushtetuese, është duke i udhëhequr bisedime me serbet dhe aktivitete të tjera pa i dhënë llogari askujt”- tha Tërnava.

Ai shton tutje se shefi i ri i AKI-së, do të raportojë prapë vetëm te presidenti Thaçi. “Edhe në këto raste sikur në shumë raste të mëparshme vendimin për emërimin e shefit te AKI-së e ndërmerr Hashim Thaçi, dhe është e kuptueshme se ai i cili e emëron shefin e AKI-së, atij i raportojnë ai shërbim. Edhe në të ardhmen do të ndërmerr veprime të njëjta ky president, deri sa nuk del dikush ma i fortit që t’ia ndërroj këtë praktikë.”-theksoi Tërnava.

Mehmeti: Thaçi ka fituar nën kthetrat e tij edhe AKI-në

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehemti, thotë se Hashim Thaçi po e shfrytëzon kryeministrin Haradinaj për pazare të tij politike, ndërsa ky i fundit sipas Mehmetit, po pranon çdo gjë nga Thaçi për arsye ta vazhdojë ëndrrën e tij e të qenurit kryeministër.

“Disa here është dëshmuar ndikimi i madh që Thaçi ka pasur ndaj Ramushit, ky i fundit i nënshtruar gjithmonë në kërkim të postit të kryeministrit. Në kuadër të kapjes së shtetit, Thaçi ka fituar nën kthetrat e tij edhe AKI-në, përmes se cilës po realizon pazaret e tija me diktatorin Erdogan dhe shërbimet serbe. Prandaj, Ramushi është i detyruar të pranoj çdo gjë nga Hashimi vetëm që të vazhdoj së jetuari ëndrrën e tij e të qenurit kryeministër. Emërimi i shefit të AKI-së, do jetë ndonjë servil personal i Thaçit, andaj Hashimi po heziton së emëruari derisa të gjej servilin e tij. Thaçi, gjithmonë e ka përdorur Ramushin për te arritur qëllimet e tija, dhe ende po vazhdon ta shfrytëzoj”- përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Media izraelite kritikon kancelaren Merkel

Të mbrosh civilët përmes ndërhyrjeve ushtarake gjithashtu mbron vlerat universale, diçka që Joachim Gauck e kuptoi ku ishte president i Gjermanisë

Ofer Aderet/Haaretz

Angela Merkel, liderja e botës demokratike nuk mendon se të vrasësh fëmijë me armë kimike është arsye e mjaftueshme për të sulmuar Sirinë. “Gjermania nuk do të marrë pjesë në aksionin ushtarak”, ka thënë të enjten kancelarja. “Por ne do të mbështesim dhe të shohim se çdo përpjekje është bërë për të treguar se ky përdorim i armëve kimike është i papranueshëm”.

Por çfarë mund të përfshijë “kjo përpjekje”? Dhe ç’do të thotë “e papranueshme”? Mesa duket jo më shumë se retorikë boshe. Merkel, që në vitet e fundit e ka portretizuar veten si një model i lidershipit të qëndrueshëm, pragmatike, me gjykim të shëndoshë dhe të përgjegjshëm ( në një det liderësh të trazuar, të paqëndrueshëm dhe ekstremistë), ende i qëndron vlerave të dala kohe të pacifizmit në këtë çështje. Ka vlera që Gjermania i adoptoi pas humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore, por nuk janë më të përshtatshme.

70 vjet pas Holkaustit, Merkel mesa duket konsideron pacifizmin më të rëndësishëm sesa fëmijët e vrarë me gaz. Në emër të një vlere kryelartë, ajo mund të vazhdojë të fshehë kokën në rërë ndërsa një diktator i çmendur masakron qytetarët e tij – gjithçka për të shmangur derdhjen e gabuar të gjakut të panevojshëm dhe për t’i ndotur duart në baltën e Lindjes së Mesme.

Duke bërë këtë, Merkel po e kthen kokën në një parim jo më pak të rëndësishëm – “përgjegjësia për të mbrojtur”, një ide e shtyrë nga ish presidenti gjerman Joachim Gauck. Ky parim i qëndron idesë se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbrojë njerëzit e vendeve si Siria kundër mizorive të kryera nga qeveritë e tyre. Por një mbrojtje e tillë përmes ndërhyrjes ushtarake nuk është thjesht fizike. Gjithashtu mbron vlerat universale, për të cilat supozohej se Gjermania mbante standardet.

Merkel nuk është vetëm. Do të ishte shumë e vështirë të mobizilohet mbështetje në parlamentin gjerman për ndërhyrje ushtarake në konflikte jashtë vendit dhe sidomos për koalicionin e sapolindur kundër Sirisë. Përqark spektrit politik, denoncimet janë bërë edhe kundër një tjetër lideri, presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për të cilin termi gjerman është “kërcënimet e tij të papërgjegjshme” në Twitter kundër regjimit të Assad në Siri dhe aleatit të tij rus.

Disa vjet më parë ka pasur lajmëtarë të ndryshimit në këtë çështje të ndjeshme e komplekse në përfshirjen ushtarake të Gjermanisë në konfliktet jashtë vendit. Në një fjalim në parlament, Merkel ka thënë “politika e shtrëngimit” mund të ndryshojë dhe parimet udhëheqëse mund të jenë tani “përgjegjësi kundrejt Europës dhe botës.”

Por kushdo që pret të shohë pilotët gjermanë të bombardojnë Shtetin Islamik në Lindjen e Mesme ishte zhgënjyes. Në këndvështrimin e Merkel, përfshirja e rritur gjermane nuk do të thotë patjetër përfshirje ushtarake.

“Kjo nuk është çështje e shkallës së përfshirjes ushtarake, është çështje e ushtrimit të ndikimit diplomatik nga një shtet kyç si Gjermania”, ka thënë ajo. “Kurrë nuk ka vetëm një zgjidhje. Nuk ka konflikt në botë që mund të zgjidhet ekskluzivisht me mjete ushtarake.”
Tani, e përballuar me një tjetër sulm kimik në Siri, çështja është ku të hiqet viza. A është ende me vend për Gjermaninë t’i qëndrojë politikës së saj të zgjidhjes së konflikteve ekskluzivisht përmes mjeteve diplomatike? A nuk ka ardhur koha që gjermanët të bëjnë një diskutim serioz e të vështirë rreth pozitës së tyre?

Katër vjet më parë, në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih, atëherë presidenti Gauck u përpoq të sfidonte Gjermaninë në këtë çështje. Në fjalimin e tij, tha se Gjermania tani ishte e fortë, e qëndrueshme dhe e begatë, ishte koha të konsideronte politikën e saj të jashtme dhe të mbrojtjes që ishte karakterizuar nga tërheqja dhe të përshtatet me sfidat e botës moderne. Ndonjëherë do të duhet të jetë e nevojshme të dërgojmë ushtarë, shtoi ai.

Po, Gjermania ka dërguar ushtarë në disa vende rreth botës, por të paktën zyrtarisht, ata nuk kanë qenë atje për të luftuar por për detyra ndihmëse që tingëllojnë më mirë në veshët e gjermanëve si “ruajtje e paqes” apo “ndihmë logjistike.”

Kështu, edhe kur Perëndimi u përpoq të mobilizonte një koalicion të gjerë kundër Shtetit Islamik më 2015 –ën, pas sulmeve terroriste në Paris, Gjermania u mjaftua me dërgimin e avionëve furnizues dhe spiunazhi për të ndihmuar-por të mos merrte pjesë në të – sulmet ajrore nga vendet e tjerë kundër trageteve terroriste në Siri. Kjo mund të shihet si cinizëm dhe ikje nga përgjegjësia.

Sërish, kjo politikë nuk është e re. Qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania adoptoi kushtetutë pacifiste, përgjithësisht ka shmangur ndërhyrjen ushtarake në konfliktet jashtë vendit. Kjo politikë ka fituar mbështetje të gjerë nga populli gjerman dhe ende ka. Dhe për brezat e para paslufte, është e kuptueshme dhe e justifikueshme. Ata kanë të gjithë arsyet të jenë dyshues për shtetin gjerman dhe ët mos kenë besim në përdorimin e forcës ushtarake.

Kështu, Gjermania nuk dërgoi trupa në Irak dhe abstenoi në votimin në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara që miratoi sulmet ajrore në Libi, më 2011-ën. Përjashtimi ishte Afganistani, ku mijëra ushtarë gjermanë u vendosën njëherë. Por ndërsa mizoritë e Luftës së Dytë Botërore qëndrojnë në të shkuarën, parimi pacifist që qëndron në këto vendime ndonjëherë është bërë justifikim që disa gjermanë e kanë përdorur për të justifikuar përtacinë dhe izolimin.

Gauck u përpoq t’u shpjegonte gjermanëve se ishte koha për të ndryshuar. “Kur mjeti i fundit të vihet në diskutim, Gjermania nuk duhet të thotë jo në parim”, ka thënë ai, duke iu referuar ushtrisë gjermane. “Në mjetin më të fundit, mjetet ushtarake mund të përdoren, pas një konsiderate të kujdesshme dhe peshim të pasojave.”

Pas sulmit kimik në Siri, Gjermania duhet të studiojë lutjen e guximshme morale të Gauck-ut se ata “nuk refuzojnë thjesht të ndihmojnë të tjerët kur dhunimet e të drejtave njerëzore shumëfishohen dhe përfundojnë në gjenocid, krime lufte, spastrim etnike apo krime ndaj njerëzimit.”

Lunaçek: Asociacioni s’guxon të ketë mandat ekzekutiv

Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por Asociacion s’guxon të ketë mandat ekzekutiv. Ajo po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të mundë të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën

Qeveria e Kosovës duhet ta paraqesë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por ky Asociacion nuk guxon të ketë mandat ekzekutiv.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste të botuar në gazetën “Zëri” ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek, duke shtuar se qeverisja lokale dhe bashkëpunimi midis komunave duhet të jetë i pavarur nga përkatësia etnike e popullsisë.

Gjatë kësaj interviste ish-nënkryetarja e Parlamentit Evropian ka folur edhe për raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës në rrugën e integrimit evropian të të dyja vendeve.

Sipas saj, asnjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së nuk do të jetë e gatshme për të pranuar një shtet tjetër me kufij të paqartë në Bashkimin Evropian pas pranimit të shtetit të ndarë të Qipros më 2004-n dhe për këtë arsye duhet të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.

Ajo thotë se do t’i pëlqente që gjashtë shtetet e Evropës Juglindore të pranoheshin në të njëjtën kohë në BE, sepse siç thotë politikania austriake kjo do të eliminonte rrezikun e bllokadave të ndërsjella në procesin e anëtarësimit, por e pranon se kjo aktualisht nuk është realiste

Burime nga BE-ja: Shqipëria me rekomandim, Kosova duhet të presë

Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon

Sipas informacioneve që ka DW për raportin e këtij viti për paketën e zgjerimit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.

Shqipëria dhe Maqedonia të gatshme për një hap të mëtejshëm drejt BE

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha DW se ai beson se të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE.”

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në krye të këtij viti, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë.

A do ta “zhbllokojnë” shtetet anëtare Maqedoninë?

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka pritur për një kohë të gjatë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE. Në 2005 Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE. KE e rekomandoi dy herë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, në 2009 dhe në 2012. Të dyja herët Maqedonia nuk mori mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare, në radhë të parë për shkak të konfliktit për emrin me Greqinë. Pas zgjedhjeve të fundit, në Maqedoni ndodhën ndryshime dramatike me ndërrimin e qeverisë. Vlerësimi i Brukselit është se Maqedonia e ka “kapërcyer krizën politike” dhe ka treguar “një vullnet të qartë politik për progres”.

Eduard Kukan thotë se Maqedonia ka bërë një progres të konsiderueshëm në vitin e fundit. Ai shton se kryeministri aktual Zoran Zaev po drejton një politikë të jashtme dinamike dhe po përpiqet t’i zgjidhë çështjet e hapura.

“Ndodh shpesh që shtetet anëtare nuk i bazojnë pozicionet e tyre në rezultatet që arrin një shtet në procesin e integrimit evropian, por në çështje politike dhe bilaterale. Unë do t’i bëja thirrje Këshillit që t’i vlerësojnë në mënyrë objektive rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia në rrugën e tyre drejt BE,” tha Kukan.

Jozyrtarisht, DW mësoi nga burime diplomatike të Brukselit se zyrtarë të lartë të BE kanë zhvilluar diskutime me shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën praktikisht deri në momentin e miratimit të raporteve.

Në Kosovë gjërat nuk ecin si duhet

Sipas Eduard Kukanit, Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit. Sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herhershme dhe tensione në të dyja palët. Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë. Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin. Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Besoj se ky raport nuk do t’i sjellë shumë inkurajim Kosovës, sepse mund të kishin bërë shumë më tepër. Sa kohë iu desh Parlamentit të Kosovës që të aprovojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi? Kjo është një provë se gjërat në Kosovë nuk ecin si duhet të ecnin. Unë pres një sërë rekomandimesh të ashpra në raport për atë si duhet ecur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen në rrugën evropiane,” tha Kukan.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, ai nuk do të jetë pjesë e raportit për Kosovën. Pas një kohe të gjatë, Prishtina plotësoi njërën nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe aprovoi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi. Në Bruksel dëgjon të thonë se në mënyrë që të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, së cilës ende i duhen viza për të hyrë në Shengen, Komisioni Evropian mund të paraqesë disa aspekte pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i cili është kushti i fundit që ka mbetur. Në anën tjetër, për shkak të imigrimit të madh nga Kosova, shtetet anëtare janë më shumë se të kujdesshme kur vjen puna për ta përfshirë Kosovën në listën e bardhë të Shengenit.

Serbia dhe Mali i Zi – kryesojnë, por me probleme të dukshme në sundimin e ligjit

Vitin e kaluar, Serbia dhe Mali i Zi morën nga Komisioni Evropian titullin e “pararojës” në rrugën drejt BE. “Është e qartë se këto vende do të marrin mbështetje nga KE për të hapur dhe për të mbyllur me shpejt kapitujt e anëtarësimit, shoqëruar me këmbënguljen për plotësimin e të gjitha kritereve pa lëshime,” thotë Eduard Kukan.

Ajo që është e qartë është se një nga pjesët më të rëndësishme, nëse jo më e rëndësishmja e raportit të Komisionit Evropian për Serbinë, do të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ka një vonesë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe në normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

Në këtë raport, KE do t’i kujtojë Serbisë se përparimi i saj në rrugën drejt BE do të varet nga reformat e brendshme po kaq sa nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialog, në radhë të parë në fushën e energjisë.

Megjithë vlerësimet e mira që merr për reformat e saj ekonomike dhe për rolin pozitiv në marrëdhëniet rajonale Serbia po përballet sërish me kritika për reformën juridike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes. Këto janë elementë të dhimbshëm në të gjithë rajonin, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë që prej nisjes së procesit të integrimit e´në BE. / DW

Bombardimi amerikanë shkallmoi psikologjikisht edhe Beogradin, Shkupin, Athinën dhe hajnat e Tiranës

Në disa biseda televizive dhe në shumë statuse këtu në FB, unë e kam deklaruar gjendjen financiare mizerabël të Rusisë. Dhe, për këtë, më janë “hedhur në grykë” me kundërshtime politike gati patologjike, politikanë të tembur nga reforma, por edhe gazetarë e analistë politikë që nuk e dinë se politika është shkollë. Por ja që pasioni dhe frika i dëmton gjithmonë mendjet e vobegtësisë intelektuale. Por, çfarë shkaktoi ndërkombtarisht bombardimi i Sirisë

Nga Spartak Ngjela

Bombardimi amerikan i Sirisë i datës 13 prill, bashkë me shkatërrimin psikologjik të Rusisë dhe vetë Putinit; shkallmoi psikologjikisht dhe: Beogradin, Shkupin, Athinën, por tulati thekshëm edhe korrupsionin madhor shqiptar – të gjithë bashkë – Berishën, Metën, Bashën. Kurse Edi Ramës i tha politikisht: “rri mirë ti derëzi, dhe nënshtroju fatit tënd!”.

Por ka edhe më tepër se kaq. Nën një prizëm të politikës globale ky bombardim duket se ngre siparin për zgjidhjen me anë të forcës të krizës së Lindjes së Mesme. Ka një konfuzion sot në këtë zonë, por gjithsesi mendimi politik amerikan dhe ai perëndimor duket sikur u bashkuan në një pikë: ushtrimi i forcës.

Historia na ka treguar se maturia e tepërme për të ushtruar forcën, i jep të dobëtit armën e intrigës. Dhe kështu veproi edhe politika ruse në këtë kohë dilemash perëndimore. Por forca e ushtruar kundrejt Sirisë dha edhe në Shqipëri rezultat pozitiv.

Që pardje, më datë 13 prill, në funksion të antikorrupsionit, historia e ecurisë së Reformës drejt Perëndimit në Shqipëri ka bërë dy hapa të mëdhenj përpara: së pari – nga bombardimi i Sirisë dhe falimentim i Rusisë në këtë rast, u tulatën në Tiranë antiamerikanët politikanë të lartë, gazetarë të lidhur me korrupsionin kryeministror shqiptar, redaksi gazetash e televizionesh, dhe të gjithë “revolucionarët haxhiqamilistë” që kërkojnë të bëjnë revolucion antiamerikan në Shqipëri.

Së dyti – u lajmërua hapja e negociatave për antarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian më 17 prill të këtij viti; dhe erdhi gjithashtu menjëherë edhe ftesa që kancelarja gjermane Merkel i ka bërë kryeministrit shqiptar që ky të vizitojë Berlinin në fund të këtij muaji. Për të gjithë rrafshin antireformë në Shqipëri, ky ishte një mat në shahun aktual politik.

Ishte vërtet një mat, sepse një kor i madh të korruptuarish të Tiranës kishin kërkuar ndihmë në Moskë. Por çfarë ndihmë mund t’u japë Moska disa hajdutëve shqiptare që nuk i pranon më koha shqiptare sepse kanë abuzuar me paratë e një populli të varfër?

Dhe shenja e parë u dha dhe në Shkodër: revolucioni haxhiqamilist i Saliut dhe Bashës nuk e nisi dot rrugën nga qyteti i Parë i përzgjedhur prej tyre për të filluar një revolucion antiamerikan. Po pse, këta të trembur, i dinë me Moskën shkodranët?!

Një dhe, dy ditë më parë, në funksion të revolucionit haxhiqamilist, Meta dhe Berisha nxorën Llallën që të lajmëronte se Amerika dhe Bashkimi Europian kanë dashur të arrestojnë Saliun dhe Metën.
Saliu priti që, pikërisht për këtë, të ngrihej Shkodra dje; e mandej me radhë të gjithë qytetet. Por ja që Shkodra nuk e përcolli fare “fatkeqësinë” e Saliut. Dhe kjo sigurisht që tregon se shkodranët qënkan dakord me arrestimin e Saliut.

Kurse në Tiranë ka tulatje: ta vazhdojnë apo jo rrugën e revolucionit. Por komedia erdhi dhe u shkrua si një parodi që kaloi nga beteja e miellit në Parlament, te falimentimi i Rusisë në Siri. Dhe mos mendoni se nuk kanë lidhje psikologjike. Është e njëjta psikologji, se Saliu dhe Meta prisnin me ditë që Rusia të sfidonte Amerikën në Siri. Sepse është e qartë që, armët kimike, Putini i hodhi kundër njerëzve të pafajshëm në Siri. I hodhi, dhe paralajmëroi përplasje ushtarake në rrafsh global po të goditje Siria. Saliu mori zemër dhe me miell shpalli në Parlament revolucionin e tij antiamerikan. Por sigurisht që dihet se i urrituri në ëndër gjithmonë sheh kullure.

Mjeranë më të mëdhenj se të korruptuarit qeveritarë të Shqipërisë së sotme, nuk besoj se ka parë Europa që pas Luftës së Dytë Botërore; sepse, as eksponentët e lartë të qeverive komuniste nuk janë katandisur në gjendjen që shohim sot në Tiranë Saliun dhe taborin e tij; por, edhe vetë Edi Ramën, që vërtitet si fëndyell sa nga Saliu te Amerika.

Komedi e madhe është kjo, por, nisur nga shtypi, më rëndë e paskan përjetuar thyerjen e Moskës në Siri ata analistët politikë që e nisin analizën nga shtëpia e tyre, vijojnë në lagjen e tyre, dhe në fund përfundojnë te gazeta, televizioni apo te portali që drejtojnë. Gjendje më qesharakë se kjo nuk ka përjetuar ndonjëherë klasa politike shqiptare. Por shqiptarët ama, janë drejt shpëtimit të tyre historik.

Si do të vijojnë punët këndej e mbrapa? Sigurisht që “trompave të Saliut do t’iu vendoset sordina”, kurse Rama kokëulur do të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen me Bashkimin Europian, do të dëgjojë Merkelin pa e pasur mendjen fare të fjalët e saj, dhe do të vijë në Tiranë që të presë fatin e tij sipas shprehjes së Dante Aligerit: “merre jetën ashtu si të të vijë!”

Sigurusht as Rama nuk ka më të ardhme politike; sepse nga mediokriteti pasionant mendoi që pushteti i tij do të zgjasë sa jeta politike e Saliut. Por brenda kësaj devize, është kapur në korrupsion. Reforma do t’i kapë të gjithë bashkë.

Kam përshtypjen se, nisur nga pozitat e forcës, këtë do t’i thotë Ramës edhe kancelarja gjermanë në fund të muajit. Pse, a nuk ishte Merkeli që tha kohët e fundit se “shqiptarët e zgjuar po drejtohen nga budallenj”. Dhe, ju mendoni se ajo ka frikë që t’ia thotë Ramës në sy këtë, kur e di që ky frenoi një vit Reformën në Shqipëri?

Mediat amerikane: Trump po rifiton Erdogan pas sulmit në Siri

Donald Trump ka ndjekur fjalë për fjalë udhëzimet e Kreut të Pentagonit, James Mattis në lidhje me sulmet mbi Siri. Siç bën të ditur Uashinton Post, me këtë sulm presidenti i SHBA ka arritur një sukses edhe politik pasi ka nisur të largojë Erdogan nga Putin

Linja e Mattis është thuajse një vazhdimësi e asaj të ndjekur nga administrate Obama; pra që SHBA nuk duhet të ndërhyjë në luftën civile siriane.

Strategjia është që Asad të fitojë ushtarakisht me ndihmën e Rusisë e Iranit, e më pas të vazhdohet me negociatat paqësore në Gjenevë për të ardhmen e vendit.

Një ditë pas sulmit, Trump ka folur me Macron dhe May dhe deri tani ata janë kompaktë me njëri-tjetrin dhe bien dakort që të qëllohen postacionet e armëve kimike siriane dhe të mos lejohet që ata të përdoren më.

Uashington Post thekson se Shtëpia e Bardhë mbron idenë se Asad përdor armët kimike si pasojë e limiteve të tij ushtarake dhe për të parandaluar një forcim të kundërshtarëve të tij.

Por ajo që Uashington Post e cilëson si lëvizjen më të rëndësishme në rajon, është braktisja sipas amerikanëve nga ana e Turqisë, e aleancës me Rusinë dhe Iranin.

“Regjimi sirian ka marrë mesazhin se masakrat e tij nuk do të qëndrojnë pa përgjigje”, tha Erdogan, çka për amerikanët është marrë si një sinjal pozitiv.

Merkel, edhe pse nuk e mbështet ushtarakisht, politikisht është rreshtuar në aleancë. Po ashtu edhe Izraeli e Kanadaja.

Synimi është që Siria të formosë konventën kundër armëve kimike e detyruar nga Rusia dhe të nisë çarmatosja.

Deri tani Trump e ka ndarë çështjen siriane në dy kuti: atë të ISIS dhe të luftës civile. Për ISIS po vazhdon ta luftojë, ndërkohë që luftën civile jua ka lënë të tjerëve. /tesheshi/

Opinione mbi sulmet në Siri

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca të shtunën kryen sulme ushtarake kundër qeverisë së presidentit Asad për shkak të përdormit të armëve kimike nga Siria kundër banorëve të saj. Sulmet kishin objektiv reduktimin e aftësisë së Sirisë për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jill Craig bisedoi me banorë dhe turistë në Uashington, për të mësuar se çfarë mendojnë rreth sulmeve

Grupe njerëzish u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër sulmeve ushtarake amerikane, britanike dhe franceze që goditën godinat e armëve kimike siriane.

“Unë mendoj se ky sulm ndaj Sirisë është thjeshtë pjesë e trashëgimisë së imperializmit amerikan, e bindjes se ne mund të diktojmë dhe kontrollojmë ato që ndodhin në mbarë botën. Dhe kjo, në mënyrë të pashmangshme, gjithmonë rrit mundësinë e konfliktit, shkatërrimit, vuajtje dhe humbje jete” thotë Michael Pappas, një student i mjekësisë.

Të tjerë thonë se mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioritet.

“Për sa u përket goditjeve dhe shkatërrimit të armëve kimike, e shoh si diçka pozitive, nëse këto armë po lëndojnë civilët sirianë. Por shqetësohem nëse në këto sulme u plagosën ose u vranë civilë sirianë në terren. Nëse kjo ndodh, është e tmerrshme” thotë Zach Jones.

…dhe ai nuk është i vetmi banor i Uashingtonit që ndihet në mëdyshje…

“Kam mendime kontradiktore në lidhje me këtë. Mendoj se është e nevojshme, jam e kënaqur që po përpiqemi të bëjmë diçka për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Siri, por jam edhe e shqetësuar, sepse bombardimi nuk është domosdoshmërisht zgjedhja ime e parë,” thotë Beth.

Ndërsa të tjerë këtu në Uashington besojnë se veprimi ushtarak ishte i domosdoshëm ndaj presidentit sirian Assad.

“Dikush duhet të përpiqet të mbrojë popullin e Sirisë, sepse sulmet me gaz helmues kanë vranë shumë fëmijë dhe mendoj se është veprimi i duhur” thotë një turist nga Karolina e Veriut.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Jim Mattis tha se këto sulme nuk do të përsëriten, nëse Presidenti Assad nuk do të përdorë më armë kimike. Shumë njerëz shpresojnë se kjo është e vërtetë.

“Epo, ishte një surprizë e madhe e të premtes mbrëma. Shpresa ime tani është se gjërat nuk do të përshkallëzohen deri në atë pikë ku zhvillimet nuk diktohen më nga njerëzit e matur”.

Presidenti Trump akuzoi Rusinë dhe Iranin, dy nga aleatët kryesorë të Sirisë, se kanë mbështetur “diktatorë vrasës” dhe i kërkoi Moskës të ndryshonte drejtim. Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara foli kundër sulmeve dhe paralajmëroi se do të ketë pasoja.

Interpelancat e opozitës, trysni apo kontroll mbi Qeverinë?

Me kërkesën e partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën është i thirrur në katër interpelanca. Thirrja në këto interpelanca ku kryeministri pritet të sqarohet për vendimet që ka marrë Qeveria, shihen në forma të ndryshme

Nga katër interpelancat për kryeministrin Haradinaj, në njërën nga to është thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e që ka të bëjë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion eurosh për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Avdullah Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se debatet dhe interpelancat kanë mbetur e vetmja formë e mbikëqyrjes së punës së Qeverisë nga ana e Kuvendit.

“Debatet dhe interpelancat kanë mbetur e vetmja formë e mbikëqyrjes së punës së Qeverisë nga ana e Parlamentit. Qeveria nuk paraqitet në Parlament për t’u përgjigjur në pyetjet parlamentare, shumë ministra dhe zyrtarë të tjerë nuk paraqiten as në Komisione Parlamentare, kështu që opozita detyrimisht po i përdor këto forma të debatit në Kuvend. Edhe në këto raste, Qeveria nuk po paraqitet në Parlament”, thotë Hoti.

Në dy interpelanca tjera, kryeministri është thirrur sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, si dhe në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucione dhe të zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thirrur në interpelancë kryeministrin në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Nënshkrimi i marrëveshjes me “Contour Global”, për të cilën kryeministri është thirrur në interpelancë.
Nënshkrimi i marrëveshjes me “Contour Global”, për të cilën kryeministri është thirrur në interpelancë.
Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianj, nuk do të mund të jetë prezent në këto interpelanca të thirrura për të hënën, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

Të hënën, shton Gashi, Qeveria është nikoqire e pritjes së kryeministrit të Bullgarisë, pra një agjendë, siç thotë Gashi, e planifikuar më herët.

“Nëse ishte organizuar në planifikim me agjendën e Qeverisë, konkretisht kryeministrit, nuk do të ishte një pengesë për shkak se edhe vetë kryeministri Haradinaj është i interesuar të jetë pjesë e këtij sqarimi publik për punën e tij, por zakonisht interpelancat në Kuvendin e Kosovës caktohen duke u bazuar në agjendën që ka Kuvendi i Kosovës dhe shumë herë është ardhur deri te një keqkuptimi që kryeministri po mungon atje si pjesë e papërgjegjësisë, por në fakt nuk ka qenë kështu – ka qenë për shkak të agjendave që kanë qenë të planifikuara”, sqaron Gashi.

Njohësi i zhvillimeve parlamentare, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se interpelancat më shumë sesa që po janë në funksion të ushtrimit të rolit të Kuvendit, po e pengojnë mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit dhe funksionalitetin e vetë Qeverisë.

“E para ka të bëjë me vetë organizimin e Kuvendit si institucion. Për seancën e së hënës janë renditur 25 pika, prej tyre janë pesë interpelanca, dhe katër debate parlamentare, nëse e marrim gjithsecila seancë mund të zgjasë deri në tre orë dhe vetëm interpelancat mund të marrin kohë 15 orë e lërë më debatet parlamentare, zgjedhja e anëtarëve të bordeve, shqyrtimi i projektligjeve, dhe të gjitha këto po bëjnë pastaj këto pika të mos mund të trajtohen brenda një seance të vetme dhe pastaj kur t’i vijë radha ndoshta pas një muaji apo dy, të mos jenë më relevante”, vlerëson Krasniqi.

Sipas Krasniqit, partitë politike, të cilat janë në opozitë, po mundohen që tani të jenë në një garë se cila është më aktive dhe po e mban primatin e partisë kryesore opozitare.

“Këto tri grupe parlamentare (LDK, VV dhe Grupi Parlamentar i Deputetëve të Pavarur), tani po mundohen që përmes interpelancave të tregohen se janë duke ushtruar më shumë rolin e tyre si parti opozitare dhe gjithë kjo nuk po i kontribuon procesit të zhvillimit të vendit në tërësi, pasi që nuk e kanë për qëllim zgjidhjen e atij problemi që po mundohen ta trajtojnë në Kuvend”, thekson Krasniqi.

SHBA dhe Rusia interpretojnë ndryshe sulmet Perëndimore në Siri

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përmendur shifra krejtësisht të ndryshme lidhur me sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në baza siriane, të cilat Uashingtoni i ka cilësuar si “zemra” e programit të armëve kimike të Sirisë

Moska ka pretenduar më 14 prill se mbrojtja siriane ka ndaluar 71 nga 103 raketa, në kuadër të operacionit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës. Pentagoni ka kundërshtuar një gjë të tillë, derisa Gjenerali, Kenneth McKenzie ka thënë se “asnjë nga raketat e përfshira në këtë operacion nuk janë ndalur nga sistemi sirian i mbrojtjes”. “Përgjigjja siriane ka qenë e paefektshme në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 14 prill se forcat siriane, duke përdorur sistemin sovjetik të mbrojtjes ajore ka demonstruar “efektivitet të lartë”, duke përmenduar edhe “trajtimin e shkëlqyer të personelit ushtarak sirian të përgatitur nga specialistët tanë”.

Këto deklarata janë përshëndetur nga media shtetërore ruse dhe zyrtarët, që kanë portretizuar sulmet ajrore me qëllim të ndëshkimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad për sulmin e dyshuar me armë kimike, si dështim të madh.

“Raketat e agresorëve Perëndimorë kanë rezultuar si shumë më pak efektive” kundrejt sistemit sovjetik për mbrojtje raketore, ka thënë televizioni shtetëror rus.

Në të njëjtën kohë, një anëtar i Dhomës së Ulët të parlamentit rus i është kundërpërgjigjur deklaratave të disa ditëve më parë të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilat paralajmërohej Moska për nisjen e raketave “të reja, të mira dhe “të mençura” drejt Sirisë. “Sistemi sovjektik i raketave doli të jetë më i mençur”, ka thënë Aleksei Pushkov përmes një postimi në Twitter.

McKenzie i ka thënë Pentagonit më 14 prill se operacioni i SHBA-së, Britanisë dhe Francës, “ka goditur me sukses secilin cak”. Ai ka thënë se janë nisur 105 raketa kundër tri caqeve në operacionin në Siri, i cili siç është shprehur ai “do të kthejë mbrapa për vite të tëra, sistemin sirian të armëve kimike”.

McKenzie ka thënë se forcat siriane kanë qëlluar vetëm 40 raketa tokë-ajër në përgjigje të sulmeve ajrore, shifër që rezulton me 31 raketa më pak në krahasim me numrin që ka përmendur Rusia.

“Shumica e këtyre veprimeve kanë ndodhur pasi kemi përfunduar misionin”, ka thënë McKenzie duke iu referuar sistemit sirian për ndalimin e raketave, duke shtuar se “ata kanë qenë tejet joefektiv dhe kanë rritur rrezikun për popullatën e tyre”.

McKenzie ka thënë Uashingtoni nuk ka informacione se sistemet ruse të mbrojtjes raketore janë përdorur gjatë sulmeve ajrore të Perëndimit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 14 prill ka urdhëruar sulme ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzya, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ka qenë “akt i agresionit” kundër shtetit sovran.

Ai ka thënë se veprimi i këtyre shteteve ka demonstruar një shpërfillje të ligjit ndërkombëtar.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile.

Haley ka përsëritur se presidenti Trump ka deklaruar që nëse Siria përdor sërish gaz helmues, SHBA-ja është e gatshme për të reaguar. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ai ka dënuar sulmet Perëndimore, “në mënyrën më serioze”.

Presidenti sirian, Bashar al- Assad, ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës kundër Sirisë, do të rrisin vendosshmërinë e Sirisë për “të luftuar terrorizmin në çdo inç” të shtetit.

Çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale? Avokatët tregojnë detajet

Tashmë kanë kaluar tre vite që kur Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo gjykatë do të hetojë krimet e ndodhura në Kosovë në periudhën 1998-2000. Aktakuzat dhe arrestimet nga kjo Gjykatë tashmë ka kohë që janë paralajmëruar, por një gjë e tillë tash e tri vite ende nuk ka ndodhur

Zyra e Prokurorisë Speciale nuk ka dhënë detaje për kohën se kur mund të ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. Duke folur rreth asaj se çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale dhe se pse deri më tani nuk ka filluar ngritja e aktakuzave dhe arrestimeve, ChristopherBennett nga kjo zyrë ka thënë se zyra e Prokurorit të Specializuar vazhdon hetimet e saj aq efektshme dhe aq shpejt sa mundet, por që nuk jep asnjë informatë tjetër.

“Zyra e prokurorit special nuk jep informacion për statusin e hetimeve për arsye profesionale, etike dhe ligjore. Për këtë arsye, unë nuk mund t’ju jap ndonjë informacion mbi atë se kush, çfarë ose kur do të ngrihen akuzat”, ka thënë Bennett.

Ndërsa, nga Zyra e Dhomave te Specializuara, thonë se ngritja e aktakuzave i takon Prokurorit të Specializuar. “Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë filluar punën tashmë për njëfarë kohe dhe janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga 5 korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Duke filluar nga korriku 2017, i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të ngrejë akuza”, thuhet në përgjigjen e zyrtareve nga Zyra e Dhomave të Specializuara.

TomëGashi tregon detajet

Avokati Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë nuk mund të fillojë punën efektive të saj para se të dorëzohen aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë.
Sipas tij, zyra e prokurorit Special në Hagë ka pasur kohë për hetime të mjaftueshme përmbi 4 vite që të hetoj pretendimet nga Raporti i DickMartit, të cilat janë bërë obligative pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Evropës në vitin 2011.

“Prokuroria Speciale në Hagë vepron sikurse edhe Prokuroritë e tjera pranë Gjykatave Ndërkombëtare, siç ka qenë Zyra e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavi dhe kanë të drejtë që të paraqesin aktakuza të cilat për një periudhë kohore mund edhe të mbahen të fshehura nga publiku dhe quhen aktakuza të mbyllura për të cilat Gjykata e gjënë kohën e përshtatshme për të lëshuar urdhër arrest, apo nëse kemi të bëjmë me zyrtarë të lartë shtetëror, aktakuzat mund edhe të ju dorëzohen dhe te kërkohet nga ta që të vete dorëzohen për të mos u arrestuar ashtu siç ka ndodhur rasti me Haradinaj, me rastin e akuzimit të tij në Tribunalin e Hagës për ish Jugosllavi”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka shtuar se Gjykata Speciale është duke e humbur kredibilitetin e saj, pasi që kanë kaluar me tepër se 2 vite e gjysmë prej nxjerrjes së ligjit për Gjykatën Speciale dhe ka kaluar thuajse një vit prej se Gjykata është funksionale.

“Sigurisht që vonesat në fillimin e punës së Gjykatës Speciale e zbehin kredibilitetin e saj , por askush nuk mund ta di saktë se kur do të bëhen publike aktakuzat e para, dhe askush nuk e din përveç Zyrës së prokurorit Special se kush do të jenë të akuzuarit e parë”, ka deklaruar avokati Gashi.

Faza përfundimtare

Ndërsa avokati Adrian Gjoshi, është shprehur se licencimi i avokatëve pranë Gjykatës Speciale është fazë përfundimtare e funksionalizimit të tërësishëm të kësaj Gjykate. “Siç edhe e kam përmendur më herët proceduralisht aktakuzat mund të jenë ngritur edhe para se të licencoheshin avokatet mbrojtës. Pra, qysh tani mund të jenë deponuar aktakuza në gjykatë nga ana e prokurorëve special. Mirëpo i pandehuri dhe avokati i tij, e marrin vesh për aktakuzën vetëm pasi të bëhet thirrja për t’u paraqitur ne Gjykatë. Përfundimisht, Gjykata Speciale nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta bërë punën e saj”, deklaroi avokati Gjoshi.

Edhe avokati Florin Vërtopi, është shprehur se Gjykata Speciale do ta përfundojë misionin e saj, ani pse kjo ende nuk ka nisur. “Me sa di unë asnjë projekt nuk ju ka dështuar deri më tani, pasi Gjykata Speciale është realitet, dhe deshëm apo nuk deshëm ne kjo Gjykatë me sigurinë më të madhe do të funksionojë deri sa ta përfundojë misionin e saj”, është shprehur avokati Vërtopi.

Dështimi i misioneve ndërkombëtare

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahemti, ka thënë se në Kosovën e pasluftës është eksperimentuar jashtëzakonisht shumë, duke filluar me administrimin civili deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e më pastaj janë instaluar mekanizma ndërkombëtar për rend dhe ligj, por kanë dështuar në misionin e tyre.

Sipas tij, mbështetur në përvojat e pasluftës, çdo mekanizëm ndërkombëtar për rend dhe ligj, si brenda vendit ashtu edhe jashtë Kosovës ka dështuar në misionin e vet.

“Edhe Gjykata Speciale ka krijuar përcepcionin negativ qytetar, pasi në njërën anë do të gjykoj vetëm krimet e supozuara një etnike, nuk do të hetoj krimet ekonomike të pasluftës, por mbi të gjitha me këtë zvarritje të funksionalizimit ka dëshmuar mos seriozitetin saj brenda mandatit ligjor. Sa i përket asaj se a mund të dështoj Gjykata Speciale? Nga kjo zvarritje e funksionalizmit të kësaj gjykate nuk mund ta nxjerrim një përfundim , pasi që po në këtë mekanizëm janë investuar milionat, duke filluar na personelin profesional me gjykatës e prokuror, por edhe hetimet e ndjeshme të cilat kanë filluar disa vite më parë.”, ka përfunduar Ahmeti.