Dëshmitari tregon ku e pa Limajn ditën kur u vranë Ramiz Hoxha e Selman Binishi

Në gjykimin e Fatmir Limajt, i cili akuzohet për krime lufte, lidhur me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës, dëshmuan tre persona

Tre dëshmitarët dhanë versionin e tyre për vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja më 2 tetor 1998. Në Gjykatën e Gjakovës Nuhi Binishi tregoi se si mësoi se është vrarë vëllai i tij, Selmani.

Dëshmitari tha se nuk ka qenë i pranishëm kur nga persona të maskuar është marrë vëllai i tij në Bellanicë, por tregoi momentin kur e ka parë atë të vrarë.

“Kam dëgjuar nga Nazmiu se vëllau im Selmani është vrarë në rrugën që çon në Semetisht. Kur kam shku atje e kam parë vëllain tim të vrarë. Fytyrën e kishte të mbuluar me një degë lisi me dushk. Prapa kokës ishte i goditur dhe gjoksin e kishte të mbuluar me gjak”, tha dëshmitari Nuhi Binishi.

Po ashtu, ai para trupit gjykues tha se të ndjerin e kishin varrosur brenda ditës ashtu siç ishte, “në mënyrë që sadopak të ruheshin gjurmët që më pas të zbardhim fatin e vrasjes”.

Dëshmitari tregoi se pas disa ditësh trupi i vëllait të tij ishte zhvarrosur nga disa persona, siç tha ai, “me uniforma të UN-it”. Ai shtoi se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë raport për këtë punë.

“Ne si familje nuk kemi marrë asnjë raport nga UN se çka kanë konstatu ata. Por, verbalisht nga një femër kur e kam pyetur më ka thënë se vëllai yt ka vdekur nga arma e zjarrit”, deklaroi Nuhi Binishi.

Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij Nuhiu tha të ketë pyetur edhe zyrën e Adem Demaçit në Prishtinë lidhur me vrasjen e vëllait të tij.

“Jo shumë pas vrasjes kam shkuar në Prishtinë, në zyrën e Adem Demaçit. Aty nuk e kam gjetur Ademin por një person tjetër të panjohur. Ai më ka dhënë një numër të telefonit për kontakt, e kam telefonuar 2 herë por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Herën e tretë kur e kam thirrë atë numër, më ka thënë: mos thirr ma sepse për disa raste nuk kthejnë përgjigje. Unë nuk kam qenë në dijeni se kujt do t’i drejtohet dhe kush nuk ka kthyer përgjigjen për vëllaun tim të vrarë”, shtoi dëshmitari.

Rreth rastit Nuhi Binishi tha të ketë kërkuar informacion edhe nga vetë i akuzuari Fatmir Limaj.

“Kur ka qenë për ngushëllime Fatmiri, e kam pyet edhe i kam thanë se vëllain tim nuk e kanë vra dikush nga Shqipëria as nga Drenica. Fatmiri më ka thënë se mund të jetë ndonjë shërbim sekret dhe se e ka një shok në shërbim sekret dhe do ta pyes. Asnjëherë nuk më ka kthyer përgjigje për këtë punë”, përfundoi Nuhi Binishi.

Ndërsa, vëllai i Ramiz Hoxhës së vrarë, Hajrizi, tregoi për një takim që kishin zhvilluar me policinë serbe te “Shupa” e Banjës disa ditë para vrasjes.

Ai tha se në atë takim ka qenë ai, vëllai i tij i ndjerë, hoxha i Bellanicës, gjithsej 14 veta nga Bellanica.

“Jemi ardhur këtu në fshat, tha burra kështu është puna. Dikush me shku e dikush mos me shku, dikush anej e dikush knej, e tash e caktuam krejt katuni me shku, veç mos me marrë kurrfarë obligime. E jena shku 14 veta. Në listën e këtyre 14 vetave kam qenë edhe unë, edhe vëllai”, theksoi Hajriz Hoxha.

Më pas Hajrizi tha se kanë dalë fjalë në fshat se ne jemi duke bashkëpunuar me forcat serbe. “Kur jemi kthyer, kemi biseduar në xhami për këtë punë dhe ka rrjedhë fjala se ne Bellanica u kemi dhënë para dhe armë serbëve dhe se gjoja kemi bërë marrëveshje me forcat serbe, e cila nuk ishte e vërtetë. Atë ditë forcat serbe janë tërhequr nga “Shupa” e Banjës”, tha Hajriz Hoxha.

Ndonëse thotë të ketë pasur raporte shumë të mira më të atin e Fatmir Limaj, në një cermoni mortore Hajriz Hoxha tha se i ka kërkuar sqarim për vrasjen e vëllait të tij.

“I kam thanë Kadri Limës, bani të fala djalit tan Fatmirit, edhe thuj mem jap sqarime a ka qenë vëllau im tradhtar e të shkoj te vorri i tij me famlije ta dënojë për së vdekuri ose duhet me dhanë llogari se kush e ka vra dhe pse”, tha dëshmitari.

Sot para Gjykatës ka dëshmuar edhe djali i të ndjerit Ramiz Hoxha, Enveri.

Ai rrëfeu për atë që kishte parë në ditën kritike, për takimin që ka pasur me të akuzuarin gjatë kohës kur ishte njoftuar se babain e tij e kanë rrëmbyer disa persona me maska.

“Kur kam dalë afër xhamisë e kam pa në kerr babën Ramizin, axhën Hajrizin dhe nje kushëri, Ejupin. I kam parë në dalje të fshatit në një “Golf 2” të ulur mbrapa, kerri tu ecë dy ushtarë të armatosur i shkojshin kerrit përmas dhe armët duke i drejtuar nga populli”, rrëfeu Enver Hoxha.

Enveri po ashtu tregoi edhe për takimin që ka pasur me Fatmir Limajn gjatë kohës kur ishte vënë në ndjekje të personave të maskuar që i kishin marrë të atin.

“Ejupi ka hyrë me mu në automjet dhe jemi nisur në drejtim të Banjës. Te “Shupa” e Banjës e kam taku Fatmir Limajn me gjithë një tjetër që atëherë s’e kam njohur e tash e di se ka qenë Skënder Hoti. Jam ndal e kam pyet personalisht Fatmirin: mos e ke parë një kerr, nuk i ka 2 minuta që ka shku këndej. Ky më tha: jo. Ka qenë i ulur ka shoferi ndërsa personi tjetër ka qenë i ulur në karriken e parë afër shoferit, me tesha të zeza sikur ata personat që e kishin marrë babën tem”, tha ai.

Më tej, dëshmitari tha se kur i thanë se nuk e kanë parë kerrin atëherë ishte nisur në drejtim të Banjës.

“Me qenë se forcat serbe kanë qenë të pozicionuara në Malishevë e kam ditë që nuk kanë mundur të shkojnë andej, jam kthy për në fshatin Kërvasari. Dhe pa hyrë në fshatin Kërvasari e kam pa babën të vrarë, edhe ni person tjetër që nuk e kam njoftë e tash e di që është Selman Binishi”, tha djali i të ndjerit Ramiz Hoxha.

Gjykata ia kishte ndaluar gazetarit të KALLXO.com të incizonte me kamerë gjatë dëshmisë së dëshmitarëve. Gjykimi do të vazhdojë nesër me dëgjimin e disa dëshmitarëve të tjerë.

TAP, në vitin 2018 lëshohet gazi nga Azerbajxhani

Ndërtimi i gazsjellësit TAP po shkon drejt fundit sipas parashikimeve. Nga Zvicra kompania njoftoi zyrtarisht se ka përfunduar dërgesat e të gjitha tubave në tre vendet pritëse, Shqipëri, Itali dhe Greqi

Në Selanik u bë transporti i fundit, duke mbyllur kështu një nga ciklet më të rëndësishme të ndërtimit të gazsjellësit.

Gjithsej janë transportuar 55 mijë segmente tubash çeliku, me një peshë prej 580 mijë tonë, sa 71 kulla “Eiffel”. Dërgesa e parë është bërë në prill 2016, në Durrës. Shtrimi i tubacionit përgjatë gjurmës pritet të përfundojë vitin ardhshëm, ndërkohë që paralelisht punohet në stacionet e pompimit.

Dërgesat e para do të lëshohen nga Azerbajxhani drejt Turqisë dhe Gjeorgjisë në 2018, ndërsa në tregun evropian gazi do të mbërrijë në 2020.

TAP nënvizon faktin se si ky gazsjellës përveç Evropës perëndimore hap perspektiva të reja furnizimin me gaz natyral të vendeve të Ballkanit, duke mbështetur kështu ndërtimin e gazsjellësit tjetër Adritiko-Jonian, që nis në Shqipëri dhe përfundon në Kroaci.

Pikërisht ky projekt do të përshpejtojë ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në vendin tonë dhe një pjesë e mirë e industrisë në vend mund të përfitonte nga ky burim energjie i lirë.

Përfundimi i ndërtimit të gazsjellësit do sjellë edhe uljen e peshës në investimet e huaja në Shqipëri, e cila mbeti e lartë dhe e përqendruar në dy projekte të mëdha, TAP dhe kaskada e Devollit.

/ Top Channel

Operacioni “Trëndafili i erës”/ Si Habilajt mbushën Italinë me armë dhe drogë (video)

Mediat italiane e kanë konsideruar “një organizatë të vërtetë kriminale dhe mafioze të trafikut të drogës dhe armëve”

Nga një kërkim në mediat kryesore të vendit fqinj që të gjitha i kanë dhënë hapësirë operacionit të “Guardia di Finanza” që vuri në pranga 3 shqiptarët Moisi Habilaj (39 vjeç), Maridian Sulaj (29 vjeç) dhe Fatmir Minaj (55 vjeç). Në fakt urdhër-arrestet kanë qenë 11, citon lapsi.al. Përveç 3 shqiptarëve, në pranga janë vënë edhe 4 italianë ndërsa persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet për të cilët është lëshuar një mandat kërkimi ndërkombëtar.

“Trëndafili i erës”

Pikënisja e arrestimeve ka qenë një operacion i koduar “Trëndafili i erës” ku u sekuestruan 20 mijë euro të thata. Nga hetimet doli në dritë se kjo bandë në vitet e fundit kishte arritur të trafikonte në Itali armë dhe drogë në sasi të mëdha. Llogariten deri në 3.5 ton marijuanë e sekuestruar në disa operacione ku janë vënë në pranga të pakton 20 korrierë. Policia italiane sekuestroi edhe shumë armë kallashnikov dhe qindra municione. Agjentët italianë zbuluan se droga do të shpërndahej në rrugët dhe sheshet e Katanias. Vlera e saj në treg ishte rreth 20 milonë euro.

Në maj 2015 mjetet detare të trupës së Mesinës dhe Komandës Operative Aeronavale interceptuan në afërsi të Riposto, një peshkarexhë që ishte nisur nga brigjet shqiptare në bordin e së cilës u zbuluan 900 kg marijuanë, 2 armë kallashnikov me karikatorë dhe qindra municione.

Si funksiononte banda

Për të zbardhur se si funksiononte kjo bandë janë përdorur metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale. Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesor është cilësuar. Antonio Riela, i cili ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve. Mediat italiane shkruajnë se 4 personat e shpallur në kërkim besohet se janë shqiptarë për të cilët i është kërkuar policisë shqiptare arrestimi dhe ekstradimi. Sipas të njëjtave burime në hetime është përfshirë edhe antiterrorizmi për shkak se ky rrjet i trafikut kishte në fokus të tij edhe armët.

Vuçiq do të propozoi ndarjen e Kosovës

Kryetari serb ka paralajmëruar se në mars do të dalë me një propozim për Kosovën, i cili nuk do të injorojë realitetin në Kosovë, por as nuk do të pranojë pavarësinë e saj. Gjasat janë që Serbia ta zyrtarizojë kërkesën për ndarjen e Kosovës

Nga Enver Robelli

Njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj të ndarjes së Kosovës në Serbi është ministri i Jashtëm Ivica Daçiq. Ai këtë ide e mbështet prej vitesh – herë si kryeministër, herë si zëvendëskryeministër, herë si shef i diplomacisë. Daçiq thotë se po të lejonte bashkësia ndërkombëtare, me shqiptarët Serbia do të merrej vesh lehtë për ndarje.

Kur presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në korrik botoi një editorial në gazetën «Blic» mbi domosdoshmërinë e dialogut të brendshëm serb për Kosovën, ai nënvizoi se Serbia nuk duhet të ketë iluzione se do ta qeverisë Shtimen dhe Malishevën, por, shtoi ai, Beogradi nuk duhet të heq dorë nga ajo që e kontrollon. Dihet se qeveria e Beogradit më së shumti ndikim ka në veriun e Kosovës.

Pas editorialit të Vuçiqit menjëherë u kyç në debat Ivica Daçiq me kërkesën për ndarjen e Kosovës. Qëllimi i shqiptarëve, sipas tij, është krijimi i «Shqipërisë së Madhe», e cila kërcënon të bëhet «shteti potencialisht më vital i Ballkanit». Në tekstin e Daçiqit dominon retorika historiko-nacionaliste serbe. Aty theksohet se përveç krijimit të «Shqipërisë së Madhe» shqiptarët synojnë ta «aneksojnë» veriun e Kosovës dhe ta lidhin me Sanxhakun mysliman për ta ringjallur «territorin osmano-historik». Kështu, sipas tij, lidhja e «Kosovës së islamizuar» me Sanxhakun do të ishte humbja më e madhe për popullin serb se të gjitha humbjet në shekullin e XX.

Të hënën debatin për Kosovën e ka vazhduar kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një intervistë dhënë gazetës «Novosti», e cila drejtohet nga një propagandist shumëvjeçar i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Në intervistë Vuçiq ka thënë se është realiste të pritet që në mars të vitit të ardhshëm Serbia të dalë me një propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas tij çdo zgjidhje tjetër është e pranueshme përveç pavarësisë së Kosovës, siç e duan shqiptarët, dhe parullave serbe mbi territorin që i përket Serbisë qe disa milionë vite. Vuçiq tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të kërkojë kompromise të dhimbshme për të dy palët dhe ajo zgjidhje, sipas tij, do të kritikohet nga të gjitha anët.

Në intervistën dhënë gazetës «Novosti» Vuçiq përpiqet të përshkruajë veten si hero që pandërprerë lufton për mbrojtjen e interesave të Serbisë. Ai thotë se të huajt në Serbi nuk do të lejohen të ndërhyjnë në formulimin e politikave dhe tregon se si ka refuzuar propozimin e BE-së që në shtatë komunat e veriut të Kosovës policia të jetë e përberë sipas numrit të popullsisë. Kjo, sipas tij, do të kishte për pasojë që në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe në Mitrovicën Veriore 68 për qind e policëve do të ishin shqiptarë dhe 32 për qind serb. «Nuk kam pranuar këto qarqe komuniste, por kam kërkuar të etablohet një qark i vetëm – veriu i Kosovës dhe në bazë të tij të krijohet policia rajonale në të cilën 90 për qind do të jenë serbë».

Vuçiq tha se ka ka pasur kërcënime nga ana e BE-së në lidhje me policinë rajonale, por nuk ka lëshuar pe, andaj në veriun e Kosovës nuk ka «polici shqiptare», thotë Vuçiq. Megjithatë, kryetari serb ka thënë se Serbia nuk e ka luksin e konflikteve me Fuqitë e Mëdha. I pyetur lidhur me kritikat që ambasadori i SHBA-ve ia ka bërë ministrit serb të Mbrojtjes për shkak të lartësimit të kriminelëve të luftës, Vuçiq iu shmang përgjigjes.
Në këtë intervistë nuk mungojnë edhe deklaratat tipike të Vuçiqit, ku ai përpiqet ta portretojë veten si njeri modest. «Kur e fotografova Erdoanin në Novi Pazar, ai më tha: Modestia jote dhe normaliteti janë të rralla. Këtë e kam vërejtur edhe kur hëngre simit, edhe kur më fotografove». Ja, pra, politikani modern ballkanik: ha simit dhe fotografon.

Çfarë bie tjetër në sy në këtë intervistë? Vuçiq citon politikanë izraelitë kur flet për rënien e natalitetit të Serbi («Kryeministrja e famshme izraelite Golda Meir ka thënë se kur zgjohet natën e di se në atë çast kanë lindur tre palestinezë dhe një fëmijë izraelit»). Kryetari serb shprehet i shqetësuar mbi shpopullimin e Serbisë. Një politikan tjetër që citon Vuçiq në intervistë është Shimon Peresi, i cili paskësh thënë: «Ai që nuk kupton se duhet të punojë gjashtë orë dhe të mësojë dy orë, nuk do të ketë sukses». Sipas gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeigung» citatomania e Vuçiqit është pasojë e ndikimit të këshilltarëve të tij nga Izraeli si Aron Shaviv nga firma «Strategy and Campaigns» dhe Asaf Eisin, një ekspert i marketingut.

Albanologu i shquar Robert Elsie varroset nesër në Alpet shqiptare, me kostum kombëtar

Amanetin nuk e tret as dheu… Albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur, kanadezi me origjinë gjermane, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pak ditë më parë do të prehet në Shqipëri

Ai e la amanet dhe një gjë e tillë do të përmbushet nesër. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka njoftuar sot se në përmbushje të amanetit të fundit të albanologut të shquar, Robert Elsie për t’u varrosur në Alpet Shqiptare, trupi i tij do të qëndrojë nesër, më datë 17 tetor, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00, kur edhe do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në Shkodër.

Sipas “Gsh.al” tashmë është konfirmuar se Robert Elsie, do të prehet me kostum popullor shqiptar. Mësohet se ditë më parë, fotografi Roland Tasho i ka dërguar familjes së tij një kostum të zonës së Shkodrës, me të cilin është veshur trupi i pajetë i albanologut. Ai do të prehet në Theth, ashtu siç edhe e ka lënë amanet albanalogu.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga miku i tij, Artur Metani, i cili ka qenë një ndër miqtë e tij më të afërt dhe që e ka shoqëruar më 25 vite në udhëtimet e tij në Shqipëri.

I qetë, i qeshur, i urtë, i pazë, modest e timid, pa rrahur gjoksin, larg skenave e projektorëve, fjalë- pakë e punëshumë, Elsie qëmtoi për vite të gjata dëshmi të kulturës shqipe, në biblioteka e arkiva, anekënd botës. Që nesër trupi i tij do të prehet në Shqipëri, ashtu si e kishte lënë edhe amanetin.

Shtohet numri i vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës

Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar që gjatë këtij viti, në Kosovë, 11 punëtorë të humbin jetën në vendet e tyre të punës

Vdekjet e punëtorëve dhe lëndimi i tyre në vendet e punës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë ndodhur në sektorin privat, kryesisht në ndërtimtari, por nuk përjashtohen edhe sektorët e tjerë.

Florimi vëllai i të ndjerit Fadilit 41-vjeç, i cili pati humbur jetën në vendin e punës në janar të vitit 2016, tregon se ishin kushtet joadekuate të punës që i kushtuan me jetë vëllait.

“Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Ai ka qenë në sigurim, i punësuar si roje në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë. Është rrëzuar nga çatia e bibliotekës pasi që ishte ngjitur të rregullonte diçka. Nga aty kishte rënë poshtë dhe e kishe gjetur vdekjen. Kushtet e punës dhe siguria besoj që nuk kanë qenë adekuate në vendin e punës”, thotë ai.

Fadili ka lënë gruan dhe dy fëmijë, për të cilët siç thotë Florimi, kompania në të cilën kishte punuar vëllai i tij, nuk i ofruan mbështetje financiare.

“Kompania ku ka punuar përveç përkrahjes financiare në fillim nuk ka dhënë mbështetje tjetër, me arsyetimin se puna e tij ka qenë të punojë vetëm si roje dhe jo të punojë diçka atje (në çatinë e bibliotekës) ku edhe ka ndodhur aksidenti fatal. Nuk ka pasur as përkrahje nga shteti, përveç një asistence sociale”, tregon Florimi për Radion Evropa e Lirë.

Punëtorët në Kosovë në numër të konsiderueshëm punojnë pa sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor.

Ndërkohë, krahasuar me vitin 2016, numri i aksidenteve me fatalitet në vendin e punës ka shënuar rritje, tregon Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Derisa, numri i të lënduarve në vendin e punës arrin në 30 persona, por që ky numër thuhet se mund të jetë më i madh, pasi jo gjithmonë pronarët e kompanive paraqesin rastet e lëndimeve.

“Janë 11 raste të vdekjeve në vendin e punës këtë vit. Pra, këtë vit kemi më shumë raste të vdekjeve krahasuar me vitin e kaluar, kur kanë qenë 9 vdekje në vendin e punës. Fatkeqësisht vdekjet në vendin e punës kanë ardhur si pasojë edhe e pakujdesisë së punëtorëve, por edhe për shkak të mospërmbushjes së kushteve të sigurisë në punë”, thotë Ibrahimi.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën, shqiptohen gjoba.

Niveli i ulët i sigurisë në punë ka qenë vazhdimisht i theksuar edhe nga mekanizmat në Kosovë që merren me mbrojtjen e punëtorëve.

Avni Ajdini, kryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur. Kjo sipas tij, vjen si pasojë e inspektimeve të pakta që iu bëhen kompanive.

“Kushtet në të cilët punojnë punëtorët në Kosovë janë minimale. Siguria në punë nuk është në nivelin e duhur. Ne nuk jemi të kënaqur me punën e Inspektoratit të Punës sepse kapacitetet e tyre humane janë të mangëta. Kërkohet më shumë inspektime të kompanive , për të mos ardhur deri te vdekjet në vendin e punës”, thotë Ajdini.

Sektori privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, konsiderohet si shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve, ku rrjedhimisht ka edhe një nivel më të ulët të sigurisë në punë, derisa në sektorin publik gjendja paraqitet shumë më e mirë.

A po heq dorë nga ideologjia vehabite Arabia Saudite

Arabia Saudite ka larguar nga vendet e tyre të punës mijëra imam nga xhamitë për shkak të radikalizmit, ka konfirmuar ministri i punëve të jashtme të Arabisë Saudite Al-Jubeir

Me deklaratën e tij kontraverse se shteti i tij i ka përjashtuar mijëra imam nga xhamitë saudite për shkak të mbështetjes së radikalizmit, ministri saudit i punëve të jashtme Adel al Jumeir ka hap derën për pyetjen: apo heq dorë Arabia Saudite nga ideologjia vehabite të cilës shteti gjer tani i ka dhënë legjimitet të plotë? Al Jubeiri këtë deklaratë befasuese e ka dhënë për televizionin rus Russia 23, të cilën e ka përcjell edhe agjencioni shtetëror rus TASS para disa ditësh. Me këtë rast ai ka deklaruar se shteti i tij i ka zëvendësuar nga funksioni i imamit në xhami mijëra imam për shkak të radikalizmit dhe se shtetit po punon në modernizimin e sistemit të vet arsimor ashtu që të evitojë mundësinë e interpretimit të gabuar të teksteve të shenjta. Zyrtari saudit ka arsyetuar se këto vendime vijnë në kuadër të luftës kundër ideologjisë radikale.”Nuk do të lejojmë askujt të përhapin ideologjinë e urrejtjes, as të financojë këtë lloj të ideologjisë apo terrorizmin. Qasja jonë në zgjidhjen e këtij problemi është shumë e rreptë”, ka deklaruar Al-Jubeir.

Deklarata e Al-Jubeirit ka shkaktuar polemikat të gjera në rrjetat sociale, pasi që kjo është deklarata e parë e këtij lloji dhe se Arabia Saudite më herët nuk ka paralajmëruar kurrfarë plane për zëvendësimin e imamëve të cilët kanë bërë thirrje në radikalizëm dhe terrorizëm. Gjersa shfrytëzues të caktuar të rrjetit social Twitter përshëndesin këtë veprim, të cilën e shohin si përmirësime të gabimeve të cilët zgjasin me dekada, gjersa të tjerët i kanë përshkruar si shpallje luftë natyrës konservative të shoqërisë saudite. Disa komentues në komentimet e tyre i kanë krahasuar ngjarjet në Arabinë Saudite me atë që me fenë islame ka bërë themeluesi i shtetit modern turk, Kemal Ataturk.

Por, analistët e ndërlidhin këtë vendim saudit me deklaratën e sekretarit shtetëror amerikan Rex Tillerosn para disa javësh se Washingtoni ka nënshkruar marrëveshje sekrete me Arabinë Saudite për revidimin e programeve arsimore të cilët e arsyetojnë”ideologjinë terroriste”. Njashtu, vendimi ka pasuar pas disa muajsh të suspenzionit të punës së Këshillit për urdhërimin e të mirës dhe largimit të së keqes dhe të kufizimit të rolit të institucioneve fetare në shtet nëpërmjet sulmeve në fetvat e shumta(dekret juridike) prapa të cilëve kanë qëndruar zyrtarët saudit me dekada. Në rastet më të njohura bëjnë pjesë edhe shfuqizimi i fetvasë me të cilin femrave iu ndalohej vozitja e automjeteve.

Vendimi për zëvendësimin e dijetarëve fetar është sjell në kuadër të ndryshimeve të mëdha të cilët po ndodhin në shoqërinë saudite, në të cilin hynë edhe zbutja e kufizimeve për organizimin e festave muzikore. Më herët ngjarjet e këtilla organizoheshin në forma të mbyllur, por tani edhe kjo ka ndryshuar, në kuptim të organizimit të kremtimeve publike në të cilat po vijnë edhe gjer te përzierja e meshkujve dhe femrave, gjë që po bie në kundërshtim të haptë me traditat saudite. Kjo më së miri ilustrohet në shembullin e kremtimit të ditës kombëtare të Arabisë Saudite nga muaji kaluar pas së cilës kanë pasuar reagime të vrullshme në rrjetet sociale të cilët gjer në ditët e sotshme nuk janë ndalur.

Krahas tregimit për zëvendësimin e zyrtarëve fetar po vazhdon edhe zbatimi i fushatës së burgosjes të dhjetëra imamëve të cilët kryesisht kanë promovuar idetë reformiste dhe kanë qenë kundër radikalizmit. Predikuesit e caktuar të cilët pushtetarët saudit i kanë burgos, ishin të ekspozuar sulmeve të zyrtarëve fetar të afërt me strukturat qeveritare. Në kohën kur Al-Jubeir përpiqet të plasojë këtë vendim si konfirmim i drejtimit të vendosur të shtetit të tij që të kundërshtoj atë që quhet terrorizmi dhe radikalizmi, ekzistojnë edhe ata të cilët këto veprime i shohin si pranim se shteti i tij ka dhënë mbështetje”ideve radikale” të cilët i ka përhap jo vetëm në Arabinë Saudite, por edhe në pjesët e ndryshme të botës nëpërmes qendrave dhe predikuesve të cilët i ka financuar pikërisht Arabia Saudite.

Revista Wall Street Journal ka publikuar në gusht se Arabia Saudite shpenzon afër 4 miliard dollar në vit për përhapjen e doktrinës vehabite në botë, duke treguar me dhjetëra qendra të lidhur me ambasadat saudite në të gjitha kontinentet. Nga ana tjetër eksperti për drejtën ndërkombëtare Anwar Malik konsideron se deklarata e Al Jubeirit flet për vendosmërinë e Arabisë Saudite në luftë kundër ideve radikale. Në programin e Al Jazeerës “Ma wara al-khabar” e cila është edituar të martën në mbrëmje, ka deklaruar se informata e Al Jubeirit për lirimin e mijëra imamëve nuk paraqet numër të madh në shtetin i cili ka afro njëqindmijë xhami, në të cilin punojnë me qindra mijëra predikues.

Megjithatë, opozitari saudit Yahya Assiri konsideron se deklaratat e shefit të diplomacisë saudite janë të barabartë me atë të pranimit se shteti i tij është përgjegjëse për radikalizëm dhe terrorizëm, posaçërisht kur bëhet fjalë për shërbyes fetar dhe predikuesit të cilët pushtetarët saudit i kanë vendosur në funksione, i kanë paguar ata, bile edhe i kanë përgatitur fjalimet për hytbet (ligjëratat) e rregullta javore ditën e xhumasë. Assiri në programin e njëjtë e ka akuzuar Riadin se vazhdon”tregtinë me terrorizmin”, të cilën e ka përshkruar.” Dhimbshëm është të dihet se populli gjithmonë është viktimë. Kur qeveritarët saudit përpiqen të promovojnë veten ose të prezantohen para botës, dhe kur flasin se ata janë ruajtës paqes, ndërsa popullin e vet e përshkruajnë si terroristë dhe radikal. Është e njohur se ky terrorizëm vjen nga strukturat qeveritare, idetë e tyre dhe zbatimit të represionit, vrasjeve he burgosjeve të cilët qeveritarët saudit vazhdojnë të zbatojnë kundër të gjithë atyre që flasin kundër mendimit të tyre”, ka deklaruar Assiri.

Dr.Ahmad al Rajsuni, zëvendës kryetari i Asociacionit botëror të dijetarëve mysliman, konsideron se Arabia Saudite kalon”në gjendje të konfuzionit total në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme”. Al Rajsuni ka thënë se ky konfuzion manifestohet në ”marrjen e vendimeve, politikave dhe planeve sekret, pasi që kurrë nuk sqarohet, e as që opinioni përgatitet për këtë”. Konsideron se këto vendime vijnë në përputhje me deklaratën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Washington Jusuf al Otaiba se shtetet të cilët i kanë vendosur bllokadë Katarit punojnë në tranzicionin e shoqërive të tyre ndaj rregullimit sekular.

Njashtu ka thënë se largimi”i ushtrisë së shërbyesve fetar”, dhe akuzave se ata kohë të gjatë kanë promovuar radikalizmin dhe terrorizmin pikërisht” pranimi indirekte se Mbretëria saudite ka tubuar ushtrinë radikale e cila dominon në sistemin arsimor, formojnë mentalitet dhe atë eksportojnë në botën islame”. Prandaj Al Rajsuni shtron pyetje se mbretëria a do të kërkoj falje botës për të gjitha të këqijat që ka shkaktuar kjo ideologji vehabite të cilën dekada me radhë e ka promovuar dhe përhapur jo vetëm në Arabinë Saudite por edhe në botë.

Vëzhguesit pajtohen se procesi i transformimit të thellë të cilin Arabia Saudite ka filluar në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme është ngushtë e lidhur me atë që flasin mediat perëndimore kur flitet për transformimin e pushtetit nga mbreti Selman bin Abdyl Azizin tek i biri i tij, princi Muhamed bin Selmanin.

Burimi : Al Jazeera

Miti serb për Kosovën (3)

Historianët që kanë studiuar burimet historike në lidhje me Betejën e Kosovës, duke filluar nga Ilariona Ruvarca dhe Ljubomir Kovačević, themeluesit e historiografisë kritike në Serbi, deri tek Sima Çirkoviç i cili është burimi i kësaj beteje në dekadat e fundit të shekullit të 20-të, hetohet se ka burime pak të besueshme, pra është e rëndësishme për të kontrolluar besueshmërinë e dokumenteve në lidhje me Betejën e Kosovës sepse njohuritë tona të besueshme në lidhje me këtë mit po bëhen gjithnjë e më pak të besueshme


Nga Ivan Çolloviq


Kosova jugosllave

Kur përfundoi Lufta e madhe me mposhtjen e fuqive qendrore dhe rrëzimin e monarkisë Austro-Hungareze, Serbia përsëri mund të festonte hakmarrjen dhe fitoren, ndërsa pas vdekjes së mbretit Pjetër në vitin 1921, pasardhësi i tij, mbreti Aleksandër, përsëri u lavdërua si hakmarrës i Kosovës, por bashkë me titullin e nderit tani kishte edhe dy tituj: mbret hakmarrës dhe mbret i bashkimit. Ky titull i dytë i vuri në pah meritat e Aleksandrit për krijimin e një shteti të ri, Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Atij vetë i ishte thënë, ishte më i shqetësuar me titullin Bashkues sepse politika e tij kishte për qëllim kryesisht ruajtjen e unitetit të krijimit të shtetit të ri. Ruajtjes së këtij uniteti i kishte shërbyer edhe miti i Kosovës dhe mbreti po përpiqej të vendoste idetë e tij politike dhe të lëvizte nën patronazhin e një memorieje të Betejës së Kosovës. Në përputhje me këtë, Vidovdani u bë një festë shtetërore në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndërsa në atë festë, më 28 qershor 1921 u shpall kushtetuta e shtetit të ri.

Pas 6 janarit 1929, kur Aleksandri shpërndau parlamentin dhe proklamoi diktaturën, ndërsa mbretëria e tij mori emrin Jugosllavi, politika e pallatit ishte e drejtuar në atë që nënshtetasit e mbretërisë, mbi etnicitetin e tyre, domethënë, siç u quajtën më parë, dallimet “fisnore”, të integrohen në një komb të ri, të ngjashëm me kombet e tjera evropiane, të krijuara nga ndikimi i përkatësive etnike. Shënimi ceremonial i Vidovdanit u bë në vitet e 30-a për të treguar se kujtesa për Kosovën është e gjallë në të gjitha pjesët e Mbretërisë dhe për ta bërë të qartë se administrata shtetërore, ushtria, arsimi dhe të gjitha organizatat shoqërore në gjithë mbretërinë janë të spërkatur me shpirtin e Kosovës besnike ” Besëlidhjes së Kosovës”. Sipas artikullit gjegjës, botuar në Politika për Vidovdan në vitin 1930 shkruar nga Dimitrie Mitinoviq, në atë kohë apologjisti i politikës mbretërore të Jugosllavisë integrale, ditën kur Aleksandri shpalli diktaturën dhe i dha mbretërisë jugosllave emrin, ishte “koha e vullnetit mashkullor dhe të lirë të sunduesit që trashëgoi Besëlidhjen e Kosovës dhe ia dorëzoi të ardhmes së fuqishme të Jugosllavisë “.

Mveshja e karakterit jugosllav mitit të Kosovës nuk ishte një risi. Në dekadat e para të shekullit të 19-të, përfaqësuesit e Lëvizjes Ilire, në këngët popullore për Kosovën, të cilat u përhapën jo vetëm midis serbëve, por edhe midis popujve të tjerë sllavë të jugut, konfirmuan ngjashmërinë kulturore të këtyre popujve mbi të cilën ata mund të bazoheshin, siç besonin ata, dhe unifikimin e tyre politik. Slloveni Stanko Vraz, i cili shkruante në kroatisht, gjen pasardhës të heronjve të Kosovës në Kroaci, të cilët këtu e vazhdojnë betejën kundër turqve të filluar në Kosovë dhe minoriti i Bosnjës Grga Martiq mbledh që nga viti 1844 dhe boton poezi “popullit sllav”, ndër të cilat dhe pak për Betejën e Kosovës. Pas pushtimit austro-hungarez të Bosnje e Hercegovinës, në vitin 1878, Martiq do të largohej nga idetë ilire dhe në koleksionin e poezive që botoi më 1886, në bashkëpunim me gjuhëtarin kroat Armin Paviq, i cili është ofruar si një ep integral i Kosovës, ai është më i shqetësuar me betejën e Kosovës duke përfshirë kalorësit kroatë – duke përfshirë detashmentin hungarez – duke harruar “sllavërinë” e tyre. Pas Kongresit të Berlinit, ideologu i Lëvizjes Kombëtare Boshnjake, Safet Beg Bashagiq, u përpoq t’i lidhë boshnjakët me Betejën e lavdishme të Kosovës, duke mposhtur turqit në vitin 1831 në Kosovë si kryengritës kundër sulltanit, kapetani Husein Gradashqeviq, e përshkruan si një hakmarrje për humbjen që turqit ua shkaktuan vëllezërve sllavë të Bosnjës në atë vend.

Madje as Bashagiqit, si në atë kohë as Martiqit dhe Paviqit, nuk u interesonte aqë shumë për unitetin e sllavëve të Jugut, por ai u përpoq të kontribuonte në njohjen e kombit autokton boshnjak. Por, përpjekjet e këtyre treve për t’i bërë pjesëtarët e popujve të tyre heronj të Kosovës ose hakmarrës të Kosovës, dëshmojnë se prestigji i mitit të Kosovës në dekadat e fundit të shekullit të 19 ishte i madh edhe jashtë Serbisë dhe Malit të Zi dhe se ajo mbeti një mjet i përdorshëm për afirmimin e projekteve të rinovuara të ndërtimit të një komuniteti kulturor politik të sllavëve të jugut në në fund te shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20. Këtë e dëshmon manifestimi i 500 vjetorit të Betejës së Kosovës më 1889 në Akademinë Jugosllave të Shkencave dhe Arteve në Zagreb, e cila u shndërrua në një manifestim të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe historike të serbëve dhe kroatëve, si pjesë të të njëjtit popull, siç theksohet sidomos nga leksionet e Franjo Rackit (” Lufta në Kosovë, Shkaqet dhe pasojat “) dhe Tome Maretiq (” Heronjtë e Kosovës dhe ngjarjet në epikën folklorike “).

Kremtimi i Kosovës si një trashëgimi e përbashkët në të cilën mund të bazohet unifikimi i serbëve, kroatëve dhe kombeve të tjera jugosllave është intensifikuar në dekadën e parë dhe të dytë të shekullit të 20-të, ndërsa formulimi dhe popullarizimi i mitit të Kosovës si baza ideologjike dhe simbolike e komunitetit jugosllav po përpiqen të kontribuojë në shumë shoqëri serbe, shkrimtarë dhe artistë kroatë, ndër ta poetë dhe dramaturgu kroat Ivo Vojnoviq, autor i dramës Vdekja e nënës së Jugoviqëve (e realizuar për herë të parë në Beograd më1906, pastaj në Zagreb më 1907), helenist dhe shkrimtari i esesë filozofiko-politike, Milosh Gjuriq, i cili më 1914 në Zagreb botoi studimin Etika e Vidovdanit, por më së shumti skulpëtori Ivan Meshtroviq, skulpturat e tij për heronjtë e Kosovës, të cilat i ekspozoi në Vjenë (1910), Romë (1911), Londër (1913), Venedik (1914) dhe në ekspozitat në Britani të Madhe (1915), i kontribuan afirmimit ndërkombëtar të krijimit të shtetit jugosllaov. Këto skulptura i ishin dedikuar tempullit të Vidovdanit, shenjtërisë monumentale të fesë shtetërore të jugosllavizmit, të cilin e kishte projektuar Meshtroviqi dhe maketi i të cilit ishte në mesin e eksponateve të ekspozitës së tij në Romë.

Shpjegoi se feja që do të festohet nga tempulli i tij “feja e Car Llazarit”, se që “të gjithë martirët jugosllavë nga Kosova e deri sot e i gjithë populli jugosllav janë ushtarë të Car Llazarit”, se “ai vazhdimisht qëndron në shpirtin e popullit jugosllav” (Meshtroviq 1919: 274). Megjithatë, pavarësisht nga përpjekjet e Meshtroviqit dhe përpjekjes së Karagjorgjeviqit dhe qeverisë jugosllave për të ndërtuar tempullin Vidovdan, kjo nuk ndodhi, edhe më pak se Karagjorgjeviqi ishte i interesuar Tito dhe komunistët jugosllavë, kur ata e rikthyen Jugosllavinë pas Luftës së Dytë Botërore, kështu që prej tempullit të Vidovdanit mbetën vetëm fragmentet skulpturore dhe modeli që (gjendet në Muzeun Kombëtar në Krushevc)./Lajm.co

/Burimi Peščanik.net, 18.08.2017./Përgatiti Shaip Hoxha

Euroreporter: Shqipëria rol pozitiv në politikën e Jashtme dhe Sigurisë

“Shqipëria tashmë është plotësisht e përafruar dhe luan një rol pozitiv në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”

Kështu shkruan www.eureporter.co, platforma multimediale e lajmeve me qendër në Bruksel, në një koment mbi takimin e tetë të Komitetit të Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri.“Eureporter” thekson se Komisioni vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në lidhje me bashkëpunimin rajonal, duke deklaruar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e partneritetit strategjik të Shqipërisë me BE-në.

“Shqipëria po bën përparim të mirë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe një kontribut kyç për këtë qëllim në muajt e fundit, ka qenë vendosmëria e autoriteteve shqiptare, për të trajtuar problemin e aplikimeve të pajustifikuara të azilit në shtetet anëtare të BE. “- shkruhet në koment.

“Qeveria po vazhdon gjithashtu me reformën gjithëpërfshirëse të gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë synime kyçe drejt realizimit të aspiratave të kryeministrit karizmatik, për të hapur negociatat formale të anëtarësimit në BE.”- përmendet ndër të tjera.

Në artikull citohet eurdeputeti Eduard Kukan, që pohon se ka pasur përparim të mirë dhe zhvillime pozitive në axhendën europiane të Shqipërisë dhe sipas të cilit, qeveria e re ka një shans të mirë për hapjen e negociatave të pranimit.

Artikulli i plotë:

Në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asocimit (SA) midis Shqipërisë dhe BE-së javën e kaluar në Bruksel, Komisioni Europian vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në lidhje me bashkëpunimin rajonal duke deklaruar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e partneritetit strategjik të Shqipërisë me BE-në.

Shqipëria tashmë është plotësisht e përafruar dhe luan një rol pozitiv në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, shkruan James Wilson.

Ky ishte takimi i 8-të vjetor i Komitetit të SA dhe u kryesua bashkërisht nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Eralda Cani, dhe drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Ruiz Calavera.

Takimi shqyrtoi zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet BE-Shqipëri gjatë vitit të kaluar, duke mbuluar tema të tilla si sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, tregtia, zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe peshkimi, industria, tregu i brendshëm, shoqëria e informacionit, politikës sociale, transportit, energjisë dhe mjedisit. Komisioni gjithashtu vlerësoi zbatimin e ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin në të gjitha fushat ishte pozitiv; ata theksuan se kishte ende nevojë për të ofruar rezultate të prekshme kundër treguesve të performancës për reformën e gjyqësorit, siç është verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prioritetet e tjera kryesore që kërkojnë përpjekje të qëndrueshme përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe ka qenë kandidate për t’u bashkuar me BE që nga qershori 2014; është një nga gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor që presin të bashkohen me BE.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili udhëtoi në Shqipëri në shtator, shprehu besimin e tij se Bashkimi Evropian do t’i jepte dritën jeshile hapjes së negociatave me Shqipërinë për pranimin e saj në BE në qershor të vitit të ardhshëm. “Grupi parlamentar që unë përfaqësoj, si dhe ai i Partisë Popullore Evropiane, janë mbështetësit e rrugës tuaj (Shqipërisë) drejt Bashkimit Evropian dhe hapjes së negociatave për anëtarësim,” tha Fleckenstein gjatë qëndrimit në Tiranë.

Unë gjithashtu fola këtë javë me Charles Tannock, zëdhënësin e Çështjeve të Jashtme për deputetët e Parlamentit Evropian dhe Raportuesin e Parlamentit për Malin e Zi, i cili tha: “Shqipëria është duke bërë përpjekje të qarta në qeverinë e re, për të bërë detyrat e domosdoshme, për të qenë në pozicionin e hapjes së negociatave për pranimin në BE, sikurse të tjerët, tashmë të angazhuar në proces, siç janë Mali i Zi dhe Serbia.

Një nga sfidat parësore do të jetë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe ky prioritet politik kuptohet mirë në Tiranë. Shqipëria duhet gjithashtu të luajë një rol konstruktiv në rajon, veçanërisht në lidhje me stabilitetin e Maqedonisë fqinje ku ka një pakicë të madhe shqiptare. Së fundmi, e mirëpres faktin se Shqipëria, e cila është anëtare e plotë e OIC-së, është bashkuar me pozicionin e Bashkimit Evropian në vota kyçe, në mënyrë që të shmanget çdo konflikt me politikat e BE-së dhe PZHSP-së.

” Socialistët shqiptarë nën udheheqjen e kryeministrit Edi Rama, fituan një shumicë absolute në parlamentin me 140 vende në qershorin e kaluar. Ky është mandati i dytë i Partisë Socialiste në pushtet dhe programi i qeverisë për këtë mandat është kryesisht i përqendruar në rritjen ekonomike, duke tërhequr më shumë invesitmet e huaja te drejtperdrejta, duke rritur punësimin, duke krijuar më shumë vende pune dhe përgjithësisht duke përmirësuar jetën e shqiptarëve të zakonshëm. Qeveria po vazhdon gjithashtu me reformën gjithëpërfshirëse të gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë synime kyçe drejt realizimit të aspiratave të kryeministrit karizmatik, për të hapur negociatat formale të anëtarësimit në BE.

Kriteret kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE përfshijnë nevojën për institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Vendi duhet të ketë një ekonomi tregu funksionale të aftë për të përballuar konkurrencën e lirë dhe të ndershme në tregun e vetëm të BE-së dhe aftësinë për të zbatuar detyrimet e anëtarësimit në BE.

Takimi i Komitetit SA të Brukselit javën e kaluar shënoi një hap pozitiv në procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë duke krahasuar zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e qëndrueshëm pozitiv në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Delegacioni i Parlamentit Europian në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, do të mbajë më vonë gjatë muajit takimin ndërparlamentar në Tiranë, dhe unë fola me Eduard Kukan, një deputet i Delegacionit, i cili komentoi gjetjet e Komisionit Evropian:

“Unë gjithmonë inkurajoj partnerët e mi shqiptarë që të vazhdojnë me axhendën e integrimit. Pajtohem me vlerësimin e Komisionit se ka pasur përparim të mirë dhe zhvillime pozitive në këtë axhendë. Shpresoj që edhe ne do të marrim një vlerësim pozitiv për çështjet e mbetura lidhur me zbatimin e reformave të drejtësisë. Në një rast të tillë, mendoj, qeveria e re ka një shans të mirë për hapjen e negociatave të pranimit “.

Kryeministri i ri austriak dhe rreziku për Europën

Sebastian Kurz nuk ka vendosur ende, por një koalicion i djathtë në Austri do të sjellë me vete një valë nacionalizimi dhe vështirësi për BE-në, mendon Bernd Riegert

Ish-ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, një evropian i zgjuar, ka frikë se Austria do të “orbanizohet”. Schwarzenbergu mendon se krijimi i një koalicioni të djathtë do të sjellë me vete një valë nacionalizimi në Austri, gjë që si në Hungarinë e drejtuar prej kryeministrit Victor Orban, mund të çojë në një ristrukturim të plotë të shtetit. Nëse Sebastian Kurz, i ri, por plotësisht i vetëdijshëm për pushtetin, do të krijojë koalicion me partinë populiste të djathtë FPÖ të Heinz-Christian Strache, politika e migracionit, siguria e brendshme, por edhe çështje strukturore do të marrin një drejtim të ri, ndonjëherë të dyshimtë.

Kurz dhe Strache janë të të njëjtit mendim se azilkërkuesit dhe emigrantët ilegalë mund të ndalen vetëm nëse mbyllen kufijtë. Më tepër dëbime dhe ekstradime, kampe për emigrantët në Afrikë apo në ishuj të pabanuar: Këto janë disa nga argumentet që përdori Kurz-i për të bindur zgjedhësit.

Edhe pse shumica e të huajve në Austri janë nga vendet e BE-së frika në Austri është e madhe. Edhe aty sikurse në Gjermaninë Lindore populistët e djathtë fituan më tepër vota në zonat ku ka më pak të huaj.

Populistët e djathtë në Evropë të gëzuar

Madje edhe socialdemokratët filluan nga fundi i fushatës që të përdornin ide të tilla, por ndoshta me vonesë. Sebastian Kurz dhe Heinz-Christian Strache duan të lejojnë më tepër referendume në Austri, p.sh. për anëtarësinë në eurozonë dhe në BE. Prania e populistëve të djathtë në qeverinë austriake do ta forconte pa nevojë frontin e tyre në Evropë, nga Finlanda, në Hungari, Greqi dhe Itali. Miqtë më të ngushtë të Heinz-Christian Straches janë nacionalistët francezë dhe qeveria ruse. Dhe Sebastian Kurz duket se nuk ka frikë nga këto dhe mendon se me Heinz-Christian Strachen do ta ketë më të lehtë koalicionin se sa me socialdemokratët.

Evropa do ta ketë të vështirë me Kurzin si kancelar

Partnerët në BE, sidomos kancelarja Angela Merkel, do të ndeshin në vështirësi me kolegun e tyre të ri. Ky mendohet se do të ndjekë në të ardhmen një kurs nacionalist dhe do të bashkohet me grupin e Vishegradit, Poloninë, Çekinë, Hungarinë dhe Slovakinë. Ky grup, opozita jozyrtare ndaj Brukselit, që e ndjen veten nën tutelën e Gjermanisë, do të forcohet. Pra pritet ndoshta që nën presionin e Austrisë qëndrimi qortues i BE-s ndaj praktikave jodemokratike në Poloni ose Hungari të bëhet më i vështirë. Po ashtu pritet të ketë edhe korrigjime në qëndrimin ndaj Rusisë. Austria është tepër e interesuar për biznese me Rusinë, edhe në sektorin e energjisë, dhe pritet të angazhohet për heqjen e sanksioneve.

Një koalicion mes konservatorëve dhe populistëve të djathtë do të ishte një eksperiment fatal për Austrinë. Justifikimet se populistët e djathtë kanë qenë në koalicione të mëparshme me socialdemokratët apo liberalët nuk vlejnë. Sepse tani Heinz-Christian Strache dhe partia e tij ndjekin një kurs të fortë izolues. A vlen më parulla e dikurshme “Tu Felix Austria” që ishte pjesë e vulës së perandorëve të mëparshëm? Le të shpresojmë se Sebastian Kurz do të marrë vendmin e duhur dhe do të hyjë në koalicion me socialdemokratët.