I dënuari me 30 vjet burgim që u arratis nga Burgu i Dubravës shfaqet në Beograd

Është shfaqur në Beograd Avni Osmani, i dënuari me 30 vjet burgim për vrasje nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe i arratisuri nga burgu i Dubravës në shtator të vitit të kaluar

Osmani, i cili ishte shpallur fajtor për vrasjen e 24-vjeçarit Kastriot Zogiani në Fushë Kosovë më 2004, kishte qëndruar 13 vjet në Burgun e Dubravës deri në shtatorin e vitit të kaluar, kur ishte arratisur nga burgu dhe kishte zhdukur gjurmët.

Mirëpo, Insajderi ka siguruar një fotografi të Avni Osmanit. Ai është shfaqur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, rreth një javë më parë.

Osmani ishte shapllur fajtor për një vrasje të rëndë dhe misterioze. Sipas një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 nëntorit 2009, Avni Osmani, i lindur më 1983 në Sllatinë të Madhe, pas një mbrëmje të kaluar në vendin e quajtur “Te Kalaja” në Fushë-Kosovë, më 28 tetor të vitit 2004, me një revolver kishte privuar nga jeta Kastriot Zogianin nga fshati Harilaq.

Avni Osmani kishte shtënë 12 herë në trupin e viktimës. Prej tyre 10 ishin goditje me armë ndërsa 2 ishin me armë zjarri. Shënjestra ishte pjesa e pasme e viktimës, e plagët e shkaktuara i shkaktuan edhe vdekjen të ndjerit.

Për ndihmë të Avni Osmanit ngarkohej edhe Fitim Breznica i cili kishte ndihmuar Avniun për kryerjen e veprës penale. Fitimi, sipas aktgjykimit të atëhershëm, ka ndihmuar për të shmangur zbulimin e veprës penale duke fshehur trupin e pajetë të Kastriot Zogianit në një vrimë të mbushur me ujë dhe të mbuluar me qese plastike.

Po ashtu, i njëjti e ka hedhur armën e krimit në lumin Drenica. Për këtë vepër Avni Osmani u dënua me 30 vjet burg ndërsa Faton Breznica me 4 vjet e 7 muaj burg.

Vazhdojnë debatet për ndarje e korrigjim kufijsh

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se qëndrimi i kancelares gjermane, Angeka Merkel, për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan është i njohur tashmë dhjetë vjet me radhë, ndërsa ritheksoi angazhimin e tij për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Të hënën kancelarja Merkel tha se tërësia tokësore e Ballkanit Perëndimor është e pandryshueshme dhe se një qëndrim i tillë duhet përsëritur sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë.
Presidenti serb sulmoi të martën kundërshtarët e idesë së tij në Serbi duke theksuar se ata që i gëzohen deklaratës së kancleares Merkel, duhet ta dinë që gijthë bota perëndimore me pak përjashtime, e sheh Kosovën si të tërë, sovrane dhe territor të pandashëm që u takon shqiptarëve.

Ai ritheksoi se do të vazhdojë të luftojë për ndarjen dhe për t’u siguruar serbëve më shumë se sa që kanë tash për tash në Kosovë. Presidenti serb tha se pret që në fillim të shtatorit të takohet në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Ideja e tij është kundërshtuar nga pothuajse të gjithë udhëheqësit politik në Kosovë, të cilët pohojnë se ato mund të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale ai përshëndeti deklaratën e kancelares Merkel “rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendet mosnjohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, shkroi ai.

Presidenti Thaçi ka vazhduar të mbrojë idenë e tij dhe u ka bërë thirrje partive politike që të punojnë së bashku që në një periudhë prej katër deri në gjashtë muaj të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Dhe derisa kancelarja Merkel foli për mosndryshim të kufijve, debatet megjithatë mbetën të nxehta për shkak të refuzimit të Brukselit dhe Washingtonit për të folur hapur kundër ideve që vijnë nga Beogradi dhe Prishtina.

Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Zëri i Amerikës për këtë çështje. Brukseli tha të premten nëpërmjet një zëdhënësi se zgjidhja e përhershme e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, duhet të jetë realiste dhe e qëndrueshme, por pa u përfshirë në debate.

Departamenti amerikan i shtetit i tha Zërit të Amerikës javën që shkoi se “politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Duke shprehur mbështetjen për Bashkimin Evropian si lehtësues, Departamenti i shteti tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët”.

Beogradi i cilëson deklarimet e tilla si dëshmi të ndryshimit të qasjes së prerë të perëndimit ndaj Kosovës dhe tërësisë së saj tokësore dhe hapje të mundësisë për një kompromis, që sipas autoriteteve serbe do të thoshte ndarje e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Bota po i largohet paqes

Me fundin e Luftës së Ftohtë në fillim të viteve 1990, disa studiues perëndimorë parashikuan një botë më paqësore, me dominimin e plotë të demokracisë liberale. Por gjetjet e Indeksit Global të Paqes, sugjerojnë të kundërtën. Raporti i dymbëdhjetë i Indeksit Global të Paqes (GPI), raporton se niveli global i paqes, u përkeqësua me 0.27 për qind vitin e kaluar

Nga Sajjad Hussain

Europa dhe Shtetet e Bashkuara, rajonet më paqësore në botë, shënuan rënie të nivelit ë tyre të paqes për të tretin vit radhazi. Por kjo nuk është thjesht një rënie 1-vjeçare. Përkundrazi, është pjesë e një prirjeje 10-vjeçare:paqja globale, është përkeqësuar me 2.38 për qind që nga viti 2008.

Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP), një think-tank i pavarur me qendër në Sidnej të Australisë, ka botuar raportet vjetore të GPI për 13 vitet e fundit.

Duke mbuluar 99.7 për qind të popullsisë botërore, indeksi rendit 163 shtete dhe territore të pavarura në tri fusha – siguria në shoqëri, përfshirja në konfliktet e vazhdueshme dhe militarizimi – sipas 23 treguesve cilësorë dhe sasiorë. Përveç prezantimit të gjetjeve për vitin e kaluar, botimi i këtij viti përfshin gjithashtu edhe analizat e tendencave në paqen pozitive:qasjet, institucionet dhe strukturat që krijojnë dhe mbështesin shoqëritë paqësore.

Rezulton se shumë më tepër sesa prirja e të pasurve për t’u bërë më të pasur, dhe të varfërve për t’u bërë më të varfër, vendet më paqësore po bëhen më paqësore, ndërsa ato më pak paqësore po bien më tej në renditje. Arsyet kryesore për përkeqësimin e paqes globale, janë konfliktet e vazhdueshme të dhunshme.

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, teatri i luftës është zhvendosur nga konfliktet ndërshtetërore në Europë, drejt luftërave të ndërkombëtarizuara civile, dhe dhunës terroriste në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Amerikën Latine. Fuqitë ndërkombëtare, janë të përfshira në një të tretën e të gjitha konflikteve të armatosura.

Njëherazi, një rritje dramatike e vdekjeve, shumica e të cilave janë civilë, ka ndodhur vetëm në një numër të vogël vendesh. Kjo duhet të shpjegojë edhe arsyen, se përse vendet fatkeqë si Afganistani, Siria dhe Iraku, dominojnë në renditjen e 5 vendeve të fundit në klasifikim.

Mbështetja e këtyre niveleve të larta të dhunës, vjen me një kosto ekonomike, të cilën GPI e vlerëson në rreth 14.76 trilionë dollarë për vitin 2017:rreth 2.000 dollarë për person në planet. Merrni për shembull kostot e dhunës në Akullnajën Siaçin, me një shtrirje prej 50 miljesh në Himalalaja, burim i një konflikti të pakuptimtë mes dy vendeve të armatosura bërthamore, Pakistanit dhe Indisë.

Studiuesi Saxhad Pader, vlerëson se 1 ushtar pakistanez vdes çdo 4 ditë, dhe 1 ushtar indian në disa ditë më tepër – vetëm për shkak të kushteve ekstreme të motit mbi akullnajë, edhe pa pasur asnjë të shtënë armësh. India dhe Pakistani, shpenzojnë së bashku rreth 350 milionë dollarë çdo vit për të mbajtur ushtarët e tyre atje, në kushte të tmerrshme atsmoferike, me temperatura që arrijnë deri në 70 gradë nën zero.

Asistent profesori Hepimon Xhejkob në Universitetin Xhauahir Lal Nehru në Nju Delhi, Indi, argumenton se ky pozicionim ushtarak është “kryesisht simbolik dhe politik, dhe jo strategjik apo ushtarak”. Konfliktet e panumërta në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar mbi Siri dhe Irak, por efekti i përhapjes së këtyre konflikteve, ka kontribuar gjithashtu në përkeqësimin e siguatës në radhët e vendeve më paqësore dhe më të pasura.

Duke komentuar këtë ndërlidhje në një botë më të globalizuar, eksperti i Lindjes së Mesme Filis Benis shpjegon se “Europa dhe Lindja e Mesme nuk janë më të ndara”. “Konflikti sirian është më shumë se sa një luftë civile. Ai është gjithashtu një konflikt rajonal, sektar dhe global ku Turqia, Irani, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, janë të gjitha të përfshira”.

Përpos vendeve të përfshira drejtpërsëdrejti, konflikti sirian vazhdon të prekë në mënyrë të tërthortë edhe vendet e tjera, duke prodhuar më shumë se 6 milionë refugjatë në të gjithë botën. “Konfliktet e dhunshme në Lindjen e Mesme, kanë prekur kudo qeverisjet dhe shoqëritë, sidomos Shtetet e Bashkuara, që kanë miratuar ligje të diskutueshme si ndalimi i udhëtimit të njerëzve nga disa vende myslimane”- shton Benis. “Është e qartë se të drejtat e njeriut, janë hequr nga lista e prioriteteve, duke u zëvendësuar me nacionalizmin”.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara, kanë një shfaqje shumë të dobët në GPI. Renditja e saj është në vendin e 121, pikërisht mbi Mianmarin, dhe shumë më poshtë Hondurasit, El Salvadorit, Ruandës dhe Burkina Fasos. Megjithëse Shtetet e Bashkuara, kanë bërë keq në aspektin e sigurisë dhe të konfliktit të vazhdueshëm, radhitja e saj në fushën e militarizimit është veçanërisht e tmerrshme:e katërta nga poshtë, poshtë Sirisë dhe më lart vetëm se Koreja e Veriut, Rusia dhe Izraeli.

“Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për ushtrinë e saj, se çdo vend tjetër në botë. Në një kohë që politikanët e saj, pretendojnë të mos jenë në gjendje të përballojnë masa si kujdesi shëndetësor universal, dhe arsimimi i lartë i lirë ose me kosto të ulët. që janë të zakonshme në vende të tjera të pasura”- vëren Lindsej Koshgarian, drejtore e programit për Projektin e Prioriteteve Kombëtare .

Disa rajone dhe vende kanë përmirësuar indeksin e tyre të paqes. Vendet në Europën Lindore, përmirësuan rezultatet e tyre, ndërsa Azia e Paqësorit e ruajti pozitën e saj si rajoni i tretë më paqësor në botë. Shik Dambah, anëtar i institutit Udrou Uillson, është optimist për përmirësimin e përgjithshëm të kushteve njerëzore.

“Uria, varfëria, vdekshmëria foshnjore kanë rënë ndjeshëm, dhe demokracitë janë shfaqur në pjesën më të madhe të botës”- thekson ai. Megjithatë, pavarësisht rënies së mprehtë të konflikteve ndërshtetërore dhe vdekjeve të personelit ushtarak, numri i madh i vdekjeve të civilëve në luftërat civile, vazhdon të paraqesë një kërcënim.

Dambah është gjithashtu i shqetësuar mbi garën e re të armatimeve midis Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. “Aeroplanmbajtësja e sapondërtuar amerikane G.R.Ford, kushtoi plot 13 miliardë dollarë, dhe me 2 të tjera që janë në ndërtim, dhe koston e blerjes së avionëve F-35, shpenzimet shkojnë në 406 miliardë dollarë”- vëren ai.

“Dobishmëria aktuale luftarake e këtyre armëve dhe sistemeve të tjera në një klimë të luftës asimetrike, është e diskutueshme, por përfitimi i industrisë së armëve është i qartë. Mjerisht, kur prodhohen këto mjete të shkatërrimit, disa mund të ndihen të detyruar t’i përdorin ato. Ekziston një rrezik i madh, dhe ka lindur nevoja për një thirrje për një lëvizje të re për paqen”. / “Lobelog” – Bota.al

Refuzimi ndërkombëtar për ndryshimin e kufijve

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, se mund të ketë korrigjim të kufijve. Deklaratat e Merkelit janë të pritura për njohësit e çështjeve politike

Analisti Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e kancelares Merkel është në të njëjtën linjë me qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Edhe qëndrimi i kancelares Merkel, por në mënyrë indirekte edhe të ambasadës amerikane në Prishtinë, është në vijën e qëndrimeve të tyre për Ballkanin. Pra, si një rajon i cili mund të trazohet shumë lehtë nëse ka veprime të pamatura dhe të paplanifikuara mirë”.

“Çdo ndryshim gjeopolitik ose gjeostrategjik duhet të bëhet duke u detajizuar në mënyrë jashtëzakonisht konkrete dhe me planifikime shumë të mëdha dhe jo më qëndrime populiste apo ide të pakonceptuara”, thotë Muhaxhiri.

Duke folur pas takimit me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i cili ka qëndruar për një vizitë në Gjermani, kancelajra gjermane Merkel ka thënë se integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i paprekshëm.

“Ne u pajtuam për tri gjëra që janë mbi të gjitha; gjëja e parë është integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe është i paprekshëm”.

“Ne duhet ta përsëritim këtë. Sepse përsëri ka përpjekje për të folur për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë. Mbi këtë bazë dhe mbi bazën e saj, natyrisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane”, ka thënë Merkel.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të fundit kanë lënë të kuptohet se janë të një pajtimi që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë duhet të korrigjohet.

Thaçi dëshiron që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të hyjnë në kuadër të territorit të Kosovës, dhe në këmbim të kësaj të mos i jap asgjë Serbisë. Kurse presidenti serb, Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.

Por, analisti Muhxhiri thotë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duhet t’i njoftojë qytetarët për bazën e qëndrimeve dhe ideve të tij për korrigjim të kufijve të Kosovës dhe të tregojë se ku planifikon të marrë përkrahje ndërkombëtare për idetë e tij.

“Është mirë e ditur se asnjë lëvizje e rëndësishme politike në Ballkan nuk mund të bëhet pa përkrahjen e Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Nëse presidenti Thaçi vazhdon të insistojnë në ndryshimin e kufijve pa përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, ai do t’i bëjë dëme vetës, por më shumë Kosovës. Sepse do të dëshmohet si një faktor joserioz edhe jostabil për planifikimet gjeopolitike në Ballkan”, thotë Muhaxhiri.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, ka thënë ambasada britanike në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se presin një zgjidhje dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon”.

Edhe partitë opozitare e kanë kritikuar presidentin Thaçi duke e akuzuar atë se ka vënë në pazar sovranitetin e Kosovës.

Le Monde: Dhëndri i Trumpit qëndron pas idesë për ndarjen e Kosovës – Thaçi e jep edhe Mitrovicën

Në një shkrim që gazeta Le Monde, e datës 14 gusht, ia ka kushtuar debatit të fundit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, zbulohen detaje të frikshme të asaj që mund të ketë vënë në lëvizje këtë ide të rrezikshme. Sipas gazetës, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që ka qenë një partizan më i hershëm i kësaj zgjidhjeje, ka marrë një shkelje syri nga SHBA-ja

“Pas një takimi me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, në fund të korrikut, Daçiq pohoi se “të gjitha kartat ishin mbi tavolinë” shkruan e përditshmja franceze e referencës, e cila e komenton kështu këtë fakt: “Për një kohë të gjatë kundër çdo lloj ndryshimi të kufirit, Uashingtoni, që e mbështet Kosovën që nga lufta e 1999-s, duket se e ka zbutur qëndrimin pas ardhjes së Donald Trumpit në pushtet. Kjo ka mbërritur deri në atë pikë sa shumë diplomatë evropianë dyshojnë se SHBA-ja mund të merret vesh për një zgjidhje me Rusinë, që ka qenë një mbështetëse historike e Serbisë”, komentohet në shkrimin që Lapsi.al e ka lexuar (Paragarafi në origjinal poshtë).

Pasi thekson, që në krye të artikullit, se kjo perspektivë i frikëson evropianët, gazeta citon edhe deklaratën e kancelares Merkel këtë të hënë, e cila tha: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i vendosur dhe i pandryshueshëm”.

Duke sqaruar se britanikët tashmë e kanë refuzuar këtë zgjidhje dhe se Franca po qëndron në heshtje gazeta citon një ekspert të Ballkanit, Pierre Mirel, ish-përgjegjës për gadishullin tonë në BE, i cili thotë: “Është një rrezik i madh për rajonin që mund të krijojë një përshkallëzim të kërkesave për shtete me kufij etnikë” në vende si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja.

Pikërisht për këtë, gazeta kujton se pas debatit të hapur nga Thaçi, presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi se territori i tij duhet të ndahet nga pjesa tjetër e vendit. Jo pa qëllim Le Monde thekson se Milorad Dodik është një njeri i afërt i Putinit, po aq sa edhe i qarqeve «alt-right» të Amerikës, që kanë lidhje me ish-eminencën gri të Trump, Steven Bannon.

Procesverbalet: Asociacioni ta kontrollojë kadastrën, prokurimin e arsimin

Dokumenti i cili është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës në fillim të gushtit përmban procesverbalet e takimeve në muajt qershor dhe korrik ku përfshihen takimet e grupit punues me kryetarët e komunave, dy ministra të Qeverisë së Kosovës, kryetarëve të asambleve komunale, dekanët e universiteteve, si dhe përfaqësues të kulturës dhe të sportit

Procesverbalet të cilat tash janë në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj në çdo rast Kosovës i referohen si “Kosovë dhe Metohi”, Asociacionit i referohen si “Bashkësi e Komunave…” ndërsa përshkruajnë diskutime të gjata të cilat janë zhvilluar gjatë kësaj kohe, shkruan Kallxo.com.

Dokumente flasim për propozime të pjesëmarrësve të takimeve për përmbajtjen e draft statutit e po ashtu konkludimet të cilat janë nxjerrë në fund të procesverbaleve. Më të rëndësishmet janë listuar në fund ku përfshihen mundësia që Asociacioni Komunave Serbe të ketë pronë të veten të ketë rol në mbikëqyrja e kadastrën, procesit të akreditimit të universiteteve, standardeve në arsim, krijimi i mekanizmave të prokurimit të pavarur e deri te menaxhimi i aktiviteteve kulturore të përbashkëta.

Propozimet për kadastrën

Në takimin e 14 qershorit 2018 ku ishin prezentë drejtorët dhe udhëheqësit e drejtorive të kadastrës në komunat serbe thuhet se Sladjan Kostiq ka propozuar që Asociacioni të ketë kompetenca të plota në menaxhimin e kadastrës së patundshmërive, diametrit publik, shpronësimit të tokave dhe çështjet kadastrale.

Të pranishmit shkruhet në procesverbale se janë pajtuar për themelimin e një kadastre cilësore të vendosur nën mbikëqyrjen e Asociacionit e cila do të parandalonte keqpërdorimin në udhëheqjen e librave kadastralë dhe punëve të tjera në këtë punë. Ndryshmet në këtë fushë do nënkuptonin ndryshime në funksionimin momental të sistemit kadastral në Kosovë ku tërë procesi mbikëqyret nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ndërsa komunat shërbejnë si institucion i shkallës së parë.

Akreditimi dhe Arsimi

Temë tjetër e diskutimit në procesverbalet e siguruara është edhe sistemi arsimor dhe procesi i akreditimit të universiteteve.

Në takim thuhet se kanë marrë pjesë dekanët e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë dhe drejtorët e shkollave të larta.

Në procesverbale vërehet propozimi i dekani të Fakultetit Juridikut Vlladimir Mihajlloviq ka deklaruar se fakultetet gjithmonë duhet të akreditohen sipas programit serb.
Tutje procesverbali tregon se dekania e ardhshme e Fakultetit të Mjekësisë Suzana Matejiq ka propozuar themelimin e një instituti të mjekësisë ligjore në veriun e Mitrovicës.

Në konkludimet e këtij takimi, ekipi themelues i Asociacionit konstatoi që korniza ligjore në të cilën vepron universiteti në Mitrovicë mos të ndryshohet përfshirë procedurën e akreditimit të fakulteteve.

Të pranishmit thuhet se u pajtuan që Asociacioni të ketë kompetenca dhe në fushat e standardit të studentit, hartimit të programit mësimor vlerësimit të punës aftësimit profesional të kuadrit mësimor. Për momentin kompetencat e përcaktimit të standardeve planporgramit dhe aftësimit të kuadrit mësimor janë kompetenca ligjore të Ministrisë së Arsimit.

Pronat dhe prokurimi publik

Në diskutimet të tjera të grupit ku kishin marrë pjesë të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe është konstatuar që Asociacioni dhe komunat duhet të kenë mundësi që në mënyrë të pavarur të organizojnë prokurimin publik.

Në takim, kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq, ka kërkuar që në Ligjin për Investime Strategjike të kthehen dispozitat që u mundësojnë kryetarëve të komunave të drejtën e ndalimit të privatizimit të subjekteve të caktuara ekonomike.

“Të pranishmit u pajtuan me atë që BKS (Asociacioni) do të duhej t’i mundësonte komunave të kenë kompetenca të gjera në bazë të të cilave do ishin të pavarura në disponimin e mjeteve buxhetore duke përfshirë edhe zbatimin e procesit të prokurimit publik”, thuhet në procesverbale.

Prokurimi publik në nivelin lokal në vend mbikëqyret nga dy mekanizma të nivelit qendror: Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organin e Shqyrtimit të Prokurimit. Dokumenti nuk saktëson nëse pavarësia e propozuar në prokurim nënkupton pavarësinë nga këto dy institucione.

Tutje në takimet me kryetarët e komunave është konstatuar që Asociacioni duhet të ketë prona dhe të mund të ftojë investitorë.

“U konstatua se do ishte pozitive nëse në kuadër të BKS do të mund të fitohej pronësia mbi subjekte ekonomike që më vonë do mundësonte sjelljen e investitorëve e më këtë edhe rritjen e numrit të të punësuarve”, thuhet në procesverbale.

Ditë më vonë ishin mbajtur edhe takimet me kryetarët e asambleve të komunave ku Nemanja Jakshiq, kryetar i kuvendit komunal të Zubin Potokut, kishte propozuar Asociacioni të jetë organi i shkallë së dytë “në mënyrë që të parandalohet që dikush tjetër të vendosë për atë se çka është më e mira për popullatën serbe”.

Në takime të tjera është diskutuar për grupimin e institucioneve të kulturës dhe organizimin e sportit.

Procesverbalet tregojnë se grupi për hartimin e statutit ishte ndihmuar edhe nga juristët e komunave me shumicë serbe dhe një asistencë kishe ardhur edhe nga Fakulteti Juridik në veriun e Mitrovicës.

Pas përfundimit të këtyre konsultimeve grupi punues ka hartuar draft statutin i cili zyrtarisht është dorëzuar në Bruksel. Përmbajtja e tij ende nuk është publike.

Edi Rama po pëson fatin e Ramiz Alisë

Kriza e rëndë financiare e Turqisë ka mërzitur korrupsionin e lartë shtetëror Rama-Berisha.
Pritni se ka ende edhe më. Nuk është vetëm Lira Turke që do të bjerrë tëposhtë, por është dhe vetë Erdogani.Rama po pëson fatin e Ramiz Alisë, por nuk ka një Sali që ta shpëtojë. Kurse Sali Berisha është nën një shqetësim shum më të madh: politika Tramp, duket se nuk po i bën më asnjë lëshim në lidhje me afërsinë e tij mbi njëzet vjeçare me radikalizmin islamik

Nga Spartak Ngjela

I.
Rama ishte i pari që i hyri detit me një anije të kalbur kur, duke qenë një kryetar bashkie mediokër, filloi korrupsionin galopant dhe abuzimin administrativ, njëlloj si kryeministri që ia dha atë të drejtë, Ilir Meta. Por Rama, një i korruptuar me intencion skizofrenik për pasuri, ia kaloi dhe vetë Metës në pangopësinë e tij, dhe i solli Tiranës një dëm që i kalon 500 milionë Euro. Në fakt këtu filloi konflikti i këtyre të dyve që u sheshua në një bashkëpunim banditësh në vitin 2013, sipas një prespektive që e besojnë vetëm delirantët që nuk e njohin fare historinë e shtetit dhe të Perëndimit. Tani, Meta dhe Rama, janë të dy të kapur nga politika amerikane në korrupsion dhe aspekte të tjera drejt Lindjes antiperëndimore. Të dyve po iu vjen festja vërdallë. Por nuk është vetëm kjo, sepse që të dy, kundër interesit shqiptar, janë të lidhur njëri në Stamboll dhe tjetri në Moskë.

Por më keq ka qënë Berisha sepse ai, duke parë korrupsionin kryeministror Nano dhe Meta, dhe kur pa që edhe një pafille si Rama po bënte miliona, kur erdhi në pushtet në vitin 2005 i hyri edhe ky detit po me një anije të kalbur si ajo e Edi Ramës, dhe vijoi korrupsionin me të gjithë familjen dhe me rrethin e tij. Tani është i kapur me fakte nga politika amerikane, njëlloj si Meta dhe si Rama, dhe i trembur po flet përçart. Por ka edhe hesapet me radikalizmin islamik, si politikë serbe, që po ia kujtojnë anësisht amerikanët. Çdo të bëjë, vërtet mendon se Rama mund të jetë shpëtimtari i tij?

II.

Por Rama, në vitinn2013, kryeministër, me qeverinë e përbashkët me Metën, sado në armiqësi, as që e mendonin dot se duhej t’i nënshtroheshin Reformës në Drejtësi. Rama, si kaqol që është nuk kishte nga të lëvizte, por shpresonte shumë të Meta dhe Berisha, që këta ta ndalonin me frenim Reformën, dhe ai të dukej në sytë e amerikanëve si “një mbështetës i Reformës”.

Koha ecte por Saliu nuk e ndaloi dot miratimin e kushtetutës. Deprimimi i Ramës dhe i Metës ishte i madh, aq sa Metë mavria aq shumë u trondit kur e pa Saliun e kërrusur që u fut i tëri në Parlament, si kryetar i Kuvendit që ishte, ndaloi seancën dhe doli jashtë duke sokëllirë për konsensus. Meta nuk dinte çfarë të bënte, u kuptua që për një bllofim u ngrit nga vendi i Kryetarit, por dështoi me turp. Nëse do ta shihnit tani seancën e votimit me 140 vota të Kushteturës, me i mërziruri tregon Rama, pastaj dhe dy të hutuarit e tjerë, Berisha, Meta.

Por koha vijoji. Rama dhe Meta sërish e kishin shpresën te Saliu. Sidomos Rama që e besonte se Saliu do ta çonte gjendjen në destabilizim dhe e “provokonte” Saliun në Parlament, për të treguar se Reforma në Drejtësi ishte e Ramës. Sipas Ramës, Berisha do të ngrinte popullin kundër Ramës e të dy do të dominonin gjendjen dhe do të shpëtonin nga “fusha magnetike” anti- korrupsion. Pikërisht këtu u krijua Çadra e Berisha dhe Bashës me qëllim kryengritjen. Dhe, njëlloj si Ahmet Zogu, iu drejtuan Beogradit por edhe Moskës që të krijonin destabilizimin. Vuçiçi nuk i përkrahu, kurse Moska u tregua e gatshme.
Meta dhe Rama prisnin destabilizimin e Shqipërisë me ditë, kur befas në Tiranë zbriti Brian Yee, me ekspozim faktesh dhe në kërcënim të hapur kundër Berishës. Dhe ky kokëulur e la Çadrën e Revolucionit dhe u fut në Parlament.

Rënia e Ramës ishte drastike. Meta humbi arsyen dhe u mbyll brenda. Saliu i tha opinionit “këtë herë amerikanët na përdorën një tjetër gjuhë”. Kurse Rama, me mendjen fëminorë që ka, mendoi se tani, fshehtas, duhet të bashkoheshin Rama, Berisha dhe Basha, e të bllokonin Reformën në Drejtësi.

Gjithë shpresa e Ramës ishte të një qeveri e përbashkët PS +PD që duhej të dilte në zgjedhjet e vitit 2017. Këtu e kishte shpresën, dhe i luajti të gjithë gurët që të mos i fitonte i vetëm zgjedhjet. Por shqiptarët e shkatërruan, se i dhanë 75 vende në Parlament. Rama e humbi. Nuk ka rast tjetër në historinë politike të Europës që fituesi i zgjedhjeve të jetë i hedhur në një mërzitje aq madhe sa ajo që pamë te Rama kur fitoi zgjedhjet në qershor të vitit 2017. Në fakt Rama nuk kishte më asnjë shpresë të brendëshme antireformë.

III.

Si pasojë e dështimit për një qeveri të përbashkët PS PD, Rama mendoi të shohë jashtë Shqipërisë, dhe iu duk me shpresë bashkëpunimi me presidentin turk Erdogan. Edhe Rama si të gjithë pashallarët antishqiptarë shkoi edhe ky në Stamboll. Veshi edhe brekushet turke. Dhe e konsideroi islamin si “rrënjë substanciale të shqiptarëve”. Të gjitha për Erdoganin, se atje ishte shpresa. Edhe Saliu sikur u rigjallërua. Por Erdoganit tani i ka rënë Lira. Dhe do të vijojë të bjerë si monedhë në tregun financiar, ndërsa ai vetë duket se i ka ditët e numuruara.

Po Rama? E ka humbur, se ky fakir nuk e konception dot fare se çfarë është monedha e çvlerësuar. Megjithatë, është i trembur. Se akti më i rëndë i tij për politikën amerikane është afrimi me Erdoganin, duke përmendur edhe karakterin islam që kërkoi të evidentohet për të treguar që është një antiamerikan me forcë.

Frika dhe rreziku të bashkon. Ja që Ramën dhe Berishën, për të mposhtur politikën amerikane, erdhi e i bashkoi edhe islami radikal. Hajde trutharë, hajde! Gjithsesi ky ishte fundi i tyre i turpshëm, sepse pasi i grabitën shqiptarët, kot së koti po i sorrollatin këta, duke iu hequr mundësinë e ndihmës së menjëherëshme perëndimore. Por askush nuk u ka faj. Vëret menduan këta të korruptuar që deti ishte bërë kos dhe këta kishin lugë?

A ka qenë Hashim Thaçi i ‘rekrutuar’ nga serbët për ndarjen e Kosovës, që në vitin 2003?!

Gazetari Fahri Mysliu ka risjellë në faqen e tij në FB, një intervistë interesante që i ka marrë për “Zërin e Amerikës”, ish kryeministrit të Serbisë Zoran Gjigjiç, në 14 Shkurt të vitit 2003, i cili mbahet edhe si hartuesi kryesor i planit të sotëm, Vuçiç-Thaçi, për ndarjen e Kosovës

Ajo që bie në sy në këtë intervistë të përpara 15 viteve është fakti, se kur ish-kryeministri i Serbise (I vrarë një muaj, pas kësaj interviste) parashtron planin e ndarjes së Kosvës dhe flet edhe për faktorët shqiptarë që do ta përkrahin atë, ai llogarit Hashim Thaçin.

Sipas tij për realizmin e këtij plani, do të ketë shumë kundërshti si brenda faktorëve politikë shqiptarë ashtu edhe serb, por për këtë duhet biseduar me ata politikan që mund të zbatojnë atë për të cilën merremi vesh. Dhe sipas Gjingjiç, ‘për momentin (viti 2003), ai është Hashim Thaçi’.

‘Ne atëherë do të kërkojmë që një konferencë të bëjë përkufizimin dhe ndarjen e caktuar të Kosovës, sepse shumica e serbëve, apo 99 përqind e tyre, nuk duan të jetojnë në një shtet të tillë, dhe këtë duhet ta respektojmë.

Pra, kjo është zgjidhja e fundit që nuk e don as bota, ndoshta as ne, por nëse nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë më mirë edhe kështu se sa një kërcënim vazhdimisht i hapur që na merr energjinë.

Për këtë duhet biseduar me ata politikan që mund të zbatojnë atë për të cilën merremi vesh. Për momentin ai është zoti Thaçi i cili ka parti të fortë, fuqi dhe vullnet.

Sepse nuk ia vlen të bisdedojmë me organizatat joqeveritare, ose me shqiptarët me orientim kosmopolit, sikur që nuk ju konvenon atyre të bisedojnë me ndonjë serb i cili thot se do të jetojë në Kosovë pavarësisht se çka do të ndodh.

Pra duhet të arrijmë marrëveshje në Beograd dhe Prishtinë me ata që mund të qëndrojnë prapa ndonjë vendimi, të cilët janë në gjendje të përballojnë edhe kritikën e opinjonit në të mirë të ardhmërisë’, deklaronte në Shkurt të vitit 2003 ish-kryeminstri i Serbisë Zoran Gjingjiç.

Zbulimi që mund të ndryshojë historinë e Beratit (dhe jo vetëm)

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka postuar disa foto nga restaurimet që po bëhen në disa xhami në Berat. Gjatë restaurimit kanë dalë në dritë disa struktura të hershme, të panjohura deri më tani

Dhe, duke parë aludimet dhe hamendësimet e shumta, Kumbaro thotë se duhet të jemi të duruar për të pritur rezultatet. “Prej muajsh tashmë Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, kanë hapur e ndjekin çdo ditë kantieret e restaurimit të 19 objekteve të kultit të besimeve të ndryshme fetare, nga Jugu në Veri.

E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati.

Berati është një nga këto sëndukë me thesare që sfidon duke befasuar. Në themelet e Teqesë Helvetive dhe të Xhamisë Mbret, të dyja në restaurim të plotë, (krahas Xhamisë së Beqarëve gjithashtu), kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani.

Këto zbulime po studjohen nga specialistët e Drkk Berat dhe të Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, në vijim të vendimit të fundit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për të shtrirë gërmimin arkeologjik në të gjithë sipërfaqen, përtej vijës së themelit të Xhamisë Mbret dhe, në konsultim edhe me mbështetësin e pazëvendësueshëm të Trashëgimisë Kulturore, profesor Aleksander Meksin e anëtarët e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, do t’u paraqiten publikut dhe profesionistëve rezultate më të sakta të këtij zbulimi.

Deri atëhere gjithçka thuhet e lexoj lart e poshtë, mbetet vetëm hamendësim dashamirës e padurim i justifikuar i të apasionuarve për gjërat e bukura.

Por as une, e askush, nuk e fshehim emocionin që ngjall bukuria e mozaikut që shfaqet nën dhé, të cilit nuk do të ngutesha t’i vija asnjë epitet, por pa dyshim po përgatitemi për një destinacion të ri kulturor në hartën e Beratit

Kjo është pak por e sigurtë”, shkruan Kumbaro.

Çështja e ‘korrigjimit të kufijve’ mund tu këthehet bumerang Vuçiqit e Thaçit

Analistët thonë se retorika e fundit e nxehtë mbi ndryshimin e mundshëm të kufijve do të ndikojë në popullaritetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe të homologut të tij kosovar Hashim Thaçi, por ndoshta jo mjaftueshëm për t’i larguar ata nga posti që mbajnë

Analistët thonë se retorika e fundit e nxehtë mbi ndryshimin e mundshëm të kufijve do të ndikojë në popullaritetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe të homologut të tij kosovar Hashim Thaçi, por ndoshta jo mjaftueshëm për t’i larguar ata nga posti që mbajnë.

Analistët mendojnë se shkëmbimi intensiv i deklaratave të kohëve të fundit për korrigjimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës do të ndikojë në popullaritetin e të dy presidentëve. Emilija Brkiq nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci me qendër në Beograd, CeSid, tha për BIRN se deklaratat e fundit të Vuçiqit mbi Kosovën do të ndryshojnë qëndrimin e tij publik. “Por jo ndryshime që janë drastike në një nivel që do të ndryshonte krejtësisht pozitën e tij dominuese,” nënvizoi Brkiq.

Duke pasur parasysh se ky është një vendim strategjik me rëndësi të madhe si për Serbinë dhe për të gjithë rajonin, shtoi Brkiq, mund të pritet që pasojat e tij të ndihen përsa i përket mbështetjes që ka Vuçiq. “Fakti është se është e pamundur që pasojat e zgjidhjes së një çështjeje të tillë të madhe që ndau publikun serb të mos ndihen në jetën e partisë – në kuptimin e ricaktimeve të vogla si midis votuesve ashtu edhe brenda partisë qeverisëse progresive,” shpjegoi Brkiq.

Vuçiq tha për gazetën serbe Vecernje novosti më 10 gusht se “ne duam kufij të qartë, jo të përkohshëm si sot, në të cilën tjetër gjë është shkruar dhe tjetër gjë kemi në terren”. Vuçiq tha se kur nuk është e qartë se çfarë i takon secilit, “kjo është gjithmonë një burim konfliktesh të mundshme”.

Retorika e Vuçiqit në lidhje me Kosovën ka qenë e ndryshme gjatë viteve, duke filluar me deklarata duke u zotuar se Partia e tij Progresive Serbe nuk do ta “dorëzonte” Kosovën nëse ajo vinte në pushtet.
Ai e përsëriti këtë këmbëngulje pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë në maj 2012. “Politika e qeverisë së re të udhëhequr nga Partia Progresive nuk do ta njohë Kosovën,” tha ai në korrik atë vit, sipas Deutsche Welle.

Megjithatë, në javët e fundit ai ka hedhur mundësinë e një lloj “korrigjimi kufitar” si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. “Do të shohim nëse korrigjimi i kufijve do të ketë mbështetjen e popullit apo jo, por unë mbështes rikufizimin me shqiptarët,” tha Vuçiq për gazetarët gjatë një ngjarjeje në qytetin serb të Sidit më 9 gusht, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug.

Vuçiq ka sugjeruar që një propozim përfundimtar mbi Kosovën të vendoset në një referendum. Më 7 gusht, ai premtoi përsëri se qytetarët serbë do të përfshihen në vendimmarrje. “Njerëzit do të informohen për të gjitha faktet. Ata do të duhet të komentojnë në një mënyrë shumë të qartë dhe të saktë mbi një marrëveshje të mundshme që ne mund të arrijmë një ditë,” tha ai në një konferencë për shtyp, njoftoi N1 TV.

Por edhe nëse popullariteti i tij merr një goditje, dominimi politik i Vuçiqit si udhëheqësi i vendit duket i patundur, brenda dhe jashtë Serbisë. Brkiq tha se mbështetja e madhe mediatike, e jashtëzakonshme materiale dhe burimet njerëzore dhe një opozitë e dobët “e bëjnë Vuçiqin bashkëbiseduesin e vetëm relevant për partnerët perëndimorë”. Kjo do të thotë se është “joreale të pritet që këto ndryshime të çojnë në ndryshime serioze në skenën politike, ose do të ndryshojnë trendet ekzistuese”, shtoi Brkiq.

A do ta ndjejë trysninë Thaçi?

Me deklaratat e tij të fundit mbi “korrigjimet kufitare”, presidenti Hashim Thaçi është bërë figura politike më kontroverse midis shqiptarëve, tha gazetari Agron Halitaj nga Prishtina. “Por kjo nuk do të thotë se ai po shijon popullaritet pozitiv. Përkundrazi,” tha Halitaj për BIRN. “Populli nuk është aq i marrë sa t’i besoj një përralle aq të bukur se Kosova do t’i zgjeroj kufijtë e saj duke e marrë Luginën e Preshevës, ndërsa nuk do të lëshoj asnjë pëllëmbë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe”, shtoi ai.

Thaçi ka habitur bashkatdhetarët e tij dhe ka zemëruar disa parti opozitare duke përcjellë një sërë mesazhesh të dyshimta dhe të përziera mbi temën e ndarjes. Ndërsa e mohon mundësinë e shkëmbimit të tokave mbi baza etnike me Serbinë, Thaçi në të njëjtën kohë e ka quajtur mundësinë që Kosova të marrë shumicën e zonave etnike shqiptare të Serbisë jugore “të realizueshme”.

“Demarkacioni dhe korrigjimi i kufijve do të diskutohet,” tha ai më 2 gusht, “edhe pse realizimi i aspiratave serbe për ndarjen e Kosovës nuk mund të vendoset brenda kornizës së korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë apo për asnjë çmim.” “Ndërkohë, mendoj se kërkesa institucionale e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën është shumë e realizueshme dhe e pranueshme për ne,” shtoi ai.

Por Halitaj vuri në pikëpyetje qëndrimin e Thaçit ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbinë jugore gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili filloi në vitin 2011.
“Që nga fillimi i dialogut, shtatë vjet më parë, Thaçi nuk ka dhënë asnjë provë të vetme se ai është i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërkohë që përfaqësuesit e asaj pjese të Serbisë kanë kërkuar gjithmonë reciprocitet përsa i përket të drejtave të tyre, (t’i bëjnë ato të barabarta) me të drejtat që Kosova i ka dhënë serbëve,” tha Halitaj.

“Tash kur procesi i dialogut është kah fundi dhe kur priten kompromise të reja nga pala kosovare, Thaçi synon ta bëjë me lehtë të pranueshme dhënien e një autonomie substanciale për serbët e veriut, duke i ruajtur kufijtë kushtetues të shtetit, sipas parimit: As Kosova- Luginën, as Serbia- Veriun e Kosovës”, shtoi ai.

Në vitin 2012, kur Thaçi ishte kryeministër, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që autorizon kryeministrin të udhëheqë dialogun. Megjithatë, kryeministri aktual Ramush Haradinaj duket i pa interesuar të marrë përsipër drejtimin e bisedimeve, ndërsa opozita e ka akuzuar Thaçin për “uzurpim” të procesit pa pëlqimin e parlamentit. Muajin e kaluar, Thaçi ftoi përfaqësuesit e opozitës kosovare të merrnin pjesë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, duke themeluar ekipin negociues, ekipin strategjik dhe komisionet e përbashkëta për të punuar në çështjet që priten të trajtohen gjatë bisedimeve.

Megjithatë, partitë e opozitës, sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosja dhe Partia Social Demokrate, e refuzuan ofertën, duke thënë se Thaçi nuk ka as autoritet as legjitimitet për t’i ftuar ata në tavolinë. Ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve është ndër rezultatet më pak të dëshiruara për publikun e Kosovës, sipas një sondazhi të publikuar muajin e kaluar nga një organizatë me qendër në Prishtinë, Instituti Demokratik i Kosovës.

Anketimi mbi dialogun tregoi se një 78 për qind e të anketuarve nuk presin një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë e cila përfshin shkëmbimin e territoreve, ndërsa 84 për qind “nuk do ta pranojnë” ndarjen e Kosovës. “Çdo ndryshim i kufijve mund të shkaktojë reaksione zinxhir në të gjithë Ballkanin duke ndikuar në paqen dhe stabilitetin në përgjithësi,” tha për BIRN Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ndërkohë, Halitaj shikon rrezikun që situata të përkeqësohet, ose në Kosovën veriore me shumicë serbe ose në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare në Serbinë jugore. “Ky skenar mund ta mbajë Thaçin si lojtarin kryesor në lojë për shumë vite të tjera,” tha ai.