Alexandra Channer: Nëse e shkatërroni VV-në, ia humbni shansin edhe një gjenerate tjetër në Kosovë

Një angleze e cila dikur ishte anëtare e Kryesisë së VV-së, Alexandra Channer u ka bërë thirrje zyrtarëve të Vetëvendosjes të mos e shkatërrojnë partinë e themeluar nga Albin Kurti. Ka thënë se të dy grupet duhet të gjejnë zgjidhje dhe të mos e shkatërrojnë projektin politikë të VV-së

Ajo ka shkruar fjalë të mëdha për Kurtin duke thënë se është me fat që një njeri të tillë e ka Republika e Kosovës.

Një ditë para se të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, një ish-anëtare e Kryesisë së Vetëvendosjes ka dalë në përkrahje të Albin Kurtit e kundër Dardan Molliqajt.

Anglezja Alexandra Channer ka thënë se Partia e themeluar nga Albin Kurti nuk duhet të shkatërrohet.

“Tani që kam parë intervistat ende nuk e kuptoj pse ka ardhur deri te kjo situatë. Shpresoj shumë që do të zgjidhni problemat këtë të dielë, edhe nësë mbetni atje brenda për një javë rresht. Dhe këtë shpresë e kam jo prej një dashurie absolute për juve, edhe pse po ju dua, por më shumë per Kosovën sepse si organizatë, lëvizja e mori hapësirën e opozitës. U zgjerua nga lëvizje e vogël në një parti të madhe. Nëse po vendosni ta shkaterroni këtë organizatë, ka edhe një gjeneratë tjetër në Kosovë që humbet shansin për një jetë me punë dhe me dijnitet”, ka shkruar Channer, letrën e së cilës e kanë shpërndarë krahu i Albin Kurtit.

Prej një jave, në Lëvizjen Vetëvendosje po vazhdojnë të përplasen me akuza dy krahët e Partisë.

Besimtarët, siç i quajti Dardan Molliqaj, po e përkrahin Albin Kurtin dhe po lëshojnë akuza në drejtim të Aida Dërgutit, Fisnik Ismailit, Shpend Ahmetit, Faton Topallit, Dukagjin Goranit, Dardan Sejdiut se kanë tentuar të bëjnë puç dhe të marrin udhëheqjen e Vetëvendosjes. Një zëdhënëse e VV-së, Tinka Kurti tha se Dardan Molliqaj e Dukagjin Gorani janë njerëz të SHIK’ut të Kadri Veselit.

Të dielën është thirr mbledhja e Këshilli të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku pritet të diskutohet për ndarjet brenda kësaj partie. Deri tash në publik kanë folur Aida Dërguti, Visar Ymeri e Dardan Molliqaj. Madje, ky i fundit kishte thënë se Albin Kurti prej vitit 2015 kishte lënë të hapur idenë e një koalicioni me PDK’në e Kadri Veselit.

Molliqaj ka deklaruar se kundërshtarët e Albin Kurtit në VV nuk janë pak derisa ka thënë se dikur edhe PDK thoshte se Vetëvendosje është e vogël. Sidoqoftë, përkrahësja e Vetëvendosjes nga Anglia e ka të qartë se krahu i Albin Kurttit duhet të fitojë në Vetëvendosje. Ka thënë se lum Kosova që e ka një njeri si Kurtin.

“Albini që kam njohur këto 12 vite është njeri politik, jo folklorik. Sikur të gjithë neve ai nuk është perfekte, por si i burgosur, si aktivistë dhe si politikan unë s’kam dyshim që është një prej figurave politike të rendësishme të kohës sonë. Ka fat Kosova që Albini punon për të”, ka shtuar ajo.

Haradinaj: Të kërkohen zero taksa për bizneset

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që të kërkohen veprime konkret me qëllim të krijimi të lehtësirave për bizneset në vend

Kreu i ekzekutivit të vendit, Ramush Haradinaj tha se përmes kësaj tavoline dhe akterëve që janë të përfshirë në këtë Këshillë mund të identifikohen veprimet konkrete që rrisin mundësitë që sipërmarrësit në Kosovës të ecin përpara.

Ai po ashtu kërkoi se dikush nga ky takim duhet të kërkojë zero taksa për bizneset, të kërkojë para, grante dhe subvencioen me qëllim që të bizneset që lirohen nga ngarkesat që kanë në tregun e brendshëm, ngarkesa këto që i bëjnë të pa barabartë ata me bizneset në rajon.

“Dikush në këtë tavolinë, dikush prej nesh duhet të kërkoj zero taksa për bizneset, zero, zero. Pra duhet të kërkon pare, grante, subvencione, përkrahje. Dikush po ashtu në këtë tavolinë duhet ta ketë guximin me besu që mund të ndodh kjo, por kuptohet njëri prej nesh do ta luan rolin e të keqit është Ministria e Financave. Ajo ka me qenë gjithë kohën në atë presionin tonë që të lehtësohet, pra të çlirohen bizneset prej ngarkesave e të cilat i bëjnë të pabarabartë bizneset në rajon ose të cilat kishin mujt me iu krijua avantazhe krahasuar me bizneset në rajon. Pra kjo tavolinë duhet ta ketë këtë kuptim, ndryshe kthehet në tavolinë burokratike. Biseda ndoshta çfare kanë ndodhur gjatë edhe efektet kerkund”, tha ai.

Ai po ashtu deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”, do të ndikojë pozitivisht edhe për prodhuesit e energjisë alternative, pasi që i favorizon ata, sepse me ndërtimin e këtij termocentrali rriten kërkesat për energji alternative.

Kurse, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka për qëllim që të jetë mekanizëm funksional për dialog publiko-privat për të përmirësuar mjedisin afarist në vend.

“Një Këshill ky që ka për qëllim të jetë një mekanizëm funksional i dialogut publiko-privat duke punuar për përmirësimin e mjedisit afarist në vend, mbështetjen e prodhuesve vendor dhe rritjen e punësimit që janë disa nga top prioritetet që e qeverisë së Republikës së Kosovës. Me votimin e qeverisës së re nga parlamenti i Republikës ne iu kemi futur punës me një qasje të re, ne tashmë kemi dërguar disa ligje të rëndësishme në qeveri dhe parlament, ligje këto që do të ndikojnë direkt në vazhdimin dhe përmirësimin e të bërit biznes, mbështetjen e prodhuesve vendor si dhe rregullimin e tregut të brendshëm në vendin tonë“, tha ai.

Ai kërkoi bashkëpunim nga të gjithë akterët e përfshirë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të realizuar objektivat e reja të kësaj qeverisje. Ndryshe, takimi dhe diskutimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka vazhduar pa pranin e mediave.

Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë ku sicilido menton për veten e tija

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë t’a lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarta të vëndit t’onë


Nga Faik Konica, botuar më 1903

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albaniës” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojnë fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç që do të ketë ca Bullgarë më pakë, lirië më tepër për Bullgarët e mbetur e robërië e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqië, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do t’humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rëfejmë këtu në pakë fialë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet (fr. les excès) e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u-hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e drejtë.

Drejtësia është t’u lësh Bullgarëve lirië të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (ç’do Shqipëtar e di se pse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i shfaqin luftë Turqisë edhe Serbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete as mëndia njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushtëtarët e saj të pa-kënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qevertarëve e të kryeushtëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë, – sa do që Bullgarët e Principatit janë të pakë, shumë më të pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie (fr. munitions).

Edreneja e dhënë Bullgarisë s’na prish aqë punë: po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë, – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rëfeu në luftë të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqië të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë Frëngu.

Përandaj, si do që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhet ay bashkim e ajo e marë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilido e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rezikut.

Ata Shqipëtarë për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kish njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njerës janë të pakë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet një komb.

Është një e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtëtarë në Turqië t’Europës. Kio ushtërië e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësië të vërtetë t’atyreve vëndeve.

Ahere, ndofta, do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të drejta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja se pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne.

Brexit – Kёtej e tutje do tё jetё e vёshtirё

Kryetarёt e qeverive dhe tё shteteve tё 27 vendeve anёtare tё BE-sё dhanё sinjalin pёr vazhdimin e negociatave tё Brexit. Merkel paralajmёron pёr mё shumё probleme nё fazёn e dytё dhe shpreson tё ruhet uniteti

Nё konferencёn e pёrfundimtare tё shtypit nё samitin e BE-sё nё Bruksel Angela Merkel dhe Emmanuel Macron dhanё njё sinjal pёr tё pёrbashkёtat gjermano-franceze. Tё dy synojnё nё radhё t ёparё reformёn e shpallur tё Eurozonёs, njё projekt prioritar politik i presidentit francez. Por kancelarja dhe presidenti nuk i shmangen dot temёs sё Brexit-it. Edhe vitin e ardhshёm kjo temё do tё kushtojё energji dhe kohё BE-sё me 27 anёtarё, edhe pse vendet e mёdha anёtare kёtё e konsiderojnё si njё shmangie prej problemeve tё mirёfillta tё sё ardhmes.

Tani nis faza mё e vёshtirё

Vendimi formal pёr vazhdimin e bisedimeve tё Brexit “ёshtё njё hap pёrpara”, thotё kancelarja, por tani nis edhe pjesa mё e vёshtirё e punёs. Deri tani vendet anёtare kanё bashkёpunuar mjaft mirё, dhe ajo shpreson – tha kancelarja – qё “edhe nё tё ardhmen tё ruhet ky unitet”. Ajo nuk ak asnjё iluzion, se sapo tё dalin nё pah interesat kombёtare ekonomike nё raport me Britaninё e Madhe, uniteti mund tё rrezikohet. Diplomatёt e BE-sё qysh pёrpara takimit u shprehёn, se ky ёshtё “samiti i fundit i lehtё” lidhur me Brexit-in.

Edhe presidenti francez theksoi, se sa i rёndёsishёm ёshtё bashkёpunimi nё BE nё kёto bisedime. Ai vuri nё dukje, se beson, qё metoda e deritanishme ia ka vlejtur: Bisedimet do tё zhvillohen me etapa tё veҁanta dhe me afate. “Eshtё e rёndёsishme qё tё mbrohen rregullat e bashkёsisё”, tha Emmanuel Macron. Njё synim ky qё ka prioritet tё lartё edhe pёr kancelaren gjermane, Tregu i brendshёm dhe liritё qё lidhen me tё duhet tё mbrohen pa asnjё kufizim, theskoi Merkel. Edhe presidenti i Komisionit tё BE-sё Jean-Claude Juncker tёrheq vёmendjen, qё bisedimet e ndёrlikara tё divorsit gjatё Brexit-it do tё jenё “shumё mё tё vёshtira”.

Nё Bruksel nё samitin e fundvitit pas suksesit tё pjesshёm lidhur me temёn Brexit tё javёve tё kaluara nuk pati ndonjё lehtёsim. Gjatё vitit 2018 Brexit do tё ofrojё shumё mё tepёr lёndё konflikti se deri mё sot.

Vendi më absurd dhe i pabesueshëm në botë!

Turkmenistani është një shtet që ua kalon të gjitha shteteve – me absurditete. Shefi i shtetit është kadi dhe adhurues kuajsh, dentist dhe shef i të gjitha shoqatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve

Ky emër duhet mbajtur mend: Gurbanguli Berdimuhamedov. President i Turkmenistanit. Kryeministër i Turkmenistanit. Dashamir i kuajve. Në përgjithësi duhet nënvizuar: kali është simbol nacional i turkmenëve.

Paraardhësit e turkmenëve kalëronin me qindra kilometra në Persi, plaçkitnin dhe ktheheshin me plaçkë në vendin e tyre.

Me kuaj turkmenët hidheshin në beteja dhe shpesh fitonin.

Gjatë sundimit sovjetik simbole nacionale ishin çekani dhe drapëri – si çdokund në perandorinë e kuqe.

Pas pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik turkmenët iu kthyen kalit.

Presidenti i parë i Turkmenistanit të pavarur ishte Saparmurat Nijazov.

Ai kishte pushtet edhe në komunizëm, ishte sekretar i parë i Partisë Komuniste të Turkmenisanit.

Kur u bë president, natyrisht me 99,5 për qind të votave, ai nga bashkëkombësit e tij quhej «Turkmenbashi», domethënë: baba i të gjithë turkmenëve.

«Turkmenbashi» i ngriti një kult të paparë vetes.

Madje shkoi aq larg, saqë filloi t’ua ndryshojë emrat muajve të vitit.

Një muaj mori emrin e nënës së tij, muajt tjerë emra të preferuar prej «Turkmenbashit».

Gurbanguli Berdimuhamedov ishte dentist personal i «Turkmenbashit».

Kur «Turkmenbashi» iku nga kjo botë, Gurbanguli Berdimuhamedov u bë pasardhës i tij.

Ndoshta për shkak të profesionit Berdimuhamedovit i pëlqen shumë ngjyra e bardhë.

Rrjedhimisht, në Ashgabat, kështu quhet kryeqyteti Turkmenisanit, ndërtesat duhet të lyhen vetëm me ngjyrë të bardhë dhe veturat duhet të kenë ngjyrë të bardhë.

Me absurditete nuk ia kalon gati askush Turkmenisanit.

Në listat e organizatave për të drejtat e njeriut Turkenistani është në shoqëri të afërt me Korenë e Veriut.

Sa i përket lirisë së shtypit: «Reporterët pa Kufij» e kanë renditur Turkmenistanin në vendin e 178 prej 180 vendeve.

Banka Botërore thekson se Turkmenistani është ndër vendet më së keqija të qeverisura në botë.

Kush e kritikon presidentin Gurbanguli Berdimuhamedov përfundon në burg – për jo më pak se 25 vjet.

Facebookut, Twitteri, Skype dhe Youtube janë të bllokuara, përfshirë edhe portalet informative të botës së jashtme.

Opozitë nuk ka.

Ose ka, por diktatori kujdeset që të mos vërehet prania e saj.

Kush klikon webfaqet e opozitës rrezikon të përfundojë në qeli.

Nëntë për qind e rezervave botërore të gazit gjenden në Turkmenistan.

Ky vend nuk është i varfër.

Berdimuhamedovit sapo ka ndërtuar një aeroport në vlerë prej dy miliardë dollarë.

Çdo vit në prill në Turkmenistan organizohet një garë e kuajve turkmenë.

Më 2013 ndodhi diçka e papritur: Berdimuhamedov mori pjesë në garë, kalëruesit e tjerë ia lëshuan rrugën që ai të mbërrijë i pari në finisht.

Diktatori, siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», u gëzua dhe lëshoi frerët.

Kali u rrëzua dhe diktatori përfundoi në rërë.

Në internet ekziston një video që tregon këtë rrëzim.

Kush e shikon në Turkmenistan shkon në burg.(dp)

Rreziqet në rritje në Ballkan kërkojnë veprime nga brenda dhe jashtë

Tensionet e shtuara dhe dhuna e mundshme janë parashikuar për Balllkanin në vitin 2018, ndaj populli në rajon duhet të gjejë kurajon dhe të kërkojë zgjidhje vetë, pastaj t’i kërkojë ndihmë Uashingtonit dhe Brukselit

Ballkanasit janë habitur që Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, CFR, një organizatë e njohur në SHBA, që ndodhet shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, e ka renditur Ballkanin mes prioriteteve të saj për parandalimin e konfliktit për vitin 2018.

CFR paralajmëroi specifikisht “përshkallëzimin e tensioneve apo dhunës ekstremiste në Ballkan – Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi – që do të rezultojnë në paqëndrueshmëri politike dhe përleshje të armatosura” dhe vlerësoi se ka gjasa të moderuara të ndodhë, por ndikimin në interesat amerikane të ulëta.

Ky vlerësim i “nivelit III” ka shkaktuar një interesim të madh, megjithëse është veçse një njohje e Uashingtonit me atë që njerëzit në Ballkan e kanë hasur prej vitesh: recesioni ekonomik dhe trazirat sociale po rriten, anëtarësimi në BE po rezulton shumë i largët për të bindur politikanët e Ballkanit që të marrin rreziqet që lidhen me reformimin dhe Rusia është duke bërë çmos për të bllokuar progresin drejt NATO dhe BE.

Nuk ka nevojë për topth kristali për të sugjeruar se ka rrezik përplasjesh të armatosura dhe ekstremizmi të dhunshëm në një rajon që ka parë tashmë sulm mbi parlamentin maqedonas, paraushtarakë që kalojnë kufirin nga Kosova, kërcënime për referendum të pavarur në Republikën Srpska në shkelje të marrëveshjeve të paqes Dejton dhe rekrutim të ekstremistëve fetarë dhe etnik për të luftuar në Siri dhe Ukrainë.

Amerika ia kaloi lidershipin në Ballkan Europës më shumë se 10 vjet më parë. Europa është çapitur që atëherë. Çështja është nëse Shtetet e Bashkuara do të kthehen në një rol lidershipi duke u përpjekur të zgjidhin çështjet që po bllokojnë vendet e Ballkanit nga anëtarësimi në BE dhe NATO.

Emri i Maqedonisë, kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës, mungesa e anëtarësimit në OKB të Kosovës dhe ndërhyrja e Rusisë në politikën ballkanike janë çështje që mund të zgjidhen më lehtë me angazhimin e Uashingtonit se sa pa të. Pse nuk ndërhyn SHBA-ja?

Përgjigja fle në dy nivelet e prioriteteve të parandalimit që qëndrojnë mbi Ballkanin në renditjen CFR.

Amerikanët janë të zënë me armët bërthamore dhe raketat e Koresë së Veriut, ndërhyrjen ruse në Europën Lindore, kërcënimet kibernetike, Iranin, Detin e Kinës Jugore dhe terrorizmin në vend, për të mos përmendur krimin e organizuar në Meksikë, separatistët në Ukrainë, ambiciet e pavarësisë së Kurdistanit, konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, dhe disa problemeve të tjera të mundshme me ndikim më të madh në interesat amerikane sesa Ballkani.

Edhe po të sugjeroja që SHBA të caktojë një të dërguar të posaçëm për Ballkanin ose të delegojë përgjegjësi specifike te Zv.Presidenti Mike Pence, nuk jam i bindur se kjo do të ndodhë. Çfarë atëherë?

Njerëzit në Ballkan duhet të marrin kontrollin në duart e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje të negociuara, në bashkëpunim me miqtë e tyre europianë dhe amerikanë.

Pse Greqia do të vazhdojë fushatën kundër emrit të Maqedonisë nëse kjo pengon Maqedoninë që të jetë ashtu si Greqia aleat në NATO dhe një anëtare e Bashkimit Europian?

Pse Serbia do të vazhdojë qëndrimin e saj kundër anëtarësimit në OKB të Kosovës, duke e ditur se kurrë nuk do të mund ta qeverisë ish-krahinën e saj dhe do të duhet të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me të përpara se Beogradi të hyjë në BE?

Pse shtetasit e Republikës Srpska vazhdojnë të premtojnë një referendum që nuk mund të sjellë njohje ndërkombëtare si një shtet i pavarur dhe do t’i shërbejë vetëm interesave të elitës politike rusofile të korruptuar?

Për mua, përgjigjet janë të qarta, por këto pyetje duket se nuk bëhen kurrë. Është koha gjithashtu që BE-ja të luajë një rol më të fortë. Brukseli është mësuar të heqë dorë: sapo të keni zbatuar ligjet e unionit, do të marrim në konsideratë t’ju anëtarësojmë.

Kjo po rezulton e pamjaftueshme. Procesi duhet të lehtësohet. NATO gjithashtu mund të jetë më energjike në përpjekje për të zgjidhur çështjet që kanë ndaluar Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën për të mos hyrë në aleancë.

Problemet që e futën Ballkanin në listën e prioriteteve të parandalimit këtë vit nuk janë të pazgjidhshme. Por kërkojmë pak kurajo politike dhe dorë diplomatike për t’u zgjidhur.

Vullneti duhet të vijë jo vetëm nga Uashingtoni dhe Brukseli, por edhe nga brenda Ballkanit. Kur shtetasit e tij të kërkojnë gjëra të bëra më mirë, rreziku i destabilitetit politik dhe përplasjeve të armatosura do të bjerë. Është më mirë të jesh jashtë listës së CFR se i përfshirë në të.

Çfarë duhet të bëjmë për “fuqinë e mprehtë” të Kinës

Kur një fuqi në rritje sfidon një aktuale të tillë, shpesh vijon lufta. Kjo perspektivë, e njohur si kurthi i Thukididit sipas historianit grek, i cili e përshkroi për herë të parë, varet nga marrëdhëniet midis Kinës dhe Perëndimit, veçanërisht Amerikës. Pra, gjithnjë e më shumë, bëhet një konfrontim më i fshehtë. Edhe nëse Kina nuk kërkon të pushtojë tokat e huaja, shumë njerëz frikësohen se ajo kërkon të pushtojë mendjet e huaja

Australia ishte e para që ngriti një flamur të kuq për taktikat e Kinës. Në 5 dhjetor pretendimet se Kina ka ndërhyrë në politikën australiane, universitetet dhe botimet bënë që qeveria të propozojë ligje të reja për të trajtuar përpjekjet e jashtme të papreçedenta dhe të sofistikuara për ndikim. Këtë javë një senator australian dha dorëheqjen lidhur me akuzat se, si zëdhënës i opozitës, ai mori para nga Kina dhe argumentoi pro qendrimeve të saj.

Britania, Kanadaja dhe Zelanda e Re po fillojnë gjithashtu të ngrenë alarmin. Më 10 dhjetor Gjermania akuzoi Kinën për përpjekjen për të influencuar politikanët dhe burokratët. Dhe më 13 dhjetor, Kongresi mbajti seanca për ndikimin në rritje të Kinës.

Kjo sjellje ka një emër – “fuqi e mprehtë”, i hartuar nga National Endowment for Democracy, një think-tank i bazuar në Uashington. “Fuqia e butë” shfrytëzon joshjen e kulturës dhe vlerave për të shtuar forcën e një vendi; fuqia e mprehtë i ndihmon regjimet autoritare të formojnë dhe manipulojnë opinionin jashtë vendit.

Perëndimi duhet të reagojë ndaj sjelljes së Kinës, por nuk mund të ndërtojë thjesht barrikada. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik i vjetër, Kina është pjesë e ekonomisë botërore. Në vend të kësaj, në një epokë kur burrështetësia është në mungesë, Perëndimi duhet të gjejë një terren të mesëm shtetëror. Kjo fillon me një kuptim të fuqisë së mprehtë dhe si funksionon.

Ndikimi dhe influencuesit

Ashtu si shumë vende, Kina është përpjekur për të përdorur vizat, grante, investime dhe kulturën për të ndjekur interesat e saj. Por veprimet e saj kohët e fundit janë rritur më shumë dhe janë më të frikshme. Fuqia e saj e mprehtë ka një sërë elementësh të ndërlidhur: nënshtrimi, ngacmimi dhe presioni, të cilat kombinohen për të nxitur vetëcensurimin. Për Kinën, përfitimi përfundimtar është nënshtrimi i atyre që ende nuk kontrollon, por që megjithatë frikësohen nga humbja e financimit, qasjes ose ndikimit.

Kina ka një histori të spiunimit në diasporën e saj, por konvertimi është përhapur. Në Australi dhe në Zelandën e Re, paratë kineze thuhet se kanë blerë ndikim në politikë, me donacione partiake ose pagesa për politikanët individualë. Ankesa e kësaj jave nga inteligjenca gjermane thotë se Kina po përdorte rrjetin e biznesit të LinkedIn për të zënë në graçkë politikanët dhe zyrtarët qeveritarë, duke pasur njerëz që paraqiteshin si rekrutues dhe think-tankers dhe duke ofruar udhëtime falas.

Ngacmimet kanë marrë gjithashtu një kërcënim të ri. Ndonjëherë mesazhi është i hapur, siç kur Kina e ndëshkoi ekonomikisht Norvegjinë për dhënien e një çmimi Nobel për paqe për një aktivist kinez pro-demokracisë. Më shpesh, sikurse kur kritikët e Kinës nuk janë të përfshiraë në grupet e konferencave, ose akademikët shmangin studimin e temave që Kina gjykon si të ndjeshme, rastet individuale duken të vogla dhe roli i zyrtarëve është i vështirë të vërtetohet.

Por efekti mund të jetë i rëndë. Profesorët perëndimorë janë shtyrë të heqin dorë. Hulumtuesit e huaj mund të humbasin aksesin në arkivat kineze. Politikëbërësit mund të gjejnë se ekspertët e Kinës në vendet e tyre janë shumë pak të informuar për t’i ndihmuar ata.

Për shkak se Kina është aq e integruar në jetën ekonomike, politike dhe kulturore, Perëndimi është i prekshëm ndaj një presioni të tillë. Qeveritë perëndimore mund të vlerësojnë tregtinë mbi shënimin e pikave diplomatike, si kur Greqia vuri veton ndaj një deklarate të Bashkimit Evropian që kritikon rekordin e Kinës mbi të drejtat e njeriut, pak pasi një firmë kineze kishte investuar në portin e Pireut.

Ekonomia është aq e madhe saqë bizneset shpesh kërcejnë me melodinë e Kinës pa u thënë gjë paraprakisht. Një botues australian papritmas tërhoqi një libër, duke përmendur frikën e “agjentëve të influencës së Pekinit”.

Çfarë duhet të bëjmë?

Duke u përballur me ankesat nga Australia dhe Gjermania, Kina i ka quajtur kritikët e saj të papërgjegjshëm dhe paranojakë – dhe ekziston vërtet një rrezik i histerisë anti-kineze. Megjithatë, nëse Kina do të ishte më e sinqertë, do të vinte në dukje se dëshira e saj për ndikim është ajo që ndodh kur vendet bëhen të fuqishme.

Kina ka shumë më tepër gjëra në rrezik jashtë kufijve të saj sot sesa më parë. Rreth 10 milion kinezë kanë lëvizur jashtë vendit që nga viti 1978. Ajo shqetësohet se ata do të marrin zakonet demokratike nga të huajt dhe do të infektojnë vetë Kinën. Veçmas, kompanitë kineze po investojnë në vende të pasura, duke përfshirë në burime, infrastrukturë strategjike dhe tokën bujqësore. Flota e Kinës mund të projektojë fuqinë larg nga shtëpia.

Presionet e qeverisë kanë një imazh të dobët jashtë vendit dhe do t’i bëjnë asaj dëm. Dhe si superfuqi në rritje, Kina ka një oreks të formësojë rregullat e angazhimit global – rregulla të krijuara kryesisht nga Amerika dhe Evropa Perëndimore dhe që zakonisht përdorën nga ata për të justifikuar veprimet e tyre.

Për të siguruar që ngritja e Kinës është paqësore, Perëndimi duhet të bëjë hapësira për ambiciet e Kinës. Por kjo nuk do të thotë se çdo gjë të lejohet. Shoqëritë e hapura injorojnë fuqinë e mprehtë të Kinës në kurrizin e tyre.

Një pjesë e mbrojtjes së tyre duhet të jetë praktike. Kundër-inteligjenca, ligji dhe një media e pavarur janë mbrojtja më e mirë kundër konvertimit. Të tre kanë nevojë për folësit kinezë, të cilët kuptojnë lidhjen ndërmjet politikës dhe tregtisë në Kinë. Partia Komuniste kineze shtyp lirinë e shprehjes, debatin e hapur dhe mendimin e pavarur për të çimentuar kontrollin e saj. Thjesht duke hedhur dritë mbi taktikat e saj të mprehta – dhe shaming kowtowers – do të sillnin shumë rezultare për goditjet e tyre.

Pjesërisht duhet të jetë parimore. Lançimi i një gjuetie shtrigash kundër popullit kinez do të ishte gabim; do të bënte gjithashtu që pretendimet perëndimore për sundimin e ligjit të ishin të zbrazëta. Thirrjet nga politikanët amerikanë për “reciprocitet” të plotë, mbi vizat për akademikët dhe punonjësit e OJQ-ve, do të ishin njësoj si vetë-mposhtje.

Megjithatë, shpërfillja e manipulimeve me shpresën se Kina do të jetë më miqësore në të ardhmen vetëm sa do të sjell valën tjetër të goditjes. Përkundrazi, Perëndimi duhet të qëndrojë sipas parimeve të veta, me vendet që veprojnë së bashku nëse është e mundur, dhe veçmas nëse duhet. Hapi i parë në shmangien e kurthit të Thukididit është që Perëndimi të përdorë vlerat e veta për të zbutur fuqinë e mprehtë të Kinës./The Economist – Lexo.al/e.e

Berishën dhe Metën së shpejti do i kemi në burg. Ujku Llalla po zëvendësohet nga çakalli Petrit Fusha

Ujku Llalla tashmë është zëvendësuar nga çakalli Fusha, i cili mban shumë gjynahe në kurrizin e tij. Që Berisha dhe Meta do të shkojnë në burg, unë këtë nuk e vë fare në diskutim. Ne nuk kemi luksin të rrëzojmë të gjithë sistemin politik, vetëm për arsyen se disa politikanë hajdutë ordinere si Berisha dhe Meta, janë kapur me thonj pas pushtetit. E përdorën apo u keqpërdor vetë, kjo nuk ka më rëndësi, por unë, sapo të krijohet këshilli i lartë i prokurorisë, do ta trajtoj këtë çështje. Është e sigurtë se Berisha me Metën, nuk do të shkojnë vetëm për pushime në Shkodër

Juristi Romeo Karaj nuk ndalet përballë padrejtësive dhe pas shumë përpjekjesh më në fund duket se e drejta po anon në anën e tij. Gjykata Penale e Tiranës, mori vendim, për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, lidhur me pushimin e hetimeve për procesin e korruptuar të privatizimit të OSSH-së.

Në një intervistë për Pamfleti.com juristi Karaj shprehet shpresëplotë se ora e drejtësisë ka trokitur më në fund në vendin tonë dhe se protagonistët e kësaj vjedhjeje me vlerë 414 milionë euro, përkatësisht Berisha dhe Meta do të përfundojnë në burg. Megjithatë ai thekson se duhet pasur kujdes me Prokurorin Petrit Fusha, i cili sipas tij është një zgjatim i zullumeve të Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Intervista:

Gjykata Penale e Tiranës, mori vendim, për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, lidhur me pushimin e hetimeve për procesin e korruptuar të privatizimit të OSSH-së. Si e komentoni një vendim të tillë?

Vendimi i Gjykatës, është për t’u vlerësuar, pasi përveçse është konform logjikës së çështjes, shpreh gjithashtu edhe kurajon për të menaxhuar me paanësi, këtë çështje mjaft delikate dhe me interesa të mëdha për drejtesinë dhe vendin. Gjykata, në arsyetimin e vendimit që dëgjova në seancë, ka konstatuar si të drejta të gjitha mangesitë që unë dhe Kuvendi i Shqipërisë, cekëm në ankesat tona respektive. Gjykata e rrëzoi vendimin qesharak, jo profesional dhe shpërdorues, të Prokurorisë së Tiranës, e cila pa bërë asnjë hetim dhe pa marre parasysh provat e reja, të ofruara nga unë si dhe pa realizuar asnjë seancë pyetjesh me personat e kallëzuar apo ata që kane dijeni për ngjarjen, vendosi pushimin e çështjes. Përballë këtij akti skandaloz të prokurorisë, u bë i detyrueshëm ankimimi i vendimit të pushimit të çeshtjes. Në ankimimin tim unë kam theksuar një mori mangësish, ndër të cilat do të përmend:

Mos leximin e dosjes nga ana e prokurores së çështjes, e cila pati guximin që brenda 10 ditësh, të japë një vendim të tillë, edhe pse dosja përmban mbi 5000 faqe.
Prokurorja i është referuar totalisht gabim bazës ligjore mbi të cilin ka marrë këtë vendim, përderisa i referohet nenit 34 të Kushtetutës, i cili parashikon se,”Askush nuk mund të dënohet më shume se një herë për të njëjtën vepër penale…”.Edhe opinioni e di, se lidhur me këte çeshtje, askush nuk është denuar më parë.
Prokurorja edhe pse thekson se Sali dhe Shkëlzen Berisha kane refuzuar për të dëshmuar përpara komisionit hetimor parlamentar Balla, ajo përsëri nuk e pa të arsyeshme pyetjen e tyre si dhe konstatimin e veprës penale të Refuzimit për të deshmuar të parashikuar nga Kodi Penal.
Prokurorja zhvlerësoi, keqintepretoi deri në marrëzi, provën e re kryesore të ofruar nga unë në Komisionin Balla, e-mailet e Nuel Kalaj. Kjo provë e kompromenton totalisht proceduren e privatizimit të OSSH-së. Edhe vetë Berisha nuk do të kishte mbajtur një qëndrim kaq negativ përballe fakteve dhe provave të kësaj dosjeje.
Prokurorja as nuk ka dënjuar t’a pyesë sekserin Nuel Kalaj.
Prokurorja nuk ka dënjuar as të verifikoje transaksionet 6.8 milionë euroshe të Nuel Kalajt.
Prokurorja nuk investigon as për dëmin ekonomik mbi 140 milionë dollarë.
Prokurorja shprehet se procedura e tenderimit ishte e rregullt edhe pse konstaton se janë ndryshuar në kundershtim me ligjin kushtet teknike, komisionet e tenderit nuk janë ngritur konform ligjit etj. Me pak fjalë, qëndrimi i prokurorisë ishte skandaloz, fyes, i padrejtë dhe i dënueshëm.

E cilësoni vendimin një fitore të parë. Cilat hapat që dop të ndiqni më tej për të rivitalizuar këtë çështje dhe për ti shkuar në fund aferës së CEZ?

Është fitore e vogël në dukje, por ka një vlerë të madhe morale. Së pari, procesi edhe pse ngadalë, përsëri po ecën dhe për më tepër në drejtimin e duhur. Duhet mbajtur fortë kjo fitore, që theu mitin e Berishës, si person absolutisht të immunizuar nga zbatimit dhe ndëshmimit të ligjit. Unë jam i përgatitur më së miri, për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. I gjithë sistemi i drejtësisë do të testohet përpara kësaj afere. Politika gjithashtu. Për këtë jam shumë i sigurtë.

Mendoni se drejtësia e re që pritet të marrë në dorë dosjet e CEZ, është dhe kërtkesë e FBI kjo, do të arrijë të çojë në burg protagonistët e kësaj vjedhjeje me vlerë 414 milionë euro, përkatësisht Berisha dhe Meta?

Që Berisha dhe Meta do të shkojnë në burg, unë këtë nuk e vë fare në diskutim. E kam thënë edhe të tjera hërë se, tani është koha që ata do t’i hajë paraja që i kane vjedhur pa mëshire këtij populli. Unë nuk mund të flas në emër të FBI-se, por jam i sigurtë, se partnerët tanë strategjike, Europë dhe USA, janë për një Shqiperi të stabilizuar politikisht dhe ekonomikisht. Kjo gjë nuk mund të arrihet me ngritjen në kult të kultures të mosndeshkimit të pushtetarëve hajdute, dhe me degjenerimin e sistemit të drejtësisë deri në atë pikë, sa të behet vegël e krimit. Sistemi ynë politik është totalisht në kolaps, dhe kjo me shkak të këtij sistemi drejtësie. Parë në këtë konteks, arrestimi, dënimi dhe konfiskimi i pasurisë së Malavites, duhet bërë patjeter. Ne nuk kemi luksin të rrëzojmë të gjithë sistemin politik, vetëm për arsyen se disa politikanë hajdutë ordinere si Berisha dhe Meta, janë kapur me thonj pas pushtetit.

Sa shpresë keni që familja Berisha, familja Meta dhe kush ëhstë përzier në aferën e CEZ dhe DIA do të kthejnë, me forcën e ligjit, detyrimin ndaj shtetit?

Unë jam plotësisht i sigurtë se pasurite e këtyre kriminelëve, do të konfiskohen. Është detyrë imperative e prokurorisë të mos humbë më kohë, por të arrestojë këta dy kriminelë dhe veglat e tyre, të sekuestrojë pasuritë e tyre, si dhe të ruaje integritetin e procesit, të kërcënuar nga karshilliku politik i këtyre personave, që paturpësisht ushtrojnë funksione të larta publike.

Prokurori Petrit Fusha

Prokurori që kërkoi pushimin e kësaj çështjeje, mendoni se duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe a do të kërkoni apo bëni kallzim penal për të?

Prokurorja e çeshtjes ka kryer një shkelje të rënde kur ka firmosur vendimin e pushimit te çeshtjes. Ajo padyshim që ka shpërdoruar me mendjelehtësi detyren dhe e ka vendosur veten në një pozitë shumë të vështirë përballë ligjit, opinionit dhe interesave të vendit. Prokuroria bëri një teater absurd, duke ia dhënë këtë çeshtje kësaj prokuroreje, e cila kurrë më parë nuk kishte pasur një çështje të tillë. E përdorën apo u keqperdor vetë, kjo nuk ka më rendesi, por unë, sapo të krijohet këshilli i lartë i prokurorisë, do ta trajtoj këtë çështje. Po ashtu edhe ligjërisht. Unë do të godas, ligjërisht çdo prokuror që do të guxojë, të veprojë në këtë mënyre, dhe merr përsipër të bëhet avokati i krimineleve. Për të tillë prokurorë, që mbajne peng drejtesinë dhe Shqipërinë, nuk duhet pasur mëshirë.

Dhe e fundit, keni ndonjë material apo provë shtesë në lidhje me këto afera apo ndonjë denoncim të ri, tashmë që dhe kryeprokurori Lalla nuk është më që të bllokojë kallziimet tuaja penale?

Provat e mia janë edhe tek ju edhe në publik. As Llalla e askush tjetër, nuk do të mund t’a cënoje këtë proces. Duhet pasur parasysh se Llalla nuk do të jetë më në krye të organit të akuzës. Tashmë ai nuk ka më mundësi vetë personalisht të ndyje më drejtesinë. Duhet fokusuar vemendja te çakalli i prokurorisë, Petrit Fusha. Ujku Llalla tashmë është zëvendësuar nga çakalli Fusha, i cili mban shumë gjynahe ne kurrizin e tij. Është e sigurtë se Berisha me Metën, nuk do të shkojnë vetëm për pushime në Shkodër.

Haradinaj ndryshon qasje për demarkacionin?

Marrëveshja e demarkacioni javën e ardhshme pritet të dërgohet në Komisionin për Punë të Jashtme për t’u analizuar dhe më pas të procedohet në Kuvend. Kjo marrëveshje është bërë problematika kryesore dhe ‘fajtore’ që Kosova ka mbetur e izoluar për kalim të lirë të kufijve

Kauza e kryeministri Ramush Haradinaj deri më tani ishte që marrëveshja e nënshkruar në Vjenë me Malin e Zi i kushton Kosovës me humbje të sipërfaqës tokësore, mirëpo tani po thuhet se ai mund ta ndryshojë qëndrimin.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj për lajmi.net tha se pas vizitës në Bruksel, Haradinaj mund ta ndryshojë qasjen e tij karshi kësaj marrëveshje.

“Pres një qasje të re pas vizitës së zotëri Haradinaj në Bruksel, nuk është hic e papritur që të kalojë demarkacioni, por kjo varët nga zotëri Haradinaj dhe nga qasja e tij që do ta ketë”, ka thënë ai.

Sipas analistit, nëse kryeministri merr datë të saktë për liberalizim të vizave mund ta mbështes versionin aktual të demarkacioni.

“Nëse zotëri Haradinaj merr garanca të sakta, merr datë të saktë, se brenda një kohe të shkurtë me kalimin e demarkacionit do të liberalizohen vizat ai do ta mbështes kalimin e demarkacionit në Kuvend”, është shprehur Mushkolaj.

Por, vazhdon ai, nëse është vetëm si një kusht që duhet të plotësohet ndërkohë që Kosova nuk merr asgjë konkretisht të paktën jo në një kohë të shkurtër, atëherë demarkacioni nuk do të kalojë.

“Kjo është edhe kauze e zotëri Haradinajt, në bazë të asaj që e ka deklaru në vazhdimësi e ka bërë të ditur që kjo të kryhet brenda një kohe të shkurtër. Por prapë mund të them se kjo varet edhe prej vizitës së 18 dhjetorit në Bruksel”, tha mes tjerash ai.

Se a ekziston mundësia që Haradinaj t’i përpijë fjalët e veta dhe të shikojë përpara vetëm që qytetarë të marrin vizat, Mushkolaj nuk e përjashtoi këtë mundësi.

“Haradinaj ka hapësirë për me pajtu, natyrisht që nevojitet një arsyetim, i cili ua mbush mendjen kundërshtarëve të versionit aktual, por kjo do të mund të relativizohej po që se vërtetë marrin datë të saktë të liberalizimit të vizave. Ta zëmë nëse thuhet se liberalizimi ndodh saktësisht më 1 mars ose 1 prill ne e dimë që ai është vendim politik, atëherë edhe mund të ndodh, nuk shihet e pamundur të ndodh kjo”, ka thënë ai.

Haradinaj në Istog: LDK i la pa kurrgjë fëmijët e Presidentit Rugova

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, në tubimin e përmbylljes së fushatës zgjedhore në Istog, tha se i vjen mirë që të gjitha partitë janë bashkuar për të ndryshuar qeverisjen e keqe të LDK-së në këtë komunë. Ai ka kritikuar partinë e Isa Mustafës se i ka lënë pa asgjë fëmijët e Presidentit Rugova

“Unë kam punuar me presidentin Rugova. Partia që ai e ka themeluar, LDK, është parti e madhe, shumica kemi qenë në LDK. Por shikoni si ia kanë pru punët fëmijëve të presidentit, a u kanë mirë me lanë djalin pa kurrgjë, pa send; për vete nuk janë pa kurrgjë”, u shpreh Haradinaj, i cili ishte bërë kryeministër në kohën e ish-presidentit Rugova.

Ai tha se pas zgjedhjeve të së dielës do të vijë më shpesh për vizitë në këtë komunë, së bashku me ministrat e tij. “Sa herë të vijnë do të kenë nga një projekt për komunën e Istogut”, tha Haradinaj, para simpatizantëve të mbledhure në Shtëpinë e Kulturës.

Haradinaj ka thënë se ditëve të fundit ka qëndruar në Istog dhe ka kaluar më shumë kohë më qytetarët e kësaj komune ku edhe është njoftuar për së afërmi me problemet e hallet e tyre.

“Unë këto ditë jam bërë i Istogut, kam kaluar më shumë kohë, e kam njohur më shumë. Kam pasur nderin që të qëndroj në disa familje dhe jam munduar që ta kuptoj çfarë po ndodhë në Istog. Kam takuar dhe komunitetin rom; kanë dërguar fjalë edhe serbët e Istogut, kemi me e votu Gani Dreshajn”, ka thënë Haradinaj.

Ai pret që të dielën, istogasit t’ia japin komunën e tetë për ta qeverisur AAK-së. “Nuk është gjithçka vetëm fitorja, por na jepni mundësinë me punu”.