Konjufca – Molliqajt: Si mund të jetë autoritar Albini, kur vendimet i keni marrë bashkë

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar cilësimet e grupit të pakënaqur, të cilët e kanë quajtur Kurtin, si njeri autoritar. Ai në një debat në Rubikon, iu drejtua Dardan Molliqajt, me fjalët: si mund të jetë autoritar një person i cili për çdo vendim të ka pyetur, dhe vendimet i keni marrur bashkë. Konjufca ka shtuar se ka pasur raste kur Molliqaj, ka marrur vendime krye në vetë, gjë të cilën nuk e ka bërë Kurti

“Dardani e njeh Albinin, aq sa e njoh unë. Albini kurrë s’ka marrë vendime vetë dhe krye në vete. Ai vepron me bashkpunëtor, kjo është përvoje ime 11 vjeçare me të. Ti çdo vendim e ke marrë bashkë me Albinin. ti je kon aty, bashkë me Albinin dhe Visarin. Kurrë Albini s’ka marrë vendim pa ty. Qikjo përvojë është shumë e rëndësishme për mu. Nëse e akuzon një njeri për auroritarizëm, nuk është korrekte, kur vendimet i keni marrur bashkë. Unë nuk e ndaj këtë mendim me ty sa i përket Albin Kurtit. Dardan, ti e din mirë që Albini gjithë t’ka pyet, edhe nëse i ke thënë jo, ai kurrë s’ka marrë vendim krye në vetë”, ka thënë Konjufca.

Glauk Konjufca gjatë debatit ka akuzuar edhe autorin e “Rubikonit”, duke i thënë se ke bërë konspiracion me Molliqajn për këtë emision. Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka kritikuar Adriatik Kelmendin, për mostrajtim të njëjtë, në debatin me Dardan Molliqajn.

Ai ka thënë se kur do të shkojë në shtëpi, do e vërtetojë, nëse Molliqaj po e posedon 30 për qind të kohës më shumë se të tij, duke thënë se ky mund të jetë konspiracion i bërë me qëllim në mes Kelmendit dhe Molliqajt.

“Kur të shkojë te shpija, kom me i thanë dikujt që ta shoh sa ka folur Dardani në këtë debat. Nëse ka folur 30 për qind ma shumë se unë. Kjo më shtynë me besu që ky është një konspiracion e keni bërë bashkë”, ka thënë Konjufca.

Ky është debati i parë që grupi të pakënaqurve në Vetëvendosje, po përballen me dikë që nuk e përkrah këtë grup.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryesuesi i grupit tjetër të Lëvizjes, Dardan Molliqaj në debatin përballë deputetit tjetër të kësaj Lëvizje, në Rubikon ka thënë se Glauku nuk përfaqëson grupin e njerëzve të pjesës tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje. “Glauku nuk përfaqëson grupin e njerëzve të pjesës tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë fakt është edhe e vështirë me argumentu”, ka thënë Molliqaj.

“Glauku është lulja e vetme qe nuk qelë pranvera, sipas vështrimit tim, dhe mendimit tim për Glaukun”, ka thënë Molliqaj drejtuar Konjufcës. Ai ka thënë se Konjufca është i përfshirë në debatin për problem të brendshme prej muajit nëntor të 2016-tës dhe ka thënë se ai e din se as Visari e as Dardani nuk kemi pas problem me Albinin.

“Glauku prej muajit nëntor i vitit 2016 është i përfshirë në debatin për problem të brendshme, Glauku e ka thënë vetë se as unë e as Visari nuk kemi problem me Albinin. Tek ne ka pas një ndarje, dhe Glauku ka thënë se në fillim mospajtimet mes Albinin dhe meje kanë qenë konceptual”, ka thënë ai.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, të pakënaqurit e larguar nga kryesia e Vetëvendosjes mund të kthehen në parti, por jo edhe ish-sekretari organizativ Dardan Molliqaj. Konjufca ka thënë në Rubikon të KTV-së se Molliqaj ka probleme personale me Kurtin, për dallim prej të tjerëve të pakënaqurit që janë larguar.

Ai dhe Molliqaj janë përplasur edhe për deklaratat se ekzistojnë incizime ku Kurti ka thënë se nuk e përjashtonte koalicionin me PDK-në.

Molliqaj: Njerëzit që e kritikojnë Kurtin largohen nga VV

Sipas ish-sekretarit organizativ të Vetëvendosjes Dardan Molliqaj, njerëzit që kritikojnë kryetarin e partisë Albin Kurti, largohen nga partia, ndërsa ata që kritikojnë Molliqajn ngritën në pozita në parti.

“VV nuk lejon mendim ndryshe. Kush janë anëtarët e kryesisë prej që jemi dalë ne? Aida Dërguti u kërkuar të japë dorëheqje sepse e tha një fjalë të papranueshme. Tinka Kurti më ka thënë je anëtar i SHIK-ut. Jo që u degradua, por Tinka Kurti u zgjodh në Këshill të Përgjithshëm. Njerëzit që kritikojnë Kurtin degradohen, por ata që kritikojnë të tjerët po ngritën në pozita. Albini i mobilizoi njerëzit me i hekë të tjerët”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, Kurti ka pasur problem me të sepse nuk ka pranuar idenë që Vetëvendosje duhet të transformohet.

Konjufca: Perceptimi i qytetarëve për Molliqajn është ai i personit që heq njerëz nga makina

Glauk Konjufca i është përgjigjur Molliqajt, duke thënë se “nëse dikush është 5 centimetra më shumë radikal se sa Albin Kurti ai është Dardan Molliqaj”. Ai ia ka kujtuar Molliqajt se ka qenë Sekretar Organizativ, dhe se vendimet më të mëdha politike i kanë marrë bashkë me Kurtin dhe Visar Ymerin.

“Perceptimi i qytetarëve për Dardan Molliqajn ka qenë i personit që i heq njerëzit nga makina. Pra nuk është se këtu po flasim për një koncept radikal apo më shumë radikal”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se Molliqaj ka pasur një projekt. “Projekti është me dal prej Vetëvendosjes, për shkak të pakënaqësisë, për shkak se e kanë problem Albin Kurtin. Ky e ka një projekt, një plan. Për atë unë e fillova me Albin Kurtin. Albini gjithnjë i jep dhjetë ide, dhe i realizohen 2 ose 3, sepse i nënshtrohet një votimi të 23 personave. Kjo për mua është një indikator që Albini nuk është kurrfarë autoritari. E këtu Dardani po kapet për një ide të cilën Albini e ka shkruar në vitin 2014 se si ai e sheh organizatën. Me plotë gjëra në të nuk jam pajtuar as unë dhe ia kam thënë këtë Albinit”, ka thënë ai.

Unë nuk shkoj te Dardani sepse unë nuk e kam problem personal Albin Kurtin, pra nuk e kam problem zgjedhjen e Albin Kurtit si kryetar të Vetëvendosjes. Albini është politikan i pakorruptuar, i gatshëm për të sakrifikuar i pari, dhe i cili nuk merr vendim pa pyetur të tjerët. Ku është problemi pra?”.

Molliqaj thotë se Kurti dëshironte gjendej të jashtëzakonshme për të ardhur në pushtet

Ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryetari aktual i kësaj partie Albin Kurti ka dashur gjendje të jashtëzakonshme për të ardhur në pushtet. Ai ka shtuar se problemet në parti kishin nisur kohë më parë, në dallimet që fillimisht u shprehën në konceptin organizativ mes tij dhe Albin Kurtit.

Molliqaj po ashtu ka thënë se nga ana e aktivistëve që e donin Kurtin kryetar ka pas sulme të njëanshme ndaj tij. Ai ka lexuar një listë kërkesash të Kurtit para disa viteve për organizimin në parti.

Ai ka thënë se Kurti ka kërkuar që të ketë njerëz të infiltruar nëpër institucionet e vendit që të informohej partia për zhvillimet e brendshme.

“Ai mendon që i ka disa vlera, por fjalitë e tij janë që thonë se vendimmarrja grupore është problem. Këtu kemi pajtueshmëri. Njeriu që më ka nxitë të bëjë gjëra ndryshe prej asaj që kemi menduar bashkë me Kurtin. ‘Ne s’mundemi të vijmë në pushtet pa një gjendje të jashtëzakonshme’,thotë Kurti. Pra Albini dëshiron gjendje të jashtëzakonshme për të ardhur në pushtet”, ka thënë Molliqaj. “Albini në tekstin e tij në asnjë moment nuk flet për demokratizimin e Vetëvendosjes”.

“Ky është problemi im. Unë kam dallim me Glaukun për shkak të përvojës së bashkëpunimit me Kurtin. E vërteta është që Albini pyet, por për të vërtetën absolute nuk pyet asgjë. Glauku i ka thënë Albinit që ideja jote për armik të brendshëm dhe të jashtëm e Dardanit dhe Stanishiqit nuk ka kuptim, dhe Albini jo vetëm që e ka thënë në krejt organizatën, e ka thënë edhe në emision publik pasi u bë kryetar i VV-së”, ka shtuar Molliqaj.

Konjufca: Kurti është pika më e fortë e VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në Rubikon të KTV-së ka thënë se Albin Kurti është pika më e fortë e Vetëvendosjes, dhe jo më e dobëta, siç pretendon grupi i të dorëhequrve të Vetëvendosjes.

Konjufca beson se ende nuk janë shuar të gjitha shpresat për Vetëvendosjen, pasi sipas mund të bashkohen përsëri nëse ulen të diskutojnë çështjet e brendshme të partisë.

“Mendoj se do të ketë zgjidhje, dhe zgjidhja është e mundshme. Nëse të dorëhequrit nga Vetëvendosje mendojnë se zgjedhja e Kurtit është dëmtuese atëherë duhet të ulemi dhe të diskutojmë se pse kjo është dëmtuese. Nëse është mendim racional atëherë duhet të vazhdojmë së bashku”, është shprehur Konjufca.

Konjufca thotë se Vetëvendosja ka tejkaluar Rubikonin duke lënë prapa PDK-në e LDK-në.

“Vetëvendosje e ka tejkaluar rubikonin, e kjo është për të kaluar PDK-në e LDK-në dhe ishte shpresa për Kosovën. Kundër argumentin më të madh ndaj të dorëhequrve nga partia e kam për shkak të shpresës së madhe që qytetarët e Kosovës kanë në Albin Kurtin, thjesht nuk mund ta përjashtosh atë. Nuk mendoj se ai është pika e dobët e Vetëvendosjes, përkundrazi më e forta pasi ishte më i votuari në Kosovë. Duke e pasur Kurtin në vijën e parë të frontit atëherë Vetëvendosje është rritur dhe ky është kundërargumenti im ndaj grupit të të dorëhequrve nga Vetëvendosje”, është shprehur ai.

Ndalni reduktimin e energjisë elektrike

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot në shenjë pakënaqësie me reduktimet e shpeshtuara të energjisë elektrike ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të KEDS-it. Aktivistja Arta Berisha e përshkroi situatën e rëndë të qytetarëve si pasojë e mungesës së energjisë. “Në këto ditë të ftohta dimri, qytetarët anëkend komunave të Kosovës po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, duke ua vështirësuar kështu jetën e qytetarëve”, tha ajo

Kur sot në lagjet e Prishtinës, që është kryeqytet, dhe vetëm 3 minuta larg objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka ndërprerjë të energjise, mund ta marrë me mend secili prej nesh se çfarë reduktime ka nëpër fshatrat e komunave të tjera.

Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme.

Ndonëse, mungesa energjisë është e shprehur kudo në Kosovë, vetëm në muajin e fundit është raportuar që komunat që kanë pasur më shumë ndërprerje të energjisë elektrike kanë prekur Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajin dhe Drenasin me fshatrat e tyre përreth.

Derisa KEDS raporton para ZRRE-së për uljen e humbjeve teknike çdo vit zgjidhjen me sa duket e ka gjetur duke reduktuar gjithnjë e më shumë orarin e furnizimit me energji për qytetarët e Kosovës. Në vend të investimeve të plota dhe të shtrira në të gjithë territorin pra dhe aty ku banojnë pak familje, KEDS po aplikon me sa duket një praktikë hicc më pak se abusive.

Kur e bën privatizimin arbitrar të KEDS-it na thanë se përvecc të tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike e edhe ato komerciale do të reduktoheshin.

E kundërta po ndodh, po na rritet ccmimi i energjisë dhe orët e ndërprerjes me energji elektrike.

Qytetarët që 18 vite pas luftës nuk kanë pasur rastin asnjëherë të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ky degradim konstant po bëhet në kurriz të më të varfërve dhe më të pambrojturve, siç janë banorët në fshatra e zona të thella.

Menaxhmenti i KEDS dhe politikanët që janë të lidhur me ta po i vjelin fitimet ndërsa ne reduktimet.

Ne bëjmë thirrje urgjente që KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse, që të zbatojnë masat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, dhe ta trajtojnë këtë gjendje të krijuar me seriozitet ashtu që sa më shpejt qytetarëve te ju sigurohet energjia elektrike në shtëpitë e tyre.

Kryeministër, çfarë u bëre studentëve?

Kryeministri Ramush Haradinaj mandatin e kishte filluar me shkarkime të bordeve, madje edhe aty ku nuk do të duhej të kishte ndikim politika. Përveç që asnjëherë nuk i arsyetoi bindshëm shkarkimet, Kryeministri as nuk i mbushi vendet e të shkarkuarve. Kështu, ato që Haradinaj pretendonte se po i bënte në të mirë të vendit, rezultuan me pasoja të mëdha – madje, në arsim, aty ku Kosova është më së keqi

Pasoja më drastike është ajo e djeshmja, kur u mësua se EQAR përjashtoi AKA’në për shkak se erdhi në përfundim se nuk funksionon më e pavarur nga politika. E, nga vendimi i Kryeministri dhe EQAR’së më së shumti e pësojnë studentët.

Në shtator të vitit të kaluar, Haradinaj kishte urdhëruar shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit (AKA), si rrjedhojë e së cilës erdhi edhe përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Pasojat e kësaj janë të mëdha, sidomos për studentët, dhe për to po flasin të gjithë, pos Ministrisë kompetente dh e Qeverisë.

Pas përjashtimit, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Natalya Apostolova ka takuar sot ministrin e Arsimit Shyqyri Bytyqi. Ndërkohë që pas takimit MASHT në njoftimin e saj nuk ka përmendur as edhe njëherë përjashtimin e AKA’së nga EQAR, Apostolova ka treguar se me ministrin ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me këtë çështje.

“Unë e shpreha shqetësimin për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akredimit nga EQAR. Është një kthim mbrapa i sigurimit të cilësisë në Arsimin e Lartë. Ne duhet të sigurojmë mbrojtje të pavarësimit të AKA’së përmes ligjit të ri në Arsimin e Lartë”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Sipas një sqarimi të hollësishëm të dhënë nga EQAR në dokumentin e përjashtimit të AKA’së, thuhet se kjo organizatë kishte kërkuar nga ministri Bytyqi arsyet e shkarkimit të Bordit.

Ministri, sipas EQAR, nuk u ka dhënë informata të hollësishme dhe arsyetimi i shkarkimit të këtij bordit “për parregullsi” nuk mund të merret si i qëndrueshëm.

Së këndejmi, EQAR konsideron se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk funksionon më e pavarur nga politika, që do të thotë se nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të akreditimit.

Lidhur me këtë, ka reaguar drejtori i shkarkuar i AKA’së, Blerim Rexha, i cili thotë se përjashtimi bart pasoja të rënda për studentët. Ai po ashtu pohon se veprimi i EQAR dëshmon se shkarkimi i tij dhe bordit ishte i pabazuar ligjërisht.

“Ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Se shkarkimi i të gjithë anëtareve të Bordit të Agjencisë dhe ushtruesit të detyrës ishte bërë pa bazë ligjore tani po e konfirmon edhe EQAR”, ka shkruar Rexha në Facebook.

Ndaj vendimit kanë reaguar edhe mësimdhënësit në UP.

Profesori Muhamet Hamiti ka shkruar se vendimi arbitrar i kryeministrit për shkarkimin e bordit të AKA’së vetëm dy javë pasi erdhi në pushtet lë pasoja të mëdha, ndërsa për to s’merr përgjegjësi askush.

“Me pasoja të rënda për të gjithë, përveç për këta tanët që kanë marrë vendimin, për të cilin s’ka kush t’i marrë në përgjegjësi, madje as në gjyqin e opinionit publik”, ka shkruar Hamiti.

Kritika për kryeministrin ka pasur edhe Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendres Arsimore të Kosovës. Sipas tij, përjashtimi në fjalë i tregon klasës politike se nuk mund të marrin vendime të menjëhershme dhe të paarsyetuara.

“Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një mesazh i qartë për klasën politike të Kosovës se vendimet nuk merren duke u bazuar në argumentin e fuqisë, por në fuqinë e argumentit”, thuhet në një shkrim të Pupovcit në Facebook.

AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR’it, e cila është Regjistër i agjencive evropiane të Sigurimit të Cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje me parimet për sigurimin e cilësisë së arsimit në Evropë.

Në një dokument të publikuar dje, AKA u përjashtua nga EQAR, pasi kjo konsideron që agjencia kosovare ka humbur autonominë e saj për të vepruar ndaras nga politika pas shkarkimit të bordit të saj nga ministri me kërkesë të kryeministrit.

Haradinaj vetëm dy javë pasi kishte marrë detyrën e tij, në 25 shtator të 2017’ës, kishte kërkuar shkarkimin e bordit të AKA’së pasi konsideronte se puna e tij ishte përcjellë më parregullsi. /Express/

Kaosi në Gjykata, mijëra lëndë mbesin në sirtar që nga viti i kaluar

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë takimit, të mbajtur sot me kryetarët e të gjitha gjykatave në Kosovë dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ka paraqitur para Këshillit, raportin e punës për vitin 2017

Në raporte janë të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura, të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, gjykatave themelore si dhe të gjitha degëve të tyre.

Në këtë takim, u bë e ditur se në vitin 2017, Gjykata Supreme ka pasur në punë 1275 lëndë, prej tyre 1055 të kryera dhe kanë mbetur në punë 220 lëndë.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka pasur në punë, 23877 lëndë, prej tyre 2577 të kryera dhe kanë mbetur në punë 21300 lëndë.

Gjykata Apelit Prishtinë ka pasur në punë, 24466 lëndë, prej tyre 11890 të kryera dhe kanë mbetur në punë 12576 lëndë.

Gjithsejtë, gjykatat themelore me degë, kanë pasur në punë 569373 lëndë, prej tyre 295485 të kryera dhe kanë mbetur në punë 273888 lëndë.

Gjykata Themelore Prishtinë me degë, kanë pasur në punë 220583 lëndë, prej tyre 95294 te kryera dhe kanë mbetur në punë 125289 lëndë.

Gjykata Themelore Gjilan me degë, kanë pasur në punë 40736 lëndë, prej tyre 22464 të kryera dhe kanë mbetur në punë 18272 lëndë.

Gjykata Themelore Prizren me degë, kanë pasur në punë 64787 lëndë, prej tyre 41559 të kryera dhe kanë mbetur në punë 23228 lëndë.

Gjykata Themelore Mitrovicë me degë, kanë pasur në punë 64475 lëndë, prej tyre 40982 të kryera dhe kanë mbetur në punë 23493 lëndë.

Gjykata Themelore Gjakovë me degë kanë pasur në punë 58080 lëndë, prej tyre 28908 te kryera dhe kane mbetur në punë 29172 lëndë.

Gjykata Themelore Pejë me degë, kanë pasur në punë 49065 lëndë, prej tyre 24032 të kryera dhe kanë mbetur në punë 25033 lëndë.

Gjykata Themelore Ferizaj me degë, kanë pasur në punë 71647 lëndë, prej tyre 42246 të kryera dhe kanë mbetur në punë 29401 lëndë.

Nga paraqitja e këtyre raporteve, u pa se gjatë këtij viti ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha gjykatat themelore me degët e tyre, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.

Kryetarët, diskutuan edhe për sfidat, të arriturat, kërkesat, por me theks të veçantë kërkuan nga KGjK një vëmendje më të madhe, pasi që kanë vështirësi të vazhdueshme në punë, duke filluar nga infrastruktura, numri i madh i lëndëve, numri i vogël i gjyqtarëve, shkuarja e një numri të madh të gjyqtarëve në pension etj. Kryetarët me këtë rast, falënderuan USAID-in dhe institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i japin sistemit gjyqësor në vendin tonë.

Kryesuesi Idrizi, u premtoi kryetarëve të gjykatave, se KGjK, është duke e shqyrtuar çdo mundësi për të mbështetur të gjitha gjykatat në kërkesat e tyre, me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit gjyqësor, në veçanti kërkoi angazhim më të madh në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore të Prishtinës duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve. Të gjitha Raportet u miratuan njëzëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu, në këtë takim është shqyrtuar dhe miratuar, raporti i punës së Njësisë për Shqyrtimin e Përformancës Gjyqësore për vitin 2017 dhe raporti i punës së KGjK për vitin 2017.

Këshilli emëroi ushtruese të detyrës së kryetares së Gjykatës Themelore në Gjilan, Mevlide Shabani, gjyqtare e Departamentit të Përgjithshëm Divizionit Civil.

Konflikti i lashtë Hoxha-Berisha me rrënjët në Kerrnajë të Tropojës pse u riaktivizua tani?

Artan Hoxha solli i pari zërat e familjes së Haklajve, apo siç njihen armiqve të Sali Berishës

Gazetari skraparlli “rëndoi” dorën kur publikoi në TV, pra me zë e figurë një video që flitej por kurrë nuk ishte transmetuar, atë kur Berisha kërkoi që të hakmerreshin ndaj Shkëlqim Haklajt, i cili tentoi të prishë mitingun e PD-së në Bajram Curri në vitin 1997. Shkëlqim Haklaj u vra një vit më pas duke hapur zinxhirin e një kasaphane njerëzore në Tropojë.

Për këtë zinxhir konflikti, akuzohej e akuzohet dhe sot pikërisht Berisha. Dhe ky “remake” i filmit “Tropoja” ndodhi pikërisht kur Sali Berisha ishte kthyer në pushtet në vitin 2005 si kryeministër dhe kur imazhit i kishte bërë një makiazh, jo thjesht nga dora e mjeshtrit Fadil Berisha, i cili i bëri posterin, por edhe nëpërmjet KOP-it apo figurave të reja si Lulzim Basha që solli në qeverisje.

Megjithatë Sali Berisha e injoroi gjithmonë këtë histori që përcillte Artan Hoxha, duke ushqyer fenomenin e analistëve të paneleve që flasin qesim pa qenë në vendgjarje dhe pa njohur asnjë protagonist real të ngjarjeve.

Artan Hoxha raportonte nga Tropoja, por jo vetëm. Më pas ishte ishte po ky gazetar që rihapi në media çështjen e Remzi Hoxhës, shqiptarit nga Maqedonia që u zhduk nga shërbimi sekret shqiptar SHIK në vitet e Berishës-president. Edhe kjo u përmend natën e polemikës.

Po ka edhe më: Artan Hoxha ka raportuar ndër të parët nga Lazarati ky nuk hynte asnjë prej reporterëve, të cilët flisnin pak ose aspak për fshatin që prodhonte hashash për të gjithë

Dy ishin gazetarët që spikatën gjatë qeverisjes së dytë të Sali Berishës: Mero Baze me akuzat për korrupsion dhe për përfshirje të familjes “Berisha” në aferat e mëdha që nga Gërdeci, dhe Artan Hoxha me rastet e mësipërme.

Por Hoxha kulmin e arriti më 21 janar 2011, kur kamera e grupit të tij të xhirimit kapi gardistët duke qëlluar mbi demonstruesit.

Ndërsa të hënën e polemikës, kur Berisha sulmoi një nga negociatorët e detit si “spiun”, Hoxha tha se Prokuroria duhet të sqaronte çështjen; ose Meçollari është spiun dhe të dënohet, ose ish-kryeministri gënjen dhe të ndëshkohet.

Këtu ndërhyri Sali Berisha që e quajti as më pak e as më shumë por “vrasës”. Hoxha iu kthye me të njëjtën monedhë duke e quajtur doktorin si “vrasës”.

Çështja është se në këtë përplasje ata nuk janë në pozita simetrike. Berisha është politikan, Hoxha është gazetar. I pari i përket PD-së, por i dyti aspak PS-së. Biles në këtë pikë, Hoxha nuk është më konflikt interesi se kolegu Çollaku, i cili kur demokratët qenë në pushtet, arriti të ishte deri dhe zëdhënës i Ministrisë së Arsimit(!) me pagë partiake, për t’u rikthyer në pasionin e gazetarit të kronikës me rastin Zagani.

Mister do mbetet gjithsesi, se pse përplasja mes Artan Hoxhës dhe Sali Berishës shpërtheu pikërisht tani? Ndoshta përgjigja gjendet në kohën ku jetojmë, ku paralajmërohen shumë gjëra të kobshme…për ata që kanë drejtuar vendin në vite…/tesheshi.com/

BE-ja pati mesazhe të qarta për Kosovën

Vizita e delegacionit të lartë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, e cila ishte në vazhdën e vizitave të këtij delegacioni në vendet e Ballkanit Perëndimor, jep sinjale të qarta se politika e zgjerimit vazhdon të mbetet prioritet për Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane

Sipas tyre, vizita e delegacioni të lartë të BE-së, e kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, është e para e këtij niveli që ka vizituar Kosovën.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se porositë e delegacionit të Bashkimit Evropian ishin jashtëzakonisht të qarta dhe të drejtpërdrejta lidhur me dy kriteret që ndërlidhen me heqjen e regjimit të vizave për Kosovën

“Janë dy obligime, të cilat Kosova duhet t’i përfundojë. Pra, është çështja e Demarkacionit (me Malin e Zi) dhe është lufta kundër korrupsionit. Kalimi i Demarkacionit është një kriter më i matshëm dhe nuk ka asnjë lëvizje përpara drejt integrimit në Evropë dhe drejt liberalizimit të vizave pa e kaluar këtë kriter. Kjo ishte porosia, e cila u tha dhe prej ditës së mërkurë nuk ka më asnjë mundësi që të interpretohen porositë e Brukselit, sepse vetë Brukseli foli nga Kosova”, thotë Muhaxhiri.

Por, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vizita e delegacionit të lartë të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në qendrat tjera të vendeve të Evropës juglindore, e cila njihet si Ballkani Perëndimor, përveç porosisë se Bashkimi Evropian është seriozisht i interesuar për integrimin e tyre, ka dhënë porosi të qarta për angazhimin që duhet të bëjnë drejtuesit institucionalë për plotësimin e kushteve për integrim të tillë.

“Është ai kriteri i parë që quhet kriteri politik që nënkupton, në terma të thjeshtë, stabilitet politik për këto vende. I dyti është kriteri ekonomik, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve kompetitive të mjaftueshme për t’u përballuar me konkurrencën brenda Bashkimit Evropian. Dhe e treta është kriteri juridik apo siç ne e njohim, këtu në Kosovë dhe në rajon, sundimi i rendit dhe i ligjit. Prandaj, përgjegjës për plotësimin e këtyre kritereve dhe për ta bërë të mundshme atë që quhet politikë e zgjerimit, është puna e këtyre elitave politike, përkatësisht, institucionale në përmbushjen e këtyre tri kritereve”, tha Mazreku.

Ai shton se Kosova ka ende disa probleme të hapura dhe të pazgjidhura, të cilat përveç se janë kushte që duhet përmbushur për integrimet evropiane, hyjnë edhe në funksion të shtet-ndërtimit të vendit dhe se të dyja këto duhet të sinkronizohen.

“Ajo agjendë për Kosovën është ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore e që në këtë rast, Kosova nuk ka pasur nevojën politike që problemi të jetë kaq i hapur i ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Çështje tjetër mjaft e rëndësishme dhe që kërkohet konsensus nacional, është themelimi i Asociacionit të komunave me shumë serbe. Normalisht, duhet të ketë konsensus nacional edhe për sa i përket dialogut me Serbinë, sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shihet nga ana e Bashkimit Evropian si mënyrë apo instrument për zgjidhjen e problemeve të hapura rajonale. Probleme të hapura dhe të pazgjidhura rajonale janë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Mazreku.

Ndërkaq, analisti Muhaxhiri thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kush për integrimet evropiane, ka dy komponentë, atë politike dhe simbolike.

“Me anë të tij synohet që të dëshmohet një lloj largimi nga e kaluara e përgjakshme e Ballkanit dhe një vizion për pajtimin në mes kombeve, të cilat kanë pasur luftëra mes vete. Kjo është edhe ideja, të cilën BE-ja dëshiron ta përçojë përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse BE-ja gjithmonë ka thënë se nuk pranon konflikte brenda vendeve aspiruese për integrimin në BE. Pra, vendet që kanë konflikte ekzistuese duhet t’i zgjidhin ato para se të integrohen në BE”, është shprehur Muhaxhiri.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, vlerësojnë se Bashkimi Evropian nga Kosova ka kërkuar zhvillimin e kapaciteteve institucionale, që nënkupton stabilitet institucional, në mënyrë që të merret me temat, zgjidhja e të cilave hapë rrugën e integrimeve evropiane. Sipas tyre, ngecja apo suksesi në zbatimin e këtyre politikave, do t’i atribuohej liderishipit politik të vendit./REL

Vlladimir Putini kërcënon me armatimin e ri nuklear: Amerika do të na dëgjojë tani

Rusia ka zhvilluar një raketë të re “cruise” të pathyeshme, sipas asaj që ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin. Këtë zbulim, Putin e bëri teksa paraqiti politikat e tij kryesore për mandatin e tij të katërt presidencial, përpara zgjedhjeve që ai pret t’i fitojë pas 17 ditësh

Ai shfaqi një rang të gjerë armësh të reja, përfshi edhe një raketë që mund të “mbërrijë në çdo cep të botës”. Përmes videoprezantimit, ai tha se raketa nuk mund të ndalet nga sistemet mbrojtëse amerikane në Europë dhe Azi.

Ai vuri theksin gjithashtu edhe në dy armë me kapacitete bërthamore, përfshi këtu një raketë “cruise” dhe një pajisje nënujore pa ekuipazh që mund të lëshohet nga një nëndetëse.

Koka bërthamore, siç tha ai, ishte një “raketë që fluturon në lartësi të ulëta dhe e vështirë për t’u pikasur, me një mbushje bërthamore, distancë praktikisht të palimituar dhe me një kurs të paparashikueshëm fluturimi, që mund të thyejë edhe linjat e interceptimit, e që është e pathyeshme përballë të gjitha sistemeve ekzistuese dhe atyre të ardhshme të mbrojtjes raketore dhe ajrore”.

Gjatë fjalimit dyorësh televiziv përpara një seance të të dyja dhomave të Parlamentit, ai inkurajoi rusët të sugjerojnë emrat për këto dy sisteme. Ai argumentoi se Rusia po reagon pas vitesh të tëra angazhimi me Shtetet e Bashkuara për të mos shkelur traktatet antiraketore.

“Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë një fuqi bërthamore. Askush nuk donte të na dëgjonte. Tani mund a bëjnë”, tha presidentin Putin.

Fuqia ushtarake ruse është forcuar me synimin për të ruajtur paqen në botë, argumentoi Putin. Gjithsesi, nëse dikush mund të mendojë të lëshojë një raketë bërthamore ndaj Rusisë, atëherë ai do të përballet me hakmarrje të menjëhershme.

Në pjesën e parë të fjalimit të tij, kreu i Kremlinit u angazhua për ndaljen e varfërisë në vend brenda 6-vjeçarit të ardhshëm. “Çdo person vlen për ne”, tha ai, duke shtuar se dëshiron që të rrisë punësimin dhe jetëgjatësinë. Ai tha se dëshironte që Rusia të imitonte normat e jetëgjatësisë në Japoni dhe Francë.

“Në vitin 2000, në Rusi ishin 42 milionë njerëz që jetonin nën limitin e varfërisë – tha ai. – Sot janë rreth 20 milionë të tillë, por ne duhet ta zvogëlojmë edhe më tej këtë numër”. Putin tha gjithashtu se Rusia nuk mund ta konsiderojë fuqinë e saj si “të falur nga Zoti”.

“Nuk kemi asnjë të drejtë të lejojmë që stabiliteti i arritur deri tani të na çojë në vetëkënaqësi. Veçanërisht për sa kohë që jemi ende larg zgjidhjes së shumë problemeve”, tha ai. “Rusia është tashmë një vend udhëheqës, me një ndikim të fuqishëm ekonomik dhe potencial mbrojtjeje. Por, duke parë detyrat ekstremisht të rëndësishme për të siguruar cilësi më të lartë jetese për popullin dhe mirëqenien e tij, ne duket qartësisht se nuk kemi arritur në nivelin që kërkojmë. Por duhet ta bëjmë këtë dhe kemi vullnetin për ta bërë”, shtoi ai mes duartrokitjeve.

Haradinaj përballet me kritikat e ashpra të opozitës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përballur me kritika të shumta të opozitës në Kuvend. Debati, është zhvilluar sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilat e kanë ftuar në interpelancë kryeministrin Haradinaj

Me herët, subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e ka proceduar edhe në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave për kabinetin e tij qeverisës si dhe për gjyqtarët dhe prokurorët.

Para deputetëve, Haradinaj tha se paga e kryeministrit, ashtu siç është pa rritje, radhitet në pozitën e 69, në një nivel me pagën e kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës. Ai tha se paga e tij është meritore, nëse bëhet një krahasim i përgjegjësive dhe punëve që kryhen nëpër institucione.

“Kjo temë është në Gjykatën Kushtetues. Si e tillë unë pres përgjigjen e gjykatës. Vendimin e kemi pezulluar, sido që të vendosë gjykata ne e respektojmë. Qeveritarët, përfituesit e pagave, bëjeni një matematikë të thjesht e shihni se sa dalin. Janë një pakicë krejt e vogël, ndërsa shumicë si kategori që përfitojnë nga ky vendim janë gjyqtarët dhe prokurorët. T’ ju them të drejtën më dhimbset nëse ky vendim bie, jo për shkak timin apo ministrave, por më dhimbset për shkak të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimi për pagat është në kundërshtim më ligjet e aplikueshme në Kosovë. Ai kërkoi nga Qeveria që ta anulojë vendimin për rritjen e pagave. “Vendimi është i papranueshëm. Kërkon diferencë të madhe në paga. Vendimi i tillë është i pamatur”, tha Hoti.

Kurse, deputeti Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Qeveria Haradinaj, edhe ashtu me numër shumë të madh të ministrive, me 21 ministra 5 zëvendëskryeministra dhe 70 zëvendësministra, është duke e dëmtuar buxhetin. Ai tha po ashtu se t’ia rrisësh pagën vetës “është hajni”.

“T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje, sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik për shembull kjo rritje e pagave. Kjo është veçse pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm”, tha Kurti.

Sa kushtojnë zëvendësministrat?

I shpejtë ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj, duke i reaguar Kurtit për konstatimet e tij për hajni. “Qeveria e madhe me zëvendëskryeministra, ministra , e dimë që është harxhim, e dimë që rritja e pagave e ministrave e kryeministrit është harxhim i vendit mund të jenë rreth 30 mijë në muaj 300 mijë a 400 në vit, po i marrim ato i shpërndajmë të shohim çka mundemi të bëjmë me to. Kur të doni i shpërndajmë diku tjetër dhe e shohim se çka përmirësoni”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se vendimi i për rritjen e pagave nuk ka bërë asnjë implikim në buxhetin e Kosovës dhe, siç u shpreh ai, edhe nëse zbatohet vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave nuk mund te ketë implikime në buxhet. Sipas tij, nuk është hera e parë që në Kosovë kërkohet rritje e pagave në Qeveri. “Nuk ka pasur asnjë efekt financiar. Nuk është në zbatim, është duke u qartësuar situata juridike”, tha Hamza.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se nuk pajtohen me arsyetimet e kryeministrit të cilat i ka dhënë lidhur me rritjen e pagave. “Përbën konflikt interesi, kur dikush i rritë pagën vetit, dhe në demokraci të zhvilluara këto janë të parandaluara. E dyta ka të bëjë me arsyetimin e dhënë, të parën e nuk e marr seriozisht, blerjen e kravatave, por të dytën për shmangien së korrupsionit e marr më seriozisht. Besoj se lufta kundër korrupsionit është çështje e bindjes, pra kur ke bindje nuk varesh prej nivelit të pagës”, tha deputeti Abdixhiku.

Deputetët e partive politike në pushtet kanë arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave. Ata kanë vazhduar debatin duke u kthyer përgjigje kritikave të deputetëve në opozitë. Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.

Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Vendimi i Qeverisë kishte ndikuar që edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të arsimit të kërkojnë rritjen e pagave. Edhe pse që nga fillimi i këtij viti, punonjësit e sektorit publik kanë marrë pagat me rritje prej 4 për qind. Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë është shprehur e pakënaqur me rritjen aktuale, duke kërkuar që rritja të realizohet nga 15 deri në 25 për qind.

Edhe mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, kanë kërkuar kategorizim, që do t’u mundësonte atyre rritjen e pagave. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave.

Më lironi nga burgu dhe do t’ju jap të gjitha të dhënat për lidhjen e Trumpit dhe Putinit

“Ekspertja për seks” e vetëquajtur, video e të cilës zbuloi lidhjen e një prej rusëve më të pasur me Kremlinin, përfundoi në burg në Tajlandë dhe kërkon ndihmë nga SHBA në shkëmbim të informatave mbi lidhjen e Rusisë dhe Donald Trumpit

Anastasia Vasukevic, “dama eskort” nga Bjellorusia, e cila ka fituar famë pasi është publikuar videoja e saj nga një festë në jaht ku kanë marrë pjesë miliarderi Oleg Derpaska dhe zëvendës kryeministri rus Sergej Prikhodko, është ndaluar në burg gjatë fundjavës pas bastisjes së seminarit të saj për seks.

Gjatë qëndrimit në paraburgim, ajo ka publikuar në Instagram video në të cilin i lut gazetarët dhe agjencitë ta ndihmojnë.

Deripaska, me të cilin Vasukevic ka pasur aferë, është ish punëdhënësi i Paul Manfordit, ish shefit të fushatës së Trumpit. Vasukevic, e njohur si Nastya Rybka nuk i kishte paraqitur provat se vërtetë posedon informata mbi përzierjen e rusëve në zgjedhjet amerikane. Publikimi në Instagram paraqet atë të ulur në dysheme të burgut. Ka shtuar se ndihet shumë keq.

“Unë jam dëshmitari i vetëm dhe hallka e cila mungon në lidhje me Rusinë dhe zgjedhjet amerikane, të atij zinxhiri të gjatë i cili e lidhë Oleg Deripaskan, Prikhodko-n, Manfortin dhe Trumpin”.

“Lus për ndihmë shërbimin amerikan në shkëmbim për informatat të cilat i posedojë dhe të cilat jam e gatshme t’ia ofrojë shtetit i cili më liron nga burgu”.

Sipas raportimeve të medieve ruse, policia tajlandeze ka kryer bastisje gjatë një seminari për seks në të cilin ka marrë pjesë edhe Vasukevic dhe për të cilin pjesëmarrësit kanë paguar rreth 600 dollarë.

Mediet ruse gjithashtu pretendojnë se disa nga pjesëmarrësit të seminarit janë arrestuar sepse nuk kanë pasur leje pune, por Vasukevic pretendon se arrestimi i saj është pasojë e xhirimit të Deripaskas dhe Prikhodkos.

“SHBA, ju lutem na shpëtoni nga Rusia! Ky është represioni i pastër politik!”, ka shkruar ajo në postimin e saj në Instagram./Insajderi.com.

10 mijë vjet histori: nga pellazgët tek shqiptarët

AbstraktU përpoqën shumë për ta zhbërë kombin tonë, për ta zhdukur atë nga faqja e dheut, për ta asimiluar, për ta fshirë nga kujtesa e kombeve, për ta vdekur atë, por nuk ja dolën dot. Ai mbijetojë dhe jeton sot në gojën, në zemrat, në ndjenjat, në gjakun dhe shpirtin e mbi 15 milion shqiptarëve kudo në botë

Shkruan: Çlirim HOXHA

Zjarri dhe hekuri i derdhur kundër shqiptarëve, tregoi se rrënjët e tyre ishin shumë të lashta dhe të thella dhe nuk mund të shkuleshin, nuk mund të shkriheshin, nuk mund të fshiheshin, pasi ishte populli i zanafillës mbi të cilin lindën, u formuan dhe u përhapën me dhjetëra popuj në mbarë botën.

Cila ishte raca e parë që vuri këmbët mbi tokë? E kam fjalën për njeriun e parë që i përkiste dhe i përket epokës tonë, asaj të peshkut që i bie të jetë e pesta e civilizimeve që kanë banuar në këtë planet qysh nga agimet njerëzore këtu e 587 mijë vjet më parë.

Le ta nisim këtë temë “Në kërkim të Dodonës pellazgjike” për të parë se ku gjendet ajo dhe studimet e autorëve të shumtë mbi vendndodhjen e saj. Këta autor japin versione të ndryshme mbi vendndodhjen e Dodonës, sipas studimeve apo këndvështrimeve të tyre shkencore.

Pikërisht ky është qëllimi i studimit tim, që të nxjerr në dritë një të vërtetë, ose të paktën të prezantoi përpara jush mendimin e gjithsecilit studiues të Dodonës, me qëllim nxitjen e qarqeve shkencore akademike të Shqipërisë dhe Kosovës për të ndërmarrë ekspedita të përbashkëta, ku të përfshihen e dhe anëtar të Qendrës së Studimeve Pellazgjike për të gjetur vendndodhjen e saktë të Dodonës pellazgjike.

Që nga viti 1875 kur Kostandin Karapano i nxitur nga Ismail bej Vlora nisi kërkimet mbi gjetjen dhe zbulimin e Dodonës e deri në ditët tona, shumë ide dhe hipoteza janë hedhur mbi vendndodhjen e Dodonës së lashtë, por askush nuk ka hedhur idenë e bashkimit të përpjekjeve për të gjetur dhe përcaktuar shkencërisht vendndodhjen e saktë të Dodonës pellazgjike.

Madje asnjëra nga Akademitë e shkencave apo institucionet e tjera shkencore të Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë mundur të organizojnë një simpozium ndërkombëtar kushtuar Dodonës së lashtë, e cila na flet përmes shekujve dhe na fton ta gjejmë dhe ta ringremë si një nga faltoret më gjeniale, si një nga selitë më të shenjta të kombit tonë të lashtë.

Histori i lashtë. Studim mbi hipotezat e autorëve të ndryshëm mbi vendodhjen e Dodonës.

“Në kërkim të Dodonës Pellazgjike”

Dodona është mbajtur në shekuj si kryeselia e shenjtë e Pellazgëve të lashtë, si faltorja e Zeusit. Themelimi i Dodonës zë fill rreth 5000 vjet përpara Krishtit. Gjurmët e gërmadhave të saj gjenden sot rreth 15 km në verilindje të fshatit Kastricë (muret rrethuese të të cilës arrijnë në rreth 300 m), kurse në jug zgjaten pranë Asprohalikos, Ajeo Jeorgos, Pantanasës, Korinopulos etj., pra në afërsi të Janinës.
Gjetjet e gërmadhave të Dodonës u vërtetuan edhe nga një ekspeditë antropologjike franceze, e cila në vitin 1962 ndërmori kërkime në atë zonë, duke na dhënë fakte të reja mbi autoktoninë e të parëve tanë pellazg. Fama e Dodonës dhe e Lisit të saj magjik ishte përhapur në të gjithë botën e asaj kohe.

Një gojëdhënë e lashtë ilire thotë se, nën lisin e madh të Dodonës u ndërtua varri i Zotit Zeus, i cili u bë vend pelegrinazhi për mbarë botën. Përqark Lisit magjik dhe varrit të Zeusit u ndërtua Orakulli i famshëm, i cili ruhej me fanatizëm nga Donetinët e Molosëve. Vet Herodoti tregoi gojëdhënat që dëgjoi në Dodonë mbi themelimin e faltores së Zotit Pellazg, ku një pëllumb kishte qëndruar mbi degën e lisit dhe me zë njeriu kishte thënë se, në atë vend duhej ngritur një orakull për Zeusin.

Kanë kaluar mijëra vjet nga dita kur më 435 pas.K, Teodosi i II Perandor i Lindjes, urdhëroi shuarjen e përhershme të Dodonës pellazge, si një vatër e rëndësishme e zjarrit pagan dhe shndërrimin e saj në një nyje të krishterimit, kur fillimisht vandalët dhe më pas Totila (551) me barbarët ostrogotë, të pasuar nga hordhitë bullgare, etj, e fshinë nga faqja e dheut Dodonën e shenjtë, kryeqendrën evropiane të pellazgëve – popullit më të lashtë të kontinentit dhe Mesdheut.
Simbol nga Orakulli antik i Dodonës

Studimi absolut i pemës së Lisit, e cila jo pa arsye ishte quajtur e shenjtë dhe kurorëzuese e shumë fitoreve, nuk do të rrinte pa ngacmuar krishterimin e ri, i cili që të ngrinte kokë duhej ta asgjësonte këtë pemë, duke kërkuar ta shkulte atë me rrënjë. Ata mendonin se ajo do të humbte vetinë e saj të shenjtë dhe do ti shpëtoje hakmarrjes së saj. Por t’i shpëtosh pemës së shenjtë të lisit nuk është dhe aq e lehtë, edhe pse atë e shkulën me rrënjë, ajo përsëri vazhdon të jetojë thellë në zemrat e besimtarëve të Dodonës mëmë, ndaj dhe varrmihësit numër një të saj do të merrnin përgjigje nga orakulli i famshëm mbi fundin e ditëve që do t’u vinte në mijëvjeçarin e ri.

Të pabesët, ardhacakët afro-aziatik bënë të gjithë përpjekjet për ta çrrënjosur simbolin shpirtëror të pellazgëve nga ajo tokë. Ata derdhën zjarr dhe hekur duke e shkulur nga rrënjët lisin e shenjtë, pasi besonin se me zhdukjen e lisit të shenjtë do të zhduknin edhe farën e parë që e mbolli atë, që e rriti dhe e ushqeu shpirtërisht, duke i dhënë atributet e një shenjti, e një profeti të racës më të vjetër të planetit, zbritur nga yjet.

Faktet dhe gojëdhënat janë të shumta për Dodonën pellazgjike, vendndodhjen dhe bëmat e saj të famshme. Straboni na dëshmon se, Dodona dhe zona rreth saj ishin shumë pjellore dhe në të shumtën e rasteve merreshin dy prodhime bujqësore në vit. Nëse kjo gjë do të krahasohej me Dodonën e sotme, do të themi pa frikë që është lënë qëllimisht në harresë dhe është një nga zonat më të varfra të Greqisë së sotme.

Mbijetesa e të parëve tanë u mbështet mbi tradita të shëndosha të trashëguara, të cilat nuk i humbën asnjëherë, por sa herë u gjendën në çaste të vështira të historisë, u bashkuan pa kushte, gjetën rrugëzgjidhje të guximshme, duke mbajtur në zemër Dodonën e pamposhtur. Dodona u bë një qendër tepër e rëndësishme pellazge parahelenike, shumë më e vjetër se vet gjuha, vet perënditë apo dhe mitologjia e ashtuquajtur greke. Si e tillë ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet e kanë pranuar edhe vet autorët më të moçëm helenë.

Mund të themi se qëllimisht Dodona është lënë në harresë dhe nuk përmendet, sepse ekziston frika e lisit të shenjtë e të pa prekshëm nga ata që e zhdukën nga faqja e dheut, por nuk arritën ta shuajnë përgjithmonë. Orakulli i Dodonës, edhe pse u bë çmos të digjej përfundimisht, ai mbijetoi dhe nuk mundi të shuhet përfundimisht. Mjafton pakë zemër dhe shpresë dhe ajo do rilind përsëri. Pas viteve 90 të shekullit të kaluar, disa nga shqiptarët që shkuan si emigrant në Greqi, u interesuan për vendndodhjen e Dodonës në afërsi të Janinës. Ja ç’tregon përmes shënimeve të tija një qytetar, që për momentin mbetet anonim.

“Isha në shkollën e mesme, kur një shoqja e bankës më flet për një orakull, që një çift tepër i moshuar (priftërinjsh) nga krahina e Janinës i kishin falur një libër tepër të trashë, xhaxhait të saj, që ishte emigrant në Janinë, menjëherë mbas rënies së komunizmit. Ky libër quhej “Orakull”. Në ato vite nuk kisha asnjë lloj ideje se ç’ishte një orakull. Shoqja çdo ditë që vinte në shkollë më fliste për radhët e gjata pranë shtëpisë së saj nga banorët e lagjes “Çole”, ku dhe banonte.

Banorët e kësaj lagjeje vinin për tu këshilluar me orakullin, duke i bërë asaj pyetje të ndryshme dhe duke marrë përgjigje. Radhët tepër të gjata bënë që ky orakull të kopjohej në një kopje të dytë. Mua më dukeshin tepër të çuditshme deri të pabesueshme ato që dëgjoja, por sot që kam njohurinë e duhur mbi orakullin e Dodonës dhe famën e saj me një vërtetësi të plotë, mendoj se shoqja ime fliste për gjurmë të orakullit dodonas. Sot mendoj se as shoqja ime, por as edhe xhaxhai i saj që e kishte fituar atë kur kishte qenë emigrant në Greqi, nuk kishin njohuri mbi atë çka u ra në duar, ose e kundërta mund të dinin, por nuk e thoshin.

Mendoj se çifti tepër i moshuar i priftërinjve nga Janina, edhe pse kishin kaluar mijëra vjeçar nga koha e shuarjes së kësaj vatre mëmë, ata përsëri mundën ta ruanin me fanatizëm orakullin si një amanet të stërlashtë, jo pa qëllim ajo ju besua një shqiptari emigrant që kishte vajtur pak kohë në vendin fqinj për të siguruar një jetë më të mirë.

Presionet e shumta që ka ushtruar besimi ortodoks i krishterë, nuk kanë lejuar të flitej e jo më të ruheshin gjurmë nga Dodona. Por edhe pse Dodonën e fshinë nga faqja e dheut, frymëmarrjen nuk mundën t’ia marrin kurrë. Orakulli i saj la gjurmët e veta edhe në jug të Shqipërisë, pikërisht në vitet e demokracisë së sotme, kur ende ortodoksizmi ekstrem ushtron dhunë e presion ndaj kujtdo që ngre kokë kundër tij, e jo më ndaj orakullit të Dodonës, i cili është armiku numër një i saj.

Tashmë nuk e di se ç’bëhet me këtë orakull, pasi kanë kaluar vite dhe shoqja ime sot ndodhet si emigrante në Itali, por ajo që mua më ka ngelur në kujtesë ishte vërtetësia e përgjigjeve të orakullit dhe radhët e gjata të banorëve të asaj lagjeje, sipas të thënave të shoqes sime të bankës.
Patjetër që kjo familje nuk mund të ketë pasur idenë e rëndësisë tepër të madhe të dokumentit që i ra në dorë, siç nuk kisha edhe unë kur shoqja më fliste gati përditë në shkollë për të. Shpresoj që një ditë të kem marrë një informacion të mirë, pasi jo rastësisht ky orakull ra në duart e një familje në jug të Shqipërisë.

Sot në Muzeun Kombëtar të Athinës gjendet një mbishkrim me numër # 803, ku një banor i qytetit të Zakynthit, themeluar në ishullin me të njëjtin emër prej të birit të Dardanit, pellazg, Zakynthit, ku ky banor i blaton Hyut të Dodonës së Madhe një pllakëz bronzi me një kushtrim të gdhendur, e cila vlerësohet nga shkenca epigrafike si e shekullit IV p.e.s. Në të shkruhet: Hyu i Dodonës së Madhe, po ta dërgoi këtë dhuratë nga ana ime, unë Agathoni i Ekefylit dhe familja ime, proksenë të molosëve dhe bashkëluftëtarë të tyre gjatë tridhjetë brezash, qysh nga Kasandra Trojane, në Zakynthas brez pas brezi.

Termi me të cilin fillon blatemi është mëse i qartë. Marrim fjalën; Hyu i Dodonës së Madhe. Fjala “Madhe” duket qartë si në shqipen e sotme, por që lexohet “Medhe”. Po ashtu edhe fjala hyu, e cila shkruhet iey dhe lexohet, hyu mbështetur mbi gjuhën e sotme shqipe. Kjo është kaluar pa u vënë re, si nga studiuesit e shkencës epigrafike, por edhe nga studiues të pasionuar të shkencës shqiptare, siç ishte profesor Dhimitër Pilika, i cili mundi të përkthente fjalinë e parë të blatimit: “O Zeus i plotfuqishëm i Dodonës”, kurse në greqishten e sotme në Muzeun Kombëtar të Athinës, gjendet i përkthyer thjeshtë me termin Zot i Dodonës. Prof. Dhimitër Pilika.

Të njëjtin cilësim bën edhe Homeri, i cili pellazgët i quan “hyjnorë” dhe Zotin e cilëson si “Hyu i Madh i Dodonës Pellazge”. Mbishkrimi i mësipërm vërteton më së miri lidhjen e ngushtë të Dodonës me bijtë e saj shqiptarë dhe aspak grek apo helen dhe sipas komentit të dorëshkrimit vizitori nga Zakynthos na dokumenton se ky vizitor së bashku me familjen e tij, që kanë qenë të një besëlidhje me molosët dhe bashkëluftëtarë brez pas brezi prej 30 brezash, që nga Kasandra e Trojës (këtu vërtetohet edhe origjina pellazgo-shqiptare e familjes së parë mbretërore të Prijamit).

Është e qartë që heshtja rreth ekzistencës së Dodonës është e qëllimshme dhe u ka shërbyer qarqeve antishqiptare, të cilët u përpoqën që ta çrrënjosnin faltoren e Dodonës. Pushtuesit e ardhur e luftuan Dodonën pellazge, me qëllim zhdukjen e saj, shkuljen nga rrënjët, për të mbyllur një herë e mirë kapitullin e identitetit të shqiptarëve në ato troje. Pa Dodonën pushtuesit me origjinë afro-aziatike do ta kishin më të lehtë ta quanin veten e tyre autokton.

Duke zhdukur dhe fshirë gjithçka që kishte të bënte me Dodonën, pushtuesit afro-aziatik menduan dhe vepruan kundër interesave të pellazgo-iliro-shqiptarëve, duke mashtruar botën me të pavërteta. Sot bota moderne është injektuar me falsifikimet e historisë dhe mitologjisë greke, duke i quajtur të gjitha bëmat, të gjithë heronjtë, të gjitha perënditë, të gjithë filozofët vetëm të racës greke, të racës helene, çka përbën shtrembërimin më vulgar që i është servirur shkencës evropiane e asaj botërore.
Sipas një tjetër mbishkrimi të gjetur në Dodonë, faktohet se shumë pellazgë periferikë të dëbuar prej helenëve nga vatrat stërgjyshore, kryesisht nga ishujt e Egjeut, Kretës, Peloponezit, Atikës, Helespondit, Azisë së Vogël, strehoheshin përkohësisht në Dodonë para se të detyroheshin të shtegtonin drejt Satorinis (Italisë së asokohe).

Sot me qindra e mijëra arbër jetojnë në zemër të Athinës së sotme prej rreth 14 shekujsh pa ndërprerë, sepse grekët e vjetër nuk ishin gjë tjetër veçse ilirët e lashtë dhe greqishtja e vjetër nuk është gjë tjetër veçse ilirishtja e lashtë, ndërkohë që sot këta arvanitas truajnë me fanatizëm gjuhën që u kanë lenë trashëgim të parët, edhe pse ndodhen nën trysni të pandërprerë të fesë ortodokse apo censurës së sotme nacionaliste.

Kur kryetari i Shoqatës së Arvanitasve zoti Jorgo Geru u pyet para pak kohësh se, kur kanë ardhur arvanitasit në Greqi, ai u përgjigj shkurt: – “Ne këtu ishim, gjithmonë”. Ndarja e dyshimtë nga jeta e njërit prej titanëve të mendimit dhe veprimit arvanitas në Greqi, siç ishte i madhi Aristidh Kola, ka lenë shije të hidhur tek të gjithë arvanitasit e Greqisë, pasi ishte ndër të paktët studiues të rrënjëve të racës tonë pellazgo-iliro-arvanitase që përballej hapur me tendencat e qarqeve antishqiptare dhe të pseudohistorianëve, që kërkonin ta fshinin nga memoria e kohës qytetërimin më të vjetër të Europës.
Aristidh Kola

Në librin e tij të fundit “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” Profesor i nderuar Dhimitër Pilika, në faqen 340 thekson se; “Mitologjia pellazge është krejt e pambledhur dhe e pastudiuar deri tani. Te gjiri i popullit tonë flenë thesare të vërteta, që presin të futen sa më parë në qarkullimin shkencor”.
Por Dodona jonë është e pajustifikueshme që nuk zihet në gojë në tekstet shkollore shqipe, qoftë shkarazi. Sa për shkrimet e autorëve klasikë, të ashtuquajturit greko-romakë apo bizantinë, terma që po bëhen gjithnjë edhe më të dyshimta sot, me lehtësi mund të përmendim emra, si Homeri, Eskili, Platoni, Hesiodi, Herodoti, Tukididi, Plutarku, Straboni, Pindari, Plini, Apollodor Tekniku, Polibi, Titus Libius, Stefan Bizanti, Eustrathi etj…

Disa prej këtyre emrave, sipas studiuesit Maksim Zotaj, i përkasin periudhës së dytë, asaj Bizantine. Ndërsa në plejadën e Rilindjes Europiane deri në ditët e sotme, kemi emra të shquar shqiptar dhe të huaj si Jeronim de Rada, Dhimitër Karmada, Shtjefën Gjeçovi, Perikli Ikonomi, Myzafer Korkuti, Skënder Anamali, Xhuzepe Katapano, Aleksandër Stipçeviç, Nermin Vlora (Falaski), Aristidh Kola, Mexhit Kokalari, Rasim Bedo, etj.

Nga studiuesit e huaj le të përmendim: J.G. Fon Han, Edvin Jacques, Michael Grand, Nikolas Hammond, Robert Temple, Erik Von Daniken, Robert D’angely, Enzo Gatti, John Ëilkes, Eduard Gibbon, Agnes Aavill, dhe plot të tjerë. Por a ka qenë vërtetë Dodona në malin e Tomorit, siç na e përcjell studiuesi Perikli Ikonomi, apo Maksim Zotaj? Kemi folur deri tani për Dodonën dhe vendndodhjen e saj në afërsi të Janinës, mbështetur në shumë studiues shqiptar dhe të huaj.

Në librin e tij të fundit Dr. Arsim Spahiu paraqet të dhëna me interes, që lidhen ngushtë me Tempullin e Dodonës, pellazgët dhe fiset ilire të Epirit. Ai vë në dukje se autorët e vjetër grekë, kur kanë ardhur në pjesën jugore të Ballkanit, që më vonë ka marrë emrin Helladë dhe Greqi, kanë gjetur pellazgët, të cilët e kishin Dodonën si qendrën e kulturës së tyre shpirtërore. Kush quhej Orakull? Orakull quhej interpretimi që Zeusi ose ndonjë hyjni tjetër pellazge jep për pyetjet e drejtuara nga besimtarët e lashtësisë.

Orakujt nënkuptoheshin nga priftëreshat barbare, pra jo greke, nga fërgëllima e gjetheve së lisit të shenjtë të Dodonës, nga fluturimet e pëllumbave dhe nga tingujt e disa kazanëve prej bakri, që goditeshin enkas për këtë qëllim, si dhe nga libra të vjetër që jepnin përgjigje të sakta.
Në lashtësi, Dodona, orakujt e faltores së saj dhe panteoni dodonas janë quajtur pellazgë nga autorët greko-romakë. Herodoti vet ka thënë: “sa për hyjnitë…unë mendoj se emrat e tyre vijnë nga pellazgët”. Pak më poshtë ky historian i madh vazhdon: “Pra, athinasit janë të parët ndër helenët, që mësuan nga pellazgët të bënin statujat e Mërkurit”.

Dëshmi të tilla nga autorët e vjetër janë të shumta, duke filluar nga Homeri. Po të vërehen me vëmendje poemat homerike, në dritën e të dhënave të kërkuesve të kohëve të fundit, formojmë një ide të qartë të karakterit etnik pellazg të mitologjisë dhe fesë, të ashtuquajtura greke. Kërkuesi i njohur Carlo de Simone nënvizon se në botën mikenase nuk njihet konsultimi orakullar i një lisi të shenjtë. Ai provon se gërmimet arkeologjike nuk dëshmojnë “për karakterin dhe/ose praninë mikenase në faltoren e Dodonës, si dhe për faktin se nuk ka pasur dru profetik në Greqinë klasike…”, si në Dodonë.

Ndërsa orakulli i Zeusit të Dodonës daton në epokën e bronzit të hershëm, statuja e tij është ngritur në Delf (Greqi), në vitin 430 para e.s. Ndërkohë, “Zeusi pothuaj nuk njihej në Etoli, që ndodhet në jug të Greqisë”. Rreth vitin 400 para e.s. klientela e orakullit të Dodonës përbëhet para së gjithash nga epirotë, korkyras dhe thesaliotë. Vetëm duke filluar nga koha e ekspeditës në Sicili, athinasit kanë menduar të instaurojnë kultin e Zeusit (M. Jost).

Vendndodhja e tempullit të lashtë të Dodonës është një argument që shpesh i ka çuar studiuesit në debate. Në vitet tridhjetë të shekullit të XX-të, Perikli Ikonomi, me librin e tij “Tomori dhe Dodona pellazgjike”, përpiqej të tregonte se vendndodhja e saj është në Shqipëri.

Legjenda thotë se shumë kohë më parë, nga Egjipti u nisën dy zogj. Njëri prej tyre ndaloi në Libi, ku u ndërtua tempulli i Ammon Zeusit dhe tjetri ndali në Dodonë. Aty u ndërtua tempulli tjetër, ku ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit, ai i Dodonës, pasardhës i të cilit do të ishte orakulli i Delfit.

E nëse tempulli i Ammon Zeusit dihet që është në Libi, çështja e vendndodhjes së tempullit të Dodonës është më e komplikuar. Një pjesë e mirë e studiuesve mbrojnë tezën se tempulli i lashtë i Dodonës ndodhet në pjesën shqiptare të Greqisë së sotme, në këmbët e malit Tammaro, rreth 18 km largë Janinës.

Ikonomi shkruan se ka një grup studiuesish shqiptarë, të cilët i mëshojnë idesë se Dodona e Epirit Jugor (mali Tammaro, në Janinë) është vetëm një kopje e vonshme e origjinalit, i cili duhet të ndodhet në malin Tomor në Toskëri. Për të është i rëndësishëm fakti që të dy malet kanë emra të ngjashëm (Tammaro dhe Tomor).

Në këtë pikë ai nxjerr prejardhjen e fjalës Tomor. Ai shkruan se mali i Tomorit, konsiderohet si banesa e Perëndisë së pellazgëve, domethënë e shqiptarëve të vjetër. Veç kësaj Tomorin e quajnë mal i të-mirit, prandaj priftërinjtë e orakullit të Dodonës quheshin Tomur, të mirë.

Sipas shpjegimit të Ikonomit, në të folurën e shqiptarëve, çdo vend i shenjtë quhej dhe vazhdon të quhet më së shumti edhe sot vend i mirë.. Pra, në këtë togfjalësh, mbiemri “i mirë” përdoret në kuptimin “i shenjtë”, rrjedhimisht, mali i Tomorit do të thotë mali i Zotit.

Por kjo analizë nuk i mjafton për të vërtetuar tezën e tij, kështu që ai merr në shqyrtim edhe gjithë dëshmitë e mundshme historike. Një kapitull më vete u kushtohet përshkrimeve të autorëve të antikitetit si Herodoti, Hesiodi, Pindari, Plutarku, Straboni etj, shënime të cilat e largojnë Dodonën nga Janina dhe e sjellin në veri të Toskërisë.

Një nga shënimet që Ikonomi citon është ai i Stragjiritit: “Në faqen 28 të shënimeve ku bën fjalë për Dodonën, ai e përmend si të pacaktuar vendndodhjen e malit Tomor. Ai pohon se të tjerr e vendosin këtë mal më lart e më tej nga veriu i malit të Pindit. Gjithashtu, thonë se molosët kanë qenë më të përmendurit e më të famshëm, nga kaonët, se ata kishin dhe tempullin famëmadh të Dodonës në krahinën e tyre.

Duke përmendur shënimet e këtyre autorëve dhe gjeografëve, të cilat japin detaje të ndryshme për tempullin e Dodonës, Ikonomi arrin të ndërtojë një panoramë të vendndodhjes së këtij tempulli. Por punën nuk e lë me kaq. Pasi përfundon me përshkrimet e këtyre autorëve, në kapitullin e fundit ai jep kallëzime e gojëdhëna për malin e Tomorit dhe rrethinat e tij.

Kështu, njëra prej tyre thotë se në Tomor rrinin tri motrat e Dhodhonit, tek të cilat vinin mbretërit e vjetër për t’i pyetur për fatin e tyre dhe të mbretërisë. Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, në kulmin e malit të Tomorit ndodhet e skalitur mbi një shkëmb një plakë që ruan një dhi dhe një kec.

Gojëdhënë që sipas Ikonomit mund të ketë lidhje me dhinë Amalthia, që sipas mitologjisë, ushqeu Zeusin kur e ëma e tij, Rea, e fshehu për ta ruajtur nga i ati, Shtuni (Saturni), që hante fëmijët e tij. Mes Ikonomit dhe malit të Tomorit ekzistonte një lidhje më e veçantë se ajo mes një studiuesi dhe një subjekti, thekson studiuesja Yllka Lezo.

Të tjera të dhëna mbi vendndodhjen e Dodonës na bëjnë të mos tërhiqemi drejtë misionit shkencor që i kemi vënë vetes, duke hulumtuar mbi fakte dhe të vërteta mbi rrënjët e qytetërimit pellazgo-ilir. Duke marrë në konsideratë dhe duke analizuar këto të dhëna, ne ndërtojmë vizionin tonë të drejtë mbi prejardhjen e racës sonë të vjetër, të gjuhës sonë të rrallë dhe të lashtë, për të kontribuar në pastrimin e gënjeshtrave dhe sajimeve që kanë mbizotëruar deri më sot mbi prejardhjen e shqiptarëve.

A është vendndodhja e Dodonës në Malin e Tomorit në Shqipëri apo në rrëzë të malit Tomar afër Janinës, këtë askush nuk mund ta deklaroi me saktësi. Karapano thotë se, Dodona ndodhet në Epir rëzë malit Tomar, kurse Perikli Ikonomi, i cili kishte studiuar në rininë e vet në gjimnazin Zosimea të Janinës e kundërshton këtë fakt, duke argumentuar se Dodona gjendet në malin Tomor të Shqipërisë.

Mali Tomar pranë Dodonës

Le të përqëndrohemi tek ambicia apo kurioziteti për zbulimin e Dodonës pellazgjike, autorin e kësaj ambicie dhe të dhëna të tjera që na vërtetojnë ekzistencën e saj në afërsi të Janinës.
Ismail Qemal Vlora ishte jo vetëm një politikan dhe atdhetar i flakët i çështjes kombëtare shqiptare, por edhe një studiues erudit, një dijetar me përmasa universale, i cili u bë shkak i nxitjes së kërkimeve për zbulimin dhe gjetjen e Dodonës pellazgjike.

Ismail bej Qemal Vlora lindi në Vlorë në një familje fisnike shqiptare dhe punoi për çështjen kombëtare dhe për standardizimin e alfabetit shqiptar. Ai mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës së bashku me shokun dhe mikun e tij Kostandin Karapano nga Çamëria.
Ismail bej Vlora Kostandin Karapano
Kostandin Karapano studioi për jurist dhe u martua me të motrën e bankierit më të madh të Stambollit, Kristaq Zografi, i cili ishte me origjinë nga Labëria. Ismail Qemali kishte miqësi me Vrionasit, të cilët kishin çifligje afër Janinës dhe bujqit e këtyre çifligjeve u çonin në sarajet e vrionasve, monedha të vjetra, copa gurësh me mbishkrime, vepra arti që i gjenin gjatë punimit të tokës. Këto objekte Ismail Qemali i shikonte me shumë interes.

Ismail Qemali nuk e la me kaq gjetjen e objekteve arkeologjike që pa në sarajet e vrionasve afër Janinës. Ai e këshilloi mikun e tij Kostandin Karapano, i cili ishte i pasur, që të gërmonte atje ku gjendeshin këto objekte me bindjen se do të zbulonte Dodonën, për të cilën kishte njohuri të hershme.

Kostandin Karapano e dëgjoi Ismail Qemalin. Ai solli specialistë nga Franca dhe filloi gërmimet. Kështu, jo shumë larg nga brigjet e derit Jon, më 1875 u zbulua Dodona, kryeqendra shpirtërore, politike dhe kulturore e pellazgëve, orakulli paragrek i së cilës ka qenë më i lashti e më i njohuri në Ballkan, Mesdhe e në Europë.

Disa qindra dijetarë, klasikë e modernë, shpesh me emër ndërkombëtar, janë marrë me këtë popull. Disa prej tyre kanë përdorur në rrafsh të gjerë, në shërbim të së vërtetës, përparësinë e faktorëve vendimtarë të brendshëm, vendorë. Rrjedhimisht, ata kanë nxjerrë argumente autentike të pashtershme, sidomos pas sjelljes në Luvër të gjetjeve arkeologjike të Dodonës dhe daljes më 1878 në Paris të dy vëllimeve të Kostandin Karapanos “Dodona dhe rrënojat e saj”. Këto zbulime sensacionale kishin bërë për vete paraprakisht bashkëpunimin aktiv të anëtarëve të Institutit të Francës Egger, Ëitte, që mbahen si pasuesit e pellazgjistëve francez Jourdan, Dupuis, Petit-Radel, Michelet dhe Benloee.

Në shkallë ndërkombëtare prej gjithë përfundimeve të tyre të verifikuara mirë, del se pellazgët, që mbizotëronin në Mesdhe, i kanë sjellë Europës, ndër të tjera, alfabetin e parë, qytetërimin më të lashtë: mjeshtërinë, teknikat e dobishme, themelet e shkencës, mitologjinë etj, e në veçanti emrin e vet Europë, kulturën e grurit, shpikjen e bukës, ndërtimin e qyteteve e bërjen e regjistrimeve, të ligjeve, të monedhave, të Lojërave Olimpike etj.

Pindari gjenial i ka quajtur “paraselenit”, domethënë që janë shfaqur para daljes së Hënës në kupën e qiellit. Si rrjedhim, me vërtetimin mbi baza rreptësisht shkencore të autoktonisë me prestigj të pellazgëve kundrejt ardhësve të rinj, helenëve. Karapano zbuloi Dodonën dhe 1800 objektet e zbuluara i dërgoi në Paris, ku saktësinë e zbulimit të Dodonës e vërtetuan akademistët më të shquar të Francës së asaj kohe.

Nga ana e tij Ismail Qemali përgatiti një monografi, studim, të cilin ai e mbante nën jastëk deri në ditën e vdekjes. Këtë studim e trashëgoi djali i Ismail Qemalit, Qazimi, që e shoqëroi në ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe që kishte një vajzë të martuar në Strugë, studim që fatkeqësisht ajo e humbi.
Por kërkuesit e vendndodhjes së Dodonës nuk ndalen këtu. Libri i fundit i studiuesit Kujtim Mateli e çon Dodonën në Dishnicë të Përmetit. Duke studiuar autorët e vjetër, aty gjen se si ishte ndërtuar Dodona, pozicionin gjeografik, kush e kishte ndërtuar dhe mjaftë të dhëna të tjera interesante. Kjo pasi një pjesë e autorëve të vjetër e kishin vizituar Dodonën, por edhe ata që nuk e kishin vizituar nga afër, janë mbështetur tek autorët që e kishin vizituar atë.

Studiuesi Kujtim Mateli e filloi punën e tij studimore, së pari, duke përkthyer nga frëngjishtja Kostandin Karapanon. Sjellim në ligjëratë të drejtë ato që thotë Karapano. Dëshmia e parë e Karapanos. “Në pjesën e poshtme (të luginës së Carakovistës që është e gjatë vetëm 5 kilometra), ujërat që rrjedhin nga burimet e shumta të malit Tomaro formonin disa këneta të cilat duhet të kenë qenë relativisht të mëdha, meqë gjithë luginës i kishin dhënë emrin vend moçalor. Jashtë kënetës, kishte gjithashtu livadhe të bukura dhe kullota të pasura ku kullotnin, sipas Hesiodit, dhen të shumta dhe qe këmbëharkuar”.
Në këto kushte, Dodona kishte shumë pak ara të punuara dhe për pasojë duhet të ketë qenë e varfër në prodhimet bujqësore. Një lum, të cilit disa autor të vjetër i japin emrin e Dodonës, ishte formuar nga një pjesë e ujërave që buronin në këmbët e malit Tomaro dhe që rridhte në luginën e Dodonës.
Kujtim Mateli

Këto janë dëshmitë e Kostandin Karapanos, por që studiuesi Kujtim Mateli i kundërshton në librin e tij mbi Dodonën. Ai nuk është dakord me zbulimin e Kostandin Karapanos, i cili e vendos Dodonën në afërsi të Janinës. Kujtim Mateli jep një version tjetër mbi vendndodhjen e Dodonës, duke këmbëngulur në fakte të tjera për të.

Të gjithë autorët e vjetër thonë se ndodhet në Veri të Epirit. Janë mbi dhjetë dëshmi, mbi të cilat është mbështetur studiuesi Kujtim Mateli për të përcaktuar vendndodhjen e Dodonës sipas tij.
Polibi, libri IV. Kur erdhi dita e zgjedhjeve, etolët zgjodhën për strateg të tyre Dorimahun. Ky, me të marrë fuqinë në dorë, mblodhi ushtrinë dhe hyri në krahinat e sipërme të Epirit, duke shkretuar vendin pa pikë mëshire, dhe jo për shkak se kështu ia kërkonte interesi i vendit të tij, sesa për tu bërë keq epirotëve.
Polibi

Kur arriti në faltoren e Dodonës, dogji portikët e tempullit, prishi një pjesë të madhe të kushtimeve dhe rrëzoi edhe muret e faltores. Sipas Polibit, Dodona ndodhet në një nga krahinat e sipërme të Epirit. Por edhe Barthelemeu, sipas shënimeve të Anacharsis na thotë: “Në një nga vendet veriore të Epirit, ndodhet qyteti i Dodonës”. Nuk gjendet, qoftë edhe një dëshmi e vetme, që të thotë se Dodona ndodhet në mes të Epirit.

Po ku ndodhet atëherë Dodona?

Ajo ndodhet në malin e Trebeshinës, aty ku shënohet edhe kufiri verior i Epirit.
Po japim një përshkrim të një autori të vjetër.

Skylaksi, lundrimi, Illyroi. “Apollonia është pesëdhjetë stade larg detit; anës qytetit shkon lumi i quajtur Aia. Kurse nga Apollonia në Amanti janë treqind e njëzet stade. Ky lum zbret në det, duke qenë tetëdhjetë stade nga Oriku, që është më thellë në detin Jon nga gjithë Orikia, kurse nga Amantia është larg 60 stade. Fqinj me gjithë këta, në viset e brendshme, janë antintanët, sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë”.

Pra Atintanët që janë banorët e Mallakastrës dhe ata të Tepelenës që ndodhen në krahun e djathtë të Vjosës kufizoheshin me Dodonët, pra kufizoheshin me luginën e Dishnicës ku ndodhej Dodona. Të njëjtën gjë thotë edhe Pindari. Pra atintanët, banorët e Mallakastrës dhe të Tepelenës as mund të shtriheshin deri në Janinë, as deri në Tomor të Beratit. Ata shtriheshin deri në luginën e Dëshnicës ku edhe gjendet Dodona. Ky vend përputh edhe të gjitha thëniet e autorëve të vjetër: ndodhet në veri të Epirit.
Mali Trebeshinës
Hesiodi na thotë se në fushën Hellopia kullotnin kope të shumta dhe ishte e pasur me bimë kultivuese. Në fund të saj ishte ndërtuar Dodona. Fusha e hellopisë është fusha që ne sot i themi fusha e Këlcyrës, e gjatë rreth 6 kilometra dhe e gjerë mesatarisht një kilometër. Në fund të kësaj fushe (sipas Hesiodit) dhe në shpat të malit (sipas Strabonit dhe Eustathit) ndodhet kalaja antike që njihet me emrin kalaja ilire e Këlcyrës. Kjo kala dhe rrënojat e shumta rreth saj janë qyteti i vjetër i Dodonës bashkë me tempullin e saj.

Kalaja e Këlcyrës

Përgjatë rrëzës së Trebeshinës (Tomari i lashtësisë), ndodhet lumi i Dëshnicës, i gjatë rreth 20 kilometra. Në krahun e djathtë të lumit, rrëzë Trebeshinës, ku edhe në ditët e sotme ndodhen pyje të shumta me lisa, ishte orakulli i famshëm, sipas studiuesit Kujtim Mateli.

Po a është vërtetë Dëshnica dhe mali i Trebeshinës vendndodhja e saktë e Dodonës?

Autorë të ndryshëm hedhin idenë e vendndodhjes së Dodonës në pjesë të tjera të Shqipërisë dhe Epirit, duke shkaktuar hamendje të shumta, por askush nuk ka ndërmarrë një mision kërkimi sot në kohët moderne, për të përcaktuar saktë dhe përfundimisht vendndodhjen e selisë së shenjtë pellazgo-ilire. Asnjëherë studiuesit dhe historianët shqiptar nuk u mblodhën për të diskutuar rreth vendndodhjes së Dodonës së lashtë dhe Orakullit të saj, duke hedhur mbi tavolinë faktet e bëra publike në botimet e tyre shkencore. Asnjë ekspeditë shqiptare nuk u nis në kërkim të vendndodhjes së Dodonës pellazgjike.

Dodona dhe orakulli i saj mbeten thesare të trashëgimisë së racës sonë pellazgo-ilire dhe nuk mund të na i tjetërsoi njeri, pasi faktet që sollëm nga autorët e shumtë vendas dhe të huaj, dëshmojnë për qenien tonë si shqiptar, vjetërsinë tonë dhe dominimin tonë në Mesdhe dhe Europë.

Sot kërkohet më shumë punë dhe bashkëpunim i të gjithë atyre studiuesve të antikitetit, qofshin shqiptar apo të huaj, për të bërë të mundur nxjerrjen e këtyre të dhënave në dritën e së vërtetës dhe futjen e tyre në tekstet mësimore të shkollave tona, duke u mësuar brezave rrënjët e qytetërimit tonë pellazgo-ilir dhe duke u prerë shpresën pseudo-autorëve që kërkojnë ta koklavitin sa më shumë origjinën tonë në interes të tyre.

Dodona pellazgjike është një nga vlerat më të mëdha të identitetit tonë, që kur logjika e njeriut hodhi rrënjë mbi planetin e quajtur Toka jonë. Dodona dhe Orakulli i saj nuk ishin një rastësi, por krijim i shpirtit të shenjtë të pellazgëve hyjnor, të cilët dominuan botën dhe komunikuan me selitë e tjera të shenjta, në rrugë mbitokësore dhe nëntokësore.

Si përfundim dua të them se, nga të gjitha supozimet dhe hipotezat e hedhura mbi vendndodhjen e Dodonës, unë do të veçoja atë në afërsi të Janinës, zbulimi dhe gërmimet arkeologjike të së cilës u nxitën nga Ismail bej Vlora dhe nxorën në dritë rrënojat e lashta. Përderisa në Malin e Tomorit apo në Malin e Trebeshinës nuk janë bërë gërmime dhe zbulime arkeologjike, çdo orientim mbi vendndodhjen e Dodonës në këto vende mbetet veçse një hamendësim.